Pse fama mund të të vrasë
Philippa Snow, një nga eseistet më të zgjuara të Britanisë, eksploron dhimbjet e famës në librin Janë të tmerrshme gjërat që duhet të bëj për të qenë vetvetja [It’s Terrible the Things I Have to Do to Be Me]
Nga: Megan Nolan / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Një grua e imët në një apartament londinez, e brishtë dhe e rrënuar nga varësia, shikon vazhdimisht regjistrimet e performancave të saj të vjetra. “Djalli le ta hajë, çfarë zëri që kisha,” i thotë ajo truprojës. Një grua me ngjyrë, që e përdori zërin e saj si askush tjetër në botë, vdiq e prangosur në një shtrat spitali, pasi ishte përndjekur nga FBI-ja. Një grua bionde me grim palaçoje, që vuante nga një lloj psikoze, pëshpëriti për një kukull plastike të cilën e konsideronte si foshnjë të saj të sapolindur.
Këto janë disa nga imazhet që përshkruhen në studimin brutal dhe brilant të Philippa Snowit mbi famën e grave, Janë të tmerrshme gjërat që duhet të bëj për të qenë vetvetja. Është njëkohësisht kënaqësi për t’u lexuar – sepse gufon nga inteligjenca – dhe thellësisht dëshpërues. Fama, ashtu siç e paraqet Snow, është një fat që duhet parë me të njëjtën neveri siç do të shihnim çdo dëm tjetër të vetëshkaktuar.
Ky është disi një terren i njohur për Snowin, e cila vitin e kaluar botoi një libër të shkurtër të mrekullueshëm me titull Trophy Lives, mbi nocionin e të famshmeve si objekt arti; por Janë të tmerrshme… është më i gjatë dhe më shtrirë. Është i hapur për devijimet e saj – herë të këndshme, herë tronditëse – dhe, mbi të gjitha, karakterizohet nga një ndjeshmëri e vazhdueshme ndaj subjekteve.
Secili nga shtatë kapitujt fokusohet te dy gra të famshme, të trajtuara ndaras, por në dialog të heshtur me njëra-tjetrën. Çiftimet kontekstuale janë të skicuara lehtë, dhe nuk bëhen krahasime të thjeshta apo të vrazhda: Lindsay Lohan dhe Elizabeth Taylor, apo Britney Spears dhe Aaliyah. Përkundrazi, ne shohim se si kufizimet dhe kërkesat e ngjashme prekin gra të ndryshme, në kohë të ndryshme, në mënyra të ngjashme, ndërkohë që Snow përpiqet gjithashtu të veçojë secilën si individ.
Ajo nuk lejon që as formati, as analiza e saj të rëndojnë mbi detyrën kryesore: të shqyrtojë se si gratë e famshme detyrohen të mbajnë mbi supe dëshirat dhe neverinë e kulturës më të gjerë – dhe çfarë ndodh me qenien njerëzore që qëndron pas këtij imazhi. “Unë nuk jam historiane,” shkruan Snow, “as biografe. As studiuese nuk jam. Ajo që jam, është një palë e interesuar.” Kjo është forca më e madhe e librit: ajo sjell pak nga pafajësia e një adhuruesi të sinqertë, por atë e pasuron me thellësinë e saj analitike.
Eseja e parë trajton Anna Nicole Smithin dhe Marilyn Monroen. Snow botoi një version të saj në The White Review në vitin 2021, dhe duket se ka qenë kjo ese që i hapi rrugën pjesës tjetër të librit. Ajo ia jep edhe titullin veprës: “Është shumë e kushtueshme të jem unë,” kishte thënë dikur Smith. “Është e tmerrshme çfarë më duhet të bëj për të qenë unë.”
Pjesa për Smithin dhe Monroen është më e forta në libër. Smith ishte e fiksuar pas Monroes – mbante me vete kaseta VHS të filmave të saj, bënte pretendime se ishte vajza e saj, dhe i lyente flokët në të njëjtën nuancë të ndritshme biondeje. Të dyja gratë adhuroheshin dhe përbuzeshin për linjat e trupit të tyre dhe për qëndrimet që rrinin në kufirin mes “të pambrojturës” dhe “të vetëdijshmes.” Të dyja kishin marrëdhënie të trazuara me burrat në jetën e tyre – jo vetëm me partnerët romantikë, por edhe me profesionistët e mjekësisë, fotografët dhe njerëzit e parasë. Të dyja vdiqën të vetmuara, si pasojë e mbidozës me drogë, përpara se të kishin mundësi të arrinin moshën e mesme.
Kjo ese e parë ilustron tezën që Snow paraqet në hyrje: ajo merret me gratë e famshme sepse ato janë përfaqësime ekstreme të asaj që përjetojnë gratë e zakonshme. Edhe gratë e zakonshme tipizohen, minimizohen dhe futen në një kuti të vetme; trajtohen me zemërim kur marrin përsipër një rol që nuk u është paracaktuar. Me Smithin dhe Monroen, i shohim këto kërkesa – aq të padurueshme për to, krahasuar me një grua të zakonshme – si litarë që shtrëngohen dhe ndërpresin pulsin. Vdekjet e tyre janë bërë të pandashme nga joshja e tyre fillestare, dhe në retrospektivë duken disi të pashmangshme – po aq pjesë e realizimit të ëndrrës amerikane sa gjoksi i madh apo flokët bionde. Seksi, vëren Snow, rivalizohet vetëm nga vdekja si burim argëtimi. Kombinimi i të dyjave është i pakonkurrueshëm.
