Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Zbatimi i aktgjykimit të Kushtetueses shkakton përplasje mes Qorrollit e Grudës

12 August 2025 at 22:20

Pas disa muajsh bllokadë në Kuvendin e Kosovës, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për votimin e fshehtë ka ndezur një debat të ashpër politik.

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, në emisionin “RTK Prime” theksoi se Gjykata ka vendosur qartë se votimi i fshehtë nuk lejohet.

“Gjykata Kushtetuese ka vendosur qartë se nuk lejohet votimi i fshehtë. Unë mendoj se arsyeja pse Gjykata po sulmohet nga pushteti është se ‘pse nuk po na lejoni ende me blloku Kuvendin e Kosovës’”, tha Gruda.

Ai shtoi se aktgjykimi u ka hequr pushtetarëve një “mjet të rëndësishëm, mjetin e bllokadës”.

“Ka vetëm një lexim profesional që duhet t’i bëhet aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Ne e kemi pjesën urdhëruese dhe ajo nuk do të ndryshojë në asnjë pikë”, u shpreh deputeti i PDK-së.

Nga ana tjetër, zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Vigan Qorolli, u shpreh kritik ndaj vendimit të Kushtetueses.

“Të gjithë deputetët e Kosovës kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin. Në këtë rast, halli im është implementimi i këtij aktgjykimi. Në rast se një aktgjykim do të ketë nevojë për t’u implementuar edhe institucioni i cili e merr për bazë sot ë duhet ta dijë hapin operacional se si do ta implementojë”, tha Qorolli.

Ai theksoi se aktgjykimi ka kontradikta në afatet e implementimit.

“Gjykata Kushtetuese nuk është institucion mbipushtetor, por një organ i pavarur që duhet të tregojë çka nuk duhet të bëjnë institucionet”, u shpreh Qorrolli./Telegrafi/

The post Zbatimi i aktgjykimit të Kushtetueses shkakton përplasje mes Qorrollit e Grudës appeared first on Telegrafi.

Dështoi edhe përpjekja e fundit për konstituimin e Kuvendit – çfarë u tha pas përmbylljes së seancës

26 July 2025 at 23:52

Deputetët e Kuvendit të Kosovës për të 54-në herë dështuan të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, ndërkaq nga e diela, më 27 korrik ndalohet çdo vendim i deputetëve, pasi hyn në fuqi masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

Kjo ishte edhe tentativa e fundit para se të përfundojë afati 30 ditor, që është vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur masë të përkohshme ndaj veprimeve dhe vendimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit, duke ndaluar çdo aktivitet parlamentar nga data 27 korrik 2025 deri në një vendim tjetër.

Në njoftimin zyrtar, Gjykata thekson se masa është vendosur ex officio, me arsyetimin se çdo veprim pas kësaj date mund të shkaktojë “dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe”.

Pas dështimit të seancës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, deklaroi se nuk është mbajtur asnjë seancë për votimin e komisionit për votim të fshehtë.

Ai fajësoi partitë tjera për këtë bllokadë, duke theksuar se VV-ja ka propozuar që të arrihet një dakordim mes kryetares dhe nënkryetares së Kuvendit, por sipas tij, kjo është refuzuar nga opozita.

Murati theksoi se po tentohet të ndryshohet rezultati zgjedhor përmes manovrave.

”Me keqardhje, deri në orët e fundit, pavarësisht përpjekjeve, shtysës tonë të krijohen institucionet, s’patëm sukses. E pamë që deputetët e opozitës sërish refuzuan të kryejnë obligimin e tyre kushtetues, që të votojnë. Nuk u është dhënë shansi deputetëve përmes votimit të fshehtë të krijoheshin institucionet e vendit”, u shpreh Murati.

Ndërkaq, lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, pas dështimit të konstituimit të Kuvendit, tha se ata nuk janë bllokues dhe se i vjen keq për atë që ka ndodhur.

Krasniqi tha se nuk bëhen pjesë e shkeljeve të Kushtetutës.

“Nuk bëhemi pjesë e shkeljeve të Kushtetutës. Ne do ta mbrojmë qytetarin, për Kosovën është derdhur gjak”, tha ai në Kuvendin e Kosovës.

Sipas tij, kryeneçësia e Kurtit dhe partisë së tij ishin më e madhe se Kosova dhe demokracia.

Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të respektojë ligjin.

