Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 July 2025Abc News

Egnatia, Dinamo dhe Vllaznia, sukses në Ligën e Konferencës/ Çoçlli: Skuadrat shqiptare janë në rritje

By: Re Nato
27 July 2025 at 22:40

Trajneri Nikolin Ça☼lli thotë se paraqitja e Egnatias, Dinamos dhe Vllaznisë në takimet e para të turit të dytë kualifikues në Ligën e Konferencës, ku fituan, tregon se skuadrat shqiptare janë në rritje.

Në emisionin “Botërori i vogël” në ABC News, Çoçlli u shpreh se Vllaznia duhet të ketë kujdes nga islandezët e Vikingur.

“Më ka bërë përshtypje kthimi i rezultatit. Kjo tregon që skuadrat tona janë në rritje. Ballafaqohemi në Europë, Europa ndryshon nga kampionati vendas. Mendoj që skuadrat kanë një rritje më të mirë, në raport me vitet e kaluara. E ardhmja e këtyre skuadrave është e mirë. Vllaznia është më e brishtë se Dinamo dhe Engatia. Për mendimin tim është në rrezik, pavarësisht se e ka fituar atë ndeshje”, theksoi ai./abcnews.al

Zjarret në Gjirokastër, rrezikohet zona e mbrojtur e Piksit

By: Re Nato
27 July 2025 at 22:15

Situata e krijuar si pasojë e vatrave të zjarrit të rëna ne Delvine konsiderohet problematike edhe për Bashkinë Gjirokastër, pasi flakët rrezikojnë të hyjnë në këtë territor.

Si pasojë e drejtimit të erës, flakët po përhapen me shpejtësi në drejtim të zonës së mbrojtur të Piksit.

Efektivët e Mzsh Gjirokastër po monitorojnë situatën, por ndërhyrja nga toka është e pamundur për shkak të terrenit ndërsa mundësia e vetme është vetëm ndërhyrja nga ajri për të kontrolluar dhe neutralizuar flakët./abcnews.al

Yesterday — 27 July 2025Abc News

Siria do të mbajë zgjedhjet e para parlamentare që nga rrëzimi i Assadit

By: Re Nato
27 July 2025 at 21:57

Siria do të organizojë zgjedhjet e para parlamentare nën autoritetet e reja në muajin shtator, njoftoi të dielën kryetari i organit përgjegjës për procesin zgjedhor, duke konfirmuar zhvillimin për agjencinë shtetërore SANA.

Mohammed Taha al-Ahmad, kryetar i Komisionit të Lartë për Zgjedhjet e Asamblesë Popullore, tha se zgjedhjet do të mbahen ndërmjet datave 15 dhe 20 shtator. Këto do të jenë zgjedhjet e para që prej rrëzimit të ish-presidentit Bashar al-Assad në dhjetor, pas një ofensive të shpejtë të grupeve rebele.

Një e treta e 210 ulëseve në parlament do të emërohen nga presidenti i përkohshëm, Ahmad al-Sharaa, ndërsa pjesa tjetër do të zgjidhet përmes votimit.

Në një intervistë për median Erem News, një tjetër anëtar i komisionit zgjedhor, Hassan al-Daghim, sqaroi se në çdo provincë të Sirisë do të krijohet një kolegj zgjedhor për të votuar për kandidatët.

Sipas kushtetutës së përkohshme të nënshkruar në mars nga presidenti al-Sharaa, është paraparë krijimi i një Komiteti të Popullit, që do të shërbejë si parlament i përkohshëm deri në miratimin e një kushtetute të re dhe mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme – një proces që pritet të zgjasë me vite.

Gjendet një trup i pajetë në ujërat e Liqenit të Shkodrës

By: Re Nato
27 July 2025 at 21:19

Një trup i pajetë është gjetur nga peshkatarët në ujërat e Liqenit të Shkodrës.

Nuk janë konstatuar shenja dhune, teksa trupi një 26-vjeçari, i identifikuar si I. L., i cili dyshohet se vuante nga depresioni.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të këtij rasti./abcnews.al

Treni del nga shinat/ Gjermani, humbin jetën disa persona

By: Re Nato
27 July 2025 at 21:18

Disa persona kanë humbur jetën pasi një tren pasagjerësh doli nga shinat në jugperëndim të Gjermanisë, raportojnë mediat gjermane.

Policia i tha agjencisë gjermane të lajmeve DPA se të paktën tre persona u plagosën gjithashtu në aksidentin pranë Riedlingen pranë Stuttgartit në jugperëndim. Raportet thonë se pak më parë në zonë kishte pasur një stuhi.

Rreth 100 persona ndodheshin në tren kur të paktën dy vagona dolën nga shinat në një zonë pyjore rreth orës 18:10 sipas orës lokale, raportoi DPA.

Kancelari gjerman Freidrich Merz tha se “ndjeu zi për viktimat” dhe u ofroi “ngushëllimet e tij më të thella” familjeve të tyre në një postim në X.

Ai tha se ishte në kontakt të ngushtë me ministrat e brendshëm dhe të transportit dhe u kishte kërkuar atyre që t’u ofrojnë shërbimeve të emergjencës gjithë mbështetjen që u nevojitet.

Imazhet e përplasjes tregojnë vagonët e kthyer përmbys dhe prani të madhe të shërbimit të emergjencës. Pemë të rrëzuara mund të shihen edhe në vendngjarje.

Raportet thonë se treni po udhëtonte në një itinerar prej 90 km midis Sigmaringen dhe Ulm./abcnews.al

Zhduket turisti portugez/ Sarandë, u fut në det për t’u larë, policia vijon kërkimet për gjetjen e 57-vjeçarit

By: Re Nato
27 July 2025 at 21:04

Një turist portugez është zhdukur mbrëmjen e së dielës në Sarancës.

Në afërsi të lagunës, në vendin e quajtur “Buka e Vivarit”,  57-vjeçari ndodhej me disa miq të tij, nuk është parë më nga momenti që ka hyrë me not në det.

Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë, në bashkëpunim dhe me patrullat nga toka, vijojnë kërkimet në det dhe në zonën përreth bregut, për gjetjen e tij.

Grupi hetimor i ngritur nga Komisariati i Policisë Sarandë po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes./abcnews.al

Gjërat tona/ Vrasja e Elis Rroshkodolit, hakmarrje për krimin e para një dekade

By: Re Nato
27 July 2025 at 20:53

Gjykata e Durrësit u blindua si asnjëherë më parë paraditen e 25 majit 2025, teksa aty mbërrinin njëri-pas tjetrit 7 personat e arrestuar gjatë operacionit “Enigma” e Gjiri i Lalzit.

Të paktën 3 prej tyre akuzohen për vrasje, madje edhe në momentin e arrestimit iu gjetën pistoleta në çantat personale.

Operacioni i datës 23 maj 2025, ishte i një shkalle të lartë rrezikshmërie dhe për këtë arsye iu besua forcave speciale RENEA. Ata i kapën në befasi dhe i shtrinë të gjithë barkas, pa u dhënë mundësi reagimi.

RENEA ishte përballë disa njerëzve të rrezikshëm, që për shumë kohë lëviznin në arrati, duke iu shmangur drejtësisë.

Informacionet operative që e çuan Policinë e Durrësit në gjurmët e një të shkumëkërkuari, siç ishte Xhevdet Plaku, i arratisur nga burgu i Ankonas në Itali, në fakt rezultuar shumë më tepër se aq.

