Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 3 June 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Gjykata e BE-së lë në fuqi rregullat e rrepta ndaj “Messenger”, “Meta” humbet apelin

LUKSEMBURG, 3 qershor /ATSH-DPA/- “Meta” ka humbur apelin kundër vendimit të Bashkimit Evropian, për të vendosur rregulla të rrepta ndaj aplikacionit të saj të mesazheve “Messenger”.

Gjykata e Përgjithshme e Bashkimit Evropian në Luksemburg konfirmoi sot vendimin e Komisionit Evropian, për të klasifikuar “Messenger” si një “gatekeeper” sipas Aktit për Tregjet Digjitale.

Në të njëjtën kohë, gjykata anuloi një vendim të mëparshëm të revokuar, që kishte të bënte me shërbimin e blerjeve “Marketplace”.

Komisioni Evropian përcaktoi në vitin 2023, se “Messenger” dhe “Marketplace” përmbushnin kriteret për t’u konsideruar “gatekeepers” – platforma të mëdha që shërbejnë si porta kryesore për bizneset që të arrijnë konsumatorët në tregjet digjitale.

Ky status i vendos kompanive, detyrime të veçanta, për të garantuar konkurrencë më të drejtë në tregun digjital.

Në vitin 2025, Komisioni Evropian anuloi vendimin për përcaktimin për “Marketplace”, pasi nuk ishte arritur pragu i kërkuar i përdoruesve komercialë.

Gjykata vendosi se ky anulim ishte i pavlefshëm, duke argumentuar se vlerësimi i të dhënave nga Komisioni ishte i pasaktë dhe arsyetimi i tij ishte “hipotetik dhe i paplotë”.

Përsa i përket “Messenger-it”, gjykata mbështeti Komisionin Evropian, dhe la në fuqi përcaktimin si “gatekeeper”.

Si “Meta” ashtu edhe Komisioni Evropian mund ta apelojnë vendimin në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian, instanca më e lartë gjyqësore e BE-së.

Përveç “Messenger-it”, disa shërbime të tjera të “Meta-s” janë aktualisht të klasifikuara si “gatekeepers”, përfshirë “Facebook”, “Instagram”, “WhatsApp” dhe “Meta Ads”. / /a.i/

The post Gjykata e BE-së lë në fuqi rregullat e rrepta ndaj “Messenger”, “Meta” humbet apelin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

INDI – Të paktën 21 të vdekur nga zjarri në një hotel në Nju Delhi

NJU DELHI, 3 qershor /ATSH-DPA/- Të paktën 21 persona kanë humbur jetën sot, si pasojë e një zjarri që shpërtheu në një ndërtesë shumëkatëshe që shërbente si hotel, në një zonë të populluar të kryeqytetit indian.

Më shumë se 40 persona u shpëtuan nga ndërtesa në zonën Hauz Rani, në jug të Nju Delhit, tha një zyrtar i policisë.

Të plagosurit u dërguan në spitalet e afërta, ndërsa 21 prej tyre u shpallën të vdekur.

Sipas agjencisë së lajmeve PTI, viktimat përfshijnë edhe shtetas të huaj nga Azia Qendrore dhe Afrika, por policia ende nuk i ka identifikuar zyrtarisht të ndjerët.

“Shkaku i zjarrit mbetet i paqartë. Shërbimi zjarrfikës ka shuar flakën dhe po vijon kontrollin brenda ndërtesës”, tha zëvendës-shefi i zjarrfikësve AK Malik.

Nuk dihet ende, nëse objekti kishte dalje emergjente dhe lejet e nevojshme të sigurisë.

Kryeministrja e Delhit, Rekha Gupta tha se do të hapet një hetim, për të përcaktuar shkaqet e zjarrit dhe premtoi mbështetje për të plagosurit dhe familjet e viktimave.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi shprehu ngushëllimet e tij dhe njoftoi ndihmë financiare për familjet e prekura.

Vdekjet nga zjarret janë të zakonshme në Indi dhe shpesh lidhen me masa të dobëta sigurie, mungesë daljeje emergjente dhe pajisje elektrike të vjetruara ose me standarde të ulëta. //a.i/

The post INDI – Të paktën 21 të vdekur nga zjarri në një hotel në Nju Delhi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Rutte mbërrin në Kiev pas sulmit vdekjeprurës rus

KIEV, 3 qershor /ATSH-DPA/- Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte mbërriti sot në Kiev, disa ditë pas një tjetër sulmi të madh dhe vdekjeprurës me raketa dhe dronë nga Rusia ndaj kryeqytetit ukrainas dhe pjesëve të tjera të vendit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, mbërriti sot në Kiev, i shoqëruar nga ambasadorët e vendeve anëtare të aleancës, bëri të ditur zëdhënësja e tij.

Ambasadorët e NATO-s formojnë Këshillin e Atlantikut të Veriut, organin më të lartë vendimmarrës politik të aleancës, i cili zakonisht mblidhet të paktën një herë në javë në Bruksel.

Pamje të publikuara në mediet ukrainase treguan Rutte duke zbritur nga një tren në stacionin e Kievit.

Për arsye sigurie, zëdhënësja e shefit të NATO-s nuk dha detaje mbi itinerarin e saktë të vizitës.

Rutte ka vizituar disa herë Kievin, për t’u takuar me presidentin Volodymyr Zelensky dhe zyrtarët e tjerë ukrainas.

NATO ka vazhduar të mbështesë Ukrainën përmes programit “Lista e Kërkesave me Përparësi të Ukrainës” (PURL), një iniciativë që parashikon furnizimin me municione dhe armë të prodhuara në SHBA, të cilat ju shiten aleatëve evropianë dhe Kanadasë, për t’iu dorëzuar më pas Ukrainës. //a.i/

The post FOKUS – Rutte mbërrin në Kiev pas sulmit vdekjeprurës rus appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – CENTCOM: Forcat amerikane zmbrapsën një seri sulmesh iraniane me raketa dhe dronë

UASHINGTON, 3 qershor /ATSH-DPA/- Ushtria amerikane njoftoi se ka zmbrapsur një seri sulmesh me raketa balistike dhe dronë, të lëshuara nga Irani ndaj objektivave në rajonin e Gjirit gjatë natës.

Në një deklaratë në rrjetin social X, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se forcat amerikane neutralizuan disa raketa dhe dronë iranianë, si dhe kryen goditje vetëmbrojtëse në ishullin Qeshm, në përgjigje të sulmeve të pretenduara iraniane në Lindjen e Mesme më 2 qershor.

