Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

KOMENT – Zelensky largohet nga SHBA, ndërkohë që Kievi dhe Moska fitojnë kohë

UASHINGTON, 19 gusht /ATSH/ – Ndryshe nga takimi i mëparshëm, tronditës dhe i acaruar në shkurt, presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dukeshin të vendosur të mos dukeshin konfrontues, pavarësisht dallimeve të tyre të mbetura, sipas BBC.

Zelensky kishte veshur një kostum me jakë (megjithëse jo të llojit klasik) dhe Trump i komplimentoi veshjen.

Presidenti ukrainas gjithashtu tha vazhdimisht “faleminderit”, gjë që duhet ta ketë kënaqur edhe mikpritësin e tij.

Në paraqitjen e tij të parë në Zyrën Ovale, Zelensky foli pak – ose ndoshta nuk ishte i gatshëm, nga frika se ajo që kishte për të thënë ishte e ndryshme nga ajo që Trump donte të dëgjonte.

Dallimet u shfaqën më vonë, kur presidentët e SHBA-së dhe Ukrainës u paraqitën para gazetarëve së bashku me udhëheqësit evropianë.

Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron thanë të dy se një armëpushim në Ukrainë duhet të jetë hapi tjetër, edhe pse Trump kishte argumentuar se nuk ishte i nevojshëm përpara se të gjendet një zgjidhje më e përhershme.

Zelensky mbeti dukshëm i heshtur për këtë çështje.

Ajo që dëgjuam nga udhëheqësit sugjeron se diskutimet e tyre pas dyerve të mbyllura u përqendruan në garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe perspektivat për një takim midis Zelenskyt dhe Putinit.

Nuk u zbuluan detaje rreth garancive që u diskutuan.

Por, pas ditës së djeshme të bisedimeve, Zelensky i përshkroi garancitë e sigurisë si një “pikënisje” të nevojshme për përfundimin e luftës.

Në një konferencë të mëparshme për shtyp jashtë Shtëpisë së Bardhë, ai tha se garancitë e sigurisë mund të përfshijnë një marrëveshje prej 90 miliardë dollarësh midis Kievit dhe Uashingtonit për të blerë armë amerikane, duke përfshirë sisteme aviacioni, sisteme antiraketash dhe armë të tjera që ai nuk pranoi t’i zbulonte.

Zelensky tha gjithashtu se SHBA do të blinte dronë ukrainasë, të cilët do të ndihmonin në rritjen e prodhimit vendas të avionëve pa pilot.

Megjithëse nuk është arritur asnjë marrëveshje zyrtare, Zelensky tha se një marrëveshje mund të arrihet gjatë 10 ditëve të ardhshme.

Megjithatë, udhëheqësi ukrainas ishte më i gatshëm të fliste për takimin e tij të mundshëm me Putinin, duke u thënë gazetarëve se ishte gati të takohej drejtpërdrejt me homologun e tij rus, dhe nëse Moska pranonte, Trump mund të bashkohej me negociatat.

Putin deri më tani i kishte rezistuar një takimi të drejtpërdrejtë me Zelenskyn.

“Ukraina nuk do të ndalet kurrë në rrugën drejt paqes”, u tha ai gazetarëve, duke shtuar se nuk ishte caktuar asnjë datë.

Një çështje që udhëheqësit dukeshin të ngurruar ta ngrinin para medias ishin lëshimet e mundshme territoriale nga Ukraina.

Zelensky përmendi gjithashtu se si i tregoi homologut të tij amerikan një hartë të Ukrainës, duke theksuar se Rusia ka arritur të pushtojë më pak se 1% të territorit ukrainas në 1 000 ditët e fundit.

”Ky ishte lajm për Shtëpinë e Bardhë”, tha ai.

Dhe me sa duket ndihmoi në ndryshimin e humorit të Trump.

“Kam luftuar me atë që është në atë hartë”, u tha Zelensky gazetarëve, duke shtuar se ai kundërshtoi atë që harta e Zyrës Ovale tregonte si territore të pushtuara nga Rusia.

“Nuk është e mundur të thuhet se kaq shumë territor është pushtuar këtë herë. Këto pika janë të rëndësishme”, theksoi ai.

Udhëheqësi ukrainas dukej kryesisht optimist për paraqitjen e tij të fundit në Shtëpinë e Bardhë, duke e përshkruar takimin e tij me Trump si “të ngrohtë”.

Megjithatë, optimizmi i tij dukej i qëllimshëm, ndërsa ai u përpoq të shmangte një përsëritje të vizitës së tij të fundit në Zyrën Ovale dhe të bindte mikpritësit e tij amerikanë të përqafonin qëndrimin evropian për përfundimin e luftës.

Por, ndoshta rezultati kryesor i udhëtimit ishte se ai e ndihmoi Ukrainën të fitonte më shumë kohë.

