Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Bilbili i Jugut që u rrit mes tingujve / Rrëfimi prekës i Irini Qirjakos: Kur ngjitem në skenë, jam tjetër njeri

By: Rovena
12 June 2025 at 11:32

Irini Qirjako, një nga zërat më të dashur të muzikës popullore shqiptare, është shumë më tepër se një këngëtare është një gur themeli i polifonisë toske, një zë që ka lëkundur emocione në skenat brenda e jashtë vendit.

E quajtur me të drejtë “bilbili i polifonisë”, Irini Qirjako rrëfen në “Pas Mesnate” me lot në sy dhe zë të dridhur se Asambli ku u formua është më shumë se një institucion për të është vetë jeta, vetë rrënja e saj si artiste.

“Kur ngjitem në atë skenë, jam tjetër njeri,” thotë ajo, duke dëshmuar se arti i vërtetë nuk lind nga ambicia, por nga dashuria e pamatshme për atë që je dhe për atë që u jep të tjerëve.

“U preka, sepse janë emocione. Një karrierë e gjatë artistike, është një jetë e tërë me kolegë dhe koleget. Një dashuri e madhe, një përkushtim i madh dhe një punë kolosale. Asambli për mua është shpirti im, kur ngjitem në atë skenë jam tjetër njeri. Në atë skenë u skalita si artiste, u linda dhe u rrita në atë skenë për vite të tëra, më njohu gjithë publiku dhe diaspora shqiptare në atë institucion, që është institucioni më i lartë i artit shqiptar.”

Disa ëndrra lindin në heshtje, mes mureve të një shtëpie të thjeshtë, aty ku zëri i një fëmije ngjan si një pëshpëritje e fatit. Irini Qirjako, një nga ikonat e muzikës popullore shqiptare, tregon se e nisi rrugëtimin e saj artistik pa e ditur që po ndërtonte një legjendë.

Ishte vetëm pesë vjeçe kur këndonte për qejfin e saj, pa skenë, pa publik, por me një shpirt të mbushur me tinguj. Ishte komshia ajo që e dëgjoi përmes oxhakut dhe tha me bindje: “Irini do të bëhet një artiste e madhe.” Dhe ashtu ndodhi. Sepse talenti, kur lind me pasion dhe përkëdhelet nga zemra, nuk mund të qëndrojë i fshehur  ai e gjen rrugën drejt dritës. Irini Qirjako është sot një zë që jo vetëm këndon, por frymëzon.

“Kam qenë pesë vjeçe dhe këndoja shumë, këndoja për qejfin tim në shtëpi. Mbaj mend që këndoja këtë këngën “më dërgoi babai me shqerra”. Nuk më  kishte pikasur asnjë përveç komshies, shtëpitë tona ishin një katëshe dhe oxhaku jonë, korrespondonte me oxhakun e asaj. Dhe mbaj mend që kur vinte mamaja nga puna i thoshte që “Irini do të bëhet një artiste e madhe”, mamaja nuk e besonte, por do ti që ma ndolli.”/abcnews.al

“Këngëtarja që u bë aktore”, Rajmonda Shundi këndon për herë të parë në “Pas Mesante”

By: Rovena
11 June 2025 at 11:25

Rajmonda Shundi është një aktore e njohur shqiptare, e cila ka lënë një shenjë të thellë në skenën teatrale dhe kinematografike të vendit. Ajo është e njohur për interpretimet e saj të fuqishme dhe përkushtimin ndaj artit.

Një nga projektet më të spikatura të saj është krijimi i teatrit privat “Zonja e Bujtinës” në Tiranë, së bashku me bashkëshortin dhe kolegun e saj, aktorin dhe dramaturgun Naun Shundi.

Ky teatër ka ofruar një hapësirë intime për shfaqje teatrore, promovime librash dhe aktivitete kulturore, duke kontribuar në pasurimin e jetës artistike të kryeqytetit.

Në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News ajo vjen me një rrëfim ndryshe. Sot njihet si një aktore, por në fakt është “një këngëtare” që u vendos të bëhej aktore. Edhe pse ka studiuar për kanto dhe ka qenë soprano, ajo tregon se kurrë nuk ka kënduar në publik, por në emision ajo “mposht komplekset” dhe ia merr këngës.

“Kam studiuar 13 vite kanto dhe kam qenë një soprano në koloraturë. Kur është kjo tema e të kënduarit, unë ngaqë asnjëherë nuk e kam provuar dhe në atë vetminë time, unë gjithmonë filloja mërmërisja. Në publik unë nuk e kam dashur asnjëherë që ta provoj.”

Aktorja dhe bashkëshorti i saj, duket kanë sfiduar dashurinë dhe janë kurorëzuar për herë të dytë, këtë Rajmonda Shundi e lidh me krizat që çdo çift kalon.

“Është normalitet, çdo çift ka krizat e veta. Befas ne kur fillojmë që formojmë jetët tona, kur kthehemi pas në këto thëniet që dikur i kemi marrë kështu si shabllon dhe thua ç’lidhje ka kjo me mua, nuk qëllon. Por, befas sapo fillon jetën tënde dhe u kthehesh atyre shablloneve që ke krijuar dhe fillon e konsumohet lidhja në ato vitet e para. Çdo histori është një libër më vete.”/abcnews.al

“E rritur me tingujve të violinës, por zgjodha pianon më dukej e veçantë”, rrëfehet mbesa e Sandër Prosit, Rejsi Prosi

By: Rovena
10 June 2025 at 13:21

Rejsi Prosi ka lindur në Tiranë në një familje muzikantësh. Filloi “rrugëtimin” e saj në piano që në moshën 6-vjeçare. Talenti i saj dhe pasioni për muzikën e çuan atë në Universitetin e Artit në Austri, ku vazhdoi studimet nën drejtimin e mentorëve të njohur.

Rejsi është fituese e shumë konkurseve në të gjithë Europën, veçanërisht në Itali, Slloveni dhe në Republikën Çeke. Në vitin 2022 ajo u nderua me çmimin e parë në një konkurs muzike në Francë.