Pretendimet e ushtrisë amerikane nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Para publikimit të deklaratës së CENTCOM-it, Kuvajti dhe Bahreini raportuan sulme me raketa dhe dronë. Të dyja vendet e Gjirit strehojnë baza të rëndësishme ushtarake amerikane.

Sipas ushtrisë amerikane, dy raketa iraniane të lëshuara drejt Kuvajtit nuk arritën objektivin ose u shkatërruan gjatë fluturimit, ndërsa tre raketa të drejtuara ndaj Bahreinit u interceptuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore të SHBA-së dhe Bahreinit.

CENTCOM deklaroi gjithashtu se forcat amerikane rrëzuan tre dronë sulmues, të nisur nga Irani drejt anijeve civile, që po lundronin ligjërisht në ujërat e rajonit.

“Forcat tona mbeten vigjilente dhe të gatshme për t’u mbrojtur ndaj çdo agresioni të pajustifikuar iranian gjatë armëpushimit në fuqi”, thuhet në deklaratë.

Në një përditësim të mëvonshëm, CENTCOM njoftoi se një valë tjetër dronësh iranianë tentoi të sulmonte forcat amerikane në Kuvajt, por pa sukses.

Sipas ushtrisë amerikane, mbrojtja ajrore rrëzoi disa dronë dhe nuk pati dëme në personel apo pajisje.

Sulmi ndaj një anijeje cisternë me naftë mund të ketë nxitur përshkallëzimin

Shkëmbimi i fundit i sulmeve, pavarësisht armëpushimit dhe negociatave për t’i dhënë fund konfliktit, duket se lidhet me një operacion ushtarak amerikan të kryer dje.

Ushtria amerikane deklaroi se kishte sulmuar me raketë një anije cisternë pa ngarkesë pranë ishullit Kharg, një qendër kyçe për eksportet iraniane të naftës, pasi ajo kishte tentuar të hynte në një port iranian. Sipas CENTCOM-it, anija u nxor jashtë funksionit.

Nga ana tjetër, një zëdhënës ushtarak iranian konfirmoi se sulmet hakmarrëse u kryen nga Garda Revolucionare Islamike (IRGC), forca elitare e Republikës Islamike.

Zëdhënësi deklaroi se Irani kishte paralajmëruar më herët se, në rast agresioni, përgjigjja do të ishte ndryshe dhe më e ashpër, duke shtuar se veprimet e fundit duhej të shërbenin si një mësim.

Zyrtari iranian paralajmëroi gjithashtu se çdo kërcënim ndaj sigurisë së Ngushticës së Hormuzit, do të kishte pasoja të rënda për forcat ushtarake amerikane në rajon. //a.i/

The post SHBA – CENTCOM: Forcat amerikane zmbrapsën një seri sulmesh iraniane me raketa dhe dronë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE ende pa marrëveshje për kompensimin e pasagjerëve pas vonesave të fluturimeve

BRUKSEL, 3 qershor /ATSH-DPA/- Negociatat mes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian për reformimin e shumëdiskutuar, të të drejtave të pasagjerëve ajrorë nuk kanë arritur ende një kompromis, duke lënë të paqartë të ardhmen e ndryshimeve të propozuara.

Parlamenti Evropian bëri të ditur se bisedimet do të vazhdojnë, por theksoi se eurodeputetët nuk janë të gatshëm të pranojnë një marrëveshje, që do të dobësonte mbrojtjen ekzistuese të pasagjerëve.

Ndërkohë, presidenca qipriote e BE-së deklaroi se negociatat do të vijojnë sot pasdite, duke vlerësuar se një marrëveshje është ende e arritshme.

Nga ana tjetër, Parlamenti Evropian nuk dha detaje se kur do të rifillojnë zyrtarisht bisedimet.

Nëse nuk arrihet një marrëveshje deri në mesin e qershorit, afati i propozimit për reformën, i paraqitur fillimisht nga Komisioni Evropian në vitin 2013, do të përfundojë, duke lënë në fuqi rregullat aktuale të BE-së për të drejtat e pasagjerëve.

Një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes mbetet kompensimi për vonesat e fluturimeve.

Sipas rregullave aktuale, pasagjerët mund të përfitojnë kompensim, nëse fluturimi i tyre mbërrin me të paktën tre orë vonesë.

Vitin e kaluar, shtetet anëtare të BE-së propozuan rritjen e këtij kufiri në katër orë, për shumicën e fluturimeve dhe në gjashtë orë për fluturimet ndërkontinentale, si dhe uljen e shumave të kompensimit në disa raste.

Parlamenti Evropian i ka kundërshtuar këto ndryshime dhe ka kërkuar ruajtjen në thelb të sistemit aktual.

Sipas propozimit të tij, pasagjerët do të vazhdonin të kishin të drejtë kompensimi, pas tre orësh vonesë ose në rast anulimi të fluturimit, do të përfitonin 300 euro për udhëtime deri në 1,500 kilometra, 400 euro për fluturime deri në 3,500 kilometra dhe 600 euro për itinerare më të gjata. //a.i/

The post BRUKSEL – BE ende pa marrëveshje për kompensimin e pasagjerëve pas vonesave të fluturimeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Media italiane “TgYou24”: Mes plazheve dhe trashëgimisë kulturore, Shqipëria në krye të tendencave turistike

TIRANË, 3 qershor /ATSH/- Viti 2026 pritet të jetë viti i destinacioneve të reja turistike, me gjithnjë e më shumë vizitorë, që kërkojnë përvoja autentike, çmime të përballueshme dhe vende ende të paprekura nga turizmi masiv, shkruan media italiane “TgYou24”.

Sipas tendencave të turizmit ndërkombëtar, Shqipëria renditet ndër destinacionet më të kërkuara për vitin e ardhshëm, duke tërhequr vëmendjen e turistëve nga e gjithë Evropa.

Shqipëria, perla e re e Mesdheut

Shqipëria vazhdon të konsolidojë pozicionin e saj si një nga destinacionet turistike me rritjen më të shpejtë në Evropë.

Kombinimi i plazheve mahnitëse, trashëgimisë historike, mikpritjes tradicionale dhe kostove më të ulëta, krahasuar me destinacionet e tjera mesdhetare e ka kthyer vendin, në një zgjedhje gjithnjë e më të preferuar për pushuesit.

Bregdeti shqiptar, veçanërisht Riviera Shqiptare, po fiton famë ndërkombëtare falë ujërave të kristalta, gjireve të fshehura dhe peizazheve mbresëlënëse.

Ndër destinacionet më të vizituara renditen Himara, Ksamili, Saranda, Dhërmiu dhe Vlora, ndërsa zona të tjera si Borshi, Qeparoi dhe Lukova po tërheqin gjithashtu interes në rritje.