Abdixhiku theksoi se gjuha e përplasjes dhe imponimit duhet të marrë fund. /Telegrafi/

The post Dështoi edhe përpjekja e fundit për konstituimin e Kuvendit – çfarë u tha pas përmbylljes së seancës appeared first on Telegrafi.

Tentativa e 54-të për konstituimin e Kuvendit – a do të kemi kryeparlamentar apo do të vazhdojë ngërçi politik?

26 July 2025 at 21:51

Deputetët e Kuvendit të Kosovës për të 54-në herë do të mblidhen për konstituimin e legjislativit.

Kjo është edhe tentativa e fundit para se të përfundojë afati 30 ditor, që është vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

Nëse edhe në këtë tentativë nuk arrihet të konstituohet Kuvendi, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur masë të përkohshme ndaj veprimeve dhe vendimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit, duke ndaluar çdo aktivitet parlamentar nga data 27 korrik 2025 deri në një vendim të tjetër.

The post Tentativa e 54-të për konstituimin e Kuvendit – a do të kemi kryeparlamentar apo do të vazhdojë ngërçi politik? appeared first on Telegrafi.

Sot tentativa e 52-të për konstituimin e Kuvendit, ambasadorët e shteteve mike pritet të marrin pjesë

25 July 2025 at 07:31

Sot për të 52-në herë do të mblidhen deputetët për konstituimin e Kuvendit, proces ky që nuk është përmbyllur pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit për shkak të mosmarrëveshjeve të partive parlamentare.

Lëvizja Vetëvendosje nuk po heqë dorë nga emri i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, gjersa kryesuesi po ashtu ka vënë si pikë të rendit të ditës formimin e një Komisioni që do të mundësonte votim të fshehtë në Kuvend për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Në anën tjetër, partitë tjera, PDK, LDK e AAK kanë thënë se nuk do ta votojnë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, ndërsa po ashtu çështja e Komisionit zgjedhor nuk po arrihet në mungesë kuorumi.

E në seancë, në përpjekjen e 52-të të deputetëve për konstituimin e Kuvendit të pranishëm pritet të jenë edhe ambasadorët e shteteve mike.

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka njoftuar se duke pasur parasysh se nesër është mundësia e fundit për të konstituar Kuvendin para afatit të Gjykatës Kushtetuese, ambasadori Rohde, së bashku me kolegë të tjerë ndërkombëtarë, planifikon të marrë pjesë në seancën në parlament.

E të enjten, Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj veprimeve dhe vendimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit, duke ndaluar çdo aktivitet parlamentar nga data 26 korrik 2025 deri në një vendim të mëtejmë.

Në njoftimin zyrtar, Gjykata thekson se masa është vendosur ex officio, me arsyetimin se çdo veprim pas kësaj date mund të shkaktojë “dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe”.

“Gjykata vlerëson se ekzistojnë rrethana të interesit publik që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërore pas zgjedhjeve për Kuvend, dhe për këtë arsye ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi nga ana e deputetëve të zgjedhur pas 26 korrikut është në interes publik”, thuhet në vendimin e publikuar.

Sipas Gjykatës, vendimi është marrë me qëllim ruajtjen e rendit kushtetues dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve të Kosovës, derisa të shqyrtohen kërkesat që kanë sjellë deri te kjo masë.

Ky vendim vjen në një periudhë të ndjeshme politike për vendin, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, dhe pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në procesin e konstituimit të institucioneve të reja. /Telegrafi/

The post Sot tentativa e 52-të për konstituimin e Kuvendit, ambasadorët e shteteve mike pritet të marrin pjesë appeared first on Telegrafi.

Sot përpjekja e 51-të për konstituimin e Kuvendit, pak ditë deri te përfundimi i afatit kushtetues   

23 July 2025 at 07:50

Sot do të mblidhen sërish deputetët e Kuvendit të Kosovës për të 51-në herë në tentativë për konstituimin e legjislativit, gjersa kanë mbetur edhe pak ditë deri te përfundimi i afatit kushtetues, ku Gjykata Kushtetuese më 26 qershor i kishte dhënë 30 ditë për përfundimin e seancës konstituive përmes zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë në emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, ndërsa partitë tjerë nuk po e shohin këtë emër si unifikues.

Po ashtu, kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari ka vënë në votim formimin e një Komisioni zgjedhor që do të mundësonte votim të fshehtë për kreun e Kuvendit, proces ky që po ashtu nuk po merr mbështetje nga partitë tjera.

