SPAK mbyll hetimet, Kryemadhi me një unazë në dorë: Nuk bashkëpunoj, do flas në gjykatë
Gazeta Si – Deputetja Monika Kryemadhi u paraqit mesditën e kësaj të marte në SPAK, ku u komunikua mbyllja e hetimeve në lidhje me akuzat e dosjes “Meta”, për të cilën ajo dhe nëna e saj janë marrë të pandehura.
Por para se të hynte në SPAK, Kryemadhi u shfaq para gazetarëve me një unazë në dorë dhe nuk kurseu batutat me ta. Ajo tha se po bën gati skenarin për filmin e radhës.
“Sapo e gjeta aty. Është me rubin, guri im i fatit. Do e çoj në SPAK ose do të paguaj avokatin me këtë. Do e ketë hedhur ndonjëra që është zënë dhe ka thënë nuk e dua unazën tate… Po bëj gati skenarin për filmin e radhës”.
E pyetur për mbylljen e hetimeve, Kryemadhi tha se nuk është dakord, por do të vijojë procedurat në gjykatë.
“Sot njihemi me mbylljen e hetimeve. Ne nuk jemi dakord do ta firmosim që të shkojmë në gjykatë dhe brenda 10 ditësh do të bëjmë memo. Nuk pyetem, 7 herë më kanë thirrur dhe nuk përgjigjem nuk bashkëpunoj me ta. Do flas në gjykatë. Është një procedurë që duhet bërë. Ata do bëjnë lojën e tyre, ne do të bëjmë lojën tonë. Unë e shoh veten time tabelë qitje për denoncimin e inceneratorëve”.
Në SPAK për t’u njohur me mbylljen e hetimeve pritej të paraqitej edhe Ilir Meta, prej 9 muajsh në qeli, por avokati i tij, Kujtim Cakrani ka kërkuar disa ditë kohë më argumentin se është me pushime.
Vetë Ilir Meta në një reagim në Facebook e quan procesin farsë, ndërsa thotë se vetëm sot u njoftua për tu paraqitur në SPAK, ndërkohë kur avokati i tij ishte larguar jashtë shtetit. Ndërsa vetë Kryemadhi tha se nuk do të thotë asnjë fjalë, por do të flasë vetëm në gjykatë.
“U lidha me avokatin tim, Kujtim Cakrani, i cili sot kishte kaluar kufirin dhe e kishte të pamundur për t’u paraqitur në SPAK në orën e komunikuar në mënyrë verbale nga një gardian. Ndaj duke qenë se prania e avokatit është e domosdoshme nga pikëpamja proceduriale do të paraqitemi në SPAK sa më parë avokati ta ketë të mundur”, shkruan Meta.
Tashmë që SPAK ka mbyllur hetimet, është gati të depozitojë në GJKKO dosjen që përfshiu tre hetime në një, aferën CEZ-DIA, skandalin e lobimit të LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Meta që prej 21 tetorit të kaluar ndodhet në arrest me burg, ndërsa Kryemadhi me detyrim paraqitje, të dy të akuzuar për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Kryemadhi-Meta, tashmë ligjërisht të divorcuar, akuzohen se ndër vite kanë ushtruar pushtetin e tyre për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme dhe kanë fshehur burimin e tyre duke përdorur edhe familjarët.
The post SPAK mbyll hetimet, Kryemadhi me një unazë në dorë: Nuk bashkëpunoj, do flas në gjykatë appeared first on Gazeta Si.