Seanca e shqyrtimit fillestar ndaj 21 të akuzuarve për Masakrën e Reçakut është ndërprerë përkohësisht në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për shkak të disa problemeve teknike.
Sipas njoftimit të Departamentit Special të Gjykatës, bëhet fjalë për çështjen penale, ndaj Zllatomir Peshiq, Mlladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavleviq, Bogolub Janiçqviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiçeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Kërsman Jellliq, Lubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Milosh Gjoshan, Lubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq, Milovan Kovaçeviq, për shkak të veprës penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile”, thuhet në njoftimin në Facebook.
Seanca po mbahej në mungesë të të pandehurve, të cilët akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë.
Gjykata ende nuk ka njoftuar se kur do të vazhdojë seanca.
Një konflikt i vjetër pronësor për një parcelë toke në Kosovë ka përfunduar me një përleshje të dhunshme në Schlieren, afër Zürichut, ku një 59-vjeçar kosovar dhe një 25-vjeçar mbetën të lënduar rëndë.
Sipas gazetës zvicerane “Limmattaler Zeitung”, 59-vjeçari, i cili jeton në rajonin Aarau-Lenzburg dhe merr pension invaliditeti, kishte vendosur ta zgjidhte mosmarrëveshjen duke u përballur drejtpërdrejt me familjen tjetër.
Pasi kishte gjetur adresën e tyre përmes një restoranti lokal, ai kishte shkuar në shtëpinë e familjes dhe fillimisht kishte kërcënuar me jetë një grua. Kjo e fundit kishte thirrur në ndihmë dy djemtë e saj.
Kur njëri prej tyre doli për të sqaruar situatën, 59-vjeçari dyshohet se e zgjidhi qenin nga litari dhe tentoi ta godiste. I riu u mbrojt duke e goditur me grusht në fytyrë, çka e përshkallëzoi edhe më tej konfliktin.
Më pas, burri mori nga bagazhi i veturës një çekan dhe një shufër hekuri. Ai dyshohet se e hodhi çekanin disa herë në drejtim të njërit prej të rinjve, ndërsa tjetrin e goditi me shufër në gjunjë dhe në krahë.
Përleshja vazhdoi me goditje të ndërsjella deri në mbërritjen e policisë zvicerane.
Edhe gjatë arrestimit, 59-vjeçari refuzoi të qetësohej dhe u tregua agresiv ndaj zyrtarëve policorë. Pasi arriti t’u shkëputej nga duart, policia përdori pistoletën me elektroshok për ta neutralizuar.
Si pasojë e përleshjes, 59-vjeçari dhe 25-vjeçari u dërguan në spital me lëndime të rënda.
Prokuroria e Zürichut e ka dënuar 59-vjeçarin me një gjobë me kusht prej 180 ditësh dhe me pagesën e 1 mijë frangave shpenzime gjyqësore, për kërcënim, pjesëmarrje në përleshje dhe rezistencë ndaj policisë.
Edhe 25-vjeçari është dënuar me gjobë me kusht për përfshirje të vetëdijshme në rrahje, ndërsa ndaj vëllait të tij më të ri po zhvillohet një procedurë e veçantë në gjykatën për të mitur.
Ndër vite të njëjtit kanë problemin e njëjtë, të mungesës së unfiromave.
Madje mbi këtë problem pati edhe raportime disa herë radhazi, ku zyrtarët policorë kanë çizme të vjetruara, këmisha krejtësisht të vjetruara e uniforma të pandërruara ndër vite, raporton EO
Prej më shumë se dy vjetësh problem vazhdon të jetë edhe çështja e tenderimit. Policët vazhdojnë të përballen me mungesë të uniformave standarde si dhe solemne, pasi tenderi milionësh për furnizimin e tyre është zvarritur mes ankesave, pezullimeve dhe rivlerësimeve të njëpasnjëshme.
Këto uniforma të cilat janë dhënë shumë kohë më parë për zyrtarët policorë, tashmë janë dëmtuar pasi janë pjesë e përditshme e tyre gjatë orarit të punës, por që shteti nuk po iu siguron ato.
E tani mësohet se Policia e Kosovës ka anuluar sërish aktivitetin e prokurimit për furnizim me uniforma standarde dhe solemne që është hapur nga viti 2023 dhe ende nuk është bërë një zgjidhje.
Përmes publikimit në ueb-faqen e E-prokurimit, tenderi me vlerë të paraparë prej 11 milionë e 351 mijë e 852 euro, është anuluar për pjesën 1 dhe 2 me arsyetimin se mungojnë oferta të përgjegjshme.