Edhe tre të tjerë, subjekte hetimore të Prokurorisë së Posaçme, në kërkim për vrasje e sigurim kushtesh për kryerjen e një krimi dhe grup të strukturuar kriminal, po drekonin bashkë me të në të njëjtin lokal.

Ishin Flobenc Meçja dhe vëllezërit Voltan e Jugert Xhani. I pari në kërkim edhe nga Belgjika edhe nga SPAK për vrasje, i dyshuar si pjesë e organizatës kriminale “Çopja” dhe dy vëllezërit Xhani të kërkuar në lidhje me vrasjen e Elis Rroshkodolit, 30 gushtin e vitit 2024 në Shkodër.

Një ngjarje që fillimisht u hetua nga Prokuroria e Shkodrës, por që prej fundit të muajit maj 2025 i ka kaluar për kompetencë Prokurorisë së Posaçme.

Një vrasje që u duk se do të mbetej mister për shumë kohë, megjithatë duket se u zbardh më shpejt se ç’pritej.

Edhe pse ai që e ideoi dhe e organizoi, Dritan Milani, apo i njohur edhe me mbiemrin Vreto, ende nuk është arritur të arrestohet. Për SPAK, Milani është autori kryesor i vrasjes, ndërsa dy vëllezërit Xhani kanë pasur role të tjera. Konkretisht, 39-vjeçari Vlotan Xhani, resident në Holandë, dyshohet se ka siguruar armët dhe makinat që u përdorën në vrasje, ndërsa i vëllai, Jugerti e ka përkrahur në krim.

Të paktën sipas nënës së viktimës, por edhe nga hetimet e Prokurorisë së Shkodrës, 10 vite më parë, Rroshkodoli, duke tentuar të vrasë Dritan Milanin, kishte plagosur vëllain e tij, Olgerin. E megjithëse kishte kaluar një dekadë nga ajo ngjarje, duket se asgjë nuk ishte harruar. Elis Rroshkodoli u qëllua për vdekje paraditen e 30 gushtit 2024, teksa pinte kafe me mikun e tij tek ish-“Klubi i gjuetarëve”, në Shkodër.

ELIS RROSHKODOLI

Ishte vetëm 5 vjeç kur i vranë të atin në Shkodër, në vitin 1993.

Ndërsa në vitin 2012, i vëllai, një vit më i vogël, humbi jetën në një aksident në Elbasan.

Nga ajo kohë jetonte vetëm me të ëmën. Për aq muaj sa qëndronte në Shqipëri, pasi pjesën më të madhe të kohës ishte jashtë vendit.

Disa vite i kaloi në burg në Belgjikë, si pjesë e një grupi që realizonin vjedhje, por edhe për plagosjen e një bashkëqytetarit të tij.

Më 14 tetor të vitit 2014 Prokuroria dhe Policia Shqiptare, në bashkëpunim me autoritetet belge, goditën një grup të strukturuar kriminal të dyshuar për përfshirje në veprat penale të grabitjes me dhunë dhe armëmbajtje pa leje. Pas një operacioni të gjerë ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe belge, u arrit të goditet një grup i strukturuar kriminal shqiptarësh që vepronin në Belgjikë, të specializuar në vjedhje dhe grabitje me dhunë. Në kuadër të veprimeve hetimore të kryera në Shqipëri, u arrit të gjenden prova dhe fakte të plota, të cilat u shoqëruan me arrestimin e 15 personave në Belgjikë, nga të cilët 13 shtetas shqiptarë dhe dy të huaj.

Sinkron zëdhënësja e Prokurorisë së Përgjithshme

Operacioni është koordinuar ndërmjet dy vendeve dhe ndërhyrja është bërë njëkohësisht mëngjesin e datës 14 tetor 2014 në zonën e Shkodrës dhe në qytetin e Luevenit në Belgjikë.

Në kuadër të letër-porosisë së mbërritur nga autoritetet belge, Prokuroria për Krime të Rënda mori leje nga gjykata për ushtrimin e kontrollit në disa banesave dhe ambiente publike në qytetin e Shkodrës dhe në rrethinat e tij, të cilat ishin në pronësi të shtetasve të dyshuar dhe familjarëve të tyre.

Menjëherë pas zbulimit të provave në Shqipëri, pas koordinimit në kohë reale me autoritetet në Belgjikë, u kryen arrestimi e 13 shtetasve shqiptarë dhe dy të huajve të tjerë në qytetin e Luevenit. Anëtarët e këtij grupi kriminal dyshohet se kryenin vjedhje jashtë Shqipërisë dhe më pas, sendet e vjedhura, me vlera të konsiderueshme, i shisnin ose i trafikonin në Shqipëri. Po ashtu, dyshohet se shumat e krijuara nga sendet e vjedhura i dërgonin pranë familjeve të tyre nëpërmjet transfertave me agjencitë e specializuara ose në gjendje kesh.

E më tej u shpall në kërkim edhe për një plagosje në Rumani. Më 20 prill të vitit 2023, u dyshua se goditi me thikë pronarin e lokali të njohur atje. Ai u fiksua nga kamerat e sigurisë duke goditur me thikë të dëmtuari e më pas edhe duke u larguar nga vendi i ngjarjes.

Ndërsa mesditën e 30 gushtit të vitit 2024, 14 plumba automatiku i morën jetën, teksa pinte kafe me mikun e tij në një lokal në lagjen “Ahmet Haxhia”, në Shkodër.

Ky është Elis Rroshkodoli, 36 vjeç, i njohur edhe me mbiemrat Haxhia e Shkoza.

Ekzekutimi i tij për disa muaj u hetua nga Prokuroria e Shkodrës, që arriti të shkojë deri te emrat e autorëve të dyshuar. Madje njërin prej tyre e çoi në burg. Gjykata e Shkodrës në shtator të vitit 2024 caktoi masat “arrest në burg” në mungesë edhe për dy persona të tjerë. Por sot hetimi i kësaj ngjarje i ka kaluar Prokurorisë së Posaçme.

36-vjecari ishte ulur bashkë me një shokun e tij në verandën e lokalit, të njohur si “Klubi i Gjuetarëve”, në lagjen “Ahmet Haxhia”, kur një person i maskuar është afruar dhe ka qëlluar disa herë me armë zjarri. Në vendngjarje u gjetën 20 gëzhoja. Atentati ishte i mirëorganizuar dhe vrasësi u largua menjëherë nga vendi i krimit me një automjet që e priste jashtë lokalit.

Në ndjekje të tij u angazhuan menjëherë efektivë të Policisë së Shkodrës, si dhe grupet e Forcës Kombëtare të Sigurisë. Nga veprimet hetimore në vendngjarje, u pa se 36-vjeçari, i druhej një atentati, pasi në çantën e tij Policia gjeti një armë zjarri me fishekë në fole, gati për qitje.

Më 6 shtator 2024, Policia tha se zbardhi ngjarjen duke vënë në pranga një person. Personi që u arrestua me dyshimet se ishte i përfshirë në vrasje, ishte Xhulio Malo, 26 vjeç, i cili sipas Policisë ka siguruar kushtet dhe mjetet e duhura për të kryer vrasjen e Rroshkodolit.

Për këtë ngjarje janë shpallur në kërkim edhe tre persona të tjerë, të cilët dyshohet se kanë organizuar vrasjen e 36-vjeçarit. Gjatë hetimeve u zbulua në Tiranë një garazh, ku këta 4 persona mbanin automjete të trafikuara nga shtete të ndryshme të Europës, të cilat dyshohet se janë siguruar për të shërbyer gjatë kryerjes së krimeve të rënda kundër personit. Po ashtu janë gjetur 3 automjete të trafikuara nga shtete të ndryshme të Europës dhe pjesë të automjetit të përdorur nga autorët, gjatë vrasjes së Rroshkodolit.

