Vera e shumëpritur sjell me vete destinacione joshëse pushimesh, dalje natën, shëtitje përgjatë lumit, not në pishina, lumenj, liqene, det etj. Por kjo stinë sjell një sërë problemesh të mundshme shëndetësore
Prof. ass.dr. Isuf Bajrami
Specialist i mjekësisë urgjente
Qendra e Mjekësisë Urgjente, Prishtinë
Temperatura është një gjendje patologjike për shkak të faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm, e cila shkakton një ndryshim të sistemit të termorregullimit hipotalamik. Ajo çon në ngritje të temperaturës së trupit mbi vlerën e konsideruar normale, rreth 36.8°C.
Probleme të vogla të shkaktuara nga nxehtësia:
• Ënjtje e kyçit të këmbës
• Ngërçe, fascie
• Skuqje të shkaktuara nga nxehtësia (miliaria)
Probleme më serioze janë lodhja nga nxehtësia dhe goditja nga nxehtësia. Ato ndodhin në rrethanat e mëposhtme:
1. Goditja klasike e nxehtësisë pa mbingarkesë shkaktohet nga temperaturat e jashtme shumë të larta. Është më e zakonshme te të moshuarit në zonat me klimë shumë të nxehtë.
2. Goditja nga nxehtësia me sforcim shkaktohet nga prodhimi i tepërt i nxehtësisë. Ndodh te: sportistët, punëtorët fizikë, zjarrfikësit, ushtarët fillestarë, përdoruesit e saunës.
3. Medikamentet dhe barnat e ndryshme mund të predispozojnë për zhvillimin e sëmundjes nga nxehtësia. Përveç kësaj, njerëzit që marrin drogë (p.sh. kokainë, ekstazi, amfetaminë) dhe më pas kërcejnë fort mund të sëmuren nga sëmundja e nxehtësisë.

Goditja nga nxehtësia, kategoritë me rrezik dhe simptomat
Vlerësimi
Siguroni vendin e ngjarjes dhe zbatoni masat e mbrojtjes personale. Vlerësoni ABCDE -vlerësoni nivelin e vetëdijes me Glasgow Coma Scale (GCS).
Është e rëndësishme të dyshohet për lodhje nga nxehtësia/goditje nga nxehtësia, të vlerësohet historia mjekësore, rrethanat dhe çrregullimet e vërejtura gjatë ekzaminimit fizik. Megjithatë, mund të jetë e rrezikshme të supozohet se kolapsi i sportistit është shkaktuar vetëm nga nxehtësia.
Shkaqe të tjera të mundshme, si diabeti ose problemet e zemrës, duhet të kontrollohen. Te lodhja nga nxehtësia, pacienti mund të ketë simptoma të ngjashme me gripin si:
• Dhimbje koke
• Të përziera
• Marramendje
• Të vjella
• Spazma
Temperatura e trupit mund të jetë e ngritur (zakonisht nën 41°C), rrahjet e zemrës do të rriten, frymëmarrja përshpejtohet, presioni i gjakut ulet dhe djersitja është e pranishme. Dallimi midis goditjes nga nxehtësia dhe lodhjes nga nxehtësia është se pacienti me goditje nga nxehtësia do të ketë simptoma neurologjike si:
• Çrregullim i vetëdijes
• Ataksi
• Konvulsione
Për më tepër, temperatura e trupit do të jetë gjithmonë e ngritur, rregullisht mbi 41°C. Djersitja nuk duhet të jetë e pranishme.
Vapa është rreziku kryesor jo vetëm për personat që vuajnë nga patologji kardiake. Në rast të humbjes së vetëdijes nevojitet trajtim mjekësor urgjent
Trajtimi
• Filloni të kujdeseni për ABCDE
• Jepni oksigjen (ngopja e synuar >94 %)
• Matni nivelin e glukozës në gjak
• Nëse pacienti është plotësisht i vetëdijshëm dhe pa shqetësime të sistemit nervor qendror (lodhje nga nxehtësia), ai mund të trajtohet me zëvendësim të lëngjeve orale; nëse është e mundur, të përdoret tretësirë izotonike për rehidrim.
• Në rastet e rënda hapni një linjë intravenoze dhe filloni rehidratimin me tretësirë fiziologjike.
Te individët e shëndetshëm me lodhje nga nxehtësia, zëvendësimi fillestar i lëngjeve duhet të administrohet përpara se shenjat vitale të bëhen patologjike.
– Nëse pacienti ka simptoma që tregojnë rraskapitje nga nxehtësia, atëherë duhet të jepet bolus prej 250 ml tretësirë fiziologjike.
– Vëllimet e mëdha të lëngjeve duhet të shmangen pasi ato mund të shkaktojnë edemë të trurit.
– Nëse nuk ka puls qendror ose periferik, atëherë kërkohen boluse prej 250 ml tretësirë fiziologjike, në sasi totale deri në 1 litër.
Kujdesi
Gjatë ekzaminimit të parë, është e nevojshme të hapet linja intravenoze (rruga intraoseale merret parasysh). Shenjat vitale duhet të rivlerësohen pas çdo bolusi të lëngjeve dhe para administrimit të mëtejshëm të lëngjeve.
• Monitoroni vazhdimisht ritmin e zemrës
• Zhvendoseni pacientin nga ambienti i nxehtë ose, nëse është e mundur, largoni shkakun
• Zhvendoseni pacientin në automjet me ajër të kondicionuar, nëse ka mundësi
• Matni temperaturën e trupit të pacientit; do të ishte më mirë të matej temperatura rektale (dhe temperatura e ambientit, nëse është e mundur)
• Hiqni rrobat
• Filloni ftohjen
• Largojeni pacientin nga ambienti i nxehtë
• Spërkateni pacientin me ujë të vakët dhe drejtojini ventilatorët për të fryrë ajrin në lëkurën e lagur.