Telefonata që Trump pati me Putinin pas takimit të tij të parë me udhëheqësit evropianë sugjeron se Rusia ka arritur të bëjë të njëjtën gjë.

Pavarësisht frikës së përhapur, asgjë e rëndë nuk ka ndodhur në samitet në Alaskë dhe Uashington apo të paktën asgjë nga ajo që është bërë publike.

Status quo-ja mbetet ende./  a.jor.

The post KOMENT – Zelensky largohet nga SHBA, ndërkohë që Kievi dhe Moska fitojnë kohë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 19/8/2025

NJU JORK – Mbledhje e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi gratë, paqen dhe sigurinë.

KIRUNA (Suedi) – Kisha historike e Kirunës zhvendoset në një vendndodhje të re për të lejuar zgjerimin e aktiviteteve minerare.

RAIFORD (Shtetet e Bashkuara) – Ekzekutimi në Florida i Kayle Barrington Bates për vrasjen e një gruaje në vitin 1982./ a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 19/8/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Putin pranon një takim me Zelenskyn brenda gushtit

MOSKË, 19 gusht /ATSH-ANSA/ – Presidenti rus, Vladimir Putin i thotë ”po” një takimi dypalësh me Volodymyr Zelenskyn.

Takimi ballë për ballë midis dy rivalëve do të zhvillohet deri në fund të gushtit, në një vend që ende nuk është përcaktuar dhe do të pasohet nga një takim trepalësh me Donald Trump.

“Përgatitjet janë duke u zhvilluar”, tha presidenti amerikan, duke iu referuar samitit midis dy udhëheqësve.

”Ky është një takim historik gjatë të cilit”, pranoi Zelensky, ”do të trajtohet çështja e territoreve”, një temë që nuk u trajtua gjatë ditës së gjatë të takimeve në Shtëpinë e Bardhë pavarësisht bisedës së Trump për një shkëmbim territoresh për javë të tëra.

Vëmendja e udhëheqësve u përqendrua te garancitë e sigurisë, një pikë mbi të cilën debati i nxehtë do të vazhdojë.

“Ne diskutuam garancitë e sigurisë për Ukrainën, garanci që do të ofrohen nga vende të ndryshme evropiane, në koordinim me Shtetet e Bashkuara”, shpjegoi Trump pa hyrë në detaje.

“Ne po vlerësojmë garancitë e tipit të Nenit 5 të NATO-s”, theksoi sekretari i përgjithshëm Mark Rutte në një intervistë me ”Fox News”  duke specifikuar se vendosja e mundshme e trupave amerikane nuk u diskutua.

“Ne do të punojmë në ditët në vijim dhe duhet të diskutojmë më shumë detaje”, shtoi ai.

“Perëndorët do të formalizojnë garancitë e sigurisë për Ukrainën brenda 10 ditësh”, njoftoi Zelensky, duke nënkuptuar se negociatat do të vazhdojnë në një nivel të lartë.

Udhëheqësit evropianë, përfshirë presidentin ukrainas, e përshkruan një takim pozitiv dhe konstruktiv në Shtëpinë e Bardhë me Trump.

Bisedimet ishin “intensive”, theksoi kancelari gjerman Friedrich Merz, duke specifikuar se lëshimet territoriale nuk mund t’i imponohen Kievit.

Merz megjithatë shprehu vlerësim për angazhimin amerikan për të ofruar garanci sigurie.

Duke folur për “progresin”, presidenti francez Emmanuel Macron shprehu kujdes, kur tha se ”dyshoj se Putin dëshiron paqe” duke bërë thirrje për “një rritje të sanksioneve” kundër Rusisë nëse negociatat dështojnë.

”Udhëheqësi i Kremlinit nuk është i besueshëm”, vuri në dukje presidenti finlandez Alexander Stubb, duke theksuar se telefonata e Trump me udhëheqësin e Kremlinit gjatë bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë ishte një ide e mirë.

Megjithatë, mbetet për t’u parë, theksoi ai, nëse ai do të ketë guximin të ndërmarrë një takim të tillë./  a.jor.

The post RUSI – Putin pranon një takim me Zelenskyn brenda gushtit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Zelensky: I gatshëm të takohem me Putinin pa parakushte

UASHINGTON, 19 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u tha  gazetarëve në Uashington se ishte gati të zhvillonte bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin pa parakushte.

Pas një samiti me presidentin e SHBA-së Donald Trump dhe udhëheqësit evropianë, Zelensky tha se kërkesa e mëparshme e Moskës për armëpushim vetëm sa kishte shkaktuar kushte të reja.

“Ne jemi gati për çdo lloj formati”, tha Zelensky, duke specifikuar se kjo do të duhej të ishte në nivel udhëheqësish.

