Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 July 2025Main stream

Prokuroria e Prishtinës jep sqarim për arrestimin e zyrtarit të Regjistrimit Civil për marrje ryshfeti

14 July 2025 at 23:42

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar për arrestimin e një zyrtari publik të Qendrës së Regjistrimit Civil, i cili dyshohet për marrje ryshfeti.

Në njoftimin zyrtar thuhet se arrestimi është kryer nga Departamenti i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Njësinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

“I dyshuari, zyrtar në Qendrën e Regjistrimit Civil, dyshohet se ka kërkuar dhe pranuar përfitim pasuror në këmbim të një shërbimi zyrtar,” thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet ndaj tij janë duke vazhduar.

Prokuroria ka theksuar përkushtimin e saj në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit, duke siguruar mbrojtjen e interesit publik.

The post Prokuroria e Prishtinës jep sqarim për arrestimin e zyrtarit të Regjistrimit Civil për marrje ryshfeti appeared first on Telegrafi.

Yesterday — 14 July 2025Main stream

Arratisja si nëpër filma në Sarandë, u hodh në det me çantën misterioze

14 July 2025 at 21:09

Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për tre të rinj nga Kamza, të ndaluar të premten mbrëma në qytetin bregdetar teksa lëviznin me një automjet luksoz “Porsche Panamera”.

Me kërkesë të prokurores Hava Memko, gjyqtari Fatmir Ndreu vendosi sot ndalimin me burg për Endrit Doku (27 vjeç), Ervis Cukali (27 vjeç) dhe Imer Gega (21 vjeç).

Gjatë ndalimit nga forcat “Shqiponja” të Komisariatit të Policisë Sarandë, në rrugën “Butrinti”, njëri prej të ndaluarve, Endrit Doku, tentoi t’i shpëtonte policisë duke u hedhur në det bashkë me një çantë.

Ai u kap nga një mjet i policisë kufitare, ndërsa një polumbar arriti të gjejë në thellësi çantën që përmbante një armë zjarri (pistoletë).

Ndaj Dokut rëndojnë akuzat për “mbajtje pa leje të armëve të zjarrit” dhe “kundërshtim të punonjësit të rendit publik”. Ndërsa dy personat e tjerë, Cukali dhe Gega, u arrestuan për “moskallëzim të krimit” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Nga verifikimet rezultoi se Ervis Cukali ishte në kërkim prej dy vitesh për akuzat “sigurim i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve luftarake”, lidhur me një ngjarje në Fier ku u zbuluan 21 kilogramë tritol, raporton tch.

The post Arratisja si nëpër filma në Sarandë, u hodh në det me çantën misterioze appeared first on Telegrafi.

Lul Raka në Ukrainë për të ndihmuar sistemin shëndetësor

14 July 2025 at 19:56

Lul Raka, mikrobologu, ka njoftuar se është duke qëndruar Ukrainë në një mision të organizuar nga “Columbia University” i New York-ut, për të ndihmuar sistemin shëndetësor.

Raka ka thënë se ky mision ka për qëllim forcimin e kapaciteteve të sistemit të shëndetit publik në Ukrainë, veçanërisht në fushat kritike si kontrolli i infeksioneve.

“Me ftesë të Universitetit Columbia të Nju Jorkut, jam në një mision të shkurtër në Ukrainë, në kuadër të një projekti të mbështetur nga Centers for Disease Control (CDC) të ShBA-së”, tha ai për Kanal10.

“Ky projekt ka për qëllim forcimin e kapaciteteve të sistemit të shëndetit publik në Ukrainë”, ka thënë Raka.

The post Lul Raka në Ukrainë për të ndihmuar sistemin shëndetësor appeared first on Telegrafi.

Gjykata i kërkoi Qeverisë të formoi komisione për rishikimin e listës së veteranëve

14 July 2025 at 17:45

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtorë dhjetë nga të akuzuarit në rastin e njohur si “Veteranët”, ndërsa ka liruar nga aktakuza Nuredin Lushtakun dhe Smajl Elezajn, pasi sipas trupit gjykues ata nuk kanë pasur cilësinë e personit zyrtar.

Agim Çeku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari u shpallën fajtorë për veprime në kundërshtim me ligjin dhe me rregullat e përcaktuara nga Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve të UÇK-së, duke ua mundësuar personave të tjerë të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit.

Ata u dënuan me nga një vit burgim, i cili duhet të ekzekutohet brenda 15 ditësh nga shpallja e vendimit.

Trupi gjykues përbëhej nga Gazmend Bahtiri (kryetar) dhe anëtarët Ngadhnjim Arrni e Kushtrim Shyti, ndërsa aktakuza përfaqësohej nga prokurori Valdet Gashi.

Kryetari i trupit gjykues, Gazmend Bahtiri tha se Qeveria e Kosovës obligohet që brenda një viti të krijojë komisione të reja për të rishqyrtuar listën e personave aplikues për statusin veteran-luftëtarë, listë kjo me 19,500 persona.

“Të akuzuarit Agim çeku, Sadik Halitjaha, Shkumbim Demalia, Qelë Gashi, Shuklri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha,Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari janë fajtorë për veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të kodit penal të Republikës së Kosovës dhe gjykata në bazë të dispozitave të kodit të procedurës penale të kodit penal të Republikës së Kosovës të akuzuarit i gjykon me dënim me burgim secilin veç e veç me kohëzgjatje prej 1 viti. Obligohet Qeveria e Republikës së Kosovës që të formojë komisione përkatëse që në procedurë administrative të bëj rishqyrtimin e listës prej 19,500 personave aplikues veteran luftëtarë si në shtojcën e aktakuzës së prokurorisë speciale në afat prej 1 viti pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë”, tha ai.

