Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Ngjarja në Gjilan, reagon ministri i Brendshëm në detyrë Sveçla

PRISHTINË, 10 gusht /ATSH/ Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka reaguar pas vrasjes së trefishtë sot në Gjilan, duke thënë se i dyshuari kryesor i vrasjes ka qenë i arrestuar vitin e kaluar për fajde, por “neglizhenca dhe tolerimi nga sistemi i drejtësisë po na sjellin në pikën ku jemi sot.”

Mefail Shkodra (53) dhe dy djemtë e tij Edonis Shkodra (25) dhe Engjull Shkodra (22) janë shpallur persona në kërkim nga Policia e Kosovës në lidhje me rastin, teksa është arrestuar një tjerët person, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, raporton KosovaPress.

Në reagimin e tij, ministri në detyrë Xhelal Sveçla ka shprehur tronditjen e thellë dhe ka shprehur ngushëllimet e tij më të sinqerta për familjet e viktimave.

Ai ka shprehur indinjatën e tij me prokurorinë dhe gjyqësorin për neglizhencë, pasi i dyshuari kryesor i rastit ishte arrestuar vitin e kaluar nga Policia e Kosovës.

“Në këtë ngjarje të rëndë nuk mund të mos jem jashtëzakonisht i indinjuar me trajtimin që institucionet e drejtësisë, si Prokuroria e Gjyqësori, janë duke i bërë rasteve të tilla duke i lënë në liri. Sipas informacioneve, i dyshuari kryesor i vrasjes së sotme ka qenë i arrestuar vitin e kaluar nga Policia e Kosovës për fajde, ndërkaq neglizhenca dhe tolerimi nga ana e sistemit të drejtësisë po na sjellin në pikën ku jemi sot”, ka shkruar ai në Facebook.

Sveçla ka theksuar se është momenti i fundit që këto institucione të reflektojnë e të mos ketë tolerim për asnjë kriminel e asnjë veprimtari kriminale.

“Qytetarët duhet ta kenë shtetin garant të sigurisë dhe jo të ndihen të frikësuar.”

/KosovaPress/

The post Ngjarja në Gjilan, reagon ministri i Brendshëm në detyrë Sveçla appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje të flamingove në lagunën e Nartës

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamje të spektaklit që dhurojnë flamingot në Lagunën e Nartës, duke e cilësuar atë “magjike”.

Shqipëria është një habitat i dashur dhe i sigurt për një shumëllojshmëri speciesh, të cilat jetojnë, folezojnë, apo ushqehen në territoret e zonave të mbrojtura dhe jo vetëm. Flamingo është një tjetër lloj i cili duket se tani më ka nisur të folezojë në Shqipëri, konkretisht në Lagunën e Nartës.

Flamingot në zonat e mbrojtura ujore jetojnë të paqtë, në një numër shumë të lartë. Kjo specie e mrekullueshme jeton mesatarisht deri në 30 vite.

Ato jetojnë gjithmonë në grupe, që nga ato me numër të vogël, deri në qindra-mijëra. Zogjtë ngrihen në ajër në grup dhe fluturojnë me qindra kilometra gjatë periudhës së shtegtimit.

Laguna e Nartës ndodhet rreth 14 km në veriperëndim të qytetit të Vlorës dhe ka një sipërfaqe prej rreth 42 km2. Ndahet nga deti Adriatik nga një rrip i ngushtë toke ranore, që përbëhet nga duna rëre dhe plazhe të vegjël pa bimësi të dendur.

Laguna e Nartës, renditet e dyta më e madhe nga rëndësia për shpendët e ujit në vendin tonë. Në këtë lagunë janë rreth 20 mijë shpendë dimërorë të rreth 40 llojeve, duke u kthyer në një habitat shumë të pasur, gjithashtu vendushqimi për pelikanin dhe ku takohen rregullisht flamingot.

The post Rama ndan pamje të flamingove në lagunën e Nartës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga e diela në Velipojë

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga e diela në plazhin e Velipojës, i mbushur me pushues.

Velipoja e kësaj vere shpalos një peizazh krejt tjetër të hapësirave të shtuara publike, respektimit të distancave, rregullit dhe sinjalistikës së sigurisë.

Me mbi 14 kilometra vijë bregdetare, Velipoja ofron një ndërthurje të rrallë mes detit, lumit, deltës me ishuj, kodrave, pyllit, lagunës dhe fushave, që e bëjnë atë tërheqëse për vizitorët në çdo stinë.

Shtimi i hapësirave publike dhe menaxhimi më i mirë i plazheve kanë ndikuar në rritjen e ndjeshme të numrit të turistëve këtë vit.

Rreth 60% e plazheve në bashkinë e Shkodrës janë publike dhe po mirëmbahen në kuadër të operacionit kombëtar “Plazhe të pastra”, që zhvillohet për të katërtin vit radhazi me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.

