Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Përkujtohet sot poeti Havzi Nela, “Martir i Demokracisë”

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi sot poetin Havzi Nela (20 shkurt 1934 – 10 gusht 1988).

Ai lindi më 20 shkurt të vitit 1934 në fshatin Kollovoz të Kukësit. Pasi kreu shkollën fillore dhe të mesme, nisi studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës.

Për shkak të bindjeve, u përjashtua nga Instituti si element destruktiv. Mes shumë vështirësish, filloi punë si mësues në shkollën fillore të Planit të Bardhë në Mat. U dëbua nga ky fshat për shkak të dyshimeve që ishin ngritur rreth tij: mendohej se u lexonte nxënësve poemat e tij. Më vonë arriti të përfundonte Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës me korrespondencë.

Punoi si mësues në fshatra të ndryshëm, si në Krumë, Lojma dhe në Shishtavec deri në vitin 1967, vit kur u transferua në Topojan. Aty kontrollohej vazhdimisht dhe u mor në paraburgim shumë herë. Ndaj tij nisën një sërë kufizimesh mbi llojin e punës që mund të bënte dhe ku mund të jetonte.

Më 26 prill 1967, bashkë me të shoqen, Lavdien, kaluan kufirin me Kosovën. Gjatë kalimit të kufirit, u arrestuan nga ushtarët jugosllavë dhe u burgosën në burgun e Prizrenit.

Më 6 maj 1967, jugosllavët i kthyen në pikën kufitare të Morinës, në këmbim të shqiptarëve nga Kosova, që qeveria komuniste e Enver Hoxhës ia dorëzonte policisë sekrete jugosllave, UDB-së.

Më 22 maj 1967 u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg për kalim të paligjshëm kufiri. E gjithë pasuria e tij u konfiskua. E shoqja u dënua me dhjetë vjet burg. Më 8 gusht 1975, dënimit ekzistues iu shtuan edhe tetë vite të tjera. U lirua më 19 dhjetor 1986, por vetëm për një kohë të shkurtër. Më pak se një vit më vonë, më 12 tetor 1987, u internua në fshatin Arrën.

Më 24 qershor 1988, Gjykata e Lartë hodhi poshtë kërkesën e Lavdie Nelës, dhe ai u dënua me varje. Vendimi u ekzekutua publikisht në Kukës, më 10 gusht 1988.

Havzi Nela është dekoruar me medaljen “Martir i Demokracisë”.

Në përkujtimin e 75-vjetorit të lindjes së Havzi Nelës, shkrimtari i shquar Ismail Kadare shkruante: “Poeti Havzi Nela është një këmbanë që ende bie për shoqërinë shqiptare. Të mos e dëgjosh këtë këmbanë do të thotë të vazhdosh të shkelësh me këmbë lirinë e Shqipërisë”.

The post Përkujtohet sot poeti Havzi Nela, “Martir i Demokracisë” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Elbasani, një shekull histori në celuloid

TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Qyteti i Elbasanit ka hapur dyert e kujtesës kolektive përmes një ekspozite unike fotografike që pasqyron 100 vite histori, zhvillim dhe transformim.

E vendosur në ambientet e Kalasë së qytetit, ekspozita sjell një retrospektivë të gjallë të çdo dekade, duke dokumentuar jetën urbane, momentet historike dhe përditshmërinë e qytetarëve elbasanas ndër vite.

Imazhet e ekspozuara, të kuruara me kujdes, i ofrojnë vizitorëve një udhëtim emocional dhe vizual në kohë, ndërsa ndërthurin kujtesën kolektive me artin fotografik.

Ceremonia e hapjes u shoqërua me një mesazh nga kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, i cili theksoi rëndësinë e njohjes së rrënjëve dhe trashëgimisë historike për të ndërtuar një të ardhme më të ndërgjegjshme dhe të qëndrueshme.

Ekspozita është pjesë e një kalendari të pasur aktivitetesh kulturore që bashkia e Elbasanit ka organizuar gjatë muajit gusht, në bashkëpunim me institucionet vendore.

Ngjarja ka tërhequr edhe shumë vizitorë dhe turistë, të cilët po e zbulojnë Elbasanin si një destinacion të pasur në histori, kulturë dhe mikpritje.

/r.e/

The post Elbasani, një shekull histori në celuloid appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

160-vjetori i lindjes së poetit arbëresh Zef Skiroi

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujtoi sot në 160-vjetorin e lindjes poetin, etnografin dhe publicistin e shquar arbëresh, Zef Skiroi.

Zef Skiroi (Hora e Arbëreshëvet, 10 gusht 1865 – Napoli, 17 shkurt 1927) ishte poet, gjuhëtar, folklorist, etnograf, gazetar dhe publicist i shquar arbëresh.

Krijimtaria e tij dhe e bashkëkohësve Gavril Dara dhe Jeronim De Rada, përbëjnë triptikun e poemave arbëreshe në letërsinë romantike shqiptare.

Në moshën 9-vjeçare, ai shkroi një vjershë kushtuar Skënderbeut, duke hapur kështu sfondin e veprave të veta të mëvonshme.

Studimet i kreu në Seminarin Shqiptar të Palermos, ku u formua me traditën e kulturës shqiptare, si dhe të asaj klasike (Dante, Servantesi, Gëte, Shileri etj.).

Më 1887, së bashku me Françesk Petën, themeluan në Palermo revistën “Arbëri i ri”, si dhe botoi përmbledhjen e parë me vjersha.

Skiroi mbaroi studimet për drejtësi më 1890 dhe po këtë vit u emërua “docent” i letërsisë antike në liceun “Garibaldi” të Palermos.

Në qendër të veprës së tij, Skiroi kishte çështjen kombëtare. Periodiku “Arbri i ri”, që pa dritën e botimit në sajë të përpjekjeve të tij, do të shërbente si një busull identitare për arbëreshët dhe si një tribunë e krijimtarisë së autorëve të këtij komuniteti.

Në moshën 35-vjeçare arriti të merrte vendin e titullarit të Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe, të hapur pranë Institutit Mbretëror Oriental të Napolit.

Vepra e tij kryesore ishte “Te dheu i huaj”, e cila, siç do të shprehej edhe Eqrem Çabej, do të ishte njëfarë himni kombëtar i shqiptarëve të Italisë.

Më pas, ai vazhdoi veprimtarinë albanologjike në Napoli me botime, leksione dhe pjesëmarrje në kongrese. Veprat kryesore të tij janë: “Mili e Hajdhia”, “Te dheu i huaj” dhe “Mino”.