Ai po ashtu theksoi arsyet se pse dy nga të akuzuarit u shpallën të pafajshëm.

“Të akuzuarit Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj, me shënime personale si në shkresa të lëndës, në kuptim të nenit 363 paragrafi 1 pika 1.3 lirohen nga akuza për shkak se nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për arsye se të njëjtit nuk e kanë pasur asnjëherë cilësinë e personit zyrtar”, tha ai.

Trupi gjykues deklaroi se qeveria pas përfundimit të rishqyrtimit të aplikimeve për statusin veteran- luftëtar, duhet të shpallë vlefshmërinë e statusit.

The post Gjykata i kërkoi Qeverisë të formoi komisione për rishikimin e listës së veteranëve appeared first on Telegrafi.

Kosova pranohet anëtare me të drejta të plota në EQAR

14 July 2025 at 17:34

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) është pranuar si anëtare me të drejta të plota në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), pas një vlerësimi të suksesshëm nga ekipi i pavarur i Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë (ENQA).

Në një letër zyrtare të datës 8 korrik 2024, Presidenti i EQAR-it, Stéphane Lauwick, njoftoi Drejtorin e Përgjithshëm të AKA-së, Naim Gashi, për miratimin e aplikimit të ripërfshirjes së Kosovës në këtë mekanizëm evropian.

“Aplikimi juaj është aprovuar dhe përfshirja juaj do të jetë e vlefshme deri më 31 dhjetor 2029. Ju lutem pranoni urimet e mia për aplikimin tuaj të suksesshëm dhe përgëzimet e mia të përzemërta për punën tuaj në emër të të gjithë anëtarëve të Komitetit të Regjistrit”, thuhet në letrën e EQAR-it.

EQAR përfaqëson autoritetin më të lartë evropian që regjistron agjenci të sigurimit të cilësisë që veprojnë në përputhje me standardet evropiane për arsimin e lartë (ESG).

Anëtarësimi në këtë regjistër konfirmon përmbushjen e standardeve më të larta evropiane nga ana e AKA-së dhe rrit ndjeshëm kredibilitetin dhe besueshmërinë e arsimit të lartë në Kosovë.

Ky zhvillim do të ndikojë drejtpërdrejt në njohjen ndërkombëtare të diplomave të studentëve kosovarë, të cilat tashmë do të konsiderohen si të barasvlershme me diplomat e vendeve të BE-së. Kjo ka rëndësi jetike si në aspektin akademik, ashtu edhe profesional, duke u garantuar studentëve dhe punëdhënësve cilësi dhe standard ndërkombëtar.

Përveç përfitimeve për studentët, anëtarësimi në EQAR u hap dyer të reja edhe institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë për pjesëmarrje të plotë në programet evropiane për edukim, përfshirë mundësitë për partneritete, projekte të përbashkëta, financim dhe ndërkombëtarizim.

Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, prof. Hasnije Ilazi, theksoi rëndësinë e këtij momenti duke e quajtur “një sukses nacional dhe një arritje kolosale për studentët dhe të diplomuarit kosovarë”.

Ajo vuri në pah faktin se Kosova është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që arrin këtë status prestigjioz.

Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i AKA-së, Naim Gashi, deklaroi se ky sukses është rezultat i një procesi të gjatë dhe të planifikuar.

“Në vitin 2020 hartuam planin për përmbushjen e 14 standardeve. Pas pranimit si affiliate në ENQA në shtator 2022 dhe aplikimit në EQAR në dhjetor 2023, më 1 korrik 2024 një ekip prej pesë ekspertësh ndërkombëtarë vizitoi Kosovën dhe dha vlerësim pozitiv”, sqaroi Gashi.

Të dy zyrtarët falënderuan Bordin e AKA-së, stafin profesional, Ministren e Arsimit Arbërie Nagavci, si dhe institucionet shtetërore, shoqërinë civile, donatorët dhe agjencitë partnere ndërkombëtare, me theks të veçantë për mbështetjen nga agjencitë homologe të Kroacisë, Austrisë dhe Gjermanisë.

Ky pranim e vendos Kosovën në një pozitë të barabartë me vendet evropiane në fushën e sigurimit të cilësisë në arsim, dhe e përforcon rolin e AKA-së si një institucion kredibil dhe i besueshëm, jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe ndërkombëtar.

The post Kosova pranohet anëtare me të drejta të plota në EQAR appeared first on Telegrafi.

Moisiu: Kemi 113 vjet shtet dhe ende s’kemi bërë shtet, bajraktarizmi na ka penguar

13 July 2025 at 23:47

Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në moshën 95-vjeçare, ka folur hapur për krizën e vazhdueshme politike dhe institucionale në vend.

Moisiu tha se edhe pas më shumë se një shekulli shtet, Shqipëria ende nuk ka arritur të ndërtojë institucione solide.

“Kemi 113 vjet shtet dhe ende nuk mund të themi që kemi bërë shtet,” deklaroi ai, duke theksuar se pengesat më të mëdha janë mentaliteti i bajraktarizmit dhe mungesa e një administrate të qëndrueshme.

Sipas Moisiut, krizat e përsëritura politike vijnë nga fakti që njerëzit e gabuar kanë marrë drejtimin e vendit.

“Populli jonë gjithmonë ka dashur demokracinë, por për fat të keq, na kanë dalë në krye ata që nuk duhet të dilnin,” u shpreh ai.

Ai kritikoi edhe mënyrën se si zhvillohen zgjedhjet në vend.

“Kemi 35 vjet demokraci dhe ende nuk dimë të bëjmë zgjedhje. Ata që i kërkojnë elektronike, nuk i duan. Si shpjegohet kjo punë? Një dreq e di,” tha Moisiu.

