Regjisori i famshëm amerikan, Francis Ford Coppola do të mbajë nesër një fjalim mirënjohjeje për regjisorin e njohur gjerman, Werner Herzog, me rastin e dhënies së ”Luanit të Artë për Arritje në Jetë”, në sallën e madhe të Pallatit të Kinemasë, gjatë natës hapëse të Festivalit të 82-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia.
Nesër në orën 17:00, në sallën ”Korinto” do të prezantohet dokumentari i Mike Figgis ”Megadoc”.
Ky dokumentar bën pjesë në seksionin ”Venice Classics” dhe sjell prapaskenat e xhirimeve të filmit më të fundit të Francis Ford Coppola ”Megalopolis”.
Regjisori i madh Coppola e ka marrë ”Luanin e Artë për Arritje në Jetë” në vitin 1992, gjatë Festivalit të 49-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia.
Werner Herzog do të shfaqë dokumentarin e tij të ri ”Ghost Elephants”, jashtë konkurrimit, nesër.
Po nesër ai do të mbajë edhe një masterclass në ”Match Point Arena”, pranë ”Tennis Club Venezia”, në Lido./ atsh/ KultPlus.com
Ranch Fest rikthehet këtë verë në Pejë, duke premtuar një fundjavë të mbushur me energji, argëtim dhe atmosferë të paharrueshme në natyrë, nga data 15 deri më 17 gusht 2025.
Ky edicion i festivalit është konceptuar si një përvojë tre-ditore me muzikë live, energji dhe eksperiencë të jashtëzakonshme. Festivali ofron për adhuruesit e muzikës një mundësi që të lidhen me natyrën, me njëri-tjetrin dhe me ritmet melodike.
Në këto net magjike do të ndriçojnë skenën emra të njohur si Soni Malaj, Alban Skënderaj, Yll Limani, Shkumbin Ismaili, DJ Hebb, Gjeneral Gramaphone dhe DJ Ylli Megi. Atmosfera do të lulëzojë me tinguj të paharrueshëm muzike, duke i pasuruar mbrëmjet me energji të gjallë dhe emocione artistike.
Ranch Fest ka evoluar në një festival shumë gjithëpërfshirës, duke ruajtur frymën e aventurës, por duke shtuar më shumë ditë, më shumë muzikë dhe një eksperiencë të plotë verore për të gjithë ata që kërkojnë diçka ndryshe nga rutina. Ranch Fest i ofron audiencës jo vetëm një festival, por një përvojë të përbashkët dhe autentike./KultPlus.com
Tirana dhe Shkodra u kthyen këto ditë në epiqendra të ritmit dhe inovacionit muzikor, falë edicionit më të fundit të Festivalit të Muzikës Moderne. Ky aktivitet mblodhi artistë të njohur dhe të rinj të skenës moderne shqiptare, duke ofruar një mozaik tingujsh që përfshinte stile të ndryshme muzikore, nga elektronika, te popi alternativ dhe hip-hopi bashkëkohor.
Në Tiranë, publiku pati mundësi të përjetonte performanca dinamike në ambiente të hapura dhe skena alternative, ku energjia e artistëve dhe ndërveprimi me audiencën krijuan një atmosferë të paharrueshme. Shkodra, nga ana tjetër, u shqua për mikpritjen e ngrohtë dhe përfshirjen aktive të komunitetit lokal, që tregoi një interes të veçantë për formatet moderne të shprehjes muzikore, transmeton KultPlus.
Festivali synon të promovojë diversitetin artistik dhe të krijojë hapësira për bashkëpunim mes artistëve nga Shqipëria dhe rajoni, duke sjellë freski në skenën kulturore vendase. Me këtë edicion, Festivali i Muzikës Moderne konfirmon rolin e tij si një ngjarje kulturore e rëndësishme që i jep zë brezit të ri të krijuesve muzikorë dhe ndërton ura të reja midis qyteteve shqiptare./KultPlus.com
Kanë nisur përgatitjet për Festivalin e RTSH. Pas publikimit të spotit zyrtar nga Elhaida Dani për Fest ’64, prapaskenat e festivalit më të madh muzikor në vend kanë filluar të lëvizin me shpejtësi. Interesi për të marrë drejtimin e këtij edicioni është rritur, dhe dy emra të njohur të ekranit kanë hyrë fuqishëm në garë. […]
TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Në qytetin e trëndafilave u çel mbrëmjen e sotme festivali “Nona”, festa e gjysheve shqiptare.
Qindra qytetarë, por edhe turistë vendas e të huaj, mbushën sheshin kryesor të Përmetit.