Deri më tani për atentatin që i mori jetën të riut kanë përfunduar në burg Voltan Xhani dhe kushëriri i tij, Xhulio Malo që punonte në servisin e marrë me qira, në Bërxhullë të Tiranës. Ndërsa në kërkim mbetet ende Dritan Milani (Vreto), 43 vjeç, i cili ka dyshime se ka qenë në shënjestër të një atentati të mëparshëm ku dhe ka mbetur i plagosur i vëllai Olger Stolaj (Vreto), 39 vjeç, në Belgjikë. Gjithashtu, Policia ka arrestuar edhe 31-vjeçarin Jugert Xhani, vëllai i Voltan Xhanit, që u arrestua bashkë më 23 maj 2025 teksa drekonin me Xhevdet Plakun, Flobenc Meçen dhe 3 persona të tjerë, në një restorant te Gjiri i Lalzit.

Në shtator të vitit 2024 Gjykata e Shkodrës caktoi masat e sigurisë “arrest në burg” në mungesë për Dritan Milanin, i dyshuar si autor i vrasjes së Elis Rroshkodolit dhe për vëllezërit Voltan e Jugert Xhani.

Prokuroria e Posaçme dyshon se për vrasjen e Elis Roshkodolit është angazhuar një grup i strukturuar kriminal, që u krijua për të marrë hak për ngjarje të ndodhura jashtë vendit, prej nga ku viktima ishte kthyer një vit para ngjarjes.

DËSHMITË PËR VRASJEN

Në dosjen hetimore thuhet se, nga studimi dhe vlerësimi i akteve të procedimit penal 1095/2024, rezultoi se më 30 gusht 2024, rreth orës 12:30, është marrë njoftim në Sallën Operative të Policisë Shkodër, se në lokalin “Gjuetari”, rruga “Isuf Sokoli”, ka ndodhur një plagosje me armë zjarri dhe ku dyshohet se është plagosur një person. Menjëherë kanë shkuar shërbimet e Policisë në vendngjarje dhe është krijuar grupi hetimor, i cili ka kryer veprimet në vendngjarje. Janë shpallur në kërkim policor tre persona, si të dyshuar.

Dosja e Prokurorisë

Rezulton se autori i dyshuar i ngjarjes është shtetasi Dritan Milani, i ndihmuar në kryerjen e kësaj vepre penale nga dy të dyshuarit e tjerë, Xhulio Malo dhe Voltan Xhani. I dyshuari Dritan Milani mendohet se është larguar nga vendi i ngjarjes me ndihmën e dy të dyshuarve të tjerë dhe të tre janë fshehur e nuk janë gjendur. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes është gjetur kufoma e viktimës e shtetasit Elis Kujtim Rroshkodoli (Shkoza), i cili është gjetur përmbys, në dyshemenë e verandës së lokalit në pronësi të shtetasit Shyqyri Tahiraga. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provave materiale një çantë lëkure e zezë, një armë zjarri, pistoletë e markës “TT”, me krehër në të dhe me 6 fishekë, një telefon, njëzet gëzhoja dhe dy predha arme zjarri, një kuti metalike, etj. Janë konstatuar disa dëmtime në faqen e murit të lokalit. Tek parkimi përballë lokalit është konstatuar një automjet “BMW”, me targë AB708ES, ngjyrë e zezë. Tek ky automjet nuk janë konstatuar nga jashtë dëmtime. Tek kroskoti i këtij mjeti është gjetur leja e drejtimit e shtetasit Elis Rroshkodoli dhe disa dokumente të tjera. Pranë një pellgu me gjak janë gjetur 4 këmisha predhash, një bërthamë predhe dhe një predhë e dëmtuar.

Nga këqyrja e kufomës së shtetasit Elis Rroshkodoli janë konstatuar 14 plagë armë zjarri, që kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme të tij, tek vendi i ngjarjes.

Janë pyetur me cilësinë e personave që kanë dijeni për veprën penale disa perona. Mes të cilëve Shyqyri Tahiraga, pronari i lokalit, i cili ka pranuar se ka në lokal kur ka ndodhur ngjarja.

Shyqyri Tahiraga

Viktima kishte disa ditë që e frekuentonte lokalin tim dhe konsumonte vetëm kafe ose ujë. Rrinte vetëm ose me një shokun e tij, që dhe ditën e ngjarjes kanë qenë të dy bashkë. Kur dëgjova zhurmën kam dalë jashtë dhe kam parë se shoku i tij ishte në këmbë dhe djali tjetër, viktima, ishte i shtrirë në tokë. Isha shumë i tronditur dhe nuk kujtoj asgjë tjetër. Në momentin që ndodhi ngjarja ka qenë edhe një person tjetër si klient, në moshë të thyer.

Është pyetur Indrit Bekteshi, me profesion elektroauto dhe shok fëmijërie me viktimën. Ai ka treguar se ditën e ngjarjes kanë qenë duke qëndruar tek lokali “Klubi i gjuetarëve”.

Indrit Bekteshi

Pas rreth 10 minutash që po qëndronim aty, na është afruar një person, rreth 3-4 metra, në dukje një mashkull, me trup mesatar, me maskë në fytyrë, si ato që kemi përdorur kundër covid-it. Ai mbante një armë të gjatë në dorë. Na është afruar pa  thënë ndonjë fjalë dhe ka filluar të qëllojë në drejtim të Elisit disa herë. Nga frika fillova të largohem, por jam rrëzuar. Në këtë moment autori i ngjarjes më ka drejtuar armën dhe ka dashur të më qëllojë. Unë i bërtita dhe i thashë se nuk kam lidhje me asgjë. Në këtë moment autori është larguar nga ambienti i lokalit. Elisi ka pasur në pronësi një automjet tip “Audi Q5”, të cilën para disa ditësh e kishte shkëmbyer me mjetin në pronësi të shtetasit Valmir Kotrri, një automjet tip “BMW”. Elisi nuk më ka shprehur ndonjë shqetësim, por unë e kam dalluar se qëndronte si i stresuar dhe donte të largohej jashtë shteti. Ai ishte rritur pa babanë, pasi para shumë vitesh ia kishin vrarë, ndërsa vëllai i tij, ka vdekur në një aksident rrugor në Elbasan para disa vitesh.

Pranë vendit të ngjarjes është gjetur një automjet tip “Renault”, me targë AA932XU, i cili nga verifikimet rezultoi se i përkiste një personi të quajtur Senad. Ky person është marrë në pyetje nga grupi hetimor dhe ka pranuar se makina është e tij, por nuk ka lidhje me ngjarjen. Sipas tij, automjetin e kishte parkuar aty, pasi pranë pallatit ku ai banon, rreth 70 metra larg vendit të ngjarjes, nuk kishte vend se ku ta parkonte. Ai ka pohuar se nuk e kishte njohur më përpara viktimën.