Përtej detit, turistët po zbulojnë gjithnjë e më shumë edhe pasuritë kulturore të vendit.

Tirana është shndërruar në një qendër dinamike urbane me jetën e gjallë kulturore dhe gastronomike, ndërsa qytetet historike si Berati dhe Gjirokastra ofrojnë një udhëtim unik në historinë dhe traditat shqiptare.

Nga ana tjetër, Alpet Shqiptare, me destinacione si Thethi dhe Valbona, po tërheqin adhuruesit e turizmit natyror dhe aventurës.

Ekspertët e turizmit vlerësojnë se Shqipëria do të vazhdojë të jetë një nga zgjedhjet kryesore, për turistët që kërkojnë pushime cilësore me kosto të përballueshme, larg mbipopullimit, që karakterizon disa nga destinacionet tradicionale të Mesdheut.

Destinacione të tjera në rritje për vitin 2026

Përveç Shqipërisë, disa vende të tjera po fitojnë popullaritet në mesin e turistëve ndërkombëtarë:

* Gjeorgjia – po tërheq vizitorët me peizazhet malore, kulturën e pasur dhe kuzhinën tradicionale.
* Omani – ofron shkretëtira spektakolare, kanione natyrore dhe plazhe të egra.
* Filipinet – mbeten një parajsë për adhuruesit e ishujve tropikalë, zhytjes dhe natyrës së paprekur.
* Sllovenia – vlerësohet për turizmin e qëndrueshëm, liqenet alpine dhe qytetet e mirëorganizuara.
* Kolumbia – vazhdon të tërheqë turistë falë kulturës së larmishme dhe bregdetit të Karaibeve.
* Uzbekistani – po magjeps vizitorët me qytetet historike të Rrugës së Mëndafshit.
* Madagaskari – mbetet një nga destinacionet më unike për biodiversitetin dhe natyrën e egër.
* Arabia Saudite – po investon fuqishëm në turizëm dhe po hap gjithnjë e më shumë dyert për vizitorët e huaj.
* Mali i Zi – ofron kombinimin e detit, maleve dhe çmimeve konkurruese në rajonin e Adriatikut.

Pse turistët po zgjidhen këto destinacione?

Turistët po orientohen gjithnjë e më shumë drejt vendeve më pak të eksploruara sepse ato ofrojnë, çmime më të ulëta; më pak mbipopullim; përvoja autentike kulturore; kontakte më të afërta me komunitetet lokale; peizazhe dhe atraksione ende të paprekura nga turizmi masiv.

Nëse po planifikoni pushimet e vitit 2026, Shqipëria mbetet një nga alternativat më interesante dhe premtuese në Evropë dhe Mesdhe.

Me kombinimin e plazheve spektakolare, qyteteve historike, maleve mbresëlënëse dhe mikpritjes së njohur shqiptare, vendi po forcon pozitat si një nga pikat më të nxehta të turizmit ndërkombëtar, duke konkurruar gjithnjë e më shumë me destinacionet tradicionale të rajonit. //a.i/

The post Media italiane “TgYou24”: Mes plazheve dhe trashëgimisë kulturore, Shqipëria në krye të tendencave turistike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“GB News”: Himara mes destinacioneve më të kërkuara nga britanikët për verën e 2026-ës

Destinacionet e fshehura të Evropës po shndërrohen në pikat më të kërkuara të pushimeve për turistët britanikë.

TIRANA, 3 qershor /ATSH/- Himara po forcon pozitat si një nga perlat turistike të Mesdheut, ndërsa interesi i turistëve britanikë, për qytetin bregdetar të Rivierës Shqiptare, është rritur ndjeshëm, shkruan Sarra Gray në një artikull të botuar në median britanike “GB News”.

Të dhënat e reja të platformës “Airbnb” tregojnë se gjithnjë e më shumë pushues nga Britania e Madhe po orientohen drejt destinacioneve më pak të njohura, në kërkim të natyrës së paprekur, përvojave autentike dhe çmimeve më të favorshme.

Në këtë trend të ri evropian, Himara renditet mes destinacioneve që po tërheqin vëmendjen më të madhe.

Sipas të dhënave të publikuara nga “Airbnb”, turistët britanikë po kërkojnë gjithnjë e më shumë alternativa kundrejt destinacioneve tradicionale, ndërsa Shqipëria dhe Kroacia janë ndër vendet që po përfitojnë më shumë nga kjo tendencë.

Në Britaninë e Madhe, kërkimet për pushime brenda vendit janë rritur me më shumë se 11 për qind krahasuar me një vit më parë.

Megjithatë, në Evropë, turistët po shikojnë gjithnjë e më shumë përtej destinacioneve klasike.

Të dhënat e reja për rezervimet dhe kërkimet tregojnë një rritje të fortë të interesit për Shqipërinë, ku Himara spikat si një nga destinacionet më të preferuara.

Qyteti piktoresk i Rivierës Shqiptare ka shënuar një rritje prej 92 për qind të kërkimeve krahasuar me një vit më parë.

Me plazhet e kristalta, gjiret e fshehura, peizazhet mbresëlënëse mes detit dhe maleve, si dhe me çmime ende konkurruese krahasuar me shumë vende të Mesdheut, Himara po shihet si një alternativë ideale për pushuesit, që duan të shmangin turmat e destinacioneve të mbipopulluara.

Përveç bukurive natyrore, zona ofron edhe një kombinim të trashëgimisë historike, gastronomisë tradicionale dhe jetës bregdetare, elementë që po e bëjnë gjithnjë e më tërheqëse për turistët e huaj.

Raporti, i bazuar në kërkimet dhe rezervimet për periudhën 21 qershor – 22 shtator 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, tregon gjithashtu se turistët po orientohen drejt destinacioneve që ofrojnë aktivitete në natyrë dhe përvoja autentike.

Ndër destinacionet e tjera që kanë shënuar rritje të interesit janë Novalja në Kroaci, Portimao në Portugali, Estepona në Spanjë dhe Cortina d’Ampezzo në Itali, të njohura për kombinimin e plazheve, peizazheve natyrore dhe aktiviteteve në natyrë.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se udhëtimet në grup po bëhen gjithnjë e më të zakonshme.

Rezervimet e grupeve nga Britania e Madhe drejt destinacioneve evropiane janë rritur me 13 për qind krahasuar me një vit më parë, pasi turistët kërkojnë të ndajnë kostot dhe të kalojnë më shumë kohë me familjen dhe miqtë.

