Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 14 July 2025Abc News

Zjarret në vend/ 22 vatra në 24 orët e fundit, pesë ende aktive

By: Re Nato
14 July 2025 at 11:55

Situata e zjarreve në rang vendi

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 22 vatra zjarri, nga të cilat 5 janë ende aktive dhe 1 është nën monitorim.

Këto vatra janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Bulqizë, Rrogozhinë, Kavajë, Vlorë, Himarë, Selenicë, Librazhd, Malësi e Madhe, Mallakastër dhe Mirditë.

Aktualisht mbeten aktive këto vatra:

Qarku Dibër

– Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, ka vijuar puna për shuarjen e një zjarri në sipërfaqe pyjore me pisha dhe livadh.

* Është riaktivizuar vatra në “Mali i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë, që po përhapet drejt “Majës së Vlashës”. Zjarri, i favorizuar nga temperaturat e larta dhe era, është zhvilluar në dy vatra. Në terren ndodhet Shërbimi Vendor i MZSH i bashkisë Bulqizë me 8 efektivë, por pavarësisht përpjekjeve, situata ende nuk është vënë nën kontroll. Nuk ka rrezik për banesa.

* Në fshatin Sinë e Sipërme, njësia administrative Arras, bashkia Dibër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pyll dushku. Në vendngjarje ndodhen 5 efektivë të MZSH Dibër dhe 6 forca bashkiake, të cilët po punojnë me pompa shpine dhe mjete rrethanore në një terren të vështirë. Deri tani janë djegur rreth 4 ha pyll dhe puna për shuarjen e zjarrit po vazhdon edhe sot.

* Qarku Tiranë

Vazhdon puna për shuarjen e zjarrit të rënë më 10.07.2025 në fshatin Zambishë, i cili u përhap në fshatrat Okshtun, Levonje, Himenrajë, Memollaj, Thertor, Koçaj, Sheshaj, Brendaj (njësia administrative Lekaj dhe Sinaballaj, bashkia Rrogozhinë).

Mbrëmë, zjarri mori përmasa të mëdha, veçanërisht në fshatrat Thartor, Sheshaj, Prendaj dhe Dakaj, duke kërkuar ndërhyrje nga ajri me dy helikopterë të Forcave të Armatosura, të cilët ndihmuan në fikjen e disa vatrave që rrezikonin banesa, ullishte dhe pyje me pisha.

Në terren punuan forcat zjarrfikëse të bashkisë Rrogozhinë me 6 automjete, 30 efektivë, 20 punonjës të shërbimeve bashkiake, 20 banorë të zonës dhe dy helikopterë të FA-së. Deri tani janë djegur rreth 80-90 ha shkurre dhe ferra si dhe mbi 70 rrënjë ullinj të rinj dhe shekullorë.

* Qarku Fier

Në fshatin Drenovë, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Si pasojë janë djegur rreth 2.5 ha dhe rreth 250 rrënjë ullinj. Sot është riaktivizuar një vatër, ku po operojnë me pompa shpine dhe mjete rrethanore forcat e MZSH dhe strukturat bashkiake.

Në monitorim:

* Qarku Elbasan

Në “Mal Plak”, njësia administrative Polis, bashkia Librazhd, zjarri në një sipërfaqe pyjore ka intensitet të ulët dhe është nën monitorimin e strukturave vendore.

Zjarret janë regjistruar kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, duke shkaktuar djegien e mbi 107 hektarëve dhe rreth 100 rrënjë ullinj. Në fshatin Dragovoje, bashkia Malësi e Madhe, janë djegur edhe 3 objekte që shërbenin për mbajtjen e bagëtive të imta.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 25 automjete zjarrfikëse dhe 305 forca operacionale. Gjithashtu, Forcat e Armatosura kontribuan me 30 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë.

Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje të lokalizuara në qarqet Shkodër, Kukës dhe Dibër.

Për zjarret në pyje, sot pritet rrezik “I LARTË” në qarqet Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë dhe Gjirokastër, dhe rrezik “I MODERUAR” në qarqet e tjera.

