Nga Gazeta Si- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shoqërua me forca të shumta policie nga burgu i Durrësit në spitalin rajonal, pas shqetësimeve shëndetësore.
Burimet praprake tregojnë se Veliajt i janë bërë disa analiza dhe rreth orës 13:30 ka lënë ambientet e këtij spitali, ku mësohet se ka psur probleme me tensionin.
Gjithnjë sipas burimeve, Veliajn e kanë shoqëruar për në spital 30 policë, të cilët kanë nxjerrë pacientët e tjerë nga dhomat për arsye sigurie.
Pas analizave, kryebshkiaku është rikthyer sërish në qeli për të vijuar me trajtimin mjekësor brenda IEVP Durrës. Kreu i bashkisë më të madhe në vend ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit të këtij viti.
Ai do të vijojë të qëndrojë në qeli pa afat, pasi edhe Shkalla e Tretë e gjyqësorit, Gjykata e Lartë, vlerësoi më 8 korrik, se masa e sigurisë “arrest në burg” nuk duhet të ndryshojë.
Veliaj ka kërkuar ndryshim të masës së sigurisë, duke pretenduar se ajo është ekstreme dhe nuk i përgjigjet nevojave të hetimit.
SPAK e dyshon atë si të përfshirë në korrupsion, pastrim parash e mosdeklarim pasurie bashkë me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa.
Pak ditë më parë, përfundoi nga burgu në spital një tjetër ish-zyrtar i lartë i PS, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili është ende i shtruar në QSUT, pasi kishte temperaturë të lartë dhe infeksion në lëkurë.
Ligjvënësit ukrainas miratuan Yulia Svyrydenkon, ministren e ekonomisë dhe zëvendëskryeministren, e cila udhëhoqi bisedimet me Shtetet e Bashkuara mbi një marrëveshje kritike për mineralet, si kryeministre në një riorganizim të kabinetit që synonte forcimin e marrëdhënieve me Uashingtonin dhe dhënien e një jete të re vendit të shkatërruar nga lufta.
Parlamenti dha lehtësisht miratimin e tij me 262 deputetë që votuan në favor të Svyrydenkos, krahasuar me 22 kundër dhe 26 abstenime midis të pranishmëve.
Svyrydenko, është një ekonomiste e njohur në Uashington për rolin e saj të shquar në arritjen e marrëveshjes për mineralet. 39-vjeçarja zëvendëson Denys Shmyhal, kreun më jetëgjatë të qeverisë në historinë e Ukrainës.
Gazeta Si – Pasi përfundoi shqyrtimin gjyqësor, Gjykata e Posaçme e Apelit do të shprehet më 23 korrik për ish-deputetin socialist Alqi Bllako, i cili ka ankimuar vendimin e Shkallës së Parë për dënimin e tij me 4 vite burg lidhur me inceneratorin e Tiranës.
Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm avokatët e Bllakos, si dhe vetë ky i fundit, i cili kërkoi pafajësi, me argumentin se posti i tij nuk futet tek zyrtarët e lartë dhe nuk mund të ngrihet një akuzë e tillë.
Por, SPAK i kërkoi shkallës së dytë të gjyqësorit që të qëndrojë në fuqi vendimi i GJKKO, sepse Alqi Bllako është funksionar i lartë.
Pasi togat e zeza dëgjuan pretendimet e prokurorëve dhe kërkesën e avokatëve të Bllakos, caktuan datën 23 korrik për të shpallur vendimin për ish deputetin socialist.
Bllako u dënua nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion në 11 mars të këtij viti me 4 vite burg, dënim i cili zbriti në 2 vite e 8 muaj për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar.
Iish-Sekretari i Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, u gjet fajtor për kryerjen e veprës penale “korrupsion pasiv” në dy raste.
Po ashtu, ish-deputeti socialist, është dënuar më herët me vendim të formës së prerë edhe për inceneratorin e Elbasanit me 2 vite e 8 muaj burg, ndërsa për inceneratorin e Fierit, çështja është rikthyer për rigjykim nga Apeli në Shkallën të Parë.
Më 16 prill 2025, Gjykata e Posaçme gjeti fajtor ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, se ka shpërdoruar detyrën në procedurat koncensionare për inceneratorin e Tiranës, duke e dënuar atë me 3 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të vuaj vetëm 2 vite heqje lirie.
Me nga 3 vite burg u dënuan edhe 5-ish zyrtarë të tjerë të pandehur për të njëjtën akuzë. 1 vit e 6 muaj burg dha gjykata për ish-zyrtaren tjetër, Sidita Kopliku, ndërsa u shpall i pafajshëm Jetmir Llapaj.
Të gjithë të dënuarit do të përfitojnë ulje të dënimi ndërsa do t’u ndalohet mbajtja e posteve publike për 5 vjet.
Gazeta Si – Katër të rinj janë identifikuar si autorë të dy vjedhje të ndodhura në një tabakino në pronësi të B.K., më 30 qershor dhe 16 korrik.
Policia tha se ka zbardhur 2 vjedhje të kryera me thyerje në të njëjtën tabakino, të mërkurën (16 korrik) dhe disa ditë më parë.
Në pranga kanë rënë E.S 22 vjeç dhe A.A 19 vjeç, ndërsa janë proceduar penalisht dy të miturit të moshave 16 dhe 17 vjeç. Pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin autorët thyejnë derën e tabakinos dhe marrin artikuj të ndryshëm me vlerë rreth 80 mijë lekë.
