Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 July 2025Gazeta Si

Shkencëtarët paralajmërojnë se një lloji bakteri, rezistent ndaj antibiotikëve, po përhapet në Europë

24 July 2025 at 11:53

Nga Gazeta Si- Një lloj i ri bakteri që mund të shkaktojë infeksione serioze tek fëmijët, por që i shmang trajtimet standarde, po përhapet në Europë.

MRSA (Staphylococcus aureus rezistent ndaj meticilinës) është një lloj bakteri që ka evoluar deri në atë pikë sa antibiotikët nuk funksionojnë më kundër tij, duke e bërë më të vështirë trajtimin e tij. Mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore nëse futet brenda trupit, duke shkaktuar më shumë se 100,000 vdekje në të gjithë botën në vitin 2019.

Një lloj i ri i MRSA-së u identifikua në Gjermani dhe Holandë gati një dekadë më parë dhe që atëherë është përhapur në të paktën nëntë vende të tjera europiane, sipas një studimi të ri nga Instituti Statens Serum (SSI) i Danimarkës.

Shkencëtarët filluan të shqetësoheshin se lloji mund të qarkullonte në Danimarkë pasi 32 fëmijë dhe anëtarë të familjes zhvilluan ulçera që u shkaktuan nga një lloj specifik i bakterit stafilokok në verën e vitit 2023. Një vit më vonë, ata identifikuan një shpërthim tjetër nga i njëjti bakter diku tjetër në vend.

Ata dyshuan se Danimarka nuk ishte vendi i vetëm i prekur nga lloji i ri, të cilin e quajnë “klon” i një lloji tjetër të MRSA-së sepse kanë disa ngjashmëri gjenetike.

Kur analizuan mostrat në të gjithë Europën, ata gjetën bakteret në 11 vende: Belgjikë, Danimarkë, Finlandë, Francë, Gjermani, Luksemburg, Holandë, Norvegji, Spanjë, Suedi dhe Mbretërinë e Bashkuar.

“Ky klon, i cili u gjet për herë të parë në Gjermani dhe Holandë në vitin 2014, është një nëntip i ri” i baktereve”, tha në një deklaratë Andreas Petersen, studiues i MRSA në SSI i cili drejtoi studimin.

Hulumtuesit publikuan gjetjet e tyre në revistën Eurosurveillance.

Lloji është gjenetikisht i ngjashëm me një formë tjetër të MRSA që duket se shkakton impetigo, një infeksion bakterial i lëkurës që shkakton formimin dhe shpërthimin e plagëve të kuqe rreth hundës dhe gojës.

Më i zakonshmi tek fëmijët e moshës dy deri në pesë vjeç, impetigo është shumë ngjitës dhe mund të përhapet lehtësisht brenda familjeve. Shpërthimet zakonisht ndodhin në fund të verës dhe në fillim të vjeshtës.

Impetigo zakonisht nuk është e rrezikshme, por ndërlikimet e rralla përfshijnë dëmtimin e veshkave si dhe mund të jetë kërcënues për jetën nëse përhapet në nyjet limfatike dhe qarkullimin e gjakut.

Acidi fusidik, një krem antibiotik, përdoret zakonisht për të trajtuar infeksionet e impetigos, por nuk funksionon mirë kundër llojit MRSA.

Kjo është arsyeja pse mjekët në të gjithë Europën duhet të dinë nëse infeksioni mund të jetë duke u përhapur në komunitetet e tyre, thanë studiuesit.

MRSA është vetëm një nga shumë kërcënimet shëndetësore që shfaqen për shkak të rezistencës ndaj antibiotikëve. Infeksionet nga të ashtuquajturit superbaktere mund të vrasin më shumë se 39 milionë njerëz në të gjithë botën gjatë 25 viteve të ardhshme, sipas një studimi historik të publikuar vitin e kaluar.

Rezistenca ndaj antibiotikëve gjithashtu ndikon negativisht në sistemin shëndetësor. Së bashku, 11 vendet ku është identifikuar lloji i ri i MRSA-së shpenzuan gati 11.4 miliardë euro duke trajtuar pacientët me infeksione rezistente ndaj ilaçeve në vitin 2022, sipas vlerësimeve të fundit nga Qendra për Zhvillim Global.

Hulumtuesit danezë besojnë se lloji i ri mund të përhapet pa u zbuluar edhe në pjesë të tjera të Europës.

Ai është gjetur tashmë jashtë spitaleve dhe azileve të pleqve, të cilat kanë protokolle të rrepta për të shmangur MRSA-në.

The post Shkencëtarët paralajmërojnë se një lloji bakteri, rezistent ndaj antibiotikëve, po përhapet në Europë appeared first on Gazeta Si.

Projektet luksoze të Trump dhe Alabbar/ Çmimet referencë në Sazan dhe Durrës arrijnë 2.000 euro/m2

24 July 2025 at 11:48

Nga Gazeta ‘SI’- Nisma e qeverisë për të rivlerësuar pronat është shoqëruar dhe me rritje të çmimeve të referencës nga veriu në jug.

Zona e ish-Bllokut në Tiranë kryeson listën me çmim referencë 228 mijë lekë për metër katror ose 2.2 mijë euro.

Pas kryeqytetit, zonat më të shtrenjtë janë ishulli i Sazanit dhe porti i Durrësit, ku një metër katror tokë kushton 200.000 lekë ose 2 mijë euro. Çmimet e rritura duket të jenë të lidhura me dy projektet luksoze që pritet të zhvillohen në Sazan nga familja Trump dhe në Durrës nga miliarderi arab Mohammed Alabbar.

Tabela e miratuar nga ministria e Financave tregon një rritje të konsiderueshme të çmimeve përgjatë të gjithë bregdetit. çmimet e reja për Himarën kapin 1.4 mijë euro/m2.

Drafti i qeverisë thotë se Këshilli Bashkiak mund të miratojë shkallë të taksës brenda kufijve +30% (plus tridhjetë për qind) -30% (minus tridhjetë për qind). Sipas metodologjisë çmimeve mesatare referuese janë bazuar mbi shitblerjet e 4 viteve të fundit, vendndodhjen dhe sistemin urban dhe një parashikim për tendencat e ardhshme të tregut imobiliar.