Në disa qarqe pritet rrezik i lartë vetëm në zona të lokalizuara: Shkodër (jug), Durrës (verilindje) dhe Vlorë (veri). Rreziku pritet të jetë më i lartë gjatë ditës së nesërme.

Strukturat e mbrojtjes civile mbeten të angazhuara pa ndërprerje për koordinimin dhe ndërhyrjen në kohë për shuarjen e çdo vatre zjarri. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të njoftojnë menjëherë autoritetet në rast se konstatojnë zjarre në terren.

Kroçeri ‘Nautica’ zbarkon në portin e Durrësit/ Rama: 676 turistë nga mbarë bota përjetojnë mikpritjen e pashoqë shqiptare

14 July 2025 at 11:53

676 turistë nga SHBA, Australia dhe vende të tjera të botës, janë ndalur këtë fundjavë në Portin e Durrësit me anijen kroçierë “Nautica”, ndërsa kanë eksploruar sitet historike të qytetit bregdetar dhe bukuritë e zonave përreth, duke përjetuar edhe mikpritjen e pashoqe shqiptare

Sarandë/ Automjeti nxori tym në ecje, ndërhyrja e zjarrfikësve parandaloi djegien

By: Re Nato
14 July 2025 at 11:50

Një automjet në Sarandë, falë ndihmës së kalimtarëve dhe ndërhyrjes në kohë të shërbimit zjarrfikës i ka shpëtuar mrekullisht djegies.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.3 në afërsi të spitalit. Mjeti tip “Peugeot” me pronar Thoma Bello, në ecje nisi të nxjerrë tym.

Duke qenë se në ato momente kishte shumë trafik u ndërhy në kohë nga kalimtarë të momentit, u menaxhua mirë situata.

Sipas shërbimeve të qarkullimit rrugor ishte një difekt në motorr ajo që shkaktoi këtë situatë. Nga ngjarja pati vetëm dëme materiale./abcnews.al

(EMRI) Transportonte ilegalisht emigrantët nga Bangladeshi/ Gjirokastër, pranga 40 vjeçarit

14 July 2025 at 11:47

Policia e Gjirokastrës ka finalizuar me sukses një tjetër operacion kundër trafikimit të paligjshëm të emigrantëve, duke çuar në pranga një shtetas që u kap në flagrancë duke transportuar kundrejt pagesës persona nga vende të treta me qëllim kalimin ilegal të kufirit.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, kanë zhvilluar operacionin policor të koduar “Attempt 1”, gjatë të cilit u arrestua:

Edvin Mustafa, 40 vjeç, banues në Tiranë.

Sipas Policisë, Mustafa u ndalua në aksin rrugor Tepelenë–Krahës, në dalje të qytetit të Memaliajt, teksa po transportonte me një automjet tip Volkswagen 7 emigrantë nga Bangladeshi, të cilët kishte pranuar t’i ndihmonte për kalimin e paligjshëm drejt Kosovës, në këmbim të një pagese.

Manovra të rrezikshme me ‘Jet Ski’/ Tale, gjobë drejtuesit 24 vjeçar, sekuestrohet mjeti lundrues

14 July 2025 at 11:41

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe shërbimet e Policisë Kufitare në Shëngjin, gjatë monitorimit të vijës bregdetare, kanë konstatuar në plazhin e Tales, një mjet lundrues tip Jet Ski, që po lëvizte në mënyrë të rrezikshme brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar pushuesit.

Shërbimet e Policisë ndaluan menjëherë mjetin lundrues dhe shoqëruan në Stacionin e Policisë Kufitare Shëngjin, drejtuesin i tij, shtetasin D. L., 24 vjeç.

Në përfundim të veprimeve, drejtuesi i mjetit lundrues u ndëshkua me masë administrative 100 000 lekë, si dhe u sekuestrua mjeti lundrues.

Shkeli perimetrin e sigurisë ujore dhe rrezikoi pushuesit/ Radhimë, gjobitet drejtuesi i mjetit lundrues

By: Re Nato
14 July 2025 at 11:28

Shkeli perimetrin e sigurisë ujore dhe rrezikoi pushuesit, duke lundruar me gomone brenda perimetrit të sigurisë, ndëshkohet me masë administrative 100 000 lekë, drejtuesi i mjetit lundrues.