Ngërçi politik vazhdon tash e disa muaj, gjersa qytetarët për zgjedhjet parlamentare iu drejtuan kutive të votimit më 9 shkurt 2025. Që nga atëherë ende nuk ka institucione të reja të formuara nga ato zgjedhje.

Gjykata Kushtetuese më 26 qershor ka publikuar aktgjykimin në rastin KO124/25, lidhur me kërkesën e parashtruar nga deputetja Time Kadrijaj dhe dhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit, që kundërshtonin vendimin për refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë dhe vendime të tjera të ngjashme, të marra gjatë seancave konstituive të Kuvendit të mbajtura në prill dhe maj 2025.

Gjykata ka theksuar se seanca konstituive e Kuvendit e nisur më 15 prill 2025 nuk ka përfunduar, për shkak të moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve, duke mos përmbushur kështu kërkesat kushtetuese të nenit 66 të Kushtetutës.

Po ashtu, Gjykata ka vendosur që deputetët e zgjedhur janë të obliguar që brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi, të përfundojnë seancën konstituive përmes zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Kjo nënkupton se palët politike kanë tashmë një afat të përcaktuar dhe një orientim më të qartë për të zgjidhur bllokadën dhe për të formuar organet drejtuese të Kuvendit në përputhje me rendin kushtetues, që i bie 26 korrik 2025. /Telegrafi/

The post Sot përpjekja e 51-të për konstituimin e Kuvendit, pak ditë deri te përfundimi i afatit kushtetues    appeared first on Telegrafi.

​Gashi: Pozita e kryetarit të Kuvendit për Limajn është problematike

21 July 2025 at 11:50

Pozita e kryetarit të Kuvendit për kryetarin e Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limajn është problematike, pasi ai ndodhet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, deklaroi deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi.

Ai, duke hyrë në objektin e Kuvendit, në tentimin e 50-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë, tha se LDK-ja nuk do të votojë për asnjë kandidat jashtë partisë së tyre për postin e kryekuvendarit.

“Është situatë e komplikuar për zotëri Limaj për postin e kryetarit të Kuvendit. Gjithsesi, akoma nuk është diskutuar në parti për një qëndrim të përgjithshëm. Megjithatë, qëndrimi i përgjithshëm është se nuk votohet asnjë kandidat jashtë LDK-së. Është e komplikuar, pasi nuk dua të merrem me problemet që ai ka – që është në listën e zezë – dhe kjo e bën më problematike për një pozicion kyç si kryetar i Kuvendit. Për pozitat e tjera është normale, pasi ka fituar zgjedhjet dhe ka të drejtë të jetë deputet”, tha Gashi./kp/

The post ​Gashi: Pozita e kryetarit të Kuvendit për Limajn është problematike appeared first on Telegrafi.

Dështon për herë të 50‑të konstituimi i Kuvendit, afati kushtetues në pikëpyetje

21 July 2025 at 11:33

Ka dështuar edhe përpjekja e 50-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke reflektuar ngecjen e thellë të procesit institucional.

Deri tani, të gjitha përpjekjet për formimin e institucioneve të reja kanë dështuar për shkak të mungesës së konsensusit mes partive politike .

Kryesuesi i seancës Avni Dehari bëri të ditur se seanca e radhës do të mbahet të mërkurën në orën 11:00.

Në qendër të bllokadës mbetet mungesa e një marrëveshjeje për krijimin e komisionit që do të organizonte votimin për kryetarin e Kuvendit. PDK, LDK, Lista Serbe, AAK dhe Nisma vazhdojnë të bëjnë rezistencë, ndërsa LVV insiston në kandidaturën e saj (Albulena Haxhiu) dhe votimin e fshehtë.

Sot nga 104 deputetë të pranishëm vetëm 53 deputet votuan pro formimit të këtij komisioni.

Të gjitha këto ngjarje po ndodhin me vetëm pak ditë përpara fundit të afatit 30-ditor kushtetues, të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese me vendimin KO124/25, i cili kërkon konstituimin e Kuvendit deri më 26 korrik 2025 . /Telegrafi/

The post Dështon për herë të 50‑të konstituimi i Kuvendit, afati kushtetues në pikëpyetje appeared first on Telegrafi.