Nga ana tjetër, nisur nga deklarimet e mikut të viktimës, Policia ka marrë në pyetje edhe shtetasin Valmir Kotrri, i cili ka pohuar se ditën e ngjarjes i kishte  telefonuar shtetasi Laert Kotrri, i cili i ka thënë se kishin gjuajtur dhe kishin vrarë  Elis Rroshkadolin. Kishte marrë vesh se tek vendi i ngjarjes ishte gjetur makina, që ai kishte në pronësi të tij për këtë arsye është paraqitur vullnetarisht në Polici për të paraqitur deklaratën e tij. Ai ka pohuar se kishte biseduar me Elisin për të këmbyer makinat me njëri-tjetrin, por për shkak të mos pasjes së orareve nuk kanë arritur të formalizonin këtë shkëmbim. Viktimën ai e njihte si person të qetë dhe jo me probleme, përveç një konflikti të disa viteve të mëparshme që ai kishte pasur jashtë Shqipërisë, ku kishte plagosur një person, fakt të cilin e kishte dëgjuar nga mediat e atëhershme.

Grupi hetimor ka marrë në pyetje edhe të moshuarin, i cili ishte klient i rastësishëm në lokalin ku ndodhi ngjarja. Ai ka pohuar se ka qenë duke qëndruar i vetëm dhe ishte me fytyrë nga hyrja e lokalit. Kujtonte se tek veranda e lokalit kanë qenë të ulur dy persona. I përshkruan nga pamja të dy personat, si atë që i shpëtoi atentatit dhe viktimën. Më pas ai tregon se ai nuk kujtonte gjë, pasi ka filluar të luante shah në telefon. Kur ka dëgjuar krismat, ka ngritur kokën dhe ka parë një person teksa gjuante në drejtim të shtetasit të vrarë. Pasi e ka vrarë këtë person, sipas tij autori ia ka drejtuar armën edhe personit tjetër që ishte në tavolinë me viktimën, por ky person që tashmë ishte i shtrirë, ndoshta nga frika, i ka thënë se nuk ishte faj dhe nuk kishte të bënte me të. Dëshmitari kujtonte se menjëherë autori i ngjarjes është tërhequr dhe është larguar nga lokali duke shkuar tek trotuari, nga është hyrja e lokalit. Ashtu si miku i viktimës, edhe ky dëshmitar ka shpjeguar se atentatori kishte vendosur në fytyrë një maskë.

Grupi hetimor ka marrë në pyetje edhe nënën e viktimës, e cila ndër të tjera ka dhënë dy pista të mundshme, si motive që mund të kënë shkaktuar vrasjen e të birit. Lindita Rroshkodoli ka orientuar grupin hetimor në dy drejtime, tek një plagosje që i biri kishte kryer në Belgjikë, për të cilën kishte bërë edhe burg, por edhe drejt personave që në vitin 1993 i kanë vrarë të shoqin.

Lindita Rroshkodoli

Jetoj në qytetin e Shkodrës që nga viti 1986. Në vitin 1993 më kanë vrarë bashkëshortin Kujtimin. Që pas vrasjes së tij unë i kam rritur e vetme dy djemtë e mi. Para 12 vitesh më ka vdekur aksidentalisht njëri nga djemtë dhe unë kam vazhduar të jetoj vetëm me Elisin. Prej vitesh djali qëndronte jashtë shtetit, por që prej një viti ai jetonte në Shqipëri. Përveçse në Shkodër, djali qëndronte edhe në Elbasan e në Korçë, tek disa miq të tij. Në Shkodër kryesisht qëndronte me djemtë e lagjes, me Indrit Bekteshin dhe me një djalë të quajtur Kristi. Djali nuk më ka shprehur ndonjë shqetësim, ndonëse ka qenë natyrë e mbyllur dhe i qetë. Dyshimi im është se djalin mund ta kenë vrarë për hakmarrje, për një plagosje të bërë në Belgjikë para rreth 10 vitesh. Për këtë ngjarje ai ka kryer një dënim me burgim për 4 vite. Autorët e ngjarjes mund të jenë dy djemtë e një gruaje që quhet “Sheme”, e cila tani banon nga lagje “Rus”, por më përpara kanë banuar familjarisht tek lagjja jonë, në rrugicën ku jetojmë ne. Shkaku i plagosjes në Belgjikë ka qenë një vajzë.  Por nuk përjashtoj si mundësi që djali im mund të jetë vrarë edhe nga anëtarët e familjes së Lulash Pjetër Cubit, që më kanë vrarë dhe burrin.

Dëshmia e nënës së viktimës ka qenë me shumë rëndësi për grupin hetimor dhe përkon me pistën kryesore të ngritur për ngjarjen. Atë të hakmarrjes. Një nga dyshimet e saj, që lidhet me hasmërinë e vjetër, pas vrasjes së bashkëshortit të saj, duket se është përjashtuar. Por ajo e plagosjes së ndodhur në vitin 2014 në Belgjikë, përkon edhe me provat e tjera të siguruara nga grupi hetimor. Konkretisht, pistë që i ka orientuar ata tek autori i dyshuar i ngjarjes, Dritan Milani, apo Vreto, që ashtu siç deklaron nëna e viktimës, banon në lagjen Rus.

Ndërkohë tezja e viktimës, Sejuza Fetahu, e pyetur nga grupi hetimor, ka treguar se kishte ardhur në Shkodër për të qëndruar me motrën e saj disa ditë përpara, që nga data 28 gusht 2024 dhe se ka ardhur dhe ka qëndruar tek banesa e motrës. Ajo dhe familjarët e saj kanë konstatuar praninë e një makine të dyshimtë për ta rreth dhe pranë banesës së motrës së saj. Makina ka qenë tip “Mercedes”, por nuk ia kujtonte targën dhe nuk i kishte fiksuar personat që rrinin pranë saj.

Në fakt një automjet i tillë është fiksuar nga kamerat e sigurisë pranë vendit të ngjarjes dhe rezulton të jetë makina e përdorur nga atentatorët. Policia gjyqësore ka vijuar me këqyrjen e pamjeve filmike. Nga këto pamje është arritur të fiksohet fakti se autori i ngjarjes ka përdorur një automjet tip “Mecedes Benz”, me targë BRBL680. Ky mjet ka rezultuar i vjedhur më datë 5 gusht 2024 në Malin e Zi. Gjatë rrugëtimit për t’u larguar nga vendi i ngjarjes drejtuesi i mjetit ka ndryshuar targën e makinës duke i vendosur mjetit targën SOP1095. Edhe kjo targë ka rezultuar e vjedhur me një automjet në Gjermani. Në vijim të këqyrjes së pamjeve nga mund të ketë kaluar mjeti i përdorur nga autori i ngjarjes, është arritur të fiksohet pamja tek mbikalimi i këmbësorëve në Balldre të Shkodrës, tashmë automjeti duke mbajtur targën e ndryshuar SOP1095. Duke vijuar këqyrjen e pamjeve është fiksuar ky mjet teksa qarkullonte në fshatin Bërzhitë, në Tiranë, në rrugën kryesore të fshatit, derisa është futur tek servisi “Prodiagnostic”.

Përmes targës së që është fiksuar në vendin e ngjarjes, grupi hetimor ka arritur të identifikojë një person të dyshuar. Ai është Dritan Milani. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS ka rezultuar se shtetasi Dritan Milani ka shumë hyrje dhe dalje nga kufiri i shtetit shqiptar, dalje dhe hyrje të realizuara si në këmbë dhe me automjetin me targë AB888JJ. Targa BRBL680 është raportuar e vjedhur nga policia malazeze më datë 5 gusht 2024, datë që përkon dhe me hyrje-daljet e shtetasit Dritan Milani.