Një meteorit i njohur si NWA 16788 dhe që është pjesa më e madhe e Marsit e gjetur në Tokë është shitur për 5.3 milionë dollarë, në ankand te një ofertues anonim.
Meteoritët janë ato që mbeten kur një kometë, asteroid ose meteoroid mbijeton kalimin e tij nëpër atmosferën e Tokës.
I zbuluar në nëntor 2023 në rajonin e largët Agadez të Nigerit, NWA 16788 është një “ekzemplar monumental” që është rreth 70% më i madh se pjesa tjetër më e madhe e Marsit e gjetur ndonjëherë në Tokë, sipas shtëpisë së ankandeve, Sotheby’s.
Meteori përbën rreth 7% të të gjithë materialit marsian të njohur në Tokë dhe është 70% më i madh se fragmenti i dytë më i madh i gjetur deri më sot. Testimet laboratorike kanë konfirmuar se ai ka përbërje identike me shkëmbinjtë marsianë të studiuar nga sonda “Viking” në vitin 1976.
Është gjithashtu tepër e rrallë, sepse vetëm rreth 400 meteoritë marsiane janë gjetur ndonjëherë në Tokë.
Sipas shkencëtarëve NWA 16788 është një zbulim me rëndësi të jashtëzakonshme — meteori më i madh marsian i gjetur ndonjëherë në Tokë dhe më i vlefshmi i këtij lloji i ofruar ndonjëherë në ankand.
Gazeta Si – Kryetari i PD, Sali Berisha, bëri akuza të reja lidhur me ngjarjet e fundit në Theth të Shkodrës, ku u shembën dhjetëra objekte të ndërtuara pa leje në zonën turistike. Ai e cilësoi “Paketën e Maleve” të qeverisë një farsë, ku sipas tij, Edi Rama hiqet si pronar i maleve.
“Thethi përbën në historinë e Shqipërisë një nga krimet shtetërore më të rënda, më të shëmtuara. Dëshmi e shpërthimit të urrejtjes së një njeriu që ka urrejtjen njerëzore si shtyllë kryesore të moralit të tij të kalbur.”
Sipas tij, ndërhyrja e ushtrisë dhe shembja e ndërtimeve janë kryer në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën, ndërsa fajësoi drejtpërdrejt kryeministrin Rama se dha urdhrin për aksionin.
“Sot që flasim, në Theth janë hordhitë e ushtrisë, të cilat në kundërshtim me çdo ligj, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën, janë shpalosur me urdhër të armikut të egër të Thethit dhe kryejnë detyrat që i ka ngarkuar Rama.”
Berisha mohoi që objektet e shembura të jenë në zonë të mbrojtur, duke sqaruar se ato ndodhen në zonën urbane të Thethit, ku lejohet ndërtimi sipas rregullave të parashikuara për parkun kombëtar.
“Asnjë ndërtesë nuk është në zonën e mbrojtur, të gjitha ndërtimet janë në zonat urbane. Po, Thethi është park kombëtar, por ka një zonë urbane ku ndërtohet. Ndërtime druri, siç përcakton rregullorja për Thethin, druri ose guri”. Sipas Berishës, në të gjitha rastet është ndërtuar mbi tokë private, jo në tokë publike apo të zaptuar.
Berisha e mbylli deklaratën me akuza politike dhe morale ndaj kryeministrit, duke e cilësuar “të pabesë e të pamoral”.
Nga Gazeta Si- Rritja e kërkesave për shtrime gjatë verës, mungesa e shtretërve dhe mbingarkesa e mjekëve kanë vështirësuar ndjeshëm trajtimin e pacientëve me probleme të shëndetit mendor në Tiranë.
Shërbimi i psikiatrisë në QSUT nuk ka kapacitete pasi godina e vjetër e spitalit psikiatrik po rikonstruktohet dhe stafi mjekësor është transferuar përkohësisht në pavionin e Toksikologjisë, në godinën e njohur si “6-katëshi”.
Kjo ka sjellë dhe më shumë problematika. Mjekët që punojnë në këtë pavion shprehen për Gazetasi.al se situata është përkeqësuar ndjeshëm pas transferimit.
Në ambientet e reja ka shumë më pak shtretër se në ato të mëparshme, të cilat gjithashtu ishin të pamjaftueshme për të përballuar kërkesat e pacientëve.
“Mezi po i menaxhojmë rastet që na paraqiten. Edhe tek godina e vjetër kishim pak shtretër, por këtu ka edhe më pak. Situata është alarmante,” thonë mjekët.
Për shkak të kësaj mungese të kapaciteteve, spitali është i detyruar të pranojë vetëm pacientët më të rrezikuar, ato që paraqesin rrezik për jetën e tyre ose për të tjerët, duke lënë shumë të tjerë pa mundësinë për trajtim spitalor.
Një pjesë e madhe e familjarëve të pacientëve me probleme të shëndetit mendor ankohen se janë të detyruar të mbajnë të sëmurët në shtëpi, duke i trajtuar ata me medikamente, por pa mbikëqyrjen e duhur mjekësore.
Kjo paraqet një rrezik të madh për pacientët, por gjithashtu për sigurinë e familjeve.
“Kemi raste kur refuzojnë të marrin medikamentet dhe bëhen të dhunshëm. Nuk dimë ku të shkojmë. Na thonë të presim,” tregon një qytetar, i cili ka djalin të sëmurë.