“Policia e Kosovës anulon aktivitetin e prokurimit për Pjesën 1 dhe Pjesën 2 në mungesë të një oferte të përgjegjshme”, thuhet në dokument.
Policia e Kosovës më 27 shtator të vitit 2023 kishte publikuar njoftimin për kontratë për dy lote të furnizimit me uniforma standarde por edhe solemne për këtë institucion.
Në dokumentin e publikuar në e-Prokurim, Policia e Kosovës ka vendosur edhe specifikat për këtë tender duke treguar në detaje se si duhet të duken uniformat policore.
Vetëm pak ditë pas hapjes së tenderit nisën edhe kërkesat dhe ankesat e para në Policinë e Kosovës për specifikat, me ç’rast kompanitë që ia mësynë këtij tenderi milionësh kërkuan sqarime nga PK-ja.
Më 17 tetor 2023, Policia e Kosovës u përgjigj në disa prej çështjeve që kishin ngritur kompanitë e interesuara, ndërsa më 06.11.2023, i njëjti institucion mori vendim që të aprovoj disa kërkesa të kompanive të interesuara.
I njëjti institucion aprovoi kërkesat për korrigjim të dosjes së tenderit si dhe vazhdim të afatit për ofertim.
Më 07.11.2023, Policia e Kosovës mori vendim që t’ia refuzoj kërkesën një biznesi individual, ndërsa vetëm pak ditë më vonë, më saktësisht më 21.11.2023, vendosi që të pezullojë aktivitetin e prokurimit për furnizim me uniforma pas kërkesave për rishqyrtim.
Dy ditë më vonë, më 23.11.2023, Policia e Kosovës mori vendim që të refuzojë si të palejueshme kërkesën për rishqyrtim të cilën e kishte paraqitur grupi i kompanive “Malbertex ShPK, Premium beton ShPK, Demos ShPK, Mburoya ShPK dhe Levelmax ShPK”. Ky grup i kompanive i kishte parashtruar dy kërkesa e që Policia e Kosovës i kishte konsideruar të jashtë-afatshme.
Sërish një vendim tjetër i Policisë së Kosovës për pezullim të këtij aktiviteti për blerjen e uniformave policore u regjistrua më 27.12.2023.
Kjo për faktin se dy kompani ushtruan ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Më 26.12.2023, PK-ja pranoi 12 oferta nga kompani të ndryshme në lidhje me tenderin për uniforma policore standarde dhe solemne.
Nga 12 ofertat, disa ishin për uniforma standarde e disa të tjera për uniforma solemne, meqenëse tenderi ishte me dy lote.
Grupi i kompanive “Eco Clean corporation ShPK, Beijing Yiduchuan clothing group company” ofertuan për furnizim me uniformë standarde çmimin prej 8 milionë e 151 mijë eurove.
E i njëjti grup për uniforma solemne dhe të nderit ofertoi çmimin prej 91 mijë e 85 euro.
Kompania “Phantom solution ShPK” ofertoi çmimin e tij për uniforma standarde në vlerë prej 12 milionë e 229 mijë eurove.
Një grup tjetër kompanish, “Sabit Mjekiqi B.I, Genc Taahhut Giyim tekstil insaat san vetic ldt sti vkn” ofertuan çmimin për uniforma standarde në vlerë të 9 milionë e 280 mijë eurove.
Grupi i kompanive “Empreus ShPK, Seyntex dhe Boulevard ShPK” ofertuan për uniforma standarde çmimin prej 10 milionë e 640 mijë euro, ndërsa për uniforma solemne 99 mijë e 664 euro.
Një tjetër grup i kompanive që ofruan çmimin e tyre për tenderin e uniformave ishin edhe “Poligoni i shenjëtarisë ‘Katana’, Senel Konfeksiiyon Tekstil Taahhut san vedis tic ltd sti, Infoglobal BV”. Ky grup i operatorëve ofertuan 8 milionë e 986 mijë e 627 euro për uniforma standarde.
Grupi tjetër- i teti me radhë- ishte ai i përbërë nga “N.Sh.T. Neramed, Matei Conf Grup S.R.L, Divers Consulting Grup SRL”, me 9 milionë e 944 mijë euro për uniforma standarde.
10 milionë e 389 mijë e 840 euro ofertoi grupi “DE Kosova Tekstil L.L.C, D&E shpk dhe Kimay srl” për uniforma standarde.
E njëjta përbërje e kompanive ofertoi edhe për uniforma solemne, vlera e së cilës ishte 99 mijë e 446 euro.