Për këtë arsye, Policia ka marrë në pyetje një shtetase me emrin Elisa, e cila ka deklaruar se ka qenë e martuar me Dritan Milanin, me të cilin kanë një fëmijë, i cili është tashmë në moshën 6-vjeçare. Pavarësisht këtij fakti ajo me Dritanin nuk kanë pasur një martesë civile dhe kishin kohë që nuk jetonin më bashkë. Hera e fundit që kishte komunikuar me të ka qenë rreth 6 muaj më përpara për arsye shëndetësore të djalit të tyre. Me prindërit e Dritanin ajo nuk ka pasur komunikim dhe nuk fliste me ta. Në dijeni të saj Dritani ka një lokal në lagjen “Rus”, në Shkodër dhe punon tek ky lokal.

Më tej, Policia ka vijuar me verifikimet e vendit ku ishte “zhdukur” makina e autorëve. E ndihmuar nga policia gjyqësore e komisariatit që mbulon zonën e fshatit Bërzhitë, është arritur të komunikohet me një person të quajtur Ilirjan, i cili është menaxheri i servisit. Gjithashtu janë pyetur edhe një çift bashkëshortësh, të cilët janë pronarët e truallit dhe të ndërtesës dy katëshe të këtij servisi, ku kati përdhes shërbente si servis makinash, ndërsa kati i nëndheshëm shërbente si magazinë, ose parkim makinash. Grupi hetimor ka marrë në pyetje edhe 3 persona, punonjës të servisit “Prodiagnostic”, ku njëri prej tyre ka deklaruar se me ndihmën e një personi të quajtur Indrit, u ka gjetur dy vëllezërve Voltan dhe Jugert Xhani, një magazinë për mobilerinë që ata donin të hapnin. Për këtë mobileri ka qenë i interesuar dhe nipi i këtyre dy vëllezërve. Për pak ditë ai i ka takuar me bashkëshortët që ishin pronarë të truallit dhe ata kanë rënë dakord të merrni të dy ambientet me qira, si servisin, ashtu dhe magazinën poshtë tij. Për të lidhur kontratën formalisht i kishte dërguar me Whatsapp foton e një shtetasi të quajtur Ervin, pasi kontrata do të lidhej formalisht në emrin e tij. Në dijeninë e tij, kjo kontratë ende nuk është lidhur, por pagesa e qirasë është kryer. Së paku një herë ai ka qenë i pranishëm kur janë paguar 12 mijë euro për një vit, për njërin nga ambientet. Në këmbim, nga pronari i ambientit, çelësat i janë dorëzuar Voltan Xhanit, të cilin e thërrisnin me emrin Volti.

Dosja e Prokurorisë

Policia gjyqësore, kur ka arritur të futet brenda ambientit si tip magazine, tek kati i nëndheshëm, poshtë servisit, ka konstatuar aty praninë e disa mjeteve, që pas disa verifikimesh kanë rezultuar tri automjete të vjedhura. Një automjet “Audi” me targë 8AS7985, e denoncuar si e vjedhur në Çeki, automjeti “Mini Cooper”, me targë GK039VC, e denoncuar si e vjedhur në Itali dhe një automjet “Porche”, me targë BT329DV, e denoncuar si e vjedhur në Sllovaki.

Në vijim të veprimeve hetimore, policia gjyqësore ka marrë disa të dhëna të vlefshme për hetimet nga shtetasi Bledio, i cili është pronar i një aktiviteti tregtar. Ai ka pohuar se disa ditë më përpara, ai dhe punëtorët e aktivitetit të tij kanë konstatuar të hedhur pranë biznesit të tij një kofano makine, ngjyrë si në gri. Ata nuk e kanë parë se kush e kishte hedhur, por e kanë prekur dhe e kanë hedhur tek pjesa e aktivitet të tyre. Deklaruesi ka pohuar se kush e kishte prekur këtë kofano, e megjithatë policia gjyqësore e ka marrë dhe e ka përpunuar me pluhur për të zbuluar se kush mund ta kishte prekur atë pjesë makine, duke përjashtuar personat e deklaruar nga ai.

Dosja e Prokurorisë

Policia gjyqësore ka vlerësuar se meqenëse tek ambientet ku ushtrohet aktiviteti i servisit “Pordiagnostic” mund të jetë strehuar mjeti i përdorur nga autori i ngjarjes, Dritan Milani (Vreto), si dhe nga verifikimet e kryera të sistemit TIMS ka rezultuar se më 21 prill 2024 shtetasi Dritan Milani, Voltan Xhani, Jugert Xhani dhe Alket Fusha, kanë dalë së bashku nga territori i Republikës së Shqipërisë me automjetin me targë AB158MU, janë ngritur dyshime të forta dhe të bazuara në prova të pakundërshtueshme se këta shtetas njiheshin dhe kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për të kryer vrasjen e Elis Rroshkodolit. Sipas dosjes hetimore, që tashmë është në duart e SPAK, shtetasit Voltan Xhani dhe nipi i tij kanë kryer veprime për sigurimin e mjeteve të kryerjes së kësaj vrasjeje. Gjithashtu, meqenëse tek ky ambient janë gjetur dhe mjete motorike të vjedhura në disa shtete të Europës, mbi këta persona rëndon dhe dyshimi se kanë kryer veprën penale të “Trafikim i mjeteve motorike”, në bashkëpunim, duke u vendosur nga organi i akuzës dhe regjistrimi i tyre si të dyshuar për këto dy vepra penale.

Duke mos e gjetur në banesën e tij, apo tek ambientet ku ai ushtron aktivitetin e tij tregtar, policia gjyqësore ka bërë shpalljen në kërkim policor të shtetasit Voltan Petrit Xhani, i cili u arrestua i cili u arrestua më 23 maj 2025 teksa drekonte bashkë me Xhevdet Plakun, Flobenc Meçen dhe 4 persona të tjerë, në një restorant te Gjiri i Lalzit.

Ndërsa, i dyshuari Xhulio Malo është pyetur dhe ai, në prani të dy mbrojtësve të zgjedhur prej tij, pasi i janë bërë të ditur dyshimet për kryerjen e dy veprave penale, sigurim kushtesh për të kryer vrasje dhe trafikim mjetesh motorike.

Xhulio Malo

Servisi “Prodiagnostic” nuk është në pronësinë time. Unë vetëm e menaxhoj për llogari të kushëririt tim Voltan Xhani. Këtë ambient ai e ka marë me qira nga Arben Gjoshi. Ky ambient në katin e parë me sipërfaqe rreth 450 m2, shërben si servis makinash, ndërsa sipër këtij ambienti ka disa zyra për servisin, i cili nuk ka filluar të funksionojë ende. Poshtë këtij servisi, me të njëjtën sipërfaqe është dhe një magazinë, por ky ambient nuk menaxhohet nga unë dhe nuk i di hyrjet e daljet nga ky ambient. Çelësat e magazinës nuk i mbaj unë. Servisi ka kamera sigurie, që menaxhohen nga unë, por në dijeninë time këto kamera nuk bëjnë regjistrime dhe fiksime pamjesh. Nuk kam dijeni për tri mjetet motorike të gjetura tek ambienti i magazinës. Për menaxhimin e servisit paguhem me pagë mujore nga kushëriri im, Voltan Xhani. Për ambientin e marrë nga Arben Gjoshi ishte diskutuar që të bëhej me kontratë noteriale në favor të Voltan Xhanit, por për efekt kohe kjo kontratë nuk është lidhur ende. Gjatë fundjavës së kaluar nuk kam dalluar ndonjë lëvizje të dyshimtë në ambientet e servisit.