Përballë kësaj situate, disa familje përpiqen të gjejnë mundësi përmes ndërhyrjeve të njohurive ose lidhjeve me autoritete të tjera, ndërsa të tjerët përballen me pasiguri dhe tension të lartë psikologjik.
Mjekët e shërbimit psikiatrik bëjnë thirrje për një zgjidhje urgjente, duke theksuar se nevoja për një qendër psikiatrike funksionale është jetike.
Sipas tyre, çdo ditë që kalon pa trajtim të duhur dhe pa kujdesin e nevojshëm, gjendja e pacientëve rëndohet, duke ulur mundësitë për rehabilitim.
“Po shohim gjithnjë e më shumë të rinj me çrregullime depresive, psikozë, varësi nga substancat. Nuk mund të vazhdojmë të refuzojmë pacientë. Po flasim për jetë njerëzish dhe familje që po shkatërrohen,” shprehet një psikiatër.
Rikonstruksioni i godinës së Psikiatrisë në QSUT është një projekt që pritet të përfundojë pas tre vitesh. Deri atëherë, përballja me fluksin e rritur të pacientëve, mungesa e kapaciteteve dhe strukturave të përshtatshme mbetet një sfidë serioze për sistemin shëndetësor të vendit.
Gazeta Si – Kolegji Zgjedhor Gjyqësor ka rrëzuar ankimin e Partisë Demokratike për pavlefshmëri zgjedhore në qarkun e Tiranës.
Argumentet e paraqitura nga përfaqësuesi ligjori i PD, Franci Nuri, nuk bindën trupën gjyqësore për të shpallur të pavlefshëm zgjedhjet në qarkun më të madh në vend, duke i hapur rrugë certifikimit final të rezultatit për këtë zonë zgjedhore.
Gjithashtu pritet që komisioni qëndror i Zgjedhjeve, (KQZ) të shpërndajë mandatet. Sipas rezultatit, 37 mandatet e Tiranës u ndanë 19 për PS, 13 për PD, 2 për Mundësinë, 1 për PSD, 1 për Lëvizjen Bashkë dhe 1 për koalicionin Nisma Shqipëria Bëhet.
Nga Gazeta Si – Gjysma e sezonit në Formula 1 ka mbetur pas dhe Oscar Piastri e “dominoi” atë duke u shndërruar në pilotin për tu mundur kur skuadrat dhe pilotët të kthehen nga pushimet. Mirëpo një tjetëe klasifikim po vlerësohet me kujdes. Po flasim për pilotët debutues që në këtë sezon janë 4. Antonelli (Mercedes), Hadjar (Racing Bulls), Bearman (Haas) dhe Bortoleto (Kick Sauber). Italiani Kimi Antonelli dominoi kolegët debutues duke grumbulluar 63 pikë dhe madje duke u ngjitur në podium në Kanada. Pas tij renditet Isack Hadjar që e mbylli pjesën e parë të sezonit me 21 pikë. E të mendosh që në Australi, ai nuk arriti të nisej. Dy pilotët e tjerë nuk arritên në shifra dyfishe. Në të parin sezon titullar, Bearman grumbulloi vetëm 6 pikë përpara pushimeve në bordin e Haas. Ndërsa Bortoleto kërkoi 11 gara dhe pistën e Austrisë për të marrë pikët e para në karrierë.
Gazeta Si – Spanja ka lënë pas Gjermaninë si destinacioni kryesor për azilkërkuesit në Bashkimin Evropian, sipas një raporti të ri nga Agjencia e Bashkimit Evropian për Azilin (EUAA), me seli në Maltë, të paraqitur paraprakisht nga “Financial Times”.
Raporti mbulon muajin maj, kur, sipas agjencisë, pati një rënie të ndjeshme të kërkesave për azil në vendet e BE-së: 64,000, pothuajse një e katërta më pak se në maj 2024.
Kjo rënie ishte kryesisht për shkak të një rënieje të kërkesave nga sirianët – pas rënies së regjimit të Bashar al-Assad – nga rreth 16,000 në tetor të vitit të kaluar në 3,100 në maj.
Në të njëjtën kohë, pati një rritje të azilkërkuesve nga Venezuela, destinacioni kryesor i të cilëve ishte Spanja.
Kështu, në maj, Gjermania, destinacioni kryesor për sirianët, mori 9,900 kërkesa për azil, nga 18,700 në të njëjtin muaj të vitit të kaluar;.
Ndërkohë, Spanja regjistroi 12,800 kërkesa për azil në maj, nga 16,300 vitin e kaluar.
Vendi i dytë më i madh për sa i përket kërkesave për azil është tani Italia, me 12,300 aplikime në maj, nga 15,500 vitin e kaluar (një e treta e të cilave u paraqitën nga njerëz nga Bangladeshi dhe Peruja).
Gazeta Si – Një konflikt familjar mes dy personave ka përfunduar në plagosje me thikë në qytetin e Sarandës.
Policia njofton se 26-vjeçari me iniciale E.N., ka goditur me mjet prerës ish-burrin e motrës, 44-vjeç, K.B për arsye të paqarta deri tani.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e të mërkurës (16 korrik) rreth orës 16:00 në në lagjen nr. 4 të qytetit bregdetar. Fatmirësisht 44-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa i riu ka rënë në prangat e policisë.
Sipas burimeve paraprake, të dy personat janë të njohur në rekordet e policisë për të kaluarën e tyre kriminale.
