Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Turqia: Vendet myslimane të bashkohen kundër planit të Izraelit për ta marrë nën kontroll Gazën

Vendet myslimane duhet patjetër të veprojnë të bashkuara dhe ta kundërshtojnë planin e Izraelit për ta marrë nën kontroll Qytetin e Gazës, tha të shtunën ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, pas bisedimeve në Egjipt.

Fuqitë rajonale, Egjipti dhe Turqia, e dënuan planin e Izraelit të premten.

Ankaraja tha se kjo shënon një fazë e re në atë që e quajti politikë “gjenocidale dhe ekspansioniste” të Izraelit, duke bërë thirrje për masa globale për të ndaluar zbatimin e tij.

Izraeli e mohon këtë përshkrim të veprimeve të tij në Gazë.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp në El Alamein me homologun e tij egjiptian, Badr Abdelatty, pas një takimi edhe me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, Fidan tha se Organizata për Bashkëpunim Islamik (OIC) ishte thirrur në një mbledhje urgjente.

Tërmeti me magnitudë 6.1 godet Turqinë

Një tërmet me magnitudë 6.1 ballë goditi Turqinë perëndimore, sipas një njoftimi nga autoriteti i menaxhimit të fatkeqësive në vend, AFAD.

AFAD tha se tërmeti ndodhi në provincën Balikesir, pranë qytetit më të madh të Turqisë, Stambollit, por nuk pati raportime të menjëhershme për viktima ose dëme në asnjë nga provincat e prekura.

Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya deklaroi se ekipet e emergjencës nga AFAD kishin filluar inspektimet rreth Stambollit dhe provincave fqinje, por se deri më tani nuk kishte marrë raporte negative.

Sipas AFAD, tërmeti goditi në një thellësi prej 11 km, ndërsa Qendra Gjermane e Kërkimit për Gjeoshkencat (GFZ) regjistroi tërmetin me magnitudë 6.19 dhe një thellësi prej 10 km./abcnews.al

 

Zjarr në Cërrik, rrezikohen banesa dhe biznese. Dyshohet i qëllimshëm

Një zjarr me përmasa të mëdha ka shpërthyer pasditen e sotme në periferi të qytetit të Cërrikut duke shkaktuar pasoja të rënda në mjedis dhe duke rrezikuar seriozisht dhjetra hektarë me ullishta , vreshta, masive me shkurre , por edhe jetën e banorëve si edhe bizneset  lokale.

Vatra e zjarrit është përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të madhe që nis pranë zonës së ish-uzinës së rafinerisë së naftës dhe është afruar në mënyrë të rrezikshme drejt zonave të banuara dhe qendrave të aktivitetit ekonomik. Era e fortë dhe mbizotërimi i temperaturave  të larta edhe në orët e vona të kësaj të diele kanë ndihmuar në përhapjen agresive të flakëve, duke e bërë situatën të vështirë.

Me dhjetëra punonjës të shërbimit zjarrfikës janë angazhuar në përpjekjet për izolimin e flakëve, të mbështetur nga një numër i konsiderueshëm mjetesh zjarrfikëse. Përveç forcave të zjarrfikëses së Bashkisë Cërrik, në ndihmë janë angazhuar edhe ekipet zjarrfikëse nga bashkitë fqinje të Peqinit, Elbasanit dhe Belshit, duke krijuar një bashkëpunim të koordinuar në terren për të përballuar emergjencën.

Autoritetet lokale kanë bërë të ditur se për shkak të zjarrit është rrezikuar infrastruktura e disa bizneseve. Deri në këto momente nuk raportohet për të lënduar, por dëmet materiale priten të jenë të konsiderueshme.

Paraprakisht raportohet se nga flakët është shkrumbuar një mini kombinat druri .Ndërkohë, policia dhe grupet hetimore kanë nisur verifikimet për të zbuluar shkakun e shpërthimit të zjarrit, i cili mbetet ende i paqartë. Dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme , por edhe për shkaqe të lidhura me faktorë të temperaturave të larta.

Nuk përjashtohet as mundësia e një zjarri të shkaktuar nga pakujdesia njerëzore apo faktorë të tjerë . Por edhe dyshohet se është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike e rrjetit të Tensionit të Lartë  dhe këputja e përcjellësit të kësaj linje.Situata po monitorohet nga autoritet e bashkisë Cërrik.