Mungesa e referencave të pronave për të gjitha bashkitë e vendit po mbante peng dhe Rivlerësimin, që qeveria e kishte projektuar prej dy vitesh. Referencat e reja u miratuan në korrikun e vitit 2023 vetëm për Tiranën, e cila është e ndarë në 32 zona ku çmimi çmimet u rritën deri në 76 për qind në pika të ndryshme të kryeqytetit.

Qeveria Rama ka njoftuar se ky do të jetë Rivlerësimi i fundit në vend, të paktën nën qeverisjen e socialistëve.

The post Projektet luksoze të Trump dhe Alabbar/ Çmimet referencë në Sazan dhe Durrës arrijnë 2.000 euro/m2 appeared first on Gazeta Si.

Studimi i ri: Vetëm 7,000 hapa në ditë ulin rreziqet shëndetësore

24 July 2025 at 11:30

Një studim i ri sugjeron se të ecësh 7 mijë hapa në ditë mund të jetë e mjaftueshme për të rritur fuqinë e trurit dhe për të ndihmuar në mbrojtjen nga një sërë sëmundjesh të ndryshme.

Mund të jetë një objektiv më realist sesa 10,000 hapa, i cili shpesh shihet si pikë referimi për t’u arritur.

Hulumtimi, i botuar në Lancet Public Health, zbuloi se shifra ishte e lidhur me një rrezik të reduktuar të problemeve serioze shëndetësore, duke përfshirë kancerin, demencën dhe sëmundjet e zemrës.

Gjetjet mund të inkurajojnë më shumë njerëz të ndjekin hapat e tyre si një mënyrë praktike për të përmirësuar shëndetin e tyre, thonë studiuesit.

“Ne kemi këtë perceptim se duhet të bëjmë 10,000 hapa në ditë”, thotë autorja kryesore Dr. Melody Ding, “por kjo nuk bazohet në prova”.

Shifra prej 10,000 hapash mund të gjurmohet që nga një fushatë marketingu e viteve 1960 në Japoni. Në prag të Lojërave Olimpike të Tokios në vitin 1964, u lançua një markë pedometri e quajtur manpo-kei, që përkthehet si “metër 10,000 hapash”.

Ding thotë se kjo shifër u “nxor jashtë kontekstit” dhe u bë një udhëzues jozyrtar, të cilin shumë gjurmues dhe aplikacione fitnesi vazhdojnë ta rekomandojnë.

Studimi i Lancet analizoi hulumtimet dhe të dhënat e mëparshme mbi shëndetin dhe aktivitetin e më shumë se 160,000 të rriturve në të gjithë botën.

Krahasuar me ata që ecnin 2,000 hapa në ditë, u zbulua se 7,000 hapa lidheshin me uljen e rrezikut të:

-sëmundjeve kardiovaskulare – më pak se 25%

-kancerit – më pak se 6%

-demencës – më pak se 38%

-dhe depresionit – më pak se 22%

Megjithatë, studiuesit thonë se disa shifra mund të jenë më pak të sakta se të tjerat pasi ato nxirren vetëm nga një numër i vogël studimesh.

Në përgjithësi, shqyrtimi i tyre sugjeron që edhe numri modest i hapave prej rreth 4,000 hapash në ditë është i lidhur me shëndet më të mirë krahasuar me aktivitetin shumë të ulët prej vetëm 2,000 hapash në ditë.

Për shumicën e problemeve shëndetësore, përfitimet uleshin përtej 7,000 hapave, megjithëse kishte avantazhe shtesë për të ecur më tej për zemrën.

Shumica e udhëzimeve për ushtrime përqendrohen në kohën e kaluar duke bërë aktivitet fizik në vend të numrit të hapave.

Për shembull, Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se të rriturit duhet të bëjnë të paktën 150 minuta aktivitet aerobik të moderuar ose 75 minuta aktivitet aerobik të fuqishëm çdo javë.

Dr. Daniel Bailey, ekspert i sjelljes sedentare dhe shëndetit nga Universiteti Brunel i Londrës, thotë se studimi sfidon “mitin” se 10,000 hapa në ditë janë të nevojshëm.

Ndërsa 10,000 hapa është një qëllim i përshtatshëm për ata që janë më aktivë, ai thotë se synimi për 5,000 deri në 7,000 mund të jetë një “objektiv më realist dhe i arritshëm” për të tjerët.

Andreë Scott, pedagog në Universitetin e Portsmouth, pajtohet që numri i saktë nuk është i rëndësishëm.

Ai thotë se “më shumë është gjithmonë më mirë” dhe njerëzit nuk duhet të shqetësohen shumë për arritjen e një objektivi specifik, veçanërisht në ditët kur aktiviteti është i kufizuar.

The post Studimi i ri: Vetëm 7,000 hapa në ditë ulin rreziqet shëndetësore appeared first on Gazeta Si.

Formacioni që Barcelona transferoi nga Premier League

24 July 2025 at 11:22

Marcus Rashford la pas kalvarin dhe siguroi huazimin për një sezon te Barcelona në La Liga. Sulmuesi anglez që sezonin e kaluar e mbylli (i huazuar) te Aston Villa shpreson që nën drejtimin e Flick në “Camp Noë” të rigjejë edhe një herë formën e tij më të mirë. Pas zyrtarizimit të huazimit ai u bë një ndër 11 futbollistët (vetëm i 2 nga Manchester United) që ndër vite janë transferuar nga Premier League te Barcelona. Nga Arsenal gjithashtu u transferuan dy lojtarë. Ndërkohe Manchester City dhe Liverpool transferuan nga 3 lojtarë secili dhe vetëm 1 futbollist u largua nga Leeds drejt Barcelonës.

Sergio Aguero nga Manchester City
Gerard Pique nga Manchester United
Marcus Rashford nga Manchester United
Javier Mascherano nga Liverpool
Ilkay Gundogan nga Manchester City

Raphinha nga Leeds United
Philippe Coutinho nga Liverpool
Joao Cancelo nga Manchester City
Thierry Henry nga Arsenal
Cesc Fabregas nga Arsenal
Luis Suarez nga Liverpool


The post Formacioni që Barcelona transferoi nga Premier League appeared first on Gazeta Si.