K.B., ka qenë më parë i dënuar me 5 vjet e 4 muaj burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda për trafik ndërkombëtar droge, pas një operacioni në vitin 2008, ku në plazhin e Manastirit u kap një skaf me 278 kg marijuanë. Ai është arrestuar sërish në vitin 2017 për vjedhje në zonat kufitare me Greqinë.
Nga ana tjetër, edhe E.N., ka precedentë penalë. Ai u arrestua në tetor të vitit 2024 si autor i disa vjedhjeve dhe gjatë ndalimit iu gjetën një thikë dhe një sëpatë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori dhe arrestuan në flagrancë shtetasin E. N., 26 vjeç, banues në Sarandë, pasi më datë 16.07.2025, rreth orës 16:10, në lagjen nr. 4, është konfliktuar me ish-burrin e motrës së tij, shtetasin K. B., 44 vjeç, banues në Delvinë, të cilin e ka goditur me një mjet prerës, duke i shkaktuar dëmtime trupore. 44-vjeçari ka marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi policia.
Gazeta Si – Policia e Tiranës ka njoftuar lirimin e hapësirave publike përreth stadiumit “Arena Kombëtare” si dhe hetimin në gjendje të lirë për 7 administratorët e lokaleve që kishin zënë hapësirat.
“Hiqen dhe sekuestrohen rreth 330 objekte që iu shërbenin këtyre aktiviteteve ekonomike dhe ishin vënë pa autorizim. Procedohet penalisht dhe një 40-vjeçar që kundërshtoi punonjësit e IMT-së, gjatë veprimeve për lirimin e hapësirave”, lexohet në njoftimin e policisë.
Sipas policisë,”hapësirat (trotuare dhe vendkalime këmbësorësh) ishin zënë me tavolina, ulëse dhe çadra, për llogari të 7 lokaleve përreth stadiumit”.
Në lidhje me këto raste u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për administratorët e subjekteve, shtetasit: A. S., N. R., Xh. B., M. S., K. M., L. L. dhe B. K., për veprën penale “Pushtimi i tokës”.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. P., 40 vjeç, punonjës në njërin prej lokaleve, pasi kundërshtoi punonjësit e IMT-së, gjatë kryerjes së detyrës.
Nga Gazeta “SI”– Më 17 korrik 1958, në ekranin shqiptar u shfaq për herë të parë një film i prodhuar tërësisht nga autorë dhe aktorë vendas.
“Tana”, me regji të Kristaq Dhamos dhe skenar të novelistit Fatmir Gjata, është konsideruar si gurthemel i kinematografisë shqiptare.
I prodhuar nga “Shqipëria Film”, ky realizim i parë zyrtar solli një qasje të re në artin filmik në vend, duke u fokusuar jo vetëm te një tematikë me ngarkesë ideologjike si kolektivizimi i bujqësisë, por edhe te transformimet sociale dhe përplasja mes së resë dhe zakoneve patriarkale.
Në ndërtimin e skenarit bashkëpunuan Fatmir Gjata, Nasho Jorgaqi dhe vetë regjisori Kristaq Dhamo. Ngjarjet vendosen në një fshat ku dashuria e dy të rinjve vihet në rrezik nga mentaliteti konservator, që përfaqëson një nga sfidat më të mëdha të kohës.
Tinka Kurti dhe Naim Frashëri ne filmin “Tana”
Tinka Kurti, në rolin e Tanës, përkrah Naim Frashërit si Stefani, Kadri Roshit si Lefteri dhe Andon Panos në rolin e kryetarit të kooperativës, sjellin një interpretim që sot konsiderohet klasik. Një nga momentet që bëri histori ishte edhe puthja e parë në ekranin shqiptar, një skenë që u përfol gjatë për kurajën e saj.
“Është e vërtetë dhe kjo më bën krenare. Nuk pata asnjë hezitim kur tek filmi “Tana”, nën një pemë i dhashë puthjen partnerit tim, aktorit të madh Naim Frashëri. Është puthja e parë në historinë e filmit shqiptar dhe kjo më bën të ndjehem vërtetë mirë. Ishte koha e tillë, mentaliteti që të pengonte për të realizuar skena të tilla. Megjithatë, edhe pse isha shumë e re, pasioni e bën aktorin të interpretojë edhe skena të tilla që tashmë janë të zakonshme” tregon aktorja Tinka Kurti.
Muzika e filmit, e kompozuar nga Çesk Zadeja, kontribuon në atmosferën e tij të veçantë, duke e kthyer “Tana”-n në një nga veprat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kinematografike.
Gazeta Si – Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, pretendon se e ka bindur Coca-Cola-n të ndryshojë recetën e pijes së saj më të njohur joalkoolike në Shtetet e Bashkuara.
Ai beson se Coca-Cola e bërë me kallam-sheqeri – siç bëhet në Meksikë dhe Mbretërinë e Bashkuar, për shembull – është më e mirë se ajo që është aktualisht në dispozicion në tregun amerikan, e cila bëhet duke përzier sheqerin dhe shurupin e glukozës, një ëmbëlsues që rrjedh nga niseshteja e misrit.
Kompania me seli në Atlanta, Georgia, e ka përdorur këtë ëmbëlsues që nga viti 1980, kur filloi ta përdorë atë për të ulur kostot në rritje të sheqerit.