Duke kujtuar përvojën e tij si ministër i Mbrojtjes në zgjedhjet e para pluraliste, Moisiu tregoi sesi atëherë kishin funksionuar strukturat për të garantuar raportimin e rezultateve, ndonëse mungonte infrastruktura moderne. “Sot nuk merret vesh. Ndodhin këto gjëra apo sajohen?” pyeti ai.

Në lidhje me krizën e alternativave politike, Moisiu tha se zhgënjimi në popull është i thellë.

“Në vend që të përmirësojmë shtetin, ne e kemi dobësuar. Ne nuk besojmë më te administrata publike sepse sa herë ndërrohet qeveria, gjithçka fillon nga e para.”

Ai kujtoi se gjatë mandatit të tij presidencial kishte ruajtur të paprekur administratën e zyrtarëve teknikë.

“Kur jam zgjedhur president, thirra sekretarët e përgjithshëm dhe i thashë: nuk prek asnjërin.”

Në fund, Moisiu kritikoi edhe mënyrën sesi pushteti ekzekutiv ndërron strukturat shtetërore.

“Çohet kryeministri dhe bën batërdinë, i ndërron të gjithë drejtorët. Ka një arsye, se kot nuk reagon. Por ndonjëherë, këto masa janë të ekzagjeruara.”

Deklaratat e Moisiut vijnë në një moment të debatit të fortë për krizën politike dhe mungesën e besimit në institucionet shqiptare.

Në fund ai apelon për një marrëveshje ndërpartiake që të mbrojë shtetin nga abuzimi dhe fragmentimi institucional./A2CNN.

The post Moisiu: Kemi 113 vjet shtet dhe ende s’kemi bërë shtet, bajraktarizmi na ka penguar appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

Rrëfimi i fundit i ish ambasadorit gjerman për para se të ndërronte jetë: Ushtria shqiptare donte të sulmonte ambasadat

13 July 2025 at 21:44

Më 2 korrik 1990, mbi 5 mijë shqiptarë sfiduan një nga regjimet më të egra të Europës Lindore, duke hyrë në ambasadat perëndimore në Tiranë në kërkim të lirisë.

Rreth 3.199 prej tyre u strehuan në ambasadën e Gjermanisë, e cila u kthye në simbol të shpresës dhe rebelimit ndaj frikës.

Në qendër të asaj ngjarjeje që hyri në histori, ishte ambasadori gjerman Werner Daum, një diplomat që zgjodhi të veprojë ndryshe nga udhëzimet zyrtare.

Në një intervistë të gjatë dhe të ndjerë, ambasadori kujton se si mori vendimin të linte derën e ambasadës gjermane pak të hapur, pasi ndjente se populli shqiptar ishte në prag të shpërthimit kundër një regjimi të kalbur dhe mizor.

Ai pa me sytë e tij ndryshimin që po ndodhte në mendjet dhe zemrat e njerëzve, sidomos të rinjve.

Pa autorizim nga Berlini, Daum mbrojti të strehuarit në ambasadë dhe organizoi transportin e tyre drejt Gjermanisë, duke sfiduar njëherësh një shtet që ende përpiqej të ruante kontrollin me dhunë.

“E dija se ishim në rrezik të madh. Ushtria shqiptare donte të sulmonte ambasadat. Por e ndjeja gjithashtu që kishte ardhur momenti – dhe ajo derë e hapur ishte shkëndija”, tha ai.

Në rrëfimin e tij, ish-ambasadori e përshkruan Shqipërinë e asaj kohe si një teatër absurd ku populli luante nën trysninë e frikës. Ai pranon se ndihma që ofroi nuk ishte vetëm humanitare, por edhe politike – një akt që besonte se do të ndihmonte në rënien e një regjimi që i ngjante më shumë një burgu gjigant.

Werner Daum shprehet se është krenar që ishte pjesë e atij momenti historik.

Ai mbetet një emër i respektuar në kujtesën kolektive të shqiptarëve – një mik që nuk harrohet.

Sot, Shqipëria ecën drejt Bashkimit Europian dhe, sipas tij, ëndrra e atyre mijëra njerëzve që hynë në ambasadë nuk ka qenë e kotë.

“Shqipëria është tashmë pjesë e botës së lirë. Dhe e ardhmja është në duart e brezit të ri”, u shpreh ai në Top Channel.

The post Rrëfimi i fundit i ish ambasadorit gjerman për para se të ndërronte jetë: Ushtria shqiptare donte të sulmonte ambasadat appeared first on Telegrafi.

Përplasen dy motorë uji në Golem, lëndohet një 31-vjeçar nga Kosova

13 July 2025 at 19:55

Një aksident në det është regjistruar pasditen e sotme në Golem, ku janë përplasur dy motorë uji, duke lënë të lënduar një 31-vjeçar nga Kosova.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:36, në zonën detare të quajtur “Manhatan”, rreth 800 metra larg perimetrit të sigurisë, që nuk është zonë e dedikuar për plazhin, por për lundrim.

Sipas informacioneve zyrtare, shtetasi S. D., 25 vjeç, lindur në Çorovodë, duke drejtuar një motor uji, është përplasur me një tjetër motor uji që drejtohej nga shtetasi P. B., 31 vjeç, lindur në Kosovë.

Si pasojë e përplasjes, P. B., ka pësuar lëndime dhe është transportuar menjëherë në spital nga Policia Kufitare që po monitoronte zonën detare.

Fatmirësisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, drejtuesi tjetër, S. D., është shoqëruar në Komisariatin e Policisë për veprime të mëtejshme procedurale.

