Normal view

Rama reagon sërish për protestuesit: Kontrata ime me 800 mijë shqiptarë, jo me ata që kërkojnë dorëheqjen

By: Besnik
26 July 2026 at 13:33

Pas dorëzimit të dokumentit strategjik “Besa” te deputetët e Partisë Socialiste, si një shenjë reflektimi për protestën, kreu i qeverisë ka reaguar sërish për protestuesit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama iu përgjigj qëndrimeve të protestuesve, të cilët kanë deklaruar se nuk kërkojnë dialog apo negociata, por dorëheqjen e tij.

“Më vijnë në mënyra të ndryshme nëpërmjet WhatsApp-it, nga miq apo të panjohur, biseda me sorra dhe magja pas fjalimit tim për Bulevardin e Flamingos. Njëri prej tyre, të cilin e kam dëgjuar edhe me audion origjinale nga poshtë dritares së zyrës, dëshiron një koment: Ata vazhdojnë të përsërisin se nuk duan “dialog”, nuk ka “negociata”, nuk do të japin “besim”, duan vetëm dorëheqjen time! Një keqkuptim i madh. Asnjëri prej tyre nuk më ka dhënë kurrë votë, nuk kam kontratë me asnjërin prej tyre dhe as nuk më ka shkuar ndërmend të prish kontratën me 800,000 shqiptarë, midis të cilëve ka edhe shumë flamingo!”, shkruan Rama.

Kryeministri theksoi se fjalimi i tij ishte drejtuar atyre që, sipas tij, kanë votuar për qeverinë dhe jo protestuesve që kërkojnë largimin e tij.

“Fjalimi im ishte për mësimet që nxora nga flamingot dhe iu drejtua atyre, jo sorrave të zeza që mblidhen çdo natë në bulevard pasi flamingot janë larguar. Në atë fjalim, magja dhe sorrat ishin pjesë e saj, sepse ato janë ana e errët e protestës, por jo sepse ato kanë një pjesë në ato mësime ose në detyrimet e nxjerra nga ato mësime”, shkruan ai.

Ai shtoi se protestuesit kanë të drejtë të vijojnë kërkesën e tyre për dorëheqje deri në vitin 2029, duke theksuar se kjo është pjesë e lirisë dhe funksionimit të demokracisë.

“Ndaj, le të mos lodhen fare laraskat dhe korbat duke refuzuar BESIMIN, sepse BESIMI ynë nuk ka asnjë lidhje me ta, dhe le të mos ndalojnë së ardhuri poshtë dritares sime me kërkesën për dorëheqje deri në vitin 2029, nëse duan! Sepse liria është e njëjtë edhe për ta dhe demokracia funksionon njësoj për të gjithë. Ndërsa kontrata ime me shqiptarët nuk varet në asnjë pikë të vetme prej tyre, por është pronë e të gjithë atyre me të cilët e kam nënshkruar, si dhe gurthemeli i jetës demokratike.”, shkruan kryeministri.

Më vijnë në rrugë të ndryshme përmes whatsapit, nga miq a të panjohur, muhabete* sorrash e korbash pas fjalës sime për Bulevardin e Flamingove. Një prej tyre, që e kam dëgjuar edhe me audion origjinale nga poshtë dritares së zyrës, do një koment:

Përsërisin që s’duan “dialog”,…

— Edi Rama (@ediramaal) July 26, 2026

The post Rama reagon sërish për protestuesit: Kontrata ime me 800 mijë shqiptarë, jo me ata që kërkojnë dorëheqjen appeared first on Euronews Albania.

Sulmi në “Krenarinë e Berlinit”, reagon Rama: Solidaritet me Gjermaninë, dënojmë dhunën

By: Besnik
26 July 2026 at 13:27

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Berlin, ku një person hyri me një furgon në një turmë njerëzish gjatë aktivitetit “Christopher Street Day” (Krenaria e Berlinit), duke lënë një person të vdekur dhe të paktën 16 të plagosur.

Në një reagim në rrjetin social X, Rama shpreh solidaritetin e Shqipërisë me Gjermaninë dhe popullin gjerman, duke dënuar çdo formë dhune dhe ekstremizmi.

“Jam thellësisht i trishtuar nga lajmi tragjik që vjen nga Berlini. Në emër të Qeverisë së Shqipërisë, i shpreh solidaritetin tonë të përzemërt Gjermanisë dhe popullit gjerman. Nuk mund të ketë tolerancë për urrejtje, dhunë apo ekstremizëm në asnjë formë. Ato kërcënojnë jo vetëm sigurinë e qytetarëve tanë, por edhe vetë vlerat që mbajnë demokracitë tona të bashkuara. Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar kundër tyre, me vendosmëri dhe pa hezitim. Mendimet e mia janë me familjen e viktimës dhe u uroj shërim të plotë dhe të shpejtë të gjithë atyre që u plagosën. Shqipëria qëndron me Gjermaninë.” – shkruan Rama.

Ngjarja ndodhi në zonën Tiergarten, ku mijëra persona po merrnin pjesë në aktivitetin e Krenarisë së Berlinit. Autoritetet gjermane vijojnë hetimet për të zbardhur motivet dhe rrethanat e sulmit.

The post Sulmi në “Krenarinë e Berlinit”, reagon Rama: Solidaritet me Gjermaninë, dënojmë dhunën appeared first on Euronews Albania.

Horror në Michigan, gjashtë fëmijë mes 8 viktimave pas të shtënave me armë dhe zjarrit në banesë

By: Besnik
26 July 2026 at 13:10

Tetë persona, mes tyre gjashtë fëmijë, janë gjetur të vdekur në një banesë në Michigan të Shteteve të Bashkuara, pas një zjarri që përfshiu shtëpinë e tyre.

Ngjarja ndodhi në Grand Haven Township, në bregun lindor të Liqenit Michigan, ku policia dhe shërbimet zjarrfikëse ndërhynë pak para mesditës pas njoftimit për zjarr në një banesë.

Pasi hynë brenda ndërtesës, autoritetet gjetën trupat e viktimave. Sipas forcave të rendit, disa prej tyre kishin plagë të shkaktuara nga armë zjarri.

