Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 17 August 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

BRUKSEL:  Von der Leyen: Trump pranon garancitë e ngjashme me nenin 5 për Ukrainën

17 August 2025 at 18:49

BRUKSEL, 17 gusht /ATSH-DPA/ – Ukraina mund të mbështetet te pjesëmarrja e SHBA-së në një angazhim sigurie të ngjashëm me zotimin e mbrojtjes së përbashkët të NATO-s, tha sot presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në një konferencë shtypi me presidentin ukrainas.

“Ne e mirëpresim gatishmërinë e presidentit Donald Trump për të kontribuar në garanci sigurie të ngjashme me Nenin 5 për Ukrainën”, tha Von der Leyen përkrah presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Bruksel.

“I ashtuquajturi ‘Koalicioni i të vullnetshmëve’ që përfshin Bashkimin Evropian, është gati të japë kontributin e tij”, shtoi ajo.

Ky koalicion është një grupim i lirshëm shtetesh që mbështesin Kievin kundër pushtimit të plotë rus të nisur në shkurt 2022.

Neni 5 i traktatit të NATO-s përcakton se shtetet anëtare mund të mbështeten te aleatët e tyre në rast sulmi, duke e konsideruar një sulm ndaj një anëtari si sulm ndaj të gjithëve.

Pas paraqitjes për shtyp, Zelensky dhe Von der Leyen do të merrnin pjesë në një videokonferencë të “Koalicionit të të vullnetshmëve” për të diskutuar hapat e ardhshëm.

Zelensky, i shoqëruar nga disa liderë evropianë, pritet të takohet nesër me presidentin Trump në Uashington./  /Ad.Ab./

The post BRUKSEL:  Von der Leyen: Trump pranon garancitë e ngjashme me nenin 5 për Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vlorë, pushuesit dhe Policia Kufitare shpëtojnë një shtetase nga mbytja në det

TIRANË, 17 gusht /ATSH/ Policia Kufitare e Vlorës, në bashkëpunim me qytetarët, i erdhi në ndihmë sot një shtetaseje që rrezikoi të mbytej në Gjirin e Shën Janit.

Gjatë patrullimit me mjet lundrues, shërbimet e Policisë Kufitare dëgjuan thirrjet për ndihmë të pushuesve. Shtetasja ishte nxjerrë në breg nga qytetarët, pasi kishte pirë ujë gjatë notimit dhe kishte rrezikuar mbytjen.

Punonjësit e Policisë, së bashku me pushuesit, i dhanë ndihmën e parë dhe më pas e transportuan me mjetin lundrues drejt portit të Vlorës. Gjatë rrugës, gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua, por falë ndërhyrjes së policisë u bë e mundur stabilizimi i saj deri në dorëzimin tek ekipi i urgjencës mjekësore.

Sipas policisë, shtetasja ndodhet jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e mjekëve të Spitalit Rajonal Vlorë.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe apelon për kujdes maksimal gjatë pushimeve verore.

/a.f/

The post Vlorë, pushuesit dhe Policia Kufitare shpëtojnë një shtetase nga mbytja në det appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – Rubio: Armëpushimi Ukrainë-Rusi nuk është jashtë loje

17 August 2025 at 18:10

UASHINGTON, 17 gusht /ATSH-DPA/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha sot se armëpushimi mes Ukrainës dhe Rusisë nuk është jashtë loje.

Ai foli për kanalin “NBC News” dy ditë pas një takimi në Alaskë mes presidentit Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin.

Pas takimit, Trump hoqi dorë nga thirrja e tij e mëparshme për një armëpushim të menjëhershëm, duke mbështetur në vend të kësaj qasjen e preferuar të Putinit për negocimin e një marrëveshjeje të plotë paqeje për t’i dhënë fund luftës.

I pyetur në intervistë nëse armëpushimi është hequr nga tryeza, Rubio u përgjigj “jo, nuk është jashtë loje”.

“U ra dakord nga të gjithë se mënyra më e mirë për t’i dhënë fund këtij konflikti është përmes një marrëveshjeje të plotë paqeje”, vazhdoi Rubio.

“Nuk ka dyshim për këtë… Mendoj se kjo është mënyra më e mirë për t’i dhënë fund luftës”, theksoi Rubio.

Ai vuri në dyshim nëse një armëpushim do të ishte i nevojshëm gjatë rrugës, duke vënë në dukje se Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur një të tillë, por Rusia ende nuk ka rënë dakord.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i shoqëruar nga disa liderë evropianë, do të udhëtojë nesër për në Uashington për t’u  takuar  me presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë./  /Ad.Ab./

The post UASHINGTON – Rubio: Armëpushimi Ukrainë-Rusi nuk është jashtë loje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA  – Vdes Terence Stamp, ylli i filmave “Superman”

17 August 2025 at 17:40

LONDËR. 17 gusht  /ATSH/ – Aktori britanik Terence Stamp, një figurë e shquar e kinemasë, i njohur për rolin e tij si superkeqbërësi me emrin gjenerali Zod në filmat  “Superman”, ka vdekur në moshën 87 vjeç, sipas “The Independent”.

Aktori i nominuar për çmimin Oscar, i cili luajti në më shumë se 60 filma gjatë karrierës së tij, duke përfshirë “The Limey dhe The Adventures of Priscilla, Queen of the Desert” vdiq sot mëngjes, bëri të ditur familja e tij.

“Ai lë pas një vepër të jashtëzakonshme, si aktor dhe si shkrimtar, që do të vazhdojë të prekë dhe frymëzojë njerëzit për vite me radhë”, tha familja.

“Ne kërkojmë privatësi në këtë kohë të trishtueshme”, shtoi ajo.

Stamp u lind në East End të Londrës në vitin 1938, bir i një punëtori rimorkiatorësh.

