Gazeta Si – Fushata e rivlerësimit të pronave do të nisë nga 1 janari i vitit 2026. Tatimi që do të paguhet në rast të shit-blerjes së pronave propozohet të jetë në masën 5 për qind. Ministria e Financave ka hedhur në Konsultim Publik projektligjin “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”.
“Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme kanë të drejtë që, nga data 1 Janar 2026 deri në datën 30 shtator 2026, të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut. Kërkesat për rivlerësim të dorëzuara pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, të cilat nuk janë procesuar brenda datës 30 shtator 2026,konsiderohen si objekt rivlerësimi sipas këtij ligji, në rast se pagesa e tatimit për to bëhet deri në datë 31 dhjetor 2026″, – thuhet në projektligj.
Ligji do të përfshijë edhe pasuritë që janë në proces regjistrimi apo legalizimi, ndërsa për subjektet juridike do të kërkohet rivlerësim nga ekspertë të licencuar.
“Përmes këtij procesi, pritet të rriten të ardhurat tatimore dhe të garantohet një trajtim më i drejtë fiskal mbi pasuritë e paluajtshme. Ligji përfshin gjithashtu rivlerësimin e pasurive në proces regjistrimi dhe përcakton procedurat për dorëzimin e kërkesave, llogaritjen e tatimit dhe pagesën përkatëse”.
Rritja e vazhdueshme e çmimeve të banesave është një nga arsyet kryesore që ka shtyrë qeverinë të ndërmarrë këtë hap.
Në 13 vitet e fundit janë bërë 5 rivlerësime pronash dhe të gjitha kanë ndodhur përpara zgjedhjeve vendore ose të përgjithshme parlamentare, me tarifa që kanë variuar nga 1 për qind në vitin 2011 në 3 për qind dy rivlerësimet e fundit.
Gazeta Si – Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shpalli fajtore ish-drejtoreshën e ARRSH-së, Sonila Qato për shkelje të barazisë në tendera dhe e dënoi me 6 muaj burgim.
Por sipas Kodit Penal, ish-drejtueses së Autoritetit Rrugor Shqiptar do t’i pezullohet ekzekutimi i dënimit me burgim duke iu konvertuar në 60 orë punë në komunitet.
Në lidhje me të njëjtën dosje, GJKKO shpalli të pafajshëm gjashtë të pandehur, ndërsa tre të tjerë patën të njëjtin fat me Qaton, pra u dënuan me nga gjashtë muaj burgim, por që u konvertohet në 60 orë punë në komunitet.
Prokuroria e Posaçme nisi hetimin ndaj ish-drejtoreshës së ARRSH-së pas shkeljeve për tenderin për ndërtimin e rrugës Kardhiq-Delvinë. Sipas SPAK, Qato dhe vartësit e saj favorizuan një shoqëri në hije për tenderin e tunelit të Skërficës.
Shoqëria e favorizuar ishte krijuar formalisht në mënyrë që të fitonte procedurën, por në të vërtetë punimet do kryheshin nga një tjetër kompani, që referuar hetimeve ishte e paracaktuar nga drejtuesit dhe zyrtarët e ARRSH.
Sonila Qato dhe të pandehurit e tjerë në procesin e zhvilluar me procedurë të zakonshme, kanë mohuar akuzat e SPAK dhe kërkuan pafajësi, por vetëm një pjesë e tyre arriti ta marrë
Nga Gazeta Si – “FIFA e bën rrugë”, mbyll sërish 20% të tribunave në Arenën Kombëtare për eleminatoren ndaj Letonisë dhe dënon FSHF me një gjobë prej 161.500 frangash zvicerane. FSHF njoftoi se ky vendim është marrë – “për shkak të sjelljeve të përsëritura të papërshtatshme dhe diskriminuese të një pjese të tifozëve shqiptarë (këngë me përmbajtje diskriminuese, hedhje objektesh, ndezje fishekzjarrësh, përdorimi i gjesteve apo mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive, si dhe ndërprerje gjatë himneve kombëtare) në eleminatoren ndaj Serbisë më 7 Qershor. Edhe ndeshja ndaj Serbisë pati të njëjtin fat, ku 20% e stadiumit kombëtar u mbyll për tifozërinë duke u lënë në dispozicion të grupimeve të ndryshme për barazi gjinore. I menjëhershëm ishte dhe reagimi i Tifozëve Kuqezinj (në një konflikt të hapur me FSHF) – “Një herë vendosen ta eliminojnë TKZ-në nga shpërndarja e biletave dhe ja rezultati: 161.500 euro dënim. Ky dënim kaq i madhë në vlerë monetare nuk ka ndodhur asnjëherë, as kur të gjitha tifogrupet kanë qenë në stadium prezent.Ky është “menaxhimi i kontrolluar” i biletave nga ana e FSHF-së. Kjo është pasqyra e vërtetë e politikës ndaj tifozëve të saj besnik“.
Gazeta Si – Pamjet tronditëse që tregojnë një avion të vogël teksa rrëzohet në njërën nga dy korsitë e autostradës Ospitaletto-Montichiari, e njohur si Corda Moll në provincën e Breshias në Itali, janë publikuar në mediat sociale.
Aksidenti, ku mbetën të vdekur mes flakëve çifti nga Milano Sergio Ravaglia dhe Anna Maria De Stefano u regjistrua mëngjesin e djeshëm dhe mrekullisht shpëtoi nga përplasja një 56-vjeçar, i cili udhëtonte me automjetin e tij “Mazda” drejt Venecias.
“Jam mirë”, u tha ai i tmerruar atyre që e ndihmuan pasi ndodhej në gjendje shoku dhe makina e tij dukej qartazi e dëmtuar pasi ishte prerë nga avioni që rrëzohej.
Mediat italiane raportojnë se avioni i vogël humbi lartësinë, u rrëzua në tokë dhe menjëherë u përfshi nga flakët mes automjeteve që kalonin.
Avioni ishte ngritur nga Gragnano Trebbiense, në provincën e Piacenzës, por çifti që udhëtonte me të nuk pati asnjë shans për të shpëtuar. Ata u dogjën për vdekje brenda avionit, i cili u përfshi nga flakët menjëherë pasi u përplas në pistë.
Enzo Bregoli po shkonte poshtë Corda Molle, drejt Montichiari-t, gati për të dalë në kryqëzimin e Azzano Mella-s dhe ai pa gjithçka
“Kisha filluar të ngadalësoja. Dhe vura re aeroplanin që vinte nga e djathta: po fluturonte ulët, po, por nuk dukej se ishte në telashe. Jo deri në atë moment. Pastaj vura re se lartësia po binte vërtet, 30-20 metra. Nuk do ta mohoj se isha i shqetësuar. Papritmas, piloti dukej se humbi kontrollin. Avioni u rrotullua dhe ra drejt e poshtë në rrugë, me hundën përpara, vertikalisht. Nëse do të ishte përpjekur të kthehej… mund të më kishte goditur mua. Në momentin që avioni goditi asfaltin, menjëherë shpërtheu në flakë”, rrëfeu ai.