The post Rama ndan pamje nga e diela në Velipojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria luan ndeshjen e parë në histori kundër Gjilbraltarit më 4 shtator

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Kombëtarja e futbollit do të rikthehet sërish në fushë më 4 shtator, duke nisur angazhimet e muajit me një ndeshje miqësore ndaj Gjibraltarit. Kjo do të jetë përballja e parë në histori mes këtyre dy përfaqësueseve.

Një takim miqësor mes Shqipërisë dhe Gjibraltarit ishte planifikuar që në vitin 2020 në stadiumin “Elbasan Arena”, por që nuk u zhvillua për shkak të masave kufizuese të pandemisë COVID-19, që e bënë të pamundur organizimin e ndeshjes dhe udhëtimin e ekipeve.

Takimi i 4 shtatorit do të zhvillohet në stadiumin “Europa Point” në Gjibraltar, në orën 18:00.

Pas kësaj sfide, kuqezinjtë do të kthehen në Tiranë për ndeshjen e dytë të muajit, atë ndaj Letonisë, që do të luhet më 9 shtator në stadiumin “Air Albania”. Ndeshja kundër Letonisë është e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026.

The post Shqipëria luan ndeshjen e parë në histori kundër Gjilbraltarit më 4 shtator appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ngjarja e rëndë në Gjilan, policia kërkon ndihmën e qytetarëve për kapjen e autorit të krimit

PRISHTINË, 10 gusht /ATSH/ Mefail Shkodra (53), Edonis Shkodra (25) dhe Engjull Shkodra (22) janë tre personat e shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës për shkak të vrasjes së trefishtë sot në Gjilan dhe plagosjes së një personi tjetër.

Fillimisht Policia e Kosovës ka vënë në kërkim Mefail Shkodrën, pas incidentit të rëndë sot në Gjilan ku kanë mbetur të vdekur tre persona dhe një tjetër i plagosur. Më pas Policia ka shpallur në kërkim edhe dy djemtë e tij, Edonis Shkodra (25) dhe Engjull Shkodra (22).

Mefail Shkodra, me vendbanim në Gjilan, sipas policisë kërkohet për vepër penale “Vrasje e rëndë”.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan, me qëllim të lokalizimit dhe arrestimit të të dyshuarit, ka lëshuar kërkesë për bashkëpunim me qytetarët dhe mediet.

Policia kërkon nga qytetarët dhe mediat që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit në foto, të lajmërojë në stacionin më të afërt policor apo përmes aplikacionit Lajmëro Policinë, e-mail: info@kosovopolice.com, si dhe në numrat kujdestarë 192; 038 508 07001. Të dhënat do të ruhen në konfidencialitet të plotë.

Tre persona kanë humbur jetën dhe një tjetër është plagosur si pasojë e një incidenti ku janë përdorur armë zjarri sot rreth orës 12:32 në rrugën “Ibrahim Rugova”.

I dyshuari për rastin është një shtetas i Kosovës, i njohur për policinë, i cili për momentin është në arrati.

Policia e Kosovës Njësitet e hetimeve rajonale në bashkëpunim me prokurorin e shtetit po i hetojnë rrethanat e këtij rasti të rëndë.

/KosovaPress/

The post Ngjarja e rëndë në Gjilan, policia kërkon ndihmën e qytetarëve për kapjen e autorit të krimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përkujtohet sot poeti Havzi Nela, “Martir i Demokracisë”

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi sot poetin Havzi Nela (20 shkurt 1934 – 10 gusht 1988).

Ai lindi më 20 shkurt të vitit 1934 në fshatin Kollovoz të Kukësit. Pasi kreu shkollën fillore dhe të mesme, nisi studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës.

Për shkak të bindjeve, u përjashtua nga Instituti si element destruktiv. Mes shumë vështirësish, filloi punë si mësues në shkollën fillore të Planit të Bardhë në Mat. U dëbua nga ky fshat për shkak të dyshimeve që ishin ngritur rreth tij: mendohej se u lexonte nxënësve poemat e tij. Më vonë arriti të përfundonte Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës me korrespondencë.

Punoi si mësues në fshatra të ndryshëm, si në Krumë, Lojma dhe në Shishtavec deri në vitin 1967, vit kur u transferua në Topojan. Aty kontrollohej vazhdimisht dhe u mor në paraburgim shumë herë. Ndaj tij nisën një sërë kufizimesh mbi llojin e punës që mund të bënte dhe ku mund të jetonte.

Më 26 prill 1967, bashkë me të shoqen, Lavdien, kaluan kufirin me Kosovën. Gjatë kalimit të kufirit, u arrestuan nga ushtarët jugosllavë dhe u burgosën në burgun e Prizrenit.

Më 6 maj 1967, jugosllavët i kthyen në pikën kufitare të Morinës, në këmbim të shqiptarëve nga Kosova, që qeveria komuniste e Enver Hoxhës ia dorëzonte policisë sekrete jugosllave, UDB-së.