Situatë kritike në Finiq/ Evakuohen fshatrat në Finiq, ndërhyrje nga ajri

Nga 21 vatra zjarri të raportuara gjatë 24 orëve të fundit në vend, 14 prej tyre vijojnë ende aktive.

Në bashkinë Finiq, flakët kanë kaluar në fshatin Krane, njësia administrative Mesopotam. Ndërsa ndërhyrja ka nisur edhe nga ajri me avionin Kroat Canadair.

Në vendin e quajtur “Rëzom”, në afërsi të Tunelit të Skërficës, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, për shkak të terrenit të thyer është e vështirë të operohet me mjete nga toka.

Një vatër aktive raportohet edhe në fshatin Lukovë, të Himarës.

Në bashkinë Poliçan, jashtë territorit të Uzinës Mekanike, vazhdon vatra e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, terreni i vështirë po vështirëson ndërhyrjen në  në shuarjen e flakëve.

Edhe në Dimal, në fshatin Goriçan, është përfshirë nga flakët një sipërfaqe me me ullinj.

Në fshatin Zagore, njësia administrative Shkrel, bashkia Malësi e Madhe, zjarri ka përfshirë sipërfaqe me shkurre dhe barishte, si pasojë e terrenit të vështirë dhe të paaksesueshëm nga mjetet është e vështirë vënia nën kontroll e vatrës, ndërsa ndërhyrja vazhdon me  pompa shpine.

Zjarri vijon aktiv edhe në disa zona të Tiranës, si në vendin e quajtur “Mali i Bërzhitës”, fshati Ibë, dhe në Ballaj dhe Zhabjak të bashkisë Rrogozhinë.

Ndërsa në qarqet, Durrës, Dibër  dhe Lezhë, situata është nën kontroll, ndërsa forca të shumta operacionale ndodhen në terren./abcnews.al

Organizata e kokainës/ Mbeten në burg 7 të arrestuarit, detyrim paraqitje për dy shoferët

Gjykata e Posacme ka lënë në burg 7 nga të arrestuarit në kuadër të operacionit të SPAK, ku u godit grupi i Çopjave që akuzohet se trafikoi 28 ton kokainë në Evropë, nga të cilat 17 ton u kapën. Për njërin lehtësohet masa e sigurisë.

Ervis Çela, i cili së bashku me Franc Çopjan ishte kreu i organizatës kriminale që solli 28 ton kokainë nga Amerika latine në Evropë për vetëm 2 ngarkesa, është lënë në burg të dielen nga Gjykata e Posaçme në Tiranë.

Pas seancës GJKKO konfirmoi arrestet me burg edhe për 6 të prangosur të tjerë, Albin Çela alias Defrim Çela, Petrit Lakatos alias Petrit Sulejmani, Renato Musaku, Gert Çerma, Marenglen Kamami dhe Elidon Çela. I vetmi nga 8 të prangosurit për të cilin Gjykata ka zbutur masën e sigurisë është Riza Çela, të cilin e ka çuar në arrest shtëpie.

Togat e zeza kanë konfirmuar edhe masën “detyrim paraqitje” për dy shoferë autobusësh, Kujtim Gjyla dhe Ditjon Pepa.

Në kërkim vazhdojnë 5 të tjerë.

Të premten SPAK zhvilloi operacion në disa qytete të vendit, kryesisht në Elbasan, Tiranë, Durrës e Lushnjë për të zbatuar 16 masat e sigurie, 14 arreste me burg dhe 2 detyrim paraqitjeje, për organizatën kriminale të Çopjave.

Pokuroria e Posaçme njoftoi se Franc Çopja dhe Ervis Çela, të evidentuar si krerë të organizatës, operonin në një shkallë globale, duke bashkëpunuar me grupe të tjera kriminale për të lehtësuar transportet e kokainës drejt porteve evropiane dhe investonoin fitimet e mëdha në prona dhe biznese në Shqipëri dhe jashtë saj./abcnews.al

Zjarret, 14 vatra aktive/ Ministri Vengu: Pritet ardhja e helikopterëve nga Emiratet Arabe, Greqia dhe dy vende të BE

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu thotë se në vend, 14 vatra zjarri janë ende aktive.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vengu shprehet se avioni Canadair kroat ka operuar në Krane të Finiqit dhe Lukovë të Himarës.