Zef Skiroi vdiq në Napoli, në vitin 1927.

The post 160-vjetori i lindjes së poetit arbëresh Zef Skiroi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Festivali “Nona”, në fokus edhe siguria rrugore për fëmijët

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Në qytetin e Përmetit nisi mbrëmjen e djeshme festa e gjysheve shqiptare.

I kthyer tashmë në një traditë të aktiviteteve kulturore dhe artistike në qytetin e trëndafilave, festivali “Nona” në sheshin e Përmetit bëri bashkë qindra qytetarë dhe turistë vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga festivali teksa u shpreh: “Festivali “Nona”, i cili tanimë është pjesë e kalendarit të traditave të bukura të Përmetit, ka ngritur mbrëmë siparin me një surprizë të këndshme, spektaklin e Sigurisë Rrugore për Fëmijët”.

Ky është edicioni i pestë i festivalit “Nona”, një aktivitet unik treditor, që e kthen Përmetin në një sofër të madhe te ngjashme me shtëpinë e gjysheve tona.

Festivali nisi paradite me vizita në shtëpitë e gjysheve përmetare, për të vijuar pasdite me çeljen e panairit “Nga duart e gjysheve”, ku u prezantuan gatime të ndryshme tradicionale.

Në mbrëmje, krahas aktivitetit suprizë kushtuar Sigurisë Rrugore për Fëmijët, performuan edhe artistë të njohur si Evgjeni Çulli, Mikel & Ervis Rrapaj,  Luljeta Ilia, Çiljeta Xhilaga, Anxhela Peristeri, G Bani si dhe aktorja e njohur Eva Alikaj.

Festivali “Nona” synon të sjellë dialog midis brezave në vend të hendekut në rritje midis të moshuarve dhe të rinjve në jetën e përditshme urbane.

Festivali do të vazhdojë edhe ditën e nesërme, 10 gusht, ku do të zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturore.

/e.i//a.f/

The post Rama: Festivali “Nona”, në fokus edhe siguria rrugore për fëmijët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani: DokuFest e ka shndërruar Prizrenin në kryeqendër të kulturës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në Festivalin e Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër DokuFest, i cili po mbahet në Prizren.

Ajo ka thënë se DokuFesti e ka shndërruar Prizrenin në kryeqendrën e kulturës, filmit dhe ideve të reja.

“Një përvojë e mrekullueshme, ndërmjet historive që frymëzojnë dhe njerëzve që e bëjnë artin pjesë të përditshmërisë sonë”, ka shkruar presidentja Osmani në Facebook, teksa ka publikuar edhe disa fotografi nga vizita e saj në natën përmbyllëse të edicionit të sivjetmë të këtij festivali.

The post Osmani: DokuFest e ka shndërruar Prizrenin në kryeqendër të kulturës appeared first on Telegrafi.

Fadil Hasa, aktori i njohur i humorit që po i mungon skenës shqiptare

Fadil Hasa lindi në Krujë, me 8 prill 1940 dhe kreu gjimnazin “29 Nëntori” në Shkodër, ku u aktivizua në aktrim e për t’u bërë më pas i njohur si aktor me të dhëna të shprehura ndaj teatrit të varietesë, qysh me grupin e Estradës Amatore të Portit të Durrësit (1963-1970).

Gjatë karrierës së tij ka luajtur mjaft role në komedi me një akt, skeçe, parodi e pantomime, dialogje dhe forma të tjera të shkurtra të estradës.

Personazhet e shumta që Hasa ka sjellë kanë marrë shumë vlerësime nga publiku.

Fadili ka shënuar emrin e tij edhe në kinematografi. Disa nga rolet e Hases janë filmat “Kronikë provinciale”, “Mao Ce Dun” & “Zëvendësi i grave”.

Fadil Hasa është nderuar 4 herë si “Aktori më i mirë i humorit”, gjithashtu me disa çmime kombëtare për kontributin e tij në fushën e aktrimit.

Përndryshe i ndjeri Hasa u nda nga jeta me datë 16 korrik të vitit 2018.

Fadil Hasa

/e.t

Nis restaurimi i kishës 1300-vjeçare në Arrëz të Lushnjes

Kisha 1300-vjeçare në fshatin Arrëz të Lushnjes ka nisur të restaurohet.

Ndërhyrja ishte urgjente për shkak se rrezikohej shembja e një prej monumenteve më të vjetra historike të Myzeqesë.

Është Insututi Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore i cili bëri të mundur nisjen e punimeve, pas alarmit të dhënë edhe nga prifti i këtij objekti.

Puna ka nisur prej një muaji me rregullimin e çatisë, dëmtimi i plotë i së cilës solli në degradimin e kishës së Shën Todrit.

Firma që kryen punimet ka ndërhyrë edhe në muraturë pasi pjesa më e madhe e tyre ishte çarë si pasojë e tërmeteve dhe lagështirës së kohës.

“Objekti mund të jetë 20-30% i dëmtuar nga muratura, ndërsa çatia është 100% e dëmtuar. Me afresket nuk është parashikuar që të ndërhyhet në këtë fazë. Kemi thjesht punime konsolidimi të muraturës dhe të çatisë së kishës”, tha inxhinieri i punimeve, Josif Basha.

Kisha ishte e mbyllur për besimtarët që prej vitit 2020 , të cilët nuk kryenin asnjë rit fetar në këto ambiente. At Harallamb Llupo,tregon se Shën Todri është një ndër kishat më të veçanta të stilit në ndërtim ,ndaj ajo është monument kulture i kategorisë së parë.

E rëndësishme është edhe ndërtimi i rrugës drejt zonës kishtare, e cila në dimër është e vështirë për tu kaluar. Për këtë i është kërkuar ndihmë bashkisë të Lushnjes por nuk ka asnjë përgjigje deri më sot.

“Vlera shpirtërore, është në vend adhurimi për të gjithë të krishterët e zonës. Është një nga kishat më të vjetra të zonës. Vlera arkitekturore, e cila ka një stil ndërtimi të veçantë jashtë kishave të tjera të zonës së Myzeqesë”, tha At Harallamb Llupo.

Ndërtimi i një çatie të re për kishën është një punë që do mjeshtëri dhe punëtorët janë të specializuar në këtë fushë.