Rritja e interesit për Himarën konsiderohet një tjetër tregues i fuqizimit të imazhit turistik të Shqipërisë, në tregun ndërkombëtar, me Rivierën Shqiptare që po konsolidohet si një nga destinacionet më premtuese dhe më të kërkuara të Mesdheut për vitet në vijim. //a.i/

The post “GB News”: Himara mes destinacioneve më të kërkuara nga britanikët për verën e 2026-ës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AGJENDA NDËRKOMBËTARE 03.06.2026

PARIS – Tenis: Turnetë “Grand Slam”, Roland Garros (deri më 7 qershor)

PARIS – Homazh kombëtar për sociologun dhe filozofin Edgar Morin

PARIS – Presidenti Emmanuel Macron pret kryeministrin e ri hungarez, Peter Magyar

PARIS – Presidenti Macron pret Petteri Orpo, kryeministrin e Republikës së Finlandës

PARIS – Senati shqyrton projektligjin që përditëson programimin ushtarak për vitet 2024 deri në 2030

STRASBURG – Forumi Evropian i Mbrojtësve të Mjedisit dhe Informatorëve (deri më 4 qershor)  //a.i/

 

 

 

The post AGJENDA NDËRKOMBËTARE 03.06.2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayAgjencia Telegrafike Shqiptare

NJU JORK – OKB paralajmëron për fenomenin “El Nino”: Mund të jetë viti më i nxehtë ndër dekada

NJU JORK, 2 qershor /ATSH/- Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka bërë thirrje për përgatitje ndaj fenomenit klimatik “El Nino”, duke paralajmëruar se ai mund të shndërrohet në një nga më të fuqishmit, e regjistruar ndonjëherë dhe të përkeqësojë efektet e ndryshimeve klimatike në mbarë botën, raportoi BBC.

Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO), faza e re e “El Nino-s”, mund të nisë brenda pak javësh dhe pritet të forcohet gjatë pjesës së mbetur të vitit 2026, duke nxitur temperatura më të larta dhe fenomene ekstreme të motit, në shumë rajone të globit.

Parashikimet e disa agjencive kombëtare meteorologjike, sugjerojnë se ky episod mund të renditet mes më të fuqishmëve të regjistruar ndonjëherë, madje duke u cilësuar si një “super El Nino”.

Shkencëtarët po monitorojnë me kujdes kushtet në Oqeanin Paqësor qendror, pasi fenomeni krijohet, kur ndryshimet në modelet e erës, lejojnë përhapjen e ujërave më të ngrohta, në zonat tropikale të Paqësorit.

Ekspertët e lidhin mundësinë e një “El Nino” të fuqishëm, me një masë të madhe uji jashtëzakonisht të ngrohtë nën sipërfaqen e Paqësorit.

Të dhënat nga satelitët dhe instrumentet matëse tregojnë temperatura që në disa zona janë mbi 6 gradë Celsius më të larta se mesatarja.

Sipas Michelle L’Heureux nga Qendra për Parashikimin e Klimës pranë Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA), në SHBA, ngrohja e thellë e oqeanit është e krahasueshme me disa nga episodet më të forta të “El Nino-s”, të regjistruara deri më sot dhe shpesh paraprin rritjen e temperaturave në sipërfaqe, të cilat më pas ndikojnë në modelet globale të motit.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres paralajmëroi se “El Nino” do të “hedhë benzinë mbi zjarrin e një bote që po ngrohet”, duke theksuar se pasojat do të jenë më të mëdha, do të përhapen më larg dhe do të kapërcejnë kufijtë me shpejtësi shkatërruese.

Një “El Nino” i fuqishëm, zakonisht shoqërohet me mot më të nxehtë dhe më të thatë në disa pjesë të Amerikës së Jugut, Azisë Juglindore dhe Australisë, duke rritur rrezikun e thatësirave dhe zjarreve.

Ai mund të dobësojë gjithashtu musonin indian, të sjellë kushte më të thata në pjesët veriore të Bririt të Madh të Afrikës dhe të rrisë rrezikun e përmbytjeve në jug të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ngjarjet e mëparshme të “El Nino-s” lidhen me rritje të çmimeve të ushqimeve dhe humbje ekonomike, që arrijnë në qindra miliarda apo edhe triliona dollarë në nivel global, për shkak të dështimeve të të korrave dhe ndërprerjeve në zinxhirët e furnizimit.

Megjithëse, është ende herët, për të përcaktuar nëse ky episod do të thyejë rekorde, shkencëtarët theksojnë se pasojat mund të jenë veçanërisht të rënda, pasi planeti po përjeton tashmë, temperatura rekord për shkak të aktivitetit njerëzor.

Sipas klimatologut Zeke Hausfather, viti 2027 ka shumë gjasa të bëhet viti më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë në botë.

Ai theksoi se një “El Nino” i krahasueshëm me atë të vitit 1998, i cili në atë kohë konsiderohej jashtëzakonisht i nxehtë, sot do të dukej relativisht i ftohtë krahasuar me temperaturat e dy dekadave të fundit.

“Ky është një tregues i qartë i ndikimit të madh që njerëzit kanë mbi klimën”, tha Hausfather. //a.i/

The post NJU JORK – OKB paralajmëron për fenomenin “El Nino”: Mund të jetë viti më i nxehtë ndër dekada appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Sulmet vazhdojnë në Liban, pavarësisht armëpushimit Izrael-Hezbollah

LONDËR, 2 qershor /ATSH/- Pavarësisht një plani të pjesshëm armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe të miratuar nga Izraeli dhe Hezbollahu, përleshjet kanë vazhduar në jug të Libanit, duke treguar se marrëveshja ende nuk po respektohet plotësisht në terren, raportoi BBC.

Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se palët kishin rënë dakord për ndalimin e të shtënave pas bisedimeve me ta, ndërsa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu konfirmoi një marrëveshje të pjesshme, por paralajmëroi vazhdimin e sulmeve ndaj Bejrutit nëse Hezbollahu nuk do te ndalonte sulmet.

Në terren, megjithatë, janë raportuar sulme të reja, përfshirë goditje me raketa dhe ndërhyrje ajrore në zona të ndryshme të Libanit jugor, si dhe përgjigje ushtarake nga të dyja palët.

Situata është shoqëruar me tensione më të gjera rajonale, me paralajmërime nga Irani për përshkallëzim të konfliktit dhe ndikim të mundshëm në negociatat me SHBA-në.

Konflikti ka rritur gjithashtu pasigurinë në tregjet energjetike globale, duke ndikuar në rritjen e çmimeve të naftës.