Bllokohet nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare, mjeti lundrues gomone.

Shërbimet e Policisë Kufitare Vlorë, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, krahas patrullimit të vijës bregdetare, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike, kanë ndërhyrë menjëherë në plazhin e 📍Radhimës, pas denoncimit në rrjetet sociale, me anë të pamjeve filmike, se një mjet lundrues kishte shkelur perimetrin e sigurisë ujore për pushuesit, duke vënë në rrezik jetën e tyre.

Shërbimet e Policisë Kufitare, pas lokalizimit dhe bllokimit të mjetit lundrues që shfaqej në pamjet e publikuara, kanë ndëshkuar drejtuesin e këtij mjeti, shtetasin G. B., me masën administrative 100 000 lekë, për shkelje të nenit 24/1/c “Zhvillimi i aktiviteteve jashtë zonave të kufizuara”, të ligjit nr. 43/2020.

Apeli në Hagë shpall sot vendimin për Pjetër Shalën

14 July 2025 at 11:04

Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpall sot aktgjykimin në rastin e Pjetër Shalës, i dënuar për krime lufte, të kryera në vitin 1999.

Shala, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u dënua me 18 vjet burg në korrik të vitit 2024, pasi u gjet fajtor për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme në Fabrikën e Metalit në Kukës – pjesa veriore e Shqipërisë.

Sipas aktakuzës, ai dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së morën pjesë në ndalimin dhe keqtrajtimin e të dyshuarve për bashkëpunim me Serbinë dhe të atyre që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

Viktimat, sipas aktakuzës, ishin subjekt i dhunës fizike dhe psikologjike, përfshirë kërcënimet me vdekje, poshtërimet dhe ngacmimet.

Gjykata e urdhëroi Shalën të paguante edhe 208 mijë euro si kompensim për tetë viktima, ndërsa e shpalli të pafajshëm për veprën penale të trajtimit çnjerëzor.

Mbrojtja e tij e apeloi si aktgjykimin, ashtu edhe urdhrin për zhdëmtimin e viktimave. Megjithatë, vendimi për këtë të fundit nuk do të përfshihet në aktgjykimin që do të jepet sot. Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura ndryshe si Gjykata Speciale, punojnë me ligjet e Kosovës, por prokurorët dhe gjyqtarët e tyre janë ndërkombëtarë.

Gjykata u themelua në vitin 2015 për të hetuar ish-pjesëtarët e UÇK-së, të cilët dyshohet se kanë kryer krime lufte dhe krime të tjera nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Selia e Speciales u vendos në Hagë të Holandës, për shkak të shqetësimeve se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk është mjaftueshëm i pavarur për të hetuar krimet e luftës, si dhe për shkak të dyshimeve për kërcënimin e dëshmitarëve.

Deri më tani, Gjykata Speciale shpalli dy aktgjykime për krime lufte, ndaj Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, dhe dy tjera për pengim të administrimit të drejtësisë, ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit.

Aktualisht, është duke vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-deputetit Rexhep Selimi dhe dy ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi – që të gjithë ish-pjesëtarë të UÇK-së – të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Hamasi nuk do të sundojë”/ Presidenti i Autoritetit Palestinez i bën thirrje grupit terrorist të dorëzojë armët

By: Re Nato
14 July 2025 at 11:02

Presidenti i Autoritetit Palestinez (AP), Mahmoud Abbas, i kërkoi Hamasit të lirojë pengjet që mban dhe t’ia dorëzojë armët AP-së, duke theksuar se grupi terrorist “nuk do ta sundojë Rripin e Gazës” pasi të mbarojë lufta atje.

Në një takim në Amman të dielën me ish-kryeministrin britanik Tony Blair, Abbas bëri thirrje gjithashtu për lirimin e të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite, një armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe hyrje të ndihmës humanitare në Rrip.

Abbas bëri thirrje gjithashtu që AP-së t’i jepet kontrolli i enklavës, një ide e refuzuar prej kohësh nga Izraeli.

Ai theksoi më tej nevojën për të zbatuar një zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez bazuar në Iniciativën Arabe për Paqe dhe bëri thirrje për mbajtjen e një konference ndërkombëtare për paqe në New York.