Afati i punimeve restauruese në Kishën e Shën Todrit është pesë muaj. Ritmet e punës janë të kënaqshme dhe ajo do tu kthehet besimtarëve ortodoksë e përfunduar përpara afatit.

Pas kishës në Bishqethëm kjo është kisha e dytë që restaurohet në Lushnje. Ato janë objekte të shpallura monument kulti të kategorisë së parë dhe ruhen me status të veçantë nga shteti shqiptar.

Klan News

“Çeço Fest”, Kumbaro: Qindra të rinj e turistë shijuan muzikën në Gjirokastër

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ “Çeço Fest” vjen në Gjirokastër për të gjashtin vit radhazi në vendin më tërheqës të qytetit, në Kalanë e Argjirosë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro përcolli sot në rrjetet sociale një video nga aktiviteti i mbrëmjes së djeshme.

Kumbaro tha se Kalaja ushtoi mbrëmë nga Festa e Çeços, ndërsa qindra të rinj dhe turistë shijuan muzikën mbi Gjirokastër.

Duke nisur nga mbrëmja e djeshme të rinjtë mund të shijojnë dy ditë intensive me performanca nga artistë të njohur. Superfestivali i muzikës elektronike në kala, prej kohësh është kthyer në skenën e plot DJ-ve dhe të rinjve të dhënë pas muzikës.

Kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi e cilësoi si një tjetër fundjavë të paharrueshme që po vjen në Kalanë e Gjirokastrës. “Vera vazhdon me ritëm, energji dhe emocion”, shkroi kryebashkiaku në rrjetet sociale.

“Çeço Fest” do të sjellë muzikë pafund, dritë dhe atmosferë elektrizuese në zemër të qytetit të gurtë, ku tradita takohet me ritmet moderne për një përvojë që nuk duhet humbur.

/e.i/a.f/

The post “Çeço Fest”, Kumbaro: Qindra të rinj e turistë shijuan muzikën në Gjirokastër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Uells mistik: “Gjuha uellsiane është shtypur në mënyrë agresive”

Nga Claire Biddles

“Shpesh merremi me gjëra thelbësore,” thotë këngëtarja Gwretsien Ferch Lisbeth, anëtare e grupit Tristwch y Fenywod. “Ndjesia e të qenit në një peizazh të lashtë; ose ndjenja e magjishme, safike, e të qenit pranë oqeanit. Muzika jonë trajton gjëra të thjeshta dhe themelore, por shumë të fuqishme.”

Albumi i tyre debutues me titullin Tristwch y Fenywod, i publikuar gushtin e kaluar – dhe tani i performuar në festivalet verore – është një përzierje e pasur dhe çliruese e instrumentacionit gotik dhe melodive të çuditshme, që kujton një kryevepër të humbur të Cocteau Twins të regjistruar në një shpellë në Eryri. Edhe për ata që nuk kuptojnë tekstet në uellsisht, muzika ngjall ndjenja të fuqishme. Ka edhe një dimension politik:

“Shtypja e gjuhës uellsiane gjatë 200 viteve të fundit ka qenë aq agresive,” thotë bateristja Leila Lygad, duke përmendur faktin se fëmijët uellsianë janë detyruar të flisnin anglisht në shkollat e shek. XIX dhe XX.

“Është e rëndësishme të mbështesim gjuhë që janë shtypur nga sistemet koloniale.”

Rrënjë në Uells dhe eksperimente në Leeds

Grupi u formua në Leeds nga anëtarë të grupeve underground Guttersnipe, Hawthonn dhe The Courtneys, të cilët përdorin pseudonime në uellsisht për këtë projekt. Ferch Lisbeth ka lindur në Bangor dhe ka jetuar në Uellsin e Veriut deri në moshën 12-vjeçare. “Gjithmonë më është dukur një vend shumë mistik,” thotë ajo. “Gjuha ishte pjesë e kësaj ndjenje, edhe pse familja ime nuk fliste uellsisht.”

Lygad është rritur në kufirin Staffordshire-Shropshire dhe ka kaluar fëmijërinë “duke ecur në malin Penmaenmawr” – në bregdetin e Uellsit të Veriut – “dhe duke vizituar rrethin e parë të gurëve që kam parë ndonjëherë”, përvojë që i nxiti interesin për arkeologjinë, historinë dhe kulturën uellsiane.

Një rikthim personal dhe emocional në gjuhën uellsiane

Pasi familja e zhvendosi në Angli, peizazhi dhe gjuha e Uellsit mbetën në nënndërgjegjen e Ferch Lisbeth. Në vitin 2020, pasi mësoi se një mik në skenën eksperimentale të Leeds fliste rrjedhshëm uellsisht, ajo nisi të mësonte “në mënyrë obsesive, çdo minutë të çdo dite”. Ajo kishte filluar të dilte me basisten kanadeze Sidni Sarffwraig, anëtaren e tretë të grupit, dhe bashkë vizituan Uellsin e Veriut.

“Të kesh këtë lidhje të bukur safike në ato vende ishte diçka e thellë,” thotë ajo. “Ishte si një mbërritje logjike e fatit për mua; fije të ndryshme të psikikës që bashkohen.”

“Muzika eksperimentale është një hapësirë për të hequr maskën”

Grupi u formua në vitin 2022. Ferch Lisbeth ndjente nevojën të këndonte në uellsisht për temat si queerness, mistika dhe ndjesia e përkatësisë, sepse “ndoshta askush nuk ka shkruar ndonjëherë këngë në uellsisht nga ky këndvështrim, dhe ka ardhur koha që të ekzistojnë.”

Emri i grupit do të thotë “trishtimi i grave”, dhe ato frymëzohen nga trishtimi femëror, i hijshëm dhe fisnik i grupeve si Dead Can Dance.

Ata përqafojnë gjithashtu amatorizmin eksperimental të skenës no wave të viteve 1970. Lygad përdor bateri elektronike me tinguj të pazakontë, të regjistruar në terren – për shembull, snare është një lodër që shpërthen dhe është regjistruar në një bunker nën tokë, ndërsa tom-tomët janë tinguj të lakuriqëve të natës që përdorin ekolokim – një detaj veçanërisht gotik.

Sarffwraig luan bas të zakonshëm, por Ferch Lisbeth ka ndërtuar një instrument të vetin që e quan dwydelyn – që do të thotë “dy-harpë” në uellsisht – i përbërë nga dy zithers dhe një mikrofon kontakti. “Po mendoja për muzikën e harpatave keltike dhe për albumin e parë të Dead Can Dance, ku Lisa Gerrard përdor një yangqin (dulcimer kinez).”