Sipas verifikimeve paraprake, rezulton se të dy po lundronin së bashku dhe ishin të pajisur me jelekë shpëtimi.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit detar.

The post Përplasen dy motorë uji në Golem, lëndohet një 31-vjeçar nga Kosova appeared first on Telegrafi.

Dënohen shqiptarët vëlla e motër në Britani me 5 dhe 6 vite burg: “Spiunazh” me informacione nga bursa

13 July 2025 at 19:37

Karriera e shkëlqyer e një shqiptari në Londër si analist i tregjeve financiare është ndërprerë, pasi ai dhe e motra u dënuan për përdorim të informacioneve të brendshme për përfitime monetare.

Sipas agjencisë Reuters, të cilës i referohet Top Channel, Redinel Korfuzi, 38 vjeç i lindur në Tiranë, drejtoi skemën dhe i dha informacione motrës së tij Oerta Korfuzi, 36 vjeçe e lindur në Dibër, duke përfituar nga tregtimi aksioneve 1 milion stërlina.

Redinel Korfuzi, një ish-analist kërkimi me një pagë vjetore prej 500,000 paund në vit, u dënua me 6 vite burg. Motra e tij Oerta u dënua me pesë vjet burg.

Gjatë procesit gjyqësor ata mohuan akuzat por u shpallën fajtorë nga një juri për komplot për të kryer tregti të brendshme dhe pastrim parash, pas një gjyqi tre mujor në Gjykatën Southark të Londrës.

Autoriteti i Sjelljes Financiare (FCA), që e ndoqi çështjen penalisht, tha se dyshja kishte përdorur aksesin e Korfuzit në informacione të brendshme për të “manipuluar sistemin dhe kënaqur lakminë e tyre”.

Ata përfituan nga informacione konfidenciale të 13 kompanive duke blerë e shitur aksione tek këto kompani dhe marrë një fitim pothuajse 1 milion paund. Redinel Korfuzi merrte informacione të brendshme rreth planeve të kompanive për të ngritur kapital ose për të shitur blloqe të mëdha aksionesh të zotëruara nga aksionerë ekzistues.

Ai tregtonte aksionet përmes disa llogarive, përfshirë ato të motrës së tij – për të cilën gjykata dëgjoi se ishte e vetëdijshme për mashtrimin.

Tek sa lexoi masën e dënimit Gjykatësi Alexander Milne i tha se: “Kjo ishte lakmi dhe arrogancë. Gjithçka për të cilën keni punuar, tani ka marrë fund. Asnjëherë më nuk do t’ju besohet të tregtoni.Të dy menduat se ishit shumë të zgjuar për t’u kapur.”

“Nuk ka dyshim tha gjykatësi se ishit të suksesshëm në rolin tuaj, dhe shefi juaj i mëparshëm foli për ju me admirim. Gjykatësi u tha të dyve se “nuk ju shkoi mendja” se tregtia nga llogari të ndryshme duke përdorur të njëjtën adresë IP kompjuteri, do të linte “gjurmë digjitale”.

Gjatë dy viteve, të dy kishin fituar shuma të mëdha parash që nuk mund të justifikoheshin.

The post Dënohen shqiptarët vëlla e motër në Britani me 5 dhe 6 vite burg: “Spiunazh” me informacione nga bursa appeared first on Telegrafi.

Bllaca mes EULEX-it dhe Beogradit: Si kërkonte lirimin përmes prokurorit serb dhe ndikimit në Bruksel

10 July 2025 at 23:30

Në episodin e parafundit të ciklit “Brenda laptopit të Bllacës, nga kush kontrollohej agjenti i dyfishtë?” në emisionin Debat Plus, janë publikuar detaje nga komunikimet e Nazim Bllacës, dëshmitarit të shumëproceseve gjyqësore në Kosovë.

Sipas përgjimeve të publikuara, Bllaca i shprehte shqetësimet hetueses së EULEX-it, Zdenka Pumper, për bllokimin e rastit “Bllaca 4”.

Ai tregon asaj se do t’i dërgojë një letër përmes mikut të tij, Gjinoviq Radosllavit, prokurorit serb Miljko Radosavljeviq, me qëllim që ky i fundit ta përcjellë letrën drejt Brukselit.

Bllaca:  A po të pengoj diçka?

Zdenka: Jo, jo jo…

Bllaca: Dëgjomë, unë kam fol me Gjino, dhe ai thotë që e do komentin  në ora 9 të hënën. Unë e çoj në tavolinë te Mirko, a po kupton? Sepse atë dokumentin tim, a e kupton? Dhe ai do të thërras menjëherë…a e kupton?

Zdenka: Jo, nuk e kuptoj se çfarë dokumenti.

Bllaca: Tash kam fol me Gjinoviqin, ai thotë bone dokumentin që të bllokohet aty puna, i kam thanë Alleni mundet me kry komplet landën dhe çoje në Prokurori, mirëpo tash në Prokurori ka dal një guri i madh, a po kupton?

Zdenka: Më fal por nuk po të kuptoj.

Bllaca: Dëgjomë, unë kam fol tash, i kam thanë Alleni punon me ekipin dhe e ka kry landën për arat.

Zdenka: Po, po e kuptoj.

Bllaca: Po, tash ai e kalon te Prokuroria.

Zdenka: Po, tash veç është bë.

Bllaca: Po, është kry por ku është poenta? Poenta është se Prokuroria po ma bllokon punën, nuk don me shku deri në fund. Ai thotë shkruaje dokumentin me ma çu dhe unë do ta dërgoj në Bruksel direkt. Tash, të hënën shkon në Bruksel në orën 10 Gjino, dokumenti im.

Zdenka: Kur shkon?