Më 22 maj 1967 u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg për kalim të paligjshëm kufiri. E gjithë pasuria e tij u konfiskua. E shoqja u dënua me dhjetë vjet burg. Më 8 gusht 1975, dënimit ekzistues iu shtuan edhe tetë vite të tjera. U lirua më 19 dhjetor 1986, por vetëm për një kohë të shkurtër. Më pak se një vit më vonë, më 12 tetor 1987, u internua në fshatin Arrën.

Më 24 qershor 1988, Gjykata e Lartë hodhi poshtë kërkesën e Lavdie Nelës, dhe ai u dënua me varje. Vendimi u ekzekutua publikisht në Kukës, më 10 gusht 1988.

Havzi Nela është dekoruar me medaljen “Martir i Demokracisë”.

Në përkujtimin e 75-vjetorit të lindjes së Havzi Nelës, shkrimtari i shquar Ismail Kadare shkruante: “Poeti Havzi Nela është një këmbanë që ende bie për shoqërinë shqiptare. Të mos e dëgjosh këtë këmbanë do të thotë të vazhdosh të shkelësh me këmbë lirinë e Shqipërisë”.

The post Përkujtohet sot poeti Havzi Nela, “Martir i Demokracisë” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rasti i rëndë në Gjilan, arrin në tre numri i viktimave

PRISHTINË, 10 gusht /ATSH/ Ka ndërruar jetë edhe njëri nga personat e plagosur, duke shkuar kështu në gjithsej tre të vdekur si pasojë e një incidenti sot në Gjilan, ku u përdorën armë zjarri.

Burime të KosovaPress brenda policisë në Gjilan kanë njoftuar edhe për vdekjen e një personi tjetër ndërkohë.

Më herët u njoftua për dy të vrarë dhe dy të plagosur në incidentin e rëndë sot në Gjilan.

Sulmuesi aktualisht ndodhet në arrati dhe është në kërkim nga Policia.

/KosovaPress/

The post Rasti i rëndë në Gjilan, arrin në tre numri i viktimave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dy të vrarë në Gjilan, dyshohet edhe për dy të plagosur – sulmuesi në arrati

PRISHTINË, 10 gusht /ATSH/ Dy persona kanë humbur jetën dhe dyshohet se dy persona të tjerë janë plagosur si pasojë e një incidenti ku janë përdorur armë zjarri sot në Gjilan.

Zëdhënësi i policisë rajonale për Gjilan, Ismet Hashani ka konfirmuar për KosavaPress, se rasti i rëndë ka ndodhur sot rreth orës 12:32 në rrugën “Ibrahim Rugova”.

“Në këtë rast mjeku kujdestar e ka konstatuar vdekjen e dy personave. Dyshohet se edhe dy  persona të tjerë janë plagosur dhe u është ofruar ndihmë në qendrën emergjente në Gjilan”, ka thënë Hashani.

I dyshuari për rastin është një shtetas i Kosovës, i njohur për policinë, i cili për momentin është në arrati.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse dhe prokurori i shtetit. Policia e Kosovës Njësitet e hetimeve rajonale në bashkëpunim me prokurorin e shtetit po i hetojnë rrethanat e këtij rasti të rëndë.

/KosovaPress/

The post Dy të vrarë në Gjilan, dyshohet edhe për dy të plagosur – sulmuesi në arrati appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

160-vjetori i lindjes së poetit arbëresh Zef Skiroi

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujtoi sot në 160-vjetorin e lindjes poetin, etnografin dhe publicistin e shquar arbëresh, Zef Skiroi.

Zef Skiroi (Hora e Arbëreshëvet, 10 gusht 1865 – Napoli, 17 shkurt 1927) ishte poet, gjuhëtar, folklorist, etnograf, gazetar dhe publicist i shquar arbëresh.

Krijimtaria e tij dhe e bashkëkohësve Gavril Dara dhe Jeronim De Rada, përbëjnë triptikun e poemave arbëreshe në letërsinë romantike shqiptare.

Në moshën 9-vjeçare, ai shkroi një vjershë kushtuar Skënderbeut, duke hapur kështu sfondin e veprave të veta të mëvonshme.

Studimet i kreu në Seminarin Shqiptar të Palermos, ku u formua me traditën e kulturës shqiptare, si dhe të asaj klasike (Dante, Servantesi, Gëte, Shileri etj.).

Më 1887, së bashku me Françesk Petën, themeluan në Palermo revistën “Arbëri i ri”, si dhe botoi përmbledhjen e parë me vjersha.

Skiroi mbaroi studimet për drejtësi më 1890 dhe po këtë vit u emërua “docent” i letërsisë antike në liceun “Garibaldi” të Palermos.

