Nga Gazeta Si- Pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama për largimin e kryetarëve të Njësive Administrative në vend, kanë filluar sot edhe lëvizjet e para.
Në qarkun e Elbasanit, drejtuesit e Njësive Administrative si dhe përgjegjësit e disa funksioneve firmosën dorëheqjet pas një mbledhjeje të mbajtur në bashkinë e Elbasanit.
Janë 18 administratorë, 12 fshat dhe 6 në qytet. Gjithashtu në bashkinë e Elbasanit janë dorëhequr dy drejtorë te shërbimeve publike dhe përgjegjësit në varësi te tyre.
Në Kukës, 14 drejtuesit e Njësive Administrative të këtij qarku, u shkarkuan bashkë me dy nënkryetarët e bashkisë Agron Nuredinaj dhe Vladimir Spahiu.
Ndërsa në Korçë, 6 kryetarët e Njësive Administrative në varësi të kësaj bashkie, kanë dorëzuar dorëheqjet pranë kryebashkiakut Sotiraq Filo.
Gazeta Si – Prokuroria e Fierit, ka njoftuar sekuestrimin e automjetit luksoz tip “Lamborghini” në pronësi të Arbër Muçës, një personazhi të njohur të botës së krimit, të cilit një vit më parë iu sekuestrua pasuria me vlerë 2 milionë euro.
Mësohet se mjeti “Lamborghini Urus Mansory” u soll në Shqipëri nga Dubai me anë të personave të tretë, të cilët nuk janë bërë publikë nga prokuroria.
Hetimet ndaj Arbër Muçës, 37 vjeç, kanë nisur që në vitin 2020, nën dyshimet për përfshirje në aktivitete të paligjshme dhe pastrim të parave.
Një vit pasi iu sekuestrua pasuri me vlerë rreth 2 milionë euro, ku përfshiheshin mijëra hektarë tokë, apartamente, vendparkim, 12 makina dhe llogari bankare, një 37-vjeçari në Fier, i është konfiskuar edhe një automjet luksoz.
Sipas autoriteteve shqiptare 37-vjeçari dyshohet se i ka përfituar këto pasuri nga veprimtaritë kriminale në fushën e narkotikëve, të kryera jashtë Shqipërisë.
Nga Gazeta Si- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Vlorës, ku një e re, 17 vjeç është dërguar në spital nga familjarët, në gjendje të rëndë, pasi ka pësuar plagë të shkaktuara nga armë zjarri.
Sipas informacioneve paraprake të policisë, e reja dyshohet se është vetëplagosur me pistoletë në shtëpinë e saj.
Gazeta Si – Kryedemokrati Sali Berisha akuzoi sërish kryeministrin Rama, duke e cilësuar shembjen e banesave në Theth sërish “një krim shtetëror”. Kryeministrin Edi Rama, ai e quajti “armik të shpallur të Veriut në 12 vite të qeverisjes”.
“Edi Rama u soll ndaj Thethit si një shkatërrimtar, shfrytëzoi pabesinë, mashtrimin dhe ka dëmtuar më shumë se çdo pushtues tjetër gjer sot, atë zonë. Po të heqim Rrugën e Arbrit gjatë qeverisjes sonë, investimet janë të barabarta me ato të një rrethi të vetëm të kategorisë së tretë. Shikoni ç’ndodh me autostradën Milot-Lezhë, autostradë e vdekjes, ndodhin aksident pas aksidenti. Pas Rrugës së Kombit, është rruga me trafikun më intensiv në vend. Ky e urren veriun, e urren Shkodrën!”, tha kreu i PD-së.
Më tej, shtoi se e vetmja gjë që ka bërë është se “riinauguron akset rrugore të nisura nga qeveria e dikurshme”.
“Dënoj me forcën më të madhe aktet e krimit shtetëror të kryer ndaj banorëve të Thethit dhe kërkoj ndëprerjen e menjëhershme të këtij terrori. Dëmshpërblim për banesat e prishura të premtuara që do legalizohen nga Edi Rama. I ka me zë dhe figurë premtimet e tij!”, deklaroi Berisha.
Nga Nick Thorpe – Hungarezët kanë një shprehje popullore: “Visszanyal a fagyi”, që përkthehet: “Akullorja lëpin mbrapsht”. Me fjalë të tjera, bëj kujdes, sepse ajo që të pëlqen ta shijosh, mund të kthehet të të përpijë.
Kryeministri hungarez Viktor Orbán ka sulmuar në mënyrë të vazhdueshme botëkuptimin liberal për më shumë se dy dekada, duke e shndërruar vendin në atë që ai vetë e ka përshkruar si një “demokraci joliberale” dhe një komb të “lirisë së krishterë”.
Ndërkohë, ai ka fituar simpatizantë në mbarë botën që nga zëvendëspresidenti amerikan JD Vance e deri te kryeministri gjeorgjian Irakli Kobakhidze. Presidenti Donald Trump e ka cilësuar Orbánin si “të zgjuar” dhe “njeri të fortë”.
“Nga burrat më të respektuar . Një lider i hekurt”, deklaroi Trump në shtator të vitit 2024.
Para zgjedhjeve të ardhshme në Hungari, të parashikuara për prillin e vitit 2026, komuniteti LGBTQ duket se është bërë shënjestër e re e Orbánit. Partia e tij, Fidesz, miratoi një ligj të ri për ndalimin e Paradës së Krenarisë. Megjithatë, midis 100,000 dhe 200,000 vetë morën pjesë këtë vit, nga vetëm 35,000 që ishin vitin e kaluar.