Gazeta Si – Të martën, parlamenti njëdhomësh i Ukrainës miratoi një ligj që shkaktoi protestat e para të mëdha kundër presidentit Volodimir Zelenski që nga fillimi i pushtimit rus më shumë se tre vjet më parë.
Ligji u kontestua shumë si për prezantimin e tij, me amendamente që shtrembëruan tekstin origjinal, ashtu edhe veçanërisht për implikimet e tij.
Ligji eliminon autonominë e agjencive anti-korrupsion, duke i nënshtruar ato një kontrolli më të madh politik, në një kohë kur Zelenski tashmë akuzohet nga opozita dhe media për centralizimin e më shumë pushteteve.
Lufta kundër korrupsionit është një çështje shumë e ndjeshme në Ukrainë. Agjencitë u krijuan si rezultat i protestave pro-evropiane të njohura si “Euromaidan”, të cilat filluan në vitin 2013 dhe çuan në largimin e presidentit pro-rus, Viktor Janukoviç.
Është gjithashtu një çështje qendrore në negociatat për pranimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, një vend kandidat që nga viti 2022.
Protesta në Kiev më 22 korrik
Ligji e rrezikon këtë proces, sepse është në kundërshtim të plotë me rekomandimet e Komisionit Evropian, i cili ka shprehur shqetësim për miratimin e tij.
Ligjifillimisht kishte një përmbajtje krejtësisht të ndryshme (ishte një ndryshim në Kodin Penal për të rregulluar hetimet paraprake gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, në fuqi që nga fillimi i luftës), por siç u përmend, ai u ndryshua në minutën e fundit, përmes një procedure të përshpejtuar.
Ndryshimet u mbështetën nga partia “Shërbëtori i Popullit” e Zelenskit dhe pasoja e tyre kryesore është vendosja e Agjencisë Kombëtare Kundër Korrupsionit (NABU) dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar Kundër Korrupsionit (Sapo), të cilat deri më tani kishin qenë të pavarura, nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Prokurorit të Përgjithshëm: një figurë e caktuar nga presidenti dhe subjekt i një emërimi politik.
Ligji rrit kompetencate Prokurorit të Përgjithshëm, duke i dhënë atij prerogativa që më parë i mungonin. Ndër të tjera, i lejon atij të hyjë në dosjet e agjencive; të heqë hetimet prej tyre, t’i ricaktojë ato ose edhe të urdhërojë mbylljen e tyre.
Parlamenti ukrainas gjatë seancës së tij më 17 korrik
Sipas drejtorëve të NABU-s dhe SAPO-s, kjo minon pavarësinë e tyre duke i bërë aktivitetet e tyre subjekt të autorizimit të qeverisë.
“Kjo do të thotë që zyra e Zelenskit do të jetë në gjendje të ndalojë hetimet me një telefonatë”, përmbledh gazeta ukrainase në gjuhën angleze, “Kyiv Independent”, e cila kohët e fundit e ka akuzuar presidentin për një prirje autoritare. Prokurori aktual është Ruslan Kravchenko, i konsideruar i afërt me Zelenskin.
Autonomia e agjencive antikorrupsion është një nga kushtet e vendosura nga Komisioni Evropian për anëtarësim në Bashkim.
Në raportin e tij të fundit vjetor mbi progresin e vendit në negociata, ai i vitit 2024, Komisioni bëri thirrje për një zgjerim të kompetencave hetimore të NABU-s dhe SAPO-s, duke përfshirë edhe mbi anëtarët e parlamentit, dhe vlerësoi pavarësinë e tyre institucionale.
Ligji i miratuar të martën dhe i nënshkruar nga Zelenski, minon të dyja këto aspekte. Popullsia ukrainase është në favor të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe kritikët e kanë quajtur ligjin “një tradhti”. Disa parlamentarë kanë njoftuar se do të apelojnë në Gjykatën Kushtetuese.
Hija e Zelenskit gjatë udhëtimit të tij në Romë për konferencën mbi rindërtimin e Ukrainës, më 10 korrik të vitit të kaluar
Sipas gazetës “Kyiv Independent”, masa është emblematike e përpjekjes së presidentit “për të dobësuar institucionet demokratike për të zgjeruar pushtetin e tij personal”. Të tjera, madje edhe kohët e fundit, janë kritikuar nga aktivistët dhe opozita për të njëjtën arsye.
Së pari, ligji u miratua pas një operacioni të madh nga shërbimi i inteligjencës ruse (SBU) kundër agjencive antikorrupsion.
Të hënën, u kryen kontrolle të gjera në zyrat e NABU-s pa urdhër-arrestidhe ndërsa drejtorët e tyre ishin jashtë vendit.
Kontrollet u justifikuan nga prania e mundshme e infiltrimit rus dhe një hetues i agjencisë u arrestua me këtë akuzë.
Megjithatë, sipas mediave, operacioni ishte gjithashtu një mjet frikësimi, pasi disa nga kontrollet u motivuan nga preteksti i shkeljeve të trafikut prej kohësh.
Njerëz që brohorasin ndërsa mbajnë banderola gjatë një proteste kundër një ligji që synon institucionet antikorrupsion në qendër të Kievit, Ukrainë
Dy nga OJQ-të kryesore kundër korrupsionit në Ukrainë, Qendra e Veprimit Anti-Korrupsion dhe AutoMaidan, kanë pohuar se bastisjet ishin hakmarrje për hetimet ndaj disa prej aleatëve të Zelenskit, veçanërisht zëvendëskryeministrit, Oleksiy Chernyshov.
Chernyshov ishte akuzuar për korrupsion në fund të qershorit, por nuk u zëvendësua në riorganizimin e fundit të kabinetit.
Opozita e kritikoi riorganizimin, duke e parë atë si një konsolidim të mëtejshëm të pushtetit të Zelenskit, i ngjashëm me atë të mëparshëm në shtator 2024 dhe shkarkimin e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Valery Zaluzhni, i cili ndodhi për shkak të mosmarrëveshjeve me presidentin.
Sipas tyre, kriteri për emërimet e reja ishte përsëri besnikëria politike ndaj Zelenskit dhe shefit të tij të fuqishëm të stafit, Andriy Yermak.
Incidente të tjera kanë dalë në javët e fundit. Qeveriahodhi poshtëemërimin, të rekomanduar nga një komision i pavarur, të kreut të ri të Zyrës për Sigurinë Ekonomike, një agjenci e ngarkuar, mes të tjerash, me hetimin e krimeve nga zyrtarët dhe në administratën publike.
Sipas raporteve të mediave, qeveria e shtyu emërimin me qëllim zgjedhjen e një kandidati tjetër, më të dëshirueshëm.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski shihet përmes një dere gjatë takimit të tij me të dërguarin special të SHBA-së për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg, në Kiev, Ukrainë, më 20 shkurt 2025
Qeveria është kritikuar gjithashtu për kontrollin e javës së kaluar të shtëpisë së Vitaliy Shabunin, aktivistit më të shquar kundër korrupsionit në vend dhe themeluesit të Qendrës së Veprimit Kundër Korrupsionit.
Pajisjet e tij digjitale u konfiskuan. Shabunin e karakterizoi hetimin si të motivuar politikisht, ashtu si edhe 59 OJQ-të që nënshkruan një letër drejtuar Zelenskit.