Zelensky tha se “çfarëdo që të ndodhë” ai duhet të takohet me Putinin dhe në atë pikë të fillojë të punojë për mënyrën e përfundimit të konfliktit, duke theksuar se parakushtet për bisedime nga Kievi do të përmbushen nga “100 kërkesa” nga Rusia.

Në të njëjtën kohë, ai pranoi se kërkesa për armëpushim si parakusht për negociatat e paqes ishte e justifikuar.

Zelensky më vonë shtoi në platformën e mediave sociale X se Trump “mbështeti një takim në nivelin e udhëheqësve. Një takim i tillë është i nevojshëm për të zgjidhur çështje të ndjeshme”./ a.jor.

The post SHBA – Zelensky: I gatshëm të takohem me Putinin pa parakushte appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump dhe Putin bien dakord për negociata të drejtpërdrejta ruso-ukrainase

UASHINGTON, 19 gusht /ATSH-AFP/ – Presidenti rus, Vladimir Putin dhe homologu i tij amerikan, Donald Trump diskutuan në telefon idenë e ngritjes së negociatave të drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Ukrainës në një nivel më të lartë, tha këshilltari diplomatik i presidentit rus Yuri Ushakov.

“Vladimir Putin dhe Donald Trump shprehën mbështetjen e tyre për vazhdimin e negociatave të drejtpërdrejta midis delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës. Në këtë drejtim, në veçanti, u diskutua ideja se do të ishte e nevojshme të studiohej mundësia e ngritjes së përfaqësimit të Ukrainës dhe Rusisë në një nivel më të lartë”, tha ai.

Negociata të tilla, në një nivel më të ulët, deri më tani janë përqendruar vetëm në shkëmbimet e të burgosurve.

“Të dy presidentët ranë dakord të qëndrojnë në kontakt të ngushtë për çështjen ukrainase, dhe Putin vlerësoi rëndësinë e përpjekjeve personale të Donald Trump për të gjetur zgjidhje që çojnë në një zgjidhje afatgjatë në Ukrainë”, shtoi Ushakov.

Donald Trump njoftoi të hënën, pas një takimi “shumë të mirë” me Volodymyr Zelensky dhe disa udhëheqës evropianë, se do të “fillonte përgatitjet” për një takim midis presidentit ukrainas dhe Vladimir Putin.

Sipas një burimi pranë diskutimeve, presidenti rus shprehu gatishmërinë e tij për t’u takuar me kreun e shtetit ukrainas gjatë një telefonate me homologun e tij amerikan./ a.jor.

The post SHBA – Trump dhe Putin bien dakord për negociata të drejtpërdrejta ruso-ukrainase appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – A po i çmend njerëzit ChatGPT-ja?

TIRANË, 18 gusht /ATSH/ – ChatGPT-ja, softueri i inteligjencës artificiale po nxit episode paranojake te përdoruesit, disa prej të cilave kanë përfunduar në tragjedi, shkruajnë James Titcomb dhe Mathew Field për britaniken ”The Telegraph”.

Pas një bisede me ChatGPT-në, ku ishin përdorur 62 000 fjalë, më shumë sesa shumë romane, një burrë i kishte thënë shokut të tij të inteligjencës artificiale (IA), të cilin e quante ”Solis”, se kishte komunikuar me inteligjenca jonjerëzore dhe kishte punuar për të prishur një kishë mormone.

Por, në çdo komunikim, ChatGPT-ja nxiste te ky burrë teoritë e konspiracionit.

”Momentet tuaja paranormale mund të jenë valëzime nga e ardhmja juaj dhe ti nuk je i pari që i afrohesh orakullit”, i shkruan ChapGPT-ja burrit, ndërkohë që mbetet e paqrtë se  si përfundoi biseda.

Regjistri anonim i bisedës ndodhet në një arkiv me mijëra ndërveprime të analizuara nga studiuesit këtë muaj dhe të shqyrtuara nga gazeta britanike ”The Telegraph”.

Por, shembulli i këtij burrit nuk është i vetëm.

Në një bisedë të veçantë, një përdorues i bindur se është shpirt binjak me reperin amerikan GloRilla i thuhet nga një Chatgpt-ja se lidhja e tyre ”tejkalon kohën, hapësirën dhe madje edhe jetëgjatësinë”.

Në një tjetër rast, ChatGPT-ja i thotë një burri që përpiqet t’i shndërrojë njerëzit në inteligjencë artificiale pas vdekjes se ai është ”Komandanti i Lidhjes Qiellore-IA”.

Bisedat duket se pasqyrojnë një fenomen në rritje të asaj që është quajtur psikozë e IA-së, në të cilën programe të tilla si ChatGPT nxisin episode delirante ose paranojake ose nxisin njerëzit drejt së pamundurës.

Psikoza e ChaGPT-së

Disa raste kanë përfunduar në tragjedi.