Victor Orban dhe Donald Trump
Duke parë turma të mëdha që marshojnë nëpër rrugët e Budapestit për të mbrojtur të drejtën e fjalës, të drejtën për të protestuar dhe për të afirmuar identitetin e tyre, shumë vetë shtrojnë pyetjen: A po i kundërvihet më në fund liberalizmi qeverisjes së Orbánit?
Por në të vërtetë, kjo mund të mos jetë pyetja e duhur. Sepse sfida më serioze ndaj pushtetit të Orbánit nuk vjen nga e majta liberale por nga qendra e djathtë.
Një sfidant i papritur nga brenda kampit të tij
Peter Magyar, 44 vjeç, një ish-bashkëpunëtor i ngushtë i Orbánit, u shfaq në skenën politike si sfidues në shkurt 2024. Kjo pasoi një skandal që shpërtheu pas faljes së një burri të dënuar për fshehjen e abuzimit seksual ndaj fëmijëve, një vendim që detyroi Presidenten Katalin Novak të japë dorëheqjen drejtpërdrejt në televizion. Edhe Ministrja e Drejtësisë, Judit Varga (ish-Zonja e Parë e Hungarisë), u tërhoq nga posti.
Në një intervistë për Partizán, kanali kryesor opozitar në YouTube, Magyar e akuzoi Fideszin për nepotizëm dhe korrupsion.
Robert Puzser, aktivist dhe drejtues i një nisme jopartiake të quajtur “Rezistenca Qytetare”, thotë se elita politike hungareze po ecën me kujdes, ndërkohë që disa përpiqen ta etiketojnë Magyarin si liberal apo të majtë, për ta diskredituar para bazës konservatore të vendit.
Sipas Puzserit, Magyar ka formësuar një narrativë të re: atë të një vendi që po shembet nga brenda. Dhe shumë duket se po e besojnë. Partia e re e Magyarit, Tisza, në shumicën e sondazheve del mes 9% dhe 18% përpara Fideszit. Vetëm një institut i afërt me qeverinë, Viewpoint Institute, vazhdon ta rendisë Fideszin si forcën më të votuar.
Peter Magyar, lideri i opozitës Hungareze
Gjendja alarmante e spitaleve publike, shkollave shtetërore dhe infrastrukturës hekurudhore është kthyer në armë kundër qeverisë. Strategjia e Orbánit, që për shumë kohë është admiruar nga jashtë, po has gjithnjë e më shumë rezistencë në vend.
Një strateg i vjetër
Orbán ka qenë në pushtet për 19 nga 35 vitet që nga rënia e komunizmit më 1990, duke e kthyer atë në një prej liderëve më të qëndrueshëm të Bashkimit Evropian. Në vitet ’90, ai e shkëputi Fideszin nga rrënjët e saj liberale dhe e riktheu në një formacion nacionalist dhe konservator të djathtë.
Në krizën e emigrantëve të vitit 2015, ai e përshkroi lëvizjen drejt Evropës si një “migracion të përzier me azilkërkues dhe luftëtarë të huaj”. Ai ka refuzuar mbështetjen ushtarake për Ukrainën dhe kundërshton pranimin e saj në BE.
Fitorja në zgjedhje ka qenë gjithmonë e lidhur me një aftësi të mprehtë për të identifikuar frikërat e elektoratit. Që nga viti 2010, Orbán ka fituar zgjedhje me mesazhe të thjeshta dhe të fuqishme, shpesh të nxitura nga sondazhe të brendshme dhe të papublikuara.
Ligji zgjedhor i vitit 2011, që uli numrin e deputetëve dhe hoqi balotazhin, ka ndihmuar Fideszin të dominojë skenën. Në vitin 2014, me 45% të votave, Fidesz mori 67% të vendeve në Parlament.
Orbán ka ndikuar edhe në drejtësinë e vendit, duke emëruar gjyqtarë miqësorë me Fideszin në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë.
Goditje dhe gabime
Referendumi i vitit 2022 për “mbrojtjen e fëmijëve”, që përkoi me zgjedhjet, u përdor si një instrument për të mobilizuar elektoratin konservator. Shumica dërrmuese votuan kundër “orientimit seksual pa pëlqimin e prindërve” dhe “promovimit të ndërrimit të gjinisë për të mitur”.
Por sot, rrëshqitjet janë të dukshme. Orbán nuk arriti ta ndalojë Paradën e Krenarisë, ndonëse e premtoi. Ai gjithashtu gaboi rëndë kur mbështeti kandidatin ultranacionalist rumun George Simion, i cili ka bërë deklarata anti-hungareze dhe humbi befas raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Nga ana tjetër, ekonomia hungareze është në stanjacion dhe e varur nga industria gjermane e automjeteve, ndërkohë që Orbán nuk mund të premtojë më rritje ekonomike.
Në udhëkryq
Peter Magyar është kthyer në një simbol të shpresës për shumë qytetarë. Ai udhëton nëpër vend, viziton spitale e shkolla dhe shpesh transmeton gjithçka drejtpërdrejt në Facebook.
“Do ta ndërtojmë sërish këtë vend, tullë pas tulle,” përsërit ai. Turmat i përgjigjen: “Tullë pas tulle!”