Një skenë për ndjeshmëri dhe çuditshmëri

Të tre flasin me admirim për atmosferën e guximshme që kanë krijuar në grup – një frymë që pasqyrohet në skenën e Leeds, veçanërisht në Wharf Chambers, një hapësirë bashkëpunuese dhe e drejtuar nga komuniteti.

Aty, sipas Ferch Lisbeth, “ndershmëria shpërblehet dhe shprehja e sinqertë është qëllimi.” Kjo është thelbësore për një grup ku të gjithë janë neurodivergjentë.

“Për njerëzit neurodivergjentë, muzika eksperimentale është një hapësirë për të hequr maskën dhe për të qenë të dëshmuar publikisht teksa përjetojnë emocione të fuqishme,” thotë Sarffwraig.

“Hapësirat DIY duhen mbrojtur sepse janë shumë të rëndësishme për eksperimentimin.”

Uellsi i Veriut, një shtëpi e dytë queer dhe alternative

Grupi ka gjetur një shtëpi të dytë në Uellsin e Veriut, në një komunitet të muzikantëve alternativë uellsianë si Anxiolytics, Sister Wives dhe Cerys Hafana, që sipas Ferch Lisbeth ka një përfshirje të natyrshme dhe të shëndetshme të njerëzve queer, trans dhe neurodivergjentë.

Edhe muzikantë të njohur uellsianë kanë shprehur mbështetje, si producenti i Super Furry Animals, Gorwel Owen, anëtarë të Fflaps, dhe këngëtarja Gwenno, e cila ka publikuar albume në uellsisht dhe kornisht.

“Gwenno është një figurë shumë e rëndësishme,” thotë Lygad. “Ajo është një përkrahëse e gjuhëve të pakicës dhe një antikapitaliste dhe antikolonialiste e zëshme.”

Një trashëgimi pa nacionalizëm

Jashtë Uellsit, Tristwch y Fenywod ndihen të lidhur me grupe si Kneecap dhe Lankum, që ndajnë të njëjtin qasje antikoloniale ndaj gjuhës dhe traditës popullore.

“Është e mrekullueshme të shohësh që Kneecap po kanë sukses me gjuhën irlandeze dhe po e çojnë në mainstream, sepse atje duhet të jetë,” thotë Lygad.

Grupi shpreson që muzika e tyre të frymëzojë njerëzit të mësojnë uellsishten apo gjuhë të tjera minoritare – si një akt gëzimi dhe rezistence.

“Shumë njerëz flasin për nevojën për ndryshim sistemik, por vazhdojnë të përdorin gjuhën e ligjeve dhe strukturave të pushtetit,” thotë Ferch Lisbeth, e cila beson se çdo gjuhë është një sistem i ndryshëm perceptimi.

Ata përpiqen të krijojnë një lidhje radikale me historinë dhe trashëgiminë:

“Ka një mënyrë për të respektuar të kaluarën dhe traditën pa u kapur në politikat nacionaliste,” thotë Sarffwraig. “Uellsishtja është e lashtë dhe të lejon të lidheshe me mënyrën se si njerëzit jetonin shumë kohë më parë. Është e padrejtë që njerëzit me politika konservatore kanë monopol mbi atë kulturë dhe histori. Ne po e kundërshtojmë këtë.”

“The Guardian”/ Përgatiti për botim: L.Veizi

 

“Onufri” një nga destinacionet e preferuara nga turistët që vizitojnë Beratin

TIRANË, 9 gusht/ATSH/Muzeu Kombëtar Ikonografik “Onufri” është njëri prej destinacioneve më të vizituar ndër sitet kulturore të qytetit të Beratit.

Ikonat, ngjyrat, historia, gjithçka është ruajtur me kujdes, për t’u parë nga afër. “Ejani. Jo thjesht për të kaluar kohën, por për ta ndjerë atë”, është ftesa që bën ky institucion drejtuar artdashësve, të cilët këtë sezon turistik kanë qenë të shumtë dhe nga të gjitha anët e globit.

Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat administron Muzeun “Onufri”, si edhe Muzeun Etnografik, të cilët mbledhin, ruajnë dhe promovojnë koleksione me vlerë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të qytetit të Beratit dhe zonës përreth. Berati ka qenë një qendër e rëndësishme e zhvilluar sidomos në shek XVII, një vend ku u grumbulluan, u prodhuan dhe u ruajtën vlera të rëndësishme të cilat janë thesare të vërteta të kulturës kombëtare.

/a.f/

The post “Onufri” një nga destinacionet e preferuara nga turistët që vizitojnë Beratin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çelet edicioni i 5-të i festivalit “Nona”, atmosferë magjike në Përmet

TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Në qytetin e trëndafilave u çel mbrëmjen e sotme festivali “Nona”, festa e gjysheve shqiptare.

Qindra qytetarë, por edhe turistë vendas e të huaj, mbushën sheshin kryesor të Përmetit.

Ky është edicioni i pestë i festivalit “Nona”, një aktivitet unik treditor, që e kthen Përmetin në një sofër të madhe te ngjashme me shtëpinë e gjysheve tona.

Festivali nisi paradite me vizita në shtëpitë e gjysheve përmetare, për të vijuar pasdite me çeljen e panairit “Nga duart e gjysheve”, ku u prezantuan gatime të ndryshme tradicionale.

Në mbrëmje, në festival performuan artistë të njohur si Evgjeni Çulli, Mikel & Ervis Rrapaj,  Luljeta Ilia, Çiljeta Xhilaga, Anxhela Peristeri, G Bani si dhe aktorja e njohur Eva Alikaj.

Festivali “Nona” synon të sjellë dialog midis brezave në vend të hendekut në rritje midis të moshuarve dhe të rinjve në jetën e përditshme urbane.

Festivali do të vazhdojë edhe në datat 9 dhe 10 gusht, ku do të zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturore.

/k.s/a.f/

 

The post Çelet edicioni i 5-të i festivalit “Nona”, atmosferë magjike në Përmet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Kur sundimtarët telefonojnë”, Kadare u largua me dinjitet nga kjo botë

Gazeta e njohur gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” e vlerëson veprën e fundit të Ismail Kadaresë “Kur sunduesit grinden”.