Ai i mbijetoi bombardimeve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe, menjëherë pas përfundimit të shkollës, ndoqi një karrierë në reklama, ku punoi për disa vite.

Më vonë fitoi një bursë për të studiuar në “Webber Douglas Academy of Dramatic Art” dhe shpejt mori pjesë në një turne kombëtar të dramës së Willis Hall “The Long and the Short and the Tall”, së bashku me aktorin tjetër Michael Caine /Ad.Ab./

The post KINEMA  – Vdes Terence Stamp, ylli i filmave “Superman” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Billy Joel nxjerr në ankand motoçikletat e tij

17 August 2025 at 17:33

NJU JORK, 17 gusht /ATSH/ – Ikona e rock-ut, Billy Joel po mbyll dyqanin e tij të dashur të motoçikletave në Long Island, Nju Jork, pas pothuajse 15 viteve duke u ofruar fansave mundësinë të shihnin koleksionin e tij personal me dhjetëra motoçikleta, sipas AP.

Joel do të mbyllë dyqanin ”20th Century Cycles” në Oyster Bay në fund të shtatorit dhe do ta nxjerrë koleksionin në ankand për shkak të një çrregullimi të trurit me të cilin është diagnostikuar kohët e fundit, sipas zëdhënëses, Claire Mercuri.

Në maj, Joel njoftoi se po anulonte koncertet e tij të ardhshme pasi u diagnostikua me  hidrocafalit të presionit normal Normal, një grumbullimi ë lëngut në tru që mund të ndikojë në të menduarit, përqendrimin, kujtesën, lëvizjen e të tjera, sipas ”Cleveland Clinic”.

Këngëtari 76-vjeçar tha se kishte vështirësi me ekuilibrin, por ndjehej mirë në përgjithësi.

Joel, i cili u rrit në Hicksville pranë Oyster Bay, hapi ”20th Century Cycles” në fund të vitit 2010 si vend për të mirëmbajtur dhe riparuar motoçikletat e tij, për të restauruar dhe personalizuar ato që blinte dhe për të ekspozuar koleksionin për publikun pa pagesë.

”Më pëlqen stili i vjetër, stili automobilistik nga vitet ’30 deri në ’60. Desha të mbledh shumë nga këto motoçikleta, t’i vendos në një vend dhe t’i lejoj njerëzit të shohin se si duket ajo epokë e motoçikletave, sepse po humbet kjo estetikë”,  tha ai në një video të vitit 2013.

Koleksioni i tij përfshin mbi 75 motoçikleta që datojnë që nga vitet 1940, duke përfshirë “Harley-Davidson”, “Triumph”, “Ducati”,” Moto Guzzi” ,“Indian” dhe BMW.

“Një nga më të çmuarat ishte një ”Vincent Rapide” i vitit 1952, që mund të shitet për dhjetëra mijëra dollarë.

Data e ankandit për koleksionin e tij nuk është vendosur ende./   /Ad.Ab./

The post SOFT NEWS – Billy Joel nxjerr në ankand motoçikletat e tij appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NJU JORK – Tre të vdekur dhe tetë të plagosur në një klub nate në Brooklyn

17 August 2025 at 16:51

NJU JORK, 17  gusht /ATSH-DPA/ – Të paktën tre persona kanë vdekur nga një përplasje me armë zjarri sot në mëngjes, në një klub nate në Brooklyn, njoftoi policia.

Oficerët që iu përgjigjën thirrjes së urgjencës gjetën 11 persona me plagë  të shkaktuar nga armë zjarri brenda lokalit “Taste of the City Lounge”, tha komisionerja e NYPD, Jessica Tisch.

”Tre prej viktimave më pas ndërruan jetë si pasojë e plagëve. Hetuesit gjetën 36 gëzhoja në vendngjarje, çka tregon se janë përdorur disa armë dhe me shumë gjasa janë përfshirë shumë persona të armatosur”, shtoi Tisch.

Deri tani nuk janë bërë arrestime.

Ajo e përshkroi ngjarjen si “të tmerrshme”, duke theksuar se dhuna e tillë nuk është normale as për një qytet të madh si Nju Jorku.

Autoritetet po shohin pamjet e kamerave të sigurisë që ndodhen në rrugët përreth për të identifikuar autorët.

Mes të plagosurve kishte tetë burra dhe tre gra.

“Taste of the City Lounge”, që funksionon si bar dhe restorant deri në orët e para të mëngjesit, ndodhet në lagjen “Crown Heights” në Brooklyn. /Ad.Ab./

The post NJU JORK – Tre të vdekur dhe tetë të plagosur në një klub nate në Brooklyn appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia gjen dhe kthen te familja 2-vjeçarin e humbur në Velipojë

TIRANË, 17 gusht /ATSH / Policia në Velipojë, ka reaguar me shpejtësi duke bërë të mundur gjetjen e një djali 2-vjeçar, i cili ishte larguar nga prindërit në plazh.

Policia njofton se, punonjësit e Policisë në Velipojë ia dorëzuan familjes, në gjendje të mirë shëndetësore, djalin 2-vjeçar.
Salla Operative e Stacionit të Policisë Velipojë u njoftua nga një familje pushuesish se djali i tyre i mitur ishte larguar dhe nuk po e gjenin dot.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë në zonën e plazhit u angazhuan në kërkime intensive në terren.
Falë reagimit të shpejtë dhe profesional, punonjësit e Policisë bënë të mundur lokalizimin e djalit, gjetjen e tij dhe ia dorëzuan familjes.
Policia e Shtetit u bën apel pushuesve që të tregojnë kujdes të shtuar për fëmijët e tyre, veçanërisht në zonat e mbipopulluara, si plazhet.
e.xh/

The post Policia gjen dhe kthen te familja 2-vjeçarin e humbur në Velipojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndahet nga jeta në moshën 94-vjeçare aktori i njohur Zija Grapshi

TIRANË, 17, gusht /ATSH/ Ka ndërruar jetë në moshën 94-vjeçare aktori i njohur shqiptar, Zija Grapshi, i cili njihej nga publiku si “gjyshi i përrallave”.