Aksident i rëndë në Gjirokastër, përplaset ambulanca, 6 të plagosur

24 July 2025 at 11:19

Rreth orës 09:30 të mëngjesit të sotëm, një aksident rrugor ka ndodhur pranë urës së Kardhiqit, ku një autoambulancë me drejtues Gj. Sh. është përplasur me një automjet tjetër të drejtuar nga D. K.

Si pasojë e përplasjes janë plagosur drejtuesi i ambulancës, pacienti që po transportohej, shoqëruesja dhe infermierja që ndodheshin në autoambulancë, si dhe drejtuesi dhe një pasagjere në automjetin tjetër.

Pacienti, I. M., ndodhet në gjendje më të rëndë shëndetësore, ndërsa të plagosurit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtim mjekësor.

The post Aksident i rëndë në Gjirokastër, përplaset ambulanca, 6 të plagosur appeared first on Gazeta Si.

WRC, Oliver në gjurmët e babait Peter… 7245 ditë më pas

24 July 2025 at 11:15

Oliver Solberg ndoqi hapat e babait Kampion Bote (Petter Solberg) kur arriti fitoren e parë në FIA World Rally Championship në “Delfi Rally Estonia”. 23 vjeçari suedez befasoi elitën e WRC me paraqitjen dominuese në rrugët e shpejta mbi çakullin e Estonisë së jugut në bordin e Toyota GR Yaris Rally1. Sukses i arritur pothuajse 20 vite pas fitores së fundit të Petter në WRC. Solberg dhe bashkëpiloti, Elliott Edmondson kishin vetëm dy ditë në dispozicion për testet përpara garës së parë pas “Repco Rally New Zealand” në vitin 2022. Por ata nuk humbën kohë për të lënë shenjën e tyre në fitoren e 100th të Toyota-s në WRC me një diferencë prej 25.2 sekondash përpara heroit vendas dhe Kampionit të Botës në vitin 2019 Ott Tänak.

Pavarësisht se nuk fitoi, rezultati i Tänak, ishte i mjaftueshëm që të kalonte Elfyn Evans në kryesimin e klasifikimit të pilotëve me 1 pikë. Thierry Neuville mori një penalitet prej 10 sekondash për një start të gabuar që e la 23.1 sekonda pas Tänak në vendin e 3. Kalle Rovanperä bëri një paraqitje pozitive por nuk ishte në gjëndje të arrinte podiumin. Dy herë Kampioni i Botës dhe 3 herë fituesi i “Rally Estonia”, u rendit 7.3 sekonda pas Neuville në vendin e 4. Adrien Fourmaux u rendit në vendin e 5 përpara Evans që u ndoq nga Sami Pajari. Top 10 u plotësua nga Mārtinš Sesks, Josh McErlean dhe Grégoire Munster. WRC do të spostohet në Jyväskylä për raundin e 9 në “Secto Rally Finland” në datat 31 Korrik – 3 Gusht.



The post WRC, Oliver në gjurmët e babait Peter… 7245 ditë më pas appeared first on Gazeta Si.

Sigurimi i detyrueshëm/ Sa do të paguajnë shqiptarët për banesat? Shërbimin e ofron privati!

24 July 2025 at 11:12

Nga Gazeta ‘SI’ – Projektligji i ri i qeverisë për sigurimin e detyrueshëm të banesave përcakton edhe masën e dëmshpërblimit të mbuluar në raste katastrofe.

Në draft thuhet se pronari i banesës do të mbulojë deri në 2% të dëmit dhe pjesa tjetër nga shteti me anë të parave që paguhen nga qytetarët si sigurim i detyrueshëm. Primi do të llogaritet sipas një metodologjie ku përfshihen lloji i ndërtesës dhe nëse shtëpia është e ndërtuar në një zonë shumë sizmike apo jo. Dëmshpërblimi do të jepet brenda 3 muajve.

Këto para shkojnë në Fondin për Tërmetet, që parashikohet të vihet në funksion pas miratimit të draftit.

Edhe pse e gjithë skema parashikohet të jetë shtetërore, ka vend edhe për kompanitë private. Ato do të jenë “ndërmjetësit” që i ofrojnë qytetarëve produktin dhe paratë ia kalojnë shtetit. Kompanitë e sigurimit, në këmbim, do të përfitojnë një komision. Për shtresat sociale në nevojë, do të jetë shteti ai që do të financojë primin e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet. Ky sigurim do të mbulojë vetëm dëmet në pronë dhe jo ato që lidhen me jetën.

Në të njëjtin projektligj, qeveria thekson se kush refuzon të paguajë sigurimin, do t’i mohohen shërbime kadastrale, shërbime nga e-Albania dhe QKB.

The post Sigurimi i detyrueshëm/ Sa do të paguajnë shqiptarët për banesat? Shërbimin e ofron privati! appeared first on Gazeta Si.

Macronët kundër teorisë së rreme sipas së cilës Brigitte është burrë!

24 July 2025 at 11:11

Gazeta Si – Presidenti francez Emmanuel Macron dhe gruaja e tij, Brigitte, kanë paditur Candace Owens, një influencuese dhe podkastere e njohur në të djathtën ekstreme amerikane, për shpifje, për pretendimin se Brigitte Macron është burrë.

Ky është një pretendim i pabazë, por ka qarkulluar për vite me radhë në qarqet konspirative si në Francë ashtu edhe jashtë saj. Emmanuel dhe Brigitte Macron e injoruan atë për një kohë të gjatë, por kohët e fundit kanë filluar ta kundërshtojnë.

Në vitin 2024, Owens tha se do të “vërë bast të gjithë reputacionin e saj profesional” mbi idenë se Brigitte Macron “është në të vërtetë burrë”.

Fillimisht ajo e tha këtë në një episod të një podkasti të organizuar nga faqja konservatore e internetit “The Daily Wire” dhe që atëherë e ka përsëritur disa herë në kanalet e saj të mediave sociale dhe në një seri me tetë pjesë në YouTube, të publikuar këtë vit dhe të titulluar “Becoming Brigitte”.

Candace Owens në vitin 2022

Owens ka mbështetur gjithashtu teori të tjera konspirative rreth çiftit, të cilat janë të gjitha të pabazuara, të tilla si ajo se Emmanuel dhe Brigitte janë të afërm gjaku dhe se presidenti francez iu nënshtrua një eksperimenti të kontrollit të mendjes nga CIA.