Ky është edicioni i pestë i festivalit “Nona”, një aktivitet unik treditor, që e kthen Përmetin në një sofër të madhe te ngjashme me shtëpinë e gjysheve tona.
Festivali nisi paradite me vizita në shtëpitë e gjysheve përmetare, për të vijuar pasdite me çeljen e panairit “Nga duart e gjysheve”, ku u prezantuan gatime të ndryshme tradicionale.
Në mbrëmje, në festival performuan artistë të njohur si Evgjeni Çulli, Mikel & Ervis Rrapaj, Luljeta Ilia, Çiljeta Xhilaga, Anxhela Peristeri, G Bani si dhe aktorja e njohur Eva Alikaj.
Festivali “Nona” synon të sjellë dialog midis brezave në vend të hendekut në rritje midis të moshuarve dhe të rinjve në jetën e përditshme urbane.
Festivali do të vazhdojë edhe në datat 9 dhe 10 gusht, ku do të zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturore.
Organizatorët e festivalit të muzikës heavy metal ”Wacken Open Air”, në Gjermaninë veriore nderuan legjendën e ndjerë të rokut Ozzy Osbourne me një shfaqje me dron mbi skenën kryesore.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, fjalia “Ozzy, ne të duam” ndriçoi qiellin e natës pas performancës së fundit të ditës.
Homazhi u shoqërua nga kënga e Osbourne “Mama, I’m Coming Home”, e ndjekur nga himni i Black Sabbath “Paranoid”.
Në të njëjtën kohë, imazhet e Osbourne u shfaqën në ekranet gjigante të festivalit.
Këngëtari ikonik britanik dhe ylli i reality show-t vdiq më 22 korrik në moshën 76 vjeç.
Si bashkëthemelues dhe vokalist i ”Black Sabbath”, Osbourne u vlerësua gjerësisht për ndihmën në përcaktimin e zhanrit heavy metal.
”Black Sabbath” u formua në Birmingham në fund të viteve 1960.
Vetëm disa javë para vdekjes së tij, Osbourne, i cili kishte luftuar me sëmundjen e Parkinsonit vitet e fundit, dha një koncert lamtumire në qytetin e tij të lindjes.
”Wacken Open Air”, i cili zhvillohet në një fshat me vetëm 2 000 banorë, konsiderohet si një nga festivalet më të mëdha të heavy metal në botë./ atsh/ KultPlus.com
Nisin ethet e Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Stafi drejtues i Fest64 dhe RTSH kanë publikuar thirrjen për të gjithë artistët që do t’i bashkohen eventit më të rëndësishëm të muzikës shqiptare. Artistët që dëshirojnë të jenë pjesëmarrës në edicionin e 64-t të Festivalit kanë një muaj kohë, duke filluar nga data 1 shtator deri në 30 shtator, për dorëzimin e materialeve të tyre…
Deklarata e fundit e G Bani në rrjetin social TikTok ka sjellë pasoja të menjëhershme për të. Në një video të postuar së fundmi, artisti u shpreh se “po të dija që janë kaq racistë ndaj meje, nuk do të më ndjente as në ‘99-n”, fjalë që kanë nxitur reagime të forta në publik dhe sidomos nga organizatorët e festivalit “Muaji i Mërgatës” në Drenas.
Pas kësaj deklarate, organizatorët kanë bërë të ditur përmes një njoftimi zyrtar se performanca e planifikuar e G Banit për mbrëmjen e nesërme është anuluar. Ata e konsideruan gjuhën e përdorur nga artisti si “të papranueshme, fyese dhe pa etikë”, duke theksuar se nuk ka vend për qëndrime të tilla në një ngjarje që synon bashkimin dhe respektin mes shqiptarëve kudo që ndodhen.
Në reagimin e tyre, organizatorët nënvizuan se “Muaji i Mërgatës” është një festë që promovon vlerat e respektit, dashurisë për kulturën dhe përfshirjes, dhe çdo akt që bie ndesh me këto parime nuk tolerohet.
Vetë G Bani ka reaguar pas anulimit të koncertit duke sqaruar se komentet e tij ishin të drejtuara vetëm ndaj ndjekësve që e kishin ofenduar personalisht, dhe jo ndaj qytetarëve të Kosovës në tërësi. Megjithatë, për organizatorët e festivalit, kjo deklaratë nuk mjaftoi për të zbutur situatën.
Në zemër të qytetit, `Prizren Fest` po sjell shfaqje tërësisht të ndryshme në formë, por të lidhura për nga fuqia artistike dhe mesazhi i thellë.
Në një vend simbolik si Burgu i Qytetit, u dha shfaqja “Bëje ose vdis”, prodhim i Teatrit të Qytetit “Hadi Shehu” nga Gjakova.