MOS përdorni ujë të ftohtë sepse mund të shkaktojë vazokonstriksion dhe të reduktojë humbjen e nxehtësisë.
• Mund të vendosni akull në sqetull, qafë dhe ijë
• Vendosni peshqirë të lagur me ujë të ftohtë në faqe, pëllëmbë dhe shputa
• Filloni transportin urgjent të pacientit për në spital me kondicionerin ndezur ose me dritare të hapura
• Nëse pacienti është jashtëzakonisht i shqetësuar dhe i çorientuar, mund t’i jepet diazepam intravenoz (5-10 mg ngadalë intravenoz)
• Çdo gjë e vërejtur dhe e zbatuar duhet të regjistrohet në dokumentacionin mjekësor
• Njoftoni pranimin e urgjencës në spital për mbërritjen e pacientit, nëse është e nevojshme
• Vazhdoni trajtimin e pacientit gjatë rrugës për në spital.
Rekomandime
• Mbani barnat në temperaturë nën 25 °C ose në frigorifer (lexoni udhëzimet për ruajtjen e barit).
• Kërkoni këshillën e mjekut nëse keni sëmundje kronike ose jeni duke marrë medikamente të shumta.
Nëse ju ose të tjerët përreth jush nuk ndiheni mirë:
• Kërkoni ndihmë nëse keni marramendje, dobësi, lodhje, ankth ose jeni jashtëzakonisht të etur dhe keni dhimbje koke të fortë; shkoni në një vend më të freskët sa më shpejt të jetë e mundur dhe matni temperaturën.
• Pini ujë ose lëng frutash për t’u rehidratuar.
• Qetësohuni dhe shtrihuni në një dhomë të ftohur; nëse keni ngërçe të dhimbshme, më shpesh në këmbë, krahë ose bark, shpesh pas punës ose stërvitjes në mot shumë të nxehtë, pini lëngje që përmbajnë elektrolite dhe nëse ngërçet vazhdojnë për më shumë se një orë, kërkoni ndihmë mjekësore.
• Konsultohuni me mjekun në rast të ankesave të tjera ose nëse ankesat e përshkruara zgjasin më shumë.
• Nëse një anëtar i familjes suaj ka lëkurë të thatë, të nxehtë ose është në delir (duke folur në mënyrë jokoherente dhe i shqetësuar), ka konvulsione ose është pa ndjenja, telefononi menjëherë numrin 194, shërbimin e urgjencës mjekësore.

Derisa prisni për mjekun/shërbimet e urgjencës, vendoseni personin në një dhomë të freskët në pozicion horizontal, ngrini këmbët dhe ijet, hiqni rrobat dhe filloni ftohjen e jashtme – si p.sh. pako të ftohta në qafë, sqetull dhe ijë, me ventilator dhe spërkatje të lëkurës me ujë në 25-30°C.
• Matni temperaturën e trupit
• Ftoheni personin derisa temperatura e trupit të bjerë nën 38 °C.
• Mos jepni acid acetilsalicilik ose paracetamol.
• Vendosni personat pa ndjenja në pozicion të shtrirë.
• Ndiqni rekomandimet e institucioneve shëndetësore kombëtare dhe lokale gjatë gjithë kohës së vapës së fortë!
Komplikimet e goditjes nga nxehtësia janë:
• Respiratore – aspirim, bronkospazëm, edemë pulmonare jo kardiogjene, sindromë e shqetësimit respirator akut, pneumoni, infarkt pulmonar, hemorragji pulmonare
• Kardiake – dekompensim kardiak, infarkt akut i miokardit, çrregullime të ritmit
• Hipotension
• Konvulsione
• Rabdomiolizë
• Insuficiencë renale akute
• Dëmtim akut i mëlçisë
• Koagulopati intravaskulare e diseminuar (DIC)
Përmbledhje
• Lodhja dhe goditja e nxehtësisë ndodhin në temperatura të larta të jashtme, si pasojë e prodhimit të tepërt të nxehtësisë dhe gjatë marrjes së disa medikamenteve dhe barnave.
• Sa më tepër të ulet temperatura e mjedisit, aq më shumë zvogëlohet mundësia për goditje nga nxehtësia.
• Te sportistët nuk duhet gjykuar se bëhet fjalë për kolaps nga nxehtësia, por duhet kontrolluar shkaktarët e tjerë.
• Te lodhja nga nxehtësia, pacienti mund të ketë simptoma të ngjashme me gripin, siç janë dhimbja e kokës, mundimi, të vjellat, marramendja dhe ngërçet, por temperatura nuk do të thotë se është gjithmonë e ngritur.
• Te goditja termike, pacienti do të ketë simptoma neurologjike siç janë çrregullimet e vetëdijes, ataksia dhe konvulsionet, ndërsa temperatura trupore do të jetë e ngritur, zakonisht mbi 41°C.
• Në rast të lodhjes ose rraskapitjes nga nxehtësia dhe goditjes termike, pacienti duhet të transportohet me kujdes mjekësor nga ekipi i urgjencës për trajtim spitalor.
/Telegrafi/
The post Lodhja nga nxehtësia, goditja termike dhe ndihma urgjente paraspitalore appeared first on Telegrafi.