Vengu shtoi se pritet ardhja e dy helikopterëve të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe, 1 Canadair nga Greqia dhe dy helikopterë të mekanizmit evropian nga Çekia dhe Sllovakia.

“Vëmendje dhe angazhim maksimal në terren nga Forcat e Armatosura, Forcat zjarrfikëse dhe ato të Policisë për të siguruar zonat e banuara përreth të cilave po punojmë për të krijuar perimetër sigurie në të gjitha vatrat problematike.

Që nga mëngjesi i sotëm janë evidentuar 21 vatra zjarri në vend, prej të cilave 7 janë shuar dhe 14 vijojnë aktive.

Avioni Canadair kroat ka operuar aty ku nevoja ka qenë më e madhe, në Krane të Finiqit dhe Lukovë të Himarës, ndërsa ekuipazhet e Bazës Ajrore Farkë kanë ndërhyrë në Ballaj dhe Zhabjak të Rrogozhinës dhe aktualisht në Poliçan, ku flakët nuk rrezikojnë perimetrin e ish-Kombinatit Mekanik.

Misionet nga ajri dhe ndërhyrja nga toka në këto zona kanë ulur rrezikun për banorët, shtëpitë dhe bizneset, por situata vazhdon të mbetet dinamike si pasojë e erërave të forta dhe temperaturave të larta që do të vazhdojnë të dominojnë në vend.

Gjatë orëve të ardhshme, flotës në veprim do t’u bashkohen edhe dy helikopterë të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe, 1 Canadair nga Greqia dhe dy helikopterë të mekanizmit evropian nga Çekia dhe Sllovakia të cilët do dislokohen që sonte në Rinas dhe Bazën Ajrore të Kuçovës.

Sakaq, Komiteti Shtetëror i Emergjencave Civile ka urdhëruar rritjen e gatishmërisë së Bashkive në nivelin maksimal në mbarë vendin teksa forcat operacionale janë të angazhuara në çdo vatër që konsiderohet kritike në territor.”, shkruan Vengu.

Ukrainasit shkatërrojnë radarin e sistemit raketor rus në Krime

Forcat ukrainase thuhet se kanë shkatërruar një radar të rrallë rus të lidhur me sistemin më të ri të mbrojtjes ajrore dhe raketore S-500 “Prometey” të vendit, sipas portalit të mbrojtjes Militarnyi.

Raporti, duke cituar komunitetin e inteligjencës me burim të hapur CyberBoroshno, tha se kjo u zbulua në pamjet e publikuara nga Drejtoria e Inteligjencës së Mbrojtjes (GUR) e Ukrainës, që tregonin sulme me dronë nga njësia e forcave speciale “Prymary” kundër instalimeve të radarëve në gadishullin e pushtuar Krime.

“Videoja e djeshme nga GUR na tërhoqi vëmendjen për shkatërrimin e një radari 96L6 nga sistemi S-400 – përveç se nuk ishte një 96L6”, shkruajnë analistët e CyberBoroshno.

“Ne analizuam tiparet vizuale të objektivit dhe mund të themi se ky është radari më i fundit 98L6 ‘Yenisei’, i cili është radari standard për sistemin S-500 ‘Prometey’”, thanë ata ndër të tjera.

Testet për 98L6 “Yenisei” u kryen midis viteve 2020 dhe 2021, dhe të dhënat nga burime të hapura tregojnë se ai u pranua zyrtarisht në shërbim në prill 2021.

Ushtria e Koresë së Jugut është tkurrur për 20 për qind në gjashtë vjetët e fundit

Ushtria e Koresë së Jugut është zvogëluar për 20 për qind gjatë gjashtë vjetëve të fundit, dhe tani ka 450.000 trupa, kryesisht për shkak të një rënie të ndjeshme të numrit të meshkujve në moshën e rekrutimit për shërbim të detyrueshëm ushtarak, sipas një raporti të publikuar të dielën.

Koreja e Jugut e ka normën më të ulët të lindshmërisë në botë.

Rënia dramatike e numrit të meshkujve të gatshëm për shërbim ushtarak po shkakton gjithashtu mungesë të oficerëve dhe mund të sjellë vështirësi operacionale nëse vazhdon, thuhet në raportin e Ministrisë së Mbrojtjes së Koresë së Jugut.

Raporti iu dorëzua anëtares së partisë në pushtet, Partia Demokratike, Choo Mi-ae, zyra e së cilës e bëri publik.