Ndërkohë, analistët politikë si Zoltán Kiszelly paralajmërojnë se zgjedhjet e vitit 2026 do të vendosen nga afro një milion votues të pavendosur. Orbán mund të luajë kartën e “paqes” siç bëri në vitin 2022 duke akuzuar opozitën se do ta fuste Hungarinë në luftë përkrah Ukrainës.
Nëse lufta përfundon deri atëherë, Orbán mund të pretendojë se kishte të drejtë. Nëse vazhdon, ai do të mund të përforcojë mesazhin kundër Perëndimit dhe të pozicionohet si garant i stabilitetit energjetik përmes lidhjeve me Rusinë.
Por kundërshtarët e tij nuk heqin dorë. “Hungaria ndodhet në një udhëkryq,” thotë Puzser. “Ka një rrugë drejt një tranzicioni demokratik dhe një tjetër që të çon drejt një diktature.”
Orbán vetë thotë se kjo është një betejë “për shpirtin e botës perëndimore”. Por për shumëkënd, zgjedhjet e prillit 2026 janë mbi të gjitha një betejë për shpirtin e Hungarisë.
Gazeta Si – Një 37-vjeçar, i identifikuar Ndriçim Sula, i cili ishte shpallur në kërkim nga autoritetet spanjolle për “mashtrim me pasoja të rënda”, është arrestuar në Tiranë krejt rastësisht.
Sula u ndalua këtë të hënë nga Policia Rrugore e Tiranës duke përdorur celularin gjatë drejtimit të makinës.
Por pas verifikimeve, rezultoi se Ndriçim Sula ishte në kërkim nga autoritetet spanjolle, si pjesë e organizatës kriminale të Amant Josifit, për mashtrim me “Call-Center”-a.
Më konkretisht, 37-vjeçari akuzohet si pjesë e grupit të Amant Josifit, i cili është i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga disa shtete për mashtrim me dëm 2.4 miliardë euro nëpërmjet “Call-Center”-ave.
Aktualisht Josifi dyshohet se është arrestuar në Dubai, ndërsa më parë Josifi ka punuar si këshilltar i Olta Xhaçkës gjatë kohës që kjo e fundit drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes.
Gjykata e Seu de Urgell, i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “mashtrimi”, me pasoja të rënda, kryer në kuadër të organizatës kriminale. Pas arrestimit të Sulës, policia tha se kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Spanjës.
Nga Gazeta Si – Granit Xhaka harron Apeninet dhe zgjedh të shkojë në Arabinë Saudite. 32 vjeçari për të cilin u tha se do të shkojë te Milan, pastaj Juventus dhe në fund Inter, duket se ka rênë dakort me arabët e Neom SC ku pritet të marrë një pagë prej 10 milionë eurosh në sezon. Klubi saudit ka paraqitur një ofertë prej 6 milionë eurosh për Bayer Leverkusen dhe tratativa do te vazhdojë gjatë kësaj jave. Nëse klubet nuk bien dakort, Fenerbahce është gati të paraqesë ofertën per mesfushorin dardan që pëlqehet nga Jose Mourinho. Neom SC ka ardhur nga Liga e 1’rë dhe sezonin e ardhshëm do të luajë në Saudi Pro League. Skuadra drejtohet nga francezi Cristophe Galtier (që fitoi titullin në Ligue 1 me Lille në 2020-’21& PSG në 2022-’23) dhe në përbërje, mes të tjerëve ka edhe Alexandre Lacazette.
Nga Gazeta Si- Një pallat pa leje është sekuestruar ditën e sotme në Vlorë dhe sipas Kryeinspektores së IKMT-së Dallëndyshe Bici, ndërtesa do t’i kalojë shtetit.
Kreu i qeverisë Edi Rama në një postim në Facebook shprehet se këtë fat do të kenë të gjitha objektet me shkelje të lejes së ndërtimit, të cilat sipas rastit e nevojës do të shemben apo konfiskohen nga shteti për funksione publike.
“Së shpejti do të miratohet reforma e re e kontrollit mbi territorin, me masa të reja shtrënguese dhe përgjegjësi administrative e penale edhe për “symbyllurit” që paguhen me taksat e shqiptarëve, si inspektorë e shefa bashkie, punonjës e shefa policie dhe me radhë, – tha Rama. – Shqipëria 2030 në BE kërkon fundin e këtyre fenomeneve, ndërsa 99% e qytetarëve që respektojnë ligjin, meritojnë hapësira publike të pacënueshme më nga askush”, – shkruan Rama.
Paralajmërimin e Ramës e konfirmon Bici, e cila tha se pallati në fjalë do t’i kalojë shtetit për t’u përdorur në funksion të interesit publik. Drejtoresha e IKMT gjithashtu nënvizoi se fatin e ngjashëm do ta kenë edhe objekte të tjera, të ndërtuara në shkelje të ligjit në mbarë territorin e vendit.
“Në vazhdën e kontrolleve, ashtu siç ka ndodhur edhe me objekte të tjera më parë, ky objekt do të konfiskohet dhe do t’i kalojë shtetit për interes publik. Jam këtu për t’ju bërë me dije se të njëjtin fat do të kenë të gjitha ato objekte që rezultojnë me leje ndërtimi, por që kanë ndërtuar në shkelje brutale të lejes së ndërtimit duke cenuar interesin publik dhe pronën e përbashkët. IKMT do të vijojë punën në të gjithë territorin e Shqipërisë për të inspektuar objektet me apo pa leje ndërtimi, me qëllimin që të garantojmë respektimin e ligjit, sigurinë e komunitetit dhe interesin publik”, shprehet Bici.