Ndezi zjarr duke djegur 10 hektarë bimësi/ Rrogozhinë, arrestohet autori. Rrezikoi banesat përreth

14 July 2025 at 09:49

Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit se në lagjen e Shimve, bashkia Rrogozhinë, kishte rënë zjarr dhe ishte përhapur në një sipërfaqe të madhe, menjëherë kanë shkuar në zonën ku kishte rënë zjarri.

Ndërkohë, shërbimet zjarrfikëse, me ndihmën e shërbimeve të Policisë, pas disa orësh, bënë të mundur fikjen e zjarrit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta, është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i mjedisit pyjor”, i autorit të dyshuar, shtetasit Iljaz Rusta 41 vjeç, banues në Rrogozhinë.

Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas ka qenë duke punuar në oborrin e një banese dhe ka ndezur zjarr aty, për djegien e mbeturinave. Si pasojë e erës së fortë, zjarri është përhapur shpejt duke djegur një sipërfaqe toke me bimësi rreth 10 ha, qindra pemë ulliri dhe pemë frutore, si dhe ka vënë në rrezik serioz përfshirjen nga flakët, të banesave përreth.

/ abcnews.al

Trump premton dërgimin e Patriotëve në Kiev, ndërsa bota pret një njoftim të rëndësishëm prej tij

By: Re Nato
14 July 2025 at 09:42

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se do të dërgojë sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore Patriot në Ukrainë – me shumë gjasë përmes Bashkimit Evropian – ndërkohë që Kievi, Moska dhe e gjithë bota presin një “deklaratë të rëndësishme” nga ai, në lidhje me luftën.

Duke folur për gazetarët në një bazë ushtarake amerikane pranë Uashingtonit, Trump nuk dha detaje për dërgesat e planifikuara të sistemeve Patriot në Kiev.

“Ne do t’u dërgojmë atyre sisteme Patriot, të cilat u nevojiten aq shumë, sepse [presidenti rus, Vladimir] Putin me të vërtetë i habiti shumë njerëz. Ai flet mirë dhe pastaj i bombardon të gjithë në mbrëmje… Nuk më pëlqen”, tha Trump.

“Bashkimi Evropian do të paguajë për to. Ne nuk do të paguajmë asgjë, por do t’i dërgojmë”, tha Trump, pa i specifikuar vendet e BE-së që do të përfshihen në transaksionin e tillë.

“Ne do t’u dërgojmë pajisje të ndryshme ushtarake, shumë të sofistikuara. Ata do të paguajnë 100 për qind për to. Kështu duam ne”, shtoi ai.

‘Kjo është Rilindja Urbane 2.0’, Rama: Tirana, zona më e nxehtë, nuk ka lagje pa zaptuesin e saj

14 July 2025 at 09:21

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një fazë të re të ndërhyrjes së shtetit kundër ndërtimeve të paligjshme dhe zaptimeve, duke theksuar se “të gjitha ngrehinat e ngritura për qëllim fitimi do të rafshohen, pa asnjë tolerancë.

Rama vuri në dukje se Tirana mbetet zona më e “nxehtë”, ku thuajse çdo lagje ka rastet e veta të zaptimeve.

“Të gjitha ngrehinat e ngritura për qëllim fitimi do të rafshohen, nuk do të ketë asnjë tolerancë. Të gjitha skuadrat e deputetëve që morën së bashku 83 mandate të jenë pranë komuniteteve.

Tirana është zona më e nxehtë dhe nuk ka lagje që mos ketë zaptuesin e vet. Ka filluar të bëhet një punë e mirë, dhe të gjitha të dhënat që po mblidhen nga deputetët duhet të zbatohen nëpërmjet një plani veprimi me 60 arkitektë.” / abcnews.al

“99 përqind e qytetarëve, nuk ndërtojnë pa leje”/ Rama: Siguria ushqimore, të hedhim hapa përpara

By: Re Nato
14 July 2025 at 09:10

Kryeministri Edi Rama thotë se 99 përqind e qytetarëve në vend, nuk ndërtojnë pa leje.