Macronët thanë se i kishin kërkuar vazhdimisht asaj, nëpërmjet avokatëve të tyre, të tërhiqte këto pretendime, por Owens nuk e bëri kurrë.

Ata tani kanë ngritur një padi në një gjykatë të Delaware, SHBA, ku ndodhen kompanitë e Owens, duke e akuzuar atë për shfrytëzimin e teorive të konspiracionit për të “promovuar platformën e saj të pavarur, për të fituar famë dhe fitim”.

Avokati i çiftit, i tha “Financial Times” se ata janë të gatshëm të udhëtojnë personalisht në Delaware për të dëshmuar.

Teoria se Brigitte Macron është burrë filloi të qarkullonte në Francë gjatë mandatit të parë presidencial të Macron në vitin 2017.

Më pas ajo u përhap jashtë vendit dhe u ringjall nga shumë figura të njohura në të djathtën ekstreme në SHBA, përfshirë Tucker Carlson dhe Joe Rogan.

Emmanuel Macron foli publikisht për këtë për herë të parë në mars të vitit të kaluar, duke u thënë gazetarëve se “gjëja më e keqe” është “informacioni dhe rrëfimet e rreme, të cilat njerëzit përfundojnë duke i besuar, duke ju shkatërruar jetën, madje edhe jetën tuaj private”.

Në vitin 2022, Brigitte Macron ngriti një padi për shpifje në Francë kundër dy grave që mbështetën teorinë e konspiracionit në një video të gjatë.

Macron fitoi, por disa javë më parë vendimi u rrëzua në apel: gjyqtarët vendosën se deklarata binte brenda të drejtës së lirisë së fjalës. Macron apeloi përsëri.

Teoritë e konspiracionit rreth çiftit janë nxitur gjithashtu nga spekulimet rreth asaj se si filloi marrëdhënia e tyre: ata u takuan kur Emmanuel Macron ishte një nxënës 15-vjeçar i shkollës së mesme dhe Brigitte, 24 vjet më e madhe se ai, ishte mësuesja e tij e dramës.

The post Macronët kundër teorisë së rreme sipas së cilës Brigitte është burrë! appeared first on Gazeta Si.

Parlamenti i Kosovës bën të njëjtën gjë prej disa muajsh, çdo dy ditë!

24 July 2025 at 10:59

Gazeta Si – Gjatë tre muajve të fundit, parlamentarët e Kosovës janë takuar 51 herë, afërsisht një herë në dy ditë, për të bërë të njëjtën gjë: duke u përpjekur të zgjedhin kreun e Kuvendit, gjë që është thelbësore për formimin e një qeverie.

Deri më tani, të gjitha votimet kanë qenë të pasuksesshme. Kjo situatë po bllokon jo vetëm punën e parlamentit, por edhe formimin e një qeverie pas zgjedhjeve të shkurtit të kaluar, më shumë se pesë muaj më parë.

Arsyeja e bllokimit është se nuk ka shumicë të qartë në Parlament. Partia e krahut të majtë, nacionaliste Vetëvendosje fitoi zgjedhjet e fundit, por mori vetëm 48 nga 120 vende dhe nuk ishte në gjendje të formonte një koalicion me forca të tjera: marrëdhëniet midis udhëheqësit të Vetëvendosjes dhe kryeministrit aktual të Kosovës, Albin Kurti dhe partive opozitare, janë përkeqësuar ndjeshëm me kalimin e kohës.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti (në qendër), së bashku me Albulena Haxhiun (në foto djathtas), në një aktivitet në janar (foto e marrë nga faqja e Facebook-ut e Albulena Haxhiut)

Ligji i Kosovës i jep Vetëvendosjes, partisë më të madhe për sa i përket vendeve, të drejtën për të nominuar një kandidat për postin e kryetarit të parlamentit.

Për më shumë se tre muaj, Kurti u përpoq të zgjidhej kandidatja e tij, ish-ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, por pa sukses.

Qeveria e mëparshme është aktualisht në detyrë, duke menaxhuar çështjet aktuale. Kurti është ende kryeministër; ai dha dorëheqjen në maj, por meqenëse është ende në detyrë, ai nuk ka nxitim për të arritur një kompromis me partitë e tjera për të zgjidhur krizën.

Do të ishte e rëndësishme që Kosova të emëronte shpejt një qeveri të re, sepse përballet me shumë sfida, të tilla si zbutja e marrëdhënieve me Serbinë dhe pakicën serbe, veçanërisht në veri të vendit.

Përpara se të fitonte pavarësinë, Kosova ishte një provincë autonome e Serbisë, e cila nuk e njohu kurrë pavarësinë e saj.

Pa një parlament funksional, Kosova nuk mund të ratifikojë as disa marrëveshje me Bashkimin Evropian, të cilat janë të nevojshme për të marrë fonde të rëndësishme.

Arianit Koci qeth kokën para Parlamentit të Kosovës të hënën, më 21 korrik (foto nga faqja e tij në Facebook)

Disa protesta janë raportuar gjerësisht. Për shembull, Arianit Koçi, një avokat i njohur kosovar, organizoi disa protesta të improvizuara për t’u ankuar për pamundësinë e partive politike të Kosovës për të arritur një marrëveshje. Të hënën, më 21 korrik, ai e qethi kokën me makinë para parlamentit.

Në fund të qershorit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës urdhëroi parlamentin të gjente një zgjidhje për krizën dhe të zgjedhte presidentin brenda 30 ditëve.

Në teori, ky afat është e shtuna, më 26 korrik. Megjithatë, Gjykata nuk shpjegoi se çfarë do të ndodhte nëse presidenti dhe nënkryetarët e parlamentit nuk do të zgjidheshin: presidentja Vjosa Osmani i ka kërkuar Gjykatës të sqarojë pasojat.

Osmani theksoi gjithashtu se institucionet e tjera në vend, aktualisht nuk mund të ushtrojnë pushtetet e tyre të plota, pasi ato shpesh varen nga bashkëpunimi me parlamentin.

