Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Osmani dhe Avokati i Popullit diskutojnë për të drejtat e njeriut në Kosovë

18 July 2025 at 18:26

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Avokatin e Popullit, Naim Qelaj ku diskutuan mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në vend dhe sfidat me të cilat përballen qytetarët e Republikës së Kosovës.

Në takim, Osmani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për garantimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët, pa dallim.

Ajo vuri në dukje se institucionet duhet të jenë të përkushtuara në zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit, duke e cilësuar këtë si një mjet kyç për forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e të drejtave themelore të njeriut.

Nga ana e tij, Avokati i Popullit, Qelaj informoi presidenten për çështjet më të shpeshta që trajtohen në këtë institucion.

Të dy palët u pajtuan për domosdoshmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit në funksion të mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut në Kosovë. /Telegrafi/

The post Osmani dhe Avokati i Popullit diskutojnë për të drejtat e njeriut në Kosovë appeared first on Telegrafi.

Qelaj: Raporti për lirinë e mediave, rezultat i qasjes politike ndaj mediave

17 May 2025 at 23:39

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka deklaruar se raporti ‘Reporterët pa Kufij’ ku Kosova renditet e 99-ta në listën e 180 shteteve për lirinë e shtypit, është si rezultat i qasjes politike ndaj mediave. 

Siç thotë Qelaj, fakti se viteve të fundit, pushteti qeverisës ka pasur tendencë të sulmojë gjithçka që është jashtë pushtetit ekzekutiv, ka ndikuar edhe tek mediat.

“Sulmet ndaj gazetarëve dhe mediumeve, tendenca me ndryshu ligje që cenojnë institucionet e pavarura, gjuha linçuese me gazetarë dhe mediume të caktuara, ndoshta janë pasojë për me dalë një raport i kësaj natyre”, tha Qelaj në Kallxo Përnime.

Ai thotë se nëse nuk merren masa për të ndryshuar qasjen politike të institucioneve që kanë peshë dhe kanë fuqi në Kosovë, atëherë gjendja do të përkeqësohet ku sipas tij, gazetarët do të ndihen të rrezikuar apo kërcënuar të thonë të vërtetën.

Ai ka folur edhe për Ligjin për Këshillin e Pavarur të Mediave, për çka thotë se ‘nëse ky Ligj do të dërgohej në Kushtetuese, kjo do të ishte fatale’.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës me vendimin e datës 23.04.2025 ka shfuqizuar Ligjin e ri për Komisionin e Pavarur të Mediave, i cili ishte kontestuar në këtë Gjykatë nga disa deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Partisë Demokratike të Kosovës. Kushtetuesja ka gjetur se disa nga nenet e këtij Ligji janë në kundërshtim me parimet kushtetuese.

Ligji për KPM-në ishte miratuar më 11.07.2024 në Kuvendin e Kosovës, pa pjesëmarrjen në votim të partive opozitare.

Gjykata Kushtetuese ka gjetur se nenet që nuk janë në përputhje me parimet kushtetuese kanë të bëjnë me zgjedhjen e anëtarëve të KPM-së, shkarkimin e kryetarit dhe anëtarëve, kompetencat e KPM-së dhe disa pika nga neni që ka të bëjë me gjobat dhe sanksionet.

Ndërsa, Kosova është renditur e 99-ta nga 180 shtete në Indeksin Vjetor të Lirisë së Shtypit të organizatës “Reporterët pa kufij”.

Kjo shënon rënie prej 24 vendesh nga viti 2024, kur renditej në pozitën e 75-të, ndërsa krahasuar me vitin 2023 Kosova ka rënie prej 43 pozitash.

Kjo renditje është renditja më e ulët e Kosovës në 15 vjetët e fundit. Në Indeks Kosova renditet më së keqi në raport me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria renditet e 80-ta, Mali i Zi i 37-ti, Maqedonia e Veriut e 42-ta, Bosnjë dhe Hercegovina e 86-ta dhe Serbia e 96-ta. Pesë vendet e para me gjendjen më të mirë të lirisë së shtypit sipas Raportit të “Reporterët pa Kufij” janë: Norvegjia, Estonia, Holanda, Suedia dhe Finlanda. /Kallxo.com/

The post Qelaj: Raporti për lirinë e mediave, rezultat i qasjes politike ndaj mediave appeared first on Telegrafi.

Avokati i Popullit thotë se Gjykata Speciale nuk është transparente

17 May 2025 at 21:51

Jo transparente e ka quajtur Gjykatën Speciale, Avokati i Popullit në Kosovë, Naim Qelaj. 

Ai ka thënë se ka ngritur shqetësime lidhur me pesë vjeçarin e kohëzgjatjes së paraburgimit të krerëve të UÇK-së.