“Pa Kuvend s’ka shtet” – Koci qeth flokët në shenjë proteste për bllokadën politike

21 July 2025 at 11:16

Avokati Arianit Koci ka protestuar sërish sot para Kuvendit të Kosovës, si rezultat i mungesës së konstituimit të tij.

Koci bëri një akt simbolik duke i qethur flokët.

“Po na rrezikohet shtetësia e Kosovës e miq e armiq tanë po binden se ne nuk jemi të aftë me majtë një shtet. Kjo nuk është më politik, po hyn në kategorinë e parapolitikës. Kërkoj që sot menjëherë të formohet Kuvendi”, tha Koci.

Koci u shpreh se kjo protestë nuk është veç për politikanë dhe deputet por edhe për krejt popullin që ka rënë në gjumë

“Pa Kuvend nuk ka demokraci, nuk ka shtet e as zhvillim ekonomik e social”, tha ai. /Telegrafi/

The post “Pa Kuvend s’ka shtet” – Koci qeth flokët në shenjë proteste për bllokadën politike appeared first on Telegrafi.

Afati kushtetues po shkon drejt fundit, sot përpjekja e 50-të për ta zhbllokuar Kuvendin

21 July 2025 at 07:52

Sot, mbahet tentativa e 50-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, në një përpjekje tjetër për të zhbllokuar krizën institucionale që po zgjat prej muajsh.

Deri tani, të gjitha përpjekjet për formimin e institucioneve të reja kanë dështuar për shkak të mungesës së konsensusit mes partive politike.

Në thelb të bllokadës qëndron mungesa e një marrëveshjeje për krijimin e komisionit i cili do të duhej të organizonte votimin për kryetarin e Kuvendit.

Partitë PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK e Nisma vazhdojnë të mos propozojnë anëtarë për këtë komision, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje insiston në kandidaturën e propozuar për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiun dhe mënyrën e votimit të fshehtë.

Të shtunën, u zhvillua një takim mes kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe liderit të Nismës, Fatmir Limaj, por as ky takim nuk solli ndonjë marrëveshje konkrete për tejkalimin e krizës.

LVV dhe NISMA janë “barrikaduar” sa i përket këtij takimi duke mos dhënë asnjë detaj se cfarë ka ndodhur konkretisht.

Takimi u zhvillua në prag të përfundimit të afatit kushtetues, të përcaktuar në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25, i cili obligon që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve, respektivisht deri më 26 korrik 2025.

Kriza aktuale ka nxitur shqetësim te qytetarët dhe bashkësia ndërkombëtare, të cilët vazhdimisht kanë kërkuar nga liderët politikë që të vënë në vend të parë interesin e vendit. /Telegrafi/

The post Afati kushtetues po shkon drejt fundit, sot përpjekja e 50-të për ta zhbllokuar Kuvendin appeared first on Telegrafi.

“Regjia, ndërprite!” – opozita e deritanishme kritikon drejtimin e seancës, Dehari ua ndërpren mikrofonët

13 July 2025 at 11:43

Seanca e 46-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka dështuar sërish.

Në fillim të saj pati përplasje mes kryesuesit të seancës Avni Dehari dhe  përfaqësuesve të partive politike.

Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), gjatë fjalës së tij në foltore u ndërpre nga Dehari pas përpjekjes për të sqaruar një çështje procedural.

“Faleminderit për fjalën, do të propozoj në emër të PDK-së. Por mbahuni 10 sekonda sa të bëj një sqarim, jemi në seancën e 46-të dhe qytetarët presin të japim zgjidhje”, tha Gruda.

Dehari e ndërpreu menjëherë duke kërkuar ndërhyrjen e regjisë: “Propozoni ose të ndërpritet fjala. Regjia, ta ndërpresë. Nëse ke propozim, urdhëro.”

Gruda tentoi të vijojë duke përmendur një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, por fjalimi iu ndërpre.

“E kam aktgjykimin ku thuhet se seancat duhet të drejtohen sipas praktikave të deritashme”, tha ai, por Dehari u përgjigj shkurt: “Nuk ka nevojë…”

Të njëjtën trajtim e përjetoi edhe Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), i cili u përpoq të japë një propozim për rrjedhën e mëtejme të seancës.

“Unë e kam një propozim që ti të kërkosh ose të propozohet emri për kryetar të Kuvendit dhe të vazhdojmë me procedurë të rregullt e të kthehemi në praktikat parlamentare”, tha Zemaj.