Sipas shumë ekspertëve, nëse nuk arrihet një marrëveshje, zgjedhjet e reja janë shumë të mundshme. Megjithatë, shumë kanë frikë se kjo mund të jetë fillimi i një periudhe paqëndrueshmërie të zgjatur.

The post Parlamenti i Kosovës bën të njëjtën gjë prej disa muajsh, çdo dy ditë! appeared first on Gazeta Si.

WSJ: Departamenti i Drejtësisë e paralajmëroi Trumpin se ishte në dosjet e Epsteinit

24 July 2025 at 10:52

Gazeta Si – Në një raport ekskluziv të gazetës Wall Street Journal, zyrtarët amerikanë i kanë komunikuar presidentit Donald Trump që në maj se emri i tij përmendej disa herë në dosjet voluminoze të lidhura me Jeffrey Epstein.

Në një takim të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi dhe zëvendësi i saj i thanë Trumpit se dokumentet përmbanin burime të paverifikuara për shumë figura publike, përfshirë edhe vetë atë. Sipas burimeve nga administrata, përmendja në dosje nuk do të thotë përfshirje në ndonjë aktivitet kriminal.

Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë vendosën të mos publikojnë materiale të tjera nga hetimi, pasi shumë prej tyre përmbanin pornografi me fëmijë dhe të dhëna të ndjeshme të viktimave. Trump u shpreh se do t’i besonte vendimit të departamentit dhe nuk do të ndërhynte.

Pam Bondi kishte deklaruar më herët se “lista e klientëve të Epsteinit është në tryezën time për shqyrtim”, por nuk u bë asnjë publikim konkret.

Vetëm më 7 korrik, Departamenti i Drejtësisë publikoi një memorandum ku sqaronte se nga rishikimi nuk rezultonte asnjë listë klientësh dhe as prova për hetime ndaj personave të tretë.

Megjithatë, vendimi për të mos publikuar më shumë dokumente ka zemëruar një pjesë të madhe të mbështetësve të Trump-it, të cilët e shohin këtë si një “tradhti politike” ndaj premtimeve për transparencë.

Ndërkohë, drejtësia amerikane ka nisur përgatitjet për një takim me Ghislaine Maxwell, ish-bashkëpunëtore e Epstein, e cila po vuan një dënim prej 20 vitesh burg. Departamenti i Drejtësisë po kërkon informacion nga ajo lidhur me personat që mund të kenë kryer krime së bashku me financierin e ndjerë.

Avokati i Maxwellit falenderoi publikisht Trump-in për “angazhimin për të zbardhur të vërtetën”, ndërsa ajo po përpiqet të apelojë vendimin, duke pretenduar se nuk ka pasur një proces të drejtë.

Trump ka deklaruar se miqësia me Epstein përfundoi shumë kohë përpara se ai të përballej me akuza penale. Ai ka këmbëngulur se nuk ka folur me të për rreth 15 vite para arrestimit dhe vdekjes së Epstein në burg në vitin 2019.

Vendimi për të mos publikuar dosjet ka shkaktuar tensione të forta edhe brenda administratës. Drejtori i FBI-së, Kash Patel, dhe zëvendësi i tij, Dan Bongino, ishin pro publikimit të mëtejshëm. Madje, mes Bondit dhe Bonginos ka pasur një përplasje të fortë në korrik, ku u shkëmbyen akuza për sabotim dhe përhapje informacioni konfidencial.

The post WSJ: Departamenti i Drejtësisë e paralajmëroi Trumpin se ishte në dosjet e Epsteinit appeared first on Gazeta Si.

Shpërthim me tritol në Tiranë, dëmtohen disa automjete në garazhin e 39-vjeçarit

24 July 2025 at 08:34

Gazeta Si – Një shpërthim tritoli ka ndodhur rreth orës 03:50 të mëngjesit të kësaj të enjteje në rrugën “Peti” te Liqeni i Thatë në portën hyrëse të garazhit të Elvis Kosovës, 39 vjeç.

Për pasojë janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në disa makina të parkuara, ndërsa fatmirësisht nuk ka patur persona të lënduar. Policia ka sekuestruar pamjet filmike nga vendngjarja dhe po punon për të identifikuar dhe kapur autorin.

Pronari i garazhit, Elvis Kosova rezulton të jetë emër i njohur për policinë në zonën e Liqenit të Thatë, pasi njihet edhe me nofkën “Visi i garave”.

Në gusht 2024, rezulton të jetë arrestuar së bashku me një shtetas turk pasi nëpërmjet një skeme mashtrimi tentuan të përvetësonin një “Audi” me vlerë 200 mijë euro.

Turku kishte marrë mjetin me qira në Gjermani dhe më pas e kishte sjellë në Shqipëri, ku kishte bërë denoncim se ia kishin vjedhur mjetin luksoz, por pas hetimeve u zbulua se makinën ia kishte dhënë Elvis Kosovës, i cili njihet edhe për organizimin e garave me makinave.

The post Shpërthim me tritol në Tiranë, dëmtohen disa automjete në garazhin e 39-vjeçarit appeared first on Gazeta Si.

Në mesditë rriten temperaturat, shkojnë 41 gradë

24 July 2025 at 08:28

Në orët e para të mëngjesit dhe mesditës parashikohet që në të gjithë vendin tonë të ketë dominim të intervaleve të gjata me diell, ku më të dukshme do të jenë në zonat jugore.

Ndërsa pjesa e dytë e ditës pritet të sjellë kalime të lehta vranësirash kryesisht në zonat malore, por nuk do të ketë reshje.

Vija bregdetare dhe pjesërisht qytetet e zonës së ulët gjatë pasdites dhe mbrëmjes do të vijojnë të jenë nën ndikimin e kthjellimeve.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie në mëngjes por rriten në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 11°C vlera minimale deri në 41°C maksimalja në rang territori.

The post Në mesditë rriten temperaturat, shkojnë 41 gradë appeared first on Gazeta Si.

Arrestohet ish-nënkryetarja e Bashkisë Fier dhe një ish-drejtor, nuk arkëtuan 40 mln lekë nga parkimet

24 July 2025 at 08:25

Gazeta Si – Policia dhe Prokuroria e Fierit kanë zhvilluar një operacion gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të enjteje, duke arrestuar disa për zyrtarë të bashkisë të akuzuar për “shpërdorim detyre”

Mësohet se për ish-nënkryetaren e bashkisë, Adela Hysenajn, e cila ka mbajtur së fundmi edhe postin e drejtoreshës së taksave dhe urbanistkës, është caktuar “arrest shtëpie”.