Ushtria e Koresë së Jugut ka qenë në rënie të vazhdueshme që nga fillimi i viteve 2000, kur kishte rreth 690.000 ushtarë.

Zjarret në vend, Mbrojtja: Gjatë orëve të fundit janë evidentuar 21 vatra, 14 ende aktive

Në orët e fundit janë raportuar 21 vatra zjarri, sipas një përditësimi nga Ministria e Mbrojtjes.

14 nga këto vatra janë ende aktive.

Situata e zjarreve në rang vendi

Gjatë orëve të fundit janë evidentuar 21 vatra zjarri, nga të cilat janë shuar 7 vatra zjarri, ndërsa 14 janë aktive.
Aktualisht, janë aktive vatrat në:
* Qarku Vlorë.
Në bashkinë Finiq vazhdon të jetë aktive vatra e zjarrit. Flakët kanë kaluar në fshatin Krane, njësia administrative Mesopotam. Në terren po operojnë: 37 efektivë me 6 automjete zjarrfikëse të bashkive Finiq, Sarandë, Konispol dhe Delvinë, 20 forca policore, 30 forca bashkiake dhe vullnetare, të ndihmuar nga Forcat e Armatosura me 28 efektivë, 4 automjete zjarrfikëse, 1 autoambulancë, 1 autobot, 60 forca ushtarake dhe mbështetje nga ajri. Gjithashtu ka operuar edhe avioni Kroat Canadair.
* Në vendin e quajtur “Rëzom”, në afërsi të Tunelit të Skërficës, te maja e “Lucës”, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pyjore. Për shkak të terrenit të thyer është e vështirë të operohet me mjete nga toka, por në vendngjarje kanë shkuar punonjësit e AdZM.
* Në fshatin Bolenë, njësia administrative Horë-Vranisht, bashkia Himarë. Në terren janë duke operuar forcat e MZSH të bashkisë Himarë dhe Vlorë me 3 automjete zjarrfikëse, 10 efektivë dhe forca vullnetare, të ndihmuar dhe nga 20 forca të FA-së, të cilët kanë vënë zjarrin nën kontroll.
* Në fshatin Lukovë, njësia administrative Lukovë, bashkia Himarë. Në terren po punojnë efektivët e MZSH Himarë me 1 automjet zjarrfikës dhe 3 efektivë, të cilët po punojnë për shuarjen e tij.

* Qarku Lezhë.
Në fshatin Malaj i Epërm, në lagjen “Vjollcë”, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë, ku zjarri është izoluar në sipërfaqe pyjore me pisha, lis dhe shkurre. Vatra e zjarrit është nën kontroll të plotë dhe po punohet me 2 mjete zjarrfikëse, 6 efektivë nga MZSH, 6 forca të pyjores, 5 forca bashkiake dhe 2 forca vullnetare.
* Qarku Dibër.
Malin e Allushit, në afërsi të fshatit Plani Bardhë, bashkia Klos, vatra e zjarrit është nën kontroll dhe po monitorohet nga 6 efektivë të MZSH dhe 1 automjet zjarrfikës.
* Qarku Berat
Në bashkinë Poliçan, jashtë territorit të Uzinës Mekanike, vazhdon vatra e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Në terren janë duke operuar forcat e MZSH të bashkisë Poliçan, Berat dhe Skrapar me 7 automjete zjarrfikëse dhe 25 efektivë, por e kanë të vështirë vënien e zjarrit nën kontroll.
* Në fshatin Kozare, pranë pusit 4, njësia administrative Kozare, bashkinë Kuçovë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Në terren janë angazhuar efektivë të MZSH Kuçovë, të cilët po punojnë për shuarjen e tij.
* Në fshatin Goriçan, njësia administrative Kutalli, bashkinë Dimal, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me ullinj. Në terren janë angazhuar efektivë të MZSH Dimal me 3 automjete zjarrfikëse dhe 9 efektivë, të cilët po punojnë për shuarjen e tij.