Me tekst të autorit të njohur Jeton Neziraj dhe regji nga Blerta Rrustemi-Neziraj, kjo vepër thellësisht politike dhe njerëzore ishte një homazh për Ukshin Hotin – intelektualin e shquar dhe simbolin e qëndresës shqiptare.
Një shfaqje që e rikujtoi publikun për sakrificat që ndërtuan themelet e lirisë sonë.Vetëm pak minuta më pas, buzë lumit, u mbajt shfaqja për fëmijë “Tomi e Xheri II”. Një histori dinamike dhe interaktive, ku fëmijët ishin pjesë aktive e skenës, duke mësuar për miqësinë, tolerancën dhe dashurinë – përmes ndjekjes klasike dhe argëtuese të dy personazheve shumë të dashur për publikun.
Ndërkohë, gjatë gjithë javës, ‘Prizren Fest Kids Workshop’ u zhvillua në Shkollën e Muzikës “Lorenc Antoni”. Fëmijët 10–13 vjeç, përmes workshop-it, mësuan të shprehen përmes gjuhës trupore, pantomimës dhe lojës kreative – nën udhëheqjen e artistëve ndërkombëtarë Ayla Kazaz dhe Vojo Cvetanovski, me mbështetjen e OSBE-së.Shfaqja “Oranges and Stones” nga Palestina, e planifikuar të mbahej mbrëmë, është shtyrë për datën 28.07.2025, në mbyllje të ‘Prizren Fest’.
Sot, artdashësit kanë mundësi të shohin shfaqjen “Drunks” nga Bullgaria, duke filluar nga ora 19:30 në Teatrin e Qytetit “Bekim Fehmiu”. Më pas, nga Maqedonia e Veriut vjen shfaqja teatrore dokumentare-verbatim “8%” te Autostrada Biennale Hangar II, duke filluar nga ora 21:30.
Ndërkaq, në Prizren Fest Kids vjen shfaqja e parë profesionale për fëmijë në gjuhën e shenjave, “TRE”, nga Maqedonia e Veriut, nga ora 20:30 te Teatri mbi Lum.
Nga kujtesa historike te humori i pastër fëmijëror, skena e festivalit mbetet e gjallë dhe shumëdimensionale.
Në Irlandë, qyteti bregdetar i Galway çdo verë shndërrohet në një skenë të hapur të artit dhe krijimtarisë ndërkombëtare. Galway International Arts Festival (GIAF), është një ndër ngjarjet më të mëdha kulturore në Evropë dhe një pikë takimi për artistë, krijues dhe spektatorë nga mbarë bota.
Me një program të pasur prej mbi 200 aktivitetesh të shpërndara në harkun e dy javëve, festivali që nga data 14 korrik deri më 27 korrik, ofron një përvojë të gjithanshme që përfshin teatër, muzikë, arte pamore, instalacione bashkëkohore, performanca rrugore dhe ngjarje letrare. Nëpër rrugët me kalldrëm të qytetit, galeritë intime dhe sallat historike të teatrit, publiku përjeton një përzierje të veçantë të traditës dhe risisë, të kulturës lokale dhe asaj globale, përcjellë KultPlus.
Ky festival jo vetëm që sjell në skenë emra të njohur ndërkombëtarë, por shërben edhe si një platformë për të promovuar talentet e reja, duke krijuar ura mes brezave dhe stileve të ndryshme artistike. GIAF është një reflektim i shpirtit krijues të Galway, një qytet i vogël për nga përmasat, por i madh në ndikim kulturor.
Atmosfera gjatë festivalit është e gjallë, me mijëra vizitorë që mbushin kafenetë, sheshet dhe baret e qytetit, duke ndarë pasionin për artin dhe kulturën. Në një botë gjithnjë e më të ndarë, Galway International Arts Festival mbetet një shembull i fuqisë bashkuese të artit dhe një kujtesë se kultura është zemra e çdo komuniteti./KultPlus.com
Festivali Ndërkombëtar i Animacionit Anibar ka shpallur fituesit e edicionit të 16-të në ditën përmbyllëse më 20 korrik, duke finalizuar kështu plot një jave të suksesshme me animacion, diskutime dhe energji krijuese në Pejë.
Në ngjarjen përmbyllëse të festivalit ishte i pranishëm edhe Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Krijimet më të spikatura të këtij viti të cilat u përzgjodhen në disa kategori garuese, sollën rrëfime që prekin, sfidojnë dhe shtrojnë pyetje thelbësore për kohën në të cilën jetojmë, në përputhje me temën e këtij edicioni të festivalit: “WTF – What’s the Future?”.