Më 6 shtator të vitit 2024 Xhulio Malo është ndaluar, pasi është marrë si person i dyshuar për dy veprat penale. Organi i akuzës kërkoi që të vlerësohej i ligjshëm ndalimi i tij dhe të caktohej masa “arrest në burg”. Kërkesë që u pranua nga Gjykata e Shkodrës.

Më herët, që kur ishte 17 vjeç, Xhulio Malo ishte përfshirë në krime të rënda. Malo cilësohej si një nga anëtarët e grupit të të rinjve, ish-ushtar i Gate Mahmutajt, në Lazarat. Madje në Lazarat mori pjesë në vrasjen e efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha në qershor të vitit 2015.

Procedimi nga Krimet e Rënda

Sipas Policisë së Gjirokastrës, pas ngjarjes në Lazarat, nga grupet e ndërhyrjes është bërë shoqërimi i automjetit tip “Benz”, së bashku me drejtuesin e tij Xhuliano Malo. Për këtë ngjarje Prokuroria për Krimet e Rënda Tiranë ka regjistruar procedimin penal. Në kuadër të këtij procedimi është bërë ndalimi për veprat penale “Vrasja e punonjësve te Policisë së Shtetit në bashkëpunim”, “Vrasje e punonjësve të Policisë së Shtetit në bashkëpunim e mbetur në tentativë” në pesë raste dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe e municionit” për 7 persona, Arbjon Aliko, Alban Aliko, Xhuliano Malo, Klodian Selimi, Dervish Gaba, Elson Kasma dhe Elvis Boci.

Xhulio Malo u dënua në vitin 2018 nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda me 10 vite burgim. Por vetëm dy vite më pas u lirua, pasi përfitoi nga amnistia në vitin 2020.

ARRESTIMI I DY VËLLEZËRVE

Dy vëllezërit Voltan dhe Jurgert Xhani ishin në mesin e 7 personave që arrestoi RENEA në operacionin e 23 majit 2025. Operacioni që po zhvillohej për kapjen e të shumërkuarit Xhevdet Plaku, rezultoi një sukses edhe më i madh se ç’pritej. Voltan Xhani, nga Përmeti, është i dyshuari kryesor për organizimin dhe sigurimin e kushteve për vrasjen e Elis Rroshkodolit, në 30 gusht të vitit 2024 në Shkodër. Ndërkohë që i vëllai i tij, akuzohet për veprat penale: “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

Për vrasjen e Shkodrës, Voltan Xhani ishte shpallur në kërkim, ndërsa nipi i tij Xhulio Malo, u arrestua për sigurim të kushteve për të kryer vrasje dhe pengim të zbardhjes të së vërtetës.

E duket se ai që ka shërbyer si urë lidhëse mes vëllezërve Xhani me origjinë nga Përmeti dhe Dritan Milanit nga Shkodra, ka qenë pikërisht shkodrani tjetër që u kap bashkë me ta, Flobenc Meçja. Ky i fundit, i njohur edhe me mbiemrin Gega, por edhe emra të tjerë, gati 10 vite më parë, është hetuar për çështje droge dhe ka qenë pjesë e të njëjtës dosje të Prokurorisë së Firences në Itali, bashkë me Dritan Milanin.

E po kaq vite dyshohet se ka Dritan Milani që po planifikonte vrasjen e Elis Rroshkodolit, me të cilin kishte pasur një përplasje në Belgjikë.

Megjithatë, burime nga Prokuroria thonë se Voltan Xhani dhe Elis Rroshkodoli kishin pasur edhe vetë njohje të hershme në Belgjikë, ku kanë jetuar për vite me radhë. Pikërisht atje kanë pasur edhe përplasjet e tyre, dyshohet për shkak të trafikut të drogës. Xhani ka organizuar krimin, pasi me ndihmën e nipit dhe dy personave të tjerë ka trafikuar makina nga jashtë vendit, të cilat i mbante në një servis në Bërzhitë.

Elis Rroshkodol u ekzekutua teksa po pinte kafe në një lokal. Ai ishte i njohur për miqësinë e tij me Bajrajt por edhe për grabitjet që kishte kryer në Belgjikë, ndërsa ishte në kërkim nga Rumania për plagosje.

Ndërsa për dy vëllezërit Voltan e Jugert Xhani, duket se vrasja e Elis Rroshkodolit nuk është çështja e vetme për të cilën po hetohen nga SPAK. Të tjera prova shkencore, janë tashmë në duart e prokurorëve të Posaçëm, që i lidhin ata të paktën edhe me një tjetër krim. Megjithatë, derisa të ketë të dhëna konkrete, ende nuk ka një konkluzion përfundimtar.

Por ajo çfarë mbetet ende mister, është dreka në Gjirin e Lalzit, më 23 maj 2025. Ende nuk është saktësuar se çfarë i kishte bërë bashkë 7 personat që u kapën në të njëjtën tavolinë. Katër prej tyre në kërkim e madje 3 edhe të armatosur.

Ndoshta një drekë mundet edhe të bëjë bashkë një durrsak, një shkodran e dy përmetarë, të armatosur e të kërkuar për vrasje. Por duket se kjo nuk mund të jetë veç një rastësi./abcnews.al

Zjarri përfshin edhe zonën e Lukovës/ Digjen sipërfaqe me pyje dhe ullishte

By: Re Nato
27 July 2025 at 20:37

Flakët që nisën disa ditë më parë në zonën e Delvinës kanë avancuar me shpejtësi drejt bregdetit, duke përfshirë tashmë edhe zonën e Lukovës.

Zjarri i furishëm ka shkatërruar sipërfaqe të mëdha me pyje dhe ullishta, ndërsa banorët e zonës janë në alarm.

Përpjekjet e zjarrfikësve dhe forcave të emergjencës vijojnë pa ndërprerje, por terreni i vështirë dhe era e fortë po e bëjnë të pamundur vendosjen nën kontroll të flakëve.

Mickovski në Pustec/ Kryeministri maqedonas: Janë përpjekur për të na mohuar. Nuk jemi as grekë, as serbë dhe as bullgarë

By: Re Nato
27 July 2025 at 20:23

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickovski ka zhvilluar një vizitë në Pustec.

Teksa mori pjesë në festivalin folklorik të grupeve maqedonase të rajonit, Mickovski deklaroi se janë bërë përpjekje për të fshehur identitetin e maqedonasve.

Mickovski tha se banorët e Pustecit nuk janë as grekë, as serbë dhe as bullgarë, por maqedonas të Shqipërisë.

“Sot, kur qëndroj përpara jush, nuk flas vetëm si Kryeministër i Qeverisë, por flas si një njeri që beson se një komb përbëhet pikërisht nga kjo, lidhja mes njerëzve që e ndjej si timen, pa dallim se ku jetojmë. Edhe kur jemi afër, edhe kur jemi larg, qoftë në atdhe apo jashtë tij, ndjenja, identiteti, përkatësia, të gjitha bëhen një. Vendi juaj në këtë histori është i veçantë, jo vetëm sepse gjeografikisht jemi në shtete të ndryshme, por sepse ju jeni thellësisht në zemrën e atdheut tonë. Ju jeni sinonim i qëndrueshmërisë, i besnikërisë së heshtur, i dinjitetit dhe i përulësisë së njëkohshme. Edhe kur askush nuk ju pyeti, edhe kur askush nuk ju përmendi, ju mbetët ata që jeni. Dhe mbetët besnikë ndaj shtetit në të cilin jetoni.