* Qarku Shkodër
Në fshatin Zagore, njësia administrative Shkrel, bashkia Malësi e Madhe, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe barishte. Në vendngjarje kanë shkuar 1 automjet zjarrfikëse me 6 efektivë nga Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Malësi e Madhe, të cilët po ndërhyjnë me pompa shpine, por si pasojë e terrenit të vështirë dhe të paaksesueshëm nga mjetet është e vështirë vënia nën kontroll e vatrës.
* Qarku Tiranë
Në vendin e quajtur “Mali i Bërzhitës”, fshati Ibë, njësia administrative Bërzhitë, bashkia Tiranë. Në terren janë angazhuar forcat operacionale, të cilët po punojnë për shuarjen e zjarrit.
* Në fshatin Ballaj dhe Zhabjak, njësia administrative Kryevidh, bashkia Rrogozhinë, ku era e fortë vështirëson punën e forcave për të vënë nën kontroll flakët. Në terren po punojnë efektivët e MZSH Rrogozhinë, Peqin dhe Kavajë. Në ndihmë ka shkuar dhe një helikopter nga FA dhe 50 forca ushtarake, për të siguruar mospërhapjen e zjarrit drejt banesave.
* Qarku Durrës
Në malin e Krujës, sipër fabrikës së çimentos, bashkia Krujë. Në terren janë angazhuar forcat operacionale, të cilët po punojnë për shuarjen e tij.
* Qarku Gjirokastër
Në fshatin Turan, njësia administrative Qendër Tepelenë, bashkia Tepelenë. Në terren janë angazhuar forcat operacionale, të cilët po punojnë për shuarjen e zjarrit

Ukraina çliron një fshat në kufi me Rusinë

Forcat ukrainase çliruan fshatin Bezsalivka në kufirin shtetëror me Rusinë në Sumy Oblast, njoftoi Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Deklarata e Shtabit të Përgjithshëm vjen ndërsa Rusia vazhdon të përpiqet të përparojë më thellë në Sumy Oblast më shumë se dy muaj pasi hapi një front të ri në verilindje.

Shtabi i Përgjithshëm tha se “eliminoi” 18 ushtarë rusë në operacion.

Regjimenti i 33-të Sulmues dhe Batalioni i 24-të Sulmues morën pjesë në operacionin për çlirimin e fshatit, sipas Shtabit të Përgjithshëm.

Pas tërheqjes së forcave ukrainase nga territori i mbajtur në Oblastin fqinj të Kurskut të Rusisë — i marrë gjatë inkursionit të papritur ndërkufitar të Kievit në verën e vitit 2024 — zonat kufitare kanë parë një rritje të luftimeve.

Tetovë/ Shkëmbim zjarri mes dy automjeteve, një viktimë dhe disa të plagosur

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mesditën e së dielës në Tetovë.

Nga të shtënat, ka mbetur i plagosur një person dhe janë tre të tjerë janë plagosur, sipas mediave në Maqedoninë e Veriut.

Sipas policisë së Tetovës, ka pasur një shkëmbim zjarri mes dy automjeteve.

“Me date 10.08, ne SPB Tetovë, në ora 12:30, është raportuar se në kryqëzimin e rrugës “Ilinden” me rrugën “Bllagoja Toska” në Tetovë, ka ndodhur një shkëmbim zjarri mes personave nga dy automjete, për pasojë ka ndodhur edhe një aksident trafiku, pas së cilës të dyja automjetet e kanë lëshuar vendin e ngjarjes, njëri prej tyre është drejtuar drejt rrugës “113”, ndërsa tjetri në drejtim të panjohur”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Netanyahu: Qëllimi ynë nuk është ta pushtojmë Gazën, por ta çlirojmë

Duke folur në një konferencë për shtyp, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pretendon se banorët e Gazës po i “luten” Izraelit t’i çlirojë nga Hamasi.

“Qëllimi ynë nuk është të pushtojmë Gazën, qëllimi ynë është të çlirojmë Gazën”, tha Netanyahu.

“Lufta mund të përfundojë nesër nëse Hamasi ul armët dhe liron të gjithë pengjet e mbetura”, shtoi ai, shkruan Sky News.

Sipas tij, Gaza do të çmilitarizohet dhe Izraeli do të mbajë “përgjegjësinë e sigurisë” dhe një “administratë civile jo-izraelite” do të vendoset në Gaza.

“Ky është plani ynë për ditën pas.”, theksoi kryeministri.

Kabineti i sigurisë i Izraelit ka miratuar planin e propozuar nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, që ushtria “të marrë kontrollin” e Qytetit të Gazës. Kombet e Bashkuara dhe disa shtete e kanë dënuar këtë vendim, duke kërkuar nga Izraeli që të heqë dorë nga ky plan./abcnews.al

JD Vance: SHBA po punon për një takim Putin-Zelensky

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, tha se Uashingtoni po punon për një takim midis Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky.

