Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 July 2025Main stream

U bllokua nga IKMT si ndërtim pa leje/ Procedohen penalisht investitori dhe administratori i pallatit në Vlorë

By: Rovena
15 July 2025 at 12:58

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Vlorë referuan materiale në Prokurori për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe nisën procedimin penal për shtetasit F. H., 53 vjeç, dhe E. A., 51 vjeç, banues në Vlorë, pasi në cilësinë e investitorit dhe administratorit të një subjekti ndërtues, këta shtetas u konstatuan në shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit, në lagjen “10 Korriku”, rruga “Ibrahim Avdullai”, Vlorë.

Në arrest shtëpie për vjedhje, 19-vjeçari në Elbasan nuk vë mend/ Thyen masën dhe vjedh një automjet

By: Rovena
15 July 2025 at 12:46

Një 19-vjeçar është arrestuar nga policia e Elbasanit, pasi theu masën e sigurisë dhe gjatë natës vodhi një automjet.

“19-vjeçari theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Elbasanit, për veprën penale “Vjedhja” dhe dyshohet se më datë 14.07.2025, gjatë natës, në lagjen “Emin Matraxhiu”, ka vjedhur automjetin në pronësi të shtetases Xh. Sh”, njofton policia. Nga verifikimet rezultoi se 19-vjeçari e drejtonte automjetin, pa qenë i pajisur me leje drejtimi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme./abcnews.al

Shiste doza kanabisi në zonat bregdetare të Shëngjinit, arrestohet 50-vjeçari

By: Rovena
15 July 2025 at 12:39

Policia e Lezhës ka vënë në pranga një 50-vjeçar pasi shiste doza kanabisi, në zonat bregdetare të Shëngjinit. Janë sekuestruar dhjetëra doza kanabisi, 1 peshore elektronike dhe 1 celular.

“D. H., 50 vjeç, banues në fshatin Balldre i Ri, Lezhë. Nga hetimet dyshohet se ky shtetas shiste doza të lëndës narkotike Cannabis Sativa, në zonat brgdetare të Shëngjinit. Gjatë kontrollit fizik ndaj 50-vjeçarit dhe kontrollit në banesën e tij, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dhjetëra doza kanabisi, një peshore elektronike dhe një aparat celular, që dyshohet se përdoreshin për këtë veprimtarinë kriminale”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”./abcnews.al

VIDEO/ Tre ditë në “luftë” me flakët, neutralizohet zjarri në Drenovë të Mallakastrës

By: Rovena
15 July 2025 at 12:35

Në ditën e tretë të përballjes me flakët , zjarri në masivin pyjor të Drenovës në Mallakastër është neutralizuar. Sipas përgjegjësit të Mbrojtjes Civile pranë Prefekturës Fier, Kreshnik Ymeraj, dy vatrat aktive janë vënë nën kontroll fale ndihmës së 30 forcave të ushtrisë të cilët i janë bashkuar në orët e para të mëngjesit  operacionit për shuarjen e flakëve.

Deri tani përllogaritet një sipërfaqe prej 100 ha e përshkuar nga zjarri. Vatra e parë është aktivizuar në ullishtën e një fermeri gjatë djegies së barërave, ndaj autoritetet kërkojnë të tregohet kujdes në këto ditë të nxehta./abcnews.al

Rrëzimi i avionit Air India, hetuesit zbulojnë një tjetër audio nga kabina e pilotëve

By: Rovena
15 July 2025 at 12:22

Hetimet paraprake mbi rrëzimin tragjik të avionit të Air India kanë ofruar disa të dhëna të rëndësishme, por ende nuk kanë nxjerrë një konkluzion përfundimtar mbi shkakun e ngjarjes.

Një tjetër audio e publikuar së fundmi, e regjistruar në kabinën e pilotëve pak çaste para përplasjes, zbulon një bisedë mes dy pilotëve për një problem kritik: ndërprerjen e furnizimit me karburant në motorë. Në regjistrim, njëri nga pilotët pyet disa herë për arsyen e fikjes së motorëve, ndërsa tjetri mohon të ketë kryer ndonjë veprim të tillë. Mediat ndërkombëtare raportojnë se pilotët janë përpjekur menjëherë të rikthejnë kontrollin e avionit.