Nga Gazeta Si- Për sa kohë EUR/USD do të tregtohet mbi vlerën 1.168 trenda e fillim javës do të jetë rritëse me target 1.175. Tregtimi nën vlerën 1.168 do të ndiqej nga rënie e mëtejshme drejt suportit 1.16.
Për sa kohë GBP/USD do të tregtohet nën vlerën 1.352 trenda do të vazhdojë të jetë negative me target 1.337. Tregtimi mbi vlerën 1.352 hap rrugën për avanvim të mëtejshëm me objektiv 1.356.
Për sa kohë DOW JONES do të tregtohet mbi vlerën 44160 trenda do të jetë pozitive me target 45900. Tregtmi nën vlerën 44160 hap rrugën për testimin e suportit 43900.
Për sa kohë CRUDE OIL do të tregtohet mbi vlerën 68.3 trenda do të jetë pozitive me objektiv 71. Tregtimi nën vlerën 68.3 do të shoqërohet me rënje të mëtejshme drejt suportit 67.65.
Për sa kohë BTC/USD do të tregtohet mbi vlerën 118600 trenda do të mbetet pozitive me target 120250. Tregtimi nën vlerën 118600 do të ndiqej nga tentativa e testimit të suportit 116900.
Nga Gazeta Si- Mbyllja e përkohshme e TikTok nuk solli efekt në uljen e dhunës apo përmirësimin e shëndetit mendor të të rinjve. Në këtë përfundim del Qëndresa Qytetare në raportin e fundit.
Sipas autores Ritvana Hajdari, të dhënat tregojnë se përdorimi i TikTok vazhdoi edhe gjatë periudhës së mbylljes.
Nga 304 pjesmarrës në pyetësorin e Organizatës, 56.6% e të anketuarve thanë se e kanë përdorur platformën njësoj si më parë, duke përdorur VPN. Të anketuarit, të cilit ishin të moshave nga 14 deri në 30 vjec, gjithashtu e cilësuan mbylljen e TikTok si një hap jo efektiv.
“Të dhënat tregojnë se për më shumë se gjysmën e të anketuarve (52.6%), mbyllja e TikTok nuk solli asnjë ndryshim në përditshmërinë apo gjendjen e tyre. Nga ana tjetër, një përqindje jo e vogël ka raportuar ndikime emocionale ose sociale, 24% thonë se kanë kaluar më shumë kohë në platforma të tjera, gjë që tregon zhvendosje të aktivitetit online, jo reduktim”, thuhet në raport.
Gjithashtu, shumica e të rinjve nuk e perceptojnë mbylljen e TikTok si një masë efektive për reduktimin e dhunës.
59.2% e të anketuarve mendojnë se mbyllja nuk ka pasur ndikim, ndërsa vetëm 10.9% besojnë se ka ndikuar pozitivisht në uljen e dhunës. Ndërkohë, një pjesë më e vogël (6.3%) shprehen se mbyllja e ka përkeqësuar situatën.
Një ndër treguesit më alarmantë është rritja e dhunës me dashje. Nga 940 raste në 2023, kjo shifër u rrit në 1,023 në 2024 dhe në vetëm katër muaj të vitit 2025 janë regjistruar 445 raste, me një projeksion vjetor rreth 1,335 raste, një rritje drastike me mbi 41% krahasuar me vitin 2023.
Në pyetësor, 78.9% e të rinjve raportojnë se kanë qenë të ekspozuar ndaj përmbajtjes së dhunshme në TikTok, ndërsa 68.8% identifikojnë bullizmin dhe fyerjet si përmbajtjen më të zakonshme.
“Megjithatë, mbyllja e platformës nuk e ka ndalur këtë ekspozim kur 56% e të rinjve deklarojnë se e përdorin ende TikTok-un, përmes VPN apo mënyrave të tjera, duke treguar se ndërhyrja institucionale nuk ka qenë as funksionale, as e qëndrueshme”, thuhet në raport.
Gazeta Si – Gjatë aktivitetit “Jurisprudenca në Gjykatën Kushtetuese”, ku të pranishëm ishin kryetarja e kësaj Gjykate Holta Zaçaj, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, kryeparlamentarja Elisa Spiropali, ambasadori i BE, Silvio Gonzato, tha se Udhërrëfyesi i ri është fuqizues, përtej informacionit që ofron.
“Gjykata Kushtetuese ka krijuar një trupë të pasur dhe komplekse jurisprudence që ka mbrojtur të drejtat themelore dhe ka kontribuar në reformën në drejtësi. Për ta kuptuar, këto sfida me të cilat përballen profesionistët nuk kanë të bëjnë vetëm me kuptimin e përmbajtjes së vendimeve, por interpretimin e tyre në kohë dhe zbatimin praktik. Prandaj vlen ky udhërrëfyes, sepse përfaqëson një përgjigje të fortë ndaj këtyre sfidave. Ky udhërrëfyes ofron një bazë praktike njohurish për të nxënit e vazhdueshëm gjyqësor”, tha ai.
Ai nënvizoi faktin se duhet dialog e transparencë e vazhdueshme ndërmjet institucioneve të drejtësisë.