Në qendër të veprës së tij, Skiroi kishte çështjen kombëtare. Periodiku “Arbri i ri”, që pa dritën e botimit në sajë të përpjekjeve të tij, do të shërbente si një busull identitare për arbëreshët dhe si një tribunë e krijimtarisë së autorëve të këtij komuniteti.

Në moshën 35-vjeçare arriti të merrte vendin e titullarit të Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe, të hapur pranë Institutit Mbretëror Oriental të Napolit.

Vepra e tij kryesore ishte “Te dheu i huaj”, e cila, siç do të shprehej edhe Eqrem Çabej, do të ishte njëfarë himni kombëtar i shqiptarëve të Italisë.

Më pas, ai vazhdoi veprimtarinë albanologjike në Napoli me botime, leksione dhe pjesëmarrje në kongrese. Veprat kryesore të tij janë: “Mili e Hajdhia”, “Te dheu i huaj” dhe “Mino”.

Zef Skiroi vdiq në Napoli, në vitin 1927.

The post 160-vjetori i lindjes së poetit arbëresh Zef Skiroi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Me masë “Arrest me burg” nga GJKKO, ekstradohet nga Italia një shtetas

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Ekstradohet nga Italia një shtetas i kërkuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë të specialistëve të Interpol Tiranës me homologët e Interpol Romës, në kuadër të operacionit “The Wanted”, u finalizua ekstradimi nga Italia në Shqipëri, i shtetasit E. C., alias E. Gj, 32 vjeç.

Shtetasi E. C., alias E. Gj, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në prill 2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) Tiranë, kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Në përfundim të procedurave në Komisariatin e Policisë Rinas, shtetasi E. C., alias E. Gj, iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

The post Me masë “Arrest me burg” nga GJKKO, ekstradohet nga Italia një shtetas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kreu një sërë vjedhjesh në zonën e Lezhës dhe Laçit, arrestohet 25-vjeçari

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Policia e Kurbinit ka zbardhur dhe dokumentuar një sërë vjedhjesh dhe tentativa vjedhjesh në zonën e Lezhës dhe Laçit.

Policia e Kurbinit, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë, ka finalizuar operacionin e koduar “Last Door”, në kuadër të të cilit u kap dhe u arrestua shtetasi në kërkim: F. D., 25 vjeç, banues në Laç (Kurbin).

Ky shtetas dyshohet për një sërë vjedhjesh në lokale, restorante, agjenci udhëtimi e marketingu. Gjatë kontrollit fizik, 25-vjeçarit iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit kokainë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi F. D. është autor i disa vjedhjeve me thyerje të automjeteve dhe banesave; tentativave për vjedhje në lokale në lagjet dhe zonat përreth Lezhës; disa vjedhjeve në bar-lokale, restorante, agjenci udhëtimi dhe supermarkete në zonën e Laçit.

Vijon puna për kapjen e shtetasit M. D., 26 vjeç, banues në Kurbin, i shpallur në kërkim, i dyshuar si bashkëpunëtor në këto vepra penale.

Gjithashtu, po punohet për dokumentimin e veprave të tjera penale të dyshuara të kryera nga këta shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

The post Kreu një sërë vjedhjesh në zonën e Lezhës dhe Laçit, arrestohet 25-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Saranda, jo vetëm destinacion pushimi, por edhe siguri për shëndetin e qytetarëve

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Spitali i Sarandës, me staf të përkushtuar dhe gatishmëri 24 orë çdo ditë, kujdeset për qytetarët dhe turistët, duke garantuar pushime të qeta dhe pa shqetësime.

Kryeministri Edi Rama tha sot, në një postim në Facebook, se Saranda është jo vetëm destinacion pushimi, por edhe siguri për shëndetin e qytetarëve.

“Spitali i Sarandës me staf të përkushtuar dhe gatishmëri 24/7 kujdeset për qytetarët dhe turistët, duke garantuar pushime të qeta”, tha Rama.

Aktualisht në urgjencën pedriatike të spitalit të Sarandës vërehet një shtim i numrit të rasteve që paraqiten për të marrë shërbim shëndetësor.

Një mjeke e kësaj Urgjence, tha se “pjesa më e madhe janë shtetas shqiptarë, por ka edhe shtetas të huaj që marrin shërbim mjekësor. Janë marrë një sërë masash për ta përballuar me sukses këtë sezon veror. Personeli mjekër është në gatishmëri. Janë pezulluar lejet vjetore për punonjësit e personelit shëndetësor si dhe kemi shtuar numrin e medikamenteve dhe pajisjeve, në mënyrë që të kemi një sezon turistik sa më të mbarë dhe të sigurt”.

Ndërsa një mjeke e Urgjencës së spitalit të Sarandës tha se “ka filluar të ketë shumë fluks jo vetëm gjatë fundjavës, por edhe gjatë ditëve të javës. Kemi marrë masa dhe spitali është në gatishmëri të çdo pacienti. Janë reduktuar lejet e personelit dhe kemi edhe një shtim të personelit të mesëm me kontrata provizore. Kemi mbështetetjen e Ministrisë me çdo lloj medikamenti dhe me ambulancat në terren për të marrë pacientët”.

