Milani dhe Interi ‘përplasin shpatat’ për transferimin e top yllit italian
Giovanni Leoni, mbrojtësi i talentuar italian 18-vjeçar nga Parma, është bërë qendra e një beteje të fortë transferimesh këtë verë mes Milanit dhe Interit, sipas raportimeve të Corriere dello Sport.
Të dy klubet milaneze e shohin qëndërmbrojtësin premtues roman si një përforcim kyç përpara sezonit të ri në Serie A.
E ardhmja e Leoni-t varet nga një tjetër lëvizje: shitja e mundshme e Malick Thiaw nga Milani te Newcastle. Klubi anglez ka ofruar tashmë 30 milionë euro, ofertë e refuzuar nga Milani, por pritet një ofertë e dytë prej 40 milionë eurosh.
Në rast se Thiaw largohet, Milani do ta ketë Leonin si objektivin e parë për mbrojtje, ndërsa Pietro Comuzzo i Fiorentinës shihet si plani rezervë.
Ndërkohë, Interi ka kohë që po ndjek Leonin, por ende nuk ka bërë një ofertë zyrtare, pasi është i përqendruar në largimin e disa lojtarëve si Kristjan Asllani dhe Mehdi Taremi për të përmbushur kërkesat financiare. Kjo vonesë mund t’i japë avantazh Milanit për të vepruar.
Parma mbetet e vendosur për çmimin, kërkon të paktën 35 milionë euro për mbrojtësin dhe shpreson ta mbajë edhe për një sezon tjetër.
Megjithatë, Leoni raportohet se është i gatshëm të shtyjë për një transferim drejt një klubi të madh të Serie A, në mënyrë që të përshpejtojë zhvillimin e tij dhe të sigurojë një vend të ardhshëm në Kombëtaren e Italisë.
Ai zhvilloi 17 paraqitje për Parmën sezonin e kaluar dhe ka lënë përshtypje të forta tek ekspertët, të cilët e shohin si një nga talentet më premtuese të mbrojtjes italiane.
Vetë Leoni e ka përmendur trajnerin aktual të Interit, Christian Chivu, si njeriun që i dha shanset e para dhe mbështetjen në fillimet e karrierës së tij./Telegrafi/
The post Milani dhe Interi ‘përplasin shpatat’ për transferimin e top yllit italian appeared first on Telegrafi.