Mes kategorive garuese të këtij edicioni ishin:
Garat ndërkombëtare dhe ballkanike me juri: Helga Fodorean, menaxhere kulturore dhe producente filmash, Laura Almantaitė, drejtoreshë festivalesh dhe producente filmash, Marko Tadić, artist me përvojë në vizatim, instalacion dhe animacion, Tal Kantor, regjisore dhe fituese çmimesh ndërkombëtare, dhe Tomek Popakul, drejtor i animacionit i njohur për filmat Ziegenort, Acid Rain dhe Zima.
Garat studentore dhe programi “Pitch It!” me juri: Bastien Dubois, regjisor francez, Rianne Stremmelaar, regjisore dhe ilustratore, dhe Vasco Sá, bashkëthemelues i BAP-Animation Studios.
Garat për filmat për të Drejtat e Njeriut dhe video animacioneve muzikore, për të cilat gjykuan: Anna Vasova, skenariste dhe producente, Draško Ivezić, regjisor filmash të animuar, skenarist, producent, aktor zëri, dhe bashkëthemelues i Adriatic Animation në Kroaci, dhe Yves Nougarede, programues filmi në Festivalin Ndërkombëtar të Animacionit Annecy.
Garat për audiencën e të rinjve me juri pesë të rinj nga Kosova: Leka Gjonbalaj, artist autodidakt i specializuar në pikturë me vaj, art mural dhe dizajn karakteresh, Rina Lasku, artiste vizuale dhe animatore nga Gjakova, Rrezarta Sadriu, animatore 2D dhe tregimtare vizuale, Gent Ademaj, animator dhe dizajner grafik, dhe Alisa Fejza, animatore dhe artiste multimediale, përcjellë KultPlus.
Në kategorinë garuese ndërkombëtare, çmimin kryesor e fitoi filmi “Dog Alone”, me regji të Marta Reis Andrade, një rrëfim emocional që flet për vetminë, braktisjen dhe lidhjet njerëzor përmes një paralelizmi të ndjerë midis një qeni të harruar dhe përvojave personale të regjisores.
Për këtë kategori, juria ndau gjithashtu çmimin “Përmendje e Veçantë” (Special Mention) për filmin “Dollhouse Elephant”, me regji të Jenny Jokela, duke vlerësuar se filmi i prek të gjitha shqisat e njeriut.
Në kategorinë garuese të filmave nga Ballkani, çmimin e parë e mori filmi “How”, me regji dhe skenar te Marko Meštrović, i cili flet për qenien dhe kalimin përmes fazave të pafundme të ekzistencës.
Në garën studentore, triumfues ishte filmi “Children of the Bird,” i Julia Tudisco, një film mitologjik fiktiv rreth lindjes dhe vdekjes së planetit tonë. Juria vlerësoi se filmi lidhet thellësisht me temën e sivjetshme të festivalit “Çfarë është e ardhmja?” e cila është më urgjente se kurrë.
Ndërkaq, dy përmendje të veçanta shkuan për “The Eating of an Orange” nga May Kindred-Boothby dhe “Poppy Flowers” nga Evridiki Papaiakovou.
Çmimin e parë në garën e programit “Pitch It!”, i cili ofron një hapësirë për prezantimin e projekteve në zhvillim nga animatorë të rinj, e rrëmbeu Flaka Kokolli me projektin “I Still Haven’t Cried.” Në vendin e dytë u rendit Verica Tenekedjieva me projektin “Transporting Woman,” dhe në vendin e tretë Katarina Zaharijev dhe Marija Maletić me “The Last Bookstore in the World.”
Në kategorinë e të drejtave të njeriut, juria e vlerësoi me çmimin kryesor filmin “Romina” me regji të Bee Grandinetti, një film i bazuar në historinë e vërtetë të një vajze 14-vjeçare që përballet me një shtatëzani të paplanifikuar në një shtet në SHBA ku aborti është i ndaluar. Një përmendje e veçantë iu dha filmit “Cimarron,” me regji të Rémi Vandenitte dhe Cédric Bourgeois.
Në garën për video animacionet muzikore, çmimi kryesor i shkoi klipit “feelslikeimfallinginlove” nga Coldplay, me regji dhe skenar te Raman Djafari dhe prodhuar nga Alexander Handschuh. Tema e trajtuar është historia e një çifti shpirtrash binjakë që udhëton mes botëve dhe formave për të gjetur njëri-tjetri. Kurse, përmendja e veçantë shkoi për videon muzikore të Chris Lambourne, “Bob Dylan’s Big Dick.”