Sipas raportit paraprak, Motori 1 pati një përpjekje për t’u rifunksionalizuar, ndërkohë që Motori 2 nuk arriti të rikthejë shtytjen. Megjithatë, analizat e mëvonshme treguan se si gjendja teknike e avionit, ashtu edhe ajo e motorëve, ishte brenda parametrave të lejuar për fluturim.

Audioja e kabinës ndodhet aktualisht në duart e autoriteteve indiane, ndërsa hetuesit nuk kanë arritur ende të përcaktojnë nëse ndërprerja e furnizimit me karburant ishte rezultat i një defekti mekanik apo i një veprimi aksidental.

Burime pranë hetimeve kanë ngritur gjithashtu dyshime rreth përmbajtjes së audios, ku thuhet se njëri nga pilotët mund të ketë vënë re diçka të pazakontë.

Avioni i kompanisë Air India, që ishte nisur drejt Londrës, u rrëzua vetëm pak minuta pas ngritjes, duke shkaktuar humbjen e 290 jetëve./abcnews.al

Bashkia Selenicë, japin dorëheqjen 5 administratorët e njësive administrative

By: Rovena
15 July 2025 at 11:21

Bashkia Selenicë japin dorëheqjen 5 administratorët e njësive administrative. Dorëheqjet e tyre tashmë janë protokolluar si edhe konfirmohet në rrugë zyrtare nga bashkia e Selenicës.

Dorëheqjet e tyre vijnë në një moment, kur vetë kryeministri Edi Rama në një takim me kryetarët e bashkive në të gjithë vendin të zhvilluar në Durrës pak ditë më parë kërkoi dorëheqjen edhe të të gjithë kryetareve të njësive administrative pas dorëheqjeve të kërkuara për drejtorët e institucioneve në varësi të pushtetit vendor.

Edhe në bashkinë e Selenicës janë konfirmuar tashmë dorëheqjet e pesë drejtuesve të njësive administrative. Megjithatë puna e tyre do të analizohet dhe në fund pas një analize të detajuar do të shikohet nëse do të ketë largim përfundimtar të tyre.

Urdhri pritet të zbatohet edhe në bashkinë e Vlorës aty, ku deri më tani janë konfirmuar dorëheqjet e të gjithë drejtuesve të institucioneve në varësi të pushtetit vendor./abcnews.al

Nga qelia në spital/ Ish-ministri Beqaj prej ditësh i shtruar në QSUT

By: Rovena
15 July 2025 at 11:09

Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, prej disa ditësh ndodhet i shtruar në QSUT. Sipas burimeve brenda spitalit, Beqja ka shkuar me temperaturë të lartë dhe alergji në lëkurë, ndërsa gjendja aktualisht paraqitet e mirë.

Që prej ditës së shtunë ndodhet i shtruar në shëbimin e alergologjisë në QSUT, prej alergjisë që i është shkaktuar. Sjellim ndërmend se Beqaj mbahet prej 1 viti në paraburgimin e Durrësit për dosjen SASPAC të abuzimit me donacionet e huaja ndërsa po gjykohet me procedurë të zakonshme për dosjen e sterilizimit./abcnews.al

“Plumbi i Artë”/ Dëshmon për herë të parë në gjykatë Skerdi Tase për atentatin ndaj Aredin Beharit

By: Rovena
15 July 2025 at 11:01

Në procesin Plumbi i Artë po jep dëshminë për herë të parë bashkëpunëtori i drejtësisë Skerdi Tase. Më herët kanë dëshmuar në këtë proces të penduarit Nuredin Dumani dhe Erion Alibej. Pyetet nga prokurori i SPAK Behar Dibra për atentatin në vitin 2017 ndaj tregtarit të naftës Aredin Behari.

Skerdi Tase: Me Henkrik Hoxhaj jam njohur nga një shok i përbashkët, ky shtetas Viron Tavanxhiu na foli për një atentat që do i bëhej një personi në Fier. Henriku kishte siguruar një makinë, armët dhe i ishin vënë në ndjekje këtij personi. Ditën e ekzekutimit Henriku me tha se porositësi e kishte marrë në telefon dhe i kishte thënë pse po e vononi atë punë. I shkuam në lokal për ta qëlluar por u fut poshtë tavolinës e me pas brenda në lokal, nuk u futa më tej se isha pa doreza. Vironi me ka kontaktuar edhe për të bërë vrasjen e Agim Boriçit, po në qytetin e Fierit. U realizuan veprimet ne vitin 2018. Me Henrikun takoheshim përditë për të bere planet, Riku më tha se kishte marrë dhe një punë tjetër për Aredin Beharin.