Ajo akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

E njëjta masë sigurie është caktuar edhe për Vasil Çekun, ish-drejtorin e koordinimit dhe verifikimit tek tatimet.

Ndërkohë janë pezulluar nga puna dy zyrtarë të tjerë, Anisa Cjapi, ish-drejtoreshë e Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave, si dhe Martin Dodi, Sekretar i Përgjithshëm i bashkisë për ndikim të paligjshëm.

Dyshohet se këta zyrtarë në bashkëpunim me njëri tjetrin nuk kanë arkëtuar 40 milionë lekë nga parkimet e bashkisë.

“”Arrest në shtëpie” dhe “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për Vasil Ceku, 41 vjeç, banues në Fier, Drejtor në Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren për Rajonin Jugor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për Anisa Cjapi, 38 vjeçe, banuese në Fier, Drejtoreshë në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për Martin Dodi, 57 vjeç, banues në Fier, sekretar i Përgjthshëm i Bashkisë Fier, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, – thuhet në njoftimin e policisë së Fierit.

The post Arrestohet ish-nënkryetarja e Bashkisë Fier dhe një ish-drejtor, nuk arkëtuan 40 mln lekë nga parkimet appeared first on Gazeta Si.

Drafti i ri, rikthehet (si shërbim shtetëror) sigurimi i detyrueshëm i banesave nga tërmetet

23 July 2025 at 23:21

Gazeta Si – Qeveria shqiptare ka rikthyer në konsultim publik një version të ri të Projektligjit “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet”.

Në draftin e hedhur të mërkurën pasdite në konsultim publik nga Ministria e Financave, propozohet në thelb të tij krijimi i Fondit për Tërmetet si një shoqëri aksionare shtetërore, e cila do të merret me gjithë procesin, si me arkëtimin e primit të detyrueshëm të sigurimit, ashtu edhe me pagesat e dëmshpërblimeve në rastet kur do të ndodhë ngjarja e marrjes në sigurim.

Pikat kryesore të këtij projektligji përfshijnë sigurimin e detyrueshëm për çdo pronar banese, përfshihen banesat sociale me qira dhe pronat në proces legalizimi, ndërsa përjashtohen ndërtesat me materiale të dobëta.

“Sigurimi i detyrueshëm: Çdo pronar banese (për përdorim banimi ose tjetër), i cili duhet të lidhë një policë vjetore që mbulon dëmet strukturore nga tërmetet. Subjekte të përfshira: Përfshihen edhe banesat sociale me qira dhe pronat në proces legalizimi. Përjashtohen ndërtesat me materiale të dobëta (qerpiç, druri, të përkohshme). Shërbimi i policës: Qëllimi është arkëtimi dhe pagesa e dëmeve të shkaktuara nga tërmetet në mënyrë efektive dhe të shpejtë”, thuhet në versionin e ri të projektligjit.

Detyrimin për lidhjen e kontratës së sigurimit nga tërmetet e kanë edhe subjektet e banesave sociale me qira, banesat në proces legalizimi, si edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilët financojnë primin e sigurimit nga buxheti i tyre.

Ndërsa Buxheti i shtetit financon primin e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet për shtresat sociale në nevojë.

Ata qytetarë që refuzojne të bëjnë sigurimin e detyrueshëm do të kenë disa penalitete. “Subjektet që nuk lidhin kontratë sigurimi të detyrueshme nga ngjarjet e tërmeteve në zbatim të këtij ligji, i nënshtrohen masave shtrënguese si më poshtë: Nuk marrin shërbime kadastrale; Nuk marrin shërbime nga e-albania; Nuk marrin shërbime nga Qendra Kombëtare e Biznesit”, thuhet në nenin 33 të projektligjit.

Në projektligj dhe relacion ende nuk ka një përllogaritje për ofrimin se sigurimit që do paguajnë qytetarët apo dhe bizneset që posedojnë një pronë.

“Metodologjia e përcaktimit të primit, termat, klasifikimi i banesave mbi bazë rreziku, llogaritet me metodologji aktuariale, bazuar në modelin e rrezikut nga tërmetet të zhvilluar për Shqipërinë, e cila miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Fondit për Tërmetet pas dhënies së pëlqimit nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare”, thuhet në projektligj.

Kontrata e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet mbulon dëmet e ndodhura në pronën e siguruar, të shkaktuara nga një apo disa ngjarje tërmeti të ndodhura gjatë periudhës së vlefshmërisë së përcaktuar në policë.

Ky fond krijohet si person juridik publik, i organizuar në formën e një shoqërie aksionare, ku Autoriteti Publik që përfaqëson shtetin si pronar të aksioneve të Fondit, është ministria përgjegjëse për financat.

Administratori i fondit do të emërohet me vendim të Këshillit Mbikëqyrës pas një procedure përzgjedhëse.

The post Drafti i ri, rikthehet (si shërbim shtetëror) sigurimi i detyrueshëm i banesave nga tërmetet appeared first on Gazeta Si.

Yesterday — 23 July 2025Gazeta Si

Qeveria ndalon trarët, rrethimet dhe ndërtimet që bllokojnë hapësirat publike!

23 July 2025 at 21:08

Gazeta Si – Përmes një VKM-je, qeveria ka miratuar një seri ndryshimesh në Rregulloren e Zhvillimit të Territorit, që ndikojnë drejtpërdrejt në procesin e lejeve të ndërtimit, hapësirat publike dhe projektet në zonat rurale.

Vendimi i Këshillit të Ministrave synon të luftojë abuzimet me ndërtimet pa leje, të parandalojë bllokimin e rrugëve dhe hapësirave të përbashkëta, dhe të përshpejtojë procedurat për investitorët që operojnë në përputhje me ligjin.

Një ndër pikat kryesore të ndryshimeve është ndalimi i vendosjes së trarëve, rrethimeve apo çdo lloj pengese në pronat që janë pjesë e rrugëve të kalimit apo lidhjeve me hapësira publike, edhe kur këto nuk janë të regjistruara.