Në fjalimin e tij natën midis të martës dhe të mërkurës, Zelenski anashkaloi protestat, por tha se kishte folur me udhëheqësit e Nabu-s dhe Sapo-s.
Ai pohoi se “infrastruktura antikorrupsion do të vazhdojë të funksionojë, vetëm pa ndikimin rus”, duke përforcuar retorikën e qeverisë në lidhje me kontrollet.
Ligji ushtarak, i njëjti ligj që pengoi zgjedhjet e reja pasi mandati i Zelenskit skadoi në maj 2024 (gjithashtu i penguar nga arsye sigurie), tashmë i jep atij kompetenca të veçanta: është e mundur që presidenti e konsideroi këtë fazë, të karakterizuar edhe nga marrëdhëniet e përmirësuara me Donald Trump, të favorshme për dobësimin e agjencive, që ai identifikon me opozitën e tij të brendshme.
Gazeta Si – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka prishur këtë të mërkurë, më 23 korrik, vendimin e Shkallës së Parë për ish-deputetin e Partisë Socialiste, Alqi Bllako dhe e ktheu çështjen e tij për rigjykim.
Bllako ishte dënuar në 11 mars të këtij viti në Shkallën e Parë me katër vite burg lidhur me inceneratorin e Tiranës, dënim ky që zbriste në dy vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar, pasi u shpall fajtor për akuzën e korrupsionit në dy raste. Bllako e pati ankimuar vendimin dhe kërkonte nga Apeli lirinë.
Lidhur me çështjen e inceneratorit të Tiranës, Bllako dyshohet se ka përfituar 119 mijë euro në mënyrë të parregullt. Sipas SPAK, këto para i ka përfituar në dy raste pagesash.
Rasti i parë ka të bëjë me blerjen e një pajisjeje për biznesin e babait të tij, ndërsa rasti i dytë ka të bëjë me një pagesë që ka kërkuar për një punonjës të Ministrisë së Mjedisit, në mënyrë që të vijonte punën dhe të ndihmonte në procedurat koncesionare.
Ish-deputeti socialist është dënuar më herët me vendim të formës së prerë edhe për inceneratorin e Elbasanit me 2 vite e 8 muaj burg, ndërsa për inceneratorin e Fierit çështja është rikthyer për rigjykim nga Apeli në shkallë të Parë.
Gazeta Si – Ambasadorët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian i kanë dhënë “dritën jeshile” vijimit të negociatave me Shqipërinë për grupkapitullin e 5 që përfshin Bujqësinë dhe Kohezionin.
Ky është edhe grupkapitulli i fundit i negociatave të anëtarësimit për vendin tonë. Një reagim lidhur me këtë çështje është bërë edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili nënvizon se “Shqipëria nuk ndalet” sa i përket progresit të vazhdueshëm dinamik në rrugën e negociatave të anëtarësimit.
Rama konfirmoi se presidenca daneze e BE-së ka marrë autorizimin të ftojë Shqipërinë për të paraqitur pozicionin e saj negociues lidhur me kapitujt e fundit.
“Sot, më 23 korrik 2025, në vijim të progresit të vazhdueshëm e dinamik të Shqipërisë në rrugën e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Vendeve Anëtare të Bashkimit Europian autorizoi Presidencën Daneze të ftojë Shqipërinë për të paraqitur Pozicionin e saj Negociues për negociatat lidhur me kapitujt që përbëjnë Grupkapitullin 5 ‘Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni’”, – shkruan Rama.
Pritet që në fillim të muajit shtator të mbahet edhe konferenca e gjashtë ndërqeveritare për të shënuar hapin final zyrtar të hapjes së të gjithë kapitujve me qëllim anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në vitin 2030.
Kryeministri Rama ka deklaruar shpesh herë se synon që të përfundojë negociatat deri në vitin 2027 si dhe anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030.
Gazeta Si – Dy persona humbën tragjikisht jetën këtë të mërkurë në Bulqizë, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur, si pasojë e një aksidenti me makinë.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:15, në vendin e quajtur “Antena”. Sipas policisë të tre personat në fjalë udhëtonin me makinë, kur në rrethana ende të paqarta, automjeti doli nga rruga.
“Rreth orës 14:15, në vendin e quajtur “Antena”, në Qafë-Buall Bulqizë, një automjet tip “Nisan”, ka dalë nga rruga. Si pasojë e këtij aksidenti, kanë humbur jetën shtetasit B.Gj., dhe D.Gj, si dhe ka mbetur i dëmtuar dhe po transportohet në spital për ndihmë mjekësore shtetasi A.Gj. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të këtij aksidenti”, tha policia e Bulqizës në një njoftim paraprak për mediat.
Gazeta Si – Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka akuzuar pushtetin se janë duke ushtruar dhunë ç’njerëzore ndaj të burgosurit politik, Ilir Meta. Po ashtu, sipas kryedemokratit duhet të kryhet një hetim edhe ndaj rastit të Erion Veliajt.
“I kërkoj Avokatit të Popullit me urgjencë të marrë takim me të burgosurin politik Ilir Meta dhe të bëjë publike të gjitha qëndrimet çnjerëzore të urdhëruara nga Edi Rama dhe Ulsi Manja nga banditë me uniformë brenda institucionit të vuajtjes së dënimit ndaj ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të vendit”, tha Berisha.
“Por sot më duhet gjithashtu të denoncoj të dhëna që kam se ka sjellje çnjerëzore edhe ndaj të burgosurit ordiner, Erion Veliaj. Partia Demokratike ka bërë me dhjetëra e dhjetëra protesta për arrestimin e këtij delinkuenti, i cili është akuzuar as për 20 për qind të krimeve që ka kryer. Por, cilido qoftë i burgosuri, trajtimi i tij në përputhje me rregullat dhe kodin e trajtimit të të burgosurve, është standardi i domosdoshëm për çdo vend anëtar të Këshillit të Europës”, shtoi Berisha.
Gazeta Si – SPAK ka vendosur të zgjasë me tre muaj hetimin për kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci, pasi dyshohet se po hetohet për akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera”, në bashkëpunim me shtatë persona të tjerë.
Hetimi ndaj kryebashkiakut të Shkodrës është në kuadër të një dosjeje që lidhet me dyshime për parregullsi në procedurat e prokurimeve publike.
Benet Beci nuk ka reaguar ende publikisht mbi këtë zhvillim, ndërsa në paraqitjen e tij të mëhershme në SPAK, deklaroi se “do të flasë në momentin e duhur”.
Procedimi penal ndaj tij u regjistrua më 23 tetor 2024, ndërsa më 23 prill 2025, prokurori Dritan Prençi firmosi kalimin e tij në statusin e të pandehurit. Beci akuzohet për një tender me vlerë 700 mijë euro, dhënë në vitin 2019, me objekt një projekt kërkimor për zhvillimin strategjik të sektorit energjetik.
Përveç kryebashkiakut Beci, nën hetim ndodhen edhe disa zyrtarë të tjerë, që kanë qenë pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për tenderin në fjalë.