Ai lindi në Gjirokastër dhe përfundoi Liceun Artistik “Jordan Misja” në vitin 1952.

Grapshi nisi karrierën e tij artistike në vitin 1949 në grupin filodramatik pranë Radio Tiranës. Gjatë viteve interpretoi role të ndryshme në komedi, në Teatrin e Estradës së Shtetit dhe në Teatrin Popullor.

Ka qenë pedagog në Institutin e Lartë të Arteve për disa vite. Në mbi 160 shfaqjet e shumta të teatrit të kukullave ku mori pjesë, ka luajtur në përgjithësi role kryesore, ku u bë i dashur për fëmijët me rolet e Shvejkut (1957), Ivanit të madh (1959), sidomos me figurën e Baba Vitit (1987).

Zëri i tij i veçantë, me një ngjyrim karakteristik, me aftësitë imituese, kujdesi për të qenë sa më i natyrshëm, si dhe ndjesia e vërtetësisë në marrëdhëniet me partnerët, kanë qenë disa nga cilësitë e tij interpretative më të zëshme në krijimin e figurave.

Më së shumti u bë i njohur dhe i dashur si aktor i Teatrit të Kukullave të Tiranës, ku edhe dha kontributin më të madh.

Kontributi i tij në teatrin për fëmijë dhe përkrahja e artit të kukullave e bëri atë një figurë të dashur dhe të respektuar në komunitetin artistik shqiptar.

The post Ndahet nga jeta në moshën 94-vjeçare aktori i njohur Zija Grapshi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Gjithnjë e më pak gjermanë ndjekin dieta vegane apo vegjetariane

17 August 2025 at 15:55

BERLIN, 17 gusht /ATSH-DPA/ – Ka mbetur vetëm një pjesë e vogël e njerëzve në Gjermani, të cilët identifikohen si vegjetarianë ose veganë, sipas një sondazhi të kryer nga instituti ”Max Rubner” (MRI), organi federal kërkimor i Gjermanisë për të ushqyerit dhe ushqimin.

Sondazhi zbuloi se rreth katër për qind e të anketuarve thanë se nuk hanë mish ose peshk, ndërsa afërsisht një për qind e përshkruan dietën e tyre si vegane, duke shmangur të gjitha produktet shtazore, përfshirë qumështin, vezët dhe mjaltin.

Sondazhi Kombëtar i Monitorimit të Ushqyerjes pyeti 3 155 të rritur gjermanishtfolës të moshës 18 deri në 80 vjeç midis shtatorit dhe nëntorit të vitit të kaluar.

Rreth dy të tretat raportuan se hanin një dietë të përzier, ndërsa afërsisht një e katërta u identifikuan si “fleksitarianë”, që do të thotë se hanin mish jo më shumë se dy herë në javë.

Megjithatë, MRI tha se kishte një hendek midis vetëperceptimit dhe konsumit aktual.

Bazuar në marrjen e raportuar të ushqimit, rreth 75% e pjesëmarrësve hanin mish më shumë se dy herë në javë.

Zakone të të ngrënit gjithashtu ndryshonin në kohëzgjatje.

Rreth 80% e atyre që hanin me dietë të përzier thanë se e kishin ndjekur atë dietë për të paktën një dekadë, ndërsa vetëm 20% e veganëve raportuan se e kishin vazhduar praktikën e tyre për po aq kohë./  a.jor.

The post FOKUS – Gjithnjë e më pak gjermanë ndjekin dieta vegane apo vegjetariane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

La Noche Cubana ndezi Kalanë e Ali Pashës me ritmet e muzikës latine

 

Visualizza questo post su Instagram

 

Un post condiviso da Agjencia Telegrafike Shqiptare (@ata.gov.al)


TIRANË, 17 gusht /ATSH /  Kalaja historike e Ali Pashës në Porto Palermo, në Himarë u kthye mbrëmjen e 16 gushtit në një skenë të gjallë muzikore, plot ngjyra, kërcim dhe emocione, falë festivalit të njohur Porto Palermo Festival.

Në mbrëmjen e 11-të të këtij festivali, atmosfera u ndez nga “La Noche Cubana”, një udhëtim muzikor drejt Kubës dhe muzikës së saj të pasur.

Këngëtarja kubane me famë ndërkombëtare, Laraine Cañizares Machado, solli në skenë zërin e saj të fuqishëm dhe shpirtin e muzikës latine, duke magjepsur publikun me salsa, bolero dhe ritmet tropikale që janë identike me atmosferën e Havanës. Ajo u shoqërua nga muzikantët virtuozë Michael Rodi në piano, Paolo Cozzolino në kitarë dhe Fabrizio Aiello në bateri, të cilët përkthyen çdo notë në energji të papërmbajtshme dhe emocione të thella.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendo Gonxhja, ndau momente nga kjo natë magjike në rrjetet sociale, duke theksuar se kjo mbrëmje solli shpirtin dhe energjinë e Kubës në një nga vendet më piktoreske të jugut të Shqipërisë.

Publiku i pranishëm u përfshi plotësisht në ritmet e kërcimit që zgjatën gjatë gjithë natës, duke krijuar një atmosferë festive nën qiellin e hapur dhe yjet e jugut.

Mbrëmja e “La Noche Cubana” ishte pjesë e edicionit të këtij viti të Porto Palermo Festival, i cili do të përmbyllet sot me një finale energjike dhe plot ritëm nën titullin “Pasha Night”, ku do të performojë një DJ i njohur, duke sjellë një përvojë unike për adhuruesit e muzikës elektronike dhe jo vetëm.