Vijojnë dorëheqjet/ Në Bashkinë Belsh japin dorëheqjen një sërë administratorësh dhe drejtorësh lokalë

By: Rovena
15 July 2025 at 10:29

Vijojnë edhe gjatë kësaj të marte largimi nga detyra i drejtorëve nëpër bashki. Në Bashkinë Belsh, kanë dhënë dorëheqje një sërë administratorësh dhe drejtorësh lokalë duke i hapur rrugë një faze të re të përzgjedhjes së drejtuesve të rinj mbi bazën e meritës dhe performancës.

Ndërkohë, në Bashkinë Prrenjas, tre administratorë kanë dhënë dorëheqjen që ditën e djeshme, ndërsa aktualisht po kryhet një vlerësim i thelluar i performancës për drejtorët që vijojnë detyrën. E njëjta situatë edhe në bashkitë e tjera të qarkut Elbasan./abcnews.al

Shpërndante doza droge të forta/ Pranga 26-vjeçarit në Kamëz

By: Rovena
15 July 2025 at 09:51

Një 26-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi shpërndante doza droge të forta. Policia ka sekuestruar dozat me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 1 aparat celular dhe 1 automjet.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me të cilin qarkullonte 26-vjer 135ari dhe kontrollit fizik, u gjetën disa doza me lëndë të dyshuar kokainë, 1 aparat celular, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës material sëbashku me automjetin.

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se 26-vjeçari i shpërndante dozat në zona të ndryshme të Valiasit. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./abcnews.al

VIDEO/ Reshjet ekstreme përmbytin sistemin e metrosë në New York

By: Rovena
15 July 2025 at 09:43

Pjesë të sistemit të metrosë së New York-ut u kthyen në lumenj të vegjël mbrëmjen e së dielës, pasi reshjet e dendura të shiut përmbytën tunelet dhe stacionet, duke i lënë mijëra udhëtarë përballë kaosit dhe vonesave.

Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë sesi uji vërshon me shpejtësi përmes paneleve dhe shkallëve të metrosë, duke depërtuar deri në zonat ku qëndrojnë pasagjerët. Në disa stacione, niveli i ujit arriti aq lart sa rrjedha përfshiu edhe platformat.

Autoritetet lokale kanë lëshuar paralajmërime për përmbytje të menjëhershme, duke përfshirë të gjithë zonën metropolitane të qytetit, ndërsa shërbimi i metrosë është ndërprerë pjesërisht dhe në shumë linja ka vonesa të gjata.

Ndërprerja e transportit publik është goditje e rëndë për një qytet që varet nga metroja për jetën e përditshme të banorëve të tij. Për shumë prej tyre, udhëtimi drejt punës ose kthimi në shtëpi u kthye në një odise me pritje të zgjatura dhe rrugë alternative të mbingarkuara.

Ky incident është vetëm një tjetër shenjë alarmi për sistemin e vjetëruar të metrosë, i cili tashmë përballet me sfida serioze nga ndryshimet klimatike. Ngjarje të tilla, që dikur cilësoheshin të rralla, po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, duke nxjerrë në pah nevojën urgjente për modernizimin e infrastrukturës dhe përgatitjen ndaj ekstremeve të motit./abcnews.al

Zjarri në Drenovë të Mallakastrës vijon të jetë ende aktiv/ Zjarrfikësve u bashkohen edhe 30 forca të ushtrisë

By: Rovena
15 July 2025 at 09:26

30 forca të ushtrisë i kanë ardhur në ndihmë mëngjesin e kësaj të marte operacionit të përbashkët të shërbimeve zjarrfikëse dhe atyre bashkiake, për shuarjen e zjarrit në Drenovë të Mallakastrës.

Vatra e zjarrit vijon të jetë aktive dhe është shtrirë në një sipërfaqe të madhe në brendësi të pyllit me pisha.