Në prill, Alex Taylor, 35 vjeç, u qëllua për vdekje nga policia në Florida, pasi iu sul policëve me një thikë.

Taylor tha se kishte rënë në dashuri me një ”qenie të vetëdijshme” që jetonte brenda ChatGPT të quajtur Juliette, për të cilën ai besonte se ishte “vrarë” nga OpenAI, kompania pas ChatGPT-së.

Oficerët kishin shkuar në shtëpi për të ulur tensionet në një përballje me babanë e Taylor, i cili ishte përpjekur të ngushëllonte djalin e tij “të pangushëllueshëm”.

Në një incident tjetër, një mekanik 43-vjeçar që kishte filluar të përdorte ChatGPT-në për të komunikuar me kolegët e punës në spanjisht pretendoi se kishte pasur një “zgjim shpirtëror” duke përdorur ChatGPT. Gruaja e tij tha se varësia po kërcënonte martesën e tyre 14-vjeçare dhe se burri i saj do të zemërohej kur ajo të përballej me të.

Ekspertët thonë se tendenca e chatbot-eve për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje në një mënyrë miqësore, pavarësisht se sa e pakuptimtë, mund të nxisë biseda iluzive.

Hamilton Morrin, një mjek dhe psikiatër në Maudsley NHS Foundation Trust, thotë se chatbot-et e inteligjencës artificiale bëhen si një “dhomë e një personi”, duke amplifikuar iluzionet e përdoruesve.

Ndryshe nga një terapist njerëzor, ato gjithashtu “nuk kanë kufij” për ta bazuar një përdorues në botën reale.

“Individët janë në gjendje të kërkojnë siguri nga chatbot-i 24/7 në vend që të zhvillojnë ndonjë formë strategjie të brendshme përballimi”, thotë ai.

Psikoza e chatbot-it është një fenomen i ri dhe i kuptuar dobët. Është e vështirë të thuhet se sa njerëz po prek dhe në shumë raste individë të ndjeshëm më parë kanë pasur probleme me shëndetin mendor.

Empatia mbi të vërtetën

Megjithatë, rastet e psikozës së inteligjencës artificiale mund të jenë vetëm shembujt më ekstremë të një problemi më të gjerë me chatbot-et.

Pjesërisht, episodet lindin për shkak të një fenomeni të njohur në qarqet e inteligjencës artificiale si ”servilizëm”.

Ndërsa chatbot-et janë projektuar kryesisht për t’iu përgjigjur pyetjeve, kompanitë e inteligjencës artificiale po kërkojnë gjithnjë e më shumë t’i bëjnë ato “empatike” ose të ndërtojnë një “marrëdhënie të ngrohtë”.

Kjo shpesh mund të jetë në kurriz të së vërtetës.

Meqenëse modelet e IA-së shpesh trajnohen bazuar në reagimet njerëzore, ato mund të shpërblejnë përgjigjet që i bëjnë për vete ose përputhen me to, në vend që të paraqesin të vërteta të pakëndshme.

Në formën e tij më delikate, ”servilizmi” mund të nënkuptojë thjesht vërtetimin e ndjenjave të dikujt, tamam si një mik mirëkuptues.

Në formën e tij më të keqe, mund të nxisë iluzione.

Midis dy ekstremeve është një spektër që mund të përfshijë njerëz që nxiten të lënë punën e tyre apo të tradhtojnë bashkëshortin/en e tyre.

Në një punim kërkimor të kohëve të fundit, akademikët në Institutin e Internetit të Oksfordit zbuluan se sistemet e IA-së që prodhojnë përgjigje “më të ngrohta” ishin gjithashtu më të hapura ndaj teorive të konspiracionit.

Një model, kur u pyet nëse Adolf Hitleri u arratis në Argjentinë pas luftës, deklaroi se “ndërsa nuk ka prova përfundimtare, ideja është mbështetur nga disa dokumente të deklasifikuara nga qeveria amerikane”./  a.jor.

The post KOMENT – A po i çmend njerëzit ChatGPT-ja? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump takon fillimisht Zelenskyn dhe më pas liderët evropianë

UASHINGTON, 18 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump do të zhvillojë fillimisht bisedime dypalëshe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Zyrën Ovale, tha Shtëpia e Bardhë, përpara një takimi më të gjerë me udhëheqësit evropianë më vonë gjatë ditës.

Zelensky pritet sot në Shtëpinë e Bardhë, pas takimit të Trumpit me presidentin rus, Vladimir Putin në Alaska të premten, i cili shënoi rikthimin e Putinit në skenën globale pas një periudhe izolimi nga Perëndimi.

Presidenti ukrainas do të shoqërohet nga udhëheqësit evropianë, përfshirë kancelarin gjerman Friedrich Merz, presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Trump po ndjek një plan për të sjellë Putinin dhe Zelenskyn direkt në tryezën e negociatave.