Një zëdhënëse e Coca-Cola-s nuk pranoi të sqaronte nëse kompania ka rënë dakord të ndryshojë recetën apo jo, por tha se detajet mbi ofertën e saj të re do të publikohen së shpejti.
Trump është një pijedashës i njohur i Diet Coke dhe ndërsa nuk e ka përmendur në mënyrë të qartë, ndryshimi i recetës do të ishte në përputhje me iniciativën e administratës së tij “Bëjeni Amerikën të Shëndetshme Përsëri” (një variant i sloganit të tij “Bëjeni Amerikën të Madhe Përsëri”), e cila synon të bëjë presion mbi kompanitë ushqimore që të zvogëlojnë përdorimin e përbërësve të pashëndetshëm.
Një raport i publikuar në maj nga një komitet mbi iniciativën zbuloi se ushqimet shumë të përpunuara, përfshirë ato që përmbajnë shurup glukoze, mund të luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e obezitetit dhe diabetit tek fëmijët.
Në një shënim të prillit për investitorët, CEO i Coca-Cola, James Quincey, tha se kompania “po vazhdon të bëjë përparim në uljen e sheqerit në pijet e saj”.
Por ekziston edhe një çështje më e rreptë ekonomike. Misri është shumë i gjithanshëm dhe përpunimi i misrit të prodhuar në Shtetet e Bashkuara përdoret për të bërë një larmi të gjerë ushqimesh dhe pijesh, nga drithërat te tortilat, nga burboni te Coca-Cola.
Kjo është arsyeja pse prodhuesit e misrit në SHBA kanë shumë ndikim në politikën kombëtare. Florida, shteti ku jeton Trump kur nuk është në Uashington, është prodhuesi kryesor i sheqerit të kallam sheqerit në vend.
Shoqata Amerikane e Përpunimit të Misrit ka komentuar tashmë se zëvendësimi i shurupit të glukozës me sheqer do të kushtojë mijëra vende pune dhe do të inkurajojë importet e sheqerit nga jashtë. Shtëpia e Bardhë nuk është përgjigjur ende.
Nga Gazeta “SI”– “Gjyqi i poetëve” njihet si një nga aktet më të errëta të diktaturës komuniste në Shqipëri. Nën akuza të sajuara dhe me një proces të mbushur me falsifikime nga Sigurimi i Shtetit, dy poetët e rinj, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, u dënuan me vdekje me datë 17 Korrik 1977 , si pjesë e një të ashtuquajturi “grup sabotatorësh në bujqësi”.
Më 13 qershor 1977, Gjykata e Rrethit Librazhd shpalli vendimin ekstrem për tetë të arrestuarit, mes tyre edhe dy poetët. Vendimi ishte i parashkruar: pushkatim për Genc Lekën dhe Vilson Blloshmin.
Përpjekjet e dëshpëruara për të ndryshuar vendimin në instancat e larta, përfshirë kërkesën për falje drejtuar Presidiumit të Kuvendit Popullor, u refuzuan. Gjithçka ishte vulosur.
Vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, që e mbështeti plotësisht atë të gjykatës së Librazhdit, konfirmon qartazi klimën politike të kohës dhe logjikën e diktaturës, ku biografia, prejardhja familjare dhe mendimi i lirë konsideroheshin rrezik për regjimin.
Në relacionin e gjykatës thuhet:
“Të gjykuarit Genc Leka, Vilson Blloshmi, D. Blloshmi dhe Bedri Blloshmi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë zhvilluar një veprimtari të theksuar kriminale, duke synuar minimin e ekonomisë bujqësore dhe dobësimin e Pushtetit Popullor. Tre të parët kanë kryer edhe agjitacion e propagandë.”
Më tej, vendimi thekson rëndësinë që i jepej biografisë:
“Të gjykuarit janë persona me prejardhje klasore të keqe, nga familje të pasura, të lidhura me Ballin Kombëtar…”
Akuzat ishin të një natyre që më shumë kishin të bënin me ndëshkimin e mendimit të lirë dhe artit sesa me veprime konkrete kundër shtetit. Poezitë, shkrimet dhe qëndrimi i tyre kritik ndaj realitetit komunist u interpretuan si “agjitacion e propagandë”.
Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, dy poetët u pushkatuan në mesnatën e 17 korrikut 1977, pranë një zone të pyllëzuar, rreth 6 kilometra larg Librazhdit.
Dëshmia e dokumentuar: Dosja sekrete që ekspozon farsën gjyqësore
Dosja sekrete e Sigurimit të Shtetit kundër poetit Vilson Blloshmi e mbledhur dhe botuar nga i vëllai, Bedri Blloshmi hedh dritë mbi një proces farsë. Një seri dokumentesh arkivore hedhin dritë mbi manipulimet dhe akuzat e fabrikuara nga regjimi kundër dy poetëve që u pushkatuan për motive thjesht politike.
Autori i librit, Bedri Blloshmi, vëllai i Vilsonit, pas më shumë se katër dekadash kërkimesh, ka arritur të zbulojë procesverbalin e pushkatimit dhe dokumente të tjera të klasifikuara si “tepër sekret”. Libri mban titullin “Dosja Formulare, Kategoria 2°, nr.840” – i njëjti emërtim që mbante edhe dosja zyrtare e përndjekjes ndaj poetit.