Grupi “Mbyroya, Taktik tekstil sanayi L.S” për uniforma standarde ofertoi 9 milionë e 203 mijë euro ndërsa për ato solemne 154 mijë e 195 euro.
Nga hapja e ofertave e deri te vendimi i radhës kaluan gati tre muaj.
Më 22.03.2024, Policia e Kosovës kishte njoftuar se për arsye objektive projekti për furnizim me uniforma nuk ishte finalizuar andaj edhe kishte kërkuar që të zgjatej validiteti i ofertave për një periudhë 90 ditore.
Më 8 prill 2024, ky institucion vendos që të refuzoj kërkesën për rishqyrtim të parashtruar nga Operatori ekonomik “Sabit Makiqi B.I”, kërkesë kjo e parashtruar më 29.03.2024.
Ky operator ekonomik ishte ankuar se Policia e Kosovës ka shkelur disa nene të Ligjit për Prokurimin Publik, ndërsa institucioni ishte përgjigjur se nuk është arritur që të dëshmohet shkelja e tyre.
Më 8 prill 2024 edhe një vendim i Policisë së Kosovës ishte marrë për kompaninë “DE Kosova Tekstil L.L.C”, që e kishte parashtruar ankesën më 02.04.2024.
Në vendimin e Policisë ishin përmendur disa çështje për kompaninë që ishte ankuar e që disa prej tyre janë, që nuk ka a-test të akredituar për disa parametra të kërkuara për uniformat.
“Kemi kontaktuar laboratorin me datë 29.01.2024 ku kemi pyetur lidhur me a-testet e kryera në tre laboratorë. Kanë pranuar që kanë kryer të gjitha a-testet duke përfshirë edhe dy a-teste të cilave ju mungon llogo e akreditimit. AK (Policia e Kosovës) e ka kontaktuar trupin akreditues më 31 janar 2024 dhe kanë kthyer përgjigje me datë 1 shkurt 2024 ku përgjigjet që për këto dy ateste nuk janë lëshuar ndër Accerdia certifikata”- kishte njoftuar Policia atëherë.
A-testet për uniforma janë testime teknike dhe laboratorike që bëhen për të vërtetuar cilësinë, sigurinë dhe përputhshmërinë e materialeve të përdorura me specifikimet e kërkuara në një tender apo standard zyrtar.
Tutje në po të njëjtin vendim thuhet se është kontaktuar ‘Laboratori Best SRL’ në Itali dhe të njëjtit nuk kishin pranuar se posedonin akreditim për të bërë A-testin për një specifikë të uniformave.
E për këtë çështje Policia e Kosovës ka njoftuar kompaninë se eliminohet për pjesën e parë dhe të dytën dhe se nuk i janë hapur mostrat.
Policia e Kosovës më 26.03.2024 kishte rekomanduar një grup të operatorëve për furnizimin me uniforma, atë “Empreus SHPK, Seyntex, Boulevard Shpk”.
Më 02.04.2024, kompania “DE Kosova Tekstil” L.L.C” kishte parashtruar kërkesë për shqyrtim të cilin Policia e Kosovës e kishte refuzuar.
E me 16 prill 2024, e njëjta kompani ishte ankuar edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Kompania “DE Kosova Tekstil L.L.C” ishte ankuar se kishte kërkuar rishqyrtim të rekomandimit për dhënie të tenderit por që një gjë të tillë e kishte refuzuar Policia e Kosovës.
“Autoriteti Kontraktues më shumë ka tentuar të na bindë ne se jemi të papërgjegjshëm duke pretenduar se kemi mungesa të dokumentacionit të cilat po të shihen në dokumente të ofertës të gjitha janë të dorëzuara”- thuhet në ankesën e kompanisë.
Kompania ishte ankuar edhe për kompaninë që ishte rekomanduar për kontratë duke pretenduar se do të duhej të shpallej e papërgjegjshme duke nisur nga oferta e saj që ishte më e shtrenjtë, por edhe për dokumentacionin që kishte dorëzuar, raporton lajmi.net.
Më 15.05.2024, ekspertja shqyrtuese në OSHP, Agnesë Ibrahimi dhe eksperti teknik Zeni Ballazhi, rekomandojnë që të aprovohet pjesërisht ankesa e kompanisë “DE Kosova Tekstil L.L.C”, të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës dhe rekomandon që ky aktivitet i prokurimit duhet të anulohet.