Para se të bëhej kryebashkiak (maj 2023), ai ka qenë drejtor në Fondin Shqiptar të Zhvillimit për 13 vite. Rol drejtues ka patur edhe në Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare.
Nga Gazeta Si – Ka lojtarë që shkruajnë historinë e futbollit, ndryshojnë jetën e tyre dhe gjithë të tjerëve që i rrethojnë. Por ky nuk është rasti i Ronaldo Luíz Nazário de Lima, që ndryshe njihet si “Ronaldo, Fenomeni”. Sulmuesi brazilian që luajti me Barcelonën, Inter dhe Real Madrid mes të tjerëve, i ka fillimet e tij në Cruzeiro ku mbërriti në vitin 1993 në moshën 17 vjeçare, për të debutuar në sezonin 93/94.
Por më herët, kur Ronaldo ishte një djalosh që luante si kushdo tjetër futboll. Gjë që ndodhi deri në momentin që Fernando dos Santos Carvalho (zbulues talentesh, pak më shumë se 20 vjeç), nuhati potencialin e R9. Fillimisht nëna e Fenomenit ishte kundër pasi jetonin në një lagje tjetër. Por Carvalho e bindi duke e ndjekur dhe i qëndruar pranë, kampionit të ardhshëm të Botës, madje shpesh edhe duke paguar shpenzimet e udhëtimit.
Nëse këto janë fillimet e Ronaldo brazilianite, ajo që të lë pa fjalë është jeta e zbuluesit të tij në ditët e sotme. Carvalho që aktualisht është 58 vjeç është i sëmurë, në varfëri dhe pa një shtëpi të tijën. Ai tregon se e ka kontaktuar disa herë për ta ndihmuar të blinte të paktën një paisje ndihmëse për të ecur. Madje duke udhëtuar deri në Sao Paolo, por Ronaldo nuk e kishte pritur. Madje mesazheve të tij, nuk i përgjigjen as të njohurit e brazilianit që drejtojnë bizneset e tij në Spanjë.
Një turiste 23-vjeçare holandeze ka humbur jetën teksa është rrëzuar aksidentalisht gjatë zbritjes me litar nga shkëmbi në vendin e quajtur “Gjiri i Filikur” në Himarë.
Policia e Vlorës thotë se dyshohet që gjatë zbritjes nga shkëmbi me litar, turistja M. B., 23 vjeçe, është rrëzuar aksidentalisht dhe ka marrë dëmtime serioze.
“Turistes iu dha ndihma e parë mjekësore dhe u transportua me ndihmën e Policisë Kufitare, por për shkak të dëmtimeve të marra ka ndërruar jetë”, tha policia vendore.
Gjithashtu, si pasojë e rrëshqitjes së disa gurëve në momentin e ngjarjes, është dëmtuar dhe po merr ndihmë mjekësore në spital, turistja tjetër franceze J. L., 18 vjeçe, e cila ndodhej në afërsi.
Me siguri njihni dikë që është prekur nga kanceri. Kjo sëmundje ndodh kur qelizat ndahen në mënyrë të pakontrolluar dhe mund ta sëmurin një person, ndonjëherë shumë rëndë.
Kanceri mund të ndodhë kudo në trup sepse çdo ind dhe organ përbëhet nga miliarda apo edhe triliona qeliza. Por ka disa pjesë të trupit ku kanceri ndodh shumë më rrallë, si zemra. Studimet tregojnë se vetëm 3 në 10,000 njerëz zhvillojnë kancer të zemrës. Në krahasim, 1 në 20 gra pritet të zhvillojë kancer gjiri. Pse ndodh kjo?
Unë jam biologe dhe jam e specializuar për enët e gjakut të sistemit kardiovaskular. Një pjesë e madhe e punës sime përqendrohet në mënyrën se si qelizat bashkëveprojnë me mjedisin përreth për të rregulluar funksionimin e indeve dhe organeve. Sëmundja mund të zhvillohet kur diçka nuk shkon mirë.
Qelizat e zemrës kanë veçori unike që i bëjnë jashtëzakonisht rezistente ndaj kancerit.
Si fillon kanceri
Qelizat prodhojnë më shumë qeliza për t’u rritur, për të zëvendësuar ato të vjetra ose të dëmtuara, apo për të riparuar inde të dëmtuara. Ky proces quhet ndarje qelizore. Çdo lloj qelize në trup ndahet me ritme të ndryshme, në varësi të disa faktorëve, përfshirë funksionin e saj dhe moshën e një personi.
Për shembull, qelizat e një embrioni njerëzor në zhvillim ndahen jashtëzakonisht shpejt, duke kryer katër ndarje brenda tri ditëve. Qelizat që formojnë lëkurën, thonjtë dhe flokët rigjenerohen vazhdimisht gjatë gjithë jetës. Qelizat e kockave ndahen me një ritëm të tillë që ju jep një skelet tërësisht të ri afërsisht çdo 10 vjet.
Nëse dhe sa shpesh ndahet një qelizë kontrollohet në mënyrë të rreptë nga një seri kontrollesh molekulare. Gjatë ndarjes, gjenet brenda ADN-së dyfishohen dhe ndahen në mënyrë të barabartë në dy qeliza bijë. Dëmtimet në këto gjene, të shkaktuara nga kimikate të dëmshme, drita ultravjollcë ose rrezatim, mund të rezultojnë në mutacione që çojnë në sëmundje. Mutacionet mund të ndodhin edhe rastësisht. Kur ndodhin te gjenet që rregullojnë ndarjen qelizore, mund të zhvillohet kanceri.
Çfarë i mbron qelizat e zemrës nga kanceri?
Edhe pse zemra është organi i parë që formohet dhe nis punën gjatë zhvillimit të hershëm, qelizat e saj në moshën e rritur ndahen shumë pak pas lindjes, dhe ndarja bie ndjeshëm pas moshës 20 vjeç. Në fakt, më pak se 50% e qelizave të zemrës zëvendësohen gjatë gjithë jetës mesatare të një njeriu. Kjo do të thotë se gjysma e qelizave të zemrës me të cilat lindni do të vazhdojnë të pompojnë gjak gjatë gjithë jetës suaj.
Ky ritëm i ulët ndarjeje qelizore në zemrën e rritur ndoshta është mbrojtja kryesore kundër kancerit. Sa më rrallë të ndahet një qelizë, aq më pak mundësi ka për gabime gjatë kopjimit të ADN-së.
Gjithashtu, zemra është më pak e ekspozuar drejtpërdrejt ndaj faktorëve që shkaktojnë kancer, si drita UV që prek lëkurën ose substanca të thithura në mushkëri, për shkak të pozicionit të saj të mbrojtur në kraharor.
Fatkeqësisht, ky ritëm i ulët ndarjeje ka edhe disavantazhet e veta, si aftësi e reduktuar për të riparuar apo zëvendësuar qeliza të dëmtuara nga sëmundjet, dëmtimet apo plakja.
Pse ndodh ende kanceri i zemrës
Edhe pse zemra është rezistente ndaj kancerit, tumoret mund të formohen përsëri. Kur gjendet kancer në zemër, zakonisht është rezultat i përhapjes së qelizave kancerogjene nga një pjesë tjetër e trupit, një proces që quhet metastazë. Disa lloje kanceri të lëkurës ose në zonën e kraharorit kanë më shumë gjasa të përhapen në zemër, edhe pse kjo është ende e rrallë.