Ky festival po kthehet në një nga eventet më të rëndësishme kulturore në rajon, duke sjellë artistë të profilit të lartë dhe duke promovuar kulturën dhe turizmin në jug të Shqipërisë.

The post La Noche Cubana ndezi Kalanë e Ali Pashës me ritmet e muzikës latine appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia arreston në Kapshticë 57-vjeçarin që kontrabandonte mallra nga Greqia

TIRANË, 17 gusht /ATSH /  Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin (DVKM) Korçë, në kuadër të kontrolleve të rregullta dhe mbi bazën e informacioneve operative, kanë goditur një rast të kontrabandës me mallra të padeklaruara.

Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrollit në Pikën Kufitare të Kapshticës, në hyrje të territorit të Republikës së Shqipërisë, u ndalua një automjet me drejtues shtetasin Th. B., 57 vjeç, banues në Plasë.

Nga kontrolli i detajuar në automjet u zbuluan produkte ushqimore, pije alkoolike, dhjetëra steka cigaresh dhe disa aparate celularë, të dyshuara si mallra të kontrabanduara nga Greqia, pasi rezultuan pa dokumentacionin përkatës ligjor dhe pa fatura blerjeje.

Policia njofton se, në përfundim të veprimeve procedurale, 57-vjeçari u arrestua në flagrancë, për veprat penale: “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë”, dhe
“Kontrabanda me mallra të tjerë”.

Ndërkohë, mallrat e kontrabanduara u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme ligjore.

1 nga 2

The post Policia arreston në Kapshticë 57-vjeçarin që kontrabandonte mallra nga Greqia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Madonna feston 67-vjetorin në Sienë

17 August 2025 at 15:12

ROMË, 17 gusht /ATSH-DPA/ – Legjenda e pop-it, Madonna, ka festuar ditëlindjen e saj të 67-të në Toskanën piktoreske të Italisë dhe e ka shoqëruar festën me një vizitë në një festival shekullor garash me kuaj.

Pas një ndalese të shkurtër në Firence, këngëtarja udhëtoi drejt Sienës për të marrë pjesë në “Palio di Siena”, një garë mesjetare kuajsh që zhvillohet mes lagjeve historike të qytetit.

Madonna e ndoqi garën nga “Palazzo Pannocchieschi d’Elci”, një pallat fisnikësh që shikon mbi “Piazza del Campo”.

Sipas mediave, ajo vazhdoi festimet më pas në një hotel me pesë yje në qendrën historike të Sienës.

Kjo nuk është hera e parë që Madonna zgjedh Italinë për ditëlindjen.

Vitin e kaluar, ajo e festoi në Pompeii, qytetin antik pranë Napolit, i cili u mbulua nga shpërthimi i Vezuvit në vitin 79 pas Krishtit. /Ad.Ab./

The post SOFT NEWS – Madonna feston 67-vjetorin në Sienë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Merz: Nuk besoj se takimi i dytë Trump-Zelensky do të jetë si i pari

17 August 2025 at 15:09

BERLIN, 17 gusht /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz është shprehur optimist se takimi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky me presidentin amerikan Donald Trump nesër në Shtëpinë e Bardhë nuk do të jetë si i pari.

Në fund të shkurtit ndodhi një skenë e jashtëzakonshme dhe e paprecedentë, kur Trump e ndërpreu disa herë Zelenskyn dhe zëvendëspresidenti JD Vance vuri në dyshim nëse ai i kishte falënderuar ndonjëherë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën dhe takimi u anulua papritur, me Zelenskyn që u largua nga Shtëpia e Bardhë.

Merz tha për “RTL/ntv” se nuk besonte që Trump do ta poshtëronte sërish Zelenskyn dhe shtoi se liderët evropianë do t’i jepnin presidentit ukrainas disa këshilla të mira gjatë takimit online sot me të.

Ai theksoi se takimi i tij me Trump kishte shkuar ndryshe dhe se këtë e kishin diskutuar me Zelenskyn.

Merz dha gjithashtu një vlerësim pozitiv për takimin në Alaskë mes Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin.

“Takimi mund të jetë një sukses në rrugën drejt paqes në Ukrainë, nëse ndërmerren hapat e duhur”, tha ai, duke iu referuar edhe takimit të planifikuar nesër mes Trump dhe Zelensky, i cili pritet të pasohet nga një takim trepalësh me Putinin, ndonëse koha dhe vendi ende nuk janë caktuar. Nga pala ruse është thënë se një takim i tillë nuk është diskutuar në Alaska.

“Kjo është një rrugë e mirë, por do të jetë ende e vështirë. Nuk duhet ta nënvlerësojmë”, tha Merz.

Që prej fillimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës në shkurt 2022, qeveria gjermane është thirrur vazhdimisht të bëjë çdo përpjekje për një zgjidhje diplomatike.

Merz theksoi se ka qenë gjithmonë dakord me këtë, por se një zgjidhje e tillë duhet të arrihet duke respektuar shtetësinë dhe sovranitetin e Ukrainës.

“Dhe tani jemi një hap të vogël më pranë kësaj”, shtoi ai./  /Ad.Ab./

 

The post GJERMANI – Merz: Nuk besoj se takimi i dytë Trump-Zelensky do të jetë si i pari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Parku Arkeologjik i Antigonesë në Gjirokastër, destinacion për t’u vizituar

TIRANË, 17 gusht /ATSH/ Parku Arkeologjik i Antigonesë në Gjirokastër, një prej monumenteve më të rëndësishme historike dhe kulturore në jug të Shqipërisë, është kthyer në një destinacion tërheqës për vizitorët vendas dhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama, ndau në rrjete sociale pamje nga Mozaiku i Kishës Paleokristiane që gjendet në Parkun Arkeologjik të Antigonesë, në Gjirokastër, si një nga vendet që ia vlen të vizitohet, për vlerën e çmuar të trashëgimisë sonë kulturore.