Në mbledhjen me deputetët dhe drejtorët e bashkisë në Tiranë, Rama foli edhe për sigurinë ushqimore, ku sipas tij, duhen hedhur hapa përpara.

“Për furnizimin e të gjithë sistemit, qoftë atij publik, qoftë privat me barna dhe përsëri me shtetin si palë. Ka ardhur koha të kalojmë në një rol të ri të shtetit në ekonomi. Të prodhojmë sukses. Kemi ndryshuar qasjen ndaj pronës. Kemi vendosur shtetin në rolin e pronarit që nuk lëshon prona, por merr pjesën e vet. Siguria ushqimore, edhe këtu na duhet të hedhim hapa përpara, është pika më e dobët, në negociatat për anëtarësim. Me pezullimin e AKU, kemi hedhur vetëm hapin e parë. Nga sot, ka filluar procesi i kontrollit të konfiskimit të qumështit dhe bulmetit pa faturë. Pra, pasiguri ushqimore. Qumësht dhe bulmet i freskët pa faturë, mish i freskët pa faturë, do sekuestrohet. Ky është fillimi i një kontrolli të rreptë për sigurinë ushqimore. Do jetë punë që nuk do jetë aq e vështirë sa disa vite më parë, sepse baza është e vendosur. 99 përqind e qytetarëve, nuk ndërtojnë pa leje, ata që ndërtojnë nuk janë populli, as të skretë, por shkelës të vetëdijshëm të ligjit. Kjo epokë duhet të konsiderohet e mbyllur”, theksoi ai./abcnews.al

‘Do krijojmë Operatorin e Shpërndarjes së Ujit’, Rama: Trajtimi i mbetjeve, të kalojë në nivel kombëtar. Nafta, sistem i ri i furnizimit

14 July 2025 at 09:08

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se qeveria po përgatitet të hyjë në një fazë të re të reformës në menaxhimin e ujit dhe mbetjeve, duke propozuar krijimin e një operatori kombëtar për shpërndarjen e ujit.

Krahas kësaj, Kryeministri njoftoi se po punohet me Ministrinë e Energjisë për ngritjen e një sistemi të ri kontrolli mbi furnizimin me naftë, që synon të garantojë transparencë më të madhe dhe kontroll efektiv mbi çmimet dhe qarkullimin e karburanteve në vend.

“Jemi të sigurt që duhet të kalojmë në një fazë tjetër dhe duhet të krijojmë operatorin e shpërndarjes së ujit. Na duhet një ndërmarrje e shpërndarjes së ujit dhe një koorporatë e re që të adresojë të gjitha problemet e fragmentarizimit të burimeve dhe menaxhimit që pas 30 e ca vitesh është e kot të na sjellë rezultate të dëshiruara dhe pse ka përmirësime por janë të pamjaftueshme.

Qoftë për ujin dhe trajtimin e mbetjeve do të duhet të kalojmë në nivel kombëtar dhe duhet të krijojmë sinergji me koorporata ndërkombëtare. Kjo do të na ndihmojë për shumë arsye për furnizimin me ujë, investimet, transparencën në të gjitha këto procese. Kemi në sistemin e trajtimit të mbetjeve një hartë që duhet të konsolidohet dhe duhet të bëhet një sistem në nivel kombëtar. Jemi duke punuar me ministrinë e energjisë për një sistem të ri të furnizmit të naftës. Do të sjellë një kontroll shumë efikas qoftë mbi çmimin dhe qarkullimin e saj.”

Lirimi i hapësirave publike/ Rama: Jo e lehtë, por e pandalshme. Do duhet të bëjmë akt normativ për territorin

By: Re Nato
14 July 2025 at 08:59

Kryeministri Edi Rama thotë se lirimi i hapësirave publike, është proces jo i lehtë, por nuk do të ndalet.

Në mbledhjen me deputetët dhe drejtorët e bashkisë në Tiranë, Rama u shpreh se për territorin do duhet të bëhet një akt normativ.

