Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 August 2025Gazeta Si

Kuqezi me kohë të plotë – Jashari vjen në mbrëmje në Milano

5 August 2025 at 17:59

Nga Gazeta Si – Të gjithë të lumtur dhe të kënaqur, mund të përkufizohet në këtë mënyrë mbyllja e Sagës “Milan-Jashari”.

34 milionë euro (në 4 këste) plus 3 milionë të tjera bonus si dhe dëshira e palêkundur e futbollistit dardan, bindën Club Brugge ta lënë të lirë drejt Serie A.

Kujtojmë që Jashari ishte objektiv i Igli Tares që ditën e parë si Drejtor Sportiv në Milanello.

Për mesfushorin dardan u interesuan Leverkusen në Bundesliga dhe Neom SC në Saudi Pro League.

Zyrtarizimi i mbërritjes së tij në Milano u bë pak orë pas prezantimit të Luka Modric.

The post Kuqezi me kohë të plotë – Jashari vjen në mbrëmje në Milano appeared first on Gazeta Si.

Ngërçi në Kuvend, Vjosa Osmani tërheq kërkesën në Kushtetuese për shkak të gjyqtarit serb!

5 August 2025 at 17:38

Gazeta Si – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka tërhequr kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ngërçin e Kuvendit për shkak se gjyqtar raportues i çështjes ishte caktuar serbi Radomir Llaban.

Sipas Osmanit, institucionet e sigurisë kanë mbledhur informacione për veprimtari të rrezikshme për sigurinë kombëtare të Llabanit.

Osmani tha se në interesin e vendit, tërheqja e kërkesës është vendim i domosdoshëm pasi rendi kushtetues nuk mund të mbrohet nga persona që sipas institucioneve të sigurisë e rrezikojnë rendin kushtetues.

“Ju njoftoj se sot në përputhje me ligjin për Gjykatën Kushtetuese, dhe rregulloren e kësaj Gjykatë kam tërhequr kërkesën numër KO215/25, e paraqitur në 22 korrik. Këtë e kam bërë si një reagim të menjëhershëm ndaj informatës tashmë të konfirmuar, se si gjyqtar raportues në këtë kërkesë është caktuar gjyqtari Radomir Llaban, për veprimtarinë e rrezikshme të të cilit në vitet 2018, 2021 dhe 2024, institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta e zyrtare.

Sipas këtyre informatave të cilat në vitet 2021 dhe 2024 po ashtu janë ndarë edhe me Gjykatën Kushtetuese, ky gjyqtar paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.

Presidentja e Kosovës tha se zgjedhja e këtij gjyqtari, është jo vetëm shqetësues por edhe e rrezikshme, dhe “mund të ketë pasoja të rënda dhe potencialisht të pakthyeshme. Kjo cënon besueshmërisë e gjykatës Kushtetuese dhe krijon rrezikun për krijimin e një precedenti.”

Më tej, Osmani theksoi se kjo nuk lidhet me preferencat e saj personale si presidente për gjyqtarët, por me informacionet zyrtare që institucionet e Kosovës kanë bërë publike ndër vite.

Presidentja Osmani, më 22 korrik, i kishte kërkuar Gjykatës Kushtetuese jo vetëm një pezullim të përkohshëm të afatit 30 ditor, por dhe të shqyrtojë “konfliktin e kompetencave kushtetuese” nga moskonstituimi dhe pasojat juridike të kalimit të këtij afati.

The post Ngërçi në Kuvend, Vjosa Osmani tërheq kërkesën në Kushtetuese për shkak të gjyqtarit serb! appeared first on Gazeta Si.

Teksas, guvernatori republikan urdhëron arrestimin e demokratëve që braktisën Parlamentin

5 August 2025 at 17:15

Gazeta Si – Dhjetëra kongresmenë demokratë të Teksasit – rreth 57 – u larguan nga shteti i tyre të dielën e kaluar, duke gjetur strehim në Illinois, Boston dhe Albany, New York, për dy javët e ardhshme.

Qëllimi i tyre është të bllokojnë një plan të mbështetur nga Trump për të ruajtur shumicën republikane në Dhomën e Përfaqësuesve për dy vitet e fundit të mandatit të tij, duke rivizatuar hartën e Kolegjit Zgjedhor.

Kjo është pjesë e një beteje më të gjerë, mbarëkombëtare përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA.

Zakonisht, partia që fiton zgjedhjet presidenciale humbet në të paktën një dhomë të Kongresit dhe në nëntor 2026, republikanët kanë frikë për Dhomën e Përfaqësuesve, ku ata mbajnë një shumicë të ngushtë.

Për të shmangur humbjen e kontrollit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe për të rrezikuar bllokimin e planit të tij, Donald Trump i ka kërkuar guvernatorit republikan të Teksasit, Greg Abbott, të rivizatojë hartën e Kolegjit Zgjedhor për të siguruar që republikanët të fitojnë pesë vende shtesë (ata aktualisht kontrollojnë 25 nga 38 të shtetit).

Plani parashikon ndryshimin e kufijve të Hjustonit, Dallasit, Austinit dhe disa distrikteve të kontrolluara nga demokratët në kufirin me Meksikën.

Abbott thirri një seancë të posaçme legjislative për të bërë ndryshimet. Për ta parandaluar këtë, duke mos arritur një kuorum prej dy të tretash, anëtarët demokratë të legjislaturës së Teksasit ikën, duke bojkotuar seancën legjislative.

Ata përballen me gjoba prej 500 dollarësh në ditë për braktisjen e vendeve të tyre, një veprim që mund të mos i pëlqejë disa prej zgjedhësve të tyre, pasi mungesa e tyre pengon diskutimin e legjislacionit për të adresuar përmbytjet e fundit.

Guvernatori tha se do të kërkonte të largonte anëtarët nëse nuk do të ktheheshin në vendet e tyre deri në orën 3 të pasdites dje, duke deklaruar se ata do të kryenin “një krim”, nëse do të përpiqeshin të mblidhnin fonde për të paguar gjobat që lidhen me mungesën e tyre.

“Demokratët e Teksasit”, deklaroi guvernatori, “kanë dështuar në detyrën e tyre. Duke u larguar nga Teksasi, ata po mbajnë peng një ligj kyç për të ndihmuar viktimat e përmbytjeve dhe për të çuar përpara masat fiskale”.

Sipas mediave amerikane, një votim u zhvillua gjatë natësi: Dhoma e Përfaqësuesve të Teksasit miratoi, me 85 vota pro dhe 6 kundër, urdhër-arrestin për demokratët që po iknin.

Abbott urdhëroi forcat e rendit të Teksasit të “gjejnë, arrestojnë dhe sjellin përsëri në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve të gjithë ata që kanë dështuar në detyrën e tyre ndaj teksanëve”.