“Parku Arkeologjik i Antigonesë në Gjirokastër, një destinacion për t’u vizituar gjatë këtij muaji, ku mund të shikoni edhe “Mozaikun e Kishës Paleokristiane”, për të cilin specialistët e Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore të Gjirokastrës janë kujdesur ta bëjnë të vizitueshëm për turistët”, shkroi Rama.

Falë punës së përkushtuar të specialistëve të Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore të Gjirokastrës, mozaiku i rrallë është restauruar dhe është bërë i vizitueshëm për publikun. Ky element shtesë pasuron më tej ofertën kulturore të parkut, duke ofruar për turistët një përvojë të veçantë dhe autentike.

Mozaiku i Kishës Paleokristiane, i vendosur brenda hapësirës së parkut, është një dëshmi e rëndësishme e ndikimit të hershëm të krishterimit në këtë zonë. Punuar me mjeshtëri të lartë artistike, ai paraqet motive simbolike dhe dekore të periudhës së shekujve IV-V pas Krishtit.

Antigonea, e themeluar në shekullin e III p.e.s. nga mbreti Pirro i Epirit dhe emëruar në nder të gruas së tij, Antigona, ofron një pasuri të gjerë arkeologjike, përfshirë rrënojat e qytetit antik, muret mbrojtëse, shtëpitë karakteristike, si dhe elementë të kulturës urbane të kohës.

Vizitorët që zgjedhin të eksplorojnë këtë vend do të përjetojnë jo vetëm historinë antike të Epirit, por edhe bukuritë natyrore të luginës së Drinosit, që e rrethon parkun me një peizazh mbresëlënës.

Përmes investimeve të vazhdueshme dhe përkushtimit të institucioneve për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, Antigonea po pozicionohet gjithnjë e më shumë si një pikë referimi për turizmin kulturor në Shqipëri.

1 nga 3

/a.f/

 

The post Rama: Parku Arkeologjik i Antigonesë në Gjirokastër, destinacion për t’u vizituar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

”Express”: Shqipëria një nga vendet më të pabesueshme turistike

17 August 2025 at 14:25

TIRANË, 17 gusht /ATSH/ – Evropa aktualisht po përballet me një krizë të rëndë zjarresh, me flakët që shpërthyen që nga fundi i korrikut, të shkaktuara nga një valë e madhe të nxehti intensiv, shkruan Vita Molyneux, korrespondente udhëtimesh për prestigjiozen britanike ”Express”.

Këtë vit, afërsisht 440 000 hektarë janë djegur nga zjarret në Evropën Jugore, me pika kyçe që përfshijnë Greqinë, Spanjën, Portugalinë, Turqinë dhe Shqipërinë.

Zjarret kanë rezultuar në viktima: të paktën një person ka vdekur në Shqipëri, së bashku me disa në vende të tjera, me qindra të plagosur dhe dhjetëra mijëra të evakuuar.

Vetëm në Shqipëri, shpërthyen rreth 30 zjarre dhe ka pasur dëme të mëdha në shtëpi, të mbjella dhe kafshë, si dhe evakuime nga fshatrat në Elbasan, Vlorë dhe Berat.

Megjithatë, ndërsa zjarre ka pothuajse në të gjithë Shqipërinë, industria e turizmit po vazhdon si zakonisht.

Kjo është sipas tre turistëve të Zelandës së Re që udhëtojnë nëpër vendin ballkanik, të cilët thonë se është “një nga vendet më të pabesueshme që kanë qenë ndonjëherë”.

Phoenix Attwood dhe i fejuari i saj, Benjamin Fisher janë në Shqipëri që nga fundi i korrikut me mikun e tyre Conor Downey dhe folën me ne rreth asaj se si është të jesh turist mes zjarreve.

Treshja është aktualisht në Përmet dhe thotë se në përgjithësi, udhëtimi i tyre ka qenë i qetë, kryesisht falë reagimeve të vendasve.

Ata e filluan udhëtimin e tyre në Sarandë, në Rivierën Shqiptare ku gjithçka ishte “plotësisht mirë”, sipas Ben-it.

“Kishim dëgjuar më parë, kur mbërritëm në Shqipëri për zjarret, por nuk kishim parë asgjë. Në Sarandë ishte plotësisht mirë dhe nuk ishim të vetëdijshëm për këtë, por sapo filluam të udhëtonim me autobus për në Gjirokastër, pamë pika të shumta tymi dhe zjarri nëpër male dhe ishim pak më të shqetësuar sepse ishte padyshim më afër nga sa mendonim”, shtoi ai.

Realiteti i zjarreve u bë i dukshëm kur grupi vendosi të shkonte në një udhëtim me kajak në Syrin e Kaltër, në jug të Shqipërisë, një destinacion i njohur turistik ku uji nga burimi natyror është aq i pastër sa mund të shihni deri në një thellësi prej 50 metrash.

“Ndërsa po bënim kajak në Syrin e Kaltër, një re e madhe tymi zvarritej mbi mal, gjë që ishte mjaft e çuditshme. Kjo ishte një thirrje e vërtetë zgjimi për ne, të gjithë po bëheshim mjaft nervoz”, tha Ben-i.

Reja e tymit u rrit me shpejtësi dhe treshja vendosi të largohej nga zona dhe të kthehej në akomodimin e tyre.

Një nga gjërat që Connor thotë ishte ankthi për mungesën e një komunikimi të qartë.

Por, pavarësisht barrierave gjuhësore, Connor thotë se ”shqiptarët bënë çmos për të qetësuar grupin”.