Edhe ai u ndërpre menjëherë me kërkesën e Deharit drejtuar regjisë për t’i mbyllur mikrofonin.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj tha se partia e saj ka bërë propozimin për dhe nuk e ndryshon qëndrimin.

“Ne e kemi propozu kandidatin, nuk e ndryshojmë, por kryesues, kthehu në agjendë”, u shpreh Kadrijaj.

Edhe ajo u përball me të njëjtin reagim nga Dehari: “Regjia, të ndërpritet mikrofoni ju lutem.”

Mungesa e dakordimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe mënyrës së votimit ka prodhuar një ngërç institucional që po thellohet dita-ditës.

Në mungesë të një zgjidhjeje, Kuvendi mbetet i pakonstituuar dhe procesi demokratik i paralizuar. /Telegrafi/

The post “Regjia, ndërprite!” – opozita e deritanishme kritikon drejtimin e seancës, Dehari ua ndërpren mikrofonët appeared first on Telegrafi.

As tentimi i 46-të nuk sjell zgjidhje për Kuvendin e Kosovës, vazhdon bllokada

13 July 2025 at 11:31

Edhe tentimi i 46-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka dështuar, duke thelluar më tej ngërçin politik dhe institucional në vend.

Procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës ka stagnuar te pika e zgjedhjes së kryetarit.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por kjo kandidaturë nuk është pranuar nga opozita e deritanishme.

Seanca e sotme, e cila filloi në orën 11:00, nuk arriti të sigurojë kuorumin e nevojshëm për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për të formuar komisionin zgjedhor të votimit të fshehtë.

Nga 82 deputetë të pranishëm vetëm 43 prej tyre votuan pro, abstenim dhe kundër nuk pati pasi që pjesa tjetër nuk morën fare pjesë në votim.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari njoftoi se seanca e radhës do të mbahet të martën më 15 korrik në ora 11:00.

Partitë PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK e Nisma vazhdojnë të mos propozojnë anëtarë për këtë komision.

Madje, çështja ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka dhënë aktgjykimin e saj, por interpretimet e ndryshme nga subjektet politike kanë penguar zbatimin e tij.

Sipas vendimit të Kushtetueses, legjislatura e nëntë ka një muaj afat për konstituim, që përfshin zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, dhe ky afat përfundon me 26 korri

Situata e ngërçit politik vazhdon të pengojë funksionimin normal të institucioneve, ndërsa nuk dihet se kur do të gjendet një zgjidhje për tejkalimin e krizës. /Telegrafi/

The post As tentimi i 46-të nuk sjell zgjidhje për Kuvendin e Kosovës, vazhdon bllokada appeared first on Telegrafi.

​Murati: Nuk e di pse opozita vjen dhe nuk voton

5 July 2025 at 13:39

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se në vazhdimin e seancës konstituive, e cila nis në orën 20:00, ka thënë se presin reflektim dhe konsolidim të Kuvendit.

“Presim me reflektu dhe me u konsoliduar Kuvendi, përndryshe ne nuk kishim ardhur. Unë nuk e di pse opozita vjen dhe nuk voton“, tha ai.

Murati është pyetur nëse ka frikë pas paralajmërimit për bombë në Kuvend, por nuk është përgjigjur duke thënë se çka është kjo pyetje. /kp/

The post ​Murati: Nuk e di pse opozita vjen dhe nuk voton appeared first on Telegrafi.

Për të 42-në herë në tentativë për konstituimin e Kuvendit

5 July 2025 at 08:25

Sot për të 42-në herë do të mbahet seanca në tentativë për konstituimin e Kuvendit.

Pavarësisht aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe takimeve të presidentes Vjosa Osmani me liderët partiakë edhe kjo seancë e Kuvendit duket të jetë e njëjtë dhe pa zgjidhje.

Derisa Lëvizja Vetëvendosje nuk po heq dorë nga emri i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, partitë tjera po konsiderojnë se Haxhiu nuk është unifikuese.

PDK dhe AAK ka kërkuar nga LVV ta ndërrojë kandidaten, ndërsa nga LDK kanë deklaruar se nuk do ta votojnë asnjë emër të LVV për kryetare të Kuvendit.

Ndërkaq, një ditë më parë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani në një deklaratë për media lidhur me ngërçin politik në vend ka folur për mënyrën e votimit në Kuvendin e Kosovës.