Ndërsa, për Avokatin e Popullit i cili vepron brenda Gjykatës Speciale, Qelaj thotë se ai nuk plotëson kriteret minimale të një avokati të popullit.

Kjo, ngase sipas tij, Avokati i Popullit duhet të zgjidhet në mënyrë transparente nga një organ i Republikës së Kosovës, por që vetë Gjykata nuk mund të zgjedhë një të tillë.

“Nuk ka praktikë në botë që Avokati i Popullit funksionon nën ombrellën e gjykatës, nuk mund të thirret ky avokat në parimin e paanshëmrisë dhe epërsisë së të drejtave të njeriut”, tha Qelaj për “Kallxo Përnime”.

Ai thotë se Avokatin e Popullit në kuadër të Gjykatës Speciale e ka njoftuar për çështjet të cilat dëshiron t’i diskutojë, dhe se çdo pyetje që i ka bërë, ai është thirrur në konfidencialite, e që kjo, Qelaj thotë se parim i Avokatit të Popullit vetëm më raste që i raporton, por jo me rastet e tjera.

Sipas Aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, pjesëtarë të UÇK-së, gjatë periudhës mars 1998-shtator 1999, kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit – duke arrestuar dhe ndaluar persona civil në mënyrë të paligjshme; duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Për të gjitha këto krime të pretenduara, prokurori Xhek Smith i ngarkoi Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin edhe me akuzën se të njëjtit ishin në dijeni, se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre, mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.

Në këtë Aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxitën vrasjen e tyre.

Sipas Prokurorisë, krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike e veprimeve në terren frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë e kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës.

Pjesë e Aktakuzës 68-faqëshe të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme.

Arsyeja se pse akuzohen krerët e UÇK-së – sipas Prokurorit të Specializuar – është përgjegjësia komanduese.

Më 06.12.2024, Gjykata Speciale ka njoftuar për një Aktakuzë të re kundër Hashim Thaçit.

Për Aktakuzën e re Hashim Thaçi është deklaruar se nuk e pranon fajësinë.

Sipas Aktakuzës, Thaçi, si dhe Hajredin Kuqi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj e Fadil Demaku akuzohen për ndikim në dëshmitarë. /Kallxo.com/

The post Avokati i Popullit thotë se Gjykata Speciale nuk është transparente appeared first on Telegrafi.

​Avokati i Popullit, Naim Qelaj jep detaje për takimin me Trendafilovan

14 May 2025 at 13:52

Avokati i Popullit, Naim Qelaj deklaroi se takimi i së martës me kryetaren e Dhomave të Specializuara,  Ekatarina Trendafilova ishte me kërkesë të saj.

Në konferencë për media, Qelaj theksoi se ka shprehur shqetësimet që ka pranuar nga opinioni publik, por edhe nga familjarë.

“E para që kam përmendur është që shqetësimet që kanë qytetarët e kanë për gjykim të drejtë. Dhe kur kam përmendur këtë fakt kam cekur disa aspekte. Pastaj, standardet e dyfishta për kompensimin e viktimave. Pasiguria dhe ligjshmëria e provave që janë të siguruara nga autoritetet e Serbisë, sepse është kuptuar që ka një numër të madh të këtyre provave. Një shqetësim tjetër që unë kam ngritur është mënyra e funksionimit dhe struktura e Gjykatës”, u shpreh ai.

Ai tha se Trendafilova ka thënë se garantohen të drejta sipas standardeve ndërkombëtare.

Po ashtu, avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se me kryetaren e Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova nuk e kanë diskutuar çështjen e anulimit të konferencës, por në përgjithësi për transparencën në këtë proces.

Ai theksoi se do të ketë vizitë në Hagë dhe se i është konfirmuar që mund të shkojë si Avokat i Popullit. Megjithatë, theksoi se kompetencat janë të kufizuara.

Të martën për vizitë në Kosovë ishte kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova.

Nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u organizua një protestë kundër kësaj vizite.

Pas kësaj proteste, Trendafilova nuk e mbajti konferencën për media. /KP/Telegrafi/

The post ​Avokati i Popullit, Naim Qelaj jep detaje për takimin me Trendafilovan appeared first on Telegrafi.

Avokati i Popullit, Qelaj: Dhomat e Specializuara të trajtojnë shqetësimet e ish-krerëve të UÇK-së

24 December 2024 at 16:03

PRISHTINË, 24 dhjetor /ATSH/ Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, ka thënë se si institucion i kanë marrë me shqetësim dyshimet për shkelje të procedurave në rastin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.

Në konferencën e fundvitit, Qelaj tha se është i shqetësuar sa i takon pretendimeve të ekipeve mbrojtëse të ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimi.