“Njerëzit në Shqipëri janë shumë të mirë dhe të dashur; janë thjesht shumë të qetë”, shton Connor.

Ai shtoi se të tre anëtarët e grupit janë me fat që janë në një pozicion mjaft të privilegjuar për të përballuar udhëtimin dhe se qeveria në Shqipëri e ka situatën nën kontroll.

“Na është bërë mjaft e qartë se qeverisja lokale në Shqipëri ka qenë proaktive në evakuimin e turistëve, sa herë ka qenë e nevojshme”,  shtoi Connor.

“Duke qenë nga Zelanda e Re, ne nuk dimë shumë nga zjarret e mëdha, kështu që mendoj se aty hyn një pjesë e ankthit. Ky është një territor i panjohur për ne, ndërsa për njerëzit këtu, është shumë më qetësues”, thotë Phoenix.

Pavarësisht ankthit nga zjarret, të tre bien dakord se Shqipëria është një vend i mrekullueshëm për t’u vizituar  dhe të tre kanë ndërmend të kthehen sërish.

“Është një vend kaq i bukur dhe ne nuk kemi ndjerë gjë tjetër veçse mikpritje. Kemi pasur kaq shumë ndërveprime të jashtëzakonshme me vendasit, sidomos për ushqimin”, tha Ben-i.

“Nëse do të vini në Shqipëri për ndonjë gjë, ushqimi duhet të jetë patjetër në krye të listës”, thekson ai.

Megjithatë, nëse grupi kthehet, nuk do të jetë përsëri në sezonin e zjarreve.

“Megjithatë, të gjithë kemi rënë dakord që nëse do të ktheheshim në Shqipëri, do të donim të ktheheshim jo në të njëjtën kohë të vitit”, përfundon Connor./  /Ad.Ab./

The post ”Express”: Shqipëria një nga vendet më të pabesueshme turistike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia: Bllokohen 35 mjete lundruese, shpëtohen 19 pushues në det

17 August 2025 at 13:57


TIRANË, 17 gusht /ATSH/ Vijon monitorimi intensiv nga Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në det.

Gjatë javës së fundit, nga Koman në Ksamil, janë kontrolluar 525 mjete lundruese, nga të cilat 35 janë bllokuar për shkelje të ndryshme. Konkretisht janë ndaluar 22 jet ski, 5 skafe, 6 gomone dhe 2 varka metalike me motor uji të instaluar.

Në 14 raste, mjetet lundruese janë konstatuar duke lëvizur brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masa administrative prej 100 mijë lekësh secili.

Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare ka bërë të mundur shpëtimin e 19 shtetasve, shqiptarë dhe të huaj, si dhe të 6 mjeteve lundruese që kishin rënë në rrezik.

Gjithashtu, nga Policia Kufitare e Sarandës, në bashkëpunim me homologët grekë, është lokalizuar dhe bllokuar në zonën e plazhit të Pemës së Thatë, Ksamil-Sarandë, një gomone e vjedhur në Lefkadha, Greqi. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Policia Kufitare apelon për respektimin me rigorozitet të rregullave të përdorimit të mjeteve lundruese, duke theksuar se nuk lejohet shkelja e perimetrit të sigurisë dhe lundrimi duhet të kryhet vetëm në zonat e përcaktuara, të pajisur me mjetet e nevojshme të shpëtimit.

Policia e Shtetit fton qytetarët dhe pushuesit të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të lundrimit apo të perimetrit të sigurisë në numrin pa pagesë 112, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe masa konkrete ndaj çdo shkelësi.

/a.f/

The post Policia: Bllokohen 35 mjete lundruese, shpëtohen 19 pushues në det appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – ”Ferma e kafshëve” mbush 80 vjeç: Pse kafshët kanë rëndësi në shëmbëlltyrën e Orwellit për komunizmin?

17 August 2025 at 13:47

SIDNEJ, 17 gusht /ATSH/ – ”The Animal Farm” (”Ferma e kafshëve”), e botuar në vitin 1945 nga George Orwell mbush sot 80 vjeç, sipas faqes australiane theconversation.com.

Nëse ka një gjë që çdo student i historisë ose politikës e di është se novela nuk ka të bëjë vërtet me kafshët. Sigurisht, personazhet kryesore janë derrat dhe kuajt. Por, në të vërtetë, siç na thuhet, ka të bëjë me Bashkimin Sovjetik dhe çfarë ndodhi me idealet e komunizmit nën udhëheqjen e korruptuar të Josif Visarionoviç Stalinit.

Vetë Orwell, pjesë e një brezi autorësh britanikë që flisnin hapur, të cilët ende nuk e kishin dëgjuar teorinë e Roland Barthes për vdekjen e autorit (ideja se fjalët flasin vetë dhe qëllimet e autorit janë të parëndësishme), shpalli se kështu duhej lexuar historia.

Por, çfarë ndodh nëse do t’i merrnim kafshët në këtë rrëfim të famshëm më seriozisht?

Orwell e shkroi këtë roman të shkurtër dhe tronditës, në një kohë kur konsiderohej shkencërisht e papranueshme që kafshëve t’u jepeshin mendime ose edhe ndjenja.

Vështrimi i Çarls Darvinit në vitin 1859, se njerëzit janë të lidhur me të gjitha speciet e tjera shtazore, ishte një mundësi e humbur për të menduar se si cilësitë e të parës mund të jenë të pranishme në të dytën.

Në vend të kësaj, psikologët e kafshëve në kohën e Orwell këmbëngulën më fort se kurrë në ekzistencën e një boshllëku njohës midis ”nesh”, njerëzve, dhe “atyre” kafshëve të egra.

Ekspertët e tij bashkëkohorë në shkencat shoqërore dhe humane luajtën me këtë dallim.