Osmani deklaroi se votimi i fshehtë nuk përjashtohet si mundësi, por kërkohet konsensusi i deputetëve.

“Votimi i fshehtë nuk përjashtohet si mundësi, megjithatë për të kërkohet konsensusi i deputetëve. Kjo nënkupton që duhet të ketë votë, vendim të seancës para se të shkohet te një mënyrë e tillë. Ky është interpretimi i ekipit tonë ligjor, por nuk do të thotë se të tjerët pajtohen me të”, tha e para e shtetit, raporton Telegrafi.

Presidentja Osmani tutje theksoi se nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet brenda afatit të përcaktuar nga Kushtetuesja atëherë do t’i drejtohet Gjykatës me një kërkesë për sqarim për pasojat juridike.

“Kur diçka është e detyrueshme në aspektin kushtetuese kjo do të thotë se moskryerja e këtij detyrimi nuk ec pa pasoja, pra do të ketë pasoja juridike… nuk është që ne mund të presim që Gjykata do të thotë mirë pas 30 ditësh vazhdoni njësoj, takohuni çdo dy ditë dhe mos bëni asgjë”, tha ajo.

Presidentja tutje shtoi se partitë kryesore kanë ende qëndrime diametralisht të kundërta, por nuk do të thotë se brenda afatit nuk do të ketë afrim. /Telegrafi/

 

The post Për të 42-në herë në tentativë për konstituimin e Kuvendit appeared first on Telegrafi.

“Po i kërkoj falje gomarëve që kanë ardh nga Istogu” – Arianit Koci proteston në mënyrë të pazakontë para Kuvendit

3 July 2025 at 10:57

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë tentativën e 41-të me radhë për konstituim. Para fillimit të kësaj seance, avokati Arianit Koci ka protestuar sërish.

Koci kësaj radhe ka vendosur që protestën e tij ta bëjë në një mënyrë tjetër më simbolike, duke sjellë gomarët para Kuvendit.

“I kemi marrë me simbolikë, me tregu se kush po na udhëheq, dhe të njëjtit po mendojnë që na jemi gomar. Protesta është e qetë. Po i kërkoj falje këtyre gomarëve që kanë marrë rrugë nga Istogu deri këtu”, tha Koci.

Koci tha se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e ka përcaktuar se fajtorë është Albin Kurti.

“Nuk po du me qenë faktor që i thellon ndasitë, por dua të jem faktor i unitetit Kam vërejtje të madhe edhe për PDK, LDK, AAK e Nisma, sepse po sillen sikur me qenë qyqana”, tha Koci.

Ai tha se nuk po e kupton policinë qysh po shqetësohen nga katër gomarë e nuk po shqetësohen nga gomarët brenda.

“E papranueshme, sidoqoftë ne do të respektojmë urdhrat”, tha Koci.

E miku i tij i cili solli gomarët nga Istogu në Prishtinë, ironizoi duke thënë se “ky i vogli ka nevojë për sigurim shëndetësorë – nuk po i ofendoj nënat as fëmijët. Është një i ri që ka nevojë për shkollim adekuat e mirëqenie”. /Telegrafi/

The post “Po i kërkoj falje gomarëve që kanë ardh nga Istogu” – Arianit Koci proteston në mënyrë të pazakontë para Kuvendit appeared first on Telegrafi.

“PDK-ja i jep 24 vota për 40 emra të LVV-së” – Abdixhiku thotë se ka parti me të cilat Kurti mund të bëjë kompromis

2 July 2025 at 16:30

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas takimit me presidenten Vjosa Osmani ka hedhur akuza ndaj kryeministrit në detyrë dhe liderit të LVV-së, Albin Kurti.

Abdixhiku ka thënë se Kurti nuk po e kupton pragmatizmin politik se nuk është tragjedi të bësh kompromis, por është vlerë normale demokratike.

I pari i LDK-së tha se ka parti që po ia japin atë kompromis, duke thënë se PDK-ja i ka 24 vota për 40 emra të LVV-së për kryeparlamentar.

“Ka parti që po ja japin atë kompromis, e kam thënë edhe herën e kaluar LDK-ja i ka 20 vota kundër për secilin emër, NISMA i ka 3 vota për një emër, PDK-ja i ka 24 vota për 40 emra, AAK-ja i ka 5 vota për tre emra. Pra kompromisi është i mundshëm, zgjedh e merr”, tha Abdixhiku.