Lufta ka shkaktuar mijëra vdekje, me mbi 3 400 të vrarë në Liban dhe dhjetëra viktima në Izrael. //a.i/

 

 

The post FOKUS – Sulmet vazhdojnë në Liban, pavarësisht armëpushimit Izrael-Hezbollah appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Kryeministri i ri i Hungarisë, Magyar në vizitën e parë në Berlin

BERLIN, 2 qershor /ATSH/- Kryeministri i ri i Hungarisë, Peter Magyar do të zhvillojë sot vizitën e tij të parë në Berlin, pak më shumë se tre javë pas marrjes së detyrës.

Kancelari Friedrich Merz do ta presë atë me nderime ushtarake jashtë Kancelarisë në mesditë, e më pas do të zhvillojë bisedime dhe një konferencë për shtyp.

Politika dhe mbështetja evropiane për Ukrainën pritet të zënë një vend të spikatur në agjendë.

Politikani 45-vjeçar, Magyar, siguroi shumicën prej dy të tretash me Partinë e tij të qendrës së djathtë “Tisza” në zgjedhjet parlamentare hungareze në prill, duke rrëzuar populistin e krahut të djathtë Viktor Orban, pas 16 vitesh në pushtet.

Qeveria e Orban ishin përballur me kritika të vazhdueshme nga Bashkimi Evropian për prapambetjen demokratike dhe shqetësimet për shtetin e së drejtës.

Magyar është zotuar për reforma të gjera politike dhe një drejtim të ri për vendin.

Kryeministri i ri i Hungarisë kreu vizitat e tij të para në Poloni dhe Austri, menjëherë pas marrjes së detyrës.

Javën e kaluar ai ishte në Bruksel për bisedime me udhëheqësit e BE-së dhe NATO-s, si dhe me qeverinë belge. //a.i./

The post GJERMANI – Kryeministri i ri i Hungarisë, Magyar në vizitën e parë në Berlin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Sulm masiv ndaj Ukrainës, të paktën nëntë të vdekur dhe 100 të plagosur

KIEV, 2 qershor /ATSH-DPA/- Rusia ka ndërmarrë sërish një sulm masiv me raketa dhe dronë ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev dhe qyteteve të tjera të vendit, duke shkaktuar vdekjen e të paktën nëntë personave dhe plagosjen e afro 100 të tjerëve, njoftuan sot autoritetet ukrainase në orët e para të mëngjesit.

Shpërthime të fuqishme u dëgjuan gjatë natës në të gjithë qendrën e Kievit.

Sipas kryebashkiakut të qytetit, Vitali Klitschko, të paktën katër persona humbën jetën dhe 58 të tjerë u plagosën në kryeqytetin me rreth 3 milionë banorë.

Dy prej të plagosurve janë fëmijë, ndërsa 40 persona u shtruan në spital.

Klitschko bëri të ditur se disa ndërtesa u dëmtuan dhe u përfshinë nga flakët.

Shumë banorë u strehuan në stacionet e metrosë dhe bunkerë, ndërsa në disa zona u regjistruan ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë.

Në qytetin e Dnipros, të paktën pesë persona u vranë dhe 25 të tjerë u plagosën nga sulmet e natës.

Sipas autoriteteve, 23 prej tyre po trajtohen në spital, përfshirë një vajzë 13-vjeçare.

Në Kharkiv, kryebashkiaku raportoi të paktën 10 të plagosur. Forcat ruse goditën gjithashtu objektiva në Zaporizhia.

Forcat Ajrore të Ukrainës deklaruan se Moska përdori raketa balistike dhe raketa kruz gjatë sulmeve.

Informacioni, përfshirë numrin e viktimave, nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Frikë për persona të bllokuar nën rrënoja

“Në lagjen Podilskyi të Kievit, një ndërtesë shumëkatëshe banimi u shemb pasi u godit nga një raketë”, tha Klitschko në Telegram.

Autoritetet druhen se persona të tjerë mund të jenë ende të bllokuar nën rrënoja.

Në një zonë tjetër të kryeqytetit, sulmet dëmtuan katet e sipërme të një pallati 15-katësh. Në disa pjesë të qytetit u raportuan zjarre.

Në Poloninë fqinje, ushtria njoftoi në platformën X se, sistemet e mbrojtjes ajrore u vendosën në gatishmëri dhe avionët ushtarakë u ngritën në fluturim, si reagim ndaj sulmeve ruse në Ukrainë.

Polonia rregullisht, vendos nivelin e gatishmërisë gjatë sulmeve të mëdha ruse ndaj Ukrainës, duke aktivizuar herë pas here edhe avionë luftarakë të aleatëve të NATO-s.

Sulmi pas paralajmërimeve të Zelensky

Rusia ndërmori një tjetër sulm të madh ndaj Kievit me raketa balistike dhe dronë edhe gjatë muajit maj.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar vazhdimisht që nga fundi i javës së kaluar për mundësinë e një sulmi të ri ajror, në shkallë të gjerë.

“Informacionet e inteligjencës që tregojnë mundësinë e një sulmi masiv mbeten të vlefshme”, tha Zelensky në një videomesazh të shtunën, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos shpërfillin alarmet ajrore.

Ai theksoi se mbrojtja ajrore ukrainase mbetet në gatishmëri, por pranoi se vonesat në furnizimet ushtarake nga aleatët perëndimorë, po e vështirësojnë mbrojtjen kundër raketave balistike dhe ato kruz.

Ukraina po përballet me pushtimin në shkallë të plotë të Rusisë, prej më shumë se katër vitesh, me mbështetjen ushtarake dhe financiare të vendeve perëndimore. //a.i/

The post FOKUS – Sulm masiv ndaj Ukrainës, të paktën nëntë të vdekur dhe 100 të plagosur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“OkDiario”: Nga jugu bregdetar te qytetet muze, Shqipëria pushton hartën turistike të Evropës

TIRANË, 2 qershor /ATSH/- Në një kohë kur destinacionet tradicionale të Mesdheut po përballen me mbipopullim turistësh dhe çmime gjithnjë e më të larta, Shqipëria po fiton terren, si një nga alternativat më tërheqëse për pushimet verore në Evropë, shkruan media spanjolle “OkDiario”.

Mediet ndërkombëtare po e rendisin Shqipërinë mes destinacioneve më të preferuara të momentit, duke vlerësuar kombinimin e plazheve të mrekullueshme, trashëgimisë kulturore, natyrës së paprekur dhe kostove më të ulëta krahasuar me vende si Greqia, Spanja apo Italia.

Për vite me radhë, Shqipëria ishte një nga vendet më të izoluara të Evropës.

Sot, pikërisht kjo karakteristikë po shndërrohet në një nga avantazhet e saj më të mëdha turistike.