“Do të jetë jo e lehtë, por do jetë e pandalshme, konstante, dhe do vazhdojë deri sa të kosntatojmë se nuk ka tendenca të kundërta. Nuk mund të krahasohet me vite më parë, nga pikëpamja e kaosit, por i duhet vënë kufiri kësaj. Hapësira publike është e përbashkët. Nuk ka pronë privat rreth e përqark një pallati të ri. Mjedisi rreth e rrotull pallatit është i përbashkët. Nuk mund të ketë trotuar privat. Aq më tepër pastaj, praktika të tmerrshme, si vendosja e një karrige, çadre, pastaj kërkesa për legalizim, si në Lungomare të Vlorës. Duhet t’i kthejmë së prapthi. Për këtë temë do bëjmë një reformë. Shumë shpejt, edhe për ujin e pijshëm, do na duhet të bëjmë aktiv normativ. Ato 83 vota do t’i vendosim në shërbim të qytetarëve. Besoj që po bëjmë gjënë e duhur dhe do vazhdojmë ta bëjmë”, theksoi ai./abcnews.al

‘Thethi, nuk do lejohen ndërtime dhe resorte’, Rama: Në bregdet, vijojnë prishjet e ndërtimeve pa leje. Brenda 2028, mbyllen legalizimet

14 July 2025 at 08:56

Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë çdo akuzë për përfshirje të oligarkëve në projektet e zhvillimit në zonat malore dhe bregdetare të vendit, duke theksuar se ndërtimet abuzive dhe çdo ngrehinë për qëllime fitimi do të shembet pa asnjë tolerancë. Rama u shpreh se në Shqipëri nuk ka oligarkë dhe se asnjë resort nuk do të ndërtohet në Theth apo në territore të mbrojtura

Kryeministri paralajmëroi gjithashtu se procesi i legalizimeve do të përmbyllet brenda vitit 2028, por theksoi se nuk do të ketë legalizime në kundërshtim me ligjin.

“Në Shqipëri nuk ka asnjë oligark, aty nuk bëhet fjalë që do lejohen ndërtime dhe resorte. Është jashtë çdo lloj opsioni. Të gjitha teoritë lidhur me këtë operacion, janë për të ardhur keq.

Thethi dhe banorët e tij nuk janë shfaqur nëpër ekrane, ata janë një grup nerëzish që nuk kanë lidhje me këtë histori. Ne do i mbështesin atyre që kanë prona nëpër male me kusht që t’i drejtohen institucioneve, madje kemi bërë dhe paketën e maleve. Kjo po bëhet në të gjithë Shqipërinë, dhe në bregdet ku ka pasur një sërë prishjesh ndertimesh të oligarkëve po ata nuk dalin në televizor, por ka pasur dhe gjoba të rënda për shkelje të rregullave në kantier. Sot do të bëhet një konfiskim i një pallati në Vlorë që është në shkelje. Ky proces synon të bashkojë dy gjëra, kemi marrë përsipër të mbyllim legalizimet brenda 2028, por ta harrojë kushdoqoftë që do legalizojë në shkelje të ligjit. Të gjitha ngrehinat e ngritura për qëllim fitimi do të rafshohen, nuk do të ketë asnjë tolerancë. Të gjitha skuadrat e deputetëve që morën së bashku 83 mandate të jenë pranë komuniteteve.

Tirana eshte zona me e nxehte dhe nuk ka lagje qe mos kete zaptuesin e vet. Ka filluar te behet nje pune e mire, dhe te gjitha te dhenat qe po mblidhen nga deputetet duhet te zbatohen nepermjet nje plani veprimi me 60 arkitekte. Kjo do te jete rilindja urbane 2.0 ne Tirane dhe te gjitha qytetet e medha.”

Prishjet e objekteve në Theth/ Rama: Shumica e atyre që ndërtuan pa leje, jo banorë vendas

By: Re Nato
14 July 2025 at 08:49

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për situatën në Theth, ku po prishen ndërtimet pa leje.

Në mbledhjen me deputetët dhe drejtorët e bashkisë në Tiranë, Rama u shpreh se shumica e atyre që ndërtuan pa leje për qëllime fitimi, nuk janë banorë vendas.

Rama shtoi se Policia e Shtetit po vijon hetimet, se kush qëndron pas pushtimit kriminal të qendrës së Thethit.