Ajo ka arritur suksese edhe në Maqedoninë e Veriut, ku është nderuar me çmime absolute. Rejsi Prosi ka perfromuar në Spanjë, Austri, Gjermani dhe Shqipëri. Debutimin e parë në orkestër e bëri në moshën 10-vjeçare. Në emisionin “Pas Mesnate” në ABC Neës ajo ndan pasionin dhe dashurinë e madhe që ka për pianon dhe artin, një dashuri e ushqyer që në formimin e saj nga familja.

“Në përditshmëri unë jam shumë e mbyllur dhe e ndrojtur në karakter, por kur ngjitem në skenë nuk e di sikur futet diçka brenda meje. Kam një lloj tjetër sigurie. Pianoja për mua është jeta ime. Unë jam rritur në Teatrin e Operas dhe të Baletit, prindërit punonin atje dhe më merrnin me vete, që dy vjeçe kam shkuar atje.

Kam dëgjuar shumë muzikë klasike dhe kjo më ka bërë që ta dua kaq shumë, të njoh shumë repertor klasik dhe sigurisht të mësoja dhe instrumentet. E kam mësuar pianon që kur kam qenë e vogël dhe sigurisht që më pëlqente shumë. Më pëlqente si instrument shumë, instrumenti më i madh që kisha parë”, tha Rejsi Prosi./abcnews.al

Një divë në skenë si Edith Mihali, artistja zgjedh që të tregojë për veten përmes artit

By: Rovena
30 May 2025 at 10:06

Edith Mihali është një prej personaliteteve të skenës lirike shqiptare. Mjeshtre e Madhe dhe Artiste e Merituar, e kompletuar me studime për artet të nisura që në vogëli. Baroi Akademinë e Arteve, sot Universiteti i Arteve, me dy diploma, atë të kantos dhe muzikës. Ka kryer studime pas universitare në Konservatorin Superior të Parisit. Fillimisht punon mësuese, kurse në vitin ’75 bëhet një nga protagonistet e Teatrit të Operash dhe të Baletit në të gjitha shfaqjet me prestigjioze të institucionit. Ka sjellë në skenë një sërë vepra shqiptare, por dhe ndërkombëtare. Pedagoge në Universitetin e Arteve, Edith Mihali ka marrë shumë çmime dhe ka marrë pjesë në shumë skena ndërkombëtare. Ajo quhet padyshim një diva e skenës, dhe në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News, ajo vjen me një rrëfim ndryshe dhe mjaft të sinqertë.

Meritën për futjen e saj në botën e artit Edith Mihali ia kushton mamasë së saj, e cila edhe pse nuk ishte e përfshirë në të e donte fort artin. Një mirënjohje shpreh he për të gjithë njerëzit që e drejtuan dhe mësuar, artistët e mëdhenj që i dhanë shtysën për të kapur majat.

“Është punë e gjatë, por unë preferoj shumë që të flas shpejt dhe pak. Unë kam 10 vite që nuk jam fare në skenë dhe është një brez apo më shumë që nuk të njeh fare se kush je. Prandaj më mirë të më njohin duke kënduar se sa duke folur për veten, sepse njeriu flet, por varet se sa e besueshme është. Kështu që unë kam pasur një fat që ime më e ka dashur artin. Pavarësisht se nuk i përkiste këtij profesioni, ajo më ka drejtuar tek Liceu Artistik, duke dhënë një konkurs dhe duke filluar fillimisht violinën, pastaj kritikën e muzikës, pastaj jeta ka ardhur përmes vështirësive, por edhe nja fati.

 Thonë që jeta asnjëherë nuk vjen për të keq dhe duke pasur drejtues të shkëlqyer në atë periudhë në gjitha institucionet e artit, që nga Liceu Artistik, Akademia e Arteve, Konservatori, apo edhe Teatri i Operas, të gjitha ata që e drejtonin kanë qenë shumë të përkushtuar dhe shumë dashamirës për të bërë gjënë më të mirë për këtë vend. Kështu që unë këtë fat e kam pasur. Vunë re talenti time, të dhënat e mia për këtë profesion dhe më drejtuan për në Universitetin e Arteve”, tregoi artistja.

E shkëputur për gati 10 vite nga skena Edith Mihali dëshiron që të mos flasë shumë, por të lërë njerëzit dhe të rinjtë ta njohin përmes artit dhe zërit të saj./abcnews.al

Proceset e filtrimit të filmave në Kinostudio, rrëfimi i studiueses Eriona Vyshka

By: Rovena
29 May 2025 at 11:59

Një punë kërkimore voluminoze, e mbështetur në dokumente arkivore të panjohura më parë për publikun, hedh dritë mbi mënyrën se si prodhoheshin dhe kontrolloheshin filmat në kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri. Studiuesja dhe arkivistja Eriona Vyshka ka sjellë së fundmi një libër të ri, ku trajton procesin e ndërlikuar të filtrimit të filmave në Kinostudion “Shqipëria e Re”, duke u mbështetur në dokumente të ruajtura në Arkivin Qendror të Shtetit.

Vyshka, e cila është përgjegjëse për katalogimin dhe menaxhimin e koleksioneve filmike dhe ka redaktuar disa katalogë të rëndësishëm më parë, në emisionin në “Pas Mesnate” në ABC News sjell në këtë libër një analizë të periudhës 1954–1994, duke zbuluar detaje të panjohura për mënyrën se si kontrollohej çdo fazë e një filmi.

Sipas saj, procesi nuk përfundonte me xhirimet apo montazhin. Pasi filmi përfundonte, ai duhej të kalonte disa filtra vlerësimi. Por momenti më vendimtar ishte shfaqja e filmit para udhëheqësit komunist Enver Hoxha. Fati i filmit vendosej nga reagimi i tij. “Të gjithë në oborr prisnin me padurim nëse do të kalonte apo do të censurohej,” tregon Vyshka.