Aktualisht po punohet me mjete rrethanore për shkak të terrenit të vështirë që pamundëson ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse ndërsa pritet sërish ndërhyrje nga ajri për të vënë nën kontroll flakët./abcnews.al

Meta planifikon investime prej qindra miliarda dollarësh për ndërtimin e qendrave gjigante të AI në SHBA

By: Rovena
15 July 2025 at 09:22

Themeluesi i kompanisë Meta, Mark Zuckerberg, ka njoftuar se kompania e tij do të investojë qindra miliarda dollarë për ndërtimin e qendrave të mëdha të të dhënave të dedikuara për inteligjencën artificiale në Shtetet e Bashkuara.

Zuckerberg bëri të ditur se qendra e parë me kapacitet shumë-gigavat, e quajtur Prometheus, pritet të vihet në funksion në vitin 2026 dhe do të ndërtohet në New Albany, Ohio. Një tjetër qendër, Hyperion, do të ngrihet në Louisiana dhe sipas planit do të jetë plotësisht funksionale deri në vitin 2030.

Sipas Zuckerberg, disa nga këto qendra do të jenë aq të mëdha sa do të mbulojnë sipërfaqe të krahasueshme me ishullin Manhattan në New York, që ka një sipërfaqe prej 59.1 kilometrash katrorë. “Po ndërtojmë disa klasterë titanikë. Vetëm një prej tyre zë një pjesë të konsiderueshme të sipërfaqes së Manhattanit,” shkroi Zuckerberg në platformën e tij sociale, Threads.

Meta po përgatitet të fuqizojë zhvillimin e asaj që e quan “superinteligjencë”, teknologji që, sipas kompanisë, mund të tejkalojë aftësitë mendore të njeriut më të zgjuar.

Zuckerberg deklaroi se Meta do të ndërtojë disa klasterë shumë-gigavatësh, përfshirë Hyperion, i cili pritet të arrijë deri në pesë gigavat kapacitet gjatë viteve të ardhshme.

“Do të investojmë qindra miliarda dollarë për të ndërtuar superinteligjencën,” tha ai, duke shtuar se qendrat po marrin “emra që përfaqësojnë përmasat dhe ndikimin e tyre”.

Efekti në treg dhe reagimi i ekspertëve

Sipas analistit Karl Freund nga Cambrian AI Research, kjo strategji tregon se Zuckerberg është i vendosur të arrijë majat e teknologjisë përmes investimeve masive: “Talenti që po punëson do të ketë në dispozicion një nga pajisjet më të fuqishme të inteligjencës artificiale në botë,” tha ai për BBC.

Pas njoftimit, aksionet e kompanisë Meta u rritën me 1%, sipas Reuters. Që nga fillimi i vitit, vlera e aksioneve është rritur me më shumë se 20%.

Në vitin 2024, Meta gjeneroi mbi 160 miliardë dollarë të ardhura, kryesisht nga reklamat online.

Kosto të mëdha për mjedisin

Sot ekzistojnë mbi 10,000 qendra të të dhënave në mbarë botën që mbështesin funksionimin e cloud-it (serverëve të largët që ruajnë informacion digjital), shumica prej të cilave ndodhen në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani.

Qendrat e të dhënave që mbështesin inteligjencën artificiale kanë kërkesa shumë të larta për energji dhe ujë. Një studim vlerëson se deri në vitin 2027, ato mund të konsumojnë deri në 1.7 trilionë gallonë ujë në nivel global. Vetëm një kërkesë e vetme e bazuar në AI, si një pyetje për ChatGPT mund të konsumojë sasi të ngjashme me një shishe të vogël uji./abcnews.al

“Më kanë shkatërruar jetën”, Saviano shpërthen në lot pas dënimit të bos-it të Camorrës që e kërcënoi me vdekje

By: Rovena
15 July 2025 at 08:55

Ishte një nga momentet më emocionalë të jetës së tij. Roberto Saviano, shkrimtari i njohur italian dhe autori i romanit “Gomorra”, nuk mbajti dot lotët në sallën e Gjykatës së Apelit në Romë, ku u konfirmua dënimi ndaj Francesco Bidognetti, bos i klanit të Casalesit, i njohur me nofkën “Cicciotto ’e Mezzanotte”.