Vance i bëri komentet gjatë një interviste me Fox News.

Ai i tha medias amerikane se SHBA-të ishin në proces të caktimit të një date kur udhëheqësit rusë dhe ukrainas mund të takohen dhe të diskutojnë për t’i dhënë fund konfliktit.

Vance shton se nuk mendon se është produktive që Putini dhe Zelensky të ulen përpara samitit të Alaskës.

Ndërkaq, një takim mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij rus, Vladimir Putin, do të zhvillohet të premten e ardhshme në Alaskë.

Synimi i takimit të Trumpit me Putinin është për t’i dhënë fund luftës gati katërvjeçare të Rusisë në Ukrainë./abcnews.al

Armëpushimi në Ukrainë/ Kallas: SHBA ka fuqinë të detyrojë Rusinë që të negociojë seriozisht

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, deklaroi se SHBA ka fuqinë për të detyruar Rusinë të ulet seriozisht në tryezën e bisedimev, lidhur me një armëpushim në Ukrainë.

Në një deklaratë për mediat, Kallas u shpreh çdo marrëveshje mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për përfundimin e luftës në Ukrainë duhet të përfshijë detyrimisht edhe Ukrainën dhe Bashkimin Evropian, shkruan Sky News.

“SHBA-të kanë fuqinë ta detyrojnë Rusinë të negociojë seriozisht. Çdo marrëveshje midis SHBA-së dhe Rusisë duhet të përfshijë Ukrainën dhe BE-në, sepse është çështje e sigurisë së Ukrainës dhe të gjithë Evropës”, tha Kallas përmes një deklarate dërguar me email.

Kallas shtoi se të gjitha territoret e pushtuara përkohësisht i përkasin Ukrainës.

“Një marrëveshje nuk duhet të shërbejë si trampolinë për agresion të mëtejshëm rus kundër Ukrainës, aleancës transatlantike dhe Evropës”, shtoi ajo./abcnews.al

Grenell: Thaçi, peng i Hagës! Kritika të ashpra për Kurtin. Përjashton shkëmbimin e territoreve

I dërguari special  presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell Richard Grenell, ka thënë se Hashim Thaçi po mbahet peng nga Gjykata Speciale, të cilën e cilësoi një njollë të madhe për europianët.

Në një intervistë për Klan Kosova, Grenell tha se duhet dëgjuar kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kur thotë se kjo është e papranueshme. Ai shtoi se Thaçi po mbahet për një kohë kaq të gjatë në burg me akuza të çmendura politike.

“Po, me siguri konsideroj që çfarë i kanë bërë në pesë vitet e fundit është mu të qenit peng. Është një situatë e tmerrshme dhe duhet ta dëgjoni Edi Ramën. Mendoj se duhet t’i dëgjoni njerëzit gjithandej Evropës të cilët kanë filluar të thonë se kjo është e papranueshme. Nëse doni një sistem të drejtë të drejtësisë, kjo është tmerrësisht e gabuar”.

Më tej ai i bëri thirrje Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, që të bëjnë më shumë për të mbrojtur ish presidentin Hashim Thaçi.

“Mendoj se qoftë presidentja Osmani, kryeministri Albin Kurti mund të bëjë diçka dhe kjo nuk ka të bëjë për të shkruar Hashim Thaçin për të gjithë Kosovën.  Kisha bërë apel te Albin Kurti dhe presidentja Osmani që të dy të bëjnë më shumë për ta mbrojtur Kosovën, sepse një ditë është Hashim Thaçi, të nesërmen mund të jetë që të jenë ata”.

Grenell konfirmoi gjithashtu se administrata e Donald Trump do ta ndjekë hap pas hapi çështjen e Kosovës. I pyetur nëse ka ndonjë plan për t’u rikthyer në temat e vjetra si korrigjimi i kufijve, Grenell tha se nuk ka kthim mbrapa në asgjë.