Kërkesa është në thelb simbolike, vëren “Texas Tribune”, sepse “urdhër-arresti” është i zbatueshëm vetëm brenda kufijve të shtetit.

Dhe demokratët që po iknin, kishin pritur të qëndronin larg për dy javë, deri në fund të seancës së posaçme legjislative të verës.

Kjo është një betejë kombëtare e paprecedentë, me Partinë Republikane që po shqyrton gjithashtu manipulimin e zgjedhjeve në shtete të tjera “të kuqe” si Ohio, Indiana dhe Missouri.

Ngjarja ka shkaktuar një reagim të ashpër nga guvernatorët në shtetet “blu” si Kalifornia, Illinois, Nju Jorku dhe Nju Xhersi, të cilët po kërcënojnë me masa simetrike (megjithëse opsionet e tyre janë të kufizuara).

“Ky nuk është një bllof”, tha Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, të premten e kaluar, duke e përshkruar atë si një betejë “ekzistenciale” pas takimit me disa nga kongresmenët “e dëbuar” të Teksasit.

Ndërkohë, ish-guvernatori republikan, Arnold Schwarzenegger ka mbajtur anën e Newsom, duke thënë se është gati të bëjë fushatë kundër planit të manipulimit të zgjedhjeve në shtetin e tij.

“Ai mendon se rindarja e distrikteve është e keqe”, tha zëdhënësi i aktorit, Daniel Ketchell. “Ai është kundër asaj që po bën Teksasi dhe mendon se është gabim që Kalifornia të ndjekë shembullin”.

Përshtati: Gazeta “Si”

The post Teksas, guvernatori republikan urdhëron arrestimin e demokratëve që braktisën Parlamentin appeared first on Gazeta Si.

Fatos Lubonja, kandidat për çmimin prestigjioz letrar ‘Angelus 2025’ në Poloni

5 August 2025 at 14:00

Nga Gazeta “SI”– Vepra “Ridënimi” e autorit të njohur shqiptar Fatos Lubonja është përzgjedhur mes 14 titujve të nominuar për çmimin letrar “Angelus” 2025, një nga çmimet më të rëndësishme për Letërsinë e Europës Qendrore, që vlerëson prozën e përkthyer në gjuhën polake.

Botuar në Poloni me titullin “Drugi wyrok”, libri është përkthyer nga Dorota Horodyska dhe është publikuar nga shtëpia botuese “Pogranicze”. Përkthimi i tij është mbështetur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL), përmes Fondit të Përkthimit Letrar nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj, një nismë e përvitshme që synon promovimin e letërsisë shqipe në botë.

“Ridënimi” i përket gjinisë së kujtimeve dhe konsiderohet një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë së kujtesës, ku Lubonja sjell dëshminë e jetës së tij në burgjet e diktaturës komuniste.

Lista përfundimtare me shtatë finalistët e çmimit “Angelus” 2025 pritet të publikohet në muajin shtator, ndërsa vepra e Lubonjës vijon të tërheqë vëmendjen e kritikës dhe lexuesit polak.

Çmimi letrar “Angelus” jepet çdo vit në Poloni për veprat më të mira të autorëve nga Europa Qendrore që trajtojnë temat historike dhe shoqërore të rajonit. Ai është themeluar në vitin 2006 në qytetin e Wrocław dhe konsiderohet një nga çmimet më prestigjioze për prozën e përkthyer në gjuhën polake.

Fituesi shpërblehet me një shumë të konsiderueshme monetare, ndërsa përkthyesi i veprës së shpërblyer gjithashtu nderohet me një çmim të veçantë. Ky çmim ofron një platformë të rëndësishme për autorët nga Europa Qendrore për të prezantuar letërsinë e tyre në arenën ndërkombëtare.

The post Fatos Lubonja, kandidat për çmimin prestigjioz letrar ‘Angelus 2025’ në Poloni appeared first on Gazeta Si.

Berisha: Turizmi ka dështuar, shkak eurot e drogës

5 August 2025 at 13:57

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i PD, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë se po fshihet pas një krize të thellë në sektorin e turizmit, duke e cilësuar zhvlerësimin e euros si “toksinën e vërtetë të ekonomisë shqiptare”.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se pavarësisht propagandës për 10 milionë turistë, Shqipëria këtë vit po përjeton një rënie dramatike të vizitorëve në plazhe, liqene dhe destinacione turistike.

Ai akuzoi qeverinë dhe mediat pranë saj për “heshtje mafioze” dhe për fshehje të shkakut të vërtetë që, sipas tij, është forcimi artificial i lekut nga paraja e ardhur nga trafiku i drogës.

“Shkaku madhor i kësaj rënie dramatike është narko-euroja! Narko-euro është toksina e vërtetë e ekonomisë dhe turizmit shqiptar. Turisti që më parë me 100 euro blinte një shërbim, sot i duhen 135 euro për të njëjtën gjë,” deklaroi Berisha.

Sipas tij, zhvlerësimi me 35% i euros dhe dollarit në Shqipëri ka rritur çmimet për turistët e huaj, duke e bërë vendin më të shtrenjtë se disa vende të Bashkimit Europian. Ai e cilësoi këtë një “krim të heshtur” dhe akuzoi operatorët turistikë dhe ekspertët për bashkëpunim në këtë fshehje.

“Të fshehësh këtë fakt, bëhesh bashkëfajtor në një krim. Po dëmtohet një nga sektorët më strategjikë të vendit,” theksoi Berisha.

Berisha përmendi gjithashtu periudhën 2005–2012 si kohë të një rritjeje të fortë të turizmit falë infrastrukturës, ndërsa sipas tij, rritja e viteve të fundit është artificiale dhe manipulim statistikor që përfshin pasagjerët e linjave ajrore dhe jo vizitorë realë.

The post Berisha: Turizmi ka dështuar, shkak eurot e drogës appeared first on Gazeta Si.

Vrasja e 65-vjeçarit në Vaun e Dejës, dyshohet se autori e qëlloi nga afër dhe u largua me motor

5 August 2025 at 13:38

Gazeta Si – Një hasmëri e vjetër me dy familje të tjera, njëra nga Puka, dyshohet të jetë pista kryesore e hetimit në lidhje me vrasjen e 65-vjeçarit Frrok Lleshaj në Vaun e Dejës.

Burime paraprake nga Policia e Shkodrës, thonë se janë shoqëruar në komisariat 12 persona, të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Sipas të dhënave nga ekspertiza e policisë, 65-vjeçari është qëlluar me pistoletë nga një distancë e afërt, çka shton dyshimet se autori ka bashkëpunuar me persona të tjerë.

Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të një banese pranë vendit të ngjarjes, të cilat pritet të ndihmojnë në identifikimin e autorëve.

Gjithashtu, dyshohet se autori është larguar me motoçikletë, duke përfituar nga errësira për t’u zhdukur me shpejtësi nga vendi i krimit.

