Ish-zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, ka bërë të ditur se nuk do të kandidojë për postin e guvernatores së Kalifornisë në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2026, duke mbajtur të hapur opsionin për një kandidim të mundshëm për president në vitin 2028.
“Gjatë gjashtë muajve të fundit, kam reflektuar mbi këtë moment të rëndësishëm në historinë e vendit tonë dhe mbi mënyrën më të mirë për të vazhduar angazhimin tim në mbështetje të qytetarëve amerikanë dhe vlerave që unë mbroj,” thuhet në deklaratën e saj zyrtare të publikuar të mërkurën.
“Kam marrë seriozisht në konsideratë mundësinë që t’u kërkoj kalifornianëve privilegjin për të shërbyer si guvernatorja e tyre. E dua këtë shtet, njerëzit e tij dhe premtimin që përfaqëson. Ky është vendi im i lindjes dhe i zemrës. Por pas një reflektimi të thellë, kam vendosur të mos kandidoj për guvernatore në këto zgjedhje,” shtoi ajo.
Vendimi i Harris vazhdon të ushqejë spekulimet për të ardhmen e saj politike, pas humbjes në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar ndaj Donald Trump. Për disa muaj, ajo ka shqyrtuar opsionet mes rikandidimit për presidencë, një gare për guvernatore apo tërheqjes nga politika elektorale pas një fushate të vështirë. Ajo nuk e ka përjashtuar një tjetër kandidim për Shtëpinë e Bardhë, pas përpjekjeve të pasuksesshme në vitet 2020 dhe 2024.
Në deklaratën e saj, Harris nuk e përmendi drejtpërdrejt ish-presidentin Trump, por theksoi: “Politika jonë, qeverisja dhe institucionet tona, shpesh kanë dështuar t’i shërbejnë qytetarëve, duke na sjellë në këtë moment krizash.”
“Për momentin, drejtimi dhe shërbimi im publik nuk do të jenë përmes një funksioni të zgjedhur. Mezi pres të kthehem në terren për të dëgjuar qytetarët, për të ndihmuar në zgjedhjen e demokratëve që luftojnë me guxim, dhe së shpejti do të ndaj më shumë rreth planeve të mia,” u shpreh Harris.
Sipas saj, “në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pushteti duhet të qëndrojë në duart e popullit. Ne, populli, duhet ta përdorim këtë pushtet për të luftuar për liri, mundësi, barazi dhe dinjitet për të gjithë. Unë do të mbetem pjesë e kësaj lufte.”
Harris do të ishte një ndër kandidatët kryesorë në garën për pasardhësin e guvernatorit aktual Gavin Newsom, i cili nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë për shkak të kufizimeve ligjore. Ajo gëzon njohje të gjerë publike, përvojë në postet shtetërore dhe aftësi të fuqishme për mbledhje fondesh. Përpara se të shërbente si senatore dhe zëvendëspresidente, Harris ishte prokurore e përgjithshme e Kalifornisë dhe më herët prokurore e San Franciskos.
Megjithatë, pas shumë vitesh në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare, nuk ka qenë e qartë nëse ajo ishte e interesuar të rikthehej në politikën shtetërore në Sakramento.
Roli i brezit të ri të votuesve
Këshilltari i saj i kahershëm dhe strategu demokrat Sean Clegg deklaroi se Harris ishte tunduar për të kandiduar për guvernatore, por po shqyrton mundësi të tjera, përfshirë krijimin e një organizate jofitimprurëse për të angazhuar votuesit e rinj.
“Ajo ka qenë në poste të zgjedhura për 22 vite rresht dhe në shërbim publik që nga përfundimi i shkollës së drejtësisë,” tha Clegg. “Pasi ka kaluar gjithë jetën e saj brenda sistemit, tani ndjen më shumë motivim për të ndikuar nga jashtë tij.”
Sipas tij, “në fund, kjo ishte një vendimmarrje instinktive. E pyeti veten: ‘A dua të rikthehem në sistem si zyrtarja më e lartë e zgjedhur në Kaliforni, apo dua të ndjek një rrugë krejt tjetër?’”
Një tjetër përpjekje për Shtëpinë e Bardhë?
Përtej Kalifornisë, karriera politike e Harris është shënuar nga arritje historike, por edhe zhgënjime.
Në vitin 2020, ajo u tërhoq nga gara presidenciale demokrate para zgjedhjeve paraprake në Iowa humbja e parë e madhe në karrierën e saj. Më pas, u zgjodh kandidate për zëvendëspresidente nga Joe Biden dhe shkroi histori si gruaja e parë me ngjyrë dhe me prejardhje aziatike që shërbeu në këtë post.
Në vitin 2024, Harris mori kandidimin demokrat pasi Biden u tërhoq nga gara disa muaj para Ditës së Zgjedhjeve dhe e mbështeti atë. Megjithatë, ajo humbi përballë Trump, i cili fitoi të gjitha shtetet vendimtare.
Nëse vendos të kandidojë sërish në vitin 2028, Harris përballet me sfida të konsiderueshme. Ajo duhet të bindë Partinë Demokrate se përfaqëson të ardhmen, pavarësisht humbjes së fundit. Për më tepër, lidhja e saj e ngushtë me administratën Biden mund të shihet si barrë, në një kohë kur ish-presidenti Biden përballet me kritika në rritje dhe pikëpyetje për gjendjen e tij mendore dhe fizike.
Gara e vitit 2028 pritet të jetë shumë e konkurrueshme, me figura të tjera si Gavin Newsom të mundshëm në garë. Çdo kandidat do të duhet të bashkojë një Parti Demokrate të fragmentuar dhe me mbështetje në rënie.
Në një fjalim të mbajtur në San Francisko, një nga më të gjatat që nga largimi nga detyra në janar, Harris e quajti udhëheqjen e Trump një “braktisje të plotë” të idealeve amerikane.
Vendimi i saj për të mos hyrë në garën për guvernator e lë të hapur terrenin për emrat që tashmë kanë shpallur kandidaturat, përfshirë ish-kongresisten Katie Porter, ish-kryetarin e Bashkisë së Los Anxhelosit Antonio Villaraigosa, ish-sekretarin e Shëndetësisë në administratën Biden, Xavier Becerra, si dhe disa zyrtarë shtetërorë.
Në një deklaratë, Villaraigosa u shpreh se vendimi i Harris nuk do të thotë përfundim i karrierës së saj politike. “Ky vendim reflekton përkushtimin e saj të vazhdueshëm për të shërbyer në nivelet më të larta të qeverisjes,” tha ai./abcnews.al