Michael Martens

I rënë në mëshirë të fatit, i përbuzur dhe i përjashtuar, Mihail Bulgakovi, në një letër drejtuar qeverisë sovjetike më 28 mars 1930, kërkoi leje për të braktisur Bashkimin Sovjetik. Ekzistenca e letrës është e dokumentuar. Për atë që thuhet se ndodhi më pas, biografja gjermane e Bulgakovit, Elsbeth Wolffheim, shkruan: “Vetë i Plotfuqishmi (Stalini) kapi telefonin dhe e pyeti Bulgakovin, i cili mbeti i habitur: ‘Ndoshta duhet t’ju lejojmë me të vërtetë të udhëtoni jashtë vendit? Si është puna, u lodhët nga ne?’” I hutuar, Bulgakovi dha një përgjigje për të cilën tha se shpesh ishte penduar: se nuk besonte që një shkrimtar rus mund të jetonte jashtë vendit. Thuhet se Stalini iu përgjigj se do të siguronte që Bulgakovi të merrte një vend pune në Teatrin e Artit të Moskës.

Kështu edhe ndodhi. Bulgakovi u bë asistent regjisori. Thuhet se biseda u zhvillua më 18 prill 1930, katër ditë pas vetëvrasjes së Vlladimir Majakovskit. Wolffheim si burim përmend studjuesen ruse të letërsisë Marieta Çudakova (e ndarë nga jeta në vitin 2021) dhe ditarët e gruas së fundit të Bulgakovit, Jelena Bulgakova. Nëse biseda ndodhi vërtet apo ky është thjesht një tregim nga tregu gjithnjë i gjallë i anekdotave për Stalinin – mbetet e pasigurt. Gjithsesi, ekziston një varg i tërë historish të tipit “Stalini-telefonon-shkrimtarin”, pothuajse një zhanër më vete.

Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, i ndarë nga jeta vitin e kaluar, në veprën e tij të fundit sjell një anekdotë edhe më të njohur se ajo e bisedës së Stalinit me Bulgakovin. Libri i tij i fundit, “Kur sunduesit grinden”, doli në shqip në vitin 2018 (në gjermanisht libri mban titullin “Thirrja” apo “Telefonata”, v.j.). Ky vëllim i hollë, me rreth 170 faqe, sillet vazhdimisht rreth tre minutave nga gjithsej gati 37 milionë minuta të jetës së Boris Pasternakut. Kaq thuhet se zgjati një telefonatë legjendare e Stalinit me shkrimtarin që më vonë do të fitonte çmimin Nobel.

Rrëfimtari i Kadaresë – që pa frikë mund të identifikohet me vetë autorin – e kishte dëgjuar për herë të parë këtë histori në moshën 22-vjeçare, kur ndodhej në Bashkimin Sovjetik si student në Institutin e Letërsisë “Maksim Gorki” në Moskë. Përvojat e asaj kohe ai i përpunoi më vonë në romanin “Muzgu i perëndive të stepës”. Në esenë “Kur sunduesit grinden” ai kthehet sërish aty. Në trembëdhjetë kapituj, që ai i quan “Versione”, Kadare shkruan për sfondin, rrjedhën e mundshme dhe sidomos pasojat e kësaj bisede të famshme midis diktatorit dhe Pasternakut, e cila thuhet se ka ndodhur më 23 qershor 1934.

“Pra, ishte qershori i vitit 1934, Osip Mandelshtami sapo ishte arrestuar. E gjithë Moska fliste për këtë ngjarje, kur më 23 të muajit ra telefoni. Thirrësi ishte Stalini, bashkëbiseduesi i tij Pasternaku”, fillon një nga këto “versione”, bërthama e të cilave mbetet gjithmonë e njëjtë: Stalini e pyet Pasternakun se çfarë mendimi kishte për Mandelshtamin e arrestuar. Ky, i zënë ngushtë, belbëzon se ata u përkisnin rrymave të ndryshme letrare, pra nuk kishte gjë për të thënë. Thuhet se Stalini u zemërua nga mungesa e solidaritetit të Pasternakut me kolegun e tij dhe e përqeshi për frikën, pastaj e mbylli telefonin.
Ngjashmëritë autobiografike në libër janë të dukshme. Janë më shumë sinjale të hapura sesa aluzione. Sepse, kur Kadare shkruan për Stalinin e Bulgakovin, në të vërtetë shkruan edhe për veten dhe Enver Hoxhën, diktatorin e Shqipërisë nga 1945 deri në 1985. Pasternaku mori çmimin Nobel në vitin 1958, por nuk u lejua ta pranonte. Kadare, edhe kur diktatura e Hoxhës dukej e pathyeshme, për vite me radhë u konsiderua si kandidat serioz për çmim dhe me siguri do ta kishte pranuar, por nuk e mori kurrë. Ky çmim është një nyje lidhëse mes të dyve. “Të ishe kandidat për Nobelin do të thoshte të mbaje vulën e një faqeje të rrezikshme”, shkruan rrëfimtari i Kadaresë.

Kadare vuajti nën diktaturën shqiptare, por përfitoi edhe prej saj, duke e kthyer atë në lëndë për një vepër të madhe. Në këtë libër lamtumirës ai e rikthen edhe një herë temën e tij të përhershme – marrëdhënien midis poetit dhe tiranit – një temë e pashtershme. Dikur Lion Feuchtwanger shkruante ode për Stalinin, sot (publicisti djathtist zviceran) Roger Köppel lavdëron Putinin – çdo vrasës masiv e ka pasur rapsodin e vet, qoftë edhe një mediokër. Ndryshe nga propaganduesit shtegtarë nga Perëndimi, Kadare nuk e kishte njohur pushtetin e dhunshëm vetëm nga distanca e sigurt.

Ndoshta ishte pikërisht kjo njohje e pavullnetshme e së keqes që e shtyu të shkruante fjali të sakta si ajo për shkrimtarin në diktaturë që punon në një roman politikisht të rrezikshëm: “Ishte sikur mbaja në kafaz një zog të bukur, por mjaft të rrezikshëm”. Ekzistenca e lektorëve në diktaturë përshkruhet po ashtu si e rrezikshme: “Nëse një libër botohej dhe ndalohej më pas, të pyesnin: ‘Si lektor si të ka shpëtuar ky helm që ka përzier autori?’” Por nëse lektorët vërenin diçka që vetëm atyre u binte në sy, kjo mund të ishte po aq e rrezikshme: “‘Pse kërkove nga autori të hiqte çdo aluzion për xhelozinë e verbër dhe prirjet homoseksuale të sulltanit? Fol! Doje ndoshta që tirani turk të paraqitej në dritë të favorshme? Pra, çfarë ke për të thënë?’”