Gjatë dekadave të fundit shumë gjëra janë ndryshuar, politika, qeveri, kufij, por ju qëndruat të palëkundur. Këtu, gjuha maqedonase nuk ruhet si zakon, por trashëgohet me dashuri. Këtu, kënga, zakonet, kujtimet janë pjesë e jetës suaj të përditshme. Pikërisht për këtë ndjehet një respekt i thellë kur dikush vjen këtu, jo nga formaliteti, por nga bindja e sinqertë. Më vjen keq që propaganda që ka ndjekur maqedonasit ndër histori nuk ju ka kursyer as ju. Ju jetoni këtu, i nderoni këto troje, i jetoni këto troje. Përmes zëvendësimesh, përmes presionesh, përmes ndalesash, kanë tentuar të tronditin atë që është e juaja, por ju mbetët të palëkundur.

Ju keni folur, keni dëshmuar, keni jetuar përmes pengesave, përmes trysnive, përmes rezistencës së heshtur për të mbrojtur atë që është e juaja. Keni mësuar më shumë përmes dhimbjes, sepse nuk jeni përkulur, nuk keni pranuar harresën e rehatshme, nuk jeni turpëruar nga vetvetja. Mos i lejoni askujt t’jua përcaktojë identitetin në vendin tuaj.

Dhe prandaj, vëllezër dhe motra të dashur, Maqedonia ju përkulet. Thuhet se një shtet e tregon pjekurinë e vet përmes mënyrës se si sillet me ata që nuk janë në qendër. Ne sot duam të tregojmë se po mësojmë shtetndërtimin. Pra, duam të vendosim një marrëdhënie të re me ju. Ka të ardhme për çdo fëmijë që mëson në gjuhën amtare. Për çdo familje që dëshiron të qëndrojë këtu. Për çdo të ri që beson se ia vlen të qëndrosh vetja në vendin tënd.

Prandaj si qeveri, si qeveri maqedonase, kemi përgjegjësi të jemi mbështetje, mbështetja juaj. Në arsim, në kulturë, në zhvillim ekonomik, në të gjitha format e bashkëpunimit ndërkufitar. Jo si mëshirë, por si detyrim. Jo sepse dikush na bën presion, por sepse besojmë se kjo është e drejta. Këtë fazë të re duam ta shohim si vëllezër e motra , për nga gjaku, për nga identiteti, për nga gjuha. T’ju dëgjojmë zërin, të punojmë së bashku, të jemi të pranishëm. Dhe secili që jeton këtu ta dijë se nuk është vetëm. Dua që fshati Pustec të rritet me ndjenjën e përkatësisë, që nuk bazohet në frikë, por në vetëbesim. Dua që çdo prind këtu ta dijë se ka vlerë t’i mësojë fëmijës së vet gjuhën amtare. Dua të krijojmë kushte që këtu të jetohet më mirë, jo me fjalë boshe, por me rezultate të dukshme.

Ky nuk është takimi i fundit. Kjo është një fillim i ri dhe i pari nga shumë të tillë. Sepse puna jonë tani sapo ka filluar. Ne jemi këtu jo vetëm për të folur, por për një lidhje që do të ndërtohet çdo ditë, me projekte, me programe, me politika që do të arrijnë deri te ju, ashtu siç sinqeriteti juaj arriti te ne. Përmes përkatësisë sonë kombëtare, Pusteci është dëshmi se përkatësia nuk fshihet, se rrënjët mbeten edhe kur na fryjnë erëra të forta, dhe se ekzistojnë njerëz që nuk presin falënderime, por vetëm mundësi për të vazhduar atje ku të tjerët do të dorëzoheshin.

Ju faleminderit që e mbani atë heshtje të mbushur me forcë. Ju faleminderit që mbeteni vetvetja. Ju premtoj se ky shtet do të dijë t’ju përshëndesë me respekt, me punë dhe me mbështetje të vazhdueshme. Të jetojë secili që me dinjitet ruan identitetin e vet. Të jetojë atdheu që nuk njeh kufij, por vetëm vlera të vërteta.

Kohët e fundit jemi dëshmitarë të përpjekjeve për të na mohuar, për të na unifikuar me zor, për të na bërë “modernë”, për të na fshirë, për të vënë në dyshim gjithçka që është maqedonase. Por ajo që shoh sot këtu para meje, në Pustec, dhe ajo që ndjej, për mua është një burim i madh frymëzimi për të vazhduar më tej, për të përkrahur maqedonasit kudo në botë dhe për të treguar se ne jemi maqedonas, me një identitet maqedonas shumë shekullor e të veçantë, që flasin gjuhën amtare maqedonase, të ndryshme nga të gjitha gjuhët e tjera të Ballkanit. Ne jemi maqedonas krenarë, kemi qenë dhe do të mbetemi gjithmonë maqedonas.

E di që keni qenë qytetarë besnikë dhe të ndershëm të Republikës së Shqipërisë, por dua ta dini se në mua, si Kryeministër i Qeverisë së Maqedonisë, keni një vëlla, një mik, i cili, për sa kohë është gjallë dhe sa kohë e kryen këtë detyrë të nderuar, është këtu për ju dhe i gatshëm t’ju ndihmojë për gjithçka që mendoni se Qeveria e Maqedonisë mund të bëjë për ju.

Maqedonia, pas shumë viteve të stanjacionit, pas 7 vitesh poshtërimi kombëtar dhe grabitjes nga politikanë që, për fatin tonë të mirë, tani janë pjesë e së kaluarës, po përjeton një rilindje, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe kombëtar, gjatë këtyre 13–14 muajve. Dhe nuk do të ndalemi këtu, do të vazhdojmë përpara! Do të luftojmë për secilin prej jush. Të tregojmë se ne nuk jemi as grekë, as bullgarë, as serbë, ne jemi maqedonas. Maqedonas në Shqipëri dhe kudo në botë.

Ju faleminderit për gjithçka që bëni për popullin maqedonas dhe për Maqedoninë. Prëspe, Zoti të bekoftë! Faleminderit!”, tha Mickovski në fjalën e tij./abcnews.al

Trump: SHBA dhe BE arritën një marrëveshje tregtare

By: Re Nato
27 July 2025 at 19:52

Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi të dielën se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian arritën një dakordësi për një marrëveshje tregtare pas bisedimeve me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në Turnberry të Skocisë.

“Bashkimi Evropian do të bjerë dakord të blejë nga Shtetet e Bashkuara energji me vlerë 750 miliardë dollarë”, tha Trump.

“Ata do të bien dakord të investojnë në Shtetet e Bashkuara 600 miliardë dollarë më shumë sesa po investojnë tashmë.”, shtoi presidenti, shkruan CNN.

Trump filloi bisedimet me von der Leyen më herët të dielën, me afatin e fundit të së premtes që po afrohej për të arritur një marrëveshje tregtare për të shmangur tarifat prej 30% për importet evropiane. Trump tha se Shtetet e Bashkuara nuk mund të ulnin një normë tarifore gjithëpërfshirëse prej 15% për Bashkimin Evropian.

Korniza vjen pasi Trump njoftoi se detyrimet për shumicën e mallrave të BE-së do të rriteshin nga niveli bazë universal prej 10% në një taksë prej 30% më 1 gusht, duke përmendur se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë një nga ” deficitet më të mëdha tregtare ” dhe nuk arritën të arrinin një marrëveshje deri në afatin e mëparshëm të Trump, më 9 korrik./abcnews.al

SHBA dhe Kina do të rifillojnë bisedimet për tarifat

By: Re Nato
27 July 2025 at 19:15

Negociatorët e lartë amerikanë dhe kinezë takohen në Stokholm të hënën për të trajtuar mosmarrëveshjet ekonomike afatgjata në qendër të luftës tregtare të vendeve, me qëllim zgjatjen e një armëpushimi që mban larg tarifat shumë më të larta .