Ajo thekson se libri përmban dokumente autentike, ndër to 42 procesverbale të mbajtura me dorë nga persona të paidentifikuar, të cilët kishin ndjekur të gjitha mbledhjet e filtrave dhe komisioneve. Sipas saj, këta ishin shpesh gazetarë të redaksive ose punonjës të Kinostudios.

“Është një punë voluminoze që kam bërë prej viti të kaluar. Më është dashur kohë shumë. Në arkivin tonë ne kemi 42 procesverbale të mbledhjeve të mbajtura me shkrim dore nga personi përgjegjës që ndiqte të gjitha. Nuk identifikohej me emër. Mendoj se kanë qenë disa sepse edhe shkrimi i dorës ishte i ndryshëm. Këto kanë qenë gazetarët e redaksive ose të Kinostudios që ishin prezentë në çdo mbledhje të të gjitha filtrave, të komisioneve. Të gjitha librat janë të ndryshëm. Libri i redaksisë është më vete, i kohës paraprake është më vete, e kështu me radhë të çdo filtri tjetër”, tha Eriona Vyshka.

Fotografja në gjurmët e Marubit/ Orestia Kapidani, shkodranja që ruan rrënjët, e dashuruar me filmin

By: xhir jeta
28 May 2025 at 11:26

Një qytet me shumë tradita ku edhe shkrepja e parë e fotografisë shqiptare është bërë në Shkodër, në qytetin e Marubëve. Në Pas Mesnatë, rrëfehet fotografja Orestia Kapidani, e cila ecën në gjurmët e Marubit.

Pas mesnatat i konsideron një moment qetësie, por edhe frymëzimi.

“Kanë nevojë mendimet për qetësi dhe qoftë përjetimet e ditës, qoftë edhe një punë që e kam përfunduar apo jam duke e përfunduar, reflektimi mbi të për mua ka nevojë për qetësi, dhe këtë e gjej në momentin kur pjesa më e madhe është në gjumë.

Fotografia ka pjesën teknike me kufizimet e veta dhe nata më jep mundësinë që edhe fotgrafinë ta shtri në kohë, momentin e shkrepjes. Më pëlqen ky momenti i qetësisë së natës, i reflektuar në fotografi. Përgjithësisht jam me apparat me vete, nuk shkëputem prej tij. Përgjigjem edhe në udhëtimet që bëj edhe sikur të jenë skica, ti bëj me film.

Sot kemi edhe mjetet moderne, por në përgjithësi e dua shumë foton me film. Fotografia analoge është pjesë që kam më përzemër sepse të ngadalëson procesin dhe unë pëlqej ta pres atë imazhin që të vijë në momentin kur lahet filmi, nuk dua ta shoh më parë, dua të surprizohem prej tij.

Nëse mbaron magjepsja nuk ka kuptim, dhe magjepsjen më të madhe e kam te fotografia analoge që më le të presë, më jep edhe supriza, ndonjëherë edhe të pakëndeshme, por janë gabimet teknike që janë të domosdoshme. Ndodh që edhe një problem teknik kthehet në art.” -thotë ajo./abcnews.al

Të flasësh me gjuhën e trupit/ Gentian Doda: Baletin e kam nisur në moshën 16-vjeçare, ka qenë komplet aksidentale

By: Rovena
27 May 2025 at 10:57

Gjuha e trupit është mjaft e rëndësishme për koreografin dhe balerinin e njohur Gentian Doda. Karrierën e tij e nis në Teatrin be Operas dhe Baletit për të vijuar më pas në skenat më të njohura të Europës. Gjatë këtyre viteve ai ka performuar si balerin e parë në rolet protagoniste me produksione klasike dhe neoklasike.

Në vitin 2011 Doda u bë një artist i pavarur, ku vijuan bashkëpunime shumë të rëndësishme me artistë të huaj, por megjithatë asnjëherë nuk i ka humbur lidhjet me Shqipërinë.

Të gjithë e mbajnë mend dhe për kauzën e lumit Vjosa ku u bë dhe një shfaqje, por tani ai i është futur dhe botës së kinemasë me filmin e shkurtër ‘303’, ku është nderuar dhe me çmime bashkëkohore.

Në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News ai vjen me një rrëfim krejtësisht ndryshe dhe të sinqertë. Ku zbulon se për të baleti ka qenë thjeshtë një rastësi, ose më saktë aksident, siç ai preferon ta quajë.

“E imja ka qenë komplet aksidentale. Unë e kam filluar baletin në moshën 16-vjeçare dhe kemi qenë ndër të parët që kemi thyer këto rregullat që në balet nuk futesh vetëm në moshën 10-vjeçare. Pata shumë mbështetje edhe nga profesorët e mi, të cilët vunë re talentin tim. Ishte një periudhë tranzicioni nuk ndjehesha shumë mirë, kisha kërcyer nëpër dasma valle popullore, por nuk e mendoja se do të arrija ndonjëherë në këto nivelet e teatrit. Por, kur iu futa lojës”, tha balerini./abcnews.al

Jeta pas dhe para kamerave/ Rrëfehet Juli Krisafi: Gazetaria zgjedhje rastësore, ëndrra ime në sirtar ishte …

By: xhir jeta
23 May 2025 at 11:30

Numëron pothuaj një çerek shekulli në gazetari, për të cilën thotë se ishte një zgjedhje rastësore. Juli Krisafi, gazetare dhe moderatore e lajmeve, së fundi në ABC News, vjen në një rrëfim për karrierën, pasionet, jetën e saj, në studion e Pas Mesnatë.