Saviano shpërtheu në të qara të dëshpëruara, të krahasueshme vetëm me dhimbjen që kishte ndier në funeralin e shkrimtares Michela Murgia, më 13 gusht të dy viteve më parë. “Po, është e vërtetë. Nuk kam qarë kështu prej asaj dite,” pranoi ai, ndërsa largohej nga godina nën shoqërimin e makinave të blinduara të mbrojtjes.

I përqafuar me avokatin e tij Antonio Nobile, Saviano përsëriste: “Më kanë vjedhur jetën. Më kanë shkatërruar.” Rreth tij, ndjekës të ardhur nga qytete të ndryshme si Torino, Bolonja e Pésaro, e përshëndetën mes duartrokitjesh vendimin e gjykatës.

Bidognetti, një emër që i ngjall tmerr

Për Savianon, rikthimi i figurës së Bidognetti-t përmes lidhjes me videokonferencë nga burgu i Operas, ku ai vuan dënimin me regjim të ashpër (41-bis), ishte një përballje me ankthin që e ndjek prej vitit 2008.

Atë vit, gjatë procesit gjyqësor “Spartacus”, avokati i Bidognetti-t lexoi në sallën e gjyqit një “proklamatë” që, sipas gjykatës, përbënte një kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën e Savianos dhe gazetares së gazetës Il Mattino, Rosaria Capacchione.

“Nuk është rastësi që ai nuk ka munguar në asnjë seancë. Prej më shumë se 30 vitesh është në 41-bis dhe këto seanca janë si ‘ore ajrimi’ për të,” komentoi Saviano duke treguar nga ekrani.

Dy dekada nën mbrojtje, një çmim i rëndë

Prej vitit 2006, kur publikoi Gomorra, që u shit në mbi 10 milionë kopje, Saviano jeton nën mbrojtje të rreptë. “Më kanë shkatërruar jetën dhe unë nuk kam ditur si ta përballoj. Tani, trupi im duhet të ruhet çdo ditë. Për vite më thanë që mbrojtja ishte luks, por unë ëndërroj vetëm një shëtitje, një udhëtim me motor…”, rrëfeu ai i lodhur emocionalisht. Një vajzë nga publiku, Claudia, i tha: “Ta blej unë motorin, Roberto”.

Ai kujtoi edhe momentin kur u detyrua të largohej fshehurazi nga Campania: “Ishte 18 marsi i vitit 2008, katër ditë pas kërcënimit. Kisha tashmë dy truproja, kur papritur shoferi ndryshoi itinerarin dhe më çuan në një ishull, pa bagazh, sepse prokuroria vlerësoi rrezikun si të menjëhershëm. Po më kërkonte Giuseppe Setola, ‘o Cecato, një vrasës i njohur, autor i masakrës së emigrantëve ganezë”.

“Asnjë politikan në sallë”

Saviano e quajti vendimin e djeshëm “më të rëndësishmin e jetës”, pasi për herë të parë drejtësia pranoi se kërcënimet ndaj tij ishin një përpjekje për të goditur gazetarinë, jo politikën. Ai shprehu keqardhje për mungesën e reagimit institucional:

“E patë ndonjë politikan sot në sallë? Unë nuk pashë asnjë…”/abcnews.al

Gjykata e Lartë i hap rrugë planit të Trump për shkarkime masive në Departamentin e Arsimit

By: Rovena
15 July 2025 at 08:43

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi të hënën që presidenti Donald Trump mund të vazhdojë me planin e tij për të shkarkuar në masë punonjësit e Departamentit të Arsimit, duke i dhënë një tjetër fitore administratës së tij në një gjykatë me shumicë konservatore.

Me një urdhër të panënshkruar, Gjykata pezulloi përkohësisht vendimin e një gjykate më të ulët, e cila e kishte bllokuar për një kohë të pacaktuar këtë plan. Kjo do të thotë se masa e mëparshme është ngrirë, derisa të përfundojë beteja ligjore. Tre nga gjykatësit liberalë votuan kundër kësaj vendimi.

Në një kundërshtim të fortë, gjykatësja Sonia Sotomayor më e vjetra ndër anëtarët liberalë të Gjykatës, e cilësoi vendimin si “të pambrojtshëm”, duke argumentuar se lejimi i Trump për të çmontuar një agjenci qeveritare që mund të shfuqizohet vetëm nga Kongresi, përbën një kërcënim serioz ndaj ndarjes së pushteteve.