Kina po përballet me një afat deri më 12 gusht për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme tarifore me administratën e Presidentit Donald Trump , pasi Pekini dhe Uashingtoni arritën një marrëveshje paraprake në qershor për t’i dhënë fund javëve të përshkallëzimit të tarifave “grumbull për grrumbullim”.

Pa një marrëveshje, zinxhirët globalë të furnizimit mund të përballen me trazira të reja nga detyrimet që tejkalojnë 100%.

Bisedimet në Stokholm, të udhëhequra nga Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, dhe Zëvendëskryeministri kinez, He Lifeng, zhvillohen një ditë pasi Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, takohet me Trump në fushën e tij të golfit në Skoci, në përpjekje për të arritur një marrëveshje që ka të ngjarë të shihte një tarifë bazë prej 15% për shumicën e mallrave të BE-së.

Analistët e tregtisë në të dyja anët e Paqësorit thonë se diskutimet në kryeqytetin suedez nuk ka gjasa të sjellin ndonjë përparim, por mund të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm dhe të ndihmojnë në krijimin e kushteve që Trump dhe Presidenti kinez Xi Jinping të takohen më vonë këtë vit.

Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dërgojnë 25 ton ndihmë humanitare në Gaza

By: Re Nato
27 July 2025 at 18:53

Tre aeroplanë transporti të Forcave Ajrore të Jordanisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) sot hodhën 25 ton ndihma humanitare mbi Rripin e Gazës për popullsinë që lufton për mbijetesë për shkak të urisë dhe kequshqyerjes.

Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed, njoftoi dje se vendi i tij do të rifillonte menjëherë shpërndarjen e ndihmës ajrore, duke thënë se situata humanitare në Gaza kishte arritur në një “fazë kritike dhe të pashembullt”.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) lëshuan sot një deklaratë ku thuhej se “një pauzë taktike lokale në aktivitetet ushtarake do të vendoset për qëllime humanitare nga ora 10:00 e mëngjesit deri në orën 20:00, duke filluar nga sot”.

Në një deklaratë, ushtria izraelite tha se do të caktojë gjithashtu rrugë të sigurta për të ndihmuar agjencitë e ndihmës të shpërndajnë ushqim dhe furnizime të tjera për njerëzit në të gjithë Gazën.

“Dënim maksimal për zjarrvënësit e qëllimshëm”/ Balluku: Do ketë penalitete, identiteti i tyre do bëhet publik

By: Re Nato
27 July 2025 at 18:27

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se do të ketë dënim maksimal për zjarrvënësit e qëllimshëm.

Nga Bulqiza, Balluku u shpreh se për këta persona do të ketë penalitete, si dhe identiteti i tyre do të bëhet publik.

“Është e patolerueshme kjo. Kjo nuk është vetëm në zonën e Bulqizës, kjo është në të gjithë Shqipërinë. Është bërë punë e shkëlqyer nga punonjësit e policisë, nga zjarrfikësit. Forcat e Armatosura kanë qenë në krye të kësaj beteje me zjarrin. Ne gjejmë rastin për t’i falenderuar të gjithë ata që kanë kontribuar. E rëndësishme është që nuk kemi pasur humbje në jetë njerëzish. Jugu vijon të jetë në situatë kritike, pritet rënie temperaturash. Kjo do na ndihmojë të rikuperojmë dhe të shuajmë vatrat e zjarrit”, theksoi ajo./abcnews.al

Tajlanda dhe Kamboxhia dakordësohen për bisedime pas katër ditësh luftime

By: Re Nato
27 July 2025 at 18:22

Udhëheqësit e Tajlandës dhe Kamboxhias do të marrin pjesë në bisedimet e ndërmjetësimit të hënën në Malajzi. lidhur konfliktin e tyre vdekjeprurës.

Kjo u konfirmua nga qeveria tajlandeze, edhe pse të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për nisjen e sulmeve të reja me artileri në zonat e kontestuara.

Bisedimet janë planifikuar të fillojnë në orën 15:00 sipas orës lokale të hënën, me kryeministrin në detyrë Phumtham Wechayachai që kryeson ekipin negociator tajlandez, njoftoi qeveria në një deklaratë të dielën në mbrëmje.

Malajzia, e cila kryeson forumin e bashkëpunimit rajonal të ASEAN-it, ka informuar qeverinë tajlandeze se në bisedime do të marrë pjesë edhe kryeministri kamboxhian Hun Manet, thuhet në deklaratë.

Tensionet midis Tajlandës dhe Kamboxhias janë intensifikuar që nga vrasja në fund të majit e një ushtari kamboxhian gjatë një përleshjeje të shkurtër kufitare. Trupat kufitare nga të dyja palët u përforcuan mes një krize të plotë diplomatike që e çoi qeverinë e brishtë të koalicionit të Tajlandës në prag të kolapsit.

Armiqësitë rifilluan të enjten dhe, brenda vetëm katër ditësh, u përshkallëzuan në luftimet më të ashpra midis fqinjëve të Azisë Juglindore në më shumë se një dekadë./abcnews.al

Parkim mbi trotuar/ Sarandë, gjobitet dhe procedohet penalisht 31-vjeçari

By: Re Nato
27 July 2025 at 17:58

Një 31-vjeçar është gjobitur me 20 mijë lekë dhe proceduar penalisht në Sarandë.

Ky shtetas parkoi automjetin në mënyrë të parregullt, mbi trotuar, duke bllokuar rrugëkalimin për automjete të tjera dhe për këmbësorët.

Ai akuzohet për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal./abcnews.al

Rusia zbeh festimet ndërsa dronë fluturojnë pranë vendlindjes së Putinit

By: Re Nato
27 July 2025 at 17:46

Rusia mbajti ceremoni të zbehura për nder të marinës më 27 korrik në Shën Petersburg, duke përmendur shqetësime për sigurinë, ndërsa autoritetet në rajonin përreth raportuan se forcat e mbrojtjes ajrore rrëzuan disa dronë që, sipas tyre, ishin lëshuar nga Ukraina.

Ndërkohë, Rusia vazhdoi sulmet ndaj Ukrainës, ku zyrtarët thanë se ushtria rrëzoi 78 nga 83 dronët sulmues ose mashtrues të lëshuar gjatë natës dhe në mëngjes, përfshirë disa fragmente të të cilëve dëmtuan ndërtesa në rajonin Poltava, që ndodhet mes Kievit dhe vijës së frontit në lindje.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e ktheu paradën e Ditës së Marinës në lumin Neva në qytetin e tij të lindjes, Shën Petersburg, në vitin 2017, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të kremtuar ushtrinë dhe për të ndezur ndjenjat patriotike.

Por, parada detare u anulua këtë vit, një vendim i shpallur nga autoritetet lokale në fund të javës së kaluar. Më 27 korrik, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se “kjo lidhet me situatën e përgjithshme, arsyet e sigurisë, të cilat janë mbi të gjitha”.

Zyrtarët rusë thanë se më shumë se 10 dronë u rrëzuan në mëngjes në rajonin e Leningradit, i cili rrethon Shën Petersburgun, dhe guvernatori tha se një grua u plagos lehtë nga mbetjet që ranë. Dhjetëra fluturime u pezulluan në aeroportin Pulkovo të Shën Petersburgut.

❌
❌