Kapiteni i Zyrës së Sherifit të Qarkut Otava, Jacob Sparks, tha se identifikimi i viktimave nuk ishte përfunduar ende dhe se autoritetet nuk kishin përcaktuar zyrtarisht shkakun e vdekjes.

Fëmijët e gjetur të vdekur ishin të moshave nga 5 deri në 15 vjeç. Sparks nuk bëri të ditur se sa prej viktimave kishin plagë nga të shtënat me armë zjarri, duke e cilësuar skenën si “të ndërlikuar dhe komplekse”.

Hetuesit nuk po kërkojnë persona të tjerë jashtë familjes, ndërsa një nga pistat kryesore të hetimit është ajo e një vrasjeje të ndjekur nga vetëvrasja. Sipas autoriteteve, të gjithë personat që jetonin në banesë dyshohet se kanë humbur jetën.

Zyrtarët e kanë cilësuar zjarrin si “të dyshimtë”, pasi mendohet se ai mund të jetë shkaktuar qëllimisht. Hetues të zjarrvënieve nga Policia Shtetërore e Michiganit po ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Grand Haven Township ka rreth 18 mijë banorë dhe ndodhet rreth 40 kilometra në perëndim të qytetit Grand Rapids.

The post Horror në Michigan, gjashtë fëmijë mes 8 viktimave pas të shtënave me armë dhe zjarrit në banesë appeared first on Euronews Albania.

Ekspozita “Elbasani në Shekullin XX”, fotografitë që rikthejnë kujtesën e qytetit të vjetër

By: Besnik
26 July 2026 at 12:58

Fotografi që dokumentojnë jetën e Elbasanit gjatë shekullit XX janë ekspozuar në oborrin e Muzeut Etnografik, duke sjellë para publikut pamje nga rrugët, tregtia, traditat dhe përditshmëria e një qyteti që ka ndryshuar ndër dekada.

Për vizitorët, këto fotografi nuk janë vetëm dokumente historike, por edhe kujtime personale të lidhura me familjet dhe qytetin ku janë rritur.

“Bravo, komplimente që keni realizuar këto fotografi kaq të bukura. Unë vetë jam elbasanase, kam lindur dhe jam rritur në Elbasan. Këto fotografi më zgjuan shumë kujtime. I kam parë edhe te gjyshja dhe te mami im. Unë jam e vitit 1970 dhe prindërit e mi i kanë pasur këto fotografi. Shumë bukur, bravo që keni arritur të realizoni një ekspozitë të tillë”, thotë një vizitore.

Edhe brezat e rinj shfaqën interes për pamjet e së shkuarës, duke vlerësuar historitë që përcjellin fotografitë e qytetit.

“Më pëlqen shumë ekspozita e qytetit tim. Fotografitë janë shumë të bukura dhe më pëlqejnë historitë që përcjellin nga e kaluara”, thotë një fëmijë.

Mes fotografive spikasin pamje nga pazari i dikurshëm, rrugët karakteristike dhe jeta tregtare e Elbasanit, elementë që sipas vizitorëve duhet të ekspozohen më shpesh për të ruajtur kujtesën historike të qytetit.

“Vlerësoj punën e mirë që bën Muzeu i Elbasanit, duke ekspozuar fotografi të tilla, të cilat na rikthejnë në nostalgjinë e para 50–60 viteve. Pikërisht këtu shohim rrugën e vjetër që të çon drejt Markatës. Është një rrugë për të cilën qytetarët mbi 50–60 vjeç kanë shumë nostalgji. Pas krahëve të mi shfaqet tregtia me pakicë e qytetit të Elbasanit. Kjo praktikë duhet të zhvillohet më shpesh, duke ekspozuar fotografi të vjetra, pasi qytetarët nuk kanë mundësi t’i shohin ato nëpër shtëpitë e tyre. Një ekspozitë e tillë i ndihmon të rikujtojnë të kaluarën”, thotë një qytetar.

Sipas organizatorëve, ekspozita është pjesë e një cikli aktivitetesh që synojnë promovimin e trashëgimisë kulturore dhe njohjen e historisë së Elbasanit përmes materialeve arkivore.

“Kjo është një ekspozitë kushtuar Elbasanit të vjetër, traditës dhe zakoneve të qytetit. Ajo vjen në vazhdën e ciklit të ekspozitave që organizojmë gjatë sezonit veror në qytetin e Elbasanit”, thotë Klinton Kapaj, drejtor i Qendrës së Artit Elbasan.

Ekspozita “Elbasani në Shekullin XX” është pjesë e aktiviteteve që Muzeu Etnografik i Elbasanit do të zhvillojë gjatë sezonit veror, me fokus në promovimin e vlerave kulturore dhe historike të qytetit.

1 / 14

The post Ekspozita “Elbasani në Shekullin XX”, fotografitë që rikthejnë kujtesën e qytetit të vjetër appeared first on Euronews Albania.

Dyshohet se përdori euro të falsifikuara për pagesa, arrestohet 24-vjeçari në Durrës

By: Besnik
26 July 2026 at 12:41

Një rast i përdorimit të kartëmonedhave euro të falsifikuara është goditur nga Policia e Durrësit, ndërsa në pranga ka rënë një 24-vjeçar.

Sipas njoftimit të policisë, i riu me iniciale M. Rr. është arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Përdorimi”, pasi dyshohet se ka blerë produkte dhe ka kryer pagesa me kartëmonedha të falsifikuara.

Hetimet nisën pas kallëzimit se një shtetas kishte mashtruar në një pikë karburanti duke përdorur euro të dyshuara të falsifikuara për të paguar karburantin e automjetit.

Nga veprimet hetimore u bë i mundur identifikimi, lokalizimi dhe arrestimi në flagrancë i 24-vjeçarit. Sipas policisë, ai dyshohet se në një pikë karburanti në fshatin Sinaballaj, Rrogozhinë, ka furnizuar automjetin me karburant dhe ka paguar me 3 kartëmonedha 20 euro, të dyshuara të falsifikuara.

Gjatë kontrollit fizik, në portofolin e tij janë gjetur edhe 10 kartëmonedha të tjera me prerje 20 euro, të dyshuara të falsifikuara, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Në total, policia ka sekuestruar 13 kartëmonedha me prerje 20 euro, ndërsa vijojnë hetimet nën drejtimin e Prokurorisë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

The post Dyshohet se përdori euro të falsifikuara për pagesa, arrestohet 24-vjeçari në Durrës appeared first on Euronews Albania.