Gjithnjë sipas burimeve policore, hasmëria mes familjes Lleshaj dhe dy familjeve të tjera ka prodhuar që nga fillim të viteve ’90 pesë viktima deri më tani.

Frrok Lleshaj është i treti që vritet pas djalit dhe vëllait të tij në fillim të viteve ’90, ndërsa të vrarë janë edhe kushëriri i tij, Dodë Lleshaj, me të cilin nisi konflikti, si dhe një shtetas tjetër nga Puka.

Ngjarja e parë ndodhi në vitin 1991, kur djali i 65-vjeçarit u vra në Greqi. Asokohe u tha se i riu ishte vrarë nga policia greke në rrethana të paqarta, por familja e Frrok Lleshajt dyshonte se pas ngjarjes fshiheshin kushërinjtë e tij.

Disa vite më vonë, dyshohet se Frrok Lleshaj mori gjakun e djalit të tij, duke vrarë kushëririn Dodë Lleshaj. Megjithatë, ai nuk e pranoi asnjëherë autorësinë e kësaj ngjarjeje.

Ndërkohë, një tjetër konflikt lindi me një familje nga Puka. Frrok Lleshaj qëlloi për vdekje një person tjetër, për të cilin e pranoi autorësinë në gjykatë dhe u dënua me 25 vite burg. Nga këto dy hasmëri të vjetra dhe ende të pambyllura, mbetet i vrarë edhe vëllai i 65-vjeçarit.

Frrok Lleshaj kishte dalë nga burgu në vitin 2023, por ishte braktisur nga familja, gruaja dhe fëmijët. Ai jetonte i vetëm në fshatin Paçram, duke u marrë me blegtori.

Vrasja ndodhi pranë banesës së tij, ndërsa ai po ecte në rrugët e fshatit. Trupi i tij u gjet nga një kalimtar i rastësishëm, i cili njoftoi menjëherë policinë.

Grupi hetimor po verifikon gjithashtu edhe veprimtarinë e 65-vjeçarit pas daljes nga burgu, për konflikte të mundshme që mund të ketë pasur me persona të tjerë. Por deri më tani, nuk është zbuluar asnjë gjurmë që mund të çonte në zbardhjen e ngjarjes.

The post Vrasja e 65-vjeçarit në Vaun e Dejës, dyshohet se autori e qëlloi nga afër dhe u largua me motor appeared first on Gazeta Si.

Dyshohen për evazion fiskal, vijon në Apel seanca për 10 zyrtarët e ‘Bankers Petroleum’

5 August 2025 at 13:03

Gazeta Si – Prej orës 11:00 të mëngjesit, vijon në Gjykatën e Apelit në Tiranë seanca për masat e sigurisë ndaj 10 të arrestuarve për evazionin fiskal të kompanisë së naftës “Bankers Petroleum” me qendër në Fier. Të arrestuarit kanë apeluar masat e sigurisë që janë dhënë nga Gjykata e Fierit më 5 korrik.

Drejtori i Përgjithshëm i Bankers, shtetasi kinez Hong Ping Xiao, ish-drejtori Leonidha Çobo kanë masë sigurie “arrest në burg”.

Pesë persona të tjerë janë lënë në “arrest shtëpie”, ndërsa 3 të tjerë në detyrim paraqitje dhe ndalim të daljes jashtë vendit.

Më herët, përfaqësues të ambasadës kineze në Tiranë nuk u lejuan të ndjekin nga afër seancën në gjykatë.

Seanca ka nisur paradite dhe pritet të zgjasë për shkak të numrit të lartë të të arrestuarve që kanë apeluar masën e sigurisë.

Të akuzuarit pretendojnë se nuk kanë lidhje me akuzat dhe kërkojnë masa më të buta sigurie.

Dhjetë zyrtarët e kompanisë, akuzohen si të përfshirë në skemën e mashtrimit fiskal të “Bankers Petroleum”, e cila dyshohet se për 20 vite me radhë ka kryer evazion fiskal duke deklaruar vetëm humbje, ndërkohë që kishte nxjerrë miliarda euro fitim nga shitja e naftës brenda dhe jashtë vendit.

Hetimet për Bankers janë zhvilluar nga Prokuroria e Fierit, në bashkëpunim me strukturat tatimore dhe policore, dhe lidhen me dyshime për deklarime të rreme tatimore dhe shmangie të detyrimeve financiare në një shkallë masive.

Prokuroria e Fierit i akuzon të arrestuarit dhe të shpallurit në kërkim për veprat penale: “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”.

The post Dyshohen për evazion fiskal, vijon në Apel seanca për 10 zyrtarët e ‘Bankers Petroleum’ appeared first on Gazeta Si.

Reklama e xhinseve të aktores së famshme ‘trazon’ Amerikën: Naziste!

5 August 2025 at 13:01

Kompania amerikane e xhinseve, American Eagle synonte të godiste me reklamën e re ku shfaqej aktorja Sydney Sweeney. Reklama përmbante gjuhë provokuese që padyshim do të nxiste debat. Qëllimi u arrit, por debati nuk është ai që kompania do të dëshironte.

Me titullin “Sydney Sweeney ka xhinse (jeans që në anglisht tingëllon njësoj si genes, gjene) të mrekullueshme”, fushata nisi në debat mbi rracizmin dhe standardet perëndimore të bukurisë duke nervozuar fanatikët e kulturës “woke” në Amerikë. Problemi në reklamë ishte se “gjenet” e Sydney janë flokët bjonde, lëkura e bardhë dhe sytë blu – një rikthim në narrativën naziste.

Ekspertët e shohin lojën e fjalëve gjene dhe xhinse si diçka e pamenduar, dhe shtojnë se kritikët nuk do të kishin zë nëse reklama do të përfshinte dhe personazhe të tjerë nga rraca të tjera.

“Mund të ketë ndodhur nga injoranca, përtacia ose me qëllim”, thotë profesori i marketingut, Marcus Collins. “Në asnjë nga tre rastet, nuk është gjë e mirë”.

Ajo që shqetëson më shumë kritikët është një pjesë në video kur Sydney thotë se “gjenet (xhinset) trashëgohen njësoj si sytë. Të miat janë blu (edhe sytë edhe xhinset).”

Të paturit gjene të mira është një kompliment por në këtë rast ka një antitezë djallëzore. Superioriteti i gjeneve ishte politikë e Adolf Hitler, i cili kishte një plan për të vendosur në krye rracën Ariane – bjondët.

Shalini Shankar, një antropologe kulturore dhe gjuhësore në Universitetin Northëestern në Evanston, Illinois, tha se kishte probleme me “gjenet” e American Eagle kundrejt “xhinseve” sepse përkeqëson një koncept të kufizuar të bukurisë.