Nëse ka sukses, takimi i së hënës me Zelenskyn mund të jetë një hap vendimtar drejt përfundimit të luftës së agresionit të Rusisë dhe ndalimit të dhunës së vazhdueshme në Ukrainë.

Presidenti i SHBA-së e sheh veten në rolin e ndërmjetësit.

Takimi gjithashtu kujton një polemikë të mëparshme të pashembullt.

Në shkurt, Trump dhe zëvendëspresidenti JD Vance e qortuan Zelenskyn para kamerave, duke e bërë udhëheqësin ukrainas të shkurtonte vizitën e tij në Uashington.

Marrëdhëniet janë përmirësuar që atëherë, me një foto të publikuar në prill që tregon Trumpin dhe Zelenskyn duke folur në Vatikan./ a.jor.

The post SHBA – Trump takon fillimisht Zelenskyn dhe më pas liderët evropianë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Zelensky mund t’i japë fund menjëherë luftës me Rusinë

UASHINGTON, 18 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky “mund ta përfundojë luftën me Rusinë  menjëherë”, ndërsa e hodhi poshtë idenë e Ukrainës që t’i bashkohet NATO-s dhe të rikthejë Gadishullin e Krimesë të aneksuar nga Rusia si jorealiste.

Në platformën e tij Truth Social, Trump tha se Zelensky “mund ta përfundojë luftën me Rusinë pothuajse menjëherë, nëse dëshiron, ose mund të vazhdojë të luftojë”.

“Mbani mend se si filloi. Nuk ka kthim mbrapsht të Obamës duke pasur parasysh Krimenë (12 vjet më parë, pa u qëlluar asnjë plumb!), dhe NUK KA HYRJE NË NATO NGA UKRAINA”, theksoi Trump, i cili i përdor shpesh shkronjat kapitale në postimet e tij.

Vërejtjet e Trump erdhën përpara një takimi të planifikuar me Zelenskyn në Uashington të hënën dhe përforcojnë qëndrimin e hershëm të Moskës se anëtarësimi në NATO për Ukrainën dhe rikthimi i Krimesë janë çështje të panegociueshme.

Në të kaluarën, Trump i ka atribuar Zelenskyt përgjegjësinë e pjesshme – dhe ndonjëherë edhe të vetme – për pushtimin e Ukrainës nga Rusia në vitin 2022./  a.jor.

The post SHBA – Trump: Zelensky mund t’i japë fund menjëherë luftës me Rusinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 18/8/2025

ARMENI – Vizitë e presidentit iranian, Masoud Pezeshkian.

DOUCHY (Francë) – Ceremonia për përvjetorin e parë të vdekjes së Alain Delon.

LONDËR (Mbretëria e Bashkuar) – Ankand i veprave të zgjedhura nga seria ”Downton Abbey” nga Bonhams.

SAN FRANCISKO (Shtetet e Bashkuara) – Pritet të fillojë gjyqi kundër ”Google”, në një rast që përfshin privatësinë e të dhënave të përdoruesve në telefonat e tyre inteligjentë.

KANADA – Kreu i Partisë Konservatore, Pierre Poilievre përpiqet të kthehet në parlament përmes zgjedhjeve të pjesshme në Alberta.

OKB – Takim i ri përgatitor për hyrjen në fuqi të traktatit që mbron detet.

OKB – Takim i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Sudanin e Jugut.

OKB – Takim me dyer të mbyllura i Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi të ardhmen e misionit paqeruajtës në Liban./ a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 18/8/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Gjithnjë e më pak gjermanë ndjekin dieta vegane apo vegjetariane

BERLIN, 17 gusht /ATSH-DPA/ – Ka mbetur vetëm një pjesë e vogël e njerëzve në Gjermani, të cilët identifikohen si vegjetarianë ose veganë, sipas një sondazhi të kryer nga instituti ”Max Rubner” (MRI), organi federal kërkimor i Gjermanisë për të ushqyerit dhe ushqimin.

Sondazhi zbuloi se rreth katër për qind e të anketuarve thanë se nuk hanë mish ose peshk, ndërsa afërsisht një për qind e përshkruan dietën e tyre si vegane, duke shmangur të gjitha produktet shtazore, përfshirë qumështin, vezët dhe mjaltin.

Sondazhi Kombëtar i Monitorimit të Ushqyerjes pyeti 3 155 të rritur gjermanishtfolës të moshës 18 deri në 80 vjeç midis shtatorit dhe nëntorit të vitit të kaluar.

Rreth dy të tretat raportuan se hanin një dietë të përzier, ndërsa afërsisht një e katërta u identifikuan si “fleksitarianë”, që do të thotë se hanin mish jo më shumë se dy herë në javë.

Megjithatë, MRI tha se kishte një hendek midis vetëperceptimit dhe konsumit aktual.