Nga reshjet te vala e të nxehtit, meteorologia: Gushti nis me temperatura të larta

By: Besnik
26 July 2026 at 12:27

E ftuar në “Now” me Alba Xhanin, meteorologia Rezarta Xhakollari tha se pas ndërprerjes së përkohshme të të nxehtit gjatë ditëve të fundit, temperaturat do të rikthehen sërish në vlera të larta.

“Patëm një ndërprerje të verës, një stopim në këto momente kur patëm reshje shiu, stuhi dhe temperaturat pësuan një rënie këtë fundjavë. Këto janë vlera normale që para 30 vitesh në territorin e Shqipërisë, por edhe në një pjesë të mirë të Europës e Mesdheut, temperaturat maksimale nuk i kalonin 30-31 gradë”, tha ajo.

Sipas saj, parashikimet afatgjata dhe stinore tregojnë se muaji gusht pritet të jetë i nxehtë, me temperatura që mund të arrijnë deri në 40 gradë Celsius, veçanërisht gjatë 10-ditëshit të parë.

“Parashikimet afatgjata dhe stinore na tregojnë se na pret një gusht i nxehtë, ku temperaturat do t’i arrijnë edhe 40 gradë. Të paktën 10-ditëshi i parë do të mbajë më gjatë ky i nxehtë”, tha Xhakollari.

The post Nga reshjet te vala e të nxehtit, meteorologia: Gushti nis me temperatura të larta appeared first on Euronews Albania.

Dy zjarre brenda pak minutash në Vlorë, digjet fast food-i dhe një kabinë elektrike

By: Besnik
26 July 2026 at 12:16

Dy vatra zjarri kanë rënë pothuajse në të njëjtën kohë në qytetin e Vlorës, duke detyruar forcat zjarrfikëse të ndajnë ekipet për të ndërhyrë paralelisht në të dyja ngjarjet.

Sipas informacioneve paraprake, zjarri i parë ka përfshirë një fast food, ku dyshohet se shkak i flakëve ka qenë shpërthimi i një bombole gazi.

Si pasojë e zjarrit u krijua një re e dendur tymi, ndërsa ambientet e biznesit pësuan dëme të konsiderueshme materiale. Ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve bëri të mundur izolimin dhe shuarjen e flakëve, duke vënë situatën nën kontroll.

Ndërkohë, një vatër e dytë zjarri përfshiu një kabinë elektrike pranë shkollës “Ali Demi”, ku flakët u përhapën me shpejtësi. Shërbimet zjarrfikëse ndërhynë menjëherë, duke stakuar linjën elektrike dhe duke neutralizuar zjarrin, i cili rrezikonte edhe banorët e pallatit aty pranë.

Fatmirësisht, nga të dyja ngjarjet nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Autoritetet po punojnë për përcaktimin e plotë të shkaqeve të zjarreve.

The post Dy zjarre brenda pak minutash në Vlorë, digjet fast food-i dhe një kabinë elektrike appeared first on Euronews Albania.

Kryeplaku i Gështenjasit për elektriçistin që humbi jetën: Erdhi në ditë pushimi për të rregulluar defektin, ishte punëtor

By: Besnik
26 July 2026 at 11:49

Kryeplaku i fshatit Gështenjas të Pogradecit ka folur për ngjarjen e rëndë ku humbi jetën në krye të detyrës elektriçisti Agim Beqiri.

Ai tha se 57-vjeçari ishte njoftuar mbrëmjen e së shtunës për defektin. Pasi kishte mbërritur mbrëmë dhe kishte konstatuar problemin, Beqiri e kishte lënë që të kthehej për ta riparuar këtë të dielë, sapo të zbardhte dita, edhe pse ishte ditë pushimi.

Sipas kryeplakut, elektriçisti ishte një person i respektuar në komunitet, i njohur për korrektësinë dhe përkushtimin në punë.

“Ishte burrë i mirë, i rregullt dhe i sinqertë. Pasi e konstatoi mbrëmë defektin, erdhi sot për ta rregulluar, edhe pse në ditë pushimi. Ishte njeri shumë punëtor dhe i komunikueshëm. Na erdhi shumë keq, ngushëllime familjes”, tha kryeplaku i fshatit Gështenjas.

The post Kryeplaku i Gështenjasit për elektriçistin që humbi jetën: Erdhi në ditë pushimi për të rregulluar defektin, ishte punëtor appeared first on Euronews Albania.

Temperaturat e larta mbushin plazhet e jugut, fluks pushuesish në Palasë (VIDEO)

By: Besnik
26 July 2026 at 11:15

Rikthimi i temperaturave të larta ka sjellë një fluks të madh pushuesish në plazhet e Palasës dhe në të gjithë bregdetin e jugut të Shqipërisë.

Vendas dhe turistë të huaj kanë zgjedhur këtë të diel brigjet jugore për të kaluar fundjavën e fundit të korrikut, duke shijuar detin e pastër, diellin dhe temperaturat e favorshme për pushime.

Plazhi i Palasës vijon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara të sezonit veror. Ujërat e kristalta dhe ngjyra karakteristike blu e kanë kthyer këtë zonë në një pikë tërheqëse për vizitorë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës.

Fluksi i lartë i pushuesve pritet të vijojë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa temperaturat e larta do të mbeten prezente në të gjithë bregdetin shqiptar, duke e kthyer jugun në një nga destinacionet më të frekuentuara të këtij sezoni veror.

Temperaturat e larta mbushin plazhet e jugut të Shqipërisë pic.twitter.com/ICoPkRCaVU

— Euronews Albania (@EuronewsAlbania) July 26, 2026

The post Temperaturat e larta mbushin plazhet e jugut, fluks pushuesish në Palasë (VIDEO) appeared first on Euronews Albania.

Ra në kontakt me rrymën, elektriçisti humb jetën gjatë riparimit të defektit në Pogradec (EMRI)

By: Besnik
26 July 2026 at 11:01

Një elektriçist ka humbur jetën këtë të dielë në fshatin Gështenjas të Pogradecit, teksa ishte duke punuar për riparimin e një defekti në rrjetin elektrik.