Fituesi për kategorinë audienca e te rinjve u shpall Vera van Wolferen me filmin “Down in the Dumps,” një storje që tregon sfidat e një buburreci me vetëvlerësim të ulët, duke na rikujtuar se pranimi i vetes është më i rëndësishëm se pritshmëritë e të tjerëve.
Përmendja e veçantë shkoi për “The Legend of the Hummingbird” nga Morgan Devos, i cili përcon mesazhin se në momentet më të vështira, edhe krijesa më e vogël mund të tregojë guximin më të madh.
Anibar falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, partnerët, dhe publikun për një tjetër edicion që e vendos Pejën dhe Kosovën në qendër të hartës ndërkombëtare të animacionit. Me ide të guximshme, rrëfime të ndjera dhe pyetje provokuese mbi të ardhmen, edicioni i sivjetshëm me temen “WTF” vërtetoi fuqinë transformuese të animacionit./KultPlus.com
Në Gjakovë ka nisur zyrtarisht festivali “Ditët e Shqiptarit”, një ngjarje kulturore që këtë verë do ta shndërrojë qytetin në epiqendër të kulturës shqiptare.
Me moton “Kultura shqiptare festohet n’Gjakovë”, festivali sjell performanca artistike, muzikë dhe aktivitete të ndryshme që nderojnë trashëgiminë kulturore të shqiptarëve.
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, përmes një postimi në Facebook, ka ftuar qytetarët që të bëhen pjesë e këtij festivali që zhvillohet në disa data gjatë korrikut dhe gushtit.
“Artistë të njohur dhe zëra të fuqishëm do të jenë këtu, për t’i dhënë qytetit sharm dhe hijeshi”, ka shkruar Gjini, duke përgëzuar gjithashtu performancën e parë të mbrëmjes nga Endrit Xërxa & Band.
Aktivitetet e festivalit do të vazhdojnë edhe më: 19, 25 dhe 26 korrik 01, 02, 08, 09 dhe 10 gusht.
Festivali organizohet nga Fondacioni për Gjakovën në bashkëpunim me Komunën e Gjakovës./Telegrafi/
Edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur PrizrenFest do të mbahet sivjet nga data 21 deri më 28 korrik në Prizren.
Për tetë ditë, njëmbëdhjetë lokacione të shpërndara gjithandej qytetit do të shndërrohen në skena teatrore për të pritur mbi 20 shfaqje e performanca nga Palestina, Franca, Anglia, Italia, Greqia, Turqia, Bullgaria, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Kosova.
Programi i sivjetëm i festivalit përpos që i bën konak botës në Prizren, na fton ta imagjinojmë dhe pranojmë teatrin në të gjitha mënyrat e bërjes së tij, por mbi të gjitha ta njohim e ta ritheksojmë fuqinë e shprehjes teatrore për të krijuar hapësira të përbashkëta për reflektim shoqëror.
Edhe në këtë edicion, nderojmë trashëgiminë kulturore e historike të qytetit tonë, duke e shndërruar atë në një skenë teatri dhe duke e sjellë teatrin e botës në të.
Prej formave më klasike të shprehjes teatrore deri tek ato më alternative e eksperimentale, ky program që ju flet të gjitha grupeve të audiencave, navigon nëpër tema që lidhen me luftën, shërimin, kujtesën, identitetin, rezistencën, heshtjen, shëndetin mendor, ambientin e dhunën shtetërore.
I sjellim këto tema në skenat e sivjetme të PrizrenFestit, jo për të rikonfirmuar atë që tashmë e dijmë për gjendjen në të cilën ndodhet sot bota përreth nesh, por për të treguar se ashtu siç brengat dhe tragjeditë shoqërore nuk njohin kufij, njëlloj nuk njeh kufij as këmbëngulja dhe shpresa jonë për t’u bërë bashkë nëpërmjet teatrit – gjuhës që ne e flasim më së miri. Pra ne, së bashku, nuk i frikësohemi territ që e kemi përreth nesh, por i bëjmë ballë me publikun dhe artistë nga anembanë botës, për të nderuar tregimet që na bëjnë bashkë.
Programi i sivjetëm i PrizrenFest përmban shfaqje për të rritur e për fëmijë si dhe një program edukativ e diskursiv. Gjithashtu, sivjet afrohemi me publikun, jo vetëm nëpërmjet skenave të ngritura nëpër qytet dhe formave tradicionale të tij, por edhe duke e dërguar teatrin tek ata që nuk mund të vijnë në teatër dhe duke e bërë teatrin të qasshëm për të gjithë, nëpërmjet një programi të posaçëm në shtëpinë e të moshuarve, me shfaqjen “La Beauté du Souvenir” nga Franca si dhe nëpërmjet teatrit me gjuhë të shenjave me shfaqjen e programit për fëmijë “Three”.