Ai shtoi se nëse Kurti insiston në kushtet paraprake dhe thotë që ky është kompromisi i tij, atëherë ti e ngatërron kompromisin me imponimin.

“E këtu besoj se ka shkarje të rëndë logjike e besa edhe të inteligjencës”, tha Abdixhiku. /Telegrafi/

The post “PDK-ja i jep 24 vota për 40 emra të LVV-së” – Abdixhiku thotë se ka parti me të cilat Kurti mund të bëjë kompromis appeared first on Telegrafi.

Mosvotimi në Kuvend nga deputetët e partive tjera, Kusari-Lila: Do ta dërgojmë në Kushtetuese

1 July 2025 at 13:59

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila ka paralajmëruar se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese mosvotimin në Kuvend nga deputetët e partive tjera.

Kusari-Lila në një deklaratë për media theksoi se janë duke i bërë përgatitjet finale në mënyrë që t’i drejtohet Gjykatës.

“Është e qartë se nuk e kemi leximin e njëjtë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu është e qartë që jo që ka sqaruar, por ka komplikuar rrethanat një interpretim i tillë. Ndërsa, synimi i tretë në fakt çka do të doja të thosha është se është më se e domosdoshme edhe një adresim i gjykatës në situatën aktuale, tashmë për mospjesëmarrjen në votim nga deputetët e partitë deri tash opozitare”, tha ajo.

Deputetja e LVV-së theksoi tutje se ajo që është evidente e që mund të lexohet në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese është se votimi në seancë është obligim.

“Ne po e përgatisim, gjegjësisht jemi duke i bërë përgatitjet finale që t’i drejtohemi gjykatës për mosvotimin e deputetëve opozitar për mos pjesëmarrje në votim”, ka theksuar ajo. /Telegrafi/

The post Mosvotimi në Kuvend nga deputetët e partive tjera, Kusari-Lila: Do ta dërgojmë në Kushtetuese appeared first on Telegrafi.

​PDK me aksion simbolik, deputetët qëndrojnë në sallë pas dështimit të seancës

1 July 2025 at 13:28

Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës kanë qëndruar simbolikisht në sallë pas dështimit për të 40-në herë të konstituimit të Kuvendit.

Deputetja Vlora Çitaku tha se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari po e shkel Kushtetutën. Ajo i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje për reflektim dhe për kthim në rend të ditës.

“Fatkeqësisht, edhe sot, sërish me vetëdije të plotë, zotëri Dehari, Lëvizja Vetëvendosje po e shkelin Kushtetutën. I bëjmë thirrje edhe një herë Lëvizjes Vetëvendosje që të reflektojë, të kthehemi në sallë pasnesër, t’i kthehemi rendit të ditës, të konstituojmë Kuvendin e Kosovës dhe të bëjmë punën tonë… Ne qëndruam simbolikisht në sallë edhe herën e kaluar edhe sot më gjatë, sepse është e turpshme që të vijmë këtu e të rrimë nga dy minuta e të largohemi sikur të mos ndodhë asgjë”, deklaroi Çitaku. /kp/

The post ​PDK me aksion simbolik, deputetët qëndrojnë në sallë pas dështimit të seancës appeared first on Telegrafi.

“Kryesues respektoje Kushtetutën”, “Për komision propozojmë Albin Kurtin”, “Regjia ju lutem ndërpriteni” – Kuvendi mes dështimit dhe ironisë

1 July 2025 at 11:36

Kuvendi i Kosovës nisi sot me kërkesën e kryesuesit Avni Dehari për dhënien e emrave nga partitë politike për Komisionin Zgjedhor që do të mundësonte votim të fshehtë për kryetarin e Kuvendit.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra pasi doli në foltore kërkoi nga Dehari të respektojë Kushtetutën.

“Kryesues po të bëjmë tirrje edhe njëherë respektoni Kushtetutën…”, tha Deliu.

“Regjia të lutem ndërpritja mikrofonin”, tha Dehari.

“Kryesues ju lutem zbatoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kthehuni në rend dite”, tha më pas deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

Ndërkaq, pas kësaj reagoi sërish kryesuesi Dehari “Regjia, ju lutem le të ndërpritet”.

Ndërkaq, Time Kadrijaj nga AAK me ironi propozoi për anëtar të Komisionit, Albin Kurtin.