“24 vite në gazetari, sepse unë nuk e kam nisur me ekranin. Po sa i përket vajzave të reja nuk janë kushtet e njëjta, nuk jetojmë në një njëjtën kohë. Kushtet kanë ndryshuar shume dhe realiteti jonë ka ndryshuar shumë, i gazetarisë. Unë e kam nisur 24 vite më parë në një gazetë të kryeqytetit, gazeta ‘Albania’ në 2001, rastësia që më bëri të njohur dhe vërtetë ka qenë një rastësi, sepse të bëhesha gazetare nuk ka qenë ëndrra ime në sirtar. Kur isha fëmijë kisha ëndërr të bëhesha juriste, sepse xhaxhai im ishte jurist dhe e shikoja atë si model. Nuk u bëra sepse ndodhi kjo rastësi ku u takova me një koleg shumë të cmuar të gazetarisë që mendoi se kisha të dhëna për gazetari dhe më mori te gazeta ‘Albania’, kam qenë vetëm 19 vjec në atë kohë.” – rrëfen ajo.

Pas mesnatat thotë se i kalon me librat, biblioteka e madhe në shtëpinë e saj, e ndihmon të shijojë më së miri, siç shprehet, momentin më të dashur të ditës për të.

“Jam njeri që fle pas mesnate, sepse momenti më i dashur i ditës është kur ndez ambazhurin te koka e krevatit, kam një bibliotekë shumë të madhe në shtëpi, jam rritur me njerëz që lexonin shumë libra, sidomos im atë dhe kështu që momenti më i dashur i ditës është pikërisht aty te koka e krevatit, ndez abazhurin dhe marr një nga ato librat të cilat i lexoj paralelisht, sepse nis disa libra njëkohësisht dhe pas mesnate ky është momenti që më pëlqen më shumë./abcnews.al

Ahmet Pasha, magjia e teatrit/ Tetë dekada Teatri kombetar, ju rrëfej 50 vite emocione mbi skenë mbi 100 role

By: xhir jeta
22 May 2025 at 13:30

“Teatri për mua është jetë, pa të nuk kam patur as frymëmarrje për një kohë të gjatë. Edhe pasi kam dalë në pension kam qenë aktiv,”- kështu e nis rrëfimin e tij në Pas Mesnate Ahmet Pasha ‘Artist i Merituar’, i cili numëron më shumë se 100 role në skenën e Teatrit apo në sheshxhirime.

Maji shënon 80 vite Teatër Kombëtar.

“Këto ditë kemi edhe 80 vjetorin e Teatrit, dhe kur hedh sytë pas me atë profesion kam lidhur jetën dhe familjen time. Familja jeton gjithmonë me shqetësimet e të madhit të familjes.

Mbase për të folur për fillimin e Teatrit duhet të ishte tjetër kush, por unë kur kam hyrë në Teatër kam patur shansin, kam patur fatin që disa prej tyre t;i kem edhe kolegë të bashkëpunoj me ta.

E kam ndjerë veten shumë inferior, kanë qenë Kadri Roshi, Naim Frashëri, Pjetër Gjoka, Violeta Manushi, Marie Logoreci, Drita Pelinku, emra të cilët sot e kësaj dite kur i përmend kanë peshë të madhe.

Të krijonte një lloj kontrakture, se thoja si do të luaj unë me ta. Të duket vetja sikur je nën hijen e një rrapi të madh. Dhe për hir të së vërtetës, ata na kanë ndihmuar shumë të lulëzojmë në skenë,’-kujton ai, ndërsa thekson se Arturo Ui, është shfaqja më e mirë që ka vënë në skenë Teatri Kombëtar.

“Kishte disa elementë të ndryshëm që ishin të standardeve të larta. E para, materiali dramartugjik ishte një dramë e jashtëzakonshme, me ngjarje, dialogje, me të gjitha ngjyrat ishin brenda te ajo dramë që ngjithën bukur nën regjinë e gjigandit Pirro Mani, që i mungon shumë Teatrit Sot.” shton Pasha/abcnews.al

Jeta duke “martuar“ shqipen me frengjishten/ Rrëfet përkthyesi Ilia Lengu

By: xhir jeta
20 May 2025 at 13:55

Ilia Lengu, profesor i shquar në fushën e përkthimit dhe studimit të letërsisë frënge, vjen në një rrëfim në Pas Mesnate me Leontina Nika, në ABC News.

Ai rrëfen se dashurinë për letërsinë e ka të brumosur që në fëmijërinë e hershme.

“Letërsia është një nga përmasat themelore të jetës sime, ka qenë në fëmijërinë time, leximi ka qenë i pandarë. Në gjimnaz më është thyer notë në sjellje sepse kam lexuar edhe libra që nuk duheshin lexuar, autorë të ndaluar. Kur ia dola që më doli e drejta e studimit për gjuhë letërsi isha shumë i lumtur, pata edhe një moment që më drejtoi për disa kohë në fushë e gjuhësisë.

Nga ky profil gjuhësor kalova në profilin letrar sepse mu krijua mundësia për të ndjekur studimet në një univertistet francez, dhe ishte si një dhuratë nga qielli. Në vitet ’60 ishim vetëm dy studentë që shkuan fillimisht në Universitetin e Sorbonnes.

Është një nga ngjarjet kryesore në jetën time, që i dha një drejtim krejt tjetër jetës. Me kulturën franceze, futa brenda vetes vlerat e franko-fonisë. Ishe një kontrast shumë i fortë kur vajta atje.” tregon ai, ndërsa thekson së nga mësimdhënia u largua më herët për shkak të nivelit të ulët të studentëve.

“Nuk e pranoja dot atë nivel mjeran ku ra mësimdhënia dhe mësimnxënia. Ishte e pamundur për mua, do e kisha pësuar nëse do kisha vijuar. Niveli i studentëve, por edhe fryma e përgjithshme e molepsur, ato që u quajtën reforma, e cuan sistemin e lartë drejt rënies. Kishe studentë që jo vetëm s’të dëgjonin por nuk e hapnin gojë për të folur. Dhe aty thash nuk ia vlen më të vijosh të shkatërrohesh plotësisht,”- thote ai/abcnews.al

Fotografja që theu tabutë/ Zani: Pasmesnate, moment frymëzimi për artistin. Që 12 vjeç zgjodha ‘të ardhmen’ time

9 May 2025 at 13:30

Fotografja Suela Zani e ftuar në studion e programit ‘Pas Mesnate’ rrëfeu pasionin e saj për fotografinë. Zani tha se aparati fotografik është një mjet që ndihmon artistin të shprehet dhe se për një artist pas mesnate është moment frymëzimi.