“Kjo që vendimet e formës së prerë të përmbushin standardet dhe të rrisin besimin. Duke ndërtuar ura mes gjykatave dhe një gjuhë të përbashkët për këto institucione. Drejtësia jo vetëm duhet të jepet, por qytetarët duhet ta shohin, ta kuptojnë e të kenë besim”, tha Gonzato. Vetëm kështu, theksoi ai, anëtarësimi në Bashkimin Evropian do të shihet si një mundësi transformuese.
Gazeta Si – Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj ka deklaruar se vendimet e institucionit që ajo drejton, nuk janë as këshilluese dhe as opsionale, por të detyrueshme për t’u zbatuar.
Gjatë fjalës së saj në aktivitetin “Jurisprudenca në Kushtetuese”, Zaçaj theksoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim nga të gjitha pushtetet.
Sipas saj, moszbatimi i këtyre vendimeve, cënon integritetin e ligjit, vë në diskutim Kushtetutën si dhe minon besimin e publikut.
“Autoriteti i këtyre vendimeve nuk është teorik. Përpjekjet për të kundërshtuar apo për të vënë në diskutim ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese jo vetëm minojnë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, por edhe destabilizojnë qeverisjen demokratike. Mos harrojmë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë as këshilluese, as opsionale për t’u zbatuar. Ato janë të detyrueshme dhe ekzekutimi i tyre përbën një detyrim kushtetues për të gjitha pushtetet”, – tha Zaçaj.
Kreu i Gjykatës Kushtetuese, shtoi se “dështimi në ekzekutimin e këtyre vendimeve vë në diskutim vetëm Kushtetutën dhe kërcënon integritetin e sundimit të ligjit i cili kërkon që të gjitha institucionet shtetërore jo vetëm të respektojnë vendimet e gjykatës, por edhe të veprojnë në shina kushtetuese. Kjo vlen për të mbajtur në vëmendje se kur institucionet, përfshirë dhe ato gjyqësore, krijojnë dhe ato konflikte kushtetuese apo veprojnë jashtë kuadrit kushtetues, kjo minon vetë legjitimitetin e sistemit ligjor dhe gërryen besimin e publikut”, – u shpreh Zaçaj.
Zaçaj kujtoi para të pranishmëve se është me rëndësi që demokracia të jetë kushtetuese dhe me kufij për pushtetet.
“Kushtetueshmëria si mënyrë të qenuri është pasaportë jonë e vetme në rrugën e integrimit drejt Evropës së bashkuar. Në jetojmë në një moment historik jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë dhe na duhet të kujtojmë se vetëm demokracia nuk mjafton. Sundimi i shumicës, edhe kur është i ligjshëm, mund të çojnë në ligje që kufizojnë ose shkelin të drejtat themelore. Prandaj është e domosdoshme që demokracia të jetë kushtetuese, me kufij për pushtet, respekt të sundimit të ligjit dhe një pushtet gjyqësor të pavarur. Vetëm kështu demokracia nuk është thjesht dhe vetëm një mekanizëm qeverisës, por një kulturë lirie, përgjegjshmëria dhe llogaridhënie”, – deklaroi Holta Zaçaj.
Nën diellin e ngrohtë të pasdites, 45-vjeçari Safiruddin qëndron ulur jashtë shtëpisë së tij të papërfunduar me mure tullash në fshatin Baiguni, në nënprefekturën Kalai të Bangladeshit.
Në verën e vitit 2024, ai shiti veshkën në Indi për 350.000 taka (rreth 2,850 dollarë), me shpresën për të nxjerrë familjen nga varfëria dhe për të ndërtuar një shtëpi për tre fëmijët e tij dy vajza 5 dhe 7 vjeç, dhe një djalë 10-vjeçar. Por paratë u shpenzuan shpejt, shtëpia mbeti e papërfunduar, ndërsa dhimbja në trupin e tij është një kujtesë e vazhdueshme e çmimit të paguar.
Tani ai punon si punëtor krahu, ndërkohë që shëndeti i tij po përkeqësohet. Dhimbjet dhe lodhja e përhershme e pengojnë të kryejë edhe punët më të thjeshta të përditshme.
“Dhurova veshkën për një jetë më të mirë për familjen time. Bëra gjithçka për gruan dhe fëmijët,” thotë ai.
Në atë kohë, kjo nuk i dukej si një rrezik i madh. Ndërmjetësit që iu afruan e paraqitën këtë si një mundësi të thjeshtë, jo si diçka të rrezikshme. Fillimisht ishte skeptik, por dëshpërimi dhe varfëria e mundën.
Ata e çuan në Indi me vizë mjekësore dhe u morën me çdo detaj nga biletat e udhëtimit, dokumentet, deri te procedurat në spital.
Edhe pse udhëtoi me pasaportën e tij të Bangladeshit, dokumentet e tjera duke përfshirë certifikata false që falsifikonin lidhjen familjare me marrësin ishin të rreme.
Identiteti i tij u ndryshua dhe veshka iu transplantua një personi të panjohur, të cilin nuk e takoi kurrë. “Nuk di kush mori veshkën time. Ndërmjetësit nuk më thanë asgjë,” rrëfen Safiruddini.
Në Indi, ligji lejon dhurimin e organeve vetëm mes të afërmve të ngushtë ose me miratimin e veçantë qeveritar, por trafikantët manipulojnë gjithçka nga pemët familjare, të dhënat e spitaleve, deri tek testet e ADN-së për të shmangur rregullat.