Me 19.08.2024, Policia e Kosovës merr vendim në bazë të rekomandimit të OSHP-së që të anulohet dhënia e tenderit për kompaninë “EmpreusSh.P.K, Seyntex dhe Boulevard Sh.P.L”.
Vetëm tri ditë më vonë, më 22.08.2024, Policia e Kosovës njofton kompanitë pjesëmarrëse në furnizimin me uniforma policore që aktiviteti rikthehet në ri-vlerësim në bazë të vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Më 03.12.2024 dhe më 11.03.2025, Policia e Kosovës njofton me kërkesë për zgjatje të validitetit të ofertës dhe sigurimit të tenderit.
Me 19.03.2025, institucioni i sigurisë sërish njofton për pezullim të aktivitetit për shkak të kërkesës për rishqyrtim nga operatori ekonomik “DE Kosova Tekstil L.L.C, D&E Shpk dhe Kimay SRL” si dhe kompanisë “Empreus”.
Të dy këto operatorë ekonomikë si palë të pakënaqura kanë parashtruar kërkesë për rishqyrtim te Policia e Kosovës kundër njoftimit mbi vendimin e anulimit për aktivitetin e prokurimit për uniformat policore më saktësisht vendimin për ri-vlerësim.
Policia e Kosovës kishte marrë vendim që të refuzoj kërkesën për rishqyrtim të grupit të operatorëve ekonomik “DE Kosova Tekstil, D&E ShPK dhe Kimay SRL” duke pretenduar se OE nuk ka ofruar të dhëna të sakta pse janë shkelur nenet e përmendura në ankesë. I njëjti është thënë se duhet të ketë a-testet nga një laborator i certifikuar si dhe a-testet e dorëzuara nga laboratorët nuk kanë qenë të akredituar me të gjitha fushëveprimet që kërkon Policia e Kosovës.
Problemet e vazhdueshme të këtij tenderi, vazhdojnë t’i lënë zyrtarët policorë pa uniforma të reja teksa janë vazhdimisht në krye të sigurisë publike.
Presidenti Donald Trump thotë se sulmet e fundit nga SHBA-të e goditën Iranin “shumë rëndë”, duke shtuar se sulmet ishin “në nder” të tre ushtarëve amerikanë të vrarë ditët e fundit, dy në Jordani dhe një në Irak.
Në orët e para të së hënës sipas kohës lokale, Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) tha se kishte nisur një “valë të re” sulmesh për natën e nëntë radhazi, ndërsa shpërthime u dëgjuan në të gjithë Iranin.
SHBA-të thanë se kishin synuar vendet ushtarake dhe rrjetet e komunikimit për të “zvogëluar më tej” sulmet e Teheranit ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit, shkruan A2CNN.
Irani tha se ishte përgjigjur me një “sulm të papritur” në Siri dhe kishte në shënjestër avionë amerikanë në aeroportin e Akabës në Jordani.
Diku tjetër në rajon, forcat e armatosura të Kuvajtit thanë se kishin kapur dronë iranianë. Në sulmet e SHBA-së, agjencia gjysmë-zyrtare e lajmeve iraniane Tasnim raportoi se disa qytete ishin goditur duke përfshirë Tabrizin, Çabaharin, Konarak, Bandar Mahshahr dhe Bandar Imam Khomeini.
Gjithashtu, mediat shtetërore iraniane raportuan se dy anije cisternë nafte kishin shpërthyer ndërsa anijet përpiqeshin të kalonin ngushticën. Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) tha se tankerët po kalonin nëpër atë që e quajti një “rrugë jugore të pasigurt dhe të rrezikshme” të ngushticës dhe “shpërthyen dhe u ndalën”.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se situata në pikën kufitare Bajakovo, ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, është stabilizuar dhe qarkullimi tashmë po zhvillohet pa vonesa të gjata.
Sipas MPJD-së, pritjet dhe kolonat e krijuara gjatë ditës ishin pasojë e zbatimit të Sistemit EES, i cili ka sjellë procedura shtesë gjatë kontrolleve kufitare.
Gjatë ditës, Ambasada e Kosovës në Kroaci ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet kufitare për të përcjellë situatën dhe për t’u ofruar ndihmë qytetarëve të Kosovës.
Ambasadori Martin Berishaj, së bashku me stafin e Ambasadës, ka vizituar pikën kufitare Bajakovo, ku është takuar me bashkatdhetarët që po prisnin për të kaluar kufirin.
MPJD-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë të ofrojë mbështetje dhe informata për qytetarët e Kosovës, veçanërisht gjatë sezonit veror, kur fluksi në pikat kufitare është më i lartë.