Viktima është identifikuar si 57-vjeçari Agim Beqiri, i cili dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike gjatë kryerjes së detyrës, duke pësuar dëmtime fatale.

Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme, nuk ka qenë e mundur shpëtimi i jetës së tij.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po kryejnë veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.

Njoftimi i policisë

“Rreth orës 10:30, në fshatin Gurras, gjatë riparimit të një defekti elektrik në një shtyllë të rrjetit elektrik, shtetasi A. B., 57 vjeç, me profesion elektricist, dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe, si pasojë, ka humbur jetën.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës”, njofton policia.

The post Ra në kontakt me rrymën, elektriçisti humb jetën gjatë riparimit të defektit në Pogradec (EMRI) appeared first on Euronews Albania.

Rumania në alarm, F-16 rrëzon dronin e tretë brenda tre ditësh në hapësirën e saj ajrore

By: Besnik
26 July 2026 at 10:56

Tensionet vijojnë të mbeten të larta në kufirin lindor të NATO-s, pasi Rumania njoftoi se një avion luftarak F-16 ka rrëzuar një tjetër dron që kishte hyrë pa autorizim në hapësirën ajrore të vendit.

Ky është incidenti i tretë i këtij lloji brenda tre ditësh, duke rritur shqetësimet në Bukuresht për përshkallëzimin e situatës në rajon, në kushtet kur lufta në Ukrainë vijon dhe kufiri rumun ndodhet pranë zonave të prekura nga sulmet ruse.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Rumanisë, droni u zbulua duke fluturuar në hapësirën ajrore rumune dhe u rrëzua të dielën në mëngjes nga një pilot i Forcave Ajrore Rumune, i cili drejtonte një avion luftarak F-16.

Autoritetet thanë se mjeti pa pilot u rrëzua mbi ujërat territoriale të Rumanisë, rreth 12 kilometra në verilindje të Sulinës.

“Pilotët tanë rrëzuan një dron të tretë që hyri në hapësirën ajrore rumune. Këtë mëngjes, në orën 10:13, një pilot rumun që fluturonte me një avion luftarak F-16 rrëzoi dronin që kishte shkelur hapësirën ajrore kombëtare”, njoftoi Ministria rumune e Mbrojtjes.

Autoritetet rumune vijojnë hetimet për identifikimin e origjinës së dronëve të rrëzuar ditët e fundit. Sipas prokurorëve që po analizojnë mbetjet e dronit të parë, i rrëzuar të premten, dyshohet se bëhet fjalë për një mjet të tipit Shahed, të përdorur nga Rusia në operacionet ushtarake në Ukrainë.

Presidenti rumun Nicușor Dan përgëzoi pilotët dhe personelin e Forcave Ajrore për reagimin e shpejtë, duke theksuar se ata kontribuuan në mbrojtjen e sovranitetit kombëtar dhe sigurisë së qytetarëve.

Ai deklaroi gjithashtu se Bukureshti do të vijojë me një demarsh diplomatik ndaj Federatës Ruse, bazuar në përfundimet e hetimeve.

“Çdo shkelje e hapësirës ajrore rumune është e papranueshme”, tha presidenti rumun, duke theksuar se bëhet fjalë për hapësirë ajrore të një vendi anëtar të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Incidentet e përsëritura kanë bërë që forcat e armatosura rumune të rrisin nivelin e gatishmërisë, ndërsa autoritetet po monitorojnë nga afër situatën dhe po presin përfundimet e hetimeve për të përcaktuar hapat e mëtejshëm diplomatikë.

🇷🇴Our pilots have shot down a third drone that entered Romanian airspace!

This morning at 10:13 a.m., a Romanian pilot flying a Romanian Air Force F-16 fighter jet shot down a third drone that had entered the Romanian airspace.#WeAreNATO pic.twitter.com/nqRJBLojKE

— MApN (@MApNRomania) July 26, 2026

The post Rumania në alarm, F-16 rrëzon dronin e tretë brenda tre ditësh në hapësirën e saj ajrore appeared first on Euronews Albania.

“Enkelana Marathon”, Pogradeci kthehet në arenën e atletikës ndërkombëtare me pjesëmarrës nga 40 vende të botës

By: Besnik
26 July 2026 at 10:10

Mbi 550 atletë amatorë dhe profesionistë nga 40 vende të botës morën pjesë në edicionin e pestë të Enkelana Marathon, aktivitetit më të madh të atletikës që zhvillohet në qytetin e Pogradecit.

Gjysmë-maratona u zhvillua në dy disiplina, 21 kilometra dhe 11 kilometra, duke bërë bashkë pjesëmarrës nga grupmosha të ndryshme, nga 15 vjeç deri mbi 60 vjeç. Edhe këtë vit, një paraqitje të mirë patën atletët nga Kosova.

Në garën e 21 kilometrave, për kategorinë e meshkujve triumfoi atleti profesionist Timon Mamusha, ndërsa në kategorinë e femrave vendin e parë e fitoi Gresa Bakraqi. Të dy fituesit vlerësuan organizimin, duke theksuar se maratona po rritet nga viti në vit dhe po fiton gjithnjë e më shumë prestigj ndërkombëtar.

Në garën e 11 kilometrave, vendin e parë për meshkuj e fitoi Albert Abazi nga Kërçova, ndërsa për femra triumfoi Kristina Pura nga Prrenjasi, e cila arriti të mbrojë titullin për të dytin vit radhazi.

Një moment i veçantë i kësaj maratone ishte pjesëmarrja e një babai, i cili zgjodhi të vrapojë së bashku me fëmijën e tij, duke e marrë me karrocë gjatë garës në Pogradec.

Pjesë e aktivitetit ndërkombëtar ishin sportdashës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia, Japonia, Greqia, Suedia dhe shumë vende të tjera. Përveç pasionit për vrapimin, pjesëmarrësit u shprehën të mahnitur nga bukuritë e liqenit të Ohrit dhe mikpritja pogradecare.