Me këtë ese rrëfimtar, të cilit botuesi gjerman i përkthimit i ka shtuar disi të paqartë nëntitullin “Hetime”, Kadare është larguar nga kjo botë me dinjitet. Për këtë meritë ka edhe Joachim Röhm, përkthyesi i tij i shkëlqyer në gjermanisht. Röhm, në vitet ’70, në një hutim rinor-komunist, u shpërngul nga Gjermania Perëndimore në Shqipërinë komuniste për disa vite dhe mësoi gjuhën. Që ai zotëron shqipen, kjo merret si e mirëqenë. Që di të sillet me gjermanishten, e dëshmojnë përkthimet e tij. Meritat e Röhmit për Kadarenë përfshijnë edhe librat që ai nuk i ka përkthyer. Shumë vepra të Kadaresë nuk ekzistojnë në gjermanisht, dhe, sipas zërave, shpesh ka qenë pikërisht Röhm që e ka mbrojtur shkrimtarin më të njohur shqiptar nga vetja e tij, duke mos përkthyer veprat më të dobëta.

“Pranvera shqiptare”, një shkresë e Kadaresë që në rastin më të mirë mund të quhet justifikim i ngathët për rolin e tij gjatë diktaturës së Hoxhës, është një shembull i tillë librash të dështuara. Libri mund të gjendet në gjermanisht, por si përkthim nga frëngjishtja. Röhmi e ka kursyer publikun gjerman me mençuri nga ky libër, i cili i ka sjellë shumë dëm Kadaresë dhe ndoshta madje i ka kushtuar edhe çmimin Nobel. Në vend të tij, ai ka përkthyer në një gjermanisht të përkryer vepra të mëdha si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Sjellësi i fatkeqësisë” apo “Pasardhësi”. Nëse nuk gabohemi, këto libra do të vazhdojnë të lexohen gjatë, ndoshta deri në kohët kur emri i Enver Hoxhës nuk do të thotë më asgjë. Atëherë do të ishte përmbushur edhe pretendimi që shprehet në titullin origjinal, plot vetëbesim, të librit të fundit të Kadaresë. m.p.

Historia tipike shqiptare shkon në kinematë e botës

Frani, e cila pavarësisht se ka lindur grua, ka zgjedhur të jetojë si burrë.

Por, kur Zana, mbesa që ka nën kujdesin e saj ka nevojë për nënë, Franit i duhet të bëjë një zgjedhje të vështirë midis ruajtjes së statusit të një burrneshe apo rigjetjes së ndjenjave mëmësore, që i ka shtypur prej kohësh.

Kjo është historia që prezanton kineasti Andamion Murataj në Festivalin e Filmit në Sarajevë. Regjisori tregon se duke u përballur me një histori të veçantë gjinore është përpjekur të shmangë klishetë ekzotike, që shpesh shoqërohen me narrativat kulturore tradicionale në përshkrimin e burrneshave.

“Që në krye të herës vendosa që në krijimin e grupit të punës ta rrethoj veten me gra dhe vajza krijuese, pa kontributet e të cilave ky film do të ishte i pamundur”, tha Murataj.

Aktoret kryesore të filmit janë: Drita Kaba Karaga, në rolin e Franit dhe 9-vjeçarja e talentuar Alesia Ruçi, në rolin e mbesës së saj.

Programi i Festivalit të Sarajevës përfshin 15 premiera botërore, 6 premiera ndërkombëtare, 28 premiera rajonale dhe 2 premiera kombëtare. Përveç shfaqjes së filmave, një hapësirë e veçantë në festival i kushtohet kremtimit të talenteve kinematografike nga e gjithë bota.

Regjisori italian Paolo Sorrentino do të nderohet me çmimin e nderit “Zemra e Sarajevës” për kontributin e tij të shquar në artin e kinemasë. m.p.

“Jemi bërë më pak konkurrues”: Stanley Donwood për krijimin e artit ikonik të Radiohead

Nga Alexis Petridis

Në fillim të viteve ’90, Stanley Donwood ishte “pak i humbur pas universitetit”, duke autostopuar nëpër Britani dhe duke fituar pak para si zjarrpështyes rrugësh. Duke u ndalur në Oksford, ai pa një poster për një koncert të një grupi të quajtur On a Friday. Ai e njohu emrin: një mik nga Departamenti i Arteve të Bukura në Universitetin e Exeter-it, Thom Yorke, ishte vokalisti kryesor.

Donwood e telefonoi Yorke-n. Fillimisht, kishin planifikuar që ai të performonte me zjarrin e tij si akt hapës për bandën, por drejtori i lokalit ishte shumë i shqetësuar për sigurinë, ndaj ideja u anulua – megjithatë lidhja midis tyre mbeti. Më vonë, kur On a Friday ndryshuan emrin në Radiohead, Yorke e kontaktoi sërish me një propozim:

“Kishin pasur shumë sukses me Creep, të cilën nuk e kisha dëgjuar – nuk ishte fare stili im, unë pëlqeja muzikën bleepy-bleepy, thumpy-thump,” – thotë Donwood. “Por ai më tha: ‘Kovat e disqeve tona janë mjerim, do të vish të provosh diçka?’”

Fillimet e një bashkëpunimi 31-vjeçar

Bashkëpunimi nisi në një mënyrë spontane dhe pak kaotike. Për EP-në e vitit 1994, My Iron Lung, ata menduan të regjistronin një “mushkëri hekuri” në video dhe të përdornin një kornizë të shkëputur nga ajo pamje si kopertinë. Arritën të futeshin me një kamerë në spitalin John Radcliffe në Oksford, por zbuluan se mushkëria e hekurt ishte thjesht një “kuti gri si armë – estetikisht shumë e mërzitshme, megjithëse e frikshme”. Por gjatë qëndrimit aty, panë një manekin reanimimi dhe një pamje me cilësi të dobët nga videoja përfundoi si kopertina e albumit të vitit 1995, The Bends.

“Shumë herë mendoj se jam bosh, pa ide. Pastaj ndodh diçka dhe them: Wow!”

Nga OK Computer te The Smile

Që prej atij momenti, Donwood dhe Yorke kanë krijuar bashkërisht artin vizual për çdo publikim të Radiohead që nga The Bends, si dhe për projektet solo të Yorke – albumet e tij solo, Atoms for Peace dhe The Smile – por edhe një sërë librash.