“Problemet me babanë” janë të pranishme kudo në këtë libër – nga vlerësimi i ftohtë i Peter Fondas për pamjen e vajzës së tij të re, Jane, te babai abuziv i Lindsay Lohanit. Në rastin Britney Spears dhe Aaliyah, një vajzë adoleshente ngrihet në lartësi të paimagjinueshme dhe mësohet njëkohësisht të theksojë dhe të mjegullojë faktin e rinisë së saj. A ishte uniforma e shkollës katolike e Britneyt, në videon për këngën Baby One More Time, një pasqyrim i pafajshëm i moshës së saj – ajo ishte vetëm 18 vjeçe – apo një referencë ndaj konventave të pornografisë së vajzave adoleshente? Aaliyah, ndërkohë, iu nënshtrua një shtrembërimi literal të moshës kur R. Kelly falsifikoi dokumentet për ta bërë 18 vjeçe, në vend të 15, që të mund të martohej me të.
Ka mjaft tregime të panjohura dhe magjepsëse këtu, megjithëse, sipas përkufizimit, gratë më të famshme janë edhe më të njohurat për ne. Disa nga pasazhet më biografike, për figurat si Joan Collins apo Elizabeth Taylor, do të jenë të njohura për adhuruesit e Holivudit. Por, Snow e di se ne nuk po lexojmë vetëm për anekdotat, por edhe për kënaqësinë që vjen nga vlerësimi i saj dhe mënyra e re përmes së cilës na ndihmon të shohim sërish atë që na është bërë tepër e njohur.
Është domethënëse, për shembull, që eseja për Pamela Andersonin synon të rrëzojë idenë se ajo ka qenë një viktimë e pavetëdijshme e kulturës patriarkale – një qëndrim i përforcuar nga seriali televiziv i vitit 2022, Pam & Tommy. “Gabimi më i rëndë që bënë krijuesit e Pam & Tommy,” shkruan Snow, “ishte të supozonin se, për të rritur martirizimin e saj dhe për të siguruar simpatinë e audiencës, ata duhej ta paraqisnin versionin e tyre të Pamela Andersonit si një vajzë budallaqe, e habitur, e pafajshme, me të cilën ndodhnin gjërat – dhe jo si një grua që i bënte gjërat të ndodhnin – një që kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës duke e bërë veten pikërisht personin që dëshironte të ishte.”
Snow shmang prirjen për të rënë në atë që ndonjëherë quhet “feminizëm i zgjedhjes” – pra, idenë se çdo zgjedhje e bërë nga një grua është domosdoshmërisht feministe, vetëm sepse është bërë nga një grua. Megjithatë, ajo e shpjegon vetëkrijimin që solli kuptim dhe kënaqësi për disa prej këtyre grave – edhe nëse, në disa raste, ai përfundoi në vetëshkatërrim. Kur u pyet për koment mbi serialin televiziv, një burim tha: “Pamela nuk pendohet për jetën e saj.” Snow spekulon se kjo ka ardhur drejtpërdrejt nga vetë Anderson.
Edhe pse kjo thënie nuk është plotësisht e saktë – Anderson ka shprehur pendesë për ndërhyrjet kirurgjikale që ka bërë – ajo është e vërtetë në thelb, sepse Anderson duket se i përjeton përvojat e saj me qetësi, më shumë sesa me zemërim. Pasi kishte përjetuar abuzim seksual në fëmijëri, ajo shkruan në kujtimet e saj se sesioni i parë me Playboy ishte një zbulim: deri në fund të javës së parë “duhej të më ndalonin të mos dilja lakuriq nga dera.” Kjo, siç vëren Snow, është sa më larg që mund të jetë nga Pamela e shtypur dhe me sytë e zgurdulluar që na dha seriali televiziv.
Gjëja më e vlefshme në libër është aftësia e Snowit për të trajtuar seriozisht atë që shpesh përbuzet si zbukurim i cekët, pa rënë në gjuhë të ngatërruar akademike. Nuk ka asnjë nënkuptim ironik ndaj idesë për t’u marrë seriozisht me këto gra. Në vend të kësaj, ka një pranim të sinqertë dhe një admirim për atë cilësi të pashpjegueshme që quhet “fuqi ylli” – ose që mund të quhet thjesht “karizëm”. Ne kemi një prirje natyrore për t’i konceptuar të famshmit si jonjerëzorë – qoftë sepse i kemi zili për muret e pasurisë që i rrethojnë dhe mendojmë se përballojnë çdo goditje, qoftë sepse jemi aq të mësuar t’i shohim nëpër imazhe, sa nuk i perceptojmë më si diçka tjetër. Snow bën të kundërtën – ajo i fton ata përsëri në botën reale. Sepse, në fund të fundit, çfarë është karizma, veçse të jesh njeri. Yjet janë vërtet si ne – vetëm më të mirë, dhe për këtë arsye, në mënyrë të pashmangshme, edhe më të këqij. /Telegrafi/
The post Pse fama mund të të vrasë appeared first on Telegrafi.