Antropologu francez Claude Lévi-Strauss shkroi në vitin 1962 se me kafshët “është mirë të mendosh”, me fjalë të tjera, nëse i hetojmë besimet njerëzore rreth kafshëve, mund të zbulojmë vlerat dhe modelet tona të thella shoqërore.

Sipas standardeve të sotme, dhe në kontekstin e zhdukjes së gjashtë masive, kjo duket si një deklaratë e keqe. Studimet bashkëkohore hedhin poshtë idenë se kafshët nuk janë gjë tjetër veçse një burim për njerëzit, madje edhe një filozofik.

Në të kundërt, shumë kultura dhe shoqëri në mbarë botën kanë tradita të bashkëveprimit me kafshët në një mënyrë që njeh personalitetin e tyre. Njerëzit që jetojnë së bashku me specie të tjera dhe madje gjuajnë shumë shpesh arrijnë ta kuptojnë nga afër sjelljen dhe veprimin e tyre.

Një projekt i madh akademik në Britaninë e Madhe  po heton se si këto marrëdhënie pasqyrohen në fabulat e kafshëve. I titulluar “Rimendimi i fabulave në epokën e krizës mjedisore”, ai nxit bashkëpunimin midis studiuesve, artistëve dhe shkrimtarëve në përfytyrimin e botëve unike të specieve të ndryshme, duke përfshirë kuajt, minjtë, sorrat dhe merimangat, në mjediset e tyre që ndryshojnë me shpejtësi dhe janë të pasigurta.

Duke jetuar në një epokë para futjes gjithëpërfshirëse të bujqësisë në shkallë masive, të ndihmuar kimikisht, Orwell nuk ishte shumë larg bujqësisë paraindustriale dhe njohurive të saj të thella për kafshët. Eseja e tij e vitit 1936 për vrasjen e një elefanti në Birmani është e mbushur me ankth për vuajtjet e një kafshe të vërtetë.

Edhe në “Fermën e Kafshëve”, pika e fillimit është vuajtja e kafshëve, mizoritë e fermerit njerëzor janë të padiskutueshme. Siç i paralajmëron Plaku Major, një derr i mençur dhe i moshuar kafshët e tjera: “Ju derra të rinj… secili prej jush do të bërtasë jetën tuaj në bllok brenda një viti”.

Fabula ndryshon nëse i përmbahemi këtij realiteti gjatë gjithë kohës. Kjo përsëritet nga Orwell më vonë në histori, kur mizoritë e fermës ”Pinchfield” u raportohen kafshëve.

Tirania njerëzore është armiku i kafshëve dhe, pavarësisht tradhtisë së shpresave të tyre nën udhëheqjen e derrit Napoleon, drejtësia e kauzës së tyre nuk minohet kurrë.

Ëndrrat e kafshëve

Revolucioni i kafshëve i Orwell, përmbysja e fermerit, është frymëzuar nga ëndrra e një derri.

Plaku Major mbledh bishat e tjera të fermës për t’u treguar atyre vizionin e tij për “Tokën siç do të jetë kur njeriu të jetë zhdukur”, dhe shfrytëzimi njerëzor i kafshëve nuk do të ekzistojë më. Është lloji i përshkrimit që do t’i bënte psikologët e kafshëve të shekullit XX -të rrotulloheshin në varret e tyre. Kafshë me një jetë sentimantale? Qesharake!

Çdo pronar qeni do t’ju tregojë se miku i tij me katër këmbë sheh ëndrra, megjithatë, për dekada, ne i lejuam shkencëtarët të na thoshin se nuk i kishin. Ëndrrat e qenve janë të ndërthurura në përshkrimin e jetës pyjore të krijuar nga antropologu Eduardo Kohn. Në librin e tij ”How forest think” (”Si mendojnë pyjet”), botuar në vitin 2013, Kohn argumenton se të gjitha kafshët mendojnë dhe imagjinojnë të ardhmen e tyre. Mbijetesa e tyre, ajo shtytëse themelore e revolucionit të fermës , bazohet në aftësinë për ta bërë këtë.

Në një pasazh të paharrueshëm, Kohn përshkruan se si një majmun duhet të interpretojë tingujt e pyllit dhe t’i përdorë ato për të parashikuar rezultate të mundshme(përplasje të pafajshme apo grabitqar?) në mënyrë që të jetojë. Kafshët e Kohn jetojnë në një botë plot kuptim. Fuqia njerëzore për të krijuar kuptim përmes gjuhës abstrakte është vetëm një shembull i një tipari universal të jetës.

Ëndrrat përsëriten në të gjithë ”Fermën e kafshëve”, por përfundimisht zhduken nga fjalët. Urdhërimet e kafshëve, të shkruara në murin e hambarit, ndryshohen në mënyrë dinake një nga një për të justifikuar korrupsionin e derrave.

Pasi kuptimi eksternalizohet dhe objektivizohet në fjalën e shkruar, ai është i ndjeshëm ndaj manipulimit. Fjalët mund të rishkruhen dhe bashkë me to, e kaluara. Kafshët bëhen të pasigurta për kujtimet e tyre paraverbale. Ëndrrat zhduken nga narrativa./  /Ad.Ab./

 

The post KOMENT – ”Ferma e kafshëve” mbush 80 vjeç: Pse kafshët kanë rëndësi në shëmbëlltyrën e Orwellit për komunizmin? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarret, PL: Të shpallet gjendja e emergjencës kombëtare

17 August 2025 at 13:27

TIRANË, 17 gusht/ATSH/ Anëtarja e Kryesisë në Partinë e Lirisë, Anisa Ibraj deklaroi sot se, viti 2025 do të mbahet mend si viti kur Shqipëria u dogj dhe shteti dështoi ta mbrojë.