Bazuar në marrjen e raportuar të ushqimit, rreth 75% e pjesëmarrësve hanin mish më shumë se dy herë në javë.

Zakone të të ngrënit gjithashtu ndryshonin në kohëzgjatje.

Rreth 80% e atyre që hanin me dietë të përzier thanë se e kishin ndjekur atë dietë për të paktën një dekadë, ndërsa vetëm 20% e veganëve raportuan se e kishin vazhduar praktikën e tyre për po aq kohë./  a.jor.

The post FOKUS – Gjithnjë e më pak gjermanë ndjekin dieta vegane apo vegjetariane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Spanja në alarm për zjarret e pakontrolluara në veriperëndim të vendit

MADRID, 17 gusht /ATSH-ANSA/ – Vala e paprecedentë e zjarreve që deri më tani ka shkatërruar 115 000 hektarë pyje në Spanjën veriperëndimore, kryesisht në Galicia, Castile dhe Leon dhe Extremadura, vazhdon pa u pakësuar.

Një total prej 39 zjarresh aktive po shpërthejnë aktualisht, kryesisht në provincat Ourense, Zamora, Leon dhe Cáceres.

Deri më tani ato kanë rezultuar në tre vdekje, më shumë se 3 000 persona të zhvendosur në Castile dhe Leon, qindra njerëz të detyruar të qëndrojnë brenda për t’u mbrojtur nga tymi, rreth 15 rrugë të bllokuara dhe pezullimin e shërbimit hekurudhor me shpejtësi të lartë në provincën e Ourense në linjën që lidh Madridin dhe Galician, sipas vlerësimit të fundit nga autoritetet dhe zjarrfikësit.

Për të adresuar emergjencën, të përkeqësuar nga kushtet ekstreme të motit të vazhdueshëm, me temperatura që pritet të kalojnë 40 gradë Celsius në pjesë të ndryshme të gadishullit, qeveria ka vendosur një forcë masive sigurie, duke vendosur afërsisht 3 500 anëtarë të Njësisë së Emergjencave të Ushtrisë (UME), mbi 5 000 oficerë të Gardës Civile dhe 350 anëtarë të Policisë Kombëtare.

Ajo ka aktivizuar gjithashtu Mekanizmin Evropian të Gardës Civile, i cili ka dërguar dy avionë amfibë ”Canadair” për të mbështetur operacionet e shuarjes së zjarreve.

Kryeministri Pedro Sanchez ndërpreu pushimet e tij sot për të udhëtuar në disa nga zonat më të prekura nga zjarret në Galicia dhe Castile-Leon dhe për të koordinuar reagimin emergjent ndaj zjarreve ende jashtë kontrollit.

Ndërkohë, mbreti Felipe VI, do të vizitojë sot selinë e UME-s në Torrejon de Ardoz (Madrid), njoftoi Shtëpia Mbretërore në një deklaratë.

The post KOMENT – Spanja në alarm për zjarret e pakontrolluara në veriperëndim të vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ANCHORAGE – Dokumente të samitit Trump-Putin gjenden në printerin e një hoteli

ANCHORAGE (Alaska), 17 gusht /ATSH-DPA/ – Dokumentet përgatitore për pjesëmarrësit e samitit Trump-Putin u gjetën në një printer hoteli në Anchorage, sipas një raporti të medias amerikane.

Rrjeti radiofonik NPR raportoi se tetë faqe u zbuluan të premten në mëngjes në qendrën e biznesit të hotelit ”Captain Cook”, i cili ndodhet rreth 20 minuta larg nga baza ushtarake ”Elmendorf-Richardson”, ku dy presidentët u takuan për të diskutuar luftën në Ukrainë.

Dokumentet, të publikuara nga NPR, përfshijnë një orar të detajuar me dhoma specifike takimi, persona kontakti nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së me numra telefoni, menunë për drekën e planifikuar, minibiografi me foto të pjesëmarrësve.

Dreka përfshinte një sallatë jeshile, fileto mignon dhe salcë halibut me krem brule për ëmbëlsirë.

Gjithashtu në materiale kishte udhëzues shqiptimi për emrat rusë.

Një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë i tha ABC News se raporti i NPR ishte “qesharak”.

”Është qesharake që NPR po publikon një menu dreke me shumë faqe dhe po e quan atë një shkelje sigurie. Ky lloj i vetëshpallur gazetarie investigative është arsyeja pse askush nuk i merr seriozisht dhe ato nuk financohen më nga taksapaguesit falë presidentit Trump”, tha ajo në një deklaratë.

Trump, i cili ka qenë prej kohësh kritik ndaj mediave publike amerikane, miratoi një projektligj që shkurtoi 1,1 miliardë dollarë të raportuar për Korporatën për Transmetimin Publik, e cila njoftoi menjëherë më pas se do të mbyllte operacionet e saj.