The post Rama: Saranda, jo vetëm destinacion pushimi, por edhe siguri për shëndetin e qytetarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Evakuime nga zjarret në jug, parandalohet përhapja e flakëve që rrezikonin HEC-in e Bistricës

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Situata e zjarreve në bashkinë e Finiqit është përkeqësuar gjatë natës. “Natë tepër sfiduese” e cilësoi ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu situatën në Finiq, ku ekipet zjarrfikëse të bashkive Finiq, Delvinë, Konispol, Sarandë, të mbështetura nga 5 zjarrëfikëse dhe 70 efektivë të FA, si dhe 20 efektivë të Policisë së Shtetit, u përballën pareshtur me vatrat që u përhapën të favorizuara nga era e fortë mes fshatrave: Velahovë, Livinë, Ardhasovë, Bistricë e Krongj.

Sipas MM u realizuan evakuimet e përkohshme të banorëve në Livinë dhe Ardhasovë, si dhe u morën masa për ofrimin e asistencës mjeksore për personat e moshuar, ndërkohë që forcat operacionale dhe ato vullnetare siguruan mbrojtjen e çdo banese dhe biznesi të rrezikuar.

Në orët e para të mëngjesit, u realizua një operacion i suksesshëm për të parandaluar përhapjen e flakëve që rrezikonin Hidrocentralin e Bistricës, ku në këto momente pritet të ndërhyet gjithashtu nga ajri.

Për arsye sigurie, qarkullimi i mjeteve në aksin Muzinë – Bistricë do të vijojë të mbetet i kufizuar deri në përmbyllje të operacioneve.

Forcat operacionale vijojnë punën në terren për të kontrolluar çdo hapësirë që mund të riaktivizohet nga era dhe temperaturat e larta që pritet të mbizotërojnë në orët në vijim.

Zjarret ne Finiq
1 nga 11

The post Evakuime nga zjarret në jug, parandalohet përhapja e flakëve që rrezikonin HEC-in e Bistricës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani pret në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së

PRISHTINË, 8 gusht /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur dje në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.

Në dritë të letrës së pranuar nga Presidenti Trump, Osmani shprehu mirënjohjen e saj të thellë për përkrahjen e tij dhe për fjalët e fuqishme mbi partneritetin me Kosovë. Ajo rikonfirmoi përkushtimin e palëkundur për të punuar ngushtë me Presidentin Trump në thellimin e mëtejshëm të aleancës me Shtetet e Bashkuara dhe në avancimin e objektivave të përbashkëta strategjike

Osmani vlerësoi lart lajmin të cilin ia ka komunikuar javën e kaluar Zëvendëssekretari amerikan Christopher Landau për vazhdimin e Kompaktit të MCC-së në Kosovë, si një hap që do të ndihmojë ndjeshëm zhvillimin afatgjatë dhe strategjik të sektorit të energjisë, si dhe zhvillimet pozitive në aspektin e integrimit të Kosovës në peizazhin digjital global.

Ndër të tjera, u diskutua edhe për hapa konkretë në funksion të thellimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët. /KosovaPress/

The post Osmani pret në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës, Gjykata Kushtetuese: Zgjedhja e kryeparlamentarit me votim të hapur

PRISHTINË, 8 gusht /ATSH/ Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur. Konstituimi i Kuvendit duhet të përmbyllet brenda 30-ditësh.

Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje deri më tani ka propozuar vetëm Albulena Haxhiun për postin e të parës së Kuvendit, teksa edhe pas aktgjykimit paraprak të Kushtetueses, kishte argumentuar se ajo mund të zgjidhej përmes votimit të fshehtë.

Në aktgjykimin e shpallur më 8 gusht, Kushtetuesja tha se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në bazë të aktgjykimit të mëhershëm të kësaj gjykate të 26 qershorit, duke shtuar se të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik “të shpallen të pavlefshme”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka urdhëruar kryesuesin e seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së seancës konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe të “ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në tre herë për kandidatin/en e njëjtë”.

Po ashtu ka urdhëruar që gjatë procedurës së zgjedhjes së kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të gjithë deputetët e zgjedhur të pranishëm dhe të votojnë.

Deputetët e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit kishin shpërfillur një vendim të Kushtetueses, i cili u dha afat deri më 26 qershor të konstituonin organin ligjvënës. Pas kësaj, Gjykata vendosi masë të përkohshme, deri në shqyrtimin e lëndëve të dërguara nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), lëndë për të cilat shpalli aktvendimin të premten, më 8 gusht.

Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët mbajtën 54 vazhdime të seancës, por dështuan që ta konstituonin organin ligjvënës.

Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndryshoi rendin e ditës, duke shmangur votimin e hapur dhe duke kërkuar formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar.

Kjo formë e votimit u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision.

Gjatë seancave para 1 majit – kur votimi ishte i hapur – e propozuara e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, në disa votime nuk kishte arritur që të merrte 61 votat e nevojshme.

Haxhiu është cilësuar nga PDK-ja dhe AAK-ja si “figurë përçarëse”, ndërkaq LDK-ja ka deklaruar se nuk voton për asnjë kandidat të LVV-së për postin e kryetarit të Kuvendit. /REL/

The post Konstituimi i Kuvendit të Kosovës, Gjykata Kushtetuese: Zgjedhja e kryeparlamentarit me votim të hapur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti: Mosmarrëveshjet politike nuk i zgjidh Gjykata Kushtetuese

PRISHTINË, 8 gusht /ATSH/ Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se takimet me partitë e tjera për konstituim të Kuvendit të Kosovës i ka përfunduar pasi nuk kanë pasur sukses, duke ofruar dy kompromise ndaj tyre.

Gjatë përurimit sot të shërbimit të hemodializës në spitalin e Komunës së Podujevës, Kurti u pyet nga mediat se a do të takohet përsëri me partitë e tjera politike për të gjetur një bashkëpunim rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje ka përfunduar hapat e saj, ndërkaq nga pala tjetër nuk ka pasur ndonjë ofrim bashkëpunimi.

Më tej, Kurti tha se në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese thuhej se partitë duhet të arrijnë një marrëveshje politike së bashku, sepse mosmarrëveshjet nuk i zgjidh Kushtetuesja. PDK dhe LDK kanë dërguar lëndë në Gjykatë.

“Ne kemi ofruar dy kompromise, i pari ka qenë me rastin e votimit të fshehtë, nëse nuk zgjidhet me të parën kandidatja Haxhiu atëherë ne do të sjellim një emër tjetër dhe të merremi vesh për paketën ku bën pjesë kryetari dhe nënkryetarët dhe të kthehemi tek votimi hapur, ne kemi bërë hapa dhe nuk ka pasur nga pala tjetër. Kur Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin paraprak na pat thënë me pikën e veçantë se marrëveshjet politike duhet të arrihen mes grupeve parlamentare sepse mosmarrëveshjet nuk i zgjidh gjykata, menjëherë dy partitë kryesore opozitare, sërish dërguan lëndë në Gjykatën Kushtetuese… Ne e kemi respektuar dhe unë kam shkruar letra për t’u takuar, mirëpo deri tani nuk kemi pasur sukses”, tha Kurti.

Sot, më 8 gusht, përfundon afati i masës së përkohshme që e ka vendosur Gjykata Kushtetuese e Kosovës për çështjen e konstituimit të Kuvendit. Më 24 korrik, Kushtetuesja tha se deputetët nuk mund të marrin asnjë vendim e as të ndërmarrin ndonjë veprim rreth formimit të Kuvendit, deri më 8 gusht.

Kjo u bë pasi ky institucion po shqyrton dy lëndë që janë kërkesa të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilat duan sqarime për çështjet kushtetuese që lidhen me formimin e Legjislaturës së nëntë. /KosovaPress/

The post Kurti: Mosmarrëveshjet politike nuk i zgjidh Gjykata Kushtetuese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Conference League, Dinamo luan ndeshjen e parë përballë Hajdukut

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Dinamo City luajti ndeshjen e parë të turit të tretë të Conference League kundër Hajdukut të Splitit. Në takimin e luajtur mbrëmjen e sotme në stadiumin ‘Poljud’ në Kroaci, dinamovitët u mposhtën 2-1. Golin e vetëm për skuadrën shqiptare e realizoi Dejvi Bregu.

Trajneri Ilir Daja hodhi në fushë këtë formacion: Teqja (GK), Lorran, Aliji, Dita (c), Meksi, Nani, Beqja, Zabergja, Bregu, Qefalija, Vila.

Dinamovitët kaluan të parët në avantazh me Dejvi Bregun, i cili shënoi një eurogol në minutën e 36-të. Pjesa e parë mbyllet në epërsinë 0-1 për skuadrën e drejtuar nga Ilir Daja.

Vendasit gjejnë golin e barazimit në fillimin e pjesës së dytë, me anë të 17-vjeçarit Durdov. Hajduk përmbysi rezultatin me Bambën në minutën e 64-t. Pavarësisht rasteve, rezultati nuk ndryshoi.

Ndeshja e kthimit mes Dinamo City-t dhe Hajduk Split do të luhet më 14 gusht në stadiumin ‘Air Albania’ në Tiranë.