“Nga veriu në jug, flakët kanë përpirë pyje, toka bujqësore, pasuri natyrore dhe kanë rrezikuar drejtpërdrejt banesa e jetë njerëzish”, tha ajo në një deklaratë për shtyp.

“Në Delvinë, një vatër e madhe zjarri ka shkrumbuar zona të tëra, ndërsa situata është po aq alarmante në dhjetëra pika të tjera në vend”, u shpreh Ibraj.

“Kjo nuk është thjesht një fatkeqësi natyrore , është prova e dështimit të një qeverie që nuk ka as plan parandalimi, as infrastrukturë për reagim të shpejtë dhe efektiv”, shtoi ajo.

“Zjarrfikësit tanë, njerëzit në vijën e parë të përballjes, janë lënë të luftojnë me duar bosh. Pajisjet janë të vjetra, mjetet janë të pamjaftueshme, mbështetja ajrore mungon dhe koordinimi mes institucioneve është minimal. Zona të tëra me rrezik të lartë mbeten pa mbulim, ndërsa çdo ndërhyrje është e vonuar dhe e fragmentuar”, theksoi Ibraj.

“Partia e Lirisë u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër zjarri. Por mbi të gjitha, i bëjmë thirrje qeverisë të shpallë pa asnjë vonesë gjendjen e emergjencës kombëtare. Kjo është e vetmja mënyrë për të mobilizuar burime shtesë, për të kërkuar ndihmë ndërkombëtare dhe për të koordinuar një plan të centralizuar ndërhyrjeje në të gjithë territorin. Çdo orë vonesë është një orë humbje. Shqipëria nuk mund të jetojë me skenarin e përvitshëm ku zjarret shkatërrojnë gjithçka dhe më pas harrohen deri vitin tjetër. Një shtet serioz matet nga aftësia për të mbrojtur jetën, pronën dhe natyrën e tij. Në këtë provë, qeveria e sotme ka dështuar, deklaroi Ibraj.

/gj.m//a.f/

 

 

 

The post Zjarret, PL: Të shpallet gjendja e emergjencës kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Grupkapitujt e fundit drejt BE-së, konferenca ndërqeveritare gati në shtator

17 August 2025 at 13:25

TIRANË, 17 gusht/ATSH/Vjeshta pritet të sjellë konferencën ndërqeveritare Shqipëri- BE për hapjen e dy grupkapitujve të mbetur të bisedimeve të anëtarësimit në BE.

Zëvendësministri i Ekonomisë, Enkelejd Musabelliu tha për RTSH se gjithë procedura tjetër është kryer.

“Për dy grupkapitujt e mbetur Shqipëria ka marrë një ftesë për të paraqitur pozicion e saj dhe në vjeshtë parashikohet edhe organizimi i konferencës së përbashkët ndërqeveritare mes Komisionit Evropian dhe Shqipërisë për të hapur zyrtarisht negociatat edhe këta këto dy grupkapituj”, u shpreh Musabelliu.

Me një integrim kaq të përshpejtuar në BE, përfaqësuesi i ekzekutivit mendon megjithatë se procedura është e drejtuar të përgatisë për përfitimet.

“Të bëhemi gati që aksesi në këtë treg prej 450 milionë konsumatorësh ta shfrytëzojmë në mënyrë maksimale për të marrë më të mirën. Edhe ndryshimi që do ndodhi me përafrimin e plotë të legjislacionit nuk do të jetë aq drastik sa të kthehet në pengesë për biznese të caktuara”, u shpreh ai.

Praktikisht anëtarësimi i njohur si një proces ku negociohet vetëm koha, ligjet e BE-së që transpozohen, nuk duhet ta trembë Shqipërinë, mendon Musabelliu.

“Edhe transpozimi i këtij legjislacioni nuk është i pamundur, aq më tepër me vullnetin e madh politik që kanë të dyja palët, të gjithë bashkë duhet të përgatitemi si shoqëri që të marrim më të mirën e mundshme me anëtarësimin në BE”, tha Musabelliu. /RTSH/

The post Grupkapitujt e fundit drejt BE-së, konferenca ndërqeveritare gati në shtator appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IZRAEL – Protesta për lirimin e pengjeve në Gaza

17 August 2025 at 13:13

TEL AVIV, 17 gusht /ATSH-DPA/ – Izraelitët zhvilluan sot greva dhe protesta masive për të kërkuar lirimin e pengjeve që mbahen nga lëvizja islamike palestineze Hamas në Rripin e Gazës, pothuajse dy vjet pas rrëmbimit të tyre.

Protestuesit bllokuan rrugët në mbarë Izraelin, përfshirë një autostradë kryesore në Tel Aviv, duke valëvitur flamuj blu e të bardhë izraelitë dhe flamuj të verdhë si simbol solidariteti me pengjet.

Ata kërkuan që qeveria të përfundojë menjëherë luftën në Gazë, të arrijë një marrëveshje për lirimin e pengjeve dhe të tërheqë vendimin e fundit për ofensivën ushtarake në qytetin e Gazës.

Forumi i Familjeve të Pengjeve dhe të Zhdukurve, që përfaqëson të afërmit e atyre që mbeten ende në robëri, kishte bërë thirrje për një grevë mbarëkombëtare në fillim të javës së punës në Izrael.

“Do ta çojmë vendin në një ngërç”, tha Einav Zangauker, djali i të cilës, Matan, është midis 20 pengjeve të mbijetuara që mbahen nga Hamasi.

Megjithatë, sindikata e fuqishme “Histadrut” refuzoi t’i bashkohej grevës.

Gjatë sulmeve të Hamasit u morën peng rreth 250 persona. Nga rreth 50 që mbeten ende në Gaza, besohet se rreth 20 janë gjallë. /Ad.Ab./

The post IZRAEL – Protesta për lirimin e pengjeve në Gaza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