“Aparati fotografik është një mjet që ndihmon artistin të shpreh atë që mendon. Në kohët e sotme, emocioni është artificial, për shkak të Inteligjencës Artificiale, të paktën unë këtë kam ndjerë. Mund të kthehemi pas dhe të marr vlerë fotografia me film, çfarë nuk e kemi duam ta kemi përsëri.

Kam fotografuar kryesisht lagjen time pas mesnatës, kryesisht arkitekturë. Do një kohë ekspozimi më të gjatë dhe një stativ, por është e bukur sepse je vetëm ti, nata dhe drita. Për një artist Pas Mesnate është moment frymëzimi.”

Më tej, fotografia Zani rrëfeu për pasionin e saj për fotografinë për të cilën u shpreh se ka qenë zgjedhja e saj qysh prej moshës 12 vjeçare. Zani citoi se ka studiuar muzikë në Gjirokastër, por atje zbuloi pikturën për të mos iu ndarë më kurrë.

“Herën time të parë në Tiranë në ‘94 ndihesha pak ndryshe, sa mësova qytetin, megjithatë unë nuk mund të bëja dot shkollë tjetër përveç Liceut Artistik. Kam studiuar muzikë në shkollë arti dhe atje zbulova pikturën, në Liceun e Gjirokastrës.

Që 12 vjeç kam vendosur se çfarë doja të bëja në të ardhme. Mamaja ime ka sakrfikuar që ne të vinim në Tiranë dhe t’i dedikoheshim kësaj gjëje. “

Fisniku i skulpturës, Thoma Thomai një jetë duke gdhendur: Është e bukur, por e mbushur plot me shqetësime

By: Rovena
2 May 2025 at 10:57

Thoma Thomai është një personaliteteve të arteve pamore shqiptare, veçmas skulpturës, ku në kohë të vështira solli një frymë të re. Është diplomuar në akademinë e arteve në Pragë për skulpturë. Profesor Thomai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm dhe në nxjerrjen e brezave të tërë në fushën e skulpturës. Që në vitin 1969 ka qenë themeluesi i ateliesë së arteve të aplikuara në institutin e lartë të arteve.

Më pas ai ka qenë shef i arteve të aplikuara dhe po ashtu dekan i parë i Fakultetit të Arteve të Bukura. Që nga viti 1995 ai mban titullin profesor. Thoma Thomai ka marrë pjesë në ekspozita kombëtare, por dhe ndërkombëtare. Ai ka ndërtuar disa vepra monumentale, ky më kryesorja monumenti i Skënderbeut në Shkup. Sot e kësaj dite edhe pse në një moshë të thyer atë e gjen në studion e tij duke gdhendur. Në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News, ai tregon dashurinë e madhe që ka për artin, skulpturën dhe gdhendjen. Për skulptura është dashuri, një dashuri një herë pas here i sjell shqetësime, por prej të cilës nuk ka hequr dorë kurrë, edhe në kohët më të vështira.

“Është e bukur, por është një jetë plot me shqetësime, me probleme. Krijimtaria sigurisht që ka bukurinë e saj, por nuk është kaq e lehtë. Të krijon disa shqetësime, që ndonjëherë përfundojnë edhe me sukses ato shqetësime, nganjëherë jo. Njeriu kur krijon marrëdhënie të sinqerta me atë që bën, kur i do dhe e dashuron atë portret që bën në kuptimin e mirë të fjalës, ka gjithmonë rezultat. Por kur qëndron i ftohtë se ashtu ta duan, atëherë nëse në një moment duken mirë kalon pak kohë dhe këto gjëra të duken të ftohta. Po mos ndjeve fluturimin e shqiponjës brenda vetes, nuk krijon dot. Edhe vepra e tillë është”, tha Thoma Thomai./abcnews.al

“Kam sakrifikuar shumë…”, me këmishë nate dhe një rrëfim të sinqertë sopranoja Nina Muho tregon në “Pas Mesnate” fillimet e karrierës

By: Rovena
29 April 2025 at 10:54

Nina Muho soprano dhe soliste në Teatrin Kombëtar të Opera dhe Baletit, që fëmijë ka treguar talentin e  saj në fushën e artit. Në moshën 14-vjeçare pas vlerësimeve të para në fushën e këngës ajo filloi që të aktivizohet në festivale. Nina Muho nisi mësimet e para për kanton në Liceun Artistik të Vlorës, më pas në Universitetin e Tiranës, ku diplomohet për medalje ari si studente e shkëlqyer.

Më pas aktivizohet në teatrin e Operas dhe Baletit fillimisht në sektorin e korit, duke spikatur më pas gradualisht në role të vogla. Më pas fillon karrierën si soliste duke u dhënë jetë shumë vepra botërore, por dhe atyre shqiptare. Nina Muho është fituese e disa çmimeve.

Në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News e çuar direkt nga krevati ajo vjen ndryshe, me këmishë nate dhe gati për gjumë ajo tregon fillimet e karrierës së saj të suksesshme. Piktura ka qenë pasioni i saj dhe talenti i cili është zbuluar i par, por Nina Muho nuk mund të mjaftohej vetëm me kaq. Prandaj siç vetë ajo tregon zgjodhi një rrugë tjetër atë të artit në skenë, duke nisur karrierën kështu si soliste dhe soprano.