“Shumica ose mbyll sytë me vetëdije ndaj pasojave të këtij vendimi, ose është naive. Në të dy rastet, rreziku për ndarjen e pushteteve, siç përcaktohet në Kushtetutën tonë, është i rëndë. Nuk mund të pranoj këtë abuzim me rolin tonë si trupë gjyqësore në raste urgjente, ndaj jam në mosmarrëveshje me respekt”, shkroi ajo.

Trump kishte urdhëruar shkarkimet në fillim të vitit, duke reduktuar me më shumë se gjysmën fuqinë punëtore të Departamentit të Arsimit. Megjithatë, gjykatat më të ulëta e kishin bllokuar këtë veprim, duke theksuar se departamenti ishte krijuar me ligj nga Kongresi dhe nuk mund të shfuqizohej me urdhër ekzekutiv.

Gjykatësi federal Myong Joun, i emëruar nga presidenti Joe Biden, kishte ndaluar përfundimisht zbatimin e planit, duke urdhëruar rikthimin në punë të rreth 1.400 punonjësve të larguar. Vendimi i tij pasonte një padi të ngritur nga një sindikatë mësuesish, distrikte shkollore, shtete dhe organizata të arsimit. Në vendim, Joun shkruante se “departamenti nuk mund të mbyllet pa miratimin e Kongresit” dhe se shkarkimet e propozuara “do ta paralizonin atë në mënyrë efektive”. Ai shtonte se “dokumentet tregojnë qartë se qëllimi i vërtetë është çmontimi i departamentit pa një bazë ligjore”.

Gjykata e Apelit e Qarkut të Parë, me seli në Boston, kishte refuzuar në mënyrë unanime kërkesën e Trump për të rrëzuar këtë vendim në fillim të qershorit, duke e shtyrë çështjen drejt Gjykatës së Lartë.

Në apelimin e tij, ekipi ligjor i Trump argumentoi se ndërhyrja në Departamentin e Arsimit ka të bëjë me “vendime të brendshme menaxheriale” dhe me “eliminimin e funksioneve diskrecionale që, sipas administratës, është më mirë t’u kalojnë shteteve”.

Edhe pse Trump ka premtuar publikisht në fushatën elektorale se do ta mbyllë plotësisht këtë departament, avokatët e tij sqaruan në dokumentet zyrtare se ky nuk është rasti. Sipas tyre, departamenti do të vijojë të ushtrojë funksionet ligjore, por me një staf shumë më të reduktuar.

Departamenti i Arsimit u krijua gjatë administratës së presidentit Jimmy Carter dhe është përgjegjës për shpërndarjen e fondeve federale për shkollat, për menaxhimin e ndihmës studentore dhe për zbatimin e ligjeve të të drejtave civile, përfshirë mbështetjen për studentët me aftësi të kufizuara. Megjithatë, pjesa më e madhe e politikave të arsimit publik në SHBA është kompetencë e shteteve./abcnews.al

Modriç ‘zbarkon’ në Milano/ Milan merr përforcimin e madh për sezonin e ardhshëm

By: Rovena
14 July 2025 at 23:48

Mbërriti thjesht, por pritet të bëjë mrekulli.

Luka Modriç zbriti në aeroportin Malpensa të Milanos, dhe mori rrugën për në qendrën e Milanelos, ndërsa nisi aventura e tij si lojtar i ri i Milanit.

Ylli më i madh i futbollit të Kroacisë për të gjitha kohët përshëndeti tifozët dhe gazetarët duke deklaruar se ishte i lumtur, dhe është një nga përforcimet e para të arritur nga drejtori i ri sportiv, Igli Tare, dhe u kërkuar e pëlqyer nga trajneri Masimiliano Alegri.

Më pas, veterani 39-vjeçar iu nënshtrua vizitave mjekësore në klinikën Madonina, të cilat i përfundoi me sukses, e më pas erdhi firmosja e kontratës.

Klubi kuqezi njofton se akordi është njëvjeçar, deri në 30 qershor 2026, me mundësi për t’u zgjatur edhe për një sezon tjetër.