Donwood ka realizuar gjithashtu ekspozita solo, ka shkruar libra, ka bashkëpunuar me shkrimtarin Robert Macfarlane dhe ka krijuar posterat për Glastonbury për më shumë se 20 vjet. Por janë pikërisht bashkëpunimet me Yorke ato që spikasin në mënyrë të veçantë – të gjitha të përmbledhura në ekspozitën e re në Muzeun Ashmolean në Oksford, This Is What You Get, titulluar sipas vargut nga kënga “Karma Police”.

Ekspozita përfshin një shumëllojshmëri të gjerë mediums – nga arti kompjuterik, te kolazhet, vajrat dhe gdhendjet linoleumi – por në thelb, gjithmonë kapin ankthin ekzistencial që është zemra e muzikës së Radiohead.

Proces i pazakontë krijimi

Donwood zakonisht zhvendoset pranë studios ku Radiohead janë duke regjistruar – shpeshherë në një ndërtesë ngjitur me lidhje audio – dhe krijon art drejtpërdrejt në reagim ndaj muzikës që ata po prodhojnë. Ai vetë e përshkruan si një përvojë shumë stresuese:

“Shpesh e gjej veten në këto vende të mrekullueshme, me penelat, kompjuterin, çdo gjë që më duhet, duke menduar: Kjo është tmerr – s’kam asgjë. Ndoshta jam bosh. Duhet të gjej punë tjetër. Është mjaft dekurajuese. Dhe pastaj, papritmas, ndodh diçka dhe them: Wow!”

Pasi Donwood përfundon një punë, Yorke shpesh e modifikon ose e përforcon. Në disa raste, ai e mbulon pjesërisht artin – si me albumin OK Computer (1997). Në raste të tjera, ata pikturojnë së bashku në të njëjtën telajo:

“Më parë konkuronim për ta përfunduar punën. Tani jemi bërë shumë më pak konkurrues – është shumë më bashkëpunuese. Thjesht, jemi më të vjetër. Më të lodhur!”

Vepra nga ekspozita

  1. Snowfall on House, 1997

“Figurat dhe autostrada janë fotografi të fryra që Thom i kishte bërë gjatë një turneu. Përdorëm libra shkollorë nga Oxfam, i skanuam dhe përdorëm një tabletë me laps digjital që fshinte me vështirësi. Donim që gabimet të dukeshin – si në jetën reale, s’mund t’i fshehësh kurrë mirë.”

  1. Get Out Before Saturday, 2000

“Nga koha e Kid A. Kishim kanavaca aq të mëdha sa mezi i perceptonim. Unë mora një studio në Bath, Thom erdhi, dhe thjesht pikturuam. Disa kanë grimca rëre, të tjerat Artex – një masë që mbulon dëmtime, por nuk i rregullon dot.”

  1. Pacific Coast, 2003

“Radiohead do të regjistronin Hail to the Thief në dy javë në LA. Rrugët ishin shumë të ngarkuara vizualisht, me ngjyra të forta për shoferët. I bleva ato 7 ngjyrat standarde dhe nisa të shkruaj fjalë. Normalisht, ata nuk e përfunduan në dy javë – sigurisht që jo – u kthyem në Angli me shi.”

  1. Soken Fen, 2013

“Fillimisht doja të bëja piktura realiste me vaj, por dështuan keq. Pastaj Radiohead luajtën një seancë në një hambar të vjetër. Muzika më tingëllonte organike. Mendova për njerëzit që e ndërtuan hambarin pa makineri. E nisa menjëherë këtë seri.”

  1. A Map of the New World, 2024

“Nuk është për The Smile, por është në të njëjtin univers. E punova në një shtypshkronjë gjigante në Paris, një vend i bukur i quajtur Idem. Por bëra një gabim – ishte 2 cm më e madhe se çdo karton standard. Më duhej të bëja bazën me porosi. Të çmend!”

  1. Wall of Eyes, 2024

“Thom pa një ekspozitë hartash dhe më tregoi katalogun. Ishin harta të bëra nga një pirat arab me ngjyra të pasura dhe bojë tempera. E bëmë Wall of Eyes të Smile në të njëjtën frymë: harta që s’duken si harta, më shumë si peizazhe surrealiste.”

Përgatiti për botim: L.Veizi

 

Koleksioni i artit bashkëkohor “Imago Mundi”, në COD

TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Qendra për Hapje dhe Dialog ftoi të gjithë artdashësit të zbulojnë koleksionin “Imago Mundi” në bibliotekën e COD-it.

Katalogët e koleksionit të artit bashkëkohor “Imago Mundi”, një nismë vizionare nga Luciano Benetton, tashmë janë të disponueshëm për lexuesit në bibliotekën e COD-it. Ky koleksion unikal përmbledh vepra të artistëve të afirmuar dhe në zhvillim nga mbarë bota, duke reflektuar një mozaik kulturash dhe identitetesh vizuale.

“Imago Mundi” është një udhëtim artistik përgjatë paralelit 42, që përshkon historinë, kulturën dhe ndikimet ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, nga Europa në Azi, nga Gjeorgjia në Mongoli, nga Rusia në Japoni. Në bibliotekën e Kryeministrisë gjenden katalogët e koleksionit nga: Turqia, Spanja dhe Mongolia. Në faqen online të COD-it, ky arkiv ndërkombëtar arti, vlerësohet si një pasuri që pret për t’u lexuar, parë dhe reflektuar.

1 nga 5

/r.e/

The post Koleksioni i artit bashkëkohor “Imago Mundi”, në COD appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastiret dhe kishat e Fierit, thesare të vyera të trashëgimisë kulturore

TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Manastiri “Fjetja e Hyjlindëses Mari”, në Parkun Arkeologjik të Apolonisë, prej shekullit XIII shenjon historinë e bukur shqiptare dhe rrëfen trashëgiminë tonë kulturore.

Ky manastir është pjesë e Mitropolisë së Apolonisë dhe Fierit, ku ka një komunitet të madh besimtarësh ortodoksë, të cilët pak ditë më parë kremtuan me madhështi “Shpërfytyrimin e Shpëtimtarit”, “Metamorfozën”, ose siç e thotë populli “Shën Sotirin” (5 dhe 6 gusht).

Besimtarët morën pjesë në “Mbrëmësoren e Madhe” dhe ritualin e bekimit të pesë bukëve.

Në zonë janë të shumta kishat dhe manastiret të shpallura Monumente Kulture.