Kur ndodhin, tumoret e zemrës mund të jenë shumë serioze dhe më agresive se llojet e tjera të kancerit. Një studim që analizoi më shumë se 100,000 raste me kancer në zemër në Shtetet e Bashkuara zbuloi se pacientët që u trajtuan me kirurgji dhe kimioterapi jetuan më gjatë sesa ata që nuk u trajtuan.
Trajtimi i suksesshëm i kancerit përfshin disa fusha të mjekësisë. Këto përfshijnë kujdesin paliativ, që përqendrohet në lehtësimin e dhimbjes dhe simptomave, si dhe mjekësinë integruese, që merr parasysh lidhjen mendje-trup-shpirt.
Kanceri i zemrës jep të dhëna për rigjenerimin e zemrës
Të kuptuarit se si ndahen qelizat e zemrës dhe çfarë e ndryshon këtë proces jep të dhëna për sëmundjet dhe ndihmon në formësimin e trajtimeve të reja.
Për shembull, kërkimet mbi ndarjen e qelizave të zemrës ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë më mirë pse zemra nuk shërohet mirë pas një ataku kardiak. Studiuesit zbuluan se, edhe pse zemrat e dobësuara kanë më shumë qeliza që ndahen sesa zemrat e shëndetshme, ato ende kanë nevojë për ndihmë për të shëruar plotësisht.
Teknologjitë e reja, si aftësia për të riprogramuar qelizat e gjakut në qeliza të zemrës, u kanë mundësuar studiuesve të krijojnë modele të reja për studimin e sëmundjeve të zemrës, me synimin që një ditë të arrijnë rigjenerimin e saj. Kjo hap dyert për trajtime të reja për sëmundjet e zemrës, përfshirë edhe kancerin.
Të kuptuarit pse nuk ndodh kanceri është po aq e rëndësishme për zhvillimin e trajtimeve të reja dhe më të mira sa edhe të kuptuarit pse ndodh. Përgjigjet e të dyja pyetjeve ndodhen, fjalë për fjalë, në zemër.
Nga Gazeta Si- Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka vendosur ditën e sotme se mandati i koalicionit ‘Nisma Shqipëria Bëhet’, i ka kaluar Kleana Xhuvelit.
Në mbledhjen e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, u vendos që dorëheqjet e kandidatëve për deputetë në listat e mbyllura të koalicionit, nuk ishin miratuar nga KQZ në heshtje, ashtu siç sipas tij ishte pretenduar.
Me këtë vendim u zgjidh edhe një ngërç i madh i krijuar mes drejtuesve të koalicionit, ku Lapaj si më i votuari i listës së hapur të koalicionit pretendonte ta merrte vetë mandatin, ndërkohë që vendin e deputetit e pretendoi edhe daja i Endri Shabanit, i cili pasi kishte dhënë dorëheqjen nga kandidimi në listën e mbyllur, e revokoi këtë. Pas tij e revokoi edhe Kleana Xhuveli, e afërmja e Lapajt.
“Përfundimi është se nuk mund të ketë dorëheqje nga kandidimi, pasi listat janë miratuar. Dhe kjo është kështu për çdo lloj shkaku. Kështu që duke qenë se Kleana Xhuveli është renditur para Zeqir Kordhonit në listën e mbyllur të koalicionit, i takon asaj të marrë mandatin e këtij koalicioni.
Gjithashtu, KQZ ka vendosur që mandatin e PSD në Tiranë ta marrë Tedi Mula.
Tedi Mula ishte më i votuari në listën e hapur të kësaj force politike në kryeqytet dhe zgjedhja e tij erdhi pasi PSD kërkoi ditën e sotme djegien e listës së mbyllur të Tiranës, kërkesë që u pranua nga KQZ.
Gazeta Si – Palestinezëve u kanë mbaruar rezervat, kanë shpenzuar paratë për të blerë atë pak që ka mbetur në tregun e zi. Fillimisht kanë filluar të zvogëlojnë porcionet në pjata, pastaj kanë hequr dorë nga një, pastaj nga dy vakte, dhe më në fund e kanë reduktuar të hanë vetëm një herë në ditë. Oriz ose thjerrëza. Asgjë më tepër.
Palestinezët janë dobësuar. Ngjyra e lëkurës ka ndryshuar, është bërë e zbehtë dhe e pluhurosur. Tani ka ardhur koha e asaj që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e quan “spektakli i tmerrit”.
Prej një jave shumë prindër po heqin dorë nga ajo pak që kanë për t’ia dhënë fëmijëve të tyre. Por asgjë nuk i ngop. Si në Etiopi në kohë thatësire, si në Burkina Faso në kohë urie, edhe nga Gaza po dalin foto fëmijësh me koka të mëdha mbi shpatulla të fishkura, me sy të humbur në zgavra që duken si kratere dhe me të gjitha brinjët në dukje. Duke vdekur nga uria.
“Është e papranueshme të lejosh hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza me pikatore”, kanë shkruar 28 vende perëndimore. Ja ku janë pikat: 18 kamionë në ditë kur duhen të paktën 500 të tillë për të ushqyer dy milionë palestinezë të burgosur në Rripin e Gazës.
Tmerri për të cilin flet Guterres është fakti që në Jordani ka magazina të mbushura me ushqime që nuk u shpërndahen banorëve të Gazës sepse Izraeli e ndalon.
Kardinali Pizzaballa, një burrë që mund të ishte bërë Papë, ka qenë dy ditë në Gaza pas bombardimit të kishës së vetme të mbetur të krishterë. I kthyer në Jeruzalem, tregoi se e kishte “zemrën të trazuar” për ato që kishte parë.
“Uria është e dukshme”, tha ai në një konferencë për shtyp. “E sheh në mënyrën si ecin njerëzit, të lodhur, të përkulur. E sheh në mënyrën si harrojnë gjërat, si duhet të ulen për të folur, si dremisin vazhdimisht të pafuqi. E sheh në mënyrën si fëmijët kërkojnë për të ngrënë, të dorëzuar, pa besuar se do të marrin ndonjë gjë.”
Dje spitalet e Gazës bënë bilancin: të vdekurit nga mungesa e ushqimit në 24 orët e fundit ishin 15. Një rritje e paprecedentë. Totali i turpit ka arritur në 101. Ndër viktimat e reja 11 ishin të rritur dhe vetëm 4 fëmijë. Kjo do të thotë që uria e shkaktuar nga dora e njeriut (sipas një përkufizimi të hapur nga Mjekët Pa Kufij) po shfaros edhe grupmosha të tjera.
Vetëm të hënën totali ishte 86, por vetëm gjashtë prej tyre ishin të rritur. Tmerri është që për të kërkuar ushqim, njerëzit po vriten. Më shumë se një mijë që nga fundi i majit, thotë Philippe Lazzarini, drejtori i UNRWA, agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë.