Po ashtu, nuk do të jepen më leje ndërtimi për prona që janë parashikuar për sheshe, rrugë apo parqe, madje edhe nëse ato janë private.

Për sa i përket procedurave administrative, çdo kërkesë për leje, ndryshim projekti apo certifikatë përdorimi do të refuzohet automatikisht nëse tarifa e aplikimit nuk paguhet brenda 15 ditëve nga njoftimi.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është se lejet e ndërtimit mund të transferohen në rastet kur ndryshon zhvilluesi apo pronari i një projekti, por vetëm me dokumentacion të plotë dhe transparencë të plotë në sistemin elektronik të e-Leje.

Ky vendim pritet të forcojë disiplinën urbane dhe të garantojë një zhvillim më të qëndrueshëm dhe të kontrolluar të territorit në të gjithë vendin.

The post Qeveria ndalon trarët, rrethimet dhe ndërtimet që bllokojnë hapësirat publike! appeared first on Gazeta Si.

Partizani nuk gjen qetësi, Gega jep dorëheqjen, Abilaliaj e ‘zëvendëson’…

23 July 2025 at 20:59

Nga Gazeta Si – Katër muaj dhe 11 ndeshje zgjati aventura e dytë e Skënder Gegës në stolin e Partizanit. Njeriu që ktheu titullin pas 26 vitesh në klubin e kuq, u largua krejt papritur sot nga stoli i kryeqytetasve. Një situatë aspak e qetë në klub, madje e tensionuar që kuptohet edhe nga njoftimi “i thatë” në rrjetet sociale. Skënder Gega ishte traineri i 3 te Partizani në sezonin e shkuar. Orges Shehi e drejtoi skuadrën në Kupat e Evropës. Pas largimit të tij, skuadrën e drejtoi për një periudhë të shkurtër Arbër Abilaliaj (Drejtori Sportiv i Partizanit) që ja la vendin Aleksandër Veselinoviç i cili u zëvendësua nga Gega. Tani Partizani do kërkojë sërish shpëtim nga Abilaliaj i cili fillimisht do të marrë drejtimin e fazës përgatitore dhe në të njëjtën kohë do të kërkojë një trainer të ri për klubin.

The post Partizani nuk gjen qetësi, Gega jep dorëheqjen, Abilaliaj e ‘zëvendëson’… appeared first on Gazeta Si.

I pandehur nga SPAK, reagojnë avokatët e Veliajt: Mohon të gjitha akuzat

23 July 2025 at 19:46

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka postuar një reagim të avokatëve ndërkombëtarë në rrjetet sociale pasi Prokuroria e Posaçme e mori të pandehur.

Aty thuhet se Veliaj “i mohon në mënyrë të prerë të gjitha akuzat për shkelje të ligjit”. Avokatët e tij ndërkombëtarë njëkohësisht janë të bindur se ndalimi i kryebashkiakut të Tiranës “është i paarsyeshëm, i panevojshëm dhe joproporcional”.

“Kemi shqetësime serioze se kërkesat e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) nuk janë respektuar në rastin e tij. Fatkeqësisht, prej gati 3 muajsh, z. Veliaj është penguar të ketë akses te avokatët e tij ligjorë ndërkombëtarë, gjë që cenon seriozisht aftësinë e tij për të ushtruar të drejtat që i garanton KEDNJ-ja”, thuhet në reagimin e tyre.

Avokatët ndërkombëtarë të Erion Veliajt thonë në reagimin e tyre se SPAK nuk ka asnjë provë që të ketë vlerësuar domosdoshmërinë e vazhdimit të ndalimit të kryebashkiakut. Ata shprehin shqetësim edhe për rrjedhjen e hetimit në media.

“Jemi thellësisht të shqetësuar për mënyrën se si është zhvilluar hetimi. Së fundmi, detaje në lidhje me përfundimin e hetimit dhe raportin e Prokurorisë janë rrjedhur në mediat shqiptare. Kjo rrjedhje informacioni është në përputhje me trajtimin që i është bërë z. Veliaj që prej ditës së arrestimit, ku të dhëna paragjykuese mbi hetimin e SPAK-ut janë publikuar vazhdimisht në hapësirën publike. Nga informacionet e marra prej avokatëve të tij vendas, kuptojmë se këto rrjedhje përbëjnë shkelje të sekretit hetimor sipas legjislacionit shqiptar”, thuhet në reagim.

Prokuroria e Posaçme AntiKorrupsion ka marrë zyrtarisht të pandehur kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Sot, 23 korrik, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit i kanë komunikuar katër akuza zyrtare, në ambientet e paraburgimit në Durrës.

Kryebashkiaku akuzohet për korrupsion pasiv, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje e sendeve te palejuara në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. E pandehur u mor mes 30 personave, edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa dhe deputetja socialiste, Klotilda Bushka.

The post I pandehur nga SPAK, reagojnë avokatët e Veliajt: Mohon të gjitha akuzat appeared first on Gazeta Si.

Vrasje dhe grup kriminal, ekstradohet nga Dubai Denis Bajri. Pamjet kur mbërrin në Rinas

23 July 2025 at 19:25

Gazeta Si – Denis Bajri, i cili u arrestua në shkurt të vitit 2024 në Emiratet e Bashkuara Arabe u ekstradua sot në Shqipëri, i akuzzuar si autori i vrasjes së Gjin Boriçit, më 9 gusht të vitit 2020 në Shkodër.

Roli i 37-vjeçarit në këtë ngjarje u zbulua pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin SKY ECC, nga ku rezultoi se porositës i vrasjes së Boriçit ishte Ervis Martinaj.

Ky i fundit, përmes biznesmenit Pëllumb Gjoka, i kishte kërkuar Behar Bajrit, gjithashtu i arrestuar në operacionin ‘Metamorfoza’, të ekzekutonte Gjin Boriçin.

Behar Bajri, i cili rezulton të ketë pasur marrëdhënie shoqërore me Boriçin, sipas SPAK ia dha porosinë Denis Bajroviçit për të finalizuar ekzekutimin. Në biseda thuhet se Bajroviç shkoi edhe në varrimin e mikut të tij për të hequr dyshimet.