The post Conference League, Dinamo luan ndeshjen e parë përballë Hajdukut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mijëra qytetarë protestojnë në Prishtinë kundër Gjykatës Speciale

PRISHTINË, 7 gusht /ATSH/ Mijëra qytetarë protestuan të enjten në Prishtinë “kundër padrejtësisë” nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në protestën, që u organizua nga kategoritë e dala nga lufta, morën pjesë qytetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës, por edhe nga vende të rajonit.

Organizatorët e protestës dhe folësit e tjerë kërkuan që për të akuzuarit nga Gjykata në Hagë të ketë “drejtësi dhe jopadrejtësi”. Gjykata Speciale u akuzua se është e njëanshme dhe se po tenton ta zhvendosë fajin nga “pushtuesit te çlirimtarët”. Po ashtu u tha se drejtësia selektive prodhon padrejtësi.

Ndërkaq pas protestës, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, duke theksuar se “kur populli ngrihet, padrejtësia nuk kalon dot”.

Gucati: Ky është kriminalizim i UÇK-së

Gjatë protestës, kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati, tha para protestusve se sot po rrezikohet liria dhe e vërteta e luftës së UÇK-së.

Sipas tij, Specialja po e deformon historinë e Kosovës, duke e cilësuar këtë gjykatë si “kundër UÇK-së dhe kundër Kosovës”.

Gucati shtoi se Specialja po përhap narrativin “e rremë se Kosova është çliruar nga kriminelët”, duke shtuar se vendi është çliruar nga UÇK-ja, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja.

“Kjo nuk është drejtësi, kjo është dhunë politike. Ky është kriminalizim i UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s”, tha ai.

Gucati përsëriti qëndrimin se veteranët besojnë në drejtësi “por nuk duam padrejtësi”.

Folës në protestë ishin edhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, si dhe Nevenka Tromp, e cila për një dekadë ka qenë hulumtuese e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.

Ahmeti kërkon lirimin e ish-krerëve të UÇK-së

Gjatë fjalimit para protestuesve, Ali Ahmeti, që ka qenë pjesë e UÇK-së, bëri thirrje liri për ish-krerët e UÇK-së.

Ai tha se ata po trajtohen padrejtësisht nga Gjykata Speciale.

“Sot kërkojmë të drejtën tonë, UÇK-ja ka bërë një luftë të drejtë, për liri, për çlirim nga pushtimi. Ajo i është përmbajtur ligjeve ndërkombëtare të luftës. Nuk është marrë me të pafajshmit, nuk ka vrarë civilë, gra, fëmijë, apo pleq”, tha Ahmeti.

Sipas Ahmetit, Serbia po bën gjithçka që përmes gjykatës në Hagë “të zhbëjë shtetin e Kosovës”. Në këtë drejtim ai përmendi se Gjykata ka marrë prova materiale nga Serbia.

“Ky model i drejtësisë selektive, nuk sjellë drejtësi universale, por narrativ që zhvendos fajin nga pushtuesit te çlirimtarët”, tha Ahmeti.

Gjatë fjalimit, ai kërkoi nga përfaqësuesit e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut që janë në Këshillin e Evropës të kërkojnë rishikimin e rezolutës, mbi pretendimet e të cilës u krijua Gjykata Speciale.

“Shpifje monstruoze, idoteske se gjoja UÇK-ja ka bërë trafikim organesh, përpara së vërtetës dështuan të gjithë antishqiptarët që përgatitën një dosje të verdhë për të komprometuar historinë më të lavdishme të shqiptarëve: UÇK-në”, tha Ahmeti.

“Nuk pranojmë që historia të shkruhet nga të huajt, aq më pak nga një Gjykatë që nuk është kompetente për këtë dhe që i ka humbur integriteti”, shtoi ai.

Tromp: Drejtësia selektive është padrejtësi

Ish-hulumtuesja në Tribunalin e Hagës, Nevenka Tromp e nisi fjalimin në Prishtinë me sloganin “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”. Ky slogan, sipas saj, nuk është thjesht slogan, “por realiteti i dhimbshëm që ju po përballeni prej vitesh. Që drejtësia të pranohet ajo duhet të ketë legjitimitet”.

Ajo tha se gjykatat duhet të veprojnë në mënyrë të paanshme dhe nëse drejtësia zbatohet në mënyrë selektive, pasi rrezikon të jetë padrejtësi.

Tromp kujtoi se ish-krerët e UÇK-së shkuan vullnetarisht në Hagë, pasi tha se “besuan se do të ketë drejtësi”.

“Këta udhëheqës ishin ata që e mbështetën krijimin e kësaj gjykate. E bënë këtë, duke e ditur rrezikun që kanosej ndaj të gjithë luftëtarëve. Sepse ata besuan në drejtësinë e kauzës së tyre… Ata luftuan dhe fituan”, tha Tromp.

Protesta e organizuar nga veteranët e UÇK-së u përkrah nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe eksponentë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndërkaq, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se protesta është “dhjetë vjet e vonuar” pasi në kohën kur është themeluar Gjykata është dashur që të protestohet kundër “pushtetit të atëhershëm”.