Vendi ofron një vijë bregdetare mahnitëse, histori të pasur dhe çmime që të kujtojnë destinacionet mesdhetare të një dekade më parë.

Ajo që deri vonë konsiderohej një vend sekret, i njohur vetëm nga turistët më aventurierë, po kthehet gradualisht në një destinacion gjithnjë e më të kërkuar.

Megjithatë, me rritjen e popullaritetit lind edhe shqetësimi se Shqipëria mund të përballet në të ardhmen, me të njëjtat sfida që karakterizojnë destinacionet më të frekuentuara turistike të Evropës.

Vizitorët që udhëtojnë për herë të parë në Shqipëri shpesh përjetojnë një ndjesi familjariteti.

Plazhet e jugut, veçanërisht në Ksamil, krahasohen shpesh me ishujt grekë për shkak të ujërave të kristalta dhe ngjyrave të tyre turkeze.

Megjithatë, ndryshe nga shumë destinacione të njohura mesdhetare, këto zona vazhdojnë të ofrojnë më pak mbipopullim dhe çmime më të përballueshme.

Bregdeti shqiptar ndërthur elementë që të kujtojnë vende të ndryshme të rajonit.

Disa pjesë të tij ngjasojnë me vijën bregdetare të Kroacisë, ndërsa atmosfera, gastronomia dhe ritmi i jetës të sjellin ndër mend jugun e Italisë.

Kjo ndërthurje e veçantë krijon një eksperiencë të njohur, por njëkohësisht autentike.

Një nga elementët që e dallon Shqipërinë, është ruajtja e karakterit të saj origjinal.

Ndryshe nga shumë destinacione të zhvilluara turistikisht, vendi vazhdon të ofrojë përvojën e një udhëtimi të vërtetë, ku jo gjithçka është ndërtuar ekskluzivisht për turistët.

Pikërisht ky autenticitet tërheq vizitorët, që kërkojnë të zbulojnë vende të reja, larg itinerareve të zakonshme.

Përveç Ksamilit, destinacione si Himara dhe Borshi po fitojnë gjithashtu popullaritet.

Këto zona ofrojnë plazhe më të qeta, më pak të mbipopulluara dhe një ritëm jetese më të ngadaltë, ideale për ata që kërkojnë relaks dhe kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën.

Por, Shqipëria nuk ofron vetëm det.

Në brendësi të vendit gjenden destinacione me vlera të jashtëzakonshme historike dhe natyrore.

Berati, pjesë e listës së trashëgimisë botërore të UNESCO, tërheq vizitorët me arkitekturën karakteristike dhe lagjet e tij historike.

Ndërkohë, Syri i Kaltër mbetet një nga mrekullitë natyrore më të vizituara të vendit, falë ujërave të kristalta dhe ngjyrës së tij unike.

Ky kombinim i bregdetit, natyrës, historisë dhe autenticitetit, po e shndërron Shqipërinë, në një nga destinacionet turistike, me rritjen më të shpejtë në Evropë, duke tërhequr çdo vit një numër gjithnjë e më të madh vizitorësh nga e gjithë bota. //a.i/

The post “OkDiario”: Nga jugu bregdetar te qytetet muze, Shqipëria pushton hartën turistike të Evropës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Travelpack” promovon Shqipërinë me broshurë të dedikuar: Tashmë në listën e destinacioneve më të nxehta

TIRANË, 2 qershor /ATSH/- Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në tregun ndërkombëtar të turizmit, shkruan Juliet Dennis në një artikull të botuar në revistën britanike “Travel Week”.

Operatori britanik i udhëtimeve “Travelpack” ka prezantuar për herë të parë, një program të dedikuar për Shqipërinë, duke synuar të përfitojë nga kërkesa në rritje për destinacionin shqiptar, i cili po konsiderohet një nga pikat më të nxehta turistike në Evropë.

Në kuadër të këtij projekti, “Travelpack” ka përfshirë një seksion prej 32 faqesh kushtuar Shqipërisë në broshurën e re elektronike “Greece & Albania”, e cila është konceptuar në formatin e një reviste moderne udhëtimesh, me stil të frymëzuar nga rrjetet sociale.

Edhe pse “Travelpack” ka ofruar më parë paketa për Shqipërinë, kjo është hera e parë që vendi promovohet në mënyrë të dedikuar.

Broshura synon të frymëzojë turistët përmes rubrikave si “72 orë në Tiranë”, “10 gjërat që duhen bërë në Shqipëri”, këshilla praktike dhe përgjigje për pyetjet më të shpeshta të vizitorëve.

Oferta përfshin pushime të ndryshme, nga fundjava në qytet dhe paketa me dy destinacione, deri te udhëtimet me makinë, pushimet familjare dhe ato bregdetare, me akomodim në hotele nga tre deri në pesë yje në mbarë vendin.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet Rivierës Shqiptare dhe veçanërisht rajonit të Vlorës, duke përfshirë destinacione si Ksamili, i cilësuar si “Maldivet e Evropës”, si dhe Saranda, Himara dhe Dhërmiu.

Menaxherja e produkteve për Greqinë dhe Shqipërinë në “Travelpack”, Natalie Batchelor, tha se synimi i programit është të rrisë interesin dhe angazhimin ndaj Shqipërisë si destinacion turistik.

“Vizitova Shqipërinë rreth dy vite më parë, gjatë një udhëtimi personal dhe u dashurova menjëherë me vendin. Ajo ofron diçka të papritur: çmime të përballueshme, peizazhe mahnitëse, plazhe të jashtëzakonshme dhe një histori magjepsëse, duke ruajtur njëkohësisht autenticitetin e saj”, u shpreh ajo.

Sipas Batchelor, Shqipëria po përjeton një zhvillim të shpejtë turistik.

“Ndryshe nga Greqia, e cila ka dekada të tëra përvojë në infrastrukturën turistike, Shqipëria ndodhet ende në fillimet e këtij rrugëtimi. Për këtë arsye, shumë prej hoteleve janë moderne, elegante dhe ofrojnë standarde të larta luksi. Edhe baret e plazhit krahasohen gjithnjë e më shumë me destinacione si Ibiza dhe Mikonos”, tha ajo.

Ajo theksoi se Shqipëria nuk konsiderohet më thjesht një destinacion në zhvillim, por tashmë është vendosur në listën e destinacioneve më të kërkuara për t’u vizituar.

Sipas të dhënave, Shqipëria priti mbi 12 milionë vizitorë gjatë vitit 2025, ndërsa parashikimet për vitin 2027 janë më shumë se 14 milionë turistë.