“Kam qenë këtu disa herë për aktivitete të ndryshme dhe çdo herë kam kaluar shumë bukur. Atmosfera është gjithmonë e këndshme dhe argëtuese, gjithçka është shumë mirë e organizuar dhe mua më pëlqen jashtëzakonisht ky vend. Është vërtet fantastik!”, tha Kristina Shichkova nga Rusia.

“Kemi ardhur me një grup nga Janina për të vrapuar këtu, në Pogradecin e bukur. Personalisht vij për herë të tretë. Mjaftoi të vija vetëm një herë dhe u dashurova me këtë vend. Më pëlqen jashtëzakonisht shumë”, tha një pjesmarrës.

“Edhe pse jam 60 vjeç, për aq kohë sa Zoti do të më japë mundësi, do të vazhdoj të vij këtu për të vrapuar në këtë itinerar të mrekullueshëm dhe për të takuar miq. Na presin me shumë ngrohtësi, ne i presim po ashtu kur vijnë tek ne dhe e konsiderojmë pothuajse si detyrim moral të vijmë këtu për të takuar miqtë tanë.”. tha një nga pjesmarrësit.

Enkelana Marathon është vlerësuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit me çmimin e parë si një nga eventet sportive më të mira në Shqipëri.

Organizatorët kanë marrë gjithashtu garancinë se kjo maratonë do të vijojë të zhvillohet në Pogradec edhe për pesë vitet e ardhshme, duke e kthyer qytetin në një destinacion të rëndësishëm të turizmit sportiv.

The post “Enkelana Marathon”, Pogradeci kthehet në arenën e atletikës ndërkombëtare me pjesëmarrës nga 40 vende të botës appeared first on Euronews Albania.

Reforma territoriale, banorët e Prrenjasit kundërshtojnë bashkimin me Librazhdin

By: Besnik
26 July 2026 at 09:56

Ndarja e re territoriale dhe mundësia e bashkimit të Bashkisë Prrenjas me Librazhdin, kanë nxitur reagimin e qytetarëve, të cilët janë organizuar në një Aleancë për Mbrojtjen e Bashkisë.

Intelektualë, sipërmarrës, fermerë dhe të rinj i janë bashkuar kësaj nisme, duke nisur hartimin e një dokumenti argumentues që synon të mbështesë ruajtjen e statusit aktual të Prrenjasit si njësi më vete.

Drafti, i cili pritet të përfundojë në muajin shtator, do t’u dërgohet Komisionit Parlamentar për Reformën Territoriale, Kryeministrisë, Kuvendit dhe institucioneve ndërkombëtare.

Në dokument pritet të përfshihen argumente që lidhen me potencialin ekonomik të zonës, burimet natyrore, trashëgiminë historike dhe vlerat kulturore të Prrenjasit, të cilat sipas nismëtarëve përbëjnë arsye për ruajtjen e bashkisë si njësi administrative më vete.

Takimi i parë i Aleancës u shoqërua me pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve. Organizatorët theksuan se kjo nismë do të jetë jashtë ndikimeve politike, duke e cilësuar mbrojtjen e Prrenjasit si një kauzë qytetare që lidhet me identitetin dhe zhvillimin ekonomik, social e kulturor të zonës.

The post Reforma territoriale, banorët e Prrenjasit kundërshtojnë bashkimin me Librazhdin appeared first on Euronews Albania.

Tragjedi në Detin e Kinës Jugore, fundoset anija vietnameze me 62 persona në bord

By: Besnik
26 July 2026 at 09:19

Një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi vijon në Detin e Kinës Jugore për gjetjen e 23 personave të zhdukur, pas mbytjes së një anijeje vietnameze me 62 persona në bord.

Sipas transmetuesit shtetëror kinez CCTV, deri tani 39 persona janë shpëtuar nga ekipet e emergjencës.

Autoritetet e provincës jugore kineze Hainan bënë të ditur se anija e mallrave “Khoi Nguyen 18” dërgoi një sinjal shqetësimi pranë zonës detare të Fiery Cross Reef.

Në operacionin e kërkim-shpëtimit janë angazhuar gjashtë anije kineze, një helikopter dhe një anije vietnameze, ndërsa vijojnë kërkimet për personat e mbetur të zhdukur.

Anija, e regjistruar në Vietnam, është rreth 70 metra e gjatë dhe ka një tonazh bruto prej 999 tonësh.

Zona ku ndodhi incidenti ndodhet pranë Ishujve Spratly, një rajon i diskutueshëm në Detin e Kinës Jugore, i përbërë nga ishuj të vegjël, shkëmbinj nënujorë dhe atole, i cili konsiderohet me rëndësi strategjike dhe i pasur me burime natyrore.

Kina pretendon sovranitet mbi pjesën më të madhe të Detit të Kinës Jugore, përfshirë Ishujt Spratly, ku ka ndërtuar pista ajrore dhe struktura të militarizuara.

Megjithatë, pretendimet e Pekinit kundërshtohen nga disa vende të rajonit, përfshirë Vietnamin, Filipinet, Tajvanin, Malajzinë dhe Brunein.

A Vietnamese vessel sank after encountering distress in waters near Yongshu Reef in the Nansha Islands in the #SouthChinaSea, with 39 people rescued so far, authorities of #China's Sansha City said. All those rescued are Vietnamese nationals from the distressed vessel "Khoi… pic.twitter.com/H4cGgrReY0

— CCTV Asia Pacific (@CCTVAsiaPacific) July 26, 2026

The post Tragjedi në Detin e Kinës Jugore, fundoset anija vietnameze me 62 persona në bord appeared first on Euronews Albania.

Aksident i rëndë në Gjermani, karvani përplaset me kolonën e makinave, 34 të plagosur mes tyre fëmijë

By: Besnik
26 July 2026 at 09:03

Të paktën 34 persona, mes tyre shumë fëmijë, kanë mbetur të plagosur të shtunën në një aksident të rëndë në autostradën A9 në Turingi, në Gjermaninë qendrore.

Sipas policisë gjermane, një karvan ka përplasur disa automjete që ishin ndalur në një kolonë trafiku. Gjendja e të plagosurve nuk paraqitet e rëndë, ndërsa ata kanë marrë ndihmë mjekësore në vendngjarje.

Dyshohet se drejtuesi i karvanit, në të cilin udhëtonin edhe dy fëmijë, nuk ka vënë re bllokimin e trafikut përpara dhe është përplasur me automjetet e ndalura.

Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar rëndë nëntë automjete, mes tyre edhe dy minibusë që transportonin 11 fëmijë me nevoja të veçanta dhe tetë kujdestarë.

Policia ka vlerësuar dëmet materiale në rreth 350 mijë euro.

Bllokimi i trafikut në autostradë ishte shkaktuar më herët nga një tjetër aksident në korsinë e kundërt, ku një rimorkio për kuaj ishte përmbysur dhe kishte sjellë ndërprerjen e qarkullimit në atë segment të rrugës.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e plota të aksidentit.

The post Aksident i rëndë në Gjermani, karvani përplaset me kolonën e makinave, 34 të plagosur mes tyre fëmijë appeared first on Euronews Albania.

Aksidentohet furgoni me punëtorë që po shkonin në bregdet, 1 i vdekur dhe 4 të plagosur në Fushë Dukat (VIDEO)

By: Besnik
26 July 2026 at 08:23

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mëngjesin e kësaj të diele në aksin Vlorë–Llogara, pranë fshatit Fushë Dukat, ku një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Ngjarja është regjistruar rreth orës 06:15, furgoni me targa AC 701 AJ, i drejtuar nga S.R, që transportonte punëtorë të cilët po shkonin në punë nga Tirana drejt zonës së bregdetit, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anës saj.

Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i mjetit dhe katër pasagjerë kanë mbetur të plagosur, ndërsa paraprakisht dyshohet se një person ka humbur jetën. Viktima është identifikuar si I.H, 52 vjeç.

Për shkak të deformimit të furgonit nga përplasja, disa prej personave që ndodheshin brenda mjetit mbetën të bllokuar mes llamarinave dhe hekurave. Ekipet e zjarrfikësve ndërhynë për të prerë pjesë të mjetit dhe për të bërë të mundur nxjerrjen e të plagosurve.

Të plagosurit janë identifikuar si S.H, 22 vjeç; Q.H, 44 vjeç dhe S.R, rreth 22 vjeç, si dhe një person tjetër, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur.

Ata u transportuan me ambulanca drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa trupi i viktimës u dërgua në morgun e spitalit.

Sipas dyshimeve paraprake, shkak i aksidentit mund të ketë qenë përgjumja e drejtuesit të mjetit ose një problem shëndetësor i papritur, por grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkaqet e plota të ngjarjes.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat kanë nisur hetimet dhe po kryejnë veprimet procedurale për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Njoftimi i policisë

“Rreth orës 06:10, në aksin rrugor Vlorë–Llogora, në vendin e quajtur “Fushë Dukat”, një automjet tip furgon, me drejtues shtetasin S. R., 22 vjeç, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe ka dalë nga rruga.

Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën në vendngjarje njëri prej pasagjerëve, shtetasi I. H., 52 vjeç.

Drejtuesi i mjetit dhe 3 pasagjerët e tjerë janë transportuar në spital, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit”, njofton policia.

The post Aksidentohet furgoni me punëtorë që po shkonin në bregdet, 1 i vdekur dhe 4 të plagosur në Fushë Dukat (VIDEO) appeared first on Euronews Albania.

Publikohet identiteti i të dyshuarit për sulmin në Berlin, policia: Mos iu afroni

By: Besnik
26 July 2026 at 08:15

Policia gjermane ka nisur kërkimin me të gjitha mjetet për Abdul B., 21 vjeç, i dyshuar si autor i sulmit të rëndë gjatë aktivitetit “Christopher Street Day” (Krenaria e Berlinit), ku një grua humbi jetën dhe 14 persona mbetën të plagosur.

Sipas autoriteteve, i riu, i njohur më herët për policinë gjermane për lidhje me skenën islamiste në Berlin, dyshohet se drejtoi një furgon drejt turmës së njerëzve në parkun qendror Tiergarten, gjatë aktivitetit të organizuar për të drejtat e komunitetit LGBTQ+.

Pas përplasjes, automjeti u përplas me një pemë dhe drejtuesi e braktisi atë, duke u larguar nga vendngjarja. Deri më tani, ai nuk është arrestuar.

Sipas agjencisë gjermane të lajmeve dpa, i dyshuari ishte liruar nga një qendër paraburgimi për të mitur në maj të këtij viti. Policia ka kontrolluar edhe apartamentin e tij në Berlin, por pa gjetur gjurmë të tij.

Autoritetet kanë publikuar fotografinë dhe të dhënat e të dyshuarit, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve. Ai përshkruhet si një person rreth 1.90 metra i gjatë, me trup të dobët dhe flokë të zinj. Në momentin e fundit kur është parë, dyshohet se mbante një bluzë të zezë me kapuç dhe pantallona të bardha.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të mos afrohen nëse e shohin, pasi ai mund të jetë i armatosur dhe i rrezikshëm.

“Kushdo që ka qenë dëshmitar i diçkaje që mund të lidhet me ngjarjen, ose ka informacion për vendndodhjen e tij, duhet të kontaktojë menjëherë policinë. Nëse e takoni, mos iu afroni në asnjë rrethanë”, thuhej në njoftimin e autoriteteve.

Ndërkohë, policia gjermane ka deklaruar se ende nuk ka informacion përfundimtar mbi motivimin e sulmit, rrjedhën e saktë të ngjarjeve apo rolin e të dyshuarit.

Ngjarja ndodhi rreth orës 22:15 të shtunën, kur mijëra persona po merrnin pjesë në aktivitetet e “Christopher Street Day” në Tiergarten, një prej eventeve më të mëdha të Pride në Evropë.

Një furgon i bardhë hyri në zonën e turmës, duke goditur disa persona. Një grua humbi jetën nga plagët e marra, ndërsa 14 të tjerë u plagosën. Sipas disa dëshmitarëve, autori mund të ketë pasur edhe një objekt të mprehtë me vete pas përplasjes.

Disa dëshmitarë okularë kanë deklaruar për mediat gjermane se panë persona me plagë të shkaktuara nga një mjet prerës, por ky informacion ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.

#BREAKING : #Berlin , #Germany police release photo of 21-year-old Abdul B., the man who drove his vehicle into a crowd at CSD Pride Parade, killing 1 person and injuring 16 others. Several people suffered stab wounds.