Në Dhomat e Specializuara – që njihen ndryshe edhe si Gjykata Speciale – rasti kryesor po zhvillohet kundër ish-krerëve të UÇK-së, përkatësisht ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit të Kosovës, Rexhep Selimi. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i kanë hedhur poshtë të katërtit.

Veteranët e UÇK-së kanë kundërshtuar trajtimin që po iu bëhet atyre nga Gjykata dhe Prokuroria e Specializuar në Hagë, por po ashtu kanë kritikuar Qeverinë aktuale në Kosovë lidhur mendihmën financiare për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se i ka ndarë në total rreth 33 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve.

OVL e UÇK-së ka thënë se e konsideron të turpshme vendosjen e “çmimeve tavan” për tarifat ndaj ekipeve mbrojtëse në Hagë dhe ka kërkuar heqjen e menjëhershme të tyre.

Në fund të korrikut, veteranët, por edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ngritën një shqetësim tjetër sa i përket gjykatës në Hagë: provat materiale nga Serbia.

Haxhiu tha se është njoftuar se Specialja ka pranuar si prova materiale disa dokumente të dorëzuara nga institucionet e Serbisë, duke përmendur Departamentin e Sigurisë Shtetërore, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të ashtuquajturën “Komandë për Kosovën dhe Metohinë”.

Ajo e konsideroi këtë si “zhvillim thellësisht të papranueshëm”. Sipas Haxhiut, pranimi i materialeve të prodhuara nga Serbia si burim i besueshëm përbën “deformim të rëndë të drejtësisë dhe një fyerje të hapur ndaj viktimave të luftës dhe sakrificës për liri”, teksa ka shtuar se me këtë veprim ngrihen dyshime serioze mbi paanshmërinë e vetë gjyqtarëve të rastit.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 5 gusht tha se është shqetësuese që cilado gjykatë që është formuar nga Kosova, që e ka detyrim ligjor që të funksionojë sipas sistemit juridik të Kosovës, të pranojë prova nga Serbia, pasi tha se historikisht është dëshmuar se Serbia ka prodhuar “prova të falsifikuara” që sipas saj kanë për synim që ta rishkruajnë historinë. /REL/

The post Mijëra qytetarë protestojnë në Prishtinë kundër Gjykatës Speciale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E Ngarkuara me Punë e Ambasadës amerikane në Prishtinë takim me Kurtin

PRISHTINË, 7 gusht /ATSH/ E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë, Anu Prattipati u takua sot me kryeministrin në detyrë Albin Kurti për të nënvizuar nevojën urgjente që liderët politikë të Kosovës të marrin përgjegjësi dhe të punojnë së bashku për të zgjidhur ngërçin institucional të vazhdueshëm.

Ajo theksoi se një demokraci funksionale kërkon që të gjithë qytetarët të zgjedhin lirisht përfaqësuesit e tyre.

Bllokimi i partive politike legjitime, qoftë përmes taktikave politike apo pengesave procedurale, kërcënon integritetin e procesit demokratik, ka thënë ajo, thuhet në një postim të Ambasadës së SHBA-së në Facebook.

E Ngarkuara Prattipati u bëri thirrje të gjithë udhëheqësve të shkojnë përtej përçarjeve dhe të përmbushin mandatin që u është besuar nga populli i Kosovës.

E Ngarkuara me Punë e Anu Prattipati ka takuar gjatë kësaj jave edhe liderët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

Kosova ndodhet në ngërç politik tash e sa muaj për shkak të mos konstituimit të Kuvendit të ri.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 8 gusht, e cila ndalon çdo veprim të deputetëve për konstituimin e legjislaturës së nëntë, pas skadimit të afatit tridhjetë ditorë më 26 korrik.

/KosovaPress/

The post E Ngarkuara me Punë e Ambasadës amerikane në Prishtinë takim me Kurtin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sot parashikohet mot i kthjellët e me vranësira të pakta

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se sot vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët e me vranësira të pakta e hera-herës deri mesatare në orët e mesditës në relievet malore në verilindje e juglindje të territorit.

Era do të fryjë me drejtim verilindje – veriperëndim me shpejtësi mesatare 7 m/s, ndërsa në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare hera-herës do të fitojë shpejtësi 7-14 m/s, shoqëruar me valëzimin të forcës 1-3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 22/36 Diell pak re
Kukës 17/33 Diell re
Lezhë 24/36 Diell pak re
Dibër 14/32 Diell re
Durrës 21/36 Diell
Tiranë 21/36 Diell
Elbasan 21/37 Diell pak re
Berat 18/37 Diell pak re
Vlorë 21/33 Diell pak re
Korçë 15/39 Diell re
Gjirokastër 17/36 Diell pak re
Sarandë 20/32 Diell

 

The post Sot parashikohet mot i kthjellët e me vranësira të pakta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