Dy tërmete janë regjistruar të hënën në provincën perëndimore të Kermanshahut në Iran, me një interval prej vetëm pesë minutash.
Sipas autoriteteve iraniane, tërmeti i parë kishte magnitudë 5.2 dhe goditi zonën pranë Kuzaranit në orën 07:13 sipas kohës lokale. Epiqendra e tij ishte në një thellësi prej rreth tetë kilometrash.
Vetëm pesë minuta më vonë, rajoni u godit nga një tjetër tërmet, këtë herë me magnitudë 5.7 dhe me thellësi rreth 13 kilometra.
Një zëdhënës i autoritetit iranian për menaxhimin e fatkeqësive konfirmoi për agjencinë Mehr se ekipet emergjente janë angazhuar në zonat e prekura.
Si pasojë e dridhjeve, tre persona kanë mbetur të lënduar. Megjithatë, sipas raportimeve paraprake, lëndimet nuk janë shkaktuar drejtpërdrejt nga shembja e objekteve apo nga vetë tërmetet.
Deri më tani nuk janë raportuar viktima apo dëme të mëdha materiale.
Një mosmarrëveshje për përdorimin e një veture ka degjeneruar në përleshje fizike mes dy vëllezërve në Gjakovë, duke bërë që të dy të përfundojnë në ndalim policor, raporton Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se të dyshuarit janë E.I. 26 vjeçar dhe E.I. 22 vjeçar.
Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja ka ndodhur më 19 korrik, rreth orës 15:30, në rrugën “Likova” në Gjakovë.
Dy vëllezërit dyshohet se fillimisht janë përfshirë në një debat lidhur me përdorimin e një veture, por situata ka eskaluar në përleshje fizike.
Babai i tyre, H.I. (1973), ka tentuar t’i ndajë, por nuk ka arritur ta ndalë konfliktin, ndaj ka kërkuar ndërhyrjen e Policisë.
Si pasojë e përleshjes, të dy kanë pësuar lëndime të lehta trupore, kryesisht gërvishtje dhe kanë marrë trajtim mjekësor.
Pas ndërhyrjes së Policisë dhe konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ndaj tyre është iniciuar procedurë për veprën penale “Dhunë në familje”, ndërsa pas intervistimit të dy janë dërguar në ndalim policor për 48 orë.
Një ngjarje e rëndë është raportuar mesditën e së dielës në pishinën “Lili” në Milloshevë të Obiliqit, ku një 30-vjeçar dyshohet se ka sulmuar seksualisht një të mitur brenda zhveshtores së femrave, raporton Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Egzon Muni 30 vjeçar, ndërsa viktimë një e mitur e lindur në vitin 2008.
Sipas burimeve të Sinjalit, rasti është raportuar më 19 korrik, rreth orës 12:30, pasi e mitura ka njoftuar Policinë për incidentin që dyshohet se kishte ndodhur pak më herët në korridorin e zhveshtores së femrave.
Bazuar në deklarimin e saj, i dyshuari dyshohet se e ka kapur për të dyja këmbët, ndërsa ajo ka filluar të bërtasë për ndihmë. Në ato momente, sipas burimeve, në korridor ka kaluar një dëshmitar i mitur, çka ka bërë që i dyshuari ta lëshojë menjëherë viktimën.
Deklarimi i të miturës është mbështetur edhe nga dëshmia e personit që kishte kaluar në atë moment pranë vendit të ngjarjes.
Palët janë shoqëruar në Stacionin Policor, ku Egzon Muni, në prani të avokatit, ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.
Me vendim të Prokurorit kujdestar, ndaj tij është iniciuar procedurë për veprën penale “Sulm seksual”, ndërsa i dyshuari është dërguar në Qendrën e Mbajtjes për 48 orë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Një konflikt i mëhershëm mes tre të miturve ka përfunduar me rrahje në një pompë derivatesh në Lipjan, ndërsa dy nga të dyshuarit janë ndaluar me urdhër të Prokurorit për të Mitur, raporton Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se të dyshuar janë B.K. 17 vjeçar dhe E.Rr. 16 vjeçar, ndërsa viktimë E.S. 17 vjeçar.
Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja ka ndodhur më 19 korrik, rreth orës 14:00, në pompën e derivateve “Alfa Trade” në fshatin Qallapek të Lipjanit.