“Pas shumë vitesh kam gjetur procesverbalin e pushkatimit të vëllait. Në të kanë firmosur emra si Spiro Koleka dhe Haxhi Lleshi. Në mbledhjen e Presidiumit është diskutuar për çështje dekoratash dhe në fund dikush pyet: ‘Çfarë do bëjmë me të dënuarit me vdekje?’ Haxhi Lleshi thotë vetëm: ‘Këta janë familje armiqsh dhe nuk e duan socializmin’. Kaq ishte.” – ka rrëfyer Bedri Blloshmi.
Në këtë dosje ndodhen dokumente të rralla. Vendimi i arrestit, marrja në pyetje nga hetuesit, akt-ekspertizat e poezive të Vilsonit nga studiues të letërsisë, pseudonimet e spiunëve që e ndiqnin, por edhe vendimet e komitetit të partisë dhe të trupit gjykues për dënimin me vdekje.
Vilson Blloshmi
Vilsoni ishte vetëm 28 vjeç në kohën e arrestimit dhe pushkatimit. Ai la pas një vajzë vetëm një vjeç. Sot, pas më shumë se 45 vjetësh, dokumentet që për shumë kohë mbetën të mbyllura në arkivat e Sigurimit, zbulojnë jo vetëm një krim shtetëror, por edhe tragjedinë e një shoqërie që nuk është ndarë ende plotësisht nga e kaluara e saj totalitare.
Letra e Vilson Blloshmit për kushërirën Lumturie Blloshmi, një dëshmi e një sensi të lartë estetik dhe intelektual.
Një letër e gjetur mes dokumentave është edhe ajo të cilën Vilsoni ia dërgonte kushërirës së tij, piktores Lume Blloshmi ku mes kërkesave për ti dërguar libra dhe përsiatjeve për letërsinë kallp të kohës, Vilsoni i shkruan asaj mbi gjendjen e tij të brendshme, një reflektim i cili shpalos një kut artistik të lartë dhe modern.
“…mjaft prej këtyreve veprave lënë vraga të paharrueshme në ndërgjegjen e njeriut naiv, si plugu në një tokë të virgjër. Në shpirtin e shkrimtarit që shkroi këto vepra alternativa më e mirë për njeriun është që të vdesë. Nuk vihen lidhje mes asaj që njeriu ka më intime në zemër, me atë që do të duhej të merrte nga parimet fizike dhe morale të njerëzimit. Ndërkaq, artisti dhe shkrimtari i kohës sonë, të bëjë atë që bën epoka- të bëhet edhe budalla, nëse është nevoja. Unë nuk di përse emri i Sartrit dhe i Kamysë, mbushin kaq boshllëk dhe ndriçojnë kaq shumë errësirën! A janë protesta të gjalla kundër shtypjes? Një zot e di, nëse ekziston. Shpesh, këto janë predikime për lirinë e kërkuar aq shumë nga ushtarët dhe kurtizanet dhe jo nga turmat e gjera popullore. Helas! T’i lëmë këta shkrimtarë të papjekur! Unë di vetëm një gjë, edhe ti e di, dhe gjithë bota e di. Po jua them: nëse sensi i vërtet i njeriut nuk vdes në këto kohë të tmerrshme, ai nuk ka për të vdekur kurrë. Lumi! Kërko … kërko ndonjë nga këto libra dhe m’i dërgoni, ju lutem. Do të doja të shkruaja më shumë, por nuk po shkruaj më. Tani mendime të ashpra kalojnë në mendjen time. Trupi im do të flerë, por shpirti im do të fluturojë. Kështu, njëri më tërheq këtej, tjetri andej. Është shumë vonë. Mesnatë. Natën e mirë, pra, kushurira ime e varfër që ke një emër kaq të bukur!
Ja tani një citim nga Shatobrian:
“Lumturia e vërtet kushton pak; nëse është e shtrenjtë, nuk është cilësore” Kujtime përtej Varrit.
Përshëndetjet e mia juve dhe familjes Vilson”.
Lumturie Blloshmi
Pjesa më e madhe e dorëshkrimeve të poetit të pushkatuar Vilson Blloshmi janë gjetur në dosjet sekrete të Sigurimit të Shtetit. Vetëm pak prej tyre si letra me kushërirën Lumturi Blloshmi dhe tri poezi të ruajtura nga vëllai i tij, Bedriu kanë burim familjar. Pjesa tjetër është marrë nga dosjet hetimore dhe operative, të cilat përmbajnë materialet e përgjuara, letrat e spiunëve dhe dorëshkrimet e sekuestruara që përdoreshin si prova.
Në vitin 2007 u zbuluan tre blloqe dorëshkrimesh:
I pari përmban citime dhe përkthime nga autorë europianë (Hugo, Poe, Baudelaire, Verlaine etj.) dhe është shkruar gjatë viteve 1971–1972. I dyti, nga viti 1974, përmban përmbledhje dhe përkthime të veprave të Hugo-s, përkthime poetike dhe disa poezi të panjohura më parë të vetë Blloshmit, mes tyre dhe poezia e fundit e tij. I treti përmban përkthimin e plotë të novelës “Zadig” të Volterit, një version më i plotë se përkthimi i vitit 1990, i cili ishte i censuruar.
Blloshmi, i vetmuar dhe i përndjekur, i gjente librat në frëngjisht në mënyrë të fshehtë, përmes miqve ose duke i marrë me qira nga ish-intelektualë të persekutuar. Në letrat e tij, ai kërkon rregullisht libra të ndaluar nga kultura perëndimore, që për regjimin komunist përbënin armë propagande armiqësore. Ai nuk ishte një aktivist politik, por një poet i dhënë pas kulturës dhe letërsisë franceze, një dashuri që e çoi drejt dënimit.