“Ky është një proces që po shtrihet hap pas hapi në të gjithë republikën, të gjithë deputetët të anagzhohen intensivisht në qendrat e qarqeve, ku problematika e hapësirave publike është më e prekshme. Dua të ndalem një moment tek çështja e Thethit, për të adresuar disa këndvështrime që meritojnë të adresohen që të bëhet e qartë për të gjithë, se cila është qasja jonë. Kam vënë re që ka një teori shumë sipas meje, për të ardhur keq, lidhur me fajin, kush e ka fajin. Duket sikur një pjesë e atyre që komentojnë, përpiqen që t’ia lënë fajin strukturave të shtetit. Kemi disa njerëz të shkretë që kanë hequr bukën e gojës për të ndërtuar disa banesa, dhe kemi disa njerëz që i kanë lënë. Këtu bëhet fjalë për individë që janë ngjitur deri atje, një pjesë e konsiderueshme nuk janë banorë të atij vendi. Janë individë që nuk janë shfaqur që të pretendojnë çfarëdo qoftë. Policia e Shtetit po merret me hetimin, se kush është mbrapa pushtetit kriminal të qendrës së Thethit. Bëhet fjalë për ndërtime për qëllime fitimi. Nuk e di të ketë ndonjë teori që e amnistron shkelësin e ligjit , duke iu ngarkuar fajin strukturave të shtetit. Natyrisht që dhe strukturat kanë përgjegjësinë e tyre, dhe e kanë marrë këtë përgjigjësi. Zonja Gjeli nuk ka pranuar as të fillojë hetimin. Në Theth janë goditur 40 subjekte, kanë pasur më shumë se 1 ngrehinë. Policia e Shtetit ka një numër të konsiderueshëm denoncimesh dhe prokuroria nuk ka bërë asnjë hetim. Ne kemi shkuar në Theth së bashku me kryetarin e bashkisë dhe me agjencinë e Kadastrës, që kur shkuam dhe premtuam legalizimin e të gjithë shtëpive të vjetra në Theth, ne e kemi përmbyllur atë proces, me rreth 300 legalizime, kanë pronën e tyre në zonë e Thethit. Premtimi ynë ka qenë, do legalizojmë pronën e gjyshërve. Ne nuk kemi thënë, na jepni votën që të ndërtoni pa leje. Janë ndërtime të bërë muajt e fundit”, theksoi ai./abcnews.al

Gjermania propozon kufizim të fëmijëve emigrantë në shkollat e saj

14 July 2025 at 08:35

Ministrja gjermane e Arsimit, Karin Prien propozoi kufizim balancues të numrit të fëmijëve emigrantë në shkollat ​​gjermane. Propozimi i saj gjen mbështetje, por edhe shumë kritika.

Kur Sabine Schwarz mësoi për idenë e Ministres së Arsimit nëpërmjet mesazhit në WhatsApp të një mikeshe, fillimisht mendoi se kjo ishte një shaka pa kripë. Ministrja gjermane e Arsimit, Karin Prien e CDU ishte e mendimit, se një kuotë migrimi në shkollat ​​gjermane ishte një “model i imagjinueshëm”, por do të duheshin parë edhe vende të tjera “për të parë nëse në fund kjo do të ishte 30 apo 40 përqind”. Sabinen e prek kjo temë, ajo është drejtoreshë e një shkolle fillore në landin Renani Veriore-Vestfali me pothuajse 350 nxënës, më shumë se 80 përqind e të cilëve vijnë nga familje emigrantësh.

Propozimi i Prien nuk do të funksiononte në realitet në Gjermani,  sipas saj: “Mendoj se ajo nuk ka menduar për politikën e strehimit apo qëndrimet e njerëzve, dhe as nuk e ka idenë se si duket situata në të vërtetë në disa lagje. Sepse atëherë njerëzit do të duhej të zhvendoseshin në lagjen tonë, të paktën nëse donin të shkonin në shkollën afër vendit ku jetojnë. Ne as nuk kemi përqindjen e njerëzve këtu që do të përshkruheshin si gjermanishtfolës ose gjermanë”, shprehet Schwarz.