Dy të miturit kishin shkuar në pompën e derivateve, ku kishin takuar viktimën, e cila ndodhej në vendin e punës. Dyshohet se për shkak të një mosmarrëveshjeje të mëhershme, fillimisht njëri nga të dyshuarit i është afruar viktimës për të biseduar, ndërsa pak çaste më vonë, të dy kanë filluar ta godasin me grushte, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Pas raportimit të rastit, Policia ka ndërmarrë veprimet hetimore dhe, në konsultim me Prokurorin kujdestar për të Mitur, të dyshuarit janë intervistuar në prani të prindërve dhe avokatëve të caktuar sipas detyrës zyrtare.
Me vendim të Prokurorit, dy të miturve u është caktuar masa e ndalimit për 24 orë, ndërsa rasti është iniciuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”. Hetimet janë në vazhdim.
Forca e Sigurisë së Kosovës ka gjetur trupin e pajetë të një shtetasi të Arabisë Saudite, i cili ishte raportuar i zhdukur gjatë kohës sa po notonte në Liqenin e Batllavës.
Siç raportoi ekskluzivisht Sinjali, personi është identifikuar si Abdullah Aljohani, rreth 55 vjeç.
Sipas burimeve të Sinjalit, rasti ishte raportuar më 19 korrik, rreth orës 18:30, nga djali i tij 17-vjeçar, i cili kishte deklaruar në Polici se babain e kishte parë për herë të fundit rreth orës 17:30, derisa po notonte në liqen.
Pasi familjarët nuk kishin arritur ta lokalizonin, ishte kërkuar ndihma e autoriteteve, ndërsa në zonë ishte nisur një operacion i gjerë kërkimi.
Pas marrjes së informacionit nga Qendra e Situatave e Republikës së Kosovës, FSK-ja angazhoi menjëherë Ekipin e Kërkim-Shpëtimit.
Pas intervenimit në orët e vona, pjesëtarët e FSK-së arritën ta gjenin trupin e pajetë të Aljohanit.
Trupi u është dorëzuar autoriteteve kompetente për procedurat dhe ekzaminimet e mëtejshme.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të mbahet sot seanca e shqyrtimit fillestar në rastin penal ndaj 21 personave të akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile.
Sipas njoftimit të Departamentit Special të Gjykatës, të pandehur në këtë rast janë Zllatomir Peshiq, Mlladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavleviq, Bogolub Janiçqviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiqeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Kërsman Jellliq, Lubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Milosh Gjoshan, Lubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq dhe Milovan Kovaçeviq.
Ata akuzohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Gjykata ka bërë të ditur se, sipas propozimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, procesi gjyqësor pritet të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, pasi ata kanë qenë të paarritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.
Përmes njoftimit publik, Gjykata u ka bërë thirrje të akuzuarve që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës.
Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, JD Vance, dhe bashkëshortja e tij, Usha Vance, janë bërë prindër për herë të katërt.
Vance njoftoi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale se djali i tyre, Alec Neel Vance, erdhi në jetë të dielën, më 19 korrik, në Qendrën Kombëtare Mjekësore Ushtarake Walter Reed në Maryland.
“Usha dhe foshnja janë mirë dhe gëzojnë shëndet të plotë, ndërsa fëmijët tanë janë jashtëzakonisht të lumtur që kanë takuar vëllain e tyre të vogël”, shkroi zëvendëspresidenti amerikan.
Ai falënderoi mjekët dhe personelin shëndetësor të Walter Reed, si dhe ekipin mjekësor të Shtëpisë së Bardhë, për kujdesin e ofruar ndaj bashkëshortes dhe djalit të porsalindur.
Sipas Associated Press, kjo është hera e parë në më shumë se 150 vjet që një zëvendëspresident amerikan në detyrë bëhet prind gjatë ushtrimit të mandatit. Rasti i fundit ishte regjistruar në vitin 1870.
JD dhe Usha Vance kanë edhe tre fëmijë të tjerë: Ewanin, 9 vjeç, Vivekun, 6 vjeç, dhe Mirabelën, 4 vjeçe.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka paralajmëruar se Izraeli do të reagojë fuqishëm në rast të një sulmi nga Irani, pas rrëzimit të disa raketave iraniane mbi territorin e Jordanisë.
“Nëse Irani lëshon raketa drejt Izraelit, ne do ta sulmojmë me gjithë fuqinë tonë”, deklaroi Katz gjatë një vizite në një qendër shpëtimi.
Ai theksoi se Izraeli është i përgatitur të ndërmarrë masa mbrojtëse dhe sulmuese ndaj Teheranit, nëse territori izraelit vihet në shënjestër.