“Që fëmijë kur ato aktivitetet e para janë në lagje, kur organizonim sfiltata, koncerte të ndryshme, apo dhe aktivitete sportive e gjeja gjithmonë veten dominonte. Edhe si organizatore koncertesh, por edhe si pjesëmarrëse. Më vonë në moshën 14-vjeçare bëj një ekspozitë për pikturë, më ndihmoi profesori im pasi e pa që e kisha me shumë dëshirë. Kisha bërë disa punime, por prindërit ishin të pavendosur, dëshironin shumë që të vazhdoja për pikturë. Mendonin se ishte një punë më e sigurt për mua, ndërsa kënga ishte më ndryshe për mentalitetin. Megjithatë me pak këmbëngulje dhe me pak fat, e shumë komponentët në tjerë, fitova liceun me 15 kandidatë në Liceun Artistik ‘Naim Frashëri’ në Vlorë, fituam vetëm dy, unë dhe një vajzë tjetër. Nuk kishte lumturi më të madhe, nuk e imagjinoja dot rrugën time vetëm me pikturë. Nuk e imagjinoja dot që të ishte një profesion i përditshëm.”

Në një rrëfim të sinqertë ajo ndalet dhe tek sakrificat që ka bërë të arritur majat e suksesit. Megjithatë nuk ndjehet aspak e lodhur, përkundrazi si e pamposhtur ambicia e saj vazhdon drej dashurisë për artin dhe muzikën.

“Çuditërisht ne të gjithë artistët dhe ajo që kam vënë re është sakrifica jonë për të cenë të suksesshëm dhe nëse ti nuk arrij që të superosh të gjitha pengesat që ke gjatë rrugës, kam përshtypjen që dashuria për artin që ti bën nuk është e sinqertë. Të kalosh teste dhe të përmirësosh veten personalisht dhe profesionalisht, atëherë besoj se ky është suksesi më i madh. Pas disa vitesh kam kuptuar, teksa ulem, meditoj me veten dhe them përse gjithë këto sakrifica për të bërë atë që unë dua dhe në fund të fundit pse duhet të jetë kaq shumë e vështirë. Ajo që kam kuptuar është se kam dashur që të jem shumë e zonja në atë që bëj, ose të kem koshiencë për mënyrën se si unë e bëj artin që dashuroj dhe vetëm sakrificat ta mësojnë atë”./abcnews.al

‘Letërsia për mua, shkëputje nga realiteti’, Profesor Kuçuku: Veprat e Ali Podrimës, më të përkthyerat nga shkrimtarët

25 April 2025 at 10:57

Profesor Bashkim Kuçuku i ftuar në ‘Pas Mesnate’ foli më tepër për pasionin e tij për letërsinë. Për të, letërsia është jetë dhe shkëputje nga vështirësitë e jetës. Më tej, ai foli për veprën ‘Ali Podrima’ për të cilën tha se veprat e tij kanë qenë më të përkthyerat nga shkrimtarët shqiptar.

“Letërsia për mua është jeta dhe pasioni, kam lexuar shumë që fëmijë se nuk kishte dhe mjete të tjera argëtimi. Për mua ka qenë kënaqësi dhe shkëputje nga vështirësitë e jetës.

Ali Podrima është një emër i madh në letërsinë shqipe, është një poet epik por në tërësi është tepër modern. Ka dhe trajta të epizmit, por këto janë transformuar se shprehësia e veprës së tij është tejet moderne. Veprat e tij janë më të përkthyerat nga shkrimtarë shqiptar.

Telefonata e fundit ka qenë tepër e dhimbshme, atëherë nuk ka qenë mirë me shëndet. Zbritën në Marsejë dhe ishin tre poet që e shoqëronin në festival. Ai u stresua në Marsejë se kush do i priste dhe ishte i alarmuar. Më merr në telefon i alarmuar.”

/ abcnews.al

Rebeli i përjetshëm, Petro Marko/ Studiuesi Gjoka: Përfaqësues i dy kohëve, i dy mendësive

By: xhir jeta
23 April 2025 at 11:55

Petro Marko, shkrimtari i lirisë, është vepra më e re e shkrimtarit dhe studiuesit, Behar Gjoka. Në një rrëfim në Pas Mesnatë, ai rrëfen se kjo monografi pasqyron shkrimtarin e pa kompromis, sic ishte Petro Marko.

“Dimensionet e shumta që ka krijimtaria e Petro Markos, e bëjnë të domosdoshëm rivlerësimin, rikonsiderimin dhe sidomos rileximin e veprës së tij. Në kokë më vinte imazhi i tij, si një njeri buzë shkëmbit, valët përpiqen ta marrin por nuk e marrin dot ka raste që ai hidhet mes valëve dhe kthehet si të dojë, sepse sa është pushtues i detit, aq është edhe zotërues i tokës.

Nuk mund ta mendosh ndryshe mjeshtrin e fjalës, njeriun që nuk bëri kompromis në asnjë moment vetëm se sikur del nga shkuma e detit, e përjetësisë. Kjo arratisje, duket shumë ëndërrore, plotëson atë kuadër të një imazhi të një udhëtari nëpër det, në kaltërsi, për të shkuar te njeriu, për të shkuar te lexuesi.

Është një nga mjeshtrat e shkrimit të publicistikës, të prozës, të poezisë, dhe në njohjen time sipas rileximit është pas Migjenit, si dimension si fuqi fjale. Ndonëse Migjeni është përmendur, por vargun e lirë e shkruan për herë të parë Petro Marko në 1934 ‘Vdekja lind’, është një metaforë e jashtëzakonshme.” thotë ai./abcnews.al

 

Përjetësimi i Papës në skulpturë/ Qazim Arifi: Kam gdhendur shpirtin dhe misionin e tij në art

By: xhir jeta
22 April 2025 at 11:20

Qazim Arifi, skulptori që përjetësoi figurën e Papës me artin e tij, rrëfen në një bisedë në Pas Mesnatë emocionet e veprës së tij.

“Një vepër që unë e kam bërë vite më parë me shumë dëshirë e kënaqësi, për të përjetësuar një figurë si Papa, që ishte një Papë, më modern afër popullit, më i lidhur me popullin, jo strikt. Ishte edhe nxitja që vizitën e parë që Papa Francesku bëri jashtë Italisë e ka bërë në Shqipëri.