Gjatë një vizite në Fier, nuk duhen lënë pa vizituar tre nga manastiret më të famshme të ortodoksisë shqiptare, thesare të vyera të trashëgimisë kulturore dhe njëri prej tyre është Manastiri “Fjetja e Hyjlindëses Mari”, brenda Parkut Arkeologjik Apoloni. Dy të tjerët janë Manastiri i Ardenicës, i shekullit XI si dhe Manastiri i Shën Kozmait në Libofshë (1815), vend pelegrinazhi nga banorët e zonës por edhe nga besimtarë përtej kufijve.

Këta janë manastire me gjurmë të figurave të shquara të historisë shqiptare dhe me arkitekturë bizantine. Por edhe kishat shekullore më të famshme myzeqare, si Shën Gjergji (Libofshë, 1767) dhe Shën Kolli (Libofshë, 1777) kanë gjurmë të artistëve më të shquar të artit bizantin: Shpataraku, Zografët dhe Çetirët.

1 nga 5

/r.e/

The post Manastiret dhe kishat e Fierit, thesare të vyera të trashëgimisë kulturore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vedat Kokona, përkthyesi, shkrimtari dhe leksikologu i shquar shqiptar

TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Më 8 gusht 1913 lindi përkthyesi, leksikografi, shkrimtari, poeti, pedagogu e avokati Vedat Kokona.

Profesor Kokona lindi në Izmir të Turqisë nga një familje gjirokastrite. Familja u rikthye në atdhe dhe ai filloi shkollimin në vend. Të mesmen e përfundoi pranë Liceut të Korçës. I shtyrë edhe nga profesioni i të atit si avokat, Vedat Kokona ndoqi studimet e larta në Francë në fushën e drejtësisë.

Vitet e pushtimit e rikthyen në atdhe ku edhe rifillon punë në arsim aty nga ku ishte shkëputur, nga bankat e Liceut në Korçë duke dhënë mësim gjuhën frënge. Krahas pedagogjisë, e cila po krijonte trysninë e saj për shkak të politikave arsimore fashiste, ai i rikthehet pasionit të vjetër letërsisë duke u renditur në zërat më të dashur për rininë e kohës së bashku me plejadën e ndritur si Kuteli, Spase, Hakiu pjesë e redaksisë së revistës letrare.

Krahas letërsisë ai vazhdonte të punonte si avokat, profesion të cilin e ndal pas lufte. Më tej vazhdoi profesionin e mësuesit dhe përkthyesit pranë Shtëpisë Botuese Shtetërore “Naim Frashëri”. Me hapjen e Universitetit të Tiranës vite më pas iu besua edhe puna e profesorit në këtë universitet si lektor i gjuhës frënge. Vedat Kokona është autor i disa fjalorëve në gjuhën frënge. Pas viteve ’90 ai u nderua me një sërë çmimesh për punën e palodhur në fushën e artit dhe të letërsisë.

/r.e/

The post Vedat Kokona, përkthyesi, shkrimtari dhe leksikologu i shquar shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis mbledhja e kabinetit të sigurisë së Izraelit, zyrtarët e lartë do votojnë propozimin për pushtimin e plotë të Gazës

Mbledhja vendimtare e kabinetit të sigurisë së Izraelit, në të cilën pritet të hidhet në votim propozimi për një pushtim të plotë ushtarak të Rripit të Gazës ka filluar, siç raportohet nga rrjeti televiziv Channel 12.

Prokurorja e Përgjithshme, Gali Baharav-Miyara thuhet se është gjithashtu e pranishme, pavarësisht faktit se qeveria kishte votuar unanimisht më herët gjatë javës për ta shkarkuar atë nga pozicioni i saj.

Jashtë ndërtesës, dhjetëra protestues janë mbledhur, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj mundësisë së zgjerimit të operacionit ushtarak. Siç theksojnë ata, një veprim i tillë do të vinte në rrezik të menjëhershëm jetën e pengjeve që ende mbahen në Rripin e Gazës.

Protestuesit po i kërkojnë qeverisë të zgjedhë rrugën e negociatave, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës dhe për lirimin e të gjithë pengjeve.

Met Bega, ikona e humorit dhe mjeshtri i batutës

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Më 7 gusht të vitit 1946 lindi aktori i mirënjohur i humorit, Met Bega.

Në këtë përvjetor, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, kujtoi me mirënjohje, ikonën e humorit dhe mjeshtrin e batutës, Met Bega, një figurë mjaft e dashur për publikun shqiptar.

Met Bega lindi në Tiranë, më 1946-ën dhe pjesën më të madhe të karrierës së tij e kaloi në Estradën e Tiranës. Gjatë karrierës së tij të gjatë, Met Bega është nderuar me çmime të ndryshme. Përveç interpretimeve në Estradë, Met Bega do të mbahet mend për interpretimet e tij në kinematografi, në filmat komedi aq të dashur për publikun, si: “Dy herë mat”, “Edhe ashtu edhe kështu”, “Stolat në park” dhe “Telat për violinë”.

Aktori ndërroi jetë në vitin 2015. Prej shumë kohësh ai vuante nga sëmundja e Parkinsonit.

/a.f/

The post Met Bega, ikona e humorit dhe mjeshtri i batutës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Muzeut Historik të Shkodrës i dhurohen 5 harta me vlerë historike

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Muzeut Historik të Shkodrës iu shtuan 5 harta me vlerë historike.

Lajmin e bëri të ditur kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci i cili falenderoi publikisht Gjergj Marenën, një qytetar i pasionuar pas historisë dhe trashëgimisë kulturore, i cili e bëri këtë dhurim për muzeun e qytetit.

“Këto harta të rralla pasurojnë fondin e muzeut dhe përbëjnë një dëshmi të vyer të kujtesës sonë historike, si dhe një shprehje të qartë të dashurisë për Shkodrën dhe identitetin kombëtar”, u shpreh Benet Beci në një publikim në rrjetet sociale.

Ky gjest i vyer u përmblodh në aktivitetin simbolik “Një dhuratë me vlerë historike”, e organizuar pranë muzeut, ku vlerësimi dhe mirënjohja për këtë kontribut u ndanë me të gjithë.

Gjatë aktivitetit, dhuruesit të hartave historike, Gjergj Marenës, iu dha edhe një certifikatë vlerësimi për përkushtimin, vizionin dhe kontributin e tij në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

/e.r//a.f/

The post Muzeut Historik të Shkodrës i dhurohen 5 harta me vlerë historike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