“American Eagle, mendoj, dëshiron të riemërtohet për një lloj të veçantë amerikani të bardhë të privilegjuar,” tha Shankar. “Dhe ky është lloji i imazhit që ata duan të qarkullojnë për njerëzit që duan të veshin xhinsin e tyre.”

Në debatin e xhinseve dhe gjeneve të Sweeney-t është përfshirë edhe Donald Trump. Ai nuk komentoi kritikat, por tha se “nëse Sydney është republikane, reklama e saj është fantastike” dhe dënoi politikat “woke”.

Sipërmarrës dhe ekspertë të fushës, raportojnë një rritje të imazheve të vajzave të bardha në reklama, që prej rikthimit të Trump në qeveri dhe goditjes së politikave DEI.

The post Reklama e xhinseve të aktores së famshme ‘trazon’ Amerikën: Naziste! appeared first on Gazeta Si.

Ministri serb pëson sulm në tru gjatë intervistës live (VIDEO)

5 August 2025 at 12:56

Nga Gazeta ‘Si’- Ministri serb për Investime Publike, Darko Glishiç ka shfaqur probleme të rënda shëndetësore gjatë një interviste televizive në mëngjes në një televizion serb.

Siç shihet edhe në disa pamje që po qarkullojnë në rrjetet sociale, ai filloi të belbëzonte dhe nuk ishte në gjendje të formonte fjali, çka detyroi ndërprerjen e menjëhershme të programit.

UDARNO: Hitno prekinut program na Pinku! Glišić se šlogirao u sred emisije?!

Ministru za javna ulaganja Darku Glišiću naglo je pozlilo uživo u jutarnjem programu na Pinku. pic.twitter.com/otIuN977tP

— Mario ZNA (@MarioBojic) August 5, 2025

Sipas mediave serbe, dyshohet se ai ka pësuar një sulm në tru dhe raportohet se është në gjendje të rëndë.

Ministri u dërgua me urgjencë në spital. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç shkoi menjëherë në spital pasi mësoi se çfarë i kishte ndodhur ministrit. Ai i dërgoi një mesazh të shkurtër mbështetjeje në Instagram:

– Guxoni, duroni! Asnjë dorëzim! – ka shkruar Vuçiç në Instagram.

Ai është një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Vuçiçit dhe ministër që nga maji 2024.

The post Ministri serb pëson sulm në tru gjatë intervistës live (VIDEO) appeared first on Gazeta Si.

Kolumbianët më të suksesshëm në Bundesliga

5 August 2025 at 12:51

Tani që Luis Díaz është zyrtarisht një lojtar i Bayern Munich, është koha të njihemi me 5 kolumbianët më të suksesshëm në Bundesliga.

– James Rodriguez (Bayern Munich, 2017-19)
Ai shënoi 7 gola dhe shërbeu për 11 të tjerë në titullin e 27 në Bundesliga dhe ndihmoi Bayern-in të mbërrinte në ½ finalet e “UEFA Champions League” ku u eleminuan nga Real Madrid.
Në total, sulmuesi kolumbian shënoi 15 gola e dha 20 asists në 67 ndeshje në të gjitha kompeticionet me plurikampionët e Gjermanisë.

– Rafael Borré (Eintracht Frankfurt, 2021-2024)
27 vjeçari fitoi “UEFA Europa League” në të parin sezon me “Eagles”, ku mbërriti si lojtar i lirë pas 56 golave në 189 ndeshje për River Plate.
Borré shënoi 1 gol e dha 2 asists në Finalen e “DFB Cup” që Frankfurt humbi ndaj Leipzig në vitin 2023.

– Faryd Mondragon (Koln, 2008-11)
Mondragon shkroi historinë si portieri i parë jugamerikan në Bundesliga dhe kontribuoi për ngjitjen e Koln nga Bundesliga 2 në Bundesliga në vitin 2007.
Sezoni i fundit ishte më i miri për të pasi vetëm Manuel Neuer e ruajti portën të paparekur në 15 raste, 3 më shumë se heroi nga Koln (12 në sezonin 2009/10).

– Jhon Cordoba (Mainz, Koln, Hertha Berlin: 2015-2021)
Sulmuesi shtatlartë shënoi 30 gola në 119 ndeshje në 5 sezonë me 3 klube të ndryshme në Bundesliga.
Gjithashtu Cordoba shënoi 20 gola në Bundesliga 2 duke ndihmuar Koln të vinte mes më të mirëve si Kampion i inferiorëve në sezonin 2018/19.

– Adrian Ramos (Hertha Berlin, 2009-14, Borussia Dortmund, 2014-17)
Luajti për të 8 vite në Gjerman në rradhët e Hertha Berlin dhe Borussia Dortmund që përfituan nga talenti i tij. Sulmuesi dinami qëndroi 5 sezone në “Olympiastadion” duke shënuar 58 gola në 157 ndeshje për Hertha-n.
Shifra që e ndihmuan të transferohej në Dortmund si pasues i talismanit, Robert Lewandowski që u largua drejt Bayern. Ishte pikërisht starti shpërthyes i Ramos që ndihmoi verdhezinjtë të fitonin Superkupën, 2-0 ndaj Bayern në “Signal Iduna Park”.

The post Kolumbianët më të suksesshëm në Bundesliga appeared first on Gazeta Si.

Pse Bashkimi Europian ‘po mungon’ në Gaza

5 August 2025 at 12:35

Nga Gazeta ‘Si’- Nicolas Schmit, i cili ishte anëtar i Komisionit Europian pas sulmeve të 7 tetorit nga Hamasi, thotë se qëndrimi i ngatërruar i bllokut ndaj luftës në Gaza buron nga diçka më e thellë se mosmarrëveshja: inercia institucionale dhe kontrolli presidencial.

Në një intervistë ekskluzive me The Capitals, socialisti i Luksemburgut tha se Komisioni nuk zhvilloi debat të duhur rreth marrëdhënies së Europës me Izraelin gjatë 13 muajve që ai ishte në detyrë pas fillimit të luftës.

«Nuk kemi pasur kurrë një diskutim të vërtetë strategjik mbi çështjen e Lindjes së Mesme nga këndvështrime të ndryshme», tha ai. «Duhet të kishim debatuar për marrëdhënien me Izraelin, por nuk e bëmë».

Kjo mungesë, argumentoi Schmit, ishte pjesërisht sepse Presidentja Ursula von der Leyen ishte në linjë me Berlinin dhe Uashingtonin, duke lënë pak hapësirë për pikëpamje të ndryshme midis komisionerëve të tjerë.

Mandati i Schmit si komisioner për vendet e punës dhe të drejtat sociale përfundoi në fund të vitit të kaluar. Komentet e tij vijnë pasi “miku i tij shumë i mirë” dhe ish-kolegu i tij Josep Borrell, ish-diplomati më i lartë i bllokut, akuzoi udhëheqjen e BE-së se është “bashkëpunëtore” në krimet e luftës të kryera nga Izraeli në një artikull që të habit , të botuar në mediat britanike, franceze, italiane , spanjolle dhe belge.