Bllaca: Në ora 10 shkon dokumenti. Pse ky njeri don me dal prej procesit, a e kupton? Ne dojmë llogari pse, ku është problemi?

Zdenka: Ani, ata kanë me kërku prej Brukselit.

Sipas këtyre bisedave, Gjino, i përmendur nga Nazim Bllaca, kishte lidhje të forta brenda EULEX-it. Këto lidhje arrinin deri te zyrtarë shumë të lartë, përfshirë Allen Eduarsin, i cili ka shërbyer si shef i hetimeve në Njësinë për Hetimin e Krimit të Organizuar në EULEX.

Kjo konfirmohet edhe nga regjistrimi audio mes Bllacës dhe Pumper.

Bllaca: Po, po. A e din çka më tha? Më tha a je gjallë, ku ke qenë? Unë i thashë po don me më vra EULEX-i, po don me m’rreh EULEX-i. Ai veç keshi. Ai tha jo bre. Derisa të jetë gjallë Allen Eduards, mos u brengos, mos mendo për këtë punë – kështu më ka thanë ai.

Zdenka: Ndoshta edhe mua dojnë…

Bllaca: Tash unë për 2-3 orë e bëjë gati edhe e çoj të hënën.

Zdenka: Atëherë shkon të hënën në ora 10 në Bruksel.

Bllaca: Po, po

Zdenka: Zyrtarisht thua ashtu?

Bllaca: Po, po. Kjo shkon formalisht. Ai do të thërras direkt. Ai flet direkt çka bëhet nëse del ky njeri prej procesit. Natyrisht, kjo është goditje e madhe, a e kupton? Edhe shkruaj krejt, që kam punu edhe nuk kam flejt hiç prej pram.

Zdenka: Veç me pa, a e kam kuptu mirë. A i keni thanë atij se ju planifikoni, kur është ajo të enjten, kur takohemi, që ju do të shkoni te mediat?

Bllaca: Po, po. Ai thotë që çoje gjithçka me shkrim.

Zdenka: Unë për këtë po flas.

Bllaca: Dëgjomë, ai thotë se kjo nuk guxon me ndodh. Nuk mundemi me shku te kjo pikë sepse kemi investuar shumë në këto punë. A më kupton?

Zdenka: Po.

Bllaca: Tash do ta shkruaj dhe do ta çoj në shqip sepse ai e ka dikënd prej Shqipërisë aty që ia përkthen. Ka disa gra që punojnë aty, e din qysh funksionon aty. Veç dashta me të lajmëru.

Zdenka: Mirë që më ke lajmru, unë do t’iu tregoj edhe poshtë.

Në letrën “Çështja për tu trajtuar: ndihmë në zhbllokimin e situatës përmes Brukselit”, drejtuar prokurorit për krim të organizuar në Serbi, Miljko Radosavljeviq, Bllaca shprehet qartë se ai nuk do të dëshmojë më kundër Azem Sylës – në rastin Bllaca 4 – nëse nuk lirohet me kusht.

“Që nga prilli i vitit 2013 kam kam filluar të bashkpunoj me hetuesen Zdenka ne lidhje me çështjen  e pronave dhe kemi bashkpunuar pothuajse 20 muaj  dhe jam  shume i knaqur me bashkpunimin qe kam pas me Zdenken ne lidhe  me rastin e Azem Syle dhe kunder 9 personav tjerë.Pasi Zdenka ka perfunduar hetimet në lidhej  me pronat  dhe mashtrimi ndaj disa familjeve serbe ku bëhet  fjal  për  milion  euro   lënda ka përfunduar  fazen e hetimeve dhe shefi i policis me siguri.z.Alan  Edëars ka dorzuar në prokurori kete rastë për  10 persona jane pjes e krimit te organizuar. Lendën në prokurori  është duke e udhëheç Danilo Cecarelli prokuror special nga Eulex. Une jam takuar me kete pëson  dhe i kam then nëse  Ju z.Danilo nuk me lironi me kusht që unë e kam fituar  këtë  të drejt ather  unë  nuk  guxoj  të deshmoj kunder Azem Syles  dhe të tjerve sepse  Une në Pavionin D  jam  nën kontrrolit   e  Hajredin Kuqit  dhe Azem Syles  unë nuk  guxoj se me  vrasin si Agim Zogajn. Po të  donte  Brukseli  pasi une  kam  plotsuar  kriterin per  tu  liruar  Brukseli  do  ta zhbllokonte  situaten  dhe  do  te  me  lironte   permes  Hajredin  Kuqit  automatikisht”, thuhet në letërn e Bllacës.

Bllaca shpëtimin e kërkon në Beograd.

“Une  i  kam  thën  pasi  ju   nuk  keni fuqi  të  me  lironi  me  Kusht  Unë  Nazim Bllaca  do  të  terhiqem  se nuk guxoj  të  dëshmoj  kunder  Azem Syles a  në  realitet  Azem  Syla  dhe  partia e  tij  mua  me  japin  bukë  në  Dubravë. Unë  Nazim  Bllaca  pas  5 vitetve  bashkpunim  me  Eulexi-in  do  të  terhiqem  zyrtarish dhe  publikish  pa  vullnetin  tim  nga  rasti  Bllaca  4  kundër  Azem  Syles  dhe  të  tjerve. Takimi  mes  meje  dhe  z.Danilo  do  të  jetë  me  21  janar  2015  ne  Fush Kosovë  ku  zyrtarisht  do  te  terhiqem. Une  po  kërkoj  nga  ju  z.Radosavleviç  ndihmë     që  ju  te  intervenoni në  Bruksel  dhe  ata  ti  pyetni  pse  po  perzihet  politika   ne  rastin  Bllaca  4  në  krye  me Hashim Thaqit   për  mos  me  lirue  Bllacen nga  Burgu. Une  kerkoj  nga  Ju  që  ju të  pyetni  z.Jerosllava –kryeprokurore ,Danilon –prokuror dhe Alan Edwars-shef policie    se  a  ka  nderhy  politika  kunder  Bllaces  apo jo   veç  pèr  arsye  mos  me  fillu  procesi  Bllaca 4  sepse  ka  te  bej  me  profilin  e  lartët  politke”, thuhet më tej në letrën e Bllacës drejtuar prokurorit serb.