Njerëz të vdekur ndërsa prisnin në radhë për ndihmat pranë qendrave të shpërndarjes së organizatës famëkeqe GHF, Gaza Humanitarian Foundation. Vrarë nga plumbat apo bombat izraelite, por edhe nga shtypja ose goditjet e diellit gjatë pritjes për pakot ushqimore. Nuk është e çuditshme. Nuk është aksident.
Më parë, UNRWA nën drejtimin e Lazzarinit menaxhonte mbi 400 qendra të shpërndarjes së ndihmave. Tani GHF hap katër, me ndërprerje. Palestinezët janë të uritur dhe shtyhen për të kapur një pako.
Pastaj për shkak se brenda pakos ka miell, thjerrëza, vaj, biskota, peshk ton në kanaçe, ajo bëhet shumë e rëndë. Kutia çahet dhe duhet të ndalen për ta mbledhur.
Rreshti ndërpritet, njerëzit mbrapa shtyjnë, dikush kap një kuti, fillojnë sherret. Ushtarët izraelitë ose mercenarët amerikanë që janë në detyrë atje “ndihen të kërcënuar” dhe hapin zjarr.
Hapësira ku palestinezëve u lejohet të jetojnë është vetëm një e pesta e asaj që ishte më parë, por qendrat e fondacionit janë gjithsesi shumë pak. Palestinezët ecin me kilometra për të shkuar atje dhe, nëse arrijnë të marrin diçka, për t’u kthyer. Gjatë rrugës të tjerë të uritur u kërkojnë pjesë nga pakoja.
Nuk ka më ligj në Gaza. Në këtë kuptim, Izraeli ka fituar: ka eliminuar rregullin e vendosur nga Hamasi, por rezultati është ky tmerr.
“Pakot arrijnë vetëm tek më të fortët”, shpjegon Mara Bernasconi, sapo është kthyer nga Gaza. “Gratë dhe të moshuarit janë praktikisht të përjashtuar nga shpërndarja e GHF-së”.
Bernasconi punon për OJQ-në franceze Humanity & Inclusion – Handicap International, fituese e Çmimit Nobel për Paqen për luftën kundër minave: “Ne kemi punuar gjithmonë shumë me personat me aftësi të kufizuara. 80 për qind nuk kanë më as paterica e as karrocë, si mund të luftojnë për një pako? Po shuhen thjesht ngadalë”.
Iba është një teknike palestineze e protetikës që ka punuar gjatë me këtë OJQ. E martuar, 34 vjeç, flet në telefon me një fije zëri: “Kemi ende ca thjerrëza që ua japim vajzave tona. Janë dy dhe gjashtë vjeç, çfarë të bëjmë? T’i lëmë të vdesin? Sa herë që dal nga shtëpia nuk e di nëse do t’i gjej ende gjallë.
Mund të vriten nga një bombardim ose mund të jem unë ajo që bie nga uria. Tani për tani unë dhe burri im po mbijetojmë me një lugë kripë dhe një lugë sheqer. Kanë kaluar ditë të tëra kështu. Kam frikë se mos fikem kur ec më shumë se dhjetë metra”.
Diego Regosa është aktualisht në qytetin Deir al-Balah, “zona humanitare” që u sulmua nga Izraeli të hënën. Ai punon për OJQ-në Cesvi. Nuk ka dyshime: “Popullsia është totalisht në kufijtë e mbijetesës, nuk po arrijmë as të gjejmë ujë” sepse Izraeli ndalon edhe hyrjen e karburanti.
“E njoh Sharaq që prej vitesh”, shpjegon Bernasconi. “Peshonte të paktën 90 kilogramë, është ‘menaxheri i zonës’ sonë. Tani peshon më pak se 60 dhe flokët i janë zbardhur menjëherë. E pashë në Zoom. Nuk e njoha”. Show horror!
Deti Adriatik është një magnet për anijet e udhëtimit. Anijet janë plot me turistë që janë të gatshëm të eksplorojnë brigjet e tij. Por ky fluks është një e mirë dhe një e keqe për rajonin.
Një gjë është e qartë: industria e lundrimit nuk tregon shenja të ngadalësimit. Në vend të kësaj, ajo vazhdon të riformësojë ndikimin e saj, sezon pas sezoni, duke sfiduar portet për të pajtuar ambiciet e tyre me nevojën për të ruajtur hijeshinë e tyre historike dhe natyrore. Koha po mbaron për këto destinacione për të siguruar që komunitetet lokale dhe ekosistemet e brishta të përballojnë koston e kësaj rritjeje turistike.
Sipas të dhënave, vizitat e anijeve turistike në Adriatik janë vendosur të rriten me gati 6% këtë vit krahasuar me 2024, me numrin e pasagjerëve që rritet me rreth 4%. Gjatë periudhës 2024-2026, investimet që synojnë të kapin më shumë nga ky treg parashikohen në afro 400 milionë euro. Portet që konkurrojnë për një pjesë të kësaj tregtie fitimprurëse kanë pak vend për të manovruar nëse shpresojnë ta kthejnë këtë fluks në fitim pa shkaktuar dëm.
Yjet në zhvillim të Adriatikut: Bari dhe Saranda
Si autoritetet publike ashtu edhe sipërmarrësit privatë, të mbështetur nga operatorë ndërkombëtarë, po dyfishojnë turizmin e kroçerave. Shumica e të ardhurave dhe trafikut të pasagjerëve rrjedhin në vetëm 20 porte të Adriatikut, ata që dominojnë skenën. Megjithatë, lojtarë të rinj po shfaqen, duke tronditur rendin e vendosur. Bari, Mali i Zi, ka parë një rritje marramendëse prej 203% të pasagjerëve në krahasim me vitin 2024, ndërsa Saranda, Shqipëri, krenohet me një rritje edhe më dramatike prej 260%. Saranda, në veçanti, është gati të rivizatojë hartën e lundrimit, duke sfiduar pritshmëritë për një port që, midis 2022 dhe 2024, priti pak më shumë se 30 lundrime në vit.
Loredana Sulaj, shefe e komunikimit në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, ia atribuon ngritjen e portit një “fluks të konsiderueshëm turistësh, veçanërisht nga Franca, Belgjika, Gjermania, Britania e Madhe dhe Spanja”.
Ajo tregon për përmirësime më të gjera, duke e lidhur bumin me “zhvillimin e infrastrukturës turistike dhe promovimin e aktiviteteve ekonomike në rajon”. Më shumë kroçera, argumenton Ministria, përkthehen në qëndrime më të gjata dhe të ardhura më të larta. Por Sulaj është i shpejtë për të shtuar një paralajmërim: qëndrueshmëria është e panegociueshme. “Strategjia e Turizmit 2024-2030” e Shqipërisë, e krijuar me të dhëna nga INSTAT, përfshin masa të synuara për të balancuar përfitimet ekonomike me mbrojtjen e mjedisit dhe komunitetit.
Të dhënat nënvizojnë nevojën për përqendrim në Durrës, ku vizitat e anijeve turistike u trefishuan nga viti 2023 në 2024. Porti tashmë trajton mbi 820.000 pasagjerë në vit, së bashku me 96,000 automjete, 4.07 milion ton ngarkesë dhe më shumë se 145,000 kontejnerë. Terminali i tij i pasagjerëve po kalon një përmirësim të madh për të mbajtur ritmin.