Denis Bajroviç konsiderohet nga SPAK si person me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, i akuzuar për një sërë veprash penale në fushën e krimeve kundër personit, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe për armëmbajtje pa leje.

“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”; “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”; dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal”, njoftoi policia.

Me ekstradimin e fundit, Emiratet e Bashkuara Arabe nuk janë më strehë për personat që kryejnë krime dhe i shmangen drejtësisë.

Prej rreth një viti, Dubai, që është konsideruar si parajsë për këta persona, po i dëbon, për t’i përballur me akuzat e ngritura ndaj tyre.

Drejt Shqipërisë janë ekstraduar emra si Julian Meçaj, Plaurent Dervishaj, Bruno Çobo, Florenc Çapja, Dashnor Dumani dhe Armis Stafa.

The post Vrasje dhe grup kriminal, ekstradohet nga Dubai Denis Bajri. Pamjet kur mbërrin në Rinas appeared first on Gazeta Si.

Rivlerësimi i pronave rinis në 1 janar 2026 me tatimin 5%. Çmimet e referencës në 11 qarqe

23 July 2025 at 17:57

Gazeta Si – Fushata e rivlerësimit të pronave do të nisë nga 1 janari i vitit 2026. Tatimi që do të paguhet në rast të shit-blerjes së pronave propozohet të jetë në masën 5 për qind. Ministria e Financave ka hedhur në Konsultim Publik projektligjin “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”.

“Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme kanë të drejtë që, nga data 1 Janar 2026 deri në datën 30 shtator 2026, të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut. Kërkesat për rivlerësim të dorëzuara pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, të cilat nuk janë procesuar brenda datës 30 shtator 2026,konsiderohen si objekt rivlerësimi sipas këtij ligji, në rast se pagesa e tatimit për to bëhet deri në datë 31 dhjetor 2026″, – thuhet në projektligj.

Ligji do të përfshijë edhe pasuritë që janë në proces regjistrimi apo legalizimi, ndërsa për subjektet juridike do të kërkohet rivlerësim nga ekspertë të licencuar.

“Përmes këtij procesi, pritet të rriten të ardhurat tatimore dhe të garantohet një trajtim më i drejtë fiskal mbi pasuritë e paluajtshme. Ligji përfshin gjithashtu rivlerësimin e pasurive në proces regjistrimi dhe përcakton procedurat për dorëzimin e kërkesave, llogaritjen e tatimit dhe pagesën përkatëse”.

Rritja e vazhdueshme e çmimeve të banesave është një nga arsyet kryesore që ka shtyrë qeverinë të ndërmarrë këtë hap.

Në 13 vitet e fundit janë bërë 5 rivlerësime pronash dhe të gjitha kanë ndodhur përpara zgjedhjeve vendore ose të përgjithshme parlamentare, me tarifa që kanë variuar nga 1 për qind në vitin 2011 në 3 për qind dy rivlerësimet e fundit.

Ndërkohë, çmimet e reja të referencës, të propozuara nga Financat, bazohen në analizat e transaksioneve të shitblerjes gjatë periudhës 2022–2024 dhe prekin 11 qarqe të vendit, përfshirë Durrësin, Fierin, Korçën dhe Vlorën.

Ndarja e qyteteve në zona dhe përcaktimi i çmimeve është bërë sipas afërsisë me qendrat urbane, rrugët kryesore dhe zonat historike.

Vihet re një rritje e çmimeve të referencës në zonat turistike si Durrës dhe Vlorë. Në Durrës, çmimet variojnë sipas zonës nga 45 mijë deri në 200 mijë lekë për metër katror.

Çmimi maksimal përfshin pikërisht zonën e Portit të këtij qyteti bregdetar, ndërsa në zonën e Hamallajt dhe Gjirit të Lalzit, çmimi shkon në 140 mijë lekë për metër katror.

Në Vlorë, çmimin më të lartë e ka zona 1 në qytet me 140 mijë lekë, ndërsa ky çmim në Sazan llogaritet në 200 mijë lekë për metër katror. Ndërsa çmimi në Himarë në 5 zonat kadastrale varion nga 45 mijë deri në 140 mijë lekë për metër katror.

E vetmja bashki ku çmimet referuese nuk kanë ndryshuar është Bashkia Tiranë. Për kryeqytetin, do të vijojë të përdoret e njëjta skemë vlerësimi si më parë.

The post Rivlerësimi i pronave rinis në 1 janar 2026 me tatimin 5%. Çmimet e referencës në 11 qarqe appeared first on Gazeta Si.

GJKKO shpall fajtore Sonila Qaton, por dënohet me punë në komunitet

23 July 2025 at 17:48

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shpalli fajtore ish-drejtoreshën e ARRSH-së, Sonila Qato për shkelje të barazisë në tendera dhe e dënoi me 6 muaj burgim.

Por sipas Kodit Penal, ish-drejtueses së Autoritetit Rrugor Shqiptar do t’i pezullohet ekzekutimi i dënimit me burgim duke iu konvertuar në 60 orë punë në komunitet.

Në lidhje me të njëjtën dosje, GJKKO shpalli të pafajshëm gjashtë të pandehur, ndërsa tre të tjerë patën të njëjtin fat me Qaton, pra u dënuan me nga gjashtë muaj burgim, por që u konvertohet në 60 orë punë në komunitet.

Prokuroria e Posaçme nisi hetimin ndaj ish-drejtoreshës së ARRSH-së pas shkeljeve për tenderin për ndërtimin e rrugës Kardhiq-Delvinë. Sipas SPAK, Qato dhe vartësit e saj favorizuan një shoqëri në hije për tenderin e tunelit të Skërficës.

Shoqëria e favorizuar ishte krijuar formalisht në mënyrë që të fitonte procedurën, por në të vërtetë punimet do kryheshin nga një tjetër kompani, që referuar hetimeve ishte e paracaktuar nga drejtuesit dhe zyrtarët e ARRSH.

Sonila Qato dhe të pandehurit e tjerë në procesin e zhvilluar me procedurë të zakonshme, kanë mohuar akuzat e SPAK dhe kërkuan pafajësi, por vetëm një pjesë e tyre arriti ta marrë

The post GJKKO shpall fajtore Sonila Qaton, por dënohet me punë në komunitet appeared first on Gazeta Si.

❌
❌