Deklarata e Katz erdhi pasi Forcat e Armatosura të Jordanisë njoftuan se kishin rrëzuar tri raketa iraniane, të cilat dyshohej se synonin territorin jordanez, përfshirë zonën pranë portit të Akabës.
Një raketë tjetër kishte rënë në një zonë shkretinore, pa shkaktuar viktima apo dëme materiale.
Agjencia zyrtare jordaneze e lajmeve, duke cituar një zyrtar ushtarak, raportoi se situata ishte vënë nën kontroll dhe se nga incidenti nuk kishte persona të lënduar.
Pas triumfit ndaj Argjentinës në finalen e Kupës së Botës 2026, Spanja dominoi edhe në ndarjen e çmimeve individuale, duke fituar tri nga katër vlerësimet kryesore të turneut.
Rodri u shpall futbollisti më i mirë i Botërorit, pas paraqitjeve të shkëlqyera gjatë gjithë garës. Mesfushori ishte një nga lojtarët kryesorë të kombëtares spanjolle, duke dhënë kontribut të madh në rrugëtimin drejt titullit kampion.
Çmimi për lojtarin më të mirë të ri i takoi mbrojtësit spanjoll Pau Cubarsí. Talenti i ri u dallua për sigurinë në mbrojtje dhe pjekurinë e treguar në fushë, pavarësisht moshës së tij.
Edhe Unai Simón u nderua për kontributin e tij, duke u shpallur portieri më i mirë i turneut. Ndërhyrjet vendimtare të gardianit spanjoll luajtën rol të rëndësishëm në suksesin e kombëtares së tij.
Ndërkohë, Këpuca e Artë për golashënuesin më të mirë shkoi te sulmuesi francez Kylian Mbappé, i cili e përfundoi Botërorin me dhjetë gola të realizuar.
Kështu, përveç trofeut të Kupës së Botës, Spanja siguroi edhe tri nga katër çmimet kryesore individuale, duke konfirmuar dominimin e saj në turneun e vitit 2026.
Pritjet më të gjata për hyrje në Kosovë po regjistrohen në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, ku qytetarët po presin deri në 40 minuta.
Sipas të dhënave të përditësuara në orën 15:41, kolona në hyrje te “Dheu i Bardhë” arrin nga 60 deri në 70 metra, ndërsa në dalje pritjet janë nga tre deri në pesë minuta.
Në Muçibabë pritjet për hyrje arrijnë deri në 20 minuta, ndërsa kolona është rreth 300 metra. Në Han të Elezit pritjet janë po ashtu deri në 20 minuta, me kolonë rreth 100 metra.
Në Jarinjë pritjet për hyrje janë nga 15 deri në 20 minuta, ndërsa në Kullë, Merdarë dhe Vërmicë nga 10 deri në 15 minuta.
Në pikat e tjera kufitare pritjet janë kryesisht nga një deri në 10 minuta. Për kamionët, pritjet në hyrje dhe dalje janë nga tre deri në pesë minuta, pa kolona të raportuara.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka konfirmuar gatishmërinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për dislokimin e kontingjentit të radhës në Gazë.
Ai ka theksuar për Ekonomia Online se ushtarakët janë të përgatitur për t’iu përgjigjur menjëherë çdo kërkese nga komanda e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF).
“Pra, jemi në kohë, i kemi përgatitur, i kemi marrë masat përgatitore për të gjithë kontingjentin, pra nëse na kërkohet sot që të dërgojmë, ne nesër e kemi të mundshme që të dërgojmë pjesën tjetër të kontingjentit në Gaza. Janë marrë masat përgatitore, trajnimi, mbështetja financiare edhe të gjitha elementet e nevojshme bazuar në planet tona për të dërguar edhe pjesën tjetër të kontingjentit”, ka deklaruar Maqedonci.
Ndryshe, procesi nisi me dërgimin e një ekipi vlerësues në Gazë. Para një muaji, dy pjesëtarë arritën në shtabin kryesor në Kerem Shalom si oficerë ndërlidhës, ndërsa gjatë ditëve të fundit, misioni është përforcuar me katër ushtarë shtesë të FSK-së.
E pavarësisht gatishmërisë, situata aktuale në Lindjen e Mesme ka pamundësuar nisjen e misionit të ISF-së. Lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, krahas vështirësive në negociatat midis Bordit të Paqes, Izraelit dhe Hamasit, kanë ndikuar drejtpërdrejt në ecurinë e misionit, që do të ketë për detyrë të ndihmojë në ruajtjen e rendit në Gazë.