 Numri i migrantëve kriter i prindërve në zgjedhjen e shkollës

Në zonën e shkollës së saj fillore numri i migrantëve është 60 përqind. Gjermanët që jetojnë me shtëpi pranë shkollës së saj preferojnë t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla të tjera, thotë Schwarz, gjë që është e trishtueshme. Kur bëhet fjalë për arsimin, gjermanët preferojnë të qëndrojnë mes tyre: Pothuajse 20 vjet më parë, landi Renani Veriore-Vestfali hoqi detyrimin për të dërguar fëmijët në një shkollë afër banimit, madje edhe për shkollën ​​fillore vlen parimi i zgjedhjes së lirë. Rezultati: Familjet gjermane me pretendime për arsimin i shmangin shkollat ​​si ajo e Schwarz – nga frika se një përqindje e lartë e emigrantëve mund të ndikojë negativisht në suksesin shkollor të fëmijëve të tyre.

“Ajo që dëgjon gjithmonë është se migrimi barazohet me një nivel më të ulët arsimimi dhe se fëmijët mësojnë gjithashtu më ngadalë. Por kjo nuk është aspak e vërtetë. Për shembull, ne përfituam nga vala e refugjatëve në vitin 2015 sepse kishim shumë fëmijë që ishin shumë të interesuar për një arsim të mirë.” Schwarz kritikon faktin që të gjithë fëmijët paragjykohen njësoj.

Kur vjen puna tek arsimi ekspertët, mësuesit, prindërit e nxënësit janë të mendimit, se duhet reformim. Gjermania del shumë dobët në shumë kategori kur bëhen vlerësime ndërkombëtare: Në studimin e fundit të PISA-s në vitin 2022, Gjermania u rendit vetëm nga mesi në krahasimin ndërkombëtar. Aftësia e 15-vjeçarëve në lexim, matematikë dhe shkencë ra në nivelet më të ulëta të matura ndonjëherë.

Miratim për iniciativën e Prien

Por ka edhe mjaft njerëz që mund ta kuptojnë qasjen e Prien. Një argument: edhe fëmijët ukrainas u shpërndanë në mënyrë sa më të barabartë midis shkollave pas mbërritjes së tyre. Studiuesi i njohur gjerman i arsimit, Klaus Hurrelmann i shkruan DW: “Propozimi i ministres është i kuptueshëm, sepse një përbërje e diversifikuar mirë e klasave shkollore dhe grupeve mësimore bazuar në prejardhjen çon qartë në punë më të mirë.” Megjithatë, ideja është e vështirë për t’u zbatuar në praktikë, sepse kërkon që nxënësit të identifikohen me origjinën, por shumë prindër dhe nxënës e perceptojnë këtë si diskriminues. “Keqkuptimet dhe ndjesia e diskriminimit që vijnë si pasojë e kësaj nuk i barazpeshojnë përfitimet e mundshme. Qasje më të mira do të ishin mbështetja e shkollave me një përqindje shumë të lartë fëmijësh dhe të rinjsh me vështirësi gjuhësore.”

Këtë e kërkon Stefan Düll, president i Shoqatës së Mësuesve Gjermanë. Në këtë kontekst, Düll vlerëson programin e Mundësive tër Reja të qeverive të landeve dhe federatës. Programi parashikon ndarjen e 20 miliardë eurove gjatë viteve të ardhshme për 4,000 shkolla me probleme. Düll e mirëpret debatin e iniciuar nga Prien. Megjithëse dyshon. Propozimi i saj do të dështojë për shkak të zbatimit dhe do ta zhvendosë problemin: Prindërit gjermanë do t’i dërgonin fëmijët e tyre në shkolla private. Shoqata e Mësuesve Gjermanë prononcohet për DW e thekson, se  “shoqata e Mësuesve Gjermanë ka theksuar prej vitesh se mësimdhënia është dukshëm më e vështirë kur shumë nxënës nuk kanë aftësi të mjaftueshme në gjuhën gjermane.  Megjithatë, sipas mendimit tonë, është pak e dobishme të rishpërndahen nxënësit thjesht për të arritur një kuotë të caktuar në klasa individuale. Kjo vështirë të realizohet nga një perspektivë organizative dhe nuk nxit kohezionin social brenda një komuniteti shkollor.” / abcnews.al

❌
❌