Muajve të fundit ekipet mbrojtëse kanë ngritur dyshime për animin që sipas tyre paneli i gjykatësve po tregon në gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së.

Qelaj tha se ka komunikuar me Avokatin e Popullit që vepron në kuadër të Dhomave të Specializuara për këto shqetësime porse ai, sipas tij, nuk ka shprehur interesim për bashkëpunim.

“Kam parë që nuk ka shprehur interesim për një bashkëpunim edhe për më tepër nuk ka ofruar as informata të cilat mund të jenë publike. Ai është thirrur gjithmonë në konfidencialitet…Ka një mbyllje të plotë të atij institucioni në raport me mua si Avokat i Popullit dhe besoj edhe me publikun”, deklaroi Qelaj.

Në muajin nëntor, ekipet mbrojtëse dorëzuan në Dhomat e Specializuara shkresa zyrtare në emër të klientëve të tyre duke shprehur shqetësimet për gjykim të padrejtë dhe me shkelje të parimeve ndërkombëtare të drejtësisë.

Në kuadër të Dhomave të Specializuara vepron një Avokati i Popullit.

“Roli i tij është monitorimi, mbrojtja dhe garantimi i të drejtave dhe lirive themelore të personave që ndërveprojnë me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në uebfaqen e këtij institucioni.

Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe e ka selinë në Hagë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. /REL/

The post Avokati i Popullit, Qelaj: Dhomat e Specializuara të trajtojnë shqetësimet e ish-krerëve të UÇK-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Avokati i Popullit: Kuvendi i pafuqishëm, zbatimi i ligjit në Kosovë mbetet sfidë e madhe

10 December 2024 at 19:14

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka shprehur shqetësimin për moszbatimin e ligjeve në Kosovë dhe mungesën e përgjegjësisë për këtë dështim.

Qelaj theksoi se problemi kryesor që po përballet Kosova është mungesa e sundimit të ligjit, i cili duhet të garantohet përmes zbatimit të legjislacionit të miratuar nga vetë shteti.

“Problematika e parë që ndodhë në Kosovë është sundimi i ligjit përmes zbatimit të legjislacionit që e harton vetë Kosova. Edhe mungesa e zbatimi të ligjit vjen zi rezultat, fillimisht i paaftësisë së shteti me kriju mekanizma që ligjet që i aprovon me i zbatu në përpikëri me atë që është synim dhe e përcaktuar në ligj”, ka thënë Qelaj.

Sipas Qelajt, kjo situatë është rezultat i paaftësisë së institucioneve për të krijuar mekanizma efektivë për zbatimin e ligjeve, si dhe mungesës së hallkave mbikëqyrëse.

Ai theksoi se në rastet kur ligji nuk zbatohet, pasojat janë masive, shkeljet janë të shumta dhe askush nuk mban përgjegjësi.

“Por në anë tjetër ka edhe  mungesë të hallkave mbikëqyrëse dhe kjo pastaj vjen deri situata kur në Kosovë krijohet një bindje që thonë se ‘legjislacioni është i mirë, por nuk zbatohet dhe askush nuk del para përgjegjësisë’… për shembull nëse secili prej nesh kryen një veprim të kundërligjshëm, reagon policia, prokuroria reagon krejt institucionet. Merr dënimin që është i përcaktuar për atë veprim dhe konsiderohet si vepër penale, e merr edhe tiketën e personit që e kryen krim. Ndërsa kur nuk zbatohet ligji dështimi është më masiv, shkeljet janë më masive, pasojat janë shumëfishtë më të mëdha dhe nuk askush që deri sot ka dal para përgjegjësisë. Çfarëdo natyre qoftë më dhënë llogaridhënie për dëshminë e zbatimi të ligjit”, ka shtuar ai në RTVD.

Qelaj kritikoi Kuvendin për rolin e tij të dobët në mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve dhe ligjshmërisë së institucioneve publike.

“Këtu dështojnë të gjitha hallkat e llogaridhënies dhe mbikëqyrjes. Roli kyç në mbikëqyrje është tek Kuvendi, i cili me ligj, Kushtetues i ka vendos vetes një detyrë me monitoru dhe mbikëqyrë zbatimin e ligjit dhe ligjshmërinë e autoriteteve publike. Deri sot kemi pasë se nuk kemi parë një parlament të fuqishëm, që kishte me i vendos para përgjegjësisë autoritet ekzekutive qoftë të niveli të lartë ose të tjera”, ka theksuar Qelaj.

The post Avokati i Popullit: Kuvendi i pafuqishëm, zbatimi i ligjit në Kosovë mbetet sfidë e madhe appeared first on Telegrafi.

❌
❌