Në lidhje me dialogun Prishtinë-Beograd ai tha se ideja e njohjes reciproke është qesharake dhe theksoi se zgjidhjet politike duhet te vijnë nga zhvillimi ekonomik./abcnews.al

Përfundon moratoriumi i gjuetisë/ Projektligji dërgohet në Kuvend, parashikon rregulla me te forta

Qeveria ka vendosur që të mos zgjasë moratorimin për gjuetine e kafshëve dhe të shpendëve në vend. Projektligji është dorëzuar në kuvend ku pritet të diskutohet në nisje të seancës së re parlamentare.

Në  projektligjin e  ri  parashikohet që gjuetia të zhvillohet vetëm në zonat e lejuara me qëllim menaxhimin dhe ruajtjen e llojeve të faunës së egër. Po ashtu parashikohet që zonat e gjuetisë mund t’i jepen subjekteve private në përdorim  me anë të një procedure konkurrimi për një afat deri në 5 vjet, me të drejtë rinovimi.

Zonat e lejuara për gjueti që do jenë me pronësi shtetërore, private apo të kombinuara por   duhet të kenë  sipërfaqe jo më të vogla se 500 ha, ndërsa zona për kultivimin e llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie, krijohet në sipërfaqe jo më të vogla se 50 ha.

Po ashtu në draft parashikohen  që  shkelësit e ligjit të përballen me gjoba më të ashpra nga ato që janë në fuqi dhe variojnë  nga 100 mijë lekë deri në 1.3 milionë lekë në varësi të shkeljes. Gjuetarit të gjobitur  i hiqet leja dhe arma e gjuetisë  dhe nuk i kthehen pa paguar më parë gjobën, ndërsa të ardhurat nga gjoba do të derdhen në Buxhetin e Shtetit.

Në draft është vendosur gjithashtu që gjahtarët, duhet të jenë mbi 25 vjeç, do të duhet të kalojnë një test njohurie shtetërore për faunën e egër në Shqipëri dhe do të licencohen dhe pajisjen me leje personale gjueti./abcnews.al

Vrasje e trefishtë në Gjilan, autori në kërkim nga policia

Një ngjarje e rëndë ndodhi mesditën e së dielës në Gjilan, ku tre persona mbetën të vrarë.

Autori i dyshuar është në arrati, teksa ai është emër i njohur për policinë.

Në vendin e ngjarjes janë parë forca të shumta policore.

Autoritetet kanë bllokuar zonën për disa orë, ndërsa Prokuroria ka nisur hetimet për zbardhjen e motivit të krimit./abcnews.al

Turizmi, “i etur” për kredi/ BSH: Gjatë qershorit u aprovuan 1.33 miliard lekë hua

Zhvillimi i turizmit në vend ka ndikuar në shtimin e e investimeve nga bizneset në këtë sektor.Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se përgjatë këtij viti  nënsektorët që lidhen me turizmin kanë marë më tepër kredi për të realizuar investime.

Vetëm  për muajin qershor janë aprovuar 1.3 miliardë lekë hua për “Akomodimin dhe shërbimin ushqimor”, që përfshin strukturat e mikpritjes dhe turizmit, duke u rritur me  42% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nëse vërejmë të dhënat rezulton se ky është niveli më i lartë i regjistruar për këtë sektor në një muaj të vetëm.Rritja e kreditimit është një tregues i këtij sektori për përgatitjet për  sezonin i cili tashmë  zgjeruar përtej verës.

Ndërkohë që sektori i cili vijon të ketë pëshën më të madhe në marjen e kredive rezulton se  “Tregtia me shumicë dhe me pakicë; Riparimi i automjeteve”, me një shumë totale prej 10.85 miliardë lekësh, me një rritje prej 44.7% në terma vjetorë. Edhe tregtia me pakicë është një sektor që ka lidhje me sektorin e turizmit. Bankat kanë dhënë më tepër hua edhe për industrinë përpunuese e cila vetëm në qershor ka marrë 3.45 miliardë lekë e ndjekur nga ndërtimi me 2.87 miliarde.

Nga të dhënat e Bankës Qendrore konfirmohet se të gjithë bizxneset kanë marë më tepër kredi në muajt e parë të këtij viti për investime, po ashtu edhe individët janë mbështetur më shumë  për blerje banesash.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë konfirmojnë se në qershor huaja e re në total arriti vlerën 38.8 miliardë lekë duke pësuar një rritje të ndjeshme prej mbi 7 miliardë lekësh  në krahasim me të njëjtën periudhë të një të viti më parë ose 24.7%./abcnews.al

❌