Porto Palermo Festival, emrat e njohur të këngës ndezin atmosferën në kala
TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Mes artistëve të shumtë që janë bërë pjesë e Porto Palermo Festival, ishte edhe Aurela Gaçe.
Skena e Kalasë së Ali Pashës u ndez nga energjia e saj shpërthyese dhe zëri që sfidon kohën. Për Aurelën, kjo ishte pjesëmarrja e saj e parë në këtë festival, i cili këtë vit shënon 5-vjetorin e tij. Nata e Aurela Gaçes u kthye në një festë të paharrueshme, për publikun në kalanë mesjetare, ku çdo kengë u bë një shpërthim emocionesh dhe gëzimi.
Publiku këndoi, kërceu dhe e duartrokiti pa pushim. Një tjetër mbrëmje në Kalanë e Porto Palermos iu dedikua muzikës latine. Ritmet e zjarrta të Amerikës Latine pushtuan skenën magjike, kur Carlos Paz dhe Sin Fronteras sollën pasionin, energjinë dhe muzikën “pa kufij”, duke e kthyer natën në një festë plot kërcim dhe emocione nën yjet e jugut. Të tjerë artistë të mirënjohur që u bënë pjesë e Porto Palermo Festival gjatë kësaj fundjave ishin Kastriot Tusha dhe Ardian Trebicka. Serenatat e ëmbla dhe perlat e muzikës së kultivuar shqiptare u ndërthurën me sfondin magjik të detit dhe mureve shekullore të kalasë. Çdo notë, çdo fjalë, çdo melodi dukej se ngjallej për të treguar histori dashurie, kujtimesh dhe ëndrrash të harruara.
/a.f/
The post Porto Palermo Festival, emrat e njohur të këngës ndezin atmosferën në kala appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.