“Zakonisht ndryshojnë emrin e dhuruesit dhe krijojnë një certifikatë noteriale të falsifikuar që pretendon një lidhje familjare me marrësin. Dokumentet e rreme të identitetit mbështesin këtë, duke bërë që dhuruesi të duket si një i afërm që dhuron organe nga dhembshuria,” shpjegon Monir Moniruzzaman, profesor në Universitetin Shtetëror të Miçiganit dhe anëtar i Task-Forcës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Transplantimin e Organeve, që studion trafikimin e organeve në Azinë Jugore.
Safiruddini nuk është rasti i vetëm. Në Baiguni, ku jetojnë rreth 6,000 banorë, tregtia e veshkave është kaq e përhapur sa fshati njihet si “fshati me një veshkë”. Rajoni Kalai Upazilas është një nga pikat më aktive të tregtisë së organeve në Bangladesh. Një studim i vitit 2023 i botuar në “British Medical Journal Global Health” zbulon se një në 35 të rritur në këtë zonë ka shitur veshkën.
Ky rajon është ndër më të varfrit në vend, dhe shumica e dhuruesve janë burra në të tridhjetat, të joshur nga premtimi i fitimeve të shpejta.
Safiruddini thotë se ndërmjetësit i morën pasaportën dhe nuk ia kthyen më. As barnat pas operacionit nuk i dhanë. Shpesh, ndërmjetësit marrin pasaportat dhe recetat e dhuruesve pas operacionit, duke i lënë ata pa asnjë provë të transplantimit dhe pa kujdes mjekësor të mëtejshëm.
Veshkat shiten për klientë të pasur në Bangladesh ose Indi, shumë prej të cilëve duan të shmangin listat e gjata pritëse dhe rregullat strikte ligjore. Në Indi, në vitin 2023 u kryen rreth 13,600 transplantime veshkash, ndërsa rreth 200,000 pacientë vuanin nga sëmundjet veshkore në fazë përfundimtare.
Çmimi i dëshpërimit
Josna Begum, 45 vjeçe dhe vejushë nga fshati Binai në Kalai, luftonte për të rritur dy vajzat pasi burri i saj vdiq në 2012. Ajo u shpërngul në Dhaka ku u punësua në një fabrikë tekstilesh dhe u martua me Belalin.
Në vitin 2019, ata u bindën nga një ndërmjetës të shisnin veshkat në Indi.
“Ishte gabim,” thotë Josna. Ndërmjetësit fillimisht i premtuan 500,000 taka, më pas rritën ofertën në 700,000 taka për t’i bindur. Por pas operacionit ajo mori vetëm 300,000 taka.
Ata u dërguan në spitalin “Rabindranath Tagore” në Kolkata, ku iu nënshtruan operacionit. Dokumentet u falsifikuan për të treguar se ata ishin të afërm të gjakut me marrësin. As Josna nuk e di se kush mori veshkën e saj.
Ndërmjetësit i morën pasaportën dhe dokumentet, dhe nuk ia kthyen kurrë.
Ajo kaloi gati dy muaj në Indi dhe ndërmjetësit premtuan ndihmë dhe punë për fëmijët e saj, por pas pagesave fillestare humbën kontaktet.
Pas marrjes së parave, Belali e braktisi dhe u martua me një tjetër grua. Josna sot vuan nga dhimbje kronike dhe ka vështirësi të përballojë ilaçet.
“Përballë një bande”
Mohammad Sajal, ish-biznesmen në Dhaka, humbi kursimet kur platforma e-commerce ku punonte falimentoi në 2021. I mbërthyer nga borxhet, në 2022 shiti veshkën në spitalin Venkateshwar në New Delhi, por mori vetëm një pjesë të shifrës së premtuar.
Ai u bashkua përkohësisht me rrjetin e ndërmjetësve, duke organizuar transplantime për disa dhurues nga Bangladesh, por pas një konflikti u largua dhe tani punon si shofer.
“Tani jam përballë kësaj bande,” thotë ai, duke shtuar se rrjeti përfshin mjekë, marrës dhe ndërmjetës në të dyja anët e kufirit.
Policia e Bangladeshit po vepron për të goditur këto rrjete, duke përdorur edhe hetues të infiltruar. Në Indi, autoritetet kanë arrestuar mjekë të përfshirë, por ekspertët thonë se arrestimet janë të rralla për të ndryshuar rrjedhën e këtij biznesi.
Në Kalai, Safiruddini kalon kohën në shtëpi, me shëndet të dobët dhe lëvizjet e ngadalësuara. “Nuk mund të punoj si më parë,” thotë ai.
Ai kujton netët kur nuk flinte, duke menduar për premtimet dhe ëndrrat e shkatërruara. Fëmijët e tij kanë një baba të sëmurë, dhe ai një ndjenjë tradhtie që nuk largohet.
Gazeta Si – Një 40-vjeçar u arrestua në Shkodër me qëllim ekstradimin në Itali, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikimin e narkotikëve.
“Strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, lokalizuan, kapën dhe arrestuan shtetasin E. F. alias E. C., 40 vjeç, banues në Shkodër”, njofton policia.