PrizrenFest 2025 nis më 21 korrik nga ora 21:00 në Teatrin mbi Lumë, me shfaqjen e baletit “Muzg” nën koreografinë e balerinit shqiptar të njohur ndërkombëtarisht Eno Peçi, ndërsa përmbyllet me shfaqjen “Monologët e Gazës” nën regjinë e artistes palestineze Iman Aoun më 28 korrik nga ora 21:00 në Teatrin mbi Lumë.
Përgjatë tetë ditëve të festivalit, në Teatrin “Bekim Fehmiu” të Qytetit të Prizrenit do të jipen shfaqjet “Komedia e zezë” nga Kosova, “5 fytyrat e heshtjes” nga Shqipëria, “Unë jam vet grua” nga Kosova, “Drunks” nga Bullgaria.
Skena e ngritur në oborrin e Kishës së Zojës Ndihmëtare do të bëhet nikoçire e shfaqjeve “Elettra” nga Italia dhe “P’tit Jean Le Géant” nga Franca.
Në Amfiteatrin e Autostradës Bienale do të jipet shfaqja “Oedipus Rex” nga Greqia ndërsa “8%” nga Maqedonia e Veriut jipet në Autostrada Hangar.
Lidhja e Prizrenit do të bëhet skenë për shfaqjen “Oranges and Stones” nga Palestina, e Burgu i qytetit të Prizrenit për shfaqjen “Bëje ose vdis” nga Kosova, ndërsa që në Kejin pranë xhamisë së Sinan Pashës do të zë vend shfaqja “Unboxed – Unpacking Prejudice” nga Anglia.
Ekspozita “Teatri Ilegal” gjithashtu do të jetë e hapur përgjatë gjithë festivalit në hollin e Teatrit “Bekim Fehmiu”. Të gjitha shfaqjet e programit për fëmijë do të jipen në Teatrin mbi Lumë.
Hyrja në të gjitha ngjarjet e edicionit të sivjetëm të PrizrenFest është falas! Ndërsa pas përfundimit të shfaqjeve, për çdo mbrëmje mblidhemi e festojmë bashkë me muzikë të përzgjedhur në pikëtakimin e festivalit në Kejin e Sinan Pashës.
Nga 21 deri më 28 korrik, shihemi në skenat e ngritura teatrore të PrizrenFestit!
Për më shumë detaje në lidhje me programin e sivjetëm, lokacionet dhe oraret, mund të ndiqni faqet në rrjetet sociale në Instagram – PrizrenFest dhe Facebook – PrizrenFest./ KultPlus.com
Një zjarr i madh ka shkatërruar plotësisht skenën kryesore të festivalit Tomorrowland në Belgjikë, duke hedhur dyshime mbi zhvillimin e mëtejshëm të eventit. Burime nga festivali bëjnë me dije se shkaku i zjarrit, i cili shpërtheu mbrëmjen e së mërkurës, ende nuk është përcaktuar. Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të festivalit thuhet: […]
Amfiteatri i Durrësit u shndërrua mbrëmjen e djeshme në një ambient ku qindra artdashës dhe turistë të huaj, u bashkuan në atmosferën artistike të festivalit “Nga errësira në dritë”.
Performanca nga lëvizja artistike “Tamom”, të gërshetuara me dansin bashkëkohor, krijuan një atmosferë magjike në Amfiteatrin e Durrësit për të gjithë qytetarët dhe artdashësit që morën pjesë.
Kryebashkiakja e Durrësit, Emirana Sako tha se kjo “shfaqje, përgatitur nga lëvizja më e re artistike, “Tamom”, në bashkëpunim artistik me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, shënon edicionin e parë të asaj, që synohet të bëhet një festival tradicional multidisiplinar i artit performativ në Durrës”.
Lëvizjet Tamom dhe dansi bashkëkohor, erdhën si një performancë e kuruar dhe prodhuar nga Klod Dedja.
Kjo nismë shënon edicionin e parë të asaj që synohet të bëhet një festival vjetor multidisiplinar i artit performativ në Durrës një hapësirë ku lëvizja, prezenca dhe bashkëpunimi artistik bashkohen pa kufij.
Shfaqja solli një udhëtim në lëvizje me tri vepra koreografike nga emra të njohur ndërkombëtarë si Russell Maliphant (Britani e Madhe), Mauro Bigonzetti (Itali) dhe Erion Kruja (Shqipëri)./atsh/ KultPlus.com
TIRANË, 29 qershor /ATSH/ Tingujt e muzikës baroke u mirëpritën nga publiku artdashës në një mbrëmje në Korçë, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar “Vox Baroque”.
Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo e etiketoi këtë festival si hapësirën ku muzika udhëton përtej kohës dhe kufijve.
“Mbrëmë, në mjediset e veçanta të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, u zhvillua koncerti “Ex Silentio”, një udhëtim përmes tingujve të muzikës antike mesdhetare, pjesë e edicionit të XII-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Baroke”, tha Filo në një postim në rrjetet sociale.
Sipas kryebashkiakut të Korçës, “artistët nga Greqia, Dhimítris Koundouras (flaut), Iríni Bilini-Moraiti (vokal & vielë) dhe Thýmios Atzakas (liutë orientale) sollën një interpretim të rrallë dhe të përmbajtur, në respekt të atmosferës që ruan thesare të shenjta të trashëgimisë sonë shpirtërore”.
“Një mbrëmje që bashkoi hijeshinë e muzikës së lashtë me madhështinë e ikonografisë shqiptare dhe që i shtoi një tjetër kapitull të paharruar verës kulturore të Korçës”, pohoi Filo.
Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Baroke “Vox Baroque” mbetet aktiviteti i vetëm në llojin e tij në Shqipëri. Ky festival synon gërshetimin mes përhapjes së repertorit të kohës kur lindi si zhanër të ekzekutuar sipas rregullave të traktateve të kohës dhe iniciativave alternative promovuese të atyre artefakteve pjesë të trashëgimisë kulturore kombëtare.
Nga festivali Vox Baroque në Muzen Kombëtar të Artit Mesjetar Korçë
Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës çel sot edicionin e tij jubilar të 20-të pranë katedrales “Shën Luçia”.
Ky festival, tashmë i njohur për nivelin e lartë profesional dhe artistik të koncerteve do të prezantojë përgjatë një muaji zhanre të ndryshme të muzikës së dhomës.
Kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako tha se festivali do të vijojë deri në 21 korrik dhe do të sjellë në zemër të qytetit bregdetar, në katedralen “Shën Luçia”, një udhëtim të pasur përmes muzikës së dhomës.
“Artistë nga mbi 10 vende, formacione të njohura, projekte të reja artistike dhe bashkëpunime ndërkombëtare, në një festival që bashkon traditën dhe risinë, tingujt klasikë dhe emocionin e drejtpërdrejtë”, tha Sako.
Sipas programit, festivali nis sot me koncertin e trios “Amadeus”, grupi i njohur që vjen nga Austria, ndërsa performanca e fundit e parashikuar në datën 21 korrik do të jetë një koncert piano kuartet me artistë nga Shqipëria, Amerika dhe Italia.
Festivali zhvillohet nga shoqata Arti dhe Kultura Italo-Shqiptare, që u krijua me iniciativën e disa artistëve durrsakë, të cilët kanë studiuar e kaluar një pjesë të veprimtarisë së tyre në Itali. Qëllimi i kësaj shoqate ka qenë dhe është bashkëpunimi i artistëve shqiptarë me të huaj, këmbimi i eksperiencave të kulturave të vendeve të ndryshme.
Gjatë aktivitetit të këtyre viteve kjo shoqatë ka organizuar mjaft koncerte në Durrës, Tiranë dhe Itali të cilat kanë përcjellë në publik një nivel të lartë interpretimi artistik.
Sipas organizatorëve ky festival u krijua pikërisht me qëllimin për të siguruar një vazhdueshmëri jo vetëm në njohjen e kulturave të ndryshme nëpërmjet artistëve të ardhur nga Italia, Austria, Franca, Greqia, Zvicra, Kosova, etj., por edhe me dëshirën e madhe për t’u ballafaquar me këto kultura dhe kjo nëpërmjet shfaqjeve të përbashkëta me instrumentistë shqiptarë.
Një tjetër synim i këtij aktiviteti është pjesëmarrja e artistëve shqiptarë, që jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë./atsh/ KultPlus.com
TIRANË, 22 qershor/ATSH/ Me pjesëmarrjen e motoristëve nga e gjithë Shqipëria dhe qindra vizitorëve, nën ritmet e muzikës rock dhe pasionit për motorët, qyteti i Korçës u shndërrua në kryefjalën e aktiviteteve në vend gjatë kësaj fundjave.
Gjatë dy ditëve, parada e motoristëve në rrugët e qytetit të Korçës dhuroi spektakël për qytetarët vendas dhe turistët e huaj, krahas ritmeve të muzikës dhe koncertit të zhanrit muzikor rock.
