BEJRUT – Presidenti Aoun: Libani nuk ka në plan të normalizojë marrëdhëniet me Izraelin
BEJRUT, 11 korrik /ATSH/ – Libani nuk ka në plan të normalizojë marrëdhëniet me Izraelin për momentin, dhe synimi kryesor i Bejrutit është të arrijë një “gjendje pa lufte” me fqinjën e tij jugor, tha sot presidenti i vendit, sipas AP.
Komentet e presidentit Joseph Aoun erdhën ndërkohë që administrata Trump po përpiqet të zgjerojë marrëveshjet Abraham të nënshkruara në vitin 2020, ku Izraeli arriti marrëveshje historike me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin.
Në maj, presidenti sirian Ahmad al-Sharaa tha gjatë një vizite në Francë se vendi i tij po zhvillon bisedime indirekte me Izraelin për të parandaluar që aktivitetet ushtarake përgjatë kufirit të tyre të dalin jashtë kontrollit. Bisedimet për paqe midis Izraelit dhe Sirisë janë shtuar pas rrëzimit nga pushteti të presidentit Bashar Assad në dhjetor.
Aoun shtoi në komentet e shpërndara nga zyra e tij se vetëm shteti libanez do të ketë armë në të ardhmen, dhe vendimin nëse Libani do të hyjë në luftë apo jo do ta marrë qeveria libaneze.
“Paqja është gjendja e mungesës së luftës dhe kjo është ajo që ka rëndësi për ne në Liban për momentin,” citohet të ketë thënë Aoun për vizitorët të premten. Ai shtoi gjithashtu se “çështja e normalizimit (me Izraelin) nuk përfshihet në politikën e jashtme aktuale të Libanit”. /Ad.Ab./
The post BEJRUT – Presidenti Aoun: Libani nuk ka në plan të normalizojë marrëdhëniet me Izraelin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.