Police say the suspect was known to police and described pic.twitter.com/XnPxIxV8Jx

— Hamdan News (@HamdanWahe57839) July 26, 2026

🇩🇪🚨 #BREAKING — Reports indicate a car rammed into a Pride parade in Berlin, with multiple people reported injured.#Germany #Berlin #BreakingNews pic.twitter.com/8WgDq8fkov

— WarPolitics (@TheWarPolitics0) July 26, 2026

The Berlin Police Department has confirmed that a vehicle drove into a crowd in the Großer Tiergarten area during the Christopher Street Day (CSD/Berlin Pride) celebrations on the evening of July 25, 2026, injuring multiple people.

A vehicle, described in some reports as a white… pic.twitter.com/ZxspAUmMcz

— T_CAS videos (@tecas2000) July 25, 2026

The post Publikohet identiteti i të dyshuarit për sulmin në Berlin, policia: Mos iu afroni appeared first on Euronews Albania.

Terror në “Krenarinë e Berlinit”, furgoni futet mes turmës dhe merr përpara njerëzit

By: Besnik
26 July 2026 at 08:05

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Berlinin mbrëmjen e së shtunës, pasi një automjet u përplas me një turmë njerëzish gjatë aktivitetit “Christopher Street Day” (Krenaria e Berlinit), duke lënë një person të vdekur dhe të paktën 16 të plagosur.

Ngjarja ndodhi pak pas orës 22:00 me orën lokale, në zonën Tiergarten, pranë vendit ku mijëra persona po merrnin pjesë në aktivitetet e organizuara në kuadër të Berlin Pride.

Sipas Policisë së Berlinit, një furgon i vogël i bardhë hyri me shpejtësi në zonën e eventit, goditi disa persona dhe më pas u përplas me një pemë, ndërsa drejtuesi i mjetit braktisi automjetin dhe u largua në këmbë.

Autoritetet nisën një operacion të gjerë për kapjen e shoferit. Mediat gjermane raportuan fillimisht për arrestimin e një të dyshuari, por policia e mohoi këtë informacion, duke sqaruar se pamjet e shpërndara në rrjetet sociale lidhen me arrestime të tjera gjatë ditës, për incidente të ndodhura gjatë festimeve.

Policia konfirmoi se një person humbi jetën si pasojë e plagëve të marra, pavarësisht përpjekjeve për ta rikthyer në jetë në vendngjarje. Më vonë u bë e ditur se viktima ishte një grua.

Ndërkohë, të paktën 16 persona të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa sipas shërbimeve zjarrfikëse më shumë se dhjetë prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë.

Autoritetet e shpallën ngjarjen si një incident me viktima masive, duke angazhuar më shumë se 150 zjarrfikës dhe ekipe shpëtimi. Për të plagosurit rëndë u krijua një pistë e përkohshme uljeje për helikopterë, ndërsa ambulancat i transportuan të dëmtuarit nga zona e Tiergarten drejt zonës së Reichstag, prej nga u dërguan në spitale.

Pas përplasjes, organizatorët e Christopher Street Day dhe policia vendosën ndërprerjen e aktiviteteve dhe evakuimin e zonës pranë Portës së Brandenburgut. Pjesëmarrësve iu kërkua të largoheshin në mënyrë të qetë dhe të shmangnin zonën e Kolonës së Fitores (Siegessäule) dhe parkut Tiergarten.

Më herët gjatë ditës, qindra mijëra persona kishin marrë pjesë në marshimin e Krenarisë së Berlinit, në kushte të temperaturave të larta. Gjatë aktivitetit ishte regjistruar edhe një incident tjetër, ku një person i panjohur kishte qëlluar me pushkë ajrore nga një apartament drejt marshimit. Katër pjesëmarrës pësuan plagë të lehta, ndërsa dy efektivë policie nuk u lënduan.

Për sigurinë e aktivitetit ishin angazhuar rreth 2 mijë e 200 efektivë policie.

Kancelari gjerman Friedrich Merz e dënoi ngjarjen, duke e cilësuar një “akt të neveritshëm”. Ai deklaroi se është në kontakt me Ministrin e Brendshëm Federal dhe strukturat e sigurisë për të ndjekur zhvillimet dhe për të garantuar hetimin e plotë të rastit.

Edhe kryebashkiaku i Berlinit, Kai Wegner, e dënoi incidentin, duke e cilësuar një sulm ndaj “shoqërisë së lirë dhe të hapur”. Ai theksoi se autoritetet kishin marrë masa për mbrojtjen e aktivitetit, por shtoi se “nuk ka kurrë siguri 100%”.

The Berlin Police Department has confirmed that a vehicle drove into a crowd in the Großer Tiergarten area during the Christopher Street Day (CSD/Berlin Pride) celebrations on the evening of July 25, 2026, injuring multiple people.

A vehicle, described in some reports as a white… pic.twitter.com/ZxspAUmMcz

— T_CAS videos (@tecas2000) July 25, 2026

The post Terror në “Krenarinë e Berlinit”, furgoni futet mes turmës dhe merr përpara njerëzit appeared first on Euronews Albania.

Kristjan Prenga rrëzon Joshuan, por britaniku e mbyll me nokaut në raundin e dytë (VIDEO)

By: Besnik
25 July 2026 at 23:58

Anthony Joshua është rikthyer në ring me një fitore me nokaut ndaj boksierit shqiptar Kristjan Prenga, në duelin e zhvilluar në Jeddah Superdome, në Arabinë Saudite.

Ish-kampioni i dyfishtë i botës në peshat e rënda e mbylli sfidën në raundin e dytë, por përballja nisi në mënyrën më të papritur për britanikun.

Prenga zhvilloi një raund të parë të jashtëzakonshëm, duke e vendosur disa herë në vështirësi Joshuan dhe duke e rrëzuar atë në tapet. Sipas raportimeve, shqiptari e hodhi dy herë në kanavacë kundërshtarin, përfshirë një goditje të fortë që erdhi vetëm 20 sekonda pas nisjes së duelit.