Që Borrell, një spanjoll, do të mbante një qëndrim të tillë ndoshta nuk është për t’u habitur – Spanja është shfaqur si një nga kritikët më të zëshëm të bllokut ndaj Izraelit në muajt e fundit. Vetëm javën e kaluar, në një qortim të rrallë publik ndaj kolegëve të saj, Teresa Ribera, një nga nënkryetaret më të larta të Komisionit, tha në radion kombëtare spanjolle se ajo e ka shtyrë von der Leyen të përgjigjet më me forcë.

Schmit më parë shërbeu si ministër i punës në Luksemburg – një tjetër komb europian që ka qenë i zëshëm në kritikat e tij ndaj Izraelit.

Megjithatë, ai u distancua nga fjalët e Borrell-it – “nuk është bashkëfajësi, është thjesht dobësi”, duke shtuar, “ka përçarje në Bashkimin Europian, padyshim, dhe Borrell duhet t’i dijë ato më mirë se unë”.

Javën e kaluar, shtetet anëtare debatuan propozimin e Komisionit për të pezulluar pjesërisht Izraelin nga programi kryesor i kërkimit të BE-së, Horizon Europe, në atë që mund të bëhet sanksioni i parë zyrtar i bllokut kundër Izraelit që nga 7 tetori. Por nuk u arrit asnjë shumicë e kualifikuar.

Rreth 10 vende, përfshirë Francën, Spanjën, Irlandën, Holandën dhe Belgjikën, e mbështetën këtë veprim, por Hungaria, Austria dhe Republika Çeke e kundërshtuan me vendosmëri. Gjermania dhe Italia, dy nga vendet më të mëdha që mund të ndryshonin peshoren, thanë se kishin nevojë për më shumë kohë për analizë.

Ndërsa kriza humanitare në Gaza përkeqësohet, Schmit beson se shkatërrimi po i afrohet një pragu që BE-ja nuk mund ta injorojë.

“Ajo që po i bëhet tani popullit të Gazës është thjesht e papranueshme. Nuk dua të hyj në këtë debat ligjor nëse është apo jo gjenocid, por nëse nuk është, është shumë afër gjenocidit”, tha ai.

Sipas pikëpamjes së Schmit, masa të tilla si pezullimi i Izraelit nga programi Horizon Europe ka të ngjarë të kenë pak ndikim tek kryeministri Benjamin Netanyahu. Në vend të kësaj, ai sugjeroi pezullimin e Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael, duke e përshkruar këtë veprim si “armën e vetme” të Europës.

Kritika e tij se Von der Leyen e ka keqmenaxhuar Komisionin duke mos lejuar më shumë hapësirë për debate politike mbi tema të diskutueshme nuk është e re; ai gjithashtu kritikoi ish-shefen e tij gjatë fushatës zgjedhore, kur ai kandidoi kundër saj në një përpjekje të pafat për t’u bërë presidente e Komisionit vitin e kaluar.

Nuk është e pazakontë që politikanët të zbulojnë bindjet e tyre pasi barrën e detyrës e kanë lënë pas. Schmit dhe Borrell, si shumë të tjerë para tyre, tani duket se janë të vendosur të rreshtohen me atë që shpresojnë të jetë ana e drejtë e historisë.

Por lufta ka evoluar gjithashtu në mënyrë drastike që kur ata u larguan nga Komisioni, gjë që mund të shpjegojë gjithashtu pse u desh deri në korrik 2025 që organi ekzekutiv të propozonte sanksione zyrtare kundër Izraelit.

Ndërsa numri i të vdekurve rritet, Von der Leyen e ka ashpërsuar me vonesë retorikën e saj në muajt e fundit, duke i bërë thirrje Izraelit të lejojë ndihmën humanitare në Gaza dhe duke i denoncuar imazhet që qarkullojnë në internet të viktimave civile si “të padurueshme”.

Kritika e Schmit-it ndaj shefes së Komisionit shtrihet përtej luftës. Ai paralajmëroi se nën udhëheqjen e saj, komisionerët “shumë rrallë” debatonin në mbledhjet e Kolegjit.

«Nëse keni këtë organizim vertikal të pushtetit», tha ai, «komisionerët janë vetëm sekretarët e presidentit. Ata janë nëpunës të lartë civilë».

Burimi: Euractive/Përshtati Gazeta Si

The post Pse Bashkimi Europian ‘po mungon’ në Gaza appeared first on Gazeta Si.

‘Ditët e Shqiptarit’- Festivali që e kthen Gjakovën në një ‘sofër’ që pret mysafirë

5 August 2025 at 12:35

Nga Gazeta “Si”– Pas çlirimit të Kosovës, arti dhe kultura janë shndërruar në ura lidhëse mes së kaluarës dhe së tashmes, si përpjekje e vazhdueshme për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë e pasur kulturore shqiptare. Ndër fushat ku shoqëria kosovare është rilidhur më së shumti me vetveten  si në aspektin tradicional, ashtu edhe atë modern është arti cilësor i cili ka zënë një vend të rëndësishëm, i mbështetur vazhdimisht nga artistë të pavarur dhe institucione kulturore.

Një ndër ngjarjet më të veçanta që tashmë është kthyer në traditë është festivali kulturor “Ditët e Shqiptarit”, i cili organizohet çdo verë në qytetin e Gjakovës, nga korriku deri në gusht. Ky festival ka tejkaluar përmasat lokale, duke u shndërruar në një ngjarje mbarëkombëtare që mbledh artistë, intelektualë dhe vizitorë nga të gjitha trevat shqiptare dhe më gjerë.

Me pjesëmarrjen e emrave të njohur si Ermonela Jaho, Elina Duni, Vlashent Sata, Jericho, Lorik Cana apo shkrimtarit Kim Mehmeti, “Ditët e Shqiptarit” kthejnë Gjakovën për disa fundjava me radhë në epiqendrën e artit, kulturës dhe dialogut ndërshqiptar. Por festivali nuk kufizohet vetëm në artin skenik. Aktivitetet përfshijnë kolonitë e piktorëve, teatrin e rrugës, kulinarinë tradicionale, ekspozita, sporte dhe kërcime ikonike nga Ura e Fshajt mbi kanionin e Drinit , gjithçka në funksion të një përvoje të thellë kulturore, të rrënjosur në autenticitetin shqiptar.

Organizatori dhe një nga themeluesit e këtij festivali, Ermal Hasimja, rrëfen për Gazetasi.al se Gjakova është një nga qytetet më artdashëse, dhe si i tillë e mbështet dhe e ndjek artin me interes. Sipas Hasimes, aktivitetet kulturore në Gjakovë synojnë të shtrihen përgjatë gjithë vitit.