Kryeministri Edi Rama ndau pamje të këtij aktiviteti në një postim në rrjetet sociale, ndërsa u shpreh se “klube motoristësh nga vende të ndryshme të rajonit, qindra vizitorë dhe adhurues të muzikës Rock zgjodhën Korçën këtë fundjavë”.
Qyteti i Korçës mirëpriti për dy ditë me radhë, edicionin e 7-të të festivalit “Moto & Rock Fest”, një nga ngjarjet më të veçanta që solli shumë vizitorë dhe turistë të huaj këtë fundjavë në Korçë.
Ky aktivitet kulmoi mbrëmjen e djeshme në bulevardin e Korçës me paradën e 500 motoristëve, ndërsa sheshi para Katedrales u gjallërua nga muzika dhe atmosfera festive për të gjithë ardhuruesit e muzikës rock.
Gjatë aktivitetit dyditor të “Moto & Rock Fest”në Korçë
Amfiteatri Antik i Durrësit është kthyer në një skenë ndërkombëtare të kulturës dhe traditave popullore.
Mbrëmjen e së enjtes nisi Festivali Ndërkombëtar i Muzikës dhe Valleve, ku rreth 400 artistë nga vende të ndryshme të Evropës pritet të sjellin muzikën, vallet dhe kostumet tradicionale të vendeve të tyre, si dhe një atmosferë të bukur në qytet.
“Ky festival e ka nisur rrugëtimin në Durrës që nga viti 2016. Çdo vit kemi më shumë pjesëmarrës që sjellin kulturën e tyre dhe njohin atë shqiptare. Sivjet kemi vendosur të sjellim edhe një edicion tjetër në Sarandë, në muajin tetor”, tha Zoran Strezovski, organizator i festivalit.
Në natën e parë të festivalit u ngjitën në skenë grupet nga Polonia, Bullgaria, Lituania, Rumania dhe Shqipëria.
“Jemi nga Polonia, përfaqësohemi me dy grupe. Është hera e dytë që vijmë këtu dhe na pëlqen shumë atmosfera”, artist nga Polonia.
Ky festival është tashmë një ngjarje e përvitshme që ka zënë vend të rëndësishëm në kalendarin kulturor të qytetit dhe synon të vazhdojë edhe gjatë verës, duke e kthyer Durrësin në një pikë takimi të kulturave botërore./euronews.al/ KultPlus.com
TIRANË, 21 qershor / ATSH/ Nata e parë e edicionit të VI të Festivalit “Netët e Bejkës së Bardhë” u çel në Pilur.
Në mbrëmjen e parë të këtij qershori, Piluri u gdhi ndryshe. Midis gjetheve të ullinjve dhe ajrit të kripur të detit, u ndezën sërish dritat e Festivalit “Netët e Bejkës së Bardhë”, që këtë vit mbërriti në edicionin e tij të gjashtë.
Ishte një natë e mbushur me ndjenja të pastra, ku fjala poetike dhe tingulli i muzikës gjetën strehë në zemrat e atyre që ishin aty, jo vetëm për të parë, por edhe për të ndjerë. Në këtë natë të parë, Piluri u bë shtëpia e kujtimeve, fjalëve të pathëna dhe frymëzimeve që lindin vetëm kur arti dhe natyra takohen në heshtje.
“Këto janë këngët tona, janë burimore, janë këngët e kohës, janë këngë lirike, patriotike, historike që kanë përcjellë historinë e këtij kombi në jetën e tij të përgjithshme. Ky aktivitet është në nder të Lefter Çipës, Nderi i Kombit,” tha poeti Kristo Çipa.
“Në ditët e festivalit vijnë grupe dhe të interesuar për kulturën shqiptare dhe sidomos për polifoninë, e cila është një pasuri e mbrojtur edhe nga UNESCO,” tha Aleksandër Çipa, organizator i “Netëve të Bejkës së Bardhë”.
“Netët e Bejkës së Bardhë” vazhdojnë të jenë një pikë referimi për ruajtjen dhe promovimin e kulturës. Organizuar në një nga fshatrat më emblematikë të Jugut, ky festival nuk është thjesht një ngjarje artistike, por një akt kujtese, respekti dhe vazhdimësie për një nga pasuritë më të çmuara të trashëgimisë sonë kombëtare: këngën polifonike.
Nata e parë solli interpretime të grupeve të njohura polifonike, por edhe zëra të rinj që mbajnë gjallë frymën e Labërisë me pasion e përkushtim.
Në këtë festival prezantohen repertorët më te soikatura të isopolifonisë, që janë një aset i çmuar i trashëgimisë kulturore.