Në momente të tilla, që Papa kaloi në amshim, ke emocione për ndarjen nga jeta, por mua më kujtohen të gjitha emocionet nga momenti që nisa punën sidomos kur erdhën dhe e panë dhe e certifikuan, dhanë OK. Dhe momenti kur u bë inaugurimi i bustit, ishte shumë i vecantë, ishin përshtypjet e të gjithë njerëzve.

Ndarja nga jeta e tij, është një emocion i trishtë por që njerëzit e përballojnë se është një ligj i jetës.

Skulpturën e kam bërë në momentin që ishte në gjendje të mirë fizike. Gjithmonë kam menduar që figurat e mëdha, duhen përjetësuar në një moment që ai është në momentin më të mirë. Një njeri që nuk mund të komandojë veten nuk mund të komandojë një botë katolike, të themi. Kam punuar me këtë për rreth 4 muaj.” thotë ai./abcnews.al

“Papa e njihte shumë Shqipërinë, ishte i prekur nga historia e..”, At Zef Bisha: Papa Françesku solli frymë të re në Vatikan

By: xhir jeta
22 April 2025 at 11:09

At Zef Bisha, Famulltar, në kishën ‘Zemra e Krishtit, në Tiranë e kujton i përlotur Papa Franceskun, i cili ndërroi jetë një ditë më parë në moshën 88 vjecare. Në një bisedë në ‘Pas Mesnatë’ me Leontina Nikën, ai kujton takimin e parë me të, se sa shumë e njihte ai Shqipërinë, dhe thotë se lajmi për ndarjen nga jeta të tij ishte fillimisht i pabesueshëm.

“Nuk e mendova, nuk besoj dhe sapo e lexova shkova dhe i thash vëllezërve të mi jezuitë. Mendova mos është lajm i rremë, mbeta pa fjalë. Pata rastin ta dëgjoj zërin e tij, edhe pse i rënduar shumë. Ishte mrekulli që ai doli dhe përshëndeti në ditën e Pashkëve.”

“ Ajo që është e bukur është që e diela e pashkës që është ringjallja e Jezusit, dhe Papa del i pranishëm, pasi kishte kohë që nuk po fliste, duket sikur i ka përshëndetur të tijët dhe duket sikur i ka thënë tani po ngjitem në qiell i lumtur. Pra, kalimi i Papës në amshim në këtë mënyrë është vërtetë një dicka shumë e bukur. Të gjithë ne do kalojmë në amshim. Është viti jubileut për Kishën, është jubilee kur kisha kujton një herë në 25 vite, kur besimtari fiton ndjesë për mëkatet, ripërtërin jetën e tij në lidhje me Zotin.” thotë ai, ndërsa kujton I përlotur kujtimet dhe takimin nga afër takimin me Papa Franceskun

“Kam kujtime shumë të bukura me Papa Franceskun. Janë momente shumë të bukura, mënyra si na ka pritur, si e njihte Shqipërinë, sa shumë e kishte prekur historia e meshtarëve që kanë vuajtur në Shqipëri. Kjo më ka bërë shumë përshtypje, nuk fliste në përgjithësi për disa persona, por kujtonte histori të vecanta, dhe unë kam mbetur pa fjalë. Më pas kujtonte torturat me korent në kokë, kujtonte shumë. Një gjë që më ka bërë shumë përshtypje ishte se ai kur fliste t’i ngulte sytë të dëgjonte me vëmendje. Kemi qëndruar rreth 20 minuta me të, ka qenë dicka e jashtëzakonshme, ishte një njeri aq i thjeshtë” shton ai, ndërsa e kujton këtë takim si ndër më të bukurit të jetës së tij./abcnews.al

“40 vite pas vdekjes së tij, vila e diktatorit Hoxha kthehet në qendër kulturore”, Nita Deda: U çlirua arti e kultura

By: Rovena
18 April 2025 at 11:21

Vila e diktatorit Hoxha hapi dyert, tashmë si një qendër kulturore 40 vite pas ndarjes së tij nga jeta. Prej më shumë se 1 vit qendra është marrë nga kompania franceze dhe është kthyer në një qendër kulturore dhe inovacioni.

Kjo vilë luksoze e misterioze në zemër të Tiranës hapi dyert për publikun. Kuratore e programit është Nita Deda ku çdo cep të vilës, orenditë hapësirat e gjithçka tjetër. Por nuk mungon as paradoksi artistët e ngujuar nga sistemi çlirohen në shtëpinë e atij që kryqëzoi kulturën dhe artin.

Nita Deda tregon në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News interesin që ka pasur publiku, të huajt dhe artistët për të vizituar tashmë vilën që ka pastruar çdo gjurmë të historisë së errët.

“Me Tiranën përveç lidhjes familjare kam qenë këtu edhe si refugjate si shumë kosovarë. Gjithmonë kemi pasur bashkëpunim kulturor me Shqipërinë. Këtë punë e kam nisur në tetor dhe është hera e parë që unë jam futur në atë hapësirë. Për të cilën kam pasur shumë kuriozitete sepse kushdo që vinte në Tiranë përfundon duke ecur rreth asaj hapësire. Më ka zgjuar një kureshtje sepse ka qenë e mbyllur për publikun dhe isha kurioze të dija se si ishte brenda dhe si jetohej brenda. Ishte shumë më e madhe nga sa e prisja dhe të irriton fakti i luksit, sa në luks jetohej atje në kohë kur të gjithë të tjerët e vendit ka jetuar në një varfëri dhe një mjerim. Kujtoj momentin kur jemi bërë gati për pritjen e artistëve të parë të cilët na janë bashkuar në janar. Momentin kur kanë ardhur 7 artistët e parë ku projekt dhe  vizion ka filluar që të marrë formën e tij”, tha kuratorja Nita Deda./abcnews.al

“Djali me biçikletë të kuqe dhe bjondia…”, Prokop Nishku rrëfen historinë e dashurisë me sopranon e njohur

By: Rovena
17 April 2025 at 11:57

Tingulli i trompës është i lidhur ngushtë me Prokop Nishkun, instrumentisti, i cili është njëkohësisht dhe themeluesi i orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar dhe ish-Konservatori Shtetëror, sot Universiteti i Arteve në Tiranë. Ai ka studiuar në Pragë dhe shumë shpejt u lidh ngushtë me kulturën çeke dhe me talentin e tij të pashoq ai spikati shumë shpejt. Gjithë kulturën e muzikën e vendit ku studio, Prokop Nishku e solli në vendin ku u lind dhe rrit, në Shqipëri.