Bllaca në këtë letër thotë se Radosavljevici është personi i cili mund të ndikoj në Bruksel për ta liruar nga burgu.

“Ju lutem z.Radosavljevic ju  jeni    person  i cili  mund  të  ndikon  ne  Brkusel  lidhur  me  lirmin  tim  se  pa u   liruar  unë  nuk do  burgoset  kurrë  Azem Syla dhe  ju  e  di  dhe   keni  arsye  se  familjet  serbe  nga  Serbija  janë  viktima   të  grupi të Azem Syles. Dhe  ne  fund  kerkoj  nga  ju  intervenim  direkt ne  Bruksel  se  këtu  ne  Kosove  por  ka  edhe  ne  Eulex  disa  persona  që  kan  deshir  të  deshtoi  rasti  BLLACA  4.Ju  falenderoj  per  mirkuptim  i  nderuari  z.Radosavljevic dhe  kete  leter  ju  lutem  mund  ta  perdoreni  si  deshmi  edhe  ne  Bruksel në  emer  timin”, thuhet në letërn e Bllacës.

Bllaca u bë i njohur për publikun kosovar më 2009, kur doli në një konferencë të jashtëzakonshme për media, duke u vetëshpallur si agjent i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) dhe pretendimeve se informacione për vrasjet e pasluftës, raporton RTVDukagjini.

The post Bllaca mes EULEX-it dhe Beogradit: Si kërkonte lirimin përmes prokurorit serb dhe ndikimit në Bruksel appeared first on Telegrafi.

Zhupa: Në Theth luhet me disa investitorë strategjikë austriakë që duan zonën e boshatisur

10 July 2025 at 23:26

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar për situatën e fundit në Theth, duke akuzuar qeverinë për mungesë transparence dhe përfshirje në interesa të dyshimta.

“E para është arroganca e një pushteti në mandatin e katërt, që nuk i intereson asgjë. Nuk i intereson imazhi i Shqipërisë, nuk i intereson jeta e qytetarëve dhe nuk i intereson zbatimi i ligjit. Kjo ndodh sepse nuk e var fatin politik te qytetarët,” u shpreh Zhupa në A2CNN.

Duke iu referuar informacioneve që ajo thotë se posedon, Zhupa deklaroi se “në Theth po luhet me disa investitorë strategjikë, të cilët e duan zonën të boshatisur”.

Sipas saj, këta investitorë janë “me shumë mundësi austriakë”.

“Se cilët janë do t’i shikojmë në ditët në vijim. Asnjë lëvizje e Edi Ramës nuk është lëvizje për interes qytetar, por gjithmonë janë lëvizje që kanë mbrapa një interes klientelist. Mund të jetë lobim ndërkombëtar, mund të jenë para ‘cash’, mund të jenë interesa të lidhura me familjarë të tij, por asnjëherë nuk bën lëvizje për interes të qytetarit,” theksoi Zhupa.

Deklaratat e saj vijnë në një kohë kur zhvillimet në Theth kanë ngjallur debate dhe shqetësim publik lidhur me të ardhmen e zonës dhe menaxhimin e saj.

The post Zhupa: Në Theth luhet me disa investitorë strategjikë austriakë që duan zonën e boshatisur appeared first on Telegrafi.

Avokati Berisha thotë se Agon Zejnullahu nuk është ngufatur nga policia

10 July 2025 at 20:49

Besnik Berisha, avokat i njërit nga pesë policët e arrestuar në rastin e vdekjes së Agon Zejnullahut, ka deklaruar se sipas të dhënave që ka, viktima ka pasur së paku tri lloje gjakderdhjesh, dhe se nuk bëhet fjalë për vdekje nga ngulfatja nga Policia.

Në një intervistë në emisionin “Frontal” në T7, Berisha tha se bëhet fjalë për gjakderdhje cerebrale, pulmonare dhe kardiake.

“Dyshohet që ka pasur edhe gjakderdhje cerebrale. Po ta them këtë ty këtu, unë ta them ekskluzivisht – trupi i tij ka tri gjakderdhje të konstatuara: gjakderdhje cerebrale, pulmonare dhe kardiake. Unë po ta them ty këtu, a kam informacion apo po qes fall, le të mbetet në emision”, tha ai.

Berisha mohoi se vdekja e Zejnullahut ka ardhur si pasojë e ngulfatjes gjatë ndërhyrjes së Policisë, ashtu siç është aluduar në disa raportime.

Ai theksoi se do të presin rezultatet zyrtare të autopsisë për të sqaruar plotësisht rrethanat e vdekjes së të riut.

The post Avokati Berisha thotë se Agon Zejnullahu nuk është ngufatur nga policia appeared first on Telegrafi.

Licencimi i vëllait nga ZRRE për furnizim me energji, reagon Luan Dalipi

10 July 2025 at 18:31

Luan Dalipi, shef i stafit të Kryeministrit Albin Kurti, ka reaguar ashpër ndaj disa lajmeve të publikuara në media për përfshirjen e tij apo të familjarëve të tij në përfitime të padrejta nga licencimi për tregti me energji.