“Ne si Aleancë kemi ndryshua qëndrim, na vjen keq.. e kemi një emër për Komision… dhe për komision e propozojmë deputetin Albin Kurti”, tha ajo me ironi.

Ndryshe, për të 40-në herë dështoi sot konstituimi i Kuvendit. /Telegrafi/

The post “Kryesues respektoje Kushtetutën”, “Për komision propozojmë Albin Kurtin”, “Regjia ju lutem ndërpriteni” – Kuvendi mes dështimit dhe ironisë appeared first on Telegrafi.

Abdixhiku: Do të shkoj në takim me Osmanin sapo të ftohem, presidentja duhet të ketë qëndrim për situatën

1 July 2025 at 11:31

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas dështimit të 40-të me radhë të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, është pyetur nëse do të marrë pjesë në takim nëse ftohet nga presidentja Vjosa Osmani.

Abdixhiku u përgjigj shkurt duke thënë se sapo të marr ftesë do të shkoj, dhe se presidentja bënë mirë të ketë qëndrim për situatën e krijuar.

“Jo ende nuk kam marrë ftesë, dhe shkojmë kurdo që marrim ftesë. Dhe bënë mirë që na mbledh presidentja dhe bënë mirë edhe që të ketë qëndrim për këtë çështje”, tha Abdixhiku.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani pritet t’i ftojë liderët e partive politike në takime në ditët në vijim.

Kështu bëri të ditur një ditë më parë këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.

Sipas tij, Osmani pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar gjykata.

“Presidentja Osmani do t’i ftojë liderët e partive politike në takime në ditët në vijim. Presidentja pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar Gjykata. Nëse paraqitet nevoja, Presidentja mbetet e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë”, tha Kupina. /Telegrafi/

The post Abdixhiku: Do të shkoj në takim me Osmanin sapo të ftohem, presidentja duhet të ketë qëndrim për situatën appeared first on Telegrafi.

Për të 40-në herë mblidhet Kuvendi, a do të ketë lëvizje drejt konstituimit?

1 July 2025 at 07:28

Kuvendi i Kosovës sot të mblidhet sërish, në tentativën e 40-të për konstituim.

Partitë politike parlamentare nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët për kreun e Kuvendit, gjersa po bëhen gati 5 muaj që nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 8 shkurtit.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë në emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, ndërsa për partitë tjera ky emër nuk është unifikues.

Ditë më parë Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin KO124/25, lidhur me kërkesën e parashtruar nga deputetja Time Kadrijaj dhe dhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit, që kundërshtonin vendimin për refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë dhe vendime të tjera të ngjashme, të marra gjatë seancave konstituive të Kuvendit të mbajtura në prill dhe maj 2025.

Gjykata vlerësoi se Kuvendi nuk është konstituuar sipas Kushtetutës, pasi procesi i filluar më 15 prill nuk ka përfunduar me zgjedhjen e organeve drejtuese. Kjo, sipas saj, e bën të pavlefshme çdo veprim tjetër që pretendon të ketë marrë legjitimitet nga një seancë që nuk ka përmbushur elementet themelore të konstituimit.

Gjykata theksoi se Seanca Konstituive është një akt kushtetues, i cili mund të quhet i përfunduar vetëm pas zgjedhjes së Kryesisë, përkatësisht Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Për më tepër, ajo rikujtoi se Kushtetuta parasheh që ky proces duhet të përmbyllet brenda 30 ditësh nga shpallja e rezultateve të zgjedhjeve.

Në këtë aktgjykim, Gjykata e Kushtetuese gjithashtu thekson rëndësinë e bashkëpunimit në mirëbesim ndërmjet deputetëve dhe grupeve parlamentare për të siguruar funksionalitet institucional. E drejta për të propozuar Kryetarin, që i takon grupit më të madh parlamentar, vjen me detyrimin për të kërkuar konsensus dhe kompromis, dhe nuk mund të përdoret si instrument për bllokim institucional.

Ndryshe, presidentja e vendit, Vjosa Osmani do t’i ftojë liderët e partive politike në takime në ditët në vijim.

Kështu tha në një prononcim për Telegrafin, këshilltari për media, Bekim Kupina.

Sipas tij, Osmani pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar gjykata. /Telegrafi/

The post Për të 40-në herë mblidhet Kuvendi, a do të ketë lëvizje drejt konstituimit? appeared first on Telegrafi.

❌
❌