Ai do të mbajë fanelën me numrin 14, ashtu si tek Totenhemi, ndërsa për 8 sezone tek Reali pati numrin 10.

Modriç vërtet është pranë fundit të karrierës, por pritet ta ndihmojë Milanin me përvojën e tij të jashtëzakonshme, dhe me mentalitetin tepër fitues.

Jo më kot ai u bë lojtari me më shumë trofe në historinë e Realit të Madridit, me 27 tituj, ndër të cilat 6 Champions, 4 La Liga, 5 Superkupa të Europës e gjashtë Kupa të Botës për Klubet.

Milani ka nisur fazën përgatitore nën drejtimin e trajnerit Alegri, dhe Modriç pritet të bashkohet pasi të kalojë disa ditë pushim për shkak të pjesëmarrjes në Kupën e Botës për Klubet.

Synimi është kualifikimi të paktën për në Champions, ndërsa dëshira tjetër e madhe është shqiptari nga Kosova, ylli i ri i Zvicrës, Ardon Jashari./abcnews.al

Ndërtimet pa leje në Theth, Mahmutaj: Rama po rregullon me ligj kaosin e nxitur nga politika

By: Rovena
14 July 2025 at 23:41

Gazetari Fatos Mahmutaj, i ftuar në emisionin “Ora e Fundit” në Abc News, ka komentuar situatën me ndërtimet pa leje në zonën turistike të Thethit, duke e cilësuar si një “katrahurë” të ndërtuar mbi mungesën e zbatimit të ligjit dhe përfitimin nga fushatat zgjedhore.

Sipas tij, shumë qytetarë kanë zgjedhur rrugën e shkurtër për të ndërtuar ilegalisht, duke përfituar nga periudha e qetësisë institucionale gjatë zgjedhjeve. Mahmutaj thekson se qeveria, përmes nismave të rilindjes urbane, po përpiqet të legalizojë këtë realitet me mjete ligjore, një rrugë që ai e cilëson të vështirë, por të domosdoshme në funksion të integrimit europian dhe reformimit të administratës lokale.

“Ndërtimet pa leje në Theth, Rama po rregullon me ligj parregullsitë. Njerëzit zgjodhën rrugën e shkurtër duke bërë ndërtime pa leje. Njerëzit përfituan nga fushata zgjedhore, duke e ditur që gjatë fushatën nuk bëhen lëvizje, dhe marrë shkas nga kjo kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme, në formën e një katrahurë. Kemi Shqipërinë e viteve të fundit që ka pasur një bum turizmi dhe pse mos të investojmë në formën e duhur, të ligjshme. Rilindja urbane, Rama ka zgjedhur një rrugë të vështirë, nuk po them që është e padrejtë. Ai po kërkon një frymë të re.

Rruga që ka zgjedhur që Rama është i vështirë, por mendoj që pas shtatorit do të kemi zhvillime të reja dhe Shqipëria ka aspirata për të shkuar në BE. E mira është që rinovohet gjithçka, populli thotë që uji që qëndron qelbet, pra le të rrjedhe dhe le të qarkullojnë funksionarët që nga niveli qendror dhe nga niveli lokal. Deri tani kishim qoka, nuk kishim as votime dhe as emërime nëpër bashki dhe komuna, të cila ulnin performancën në nivelin më të ulët të mundshëm. Berisha ka dashur gjithmonë përçarje të Shqiptarëve, këtë ka dashur gjithmonë. Berishës i ka ikur koha, nuk duhet marrë në konsideratë”, tha gazetari./abcnews.al

Milot-Balldre, anulohet tenderi/ MIE: Asnjë ofertë nuk plotësonte kushtet e kërkuara

By: Rovena
14 July 2025 at 23:23

Anullohet tenderi për ndërtimin e autostradës Milot-Balldre . Ministria e Infrastrukturës argumenton ne njoftimin e anulimit se asnjë ofertë pjesëmarrëse në garë nuk është vlerësuar e përshtatshme pasi nuk plotësonte kushtet e kërkuara.

Koncesioni për ndërtimin dhe operimin e autostradës Milot Balldre ka një vlerë prej 364.7 milionë lekësh dhe është me një kohëzgjatje prej 35 vitesh.