“Ditët e Shqiptarit” janë pjesë e aktiviteteve të organizuara nga Fondacioni për Gjakovën. Tingëllon emër i madh, por në fakt fondacioni është thjesht një grup vullnetarësh gjakovarë që po përpiqen të nxjerrin në pah vlerat kulturore të qytetit. Aktivitete të ngjashme organizohen edhe në nëntor, pranë festës së flamurit, ose në kohë të tjera gjatë vitit. Synimi afatgjatë është që aktivitetet të shtrihen përgjatë gjithë vitit.

“Ditët e Shqiptarit” janë pritur shumë mirë. Është një qytet që e vlerëson artin e kulturën. Për më tepër, gjatë festivalit Gjakova është plot me vizitorë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut e vende të tjera. Festivali fokusohet te autentikja shqiptare. Nuk ka tallava apo zhanre të tjera të hiperkomercializuara. Muzika e vjetër qytetare është thelbësore, sepse qyteti jeton me muzikën, por festivali përfshin edhe kuzhinën tradicionale, koloni piktorësh, teatër rruge, kërcimet e famshme nga Ura e Fshajt mbi kanionin e Drinit, panele diskutimi me intelektualë, etj.

Që nga Ermonela Jaho, grupi muzikor Jericho dhe deri te Kim Mehmeti, “Ditët e Shqiptarit” duket sikur duan dhe kërkojnë të përfshijnë të gjithë. Por përtej pasionit dhe punës për të realizuar këto evente, ka edhe një kriter përzgjedhjeje për të ftuarit në “Ditët e Shqiptarit”.

“Për këto aktivitete punohet gjithë vitin. Secili nga grupi është i angazhuar maksimalisht sipas profilit të vet. Disa nga anëtarët e Fondacionit kontribuojnë edhe financiarisht për financimin e aktiviteteve. Kriteri i vetëm i përzgjedhjes është i thjeshtë: ne afrojmë kulturën autentike shqiptare. Prandaj të gjithë koncertet janë shqip, kuzhina është gjakovare, të ftuarit artistë ose intelektualë janë shqiptarë dhe diskutojnë tema shqiptare e kështu me radhë.

Ne synojmë ta kthejmë Gjakovën në qendrën e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe natyrisht edhe në qendër të turizmit të përvojës shqiptare.”

Ermal Hasimja, i njohur si politolog, pedagog dhe së fundmi edhe si shkrimtar në Shqipëri, na tregon edhe lidhjen e tij të ngushtë me Gjakovën.

Ermal Hasimja

“Origjina ime është nga Gjakova. Jam rritur që i vogël me dashurinë për këtë qytet. Dikujt nga jashtë mund t’i duket e çuditshme, por kjo ka qenë element thelbësor i identitetit tim vetjak e familjar. Nuk jam rast i veçantë. Çdo gjakovar, kudo ku është, ka një lidhje të fortë me qytetin dhe me këtë ushqehet që i vogël prej familjes. Në fakt, i gjithë qyteti është një familje e madhe.”

Ai thekson se “Ditët e Shqiptarit” janë konceptuar si sofër gjakovare që pret mysafirë nga e gjithë Shqiptaria, me synimin për t’i njohur me mikpritjen dhe shpirtin artistik të gjakovarëve.

“‘Ditët e Shqiptarit’ nuk është festë vendore. Përkundrazi, është konceptuar si një sofër gjakovare që pret mysafirë nga gjithë trojet shqiptare si dhe të huaj. Mirëpo, kush erdhi në Gjakovë e u ndje i huaj?! Gjakovarët janë mikpritës me nam, të dashur, me një sens humori që e konkuron vetëm Shkodra, dhe e duan shqiptarësinë siç duan familjen e tyre.

Ne duam që këto vlera t’i rikthejmë në vëmendje. Nuk jemi të vetmit, sepse komuna po bën një punë të mirë dhe na mbështet edhe neve, bizneset po rigjallërohen dhe i gjithë qyteti po rizgjohet për të dalë natyrshëm në rolin e tij karakteristik kulturor.”

Hasimja në fund thotë se skena kulturore në Kosovë po gjallërohet dhe kjo falë edhe festivaleve të tilla si ky.

“Vështirë të bëhet krahasimi, sepse kjo varet edhe nga natyra e cilësia e festivaleve. Është e sigurt që skena kulturore po gjallërohet. Por festivale si ‘Ditët e Shqiptarit’, me karakter kulturor e identitar, janë të një rëndësie të veçantë në epokën globaliste ku jetojmë.”

Në një kohë kur komercializimi dhe arti sipërfaqësor shpesh mbizotërojnë në hapësirat kulturore, “Ditët e Shqiptarit” në Gjakovë vijnë si një rikthim te thelbi, te rrënjët, te dija dhe ndjeshmëria shqiptare.

 Ky festival nuk është thjesht një ngjarje kulturore por një ftesë  për të festuar identitetin dhe vlerat e përbashkëta. Dhe Gjakova, me mikpritjen e saj të rrallë duket se ka gjetur formulën për të qenë jo vetëm qyteti i artit, por edhe zemra e kulturës shqiptare.

The post ‘Ditët e Shqiptarit’- Festivali që e kthen Gjakovën në një ‘sofër’ që pret mysafirë appeared first on Gazeta Si.

Holanda, vendi i parë i NATO-s që blen armë amerikane për Ukrainën për 500 mln $

5 August 2025 at 12:33

Gazeta Si – Holanda ka njoftuar se do të blejë armë dhe pajisje ushtarake me vlerë 500 milionë euro nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Ukrainën.

Në javët e fundit, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, njoftoi se do t’i ofrojë Ukrainës armë të reja dhe të përmirësuara për t’iu kundërvënë pushtimit rus, me kusht që kostot e tyre të rimbursohen nga vendet individuale të NATO-s, aleanca ushtarake e krijuar pas Luftës së Dytë Botërore që përfshin si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe shumicën dërrmuese të vendeve evropiane.

Holanda është vendi i parë që blen armë nga Shtetet e Bashkuara sipas këtij mekanizmi.

Ministri holandez i Mbrojtjes, Ruben Brekelmans, specifikoi se armët që po dërgohen në Ukrainë përfshijnë raketa “Patriot”, ndër sistemet më të sofistikuara të mbrojtjes ajrore në dispozicion të Perëndimit.

Kjo është e rëndësishme në një kohë kur Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore në qytetet ukrainase.

Përfaqësuesi i SHBA-ve në NATO, Mattheë Ëhitaker, tha se pret që shumë vende të tjera perëndimore të ndjekin shembullin e Holandës në javët e ardhshme.

The post Holanda, vendi i parë i NATO-s që blen armë amerikane për Ukrainën për 500 mln $ appeared first on Gazeta Si.