Në një deklaratë publike, Dalipi i cilësoi këto raportime si “trillime dhe insinuata dashakeqe” nga portale dhe politikanë opozitarë, të cilët – sipas tij – janë rritur në një kohë kur korrupsioni ishte normë.

Ai theksoi se po tentohet të krijohet një barazim i padrejtë midis qeverisjes së tanishme dhe qeverive të mëparshme të korruptuara.

“Ka nga ata që, me zell të veçantë dhe motivim politik, bëjnë çmos për të shpikur skandale – jo për interesin publik, por për ta njollosur Qeverinë Kurti, qeverisjen më të ndershme dhe transparente që ka pasur ndonjëherë jo vetëm Kosova, por mbarë rajoni i Ballkanit Perëndimor,” ka shkruar Dalipi.

Ai ka përmendur disa tituj të portaleve që e përmendin atë dhe vëllain e tij në kontekst të licencimit nga ZRRE për tregti me energji, duke i quajtur si shembuj të gazetarisë që udhëhiqet nga interesa të ngushta financiare dhe nostalgji për kontratat njëburimore të së kaluarës.

Për të sqaruar publikun, Dalipi ka renditur disa fakte:

Numri i licencave për tregti me energji nuk është i kufizuar.

Blerja dhe shitja e energjisë bëhet brenda sektorit privat, pa ndërhyrje politike.

Më shumë kompani të licencuara rrisin konkurrencën dhe ulin çmimet.

Bizneset zgjedhin vetë furnizuesin e energjisë.

Ai ka theksuar gjithashtu se, ndryshe nga qeveritë e kaluara, Qeveria Kurti ka ulur ndjeshëm shpenzimet për media. Sipas tij, gjatë qeverisjes së partive tjera si AAK, PDK dhe LDK, shpenzimet për kontrata njëburimore me media kanë qenë shumë më të larta sesa në kohën e Vetëvendosjes.

“Qeveria nuk blen heshtjen, dhe kjo duket i shqetëson disa,” shkroi Dalipi.

Në fund të reagimit, ai fton qytetarët të mos bien pre e manipulimeve mediatike dhe thekson se historia e tij profesionale është ndërtuar mbi integritet dhe punë të ndershme, përfshirë edhe përvojën në Departamentin Amerikan të Tregtisë.

“Mos lejoni që të manipulohet me emocione dhe tituj bombastikë,” përfundon ai.

The post Licencimi i vëllait nga ZRRE për furnizim me energji, reagon Luan Dalipi appeared first on Telegrafi.

Arrestohen tre persona në Pejë, Policia u sekuestron armë

10 July 2025 at 18:24

Tre persona janë arrestuar më 10.07.2025 në Pejë nën dyshimet për veprat penale “mbajtje nё pronёsi, kontroll ose posedim tё paautorizuar tё armёve” dhe “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës dhe bëri të ditur se të njëjtit janë arrestuar pas një raportimi për të shtëna me armë zjarri në bjeshkën e Strellcit më datë 08.11.2024.

“Njёsitet relevante tё Stacionit Policor nё Deçan kanë shkuar nё atё lokacion në bjeshkën e Strellcit dhe në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar katërmbëdhjetë (14) gëzhoja cal. 9 mm,  si prova materiale”- thekson policia.

Pas arrestimit të tyre, në koordinim me Prokurorin e Shtetit është kryer kontroll në shtëpitë e personave të dyshuar aty janë gjetur dhe sekuestruar armë të tipit pistoletë dhe karikatorë.

Ndër të tjera, PK njofton se me vendim tё prokurorit tё shtetit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

The post Arrestohen tre persona në Pejë, Policia u sekuestron armë appeared first on Telegrafi.

“Ti je polic, por jo Zot me ma marrë shpirtin”, familja e Agon Zejnullahut thërret protestë

10 July 2025 at 16:52

Të shtunën, më 12 korrik, në ora 11:00, para stacionit policor në Lipjan do të mbahet një protestë paqësore me moton “Drejtësi për Agonin”.

Kjo protestë organizohet nga familjarët dhe miqtë e Agon Zejnullahut, 27-vjeçarit i cili humbi jetën në rrethana ende të paqarta gjatë orëve të para të 7 korrikut, gjatë një intervenimi të policisë për arrestimin e tij.

Albani, vëllai i të ndjerit, ka bërë thirrje publike për pjesëmarrje në këtë protestë, duke theksuar se qëllimi është kërkesa qytetare për drejtësi dhe transparencë.

Sipas tij, institucionet kanë dështuar në detyrën më themelore – mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

“Le të jetë kjo hera e fundit që një qytetar humb jetën nga dështimi i atyre që duhet ta mbrojnë,” thuhet në njoftimin e familjes Zejnullahu.

Protesta është paralajmëruar të jetë paqësore dhe jopolitike, me kërkesën kryesore: zbardhjen e plotë të rastit dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve.

Lidhur me këtë rast, pesë zyrtarë policorë tashmë janë paraqitur para gjykatës dhe janë dërguar në paraburgim për një afat prej një muaji.

The post “Ti je polic, por jo Zot me ma marrë shpirtin”, familja e Agon Zejnullahut thërret protestë appeared first on Telegrafi.

Rritet numri i turistëve të huaj që vizitojnë Kosovën

9 July 2025 at 23:57

Numri i turistëve të huaj që kanë vizituar Kosovën është në rritje të vazhdueshme nga viti në vit.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë muajit maj të vitit 2025, në Kosovë kanë hyrë gjithsej 37,300 turistë të huaj, që përfaqëson një rritje prej 19.3% krahasuar me majin e vitit të kaluar, kur numri i vizitorëve ishte 31,268.