Memoriali dedikuar poetëve në Librazhd
Sot në këtë përvjetor kujtojmë se Vilson Blloshmi dhe Genc Leka jo vetëm ishin dy intelektuale dhe poetë modernë për kohën, por edhe dy fatkeqë, jeta e të cilëve u mbyll shpejt, ndoshta duke e lënë letërsinë shqipe të cunguar përgjithmonë.
Gazeta Si – Gjithsej 3 mijë e 126 bimë të dyshuara kanabis sativa janë zbuluar e asgjësuar gjatë kontrolleve intensive në terren në disa nga njësitë administrative të qarkut Shkodër, duke përfshirë Shalë, Pult, Shosh, Ana e Malit, Kastrat, Kelmend, Temal dhe Shllak, në kuadër të operacionit të koduar “Koordinata”.
Pas zbulimit të bimëve narkotike, Policia ka proceduar penalisht për shpërdorim të detyrave tre persona: dy kryetarë fshatrash dhe një roje mjedisi.
Rasti 1: Në territorin e njësive administrative Shalë, Pult, Shosh dhe Ana e Malit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 922 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Oblikë, shtetasin S. P.;
Rasti 2: Në territorin e njësive administrative Kastrat dhe Kelmend, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën dhe asgjësuan 1034 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Selcë, shtetasin A. D., dhe për rojën e mjedisit, shtetasin P. G.;
Rasti 3: Në territorin e njësive administrative Temal dhe Shllak, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën dhe asgjësuan 1170 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Nga Gazeta Si- Prej ditësh, në Vaun e Dejës dhe në Drenovë vijojnë zjarret, që kanë pushtuar tashmë mijëra sipërfaqe toke.
Në vendin e quajtur “Qafa e Lacit”, bashkia Vau-Dejës, vatra e zjarrit e rënë në datë 15 në një sipërfaqe prej rreth 25 ha me lis, dushk, shkurre dhe barishte ende nuk është shuar.
Gjithashtu, forcat po punojnë për shuarjen e zjarrit në fshatin Drenovë, bashkia Mallakastër.
Terreni malor dhe era e fortë e kanë vështirësuar situatën. Pranë vatrës ndodhet gjithashtu një pus gazi, që përbën rrezik të shtuar. Sipërfaqja e djegur dhe e përshkuar në total llogaritet rreth 120 ha shkurre dhe pyll me pisha, si dhe janë dëmtuar dhe djegur mbi 1000 rrënjë ullinj.
Sot, 36 forca operacionale vendore dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura, po vazhdojnë punën për shuarjen e zjarrit. Në ndihmë të tyre ka shkuar edhe helikopteri Cougar.
Ministria e Mbrojtjes thotë se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 17 vatra zjarri, nga të cilat 4 janë ende aktive.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 27 automjete zjarrfikëse dhe 288 forca operacionale. Gjithashtu, në operacionet e ditës së djeshme mori pjesë edhe helikopteri Cougar i Forcave të Armatosura. Sot, që prej orës 06:00, në operacionet e shuarjes së zjarrit janë angazhuar 70 forca ushtarake dhe 2 helikopterë nga Forcat e Armatosura.
Aktive është edhe vatra e zjarrit në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë. Si pasojë, deri tani është djegur një sipërfaqe rreth 200 ha me pyje pishe dhe ahu.
Në vendin e quajtur “Mali i Peladhisë”, bashkia Bulqizë vijon puna për shuarjen e zjarrit të riaktivizuar. Si pasojë, deri tani është djegur një sipërfaqe rreth 30 ha me shkurre dhe barishte.
Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje të dobëta në qarqet Shkodër dhe Kukës, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje lokalisht të dobëta.
Sa u përket zjarreve në pyje, sot pritet nivel rreziku “I LARTË” në qarqet Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë dhe Gjirokastër nivel rreziku “I MODERUAR” në të gjitha qarqet e tjera.
Gazeta Si – Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-presidentin dhe kreun e Partisë së Lirisë Ilir Meta, i cili mbahet në paraburgim prej 21 tetorit 2024 për tre vepra penale.
Të pranishëm në seancë ishin prokurorët e SPAK që po hetojnë dosjen, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi, ndërsa Ilir Meta nuk ishte prezent. Ai përfaqësohej nga avokati i tij, Kujtim Cakrani.
Cakrani, tha se i propozoi gjykatës çdo masë tjetër sigurie për Metën duke argumentuar se nuk ka vepër penale, teksa përdori faktin që SPAK nuk ka paraqitur ende përparimin e hetimeve ndaj Metës. Por trupa gjykuese e Apelit të Posaçëm rrëzoi kërkesën e Metës, duke e lënë në qeli ish-presidentin.
Në përfundim të seancës, Kujtim Cakrani shprehu zhgënjim nga vendimi i gjykatës, duke thënë se nuk arriti të ngrihet në lartësinë e detyrës. Ai theksoi se Meta qëndron në paraburgim pa arsye, teksa gjykatësit i konsideroi rrogëtarë.