Rregulla të reja për ndërtuesit, IKMT do të monitorojë me kamera dhe GPS ndërtimet

5 August 2025 at 11:44

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria ka miratuar një dokument në kuadër të nismës kundër abuzimeve në ndërtime.

Sipas vendimit, çdo kantier ndërtimi do të jetë i rrethuar me foto të projektit dhe të dhëna për të, si edhe një numër kontakti. Në rast se imazhet apo ngjyrat dëmtohen me kalimin e kohës, subjekti zhvillues duhet ta zëvendësojë dhe rinovojë rrethimin e kantierit brenda 1 jave.

Çdo kënd i kantierit duhet të ketë të paktën katër kamera sigurie ku do të kenë akses IKMT dhe AZHT për të monitoruar nëse projekti po zbatohet në përputhje me lejen e ndërtimit. Ndërkohë, të gjitha mjetet e kantierit do të jenë të pajisura me GPS funksional, në të cilat do të kenë gjithashtu akses IKMT dhe AZHT.

Zbatuesi i punimeve detyrohet të sigurojë në kantier punëmarrës të aftë, mjetet mbrojtëse, mbrojtjen e detyrueshme nëpërmjet vendosjes së skelave, të daljeve të jashtme të objektit, mbrojtjen e mekanizmave e të pajisjeve nga goditjet e rrymave elektrike, si dhe mirëmbajtjen dhe kontrollin e makinerive.

Drejtuesi teknik do të pezullojë punën në rast se nuk garantohen masat mbrojtëse për punëtorët në kantier, ndërsa për defektet e vëna re në punime dhe kohën e korrigjimit të tyre, mbikëqyrësi i punimeve duhet të njoftojë zbatuesin.

The post Rregulla të reja për ndërtuesit, IKMT do të monitorojë me kamera dhe GPS ndërtimet appeared first on Gazeta Si.

Tragjike në Pogradec/ Goditet nga rrufeja, humb jetën 47-vjeçari, ngordhin edhe 20 bagëti

5 August 2025 at 11:38

Nga Gazeta ‘Si’- Një ngjarje tragjike ka ndodhur në fshatin Velçan të Pogradecit, ku një bari ka humbur jetën si pasojë e goditjes nga rrufeja.

Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 10:00, 47-vjeçari L. Ç., i cili ruante bagëtitë në zonën malore të fshatit, u godit nga rrufeja gjatë një moti të keq.

Fatkeqësisht, ai ndërroi jetë në vend.

Nga goditja elektrike, kanë ngordhur gjithashtu rreth 20 krerë bagëti të imëta që po kullotnin afërsi të tij.

The post Tragjike në Pogradec/ Goditet nga rrufeja, humb jetën 47-vjeçari, ngordhin edhe 20 bagëti appeared first on Gazeta Si.

Flodian Plaku mohon në gjykatë akuzat për vrasjen e Gentian Bejtjes: Nuk kam lidhje me ngjarjen

5 August 2025 at 10:51

Gazeta Si – Gjykata e Tiranës ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Flodian Plakun, 42-vjeçarin e akuzuar për vrasjen e Gentian Bejtjas, i cili njihet edhe me mbiemrat Mamo dhe Serjani.

Para trupit gjykues, ai ka mohuar çdo përfshirje në krim, duke deklaruar se lidhja e vetme me ngjarjen mund të jetë një automjet Golf që kishte përdorur dhjetë ditë para vrasjes.

Dy ditë pas arrestimit të tij në Orikum, i njohur edhe me nofkën “Pole Qorri”, Plaku thotë se shkak për arrestimin e tij është bërë përdorimi i një mjeti tip “Golf” para 10 ditësh.

“Nuk kam lidhje me ngjarjen, kam përdorur një mjet tip ‘Golf’ para 10 ditësh prandaj erdhi policia tek unë”, – deklaroi 42-vjeçari në gjykatë.

Ai u përfaqësua nga avokati Edvis Gorishti, i cili kërkoi një masë më të butë sigurie për të dyshuarin, gjë që iu refuzua nga trupa gjykuese.

Hetimet për zbardhjen e plotë të vrasjes vijojnë, ndërsa Prokuroria e Tiranës e konsideron atë si një nga personat kyç të dyshuar për krimin.

Flodian Plaku u arrestua dy ditë më parë në një hotel në Orikum ku ai ishte strehuar prej disa kohësh. Në momentin e arrestimit atij i janë gjetur 25 mijë euro cash dhe shtatë celularë, gjithashtu edhe dy armë zjarri.

Gjatë operacionit policor u arrestuan edhe 4 persona të tjerë si të dyshuar për ndihmë ndaj tij dhe përfshirje në ngjarje të tjera kriminale.

Flodian Plaku dyshohet si një ndër tre autorët që kanë hapur zjarr me breshëri ndaj ish-policit që ishte kthyer në personazh të botës së krimit.

Më 14 mars 2024, dyshohet se ata qëlluan me breshëri plumbash automatiku kundrejt Bejtjas, i cili ndodhej në oborrin e banesës së tij në Larushk të Fushë Krujës.

Dyshohet se vrasja ka motive hakmarrje si pasojë e luftës për hakmarrje mes grupeve të Ervis Martinajt, Indrit Dokles dhe Durim Bamit.

Pak ditë pas vrasjes, u arrestuan Ilir Beqaraj dhe Edison Haxhiu, të dy të dyshuar për atentatin mafioz. Dosja për vrasjen e Bejtjas kaloi për gjykim më 9 mars të këtij viti.

The post Flodian Plaku mohon në gjykatë akuzat për vrasjen e Gentian Bejtjes: Nuk kam lidhje me ngjarjen appeared first on Gazeta Si.

Kriza humanitare, Izraeli: Do të lejojmë hyrjen e kontrolluar të mallrave në Gazë

5 August 2025 at 10:50

Nga Gazeta ‘Si’- Izraeli do të lejojë hyrjen graduale dhe të kontrolluar të mallrave në Gazë përmes tregtarëve lokalë, tha COGAT, agjencia e ushtrisë izraelite që kontrollon ndihmën.

“Ky vendim synon rritjen e volumit të ndihmës që hyn në Gazë dhe njëkohësisht ul varësinë nga shpërndarja e ndihmave nga Kombet e Bashkuara dhe organizatat e tjera ndërkombëtare”, tha agjencia më 5 gusht.

Javën e kaluar, Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – tha se po përgatitet që të koordinohet me Kryqin e Kuq për të dërguar ndihma te pengjet që mban në Gazë, nëse Izraeli plotëson disa kushte.

Ky njoftim i grupit radikal palestinez erdhi pasi u publikua një video që shfaqte një peng të dobësuar shumë, gjë që nxiti kritika të ashpra nga fuqitë perëndimore.