“Travelpack” ofron paketa tre-ditore në Tirana duke filluar nga 399 paund për person, ndërsa një javë pushime me mëngjesin e përfshirë, në një hotel me katër yje në Ksamil, nis nga 799 paund për person, me fluturime, transferta dhe transport detar të përfshirë. //a.i/

The post “Travelpack” promovon Shqipërinë me broshurë të dedikuar: Tashmë në listën e destinacioneve më të nxehta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zbulim premtues kundër kancerit, “Amivantamab” zhduk plotësisht tumorin te 15 pacientë

TIRANË, 2 qershor /ATSH/- Një studim ndërkombëtar, i zhvilluar në 11 vende, mund të shënojë një hap të rëndësishëm në trajtimin e disa formave të kancerit, raportoi “The Guardian”.

Një grup studiuesish nga vende të ndryshme testoi medikamentin “Amivantamab” te pacientë me tumore, kryesisht në zonën e kokës dhe qafës, të cilët kishin pësuar rikthim të sëmundjes, pas trajtimeve të pasuksesshme.

Rezultatet e studimit u cilësuan të paprecedenta, në 15 pacientë, pas administrimit të ilaçit, tumori u zhduk plotësisht.

“Amivantamab” vepron në tre mënyra. Ai bllokon proteinën EGFR, e cila nxit rritjen e tumoreve, si dhe proteinën MET, që qelizat kancerogjene e përdorin, për t’iu shmangur trajtimeve.

Përveç kësaj, ilaçi aktivizon sistemin imunitar për të sulmuar qelizat tumorale.

Pacientët e trajtuar me “Amivantamab” regjistruan një mbijetesë mesatare prej 12,5 muajsh nga fillimi i trajtimit, një rezultat i konsideruar i rëndësishëm, duke pasur parasysh prognozat shumë më të pafavorshme, që kishin marrë më herët.

“Bëhet fjalë për përgjigje jashtëzakonisht të forta te pacientët, sëmundja e të cilëve ishte bërë rezistente si, ndaj kimioterapisë ashtu edhe ndaj imunoterapisë. Ky është një grup pacientësh për të cilët opsionet terapeutike janë jashtëzakonisht të kufizuara. Të shohësh efekte kaq pozitive është vërtet e jashtëzakonshme. Ky trajtim ka potencialin të ndihmojë mijëra pacientë çdo vit”, deklaroi profesori i terapive biologjike kundër kancerit në Institutin e Kërkimeve për Kancerin, Kevin Harrington. //a.i/

The post Zbulim premtues kundër kancerit, “Amivantamab” zhduk plotësisht tumorin te 15 pacientë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Netanyahu urdhëron sulme në Bejrut, përshkallëzohet konflikti me Hezbollahun

BEJRUT, 1 qershor /ATSH/- Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka urdhëruar sot sulme ndaj periferive jugore të kryeqytetit libanez, Bejrut, ndërsa konflikti me grupin e armatosur Hezbollah, i mbështetur nga Irani, vazhdon të përshkallëzohet, raportoi BBC.

Netanyahu deklaroi se do të goditen “objektivat terroriste” në zonën e Dahieh, një bastion tradicional i Hezbollahut, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të kryera ndaj civilëve izraelitë dhe shkeljeve të tjera të armëpushimit, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i shpallur në prill, por që nuk ka arritur t’i japë fund luftimeve.

Një zyrtar i lartë i qeverisë libaneze, tha se Bejruti po mbështetet te përpjekjet ndërmjetësuese të SHBA-së, për të ushtruar presion ndaj Izraelit, që të ndalë shkeljet dhe të shmangë viktima të tjera civile.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio zhvilloi dje një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe presidentin libanez, Joseph Aoun.

Sipas një zyrtari amerikan, Rubio propozoi si hap të parë, ushtrimin e presionit mbi Hezbollahun nga autoritetet libaneze, për të ndalur sulmet ndaj Izraelit, ndërsa në këmbim Izraeli, do të duhet të shmangë përshkallëzimin e operacioneve ushtarake, në Bejrut.

Sipas burimit, një qasje e tillë do të krijonte hapësirë për një ulje graduale të tensioneve dhe një ndërprerje efektive të luftimeve.

Zhvillimet vijnë pasi trupat izraelite, të vendosura në jug të Libanit, kaluan lumin Litani dhe morën kontrollin e Kalasë së Beaufort-it, një fortesë rreth 900-vjeçare, e vendosur në një kreshtë me rëndësi strategjike.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz deklaroi se operacioni ushtarak nuk ka përfunduar dhe se Izraeli mbetet i vendosur të shkatërrojë kapacitetet ushtarake të Hezbollahut.

Nga ana tjetër, kryeministri libanez Nawaf Salam akuzoi Izraelin se po ndjek një strategji shkatërrimit të gjerë dhe ndëshkimit kolektiv.

Libani u përfshi në luftën mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit më 2 mars, kur Hezbollahu lëshoi raketa drejt Izraelit, në kundërpërgjigje ndaj një sulmi izraelit që, sipas raportimeve, vrau udhëheqësin suprem të Iranit.

Izraeli reagoi me një fushatë ajrore në të gjithë Libanin dhe më pas nisi një ofensivë tokësore.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, të paktën 3 371 persona janë vrarë në vend që nga fillimi i konfliktit, megjithëse bilanci nuk bën dallim mes civilëve dhe luftëtarëve.

Ndërkohë, Izraeli ka raportuar se gjatë së njëjtës periudhë, janë vrarë 24 ushtarë izraelitë dhe katër civilë në të dy anët e kufirit. //a.i/

The post FOKUS – Netanyahu urdhëron sulme në Bejrut, përshkallëzohet konflikti me Hezbollahun appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SONDAZH – BQE: Lufta në Iran ka rritur frikën për inflacion në eurozonë

FRANKFURT, 1 qershor /ATSH-DPA/- Konsumatorët në eurozonë parashikojnë që inflacioni të mbetet i lartë për një periudhë të gjatë, si pasojë e goditjes së çmimeve të naftës të shkaktuar nga lufta në Iran, raportoi sot Banka Qendrore Evropiane (BQE), duke iu referuar një sondazhi të fundit.

Sipas të dhënave, mesatarisht në muajin prill, qytetarët kanë pritur një normë inflacioni prej 4% për 12 muajt e ardhshëm, tha BQE-ja.

Çmimet e energjisë janë rritur ndjeshëm, që nga fillimi i luftës në Iran më 28 shkurt, ndërsa ndikimi është ndjerë, kryesisht në rritjen e çmimeve të karburanteve në pikat e furnizimit me benzinë.