Policia tha se 40-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Roma, pasi ndaj tij, Prokuroria e Riminit, Itali, në muajin shkurt 2025, ka lëshuar urdhër arresti, për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikimin e narkotikëve. Për këtë vepër penale, Kodi Penal italian parashikon dënim deri në 20 vjet burgim.
Në bashkëpunim me autoritetet italiane, vijojnë procedurat ligjore për ekstradimin e këtij shtetasi.
Nga Gazeta “SI”– Po të pyesësh vërdallë në Shqipërinë e mesme do të thonë se sata, është fjalë dialektikore për fjalën autobus. Por çfarë është kjo fjalë dhe nga na vjen?
Dihet se me 1 Qershor 1940, me një dekret të mëkëmbësisë së përgjithshme, u miratua veprimtaria e “Societa Albanese Transporti Automobilistici” ( Shoqëria shqiptare e transportit automobilistik) me leximin S.A.T.A.
Shoqata ishte themeluar me herët, në 19 Mars 1940 në zyrën e avokatit Mymtaz Kokalari, në Tiranë, prej dy italianëve Vincenzo Scarpa, përfaqësues i kompanisë Fiat në Itali dhe Frederico Vasconi, tregtar si dhe prej dy shqiptarëve Muharrem Gjoliku dhe Hasan Koka, të dy të vetëpunësuar.
Kapitalin fillestar e investoi prej njëqind mijë liretash e siguroi kompania Fiat e cila solli edhe autobusët e parë të markës Fiat 626 RN dhe RNL.
Sipas dokumentacionit që zotëron Drejtoria e Arkivave, linjat e transportit mbulonin të gjithë Shqipërinë. Linjat përfshinin iteneraret Tiranë-Shkodër dhe Tiranë- Vlorë duke ndaluar në Durrës. Por edhe në linja të tjera si Shkodër-Pukë. Elbasan-Burrel- Peshkopi etj. S.A.T.A e vazhdoi punën deri në verën e viti 1944.
Gazeta Si – Data 16 qershor, pak para mesditës. Gjashtë raketa izraelite goditën një ndërtesë në Teheranin perëndimor.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ishte në katet e poshtme, duke marrë pjesë në një takim të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare.
Ai u shoqërua nga Kryetari i Parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf dhe Kryetari i Gjyqësorit Mohseni Ejei. “Sulmuesit shënjestruan hyrjet dhe daljet e ndërtesës, duke hedhur gjashtë bomba për të bllokuar rrugët e arratisjes dhe për të prishur rrjedhën e ajrit”, raporton agjencia e lajmeve “Fars”, e cila është e lidhur me Gardën Revolucionare.
Burrat, përfshirë Pezeshkian, u plagosën në këmbë, por arritën të shpëtonin “përmes një kapak emergjence të paracaktuar”.
Pezeshkian i shpëtoi për pak. Ky informacion i ri konfirmon deklaratat e presidentit të bëra në një intervistë me Tucker Carlson të Fox News, ku ai akuzoi Izraelin për përpjekje për ta vrarë, pa pranuar megjithatë se ishte plagosur: “Ata u përpoqën, por dështuan”.
Sipas raportimit, më 16 qershor, gjashtë bomba goditën pikat hyrëse dhe dalëse të një objekti sekret nëntokësor në Teheran, ku Pezeshkian po merrte pjesë në një takim urgjent të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare.
Thuhet se presidenti pësoi lëndime në këmbë, teksa ai dhe zyrtarë të tjerë shpëtuan përmes një daljeje emergjente. Ndërkohë, autoritetet iraniane thuhet se po hetojnë për infiltrime të mundshme nga agjentë izraelitë.
Ky raport nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur dhe Izraeli nuk ka dhënë ndonjë koment zyrtar mbi pretendimet.
Gjatë luftës 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit, në rrjetet sociale u shpërndanë pamje të sulmeve të përsëritura ajrore në një anë mali në veriperëndim të Teheranit. Tani është bërë e ditur se në ditën e katërt të konfliktit, objektivi i sulmeve ishte një strukturë sekrete nëntokësore ku ndodheshin udhëheqësit më të lartë të Iranit.
Raporti i “Fars” thotë se sulmet izraelite bllokuan të gjitha gjashtë pikat e hyrjes dhe daljeve, si dhe sistemin e ventilimit. Energjia elektrike e objektit u ndërpre gjithashtu, por presidenti arriti të largohej i sigurt.
Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare është organi më i lartë vendimmarrës në Iran pas Udhëheqësit Suprem, Ayatollah Ali Khamenei.
Javën e kaluar, Pezeshkian akuzoi publikisht Izraelin për përpjekje për ta vrarë, pretendim që u mohua nga ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, i cili tha se “ndryshimi i regjimit” nuk ishte qëllimi i luftës.
Qysh në fillim të konfliktit, Izraeli eliminoi një numër të madh komandantësh të lartë të Gardës Revolucionare Islamike dhe ushtrisë iraniane. Udhëheqësit iranianë e pranuan se u zunë të papërgatitur dhe vendimmarrja u paralizua për të paktën 24 orë pas sulmit të parë.
“Putin thotë fjalë të mira, e më pas bombardon gjithçka në mbrëmje. Por kjo është problem dhe mua nuk më pëlqen”. Presidenti amerikan Donald Trump e ka kuptuar se të negociosh me Putinin për fundin e luftës, është mision i pamundur.