“Kjo është drejtësi e cila i heton qytetarët dhe nuk arrin dot të përfundojë hetimet. Dy prokurorët Kraja dhe kolegu i tij nuk dhanë shpjegime edhe pasi u pyetën nga gjykata. Nuk kishin arsye reale, ne arsyet i dimë në fakt. Sot presidenti po mbahet në kushtet e një persekutimi politik. Sepse ju e dini mirë se çfarë po heq në paraburgim ku i janë mohuar të drejtat e telefonatave me njerëzit e tij. Këta nuk janë gjyqtarë, por rrogëtarë”- u shpreh mes të tjerash avokati i Metës, Kujtim Çakrani.
Cakrani theksoi se gjykata është e bindur nga dikush tjetër, teksa i ka përmendur edhe disa vendime të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që janë në dëm të shtetit shqiptar dhe vetë drejtësisë.
I pyetur në lidhje me kontrollet në paraburgimin ku ndodhet Ilir Meta, avokati i tij tha se presidenti i PL-së nuk mposhtet pavarësisht intimidimeve dhe presioneve.
“Meta ka prej ditësh në një presion ku komisioni i disiplinës në paraburgimin Jordan Misja e ka privuar nga disa aktivitete. Zoti Meta është aty do të përballet me komisionin e të gjithë. Meta është një individ që nuk mposhtet kollaj, këtë duhet ta dinë të gjithë nëse përdorin mjetet e persekutimit për të intimiduar dhe për të bërë zotin Meta të dalë nga vetja e kanë gabim. Meta do përballet me të gjithë këta. Çështja McGonigal, Yuri Kim e Soros, do të marrë fund kjo histori”, tha avokati.
Pak ditë më parë presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka bërë ankim në Gjykatën Kushtetuese ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë që e la atë në arrest me burg.
Kjo nuk është e vetmja kërkesë e ish-presidentit Ilir Meta për liri. Kujtojmë se ai i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese ku kërkon shfuqizimin si antikushtetues të vendimit të 27 shkurtit të Gjykatës së Lartë që e la në masën e sigurisë arrest me burg si dhe prishjen e vendimeve edhe në shkallët më të ulëta, atë të Apelit të Gjykatës së Posaçme më 19 nëntor 2024 dhe të Shkallës së Parë më 20 dhe 23 tetor 2024.
Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për “korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë”.
Nga Gazeta Si – Në prag të sezonit të 23, Lebron James vazhdon të luajë në nivele të larta që përcaktojnë standarte. Ndërsa të tjerë ulin ritmin ose mbyllin llogaritë me basketbollin, James garanton shifra dhe impakt në kampionat si pak te tjerë. Ndaj kur shikon se Warriors, Mavericks, Cavaliers dhe Clippers interesohen për të, nuk është surprizë.
– Warriors: Skuadra me Super IQ – Lebron nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për të luajtur me Steph Curry-n. Shto Draymond Green dhe Jimmy Buttler dhe sapo ke krijuar një formacion betejash inteligjente, testuar me sukses në parket.
– Mavericks: Ribashkimi i kampionëve – Eshtë normale që Dallas kërkon ta marrë Lebron James. Ai ka fituar tituj me Kyrie Irwing dhe Anthony Davis. Kimia e tyre eshtë e provuar tashmë. Nëse shton dhe Cooper Flagg (zgjedhja nr 1 në Draft), ke ndërtuar një forcë shkatërruese në Perëndim.
– Cavaliers: Vallëzimi i fundit – Rikthimi në Cleveland është një poezi në lëvizje. Skuadra e filloi furishëm sezonin e kaluar por ndjeu mungesën e një Leader-i veteran, atëherë kur duhej më shumë. Lebron rikthehet në shtëpi për një tjetër titull? Drithërima!
– Clippers: Rruga e shkurtër në LA – Të zgjedhë Kwahi-n, Harden dhe Zubac – Lebron do të plotësontë një skuadër pretendente. Një formacion fitues që ndoshta do të ketë nevojë vetëm për një element tjetër.
Gazeta Si – Inspektorët tatimorë prej disa ditësh janë në terren për të sekuestruar çdo produkt bujqësor apo blegtoral që jepet pa faturë duke nisur që nga shishet e qumështit.
Në një reagim të fundit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën me dije se brenda 3 ditëve të para janë sekuestruar 20 ton mallra të cilat jepeshin pa faturë në 87 subjekte që janë inspektuar deri më tani.
“Vazhdon me intensitet aksioni për formalizimin dhe përmirësimin e sigurisë ushqimore në tregun e produkteve bujqësore dhe blegtorale, nga strukturat e Administratës Tatimore dhe Ministrisë së Bujqësisë.
Rezultatet e 3 ditëve të para tregojnë qartë nevojën për formalizimin e plotë të këtij sektori, si një garanci për cilësinë, sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit. Ftojmë të gjithë tatimpaguesit të zbatojnë ligjin duke lëshuar faturë fiskale në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor, për të siguruar gjurmueshmëri dhe transparencë nga prodhuesi te konsumatori”- thuhet në detajet e dhëna nga Tatimet.
Ky operacion synon formalizimin e tregjeve ushqimore dhe luftimin e konkurrencës së pandershme.
Ministrat Petrit Malaj dhe Anila Denaj kanë paralajmëruar inspektime në terren, ndërsa të gjitha produktet pa dokumentacion do të konfiskohen dhe subjektet tregtare në shkelje do të ndëshkohen me gjobë.
Aksioni vjen pas një fushate sensibilizuese dyjavore dhe është pjesë e masave më të gjera të qeverisë për kontrollin e informalitetit në ekonomi.