Gjurma e propozuar e rrugës “Milot-Balldre” ka një gjatësi prej 17 km dhe fillon në nyjën e Milotit, ku do të lidhet me segmentin Milot-Thumanë-Kashar-Lekaj dhe me Rrugën e Kombit, dhe do të përfundojë në rrugën ekzistuese Tiranë –Shkodër, në Balldre./abcnews.al

Dorëheqje masive/ Nga veriu në jug, largohen dhjetëra drejtues nga detyra

By: Rovena
14 July 2025 at 23:13

Ultimatumi i Edi Ramës nisi nga zbatimi.

Tre ditë pasi kryeministri kërkoi shkarkim të zyrtarëve lokalë socialistë, kryetarët e njësive administrative në Bashkinë e Elbasanit dhe bashkinë e Librazhdit i kanë paraqitur dorëheqjen kryetarëve respektive.

Në Lushnje, drejtuesja politike Belinda Balluku ka kërkuar dorëheqjen e 13 administratorëve dhe të drejtorëve. Puna e tyre do ti nënshtrohet vlerësimit të një komisioni të posaçëm, i cili do vendosë nëse do qëndrojnë në detyre apo do largohen.

Në Fier kanë dhënë dorëheqjen të gjithë administratoret e njësive, drejtore të bashkisë dhe drejtorive rajonale.

Në Durrës, nga detyra janë larguar administratorët e pesë njësive administrative së bashku me administratorët e gjashtë rajoneve.

Në Shkodër bashkia konfirmoi dorëheqjen e të gjithë administratorëve, te e 10 njësive administrative.

Po ashtu, përpara kryetarëve të tyre, dorëheqjen e kanë paraqitur edhe 6 administratore të Bashkisë së Korçës dhe 3 të Bashkisë së Kolonjës dhe 4 të Devollit.

Ata do të qëndrojnë në detyrë deri kur të zëvendësohen ndërkohë që burime për ABC Neës konfirmojnë se nuk do të ketë largime të nënkryetareve.

Në ditët në vijim mësohet se kryeministri Edi Rama do të vizitojë qarkun e Korçës.    Dorëheqjen e kanë dhënë edhe 7 administratorë në Bashkinë e Gjirokastrës.

Në Kukës, dy nënkryetarët e Bashkisë dhe 14 drejtuesit e njësive administrative u shkarkuan nga kryebashkiaku Albert Halilaj.

Kjo valë dorëheqjesh vjen pas një procesi të gjerë riorganizimi dhe vetëpastrimi të administratës vendore, me qëllim rritjen e efikasitetit, transparencës dhe shërbimeve publike ndaj qytetarëve. Kjo do ti hapë rrugë emërimeve të reja, që siç ka deklaruar kryeministri, do të kryhen mbi bazën e meritokracisë dhe integritetit profesional.

Në takimin me kryebashkiakët të premten, Rama paralajmëroi se do të punësojë specialiste si dhe do të emërojë në postë drejtuese edhe demokratë./abcnews.al

 

 

Zbulohet hepatiti A në fruta të ngrira të malit nga Serbia në tregun gjerman

By: Rovena
14 July 2025 at 22:29

Në frutat e ngrira të malit, me prejardhje nga Serbia dhe të destinuara për tregun gjerman, është zbuluar prania e virusit të hepatitit A, thuhet në faqen zyrtare të Sistemit Evropian për Alarme të Shpejta për Ushqimin (RASFF).
Paralajmërimi është lëshuar më 10 korrik, ndërsa mostrat janë marrë më 15 maj të këtij viti.
Rreziku është vlerësuar si “serioz”. Hepatiti A është inflamacion i mëlçisë i shkaktuar nga virusi i hepatitit.

Ky virusi përhapet kryesisht kur një person i painfektuar (dhe i pavaksinuar) konsumon ushqim ose ujë të ndotur me jashtëqitje të një personi të infektuar. Sëmundja është ngushtësisht e lidhur me ujë ose ushqim të pasigurt, kushte të pamjaftueshme sanitare dhe higjienë të dobët personale, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ndryshe nga hepatiti B dhe C, hepatiti A nuk shkakton sëmundje kronike të mëlçisë, por mund të shkaktojë simptoma nga të lehta deri në të rënda dhe rrallëherë hepatit fulminant (dështim akut i mëlçisë), i cili shpesh është fatal.

❌
❌