Teksa bën një konstatim të tillë, ai njofton se do t’i dërgojë Ukrainës armatime shumë të sofistikuara, përfshirë sistemet e mbrojtjes raketore Patriot, të cilat siç thotë janë të nevojshme për të mbrojtur vendin në vazhdën e bombardimeve ruse.
Trump nuk e përcaktoi numrin e sistemeve Patriot që planifikon të dërgojë në Ukrainë, por tha se Shtetet e Bashkuara do të rimbursoheshin 100% për koston e tyre nga BE.
“Do të takohem me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO, por ne në thelb do t’u dërgojmë atyre pajisje të ndryshme ushtarake shumë të sofistikuara. Ata do të na paguajnë 100% për to”, tha Trump.
Plani përfshin blerje të armëve amerikane nga vendet europiane, të cilat do të shpërndahen më pas përmes NATO-s.
Për këtë çështje ndodhet sot në Uashington sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, që do të takohet me Trump dhe zyrtarë të tjerë të lartë për të përcaktuar detajet. Gjithashtu, në kryeqytetin amerikan ndodhet edhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, për takime institucionale.
Këto zhvillime vijnë ndërsa Trump pritet të shpallë masa të reja ndaj Rusisë, që mund të përfshijnë sanksione të zgjeruara dhe ndihma shtesë për Ukrainën. Sipas tij, presidenti rus Putin nuk ka interes për negociata armëpushimi dhe synon fitoren ushtarake, duke injoruar edhe propozimet e mëparshme të Uashingtonit.
Përballë kësaj situate, Europa pritet të luajë rol kyç jo vetëm në mbështetjen ushtarake të Kievit, por edhe në ndarjen e kostove që SHBA-të refuzojnë të mbulojnë.
Gazeta Si – Roven Zeka, ish-shefi i komisariatit rrugor të Tiranës është liruar nga qelia me vendim të Gjykatës së Posaçme.
Ky vendim erdhi pasi ekspertiza mjekësore përcaktoi gjendjen shëndetësore të Zekës mbi kërkesën e bërë nga ky i fundit për t’u liruar nga qelia për shkak se kishte dëmtuar legenin pasi ishte rrëzuar në qeli.
Zeka po hetohet nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion lidhur me procedurat e kryera për gruan e një biznesmeni i cili gjithashtu po hetohej nga SPAK për një çështje tjetër penale.
Dyshohet se Zeka në bashkëpunim me oficerin Edison Tabaku dhe shefin e hetimit të aksidenteve Sokol Novaku do të merrnin 2 mijë euro ryshfet për të mos arrestuar gruan e biznesmenit Erges Vrioni, e cila kreu aksidentin në Tiranë.
Arrestimi i tyre ishte i bujshëm për shkak se fillimisht u raportua se kishin tentuar t’u iknin me vrap agjentëve të BKH, por më pas Zeka u shfaq së bashku me Novakun duke shkuar në drejtorinë e policisë së Tiranës.
Më herët masa e arrestit në burg u la në fuqi nga apeli i GJKKO ndaj tij dhe oficerit Edison Tabaku ndërsa shefi i hetimit të aksidenteve Sokol Novaku u lirua në arrest shtëpie për shkak të rrethanave familjare.
Bashkimi Europian ka përgatitur tashmë një listë tarifash me vlerë 21 miliardë euro për produktet amerikane nëse të dyja palët nuk arrijnë një marrëveshje tregtare, tha Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar të vendosë tarifa prej 30% për importet nga Meksika dhe BE-ja nga 1 gushti, pasi javë të tëra negociatash me partnerët kryesorë tregtarë të SHBA-së nuk arritën të arrinin një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Tajani i tha gjithashtu gazetës Il Messaggero se, për të ndihmuar ekonominë e eurozonës, Banka Qendrore Europiane duhet të marrë në konsideratë një program të ri “lehtësimi sasior” me blerje obligacionesh dhe më shumë ulje të normave të interesit.
Nga Gazeta Si- Në mbledhjen me deputetët dhe drejtuesit e bashkisë së Tiranës, kryeministri Edi Rama ka komentuar aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth, duke u shprehur se në këtë zonë turistike situata është më serioze sesa shihet në pamje të parë.
Rama tha se ndërhyrja nuk është drejtuar ndaj “të shkretëve”, por ndaj personave që, sipas tij, kanë pushtuar në mënyrë të paligjshme një zonë të mbrojtur për përfitime ekonomike.
“Dua të ndalem një moment te çështja e Thethit për të adresuar disa këndvështrime që, sipas meje, meritojnë të sqarohen. Këtu nuk bëhet fjalë për disa njerëz të shkretë, që kanë hequr bukën e gojës për të ndërtuar. Në shumë prej rasteve, nuk kemi të bëjmë as me banorë të zonës”, tha Rama.
Rama tha se Policia po merret me hetimin e asaj që “është një pushtim kriminal i qendrës së Thethit, që është zemra dhe kartolina e njohur e këtij fshati turistik. Janë ndërtuar objekte që nuk janë për të futur kokën, por për qëllime fitimi”.
Kryeministri foli edhe për të ardhmen e Thethit, duke mohuar se aty do të ndërtohen resorte.
Kryeministri e ka hedhur poshtë kategorikisht këtë teori, duke theksuar se nuk do të lejohen ndërtime apo resorte turistike.
“Aty nuk bëhet fjalë për të lejuar ndërtime dhe për të bërë resorte turistike. Është jashtë çdo lloj opsioni”, tha Rama.