Megjithatë, Joshua u rikuperua mes raundeve dhe në raundin e dytë reagoi fuqishëm. Britaniku e goditi disa herë Prengën, e çoi në cep të ringut dhe më pas e mbylli përballjen me një nokaut të fuqishëm me dorën e djathtë.

Dueli ishte parashikuar të zhvillohej për 12 raunde, por zgjati vetëm pak minuta. Për Kristjan Prengën kjo ishte sfida më e madhe e karrierës, ndërsa Joshua e konsideron si një rikthim të rëndësishëm pas një periudhe shtatëmujore larg ringut.

Kjo ishte ndeshja e parë profesionale e Joshuas pas përballjes me Jake Paul në dhjetor të vitit 2025. Britaniku tashmë synon një tjetër përballje të madhe, atë ndaj ish-kampionit të botës Tyson Fury, e planifikuar për muajin nëntor.

Sipas raportimeve, fondi total i shpërblimeve për këtë duel ishte rreth 5 milionë paund, ku Joshua përfitoi afërsisht 4 milionë paund, ndërsa pjesa tjetër shkoi për boksierin shqiptar.

Pavarësisht humbjes, Prenga fitoi vëmendje të madhe me paraqitjen e tij, veçanërisht pas fillimit spektakolar ku vuri në vështirësi një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror.

The moment Anthony Joshua knocked out Kristian Prenga! 😳#JoshuaPrenga ▪ pic.twitter.com/ozAV5r3wJI

— DAZN Boxing (@DAZNBoxing) July 25, 2026

The post Kristjan Prenga rrëzon Joshuan, por britaniku e mbyll me nokaut në raundin e dytë (VIDEO) appeared first on Euronews Albania.

E vërteta e rrëzimit të Concorde, ëndrra supersonike që përfundoi në tragjedinë e 25 korrikut 2000

By: Besnik
25 July 2026 at 21:58

Si sot 26 vite më parë, në një pasdite të zakonshme korriku në Paris, moti ishte i kthjellët dhe në aeroportin “Charles de Gaulle” rreth 100 pasagjerë po prisnin me emocion fluturimin e tyre me Concorde, avionin më të shpejtë të pasagjerëve në botë, shkruan Protothema.gr.

I quajtur “zogu i bardhë”, avioni supersonik premtonte t’i çonte udhëtarët nga Parisi në Nju Jork për pak më shumë se tre orë, një kohë e paarritshme për avionët tradicionalë.

Shumica e pasagjerëve në bord ishin gjermanë dhe do të udhëtonin drejt Nju Jorkut, ku më pas do të nisnin një udhëtim turistik drejt Ekuadorit. Atmosfera në kabinë ishte e qetë, me biseda dhe buzëqeshje, ndërsa askush nuk e dinte se pak minuta më vonë do të ndodhte një nga tragjeditë më të rënda në historinë e aviacionit.

Pesë minuta para ngritjes së Concorde, një avion DC-10 i kompanisë Continental Airlines, gjatë ngritjes në pistë, humbi një copë metali titaniumi rreth 40 centimetra të gjatë. Ajo pjesë ra në pistë dhe u kthye në shkakun e një zinxhiri fatal ngjarjesh.

Në orën 16:41, Concorde mori autorizimin për ngritje dhe nisi përshpejtimin në pistë. Kur arriti një shpejtësi prej rreth 185 miljesh, njëra nga rrotat kaloi mbi copën e metalit. Goma shpërtheu dhe një pjesë e saj, me peshë rreth 4.5 kilogramë, u përplas me forcë në rezervuarin e karburantit nën krahun e avionit.

Karburanti u derdh dhe u përfshi nga flakët, sipas hetimeve, si pasojë e një harku elektrik pranë sistemit të uljes ose kontaktit me pjesë të nxehta të motorit.

Në atë moment Concorde kishte kaluar pikën kritike të ngritjes, të njohur si V1, pas së cilës pilotët nuk mund ta anulonin më fluturimin. Avioni u ngrit në ajër me një motor të përfshirë nga flakët, por problemet teknike u përkeqësuan menjëherë.

Sistemet elektrike nisën të dështojnë, pajisjet e uljes nuk u tërhoqën dhe kontrolli i avionit u bë pothuajse i pamundur. Pavarësisht përpjekjeve të ekuipazhit, Concorde u përplas pak minuta më vonë me një hotel pranë aeroportit.

Nga aksidenti humbën jetën të 109 personat që ndodheshin në bord dhe katër persona në tokë.

Pamjet e avionit me bishtin e përfshirë nga flakët tronditën botën. Dëshmitarët në zonë përshkruan momentet e fundit të Concorde, ndërsa një 21-vjeçar që e pa avionin para rrëzimit tregoi: “Ai fluturoi rreth 30 metra mbi kokat tona dhe e gjithë pjesa e pasme ishte në flakë. Pastaj filloi të kthehej dhe papritur gjithçka u errësua”.

Tragjedia tronditi industrinë e aviacionit, pasi Concorde deri në atë ditë konsiderohej një nga avionët më të sigurt në botë. Që nga fluturimi i parë në vitin 1969 dhe deri në vitin 2000, ai nuk kishte regjistruar asnjë aksident fatal.

Pas rrëzimit, Air France dhe British Airways ndaluan përkohësisht fluturimet e Concorde për kontrolle të plota. Avioni u rikthye në qiell edhe për tre vite të tjera, por aksidenti kishte nisur fundin e tij.

Pavarësisht shpejtësisë revolucionare dhe faktit se shkurtoi distancat mes kontinenteve, Concorde nuk arriti suksesin ekonomik të parashikuar nga Franca dhe Britania e Madhe, që bashkëpunuan për ndërtimin e tij.

Një nga arsyet ishte edhe kostoja e lartë e udhëtimit. Një biletë me Concorde kushtonte rreth 10 mijë dollarë, duke e bërë atë një luks të paarritshëm për shumicën e udhëtarëve.

Aksidenti i korrikut 2000 shënoi fillimin e fundit për “zogun e bardhë”, avionin që dikur simbolizonte të ardhmen e udhëtimit ajror supersonik.

/Protothema

The post E vërteta e rrëzimit të Concorde, ëndrra supersonike që përfundoi në tragjedinë e 25 korrikut 2000 appeared first on Euronews Albania.

❌