Zyrtarët e OKB-së dhe palestinezët thonë se nevojiten që çdo ditë të hyjnë afër 600 kamionë me ndihma në Gazë në mënyrë që të plotësohen kërkesat humanitare – shifër që Izraeli lejonte që të hynte në territorin palestinez para nisjes së luftës.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, kur Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë, sipas shifrave të Izraelit.

Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 60.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën palestineze. Kjo ministri nuk bën dallimin mes luftëtarëve dhe civilëve të vrarë kur publikon shifrat për viktimat.

Sipas zyrtarëve izraelitë, 50 pengje janë në Gazë dhe vetëm 20 prej tyre besohet se janë gjallë. Deri më tani, Hamasi ka penguar organizatat humanitare të kenë çfarëdo lloj qasjeje te pengjet, ndërsa familjet e tyre kanë pak ose aspak informacione mbi gjendjen e tyre. /rel

The post Kriza humanitare, Izraeli: Do të lejojmë hyrjen e kontrolluar të mallrave në Gazë appeared first on Gazeta Si.

‘E përballueshme dhe mikpritëse’, Tirana një nga vendet më të mira për nomadët digjitalë

5 August 2025 at 10:47

Në një renditje të vlerësuar sipas nomadëve digjitalë, Tirana është një nga 10 qytetet më të mira për to.

Pika më e fortë tërheqëse për Shqipërinë është lejeqëndrimi afatgjatë pa procedura burokratike, si shumë vende në Europë. Të huajt e vlerësojnë Tiranën si të përballueshme, origjinale dhe mikëpritëse.

Lista vazhdon me vende si Kotorri, Athina, Pistoia, Talini, Praga, Dubrovniku, Lubljana dhe Bratislaava.

Të dhënat e “Travel&Leisure” tregojnë se për vitin 2025, komuniteti i nomadëve digjitalë kaloi 40 milionë, me një rritje rreth 150% nga viti 2019.

“Stil i jetesës së nomadëve digjitalë ka të bëjë me dizajnimin e një jete që ndërthur fleksibilitetin profesional me eksplorimin personal,” tha Keith Spencer, një ekspert i karrierës në FlexJobs, me Travel + Leisure. “Për të arritur ekuilibrin e duhur, nomadët dixgjtalë zakonisht tërhiqen në qytete me internet të besueshëm, kosto të përballueshme jetese, kulturë të gjallë lokale dhe një komunitet të fortë punëtorësh të largët.”

Siç vuri në dukje Spencer, kushdo që e konsideron këtë mënyrë jetese duhet të shikojë përtej peizazhit të bukur të një destinacioni dhe të marrë parasysh të gjitha detajet praktike.

“Përputhshmëria e zonës kohore me klientët dhe kolegët, aksesi në infrastrukturën thelbësore, pengesat gjuhësore dhe implikimet e taksave lokale mund të luajnë të gjitha një rol të madh në përvojën e përgjithshme,” tha Spencer.

“Të bëhesh një nomad digjital i suksesshëm kërkon planifikim të zhytur në mendime, stabilitet financiar dhe gatishmëri për t’u përshtatur me mjediset e reja. Kjo mund të tingëllojë frikësuese për disa, por shumë mendojnë se liria dhe perspektiva që ofron ky stil jete ia vlen të kompensohen.”/Travel&Leisure

The post ‘E përballueshme dhe mikpritëse’, Tirana një nga vendet më të mira për nomadët digjitalë appeared first on Gazeta Si.

Shkëndija pret Qarabag-un për historinë

5 August 2025 at 10:40

Nga Gazeta Si – Shkëndija do të provojë të shfrytëzojë faktorin fushë kur të presë Qarabag sot në “Tose Proeski Arena” për ndeshjen e parë të raundit të 3 kualifikues në “UEFA Champions League”.

Të dyja skuadrat kanë arritur fitore brenda dhe jashtë në raundin paraardhës ku “Ballistët” eleminuan FCSB 3-1 pas 180 minutave ndërsa gjigandët nga Azerbaixhani u kualifikuan ndaj Shelbourne pas shifrave të përgjithshme 4-0.

Ecuria e Shkëndijës deri tani nuk ka kaluar pa rënë sy pasi është vetëm hera e dytë që kjo skuadër mbërrin në turin e 3 paraeleminator. Në turin e parë eleminuan jo pa vështirësi uellsianët e TNS.

Madje në ndeshjen e dytë sfida kërkoi kohën shtesë. Ndërsa triumfi ndaj FCSB, bëri më shumë jehonë pasi u arrit ndaj një klubi me histori në fazë grupesh. Fitorja 1-0 në Tetovë mund të konsiderohej e rastësishme po ajo 2-1 në Bukuresht çimentoi kualifikimin e merituar të djemve të Jeton Beqirit.

Qarabag nga ana tjetër ka justifikuar parashikimet në sezonin e 11 në eleminatoret e Champions League ku kërkojnë kualifikimin e dytë në Fazën e Ligës tashmë (faza e grupeve deri dy sezone më parë).

Më herët luajtën në grupet e sezonit 2017-18. Ata e filluan nga raundi I dytë ku eleminuan irlandezët e Shelbourne. Të besuarit e Gurban Gurbanov kanë 3 fitore në 4 ndeshjete  fundit zyrtare dhe duan fitoren e dytë në transfertë pas asaj në Dublin.

Herën e fundit në këtë raund, ata eleminuan Ludogorets në shifrat 8-4, madje pas humbjes së ndeshjes së parë në shtëpi. Por nuk arritën të shkojnë në grupe pasi u eleminuan nga Dinamo Zagreb.

The post Shkëndija pret Qarabag-un për historinë appeared first on Gazeta Si.

Zhduket pa asnjë gjurmë 27-vjeçari në Dhërmi, i vëllai kallëzon në polici

5 August 2025 at 10:39

Gazeta Si – Një 24-vjeçar nga Tirana ka bërë kallëzim në Policinë e Dhërmiut për zhdukjen e vëllait të tij.

Sipas policisë, i vëllai, A.Z., 27 vjeç, është larguar nga një hotel më 2 gusht dhe nuk ka komunikuar më me familjarët..

Policia ka shpallur në kërkim të riun dhe po punon për ta gjetur.

“Në Stacionin e Policisë Dhërmi është bërë kallëzim nga shtetasi K. Z., 24 vjeç, banues në Tiranë, pasi më datë 02.08.2025, vëllai i tij është larguar nga një hotel në Dhërmi dhe nuk e ka kontaktuar më. U bë shpallja në kërkim e shtetasit A. Z., 27 vjeç, banues në Tiranë, dhe po punohet për gjetjen e tij”, – njofton policia.

The post Zhduket pa asnjë gjurmë 27-vjeçari në Dhërmi, i vëllai kallëzon në polici appeared first on Gazeta Si.

❌
❌