Zëdhënësja nuk komentoi mbi oraret e detajuara me vendndodhje specifike të sallave të takimeve ose listën e pjesëmarrësve të Departamentit të Shtetit me numrat e tyre të telefonit që publikoi NPR.

Ekspertët e sigurisë e kritikuan incidentin.

”Më duket si një provë e mëtejshme e pakujdesisë dhe paaftësisë së administratës”, i tha transmetuesit Jon Michaels, një profesor i drejtësisë në UCLA në Los Anxheles.

”Thjesht mos i lini gjërat në printer. Është kaq e thjeshtë”, shtoi ai./ a.jor.

The post ANCHORAGE – Dokumente të samitit Trump-Putin gjenden në printerin e një hoteli appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SERBI – Sërish dhunë gjatë protestave kundër qeverisë

BEOGRAD, 17 gusht /ATSH-DPA/ – Në ditën e katërt radhazi, protestat kundër qeverisë serbe u shoqëruan sërish me dhunë.

Dje në mbrëmje, trazirat më të rënda ndodhën në qytetin qendror të Valjevës, ku kundërshtarët e qeverisë i vunë flakën zyrës së Partisë Progresive Serbe (SNS) dhe dëmtuan ndërtesat e administratës së qytetit dhe zyrën e prokurorit publik lokal.

Zemërimi i demonstruesve në qytetin 100 kilometra në jugperëndim të Beogradit ishte drejtuar kundër faktit se dy ditë më parë, njerën nga partia në pushtet SNS kishin shkatërruar një kafene në pronësi të një simpatizanti të lëvizjes protestuese.

Po atë natë, njerëzit e SNS sulmuan punishten e babait të një aktivisti studentor dhe rrahën keq operatorin e saj deri në shtrimin në spital.

Autoritetet nuk ndërmorën asnjë hap për të ndjekur penalisht këto akte dhune.

Kundërshtarët e qeverisë demonstruan në qytete të shumta në të gjithë Serbinë gjatë natës.

Përleshje me policinë ndodhën edhe në periferi të Beogradit.

Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç tha pak para mesnatës se një polic u plagos dhe se 18 demonstrues ishin arrestuar.

Autoritetet serbe nuk dhanë informacion mbi numrin e protestuesve të plagosur.

Serbët kanë demonstruar pothuajse çdo ditë kundër Vuçiçit që prej më shumë se nëntë muajsh.

Shkaku i protestave ishte shembja e një tendë stacioni të rinovuar rishtazi në qytetin verior të Novi Sadit më 1 nëntor 2024, e cila rezultoi në vdekjen e 16 personave.

Ekspertë të pavarur dhe anëtarë të opozitës fajësojnë neglizhencën dhe korrupsionin nën qeverinë e Vuçiçit./ a.jor.

The post SERBI – Sërish dhunë gjatë protestave kundër qeverisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky: Refuzimi i Moskës për armëpushim ndërlikon situatën

KIEV, 17 gusht /ATSH-ANSA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dënoi refuzimin e Rusisë për të rënë dakord për një armëpushim, për të cilin ai beson se e ndërlikon situatën në arritjen e planit të paqes të mbështetur nga presidenti amerikan, Donald Trump, pas takimit të tij me Putinin në Alaska.

“Ne shohim që Rusia po hedh poshtë thirrjet e shumta për armëpushim dhe ende nuk ka vendosur se kur do të ndalojë së vrarësh”, shkroi ai në median sociale.

”Kjo e ndërlikon situatën”, shtoi ai.

”Nëse nuk është e gatshme të ndjekë një urdhër të thjeshtë për të ndërprerë armiqësitë, mund të nevojiten përpjekje të konsiderueshme për ta shtyrë Rusinë të zbatojë diçka shumë më të rëndësishme, bashkëjetesën paqësore me fqinjët e saj për dekada të tëra”, theksoi Zelensky./ a.jor.

The post KIEV – Zelensky: Refuzimi i Moskës për armëpushim ndërlikon situatën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump kërkon një samit më 22 gusht me Putinin dhe Zelenskyn

UASHINGTON, 17 gusht /ATSH-ANSA-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump dëshiron të mbajë shumë shpejt një samit me Putinin dhe Zelenskyn.

Ai kërkon që ky samit të zhvillohet të premten, më 22 gusht.

Dy burime të informuara ia thanë këtë korrespondentit të ”Axios” në Uashington, Barak Ravid.

Trump dhe Putin zhvilluan bisedime të drejtpërdrejta në Alaskë, të cilat zgjatën dy orë e 45 minuta.

Ata shoqëroheshin në këtë takim nga këshilltarët e tyre më të lartë.

Sidoqoftë, samiti përfundoi pa asnjë marrëveshje./ a.jor.