Grimi gjatë verës kërkon produkte me teksturë të lehtë, që qëndrojnë gjatë dhe nuk e rëndojnë lëkurën. Për një pamje sa më të freskët, ekspertët rekomandojnë kremra të tonuar, pudra të lëngshme me SPF dhe bronzues kremozë.
Fokusi duhet të jetë te shkëlqimi natyral i fytyrës. Mollëzat mund të theksohen me highlighter të lëngshëm, ndërsa buzët me shkëlqyes në nuanca korali, rozë ose nude.
Pudrat shumë matuese dhe konturimet e rënda duhet të shmangen, pasi mund t’ia humbin lëkurës freskinë natyrale. Për bazën, rekomandohen tone të bardha për shkëlqim dhe rozë për freski, ndërsa nuancat blu dhe vjollcë mund ta bëjnë lëkurën të duket më e zbehtë.
Pudra dhe korrektori duhet të kenë tone neutrale ose të ftohta, ndërsa produktet shumë rozë, portokalli apo të verdha mund ta bëjnë tenin të duket jo natyral.
Për sytë sugjerohen hije pastel, gri, argjendi, rozë, lila dhe blu e tymosur. Ndërkaq, nuancat neon, bakri dhe jeshilja shumë e errët duhet të përdoren me kujdes.
Vetullat duken më natyrale me tone të ftohta kafe ose bezhë-hiri, ndërsa për buzët përshtaten nuancat rozë, bordo, vjollcë dhe të kuqe vere.
Për një pamje verore rrezatuese, mjafton një skuqës rozë, highlighter argjendtë dhe një grim i lehtë që thekson tiparet natyrale të fytyrës.
Dy protestues iranianë janë ekzekutuar me varje mëngjesin e së dielës, pasi ishin dënuar për vrasjen e dy zyrtarëve policorë gjatë protestave antiqeveritare që përfshinë Iranin në muajt dhjetor dhe janar.
Sipas agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve “Tasnim”, të ekzekutuarit janë Erfan Esfandiari dhe Gol Mohammad Mohammadi.
Autoritetet iraniane i akuzonin ata se kishin lidhur dy policë në një tabelë rrugore në qytetin e Isfahanit, i kishin goditur me gurë, i kishin spërkatur me benzinë dhe më pas u kishin vënë flakën.
Ekzekutimet vijnë në një periudhë kur arrestimet dhe dënimet me vdekje në Iran janë shtuar ndjeshëm, veçanërisht pas konfliktit të armatosur me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara.
Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë kritikuar vazhdimisht përdorimin e dënimit me vdekje nga autoritetet iraniane.
Sipas Amnesty International, Irani renditet ndër vendet me numrin më të lartë të ekzekutimeve në botë. Ndërkaq, organizatat Iran Human Rights dhe ECPM raportojnë se gjatë vitit 2025 në Iran janë ekzekutuar mbi 1 mijë e 639 persona.
Zinedine Zidane pritet të emërohet trajner i ri i Kombëtares së Francës, duke e zëvendësuar Didier Deschampsin pas largimit të tij nga posti.
Sipas gazetës franceze “L’Équipe”, fituesi i Kupës së Botës më 1998 do ta marrë zyrtarisht drejtimin e ekipit më 1 shtator.
Deschamps u largua pas eliminimit të Francës në gjysmëfinale të Kupës së Botës ndaj Spanjës. Francezët më pas u mposhtën 6-4 nga Anglia edhe në ndeshjen për vendin e tretë.
Federata Franceze e Futbollit ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht emërimin, por presidenti i saj, Philippe Diallo, ka paralajmëruar se një njoftim do të publikohet para përfundimit të muajit.
Ndërkohë, “Le Parisien” raporton se Zidane ka nisur tashmë formimin e stafit të tij, ku pritet të përfshihet edhe bashkëpunëtori i tij i hershëm, David Bettoni.
Ndeshja e parë e Zidane në krye të Francës pritet të jetë ndaj Turqisë në Ligën e Kombeve, ndërsa më 2 tetor francezët pritet ta presin Italinë në “Stade de France”.
Deschamps largohet pas 14 vjetësh në drejtimin e Kombëtares, periudhë gjatë së cilës e udhëhoqi Francën drejt titullit të Botërorit 2018, trofeut të Ligës së Kombeve dhe dy finaleve të tjera të mëdha.
Zidane, ndërkaq, ka shënuar suksese të mëdha si trajner i Real Madridit, duke fituar tri herë radhazi Ligën e Kampionëve nga viti 2016 deri më 2018. Turneu i tij i parë i madh me Francën pritet të jetë Kampionati Evropian 2028.