Ai ka luajtur me shumë profesionalizëm dhe përgjegjësi artistike për më shumë se 20 vite në orkestrën e Radion Televizionit Shqiptar e deri sa ka dalë në pension. Në këtë orkestër ai ka pasur një ndikim shumë të madh artistik, kulturor dhe social. Por, si bashkudhëtare të jetës ka sopranon e njohur, Edit Mihalin. Në jetën e tyre kanë bashkëpunuar me shumë artistë dhe kanë pasur një miqësi të madhe me artisten e njohur Marie Kraja. Edit Mihali dhe profesor Prokop Nishku mbahen mend nga të gjithë si një çift i çlirët, i dashur dhe mjaft interesant. Ai shkonte shpesh e merrte me biçikletë dhe thirrej si djali me biçikletë.

Në emisioni “Pas Mesante” në ABC Neës ai rrëfen rrugëtimin e tij në karrierë e aq më tepër në jetë. Ai ndalet në kohën kur u njoh me bashkëudhëtaren e tij të jetës. Me sytë e përlotur profesor Prokop Nishku zhytet thellë në kujtimet e rinisë së tij.

“Ishte një grup në vitin ’97, ishte një klasë punëtore, e cila do të shkonte në Kinë, mua më hoqën dhe unë shkova që të ankohesha. Në atë kohë kishin hequr dhe Editin, u takuam në Komisionin e Partisë. Pastaj unë isha pedagog, kjo erdhi dha konkursin dhe unë siç thashë që doja që ta ndihmoja. E fitoi vetë dhe nuk kishte nevojë fare që ta ndihmoja unë. Kisha filluar që ta pëlqeja shumë. Ishte një vajzë shumë e mirë, e urtë e respektuar dhe shumë e zgjuar”, tregon Prokop Nishku .

Në “Pas Mesnate” ai u surprizura nga gruaja e tij, sopranoja e njohur Edit Mihali e cila tregon njohjen dhe vitet e një dashurie e cila dha fytet e veta. Edhe pse vitet u rëndojë mbi supe ata ende njihen si “djali me biçikletë të kuqe dhe bjondia”.

“U njohëm në një fatkeqësi që na hoqën nga një grup, që do shkonte në Kinë, por pas një të keqeje vjen një e mirë dhe ne e vazhduam njohjen tonë në konservator. Të dy u njohëm në Konservator dhe ajo na bëri që të përjetoni ditë të shkëlqyera. Kanë shumë vjet para se të martoheshim, kanë qenë 5 vjet dhe tani të dy i kujtojmë me shumë nostalgji ato kohë dhe ishin gjërat më të veçanta. Ne u bëmë një çift që rrinim shumë bashkë dhe këtë e vunë re të gjithë. Me përcillte për në shtëpi, më çonte në shkollë dhe këtë e vunë re të gjithë. E gjithë kjo na bëri që ne të quheshim ky çifti, akoma sot na i përmendin, “çifti ai djali me biçikletë të kuqe me atë bjonden”, tregon Edit Mihali./abcnews.al

Rrëfehet Endri Sina: Emocion bashkëpunimi me Margarita Xhepën dhe Robert Ndrenikën

By: xhir jeta
8 April 2025 at 09:56

Endri Sina kompozitori i njohur për kontributin e tij të rëndësishëm në muzikën shqiptare, vjen këtë herë në një rrëfim për jetën e tij në Pas Mesnatë në ABC Neës.

Ai ka kompozuar muzikë për një sërë dramash teatrale, duke krijuar një traditë të veçantë në këtë fushë. Puna e tij është vlerësuar për aftësinë për të përcjellë emocionet e aktorëve dhe për të krijuar një atmosferë të veçantë në skenë.

Së fundi, Sina kishte fatin të bashkëpunojë me Margarita Xhepën, në filmin ‘Bolero, në vilën e pleqve’, ndërsa ndan përjetimet e tij në shesh xhirim.

“Është shumë prekëse, janë figura që me to jemi rritur. Margarita është margaritari i të gjithë këtyre aktorëve dhe filmave të mrekullueshëm që na kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës sonë, edhe për mua ishte fat që bëmë këtë film, që në mos gaboj ishte filmi i parafundit. Një moment shumë I dashur kur në takimin e kastit u paraqitën të dy figurat e mëdha, Margarita Xhepa dhe Robert Ndrenika, ishte shumë dashamirëse të takoheshim me ta. Me Robertin isha edhe në momentin e filmimeve. Duhet të tregonim edhe duart e Robertit që luanin këtë pjesë, gjetëm një mënyrë ndryshe të realizimit të saj.” Rrëfen ai ndërsa tregon edhe detajin emocionues gjatë xhirimeve të filmit.

“Në pjesën ku Roberti luan në piano, unë kam vendosur duar e mia dhe më pas plani kalon në portretin e tij. Për ta bërë sa më reale skenën, Roberti më dha unazën e tij të martesës duke më thënë se është hera e parë që e heq nga dora këtë unazë. U emocionova vërtetë, për një gjest të tillë, që Roberti u detyrua ta bëjë për hir të punës.” kujton ai.

“Prej tyre gjëja e parë merr thjeshtësinë, modestinë, duket sikur i ke njerëz të shtëpisë, i ke njohur prej kohës, asnjë prej nuk ka asnjë shenjë mendjemadhësie. Dhe ndoshta kjo është vlera e parë e një artisti shumë të madh. Qoftë Margaritën qoftë Robertin i shikoja si të ishin prindërit e mi” rrëfen ai./abcnews.al

❌
❌