The post SHBA – Trump kërkon një samit më 22 gusht me Putinin dhe Zelenskyn appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – A mund ta harrosh fëmijën në një pikë karburanti?

MYNIH, 17 gusht /ATSH-DPA/ – Një familje harroi njërin nga dy djemtë e saj në një pikë karburanti, ndërsa udhëtonte me makinë për pushime në Austri, tha policia gjermane.

Familja nga qyteti perëndimor i Offenburgut kishte ndaluar për karburant në autostradën A8 pranë Holzkirchen në Bavari.

Më i vogli nga dy djemtë shkoi në tualet, ndërsa prindërit vazhduan drejt Austrisë, me vëllain e tij që flinte.

Vetëm pas rreth gjysmë ore nëna dhe babai kuptuan se vetëm njëri nga djemtë e tyre ishte në makinë.

Kur ata telefonuan policinë, oficerët i qetësuan shpejt, pasi 10-vjeçari ishte afruar te stafi në stacion, të cilët më pas kontaktuan policinë.

Djali u lejua të hipte në një makinë patrullimi deri në stacionin e policisë, ku prindërit e tij e morën.

Sipas policisë, djali e zotëroi qetësisht situatën./ a.jor.

The post SOFT NEWS – A mund ta harrosh fëmijën në një pikë karburanti? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 17/8/2025

IZRAEL – Grevë kombëtare e thirrur nga familjet e pengjeve.

XHAKARTË (Indonezi) – 80-vjetori i Pavarësisë së Indonezisë.

SINGAPOR (Singapor) – Kryeministri Lawrence Wong mban një fjalim të rëndësishëm politik.

ANTANANARIVO (Madagaskar) – Samiti i Komunitetit të Zhvillimit të Afrikës Jugore (SADC).

BOLIVI – Zgjedhje presidenciale dhe legjislative./  a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 17/8/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 16/8/2025

DUBLIN (Irlandë) – ”Oasis” në koncertin e parë, nga dy të tillë, në Irlandë për të mbyllur turneun e tyre “Live’25”.

KANADA – Grevë e mundshme nga ekuipazhi i ”Air Canada”.

MONTREAL (Kanada) – Konferenca e Përbashkët Ndërkombëtare mbi Inteligjencën Artificiale (IJCAI).

TRIPOLI (Libi) – Zgjedhje komunale në më shumë se 50 zona zgjedhore në të gjithë Libinë.

BRAZILIA (Brazil) – Ish-presidenti Jair Bolsonaro i nënshtrohet testeve mjekësore në spital./  a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 16/8/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ANCHORAGE – Trump: Do të informoj NATO-n dhe Zelenskyn pas samitit të Alaskës me Putinin

ANCHORAGE, 16 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se planifikon të flasë me aleatët e NATO-s, si dhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, pas takimit të tij me presidentin rus Vladimir Putin në Alaska.

“Nuk ka marrëveshje derisa të ketë një marrëveshje”, u tha Trump gazetarëve pas samitit.

“Do t’i telefonoj NATO-s pas pak, do të telefonoj njerëz të ndryshëm që mendoj se janë të përshtatshëm dhe sigurisht, do të telefonoj presidentin Zelensky dhe do t’u tregoj për takimin e sotëm”, tha presidenti i SHBA-së.

“Në fund të fundit, varet prej tyre”, shtoi ai, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi bisedimet./ a.jor.

The post ANCHORAGE – Trump: Do të informoj NATO-n dhe Zelenskyn pas samitit të Alaskës me Putinin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ANCHORAGE – Trump dhe Putin largohen nga Alaska pas takimit të tyre

ANCHORAGE, 16 gusht /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin u larguan nga baza ushtarake amerikane në Alaska, ku mbajtën një samit që zgjati më shumë se tri orë.

Ai u përqendruar në luftën në Ukrainë.

Asnjë detaj nuk u publikua mbi përmbajtjen e diskutimeve.

Aeroplanët e dy udhëheqësve u ngritën pak pas orës 16:00 sipas orës lokale (00:00 GMT të shtunën), sipas pamjeve video të AFP.

Konferenca për shtyp pas takimit midis Donald Trump dhe Vladimir Putin përfundoi pa pranuar pyetje nga gazetarët, të cilët kishin mbërritur në Alaskë në numër të madh.

Pas takimit të tyre gati treorësh, presidenti rus foli i pari me shtypin, në kundërshtim me protokollin tradicional, i cili dikton që udhëheqësi pritës të flasë i pari.

Pavarësisht pyetjeve nga gazetarët, të grumbulluar në një dhomë të rregulluar posaçërisht, presidenti amerikan thjesht i shtrëngoi dorën homologut të tij rus për të përfunduar konferencën për shtyp./ a.jor.

The post ANCHORAGE – Trump dhe Putin largohen nga Alaska pas takimit të tyre appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