Duke parë përpara, projekti ambicioz “Durres Yachts & Marina”, i mbështetur nga Eagle Hills me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, synon të transformojë qytetin në një qendër luksoze udhëtimi dhe tregtie. Për disa, kjo është një ëndërr; për të tjerët, një makth i afërt. Miratime të përshpejtuara kanë lënë mënjanë kritikët, por administrata vendore është e vendosur, nuk dëshiron të lejojë që Durrësi të shndrrohet nga portet rivale të etur për të tërhequr investitorë dhe linja lundrimi. Nga ana tjetër, Vlora po sfidon Durrësin.
Ravenna: një mision ambicioz
Nga ana italiane, Ravenna po përgatitet për vitin 2026 me një terminal të ri detar në Porto Corsini, duke synuar të përfitojë nga dobësitë e Venecias. Projekti prej 56 milionë eurosh, me 6 milionë euro nga Autoriteti Portual dhe mbi 50 milionë euro nga Royal Caribbean, përfshin një strukturë dykatëshe prej 5000 metrash katrorë me shtretër dhe shërbime të përmirësuara. Ravenna, e cila aktualisht trajton deri në 270.000 pasagjerë lundrimi në vit, synon 400.000 që nga fillimi – një qëllim që Legambiente e quan tepër ambicioz.
Piero Bucchi, një përfaqësues i Legambiente që ka ndjekur projektin e Porto Corsini që nga fillimi i tij, paralajmëron për një krizë të afërt. “Kjo rrezikon të dërrmojë Ravenna me trafik pa sjellë përfitime për komunitetin, ekosistemin apo edhe turizmin,” thotë ai. Manovrat burokratike dhe premtimet e mëdha, argumenton ai, kanë errësuar të metat e projektit. “Porto Corsini është një rrugë pa krye. I gjithë trafiku do të kalojë përmes një rruge tashmë të mbingarkuar, pa asnjë shenjë të zgjidhjeve të premtuara të infrastrukturës.”
Legambiente vë në pikëpyetje edhe përmbysjen ekonomike. “Statistikat e fluksit të pasagjerëve janë mashtruese,” shpjegon Bucchi. “Shumica e pasagjerëve të lundrimit dërgohen në Venecia, Comacchio, Maranello ose San Marino në ekskursione të rezervuara paraprakisht. Zona përreth, brenda një rrezeje prej 7 kilometrash, nuk sheh pothuajse asnjë përfitim.” Operatorët lokalë i bëjnë jehonë këtij zhgënjimi. “Asgjë konkrete nuk është bërë për të tërhequr pasagjerët e lundrimit në restorantet dhe dyqanet tona,” thotë një restorant. “Ata kalojnë me nxitim para vitrinave tona, duke iu përmbajtur itinerareve të ngushta dhe të parapaguara.”
LOCATION për vendndodhje të reja
Pas disa vitesh, të dhënat do të zbulojnë nëse kritikët e Ravenës janë thjeshtë alarmues apo parashikues. Tani për tani, shqetësimet e tyre shërbejnë si një paralajmërim për portet e tjera të Adriatikut, nga Durrësi e deri më gjerë. Bumi i lundrimit nuk ka të bëjë vetëm me pasagjerët dhe fitimet – ka të bëjë me atë se kush e menaxhon atë dhe kush e ka ndikimin e tij. Bashkimi Europian e ka njohur prej kohësh këtë, duke nisur iniciativa ndërrajonale si LOCATION, të financuara nga politika e kohezionit, e cila u zhvillua nga 2014 deri në 2020.
Me 3 milionë euro dhe 40 masa për të rritur përfitimet ekonomike për komunitetet bregdetare, LOCATION trajtoi brishtësinë urbane të porteve si Lisbona, Malaga, Trieste, Rijeka, Zadar, Ravenna dhe Durrësi. Nuk pati gjithmonë sukses, por vuri në pah një çështje kritike të injoruar shumë shpesh. Porteve iu kërkua të adoptonin një vizion afatgjatë. Disa ia vunë veshin thirrjes; të tjerët mbetën prapa. Por askush nuk mund të thotë se nuk ishin paralajmëruar./Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa
Nga Gazeta Si- Fruti i pasionit, guava, fruti i dragoit ose kiëano, ndryshimi i klimës po i nxit fermerët shqiptarë të fillojnë të kultivojnë fruta ekzotike për t’i shitur në Europë.
Ferma e vogël e agronomit veteran Irakli Shkoza, jo shumë larg detit në Shqipërinë qendrore, është një lloj Kopshti i Edenit në diellin e Adriatikut.
Me temperaturat që rriten çdo vit, Shkozës i lindi ideja për të diversifikuar prodhimin në vitin 2019, në një kohë kur bashkëmoshatarët e tij do të kishin qenë prej kohësh në pension.
75-vjeçari solli fillimisht farat nga Afrika dhe Amerika dhe i mbolli në parcelën e tij prej dy hektarësh.
Të gjitha bimët janë përshtatur shumë mirë me klimën e ngrohtë lokale.
I vendosur midis tokës bujqësore të valëzuar dhe detit, rajoni i Divjakës ishte ‘hambari’ i Shqipërisë, me fermerët që kultivonin perime dhe shalqinj për tregjet lokale dhe të eksportit.
Planeti në ngrohje ndryshoi planet
Por rritja e temperaturave dhe mungesa e punëtorëve kanë lënë gjurmën e tyre në ferma.
“Frutat ekzotike kanë nevojë për më pak ujë dhe mirëmbajtje, gjë që i bën kostot e prodhimit më të ulëta”, tha Shkoza.
Klima tipike mesdhetare e Shqipërisë, me verë të nxehtë dhe të thatë dhe dimra të butë, ka ndryshuar për shkak të ngrohjes globale.
Deri në fund të shekullit, temperaturat mesatare në Ballkanin Perëndimor parashikohet të rriten midis 3.5 dhe 8.8 gradë Celsius, bazuar në një studim të vitit 2022, duke supozuar se emetimet e gazrave serrë nga mesatarja deri në të larta do të vazhdojnë.
“Valët e nxehtësisë ndoshta do të dëmtojnë rendimentet e të korrave, veçanërisht në Shqipëri, ku temperaturat mesatare janë më të larta gjatë verës”, sipas studiuesve Daniel Muller dhe Max Hofmann nga Instituti Leibniz i Zhvillimit Bujqësor në Ekonomitë në Tranzicion.
Por ndryshimi i klimës nuk ka pse të jetë plotësisht katastrofik, tha Shkoza, nëse përshtatemi për të përfituar prej tij.
“Fermerët shqiptarë duhet të fillojnë të prodhojnë shumë fruta ekzotike për të përfituar nga klima e tyre e favorshme”, këmbënguli ai.
“Këto fruta janë shumë të kërkuara në tregun europian, por ato vijnë nga larg, Amerika Latine, Azia Juglindore, Zelanda e Re, Australia.”
“Transporti i tyre në Europë ka një kosto, si financiare ashtu edhe në aspektin e freskisë. Nëse do të vinin nga Shqipëria, jo vetëm që do të ishin më të lira, por do të ishin edhe më të freskëta”, argumentoi agronomi Altin Hila.