“Pasiguria mbi pritshmëritë e inflacionit për 12 muajt e ardhshëm ka mbetur në një nivel të lartë të pandryshuar”, thuhet në deklaratën e bankës.

Sondazhi, gjithashtu tregoi se konsumatorët presin një inflacion të lartë edhe në planin afatmesëm.

Ata parashikojnë një normë mesatare inflacioni prej 2,9% për tre vitet e ardhshme, nga 3% që ishte në mars.

BQE-ja synon një normë inflacioni afatmesme prej 2% në eurozonë, të cilën e konsideron si pikë referimi për stabilitetin e euros.

Lufta në Iran ka nxitur inflacionin në eurozonë në 3% në prill, dukshëm mbi objektivin e bankës.

Si pasojë, Banka Qendrore Evropiane është nën presion për të ndërhyrë. Tregjet financiare presin që BQE-ja të rrisë normat e interesit, për herë të parë këtë vit, në mbledhjen e saj më 11 qershor.

Rritja e normave të interesit do ta bënte më të shtrenjtë huamarrjen për qytetarët dhe bizneset, duke ulur kërkesën dhe ndihmuar në frenimin e inflacionit.

Megjithatë, kjo do të rriste presion mbi ekonominë, tashmë të dobësuar të eurozonës, e cila po përballet me pasojat e luftës në Iran.

Sondazhi i BQE-së për pritshmëritë e konsumatorëve, u krye online me rreth 19 000 pjesëmarrës nga 11 vende të eurozonës, përfshirë Gjermaninë, Spanjën, Francën dhe Italinë.

Sondazhi më i fundit është zhvilluar mes 2 prillit dhe 4 majit, ndërsa rezultatet përdoren nga banka për analizat e politikës monetare. //a.i/

The post SONDAZH – BQE: Lufta në Iran ka rritur frikën për inflacion në eurozonë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA – 100 vjet nga lindja e Marilyn Monroe, ikonë e përjetshme

ROMË, 1 qershor /ATSH-ANSA/- Marilyn Monroe, një prej figurave më ikonike të Hollivudit dhe simbol i përjetshëm i bukurisë dhe kinemasë botërore, lindi më 1 qershor 1926, në Los Anxheles.

E lindur me emrin Norma Jean Mortenson, ajo kaloi një fëmijëri të vështirë, e rritur fillimisht larg nënës së saj dhe e vendosur në familje të ndryshme kujdestare.

Fillimisht, e angazhuar si modele, ajo u zbulua nga aktori Ben Lyon në moshën 20-vjeçare dhe shumë shpejt u shndërrua në një nga yjet më të mëdhenj të kinemasë amerikane.

Karriera e saj u ndërpre në mënyrë tragjike në moshën 36-vjeçare, më 4 gusht 1962, në Los Anxheles, si pasojë e një mbidoze medikamentesh.

Vdekja e saj u cilësua zyrtarisht si “vetëvrasje e mundshme”, por rrethanat mbeten të paqarta dhe kanë nxitur shumë teori dhe spekulime të ndryshme ndër vite.

Me rastin e përvjetorit të 100-të të lindjes së saj, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera po zhvillohen ekspozita, dokumentarë dhe programe televizive për të nderuar figurën e saj.

Në Los Anxheles është hapur ekspozita “Marilyn Monroe: Ikona e Hollivudit”, e cila paraqet objekte personale, dokumente dhe kujtime të rralla nga jeta e aktores.

Edhe në Itali po organizohen homazhe dhe programe speciale televizive, përfshirë transmetime filmash klasikë dhe dokumentarë kushtuar jetës së saj, si dhe ekspozita dhe përmbajtje arkivore në media publike dhe platforma digjitale. //a.i/

 

 

 

The post KINEMA – 100 vjet nga lindja e Marilyn Monroe, ikonë e përjetshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IRAN – Ekzekutime të reja për pjesëmarrje në protestat masive të janarit

TEHERAN, 1 qershor /ATSH-DPA/- Autoritetet gjyqësore në Iran kanë ekzekutuar dy persona të tjerë në lidhje me kryengritjen e janarit, njoftoi sot agjencia e lajmeve “Mizan”, e lidhur me gjyqësorin.

Mehdad Mohammadi-Nia dhe Ashkan Maleki ishin dënuar për vepra që përfshijnë edhe zjarrvënien ndaj një xhamie gjatë protestave masive.

Sipas raportit, dënimet u ekzekutuan sot në mëngjes.

Deri më tani, mbi 12 ekzekutime janë kryer në lidhje me protestat që nisën në fund të dhjetorit, të nxitura fillimisht nga kriza ekonomike dhe që u shndërruan shpejt në demonstrata kundër udhëheqjes autoritare të vendit.

Autoritetet i shtypën protestat me forcë, ndërsa organizatat për të drejtat e njeriut akuzojnë Teheranin, se po përdor dënimin me vdekje, si mjet frikësimi dhe represioni. //a.i/

The post IRAN – Ekzekutime të reja për pjesëmarrje në protestat masive të janarit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Kuvajti raporton sulme me raketa dhe dronë, aktivizohen sistemet e mbrojtjes ajrore

KAJRO, 1 qershor /ATSH-DPA/- Kuvajti njoftoi sot në mëngjes se është përballur me sulme me raketa dhe dronë, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore të vendit janë aktivizuar për t’iu kundërpërgjigjur kërcënimeve.

“Nëse dëgjohen shpërthime, ato janë rezultat i ndërhyrjes së sistemeve të mbrojtjes ajrore ndaj objektivave armiqësorë”, deklaroi Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Kuvajtit në një njoftim të publikuar në rrjetin social X.

Autoritetet u bënë thirrje qytetarëve, të respektojnë udhëzimet e sigurisë të lëshuara nga institucionet përgjegjëse.

Ushtria nuk dha detaje mbi origjinën e raketave dhe dronëve, as mbi objektivat e mundshëm të sulmit.

Që nga fillimi i sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iran në fund të shkurtit, forcat e armatosura iraniane, kanë lëshuar në mënyrë të përsëritur raketa dhe dronë drejt Kuvajtit dhe vendeve të tjera të Gjirit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një numër të konsiderueshëm bazash ushtarake në rajon, disa prej të cilave ndodhen vetëm disa qindra kilometra larg Iranit.

Megjithëse është arritur një armëpushim, disa shtete të Gjirit kanë raportuar kohët e fundit incidente të izoluara me raketa dhe dronë. //a.i/.

The post FOKUS – Kuvajti raporton sulme me raketa dhe dronë, aktivizohen sistemet e mbrojtjes ajrore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