Papajat që gjenden në tregjet europiane mblidhen ndërsa janë ende të gjelbra dhe më pas sillen në Europë ku piqen artificialisht”, thotë Vasil Nikolovski, menaxher prodhimi nga Maqedonia e Veriut i cili ka punuar në Divjakë për disa vite.
“Këtu, ato mund të piqen në pemë,” shtoi ai.
“Shqipëria ka kapacitetin për të përmbushur kërkesat e tregut europian dhe me eksportet e frutave ekzotike mund të bëjë një xhiro prej 100 deri në 200 milionë eurosh në vit.”
Shkoza tashmë po eksporton fruta dragoi, fruta pasioni dhe ‘pepinos’, ose dardha me pjepër që vijnë nga Amerika Latine, në tregjet europiane.
Me fermerë të tjerë në rajonin e Divjakës, ai kohët e fundit dërgoi 30 ton kiëano, i njohur edhe si kastraveci afrikan, te blerësit në Kroaci.
“Dhe korrja e këtij viti duket se do të jetë e bollshme,” tha ai duke parë sythat në lulet e tij të frutave të dragoit.
Rreth 55 kilometra në perëndim pranë Elbasanit, Lulzim Bullari ka filluar të kultivojë kivi.
“Nuk mund të ankohemi për temperaturat e larta, prodhimi i kivit në dy vitet e fundit ka qenë një bekim,” i tha ai AFP-së duke qëndruar në mes të 40 hektarëve të tij me pemishte.
Kivit që ai kultivon janë pothuajse ekskluzivisht për eksport në Zvicër dhe Holandë.
Kohët e fundit, Bullari ka filluar të kultivojë edhe fiq nga Afrika e Veriut, të cilët janë shumë rezistentë ndaj klimës së butë të dimrit, në rreth 15 hektarë.
“Fati i favorizon të guximshmit dhe duhet të vraposh për ta kapur atë,” tha Bullari.
Gazeta Si – Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë duke dënuar me 2 vite burg në mungesë falë gjykimit të shkurtuar Aleksandër Lahon, i njohur si “Rrumi i Shijakut”.
Sipas hetimeve te SPAK, ka rezultuar se Aleksandër Laho i ka dhënë zyrtarit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku shumën prej 600 mijë lekë dhe i ka premtuar dhe 300 mijë lekë më shumë, me qëllim që të mos ushtronte ankim për një çështje pronesie.
Sipas SPAK, Laho e ka dhënë ryshfetin për mosankimin në Apel të një çështjeje lidhur me tjetërsimin e 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit.
Në atë kohë Lahos iu sekuestrua telefoni, nga ku rezultoi një video, ku ai po komunikonte me një zyrtar të avokaturës së shtetit për rastin korruptiv. Kjo është pranuar edhe nga Kërçuku, i cili është dënuar me 2 vite burg për akuzën e korrupsionit.
Pëllumb Muharremi i njohur edhe me emrin Aleksandër Laho, e “Rrumi i Shijakut”, ndodhet në kërkim prej disa vitesh nga SPAK për disa vepra penale.
Laho mbeti i plagosur në vitin 2019 në atentatin që iu bë prokurorit të Durresit asokohe, Arjan Ndoj, i cili nga shtatori që vjen do të jetë deputet i Partisë Demokratike.
Katër veterinerë, B. M., K. A., D. K. dhe E. L. kanë rënë në prangat e Policisë në Korçë, pasi dyshohet se matrikulluan 120 bagëti të imëta dhe gjedhë, të kontrabanduara.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se është shpallur në kërkim një 39-vjeçar që dyshohet se ka kontrabanduar bagëtitë dhe gjedhët nga Greqia, si dhe janë proceduar penalisht 3 shtetas që kanë mbajtur në stallat e tyre bagëtitë dhe gjedhët.
Sipas burimeve, prej 6 muajsh bagëtitë dhe gjedhët kontrabandoheshin nëpërmjet kufirit të gjelbër nga Greqia në Shqipëri, në drejtim të Devollit e më pas matrikulloheshin e hidheshin në treg.
Nga Gazeta Si – Pas pushimeve të shkurtëra, Formula 1 do të kthehet në pista me dy gara rradhazi. Ndërsa pilotët bëhen gati për Spa-Francorchamps, ka patur disa zhvillime në paddock … – Ndryshimet te Red Bull “2025 Belgian Grand Prix” do të jetë fundjava e parë në F1 që Red Bull nuk do të drejtohet nga Christian Horner si “CEO & Team Principal”. Ai do të zëvendësohet nga ish “Team Principal” i Racing Bulls, Laurent Mekies që ka një detyrë jo të lehtë për ndalimin e rënies së lirë të Red Bull. – Fokusi te shkëmbimi Verstappen-Russell Pas garës së fundit në Silverstone, u shtuan zërat për të ardhmen e Max Verstappen te Red Bull. Tani që emrat e rëndësishëm e kanë lënë skuadrën, situate bëhet më intriguese dhe në ditët e fundit të Horner në detyrë, emri i George Russell u përmend si një pasues i mundshëm nëse Max zgjedh të shkonjë te Mercedes në 2026. – Forma e Sauber “British Grand Prix” ishte një fund i lumtur për Nico Hulkenberg që gjeti të parin podium në karrierën e tij në Formula 1. Festimet e ligjshme në bokse dhe selinë qëndrore të Sauber në Zvicër duhet të shoqërohen me progresin e podiumit të parë në 13 vite edhe për skuadrën. Garanci për këtë janë 35 pikët e grumbulluara nga “Spanish Grand Prix” që e bëjnë skuadrën e 4 më të suksesshme në 4 garat e fundit.
– Momentum-i i Ferrari-t Scuderia nuk ka fituar asnjë garë në 2025 por në garat e fundit kanë gjetur drejtimin e duhur duke përfunduar me të paktën një makinë në top5 prej fundjavës në Imola. Duket se italianët kanë gjetur zgjidhjen e duhur për amortizatorët e pasëm, për të cilët janë ankuar shpesh si Charles Leclerc dhe Lewis Hamilton. 3 podiumet në 5 garat e fundit dhe vendi i 2 në klasifikimin e konstruktorëve, duken një hap pozitiv. – Cirkuiti që pëlqehet nga pilotët Ka diçka speciale në fundjavën e Formula 1 në Spa-Francorchamps. E vendosur në Ardennes, pista është sfiduese në balancimin e shpejtësisë së lartë dhe forcës së rëndesës në sektorin e mesëm dhe vëmendja menjëherë shkon në “Eau Rouge”, “Raidillon”, “Pouhon” dhe “Blanchimont”. Aftësia e shtuar për parakalime dhe pikëpyetjet për reshjet e shiut kanë ndikimin e tyre gjatë fundjavës ku një sektor është I tëri i thatë, ndërsa tjetri i mbuluar nga uji. Pa harruar që Spa-Francorchamps do të presë eventin Sprint, për të dytën herë. Një xhiro në Spa mjafton por më shumë garë, parakalime dhe aksion, e bëjnë atë akomë më speciale.