Shtetet prej nga vijnë shumica e këtyre vizitorëve janë Shqipëria, Gjermania, Turqia dhe Zvicra.

Në total, gjatë majit 2025 janë regjistruar 61,931 vizitorë në hotelet e vendit, ku 39.7% ishin vendorë, ndërsa 60.2% të huaj.

Kjo përfaqëson një rritje prej 20.1% në krahasim me majin e vitit 2024, kur numri i përgjithshëm i vizitorëve në hotele ishte 51,568.

Sa i përket net-qëndrimeve, në muajin maj janë regjistruar gjithsej 144,265 net-qëndrime, nga të cilat 50.1% janë realizuar nga vizitorët vendorë, ndërsa 49.8% nga turistët e huaj.

Rajoni me numrin më të madh të vizitorëve vendorë ka qenë Peja, me 8,451 vizitorë dhe 31,137 net-qëndrime, duke dëshmuar kështu rëndësinë në rritje të këtij destinacioni për turizmin e brendshëm në Kosovë.

The post Rritet numri i turistëve të huaj që vizitojnë Kosovën appeared first on Telegrafi.

Shkarkohet kapiteni i Policisë në Lipjan pas vdekjes së Agon Zejnullahut

9 July 2025 at 23:42

Kapiteni i Policisë në Lipjan, Argjend Gashi, është shkarkuar nga detyra nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, në një lëvizje të menjëhershme që vjen pas ngjarjes tragjike të vdekjes së 27-vjeçarit në këtë komunë.

Nga burime të Dukagjinit mësohet se në vend të tij është emëruar Brahim Shatrolli, një zyrtar nga Ferizaj, i cili do të marrë drejtimin e policisë në Lipjan.

Ngjarja ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të 7 korrikut në Lipjan.

Pesë zyrtarë të Policisë së Kosovës dyshohen për përfshirje në ndërhyrjen që përfundoi me vdekjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu.

Policët u paraqitën para gjykate të mërkurën, seanca zgjati disa orë, dhe gjykata caktoi një muaj paraburgim për secilin prej tyre, me gjithë kundërshtimet nga mbrojtja.

Avokati i njërit prej policëve, Besnik Berisha, ngriti dyshime për mjekimin e dhënë Zejnullahut dhe theksoi se ende mungon raporti i mjekësisë ligjore që do ta sqaronte shkakun e vdekjes.

The post Shkarkohet kapiteni i Policisë në Lipjan pas vdekjes së Agon Zejnullahut appeared first on Telegrafi.

Administrata Trump rikthen fokusin diplomatik në Ballkan, dërgon zyrtar të lartë në Kosovë, Serbi dhe Bosnjë

9 July 2025 at 23:01

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka rikthyer vëmendjen e saj diplomatik në Ballkan, duke dërguar një zyrtar të lartë për një vizitë zyrtare në tri shtete kyçe të rajonit – Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë.

Brendan Hanrahan, zyrtar i lartë në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit amerikan, ka njoftuar përmes një postimi në rrjetin social X nisjen e tij drejt Ballkanit pas bisedimeve të zhvilluara në Dayton dhe Washington.

“Është një përvjetor i rëndësishëm dhe një kohë vendimtare për Ballkanin Perëndimor. Me padurim pres të forcojmë lidhjet mes SHBA-së dhe vendeve të rajonit,” ka shkruar Hanrahan, duke iu referuar kështu përvjetorit të Marrëveshjes së Daytonit, marrëveshjes që më 1995 i dha fund luftës në Bosnjë.

Kjo vizitë vjen në një moment kur SHBA-ja synon të rigjallërojë bashkëpunimin dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit, në një kohë kur sfidat politike dhe ekonomike vazhdojnë të jenë të pranishme.

I am headed to Bosnia and Herzegovina, Serbia, and Kosovo following productive conversations in Dayton and Washington. It is a pivotal time in the Western Balkans. I look forward to reinforcing ties and forging connections between the U.S. and countries in the region.

— Senior Bureau Official Brendan Hanrahan (@StateEUR) July 9, 2025

The post Administrata Trump rikthen fokusin diplomatik në Ballkan, dërgon zyrtar të lartë në Kosovë, Serbi dhe Bosnjë appeared first on Telegrafi.

Bllaca kërkoi 1 milion euro e më pas 600 mijë nga Faruk Gashi që të mos dalë publikisht të flasë me emra

9 July 2025 at 22:41

Në një transkript prej 116 faqesh, datuar më 13 tetor 2009, janë zbuluar detaje nga një takim i fshehtë në Sankoc mes Nazim Bllacës dhe tre personave të tjerë: Shpresim Uka, Hysri Rama dhe Qazim Shabani.

Qëllimi i këtij takimi ishte të bindnin Bllacën që të mos dalë publikisht me rrëfimet e tij.

Sipas dokumentit, Bllaca kërkon plot 1 milion euro për të heshtur dhe shmangur publikimin e fakteve.

Ai përmend 63 herë Azem Sylën, duke thënë se ky i fundit e ka tradhtuar dhe ka qenë i informuar për përgatitjen e atentatit ndaj tij.

Në një pjesë të bisedës, Bllaca thotë:

“Interesi jem është kësaj pune mi grah masi s’mujm me gjet gjuhë të përbashkët. Unë i grahi, jam i gatshëm mi grah. Bllacalia është i gatshëm me i grah se më ke vra s’më ka dha llogari Azem Syla. Bllacalia ke i mirë kur shkojke te Seferi, ke i mirë kur shkojke te Ismeti, ke i mirë kur shkojke te Ademi, tash spo ban po duhet me qit në tjetër taborr edhe më vrajte në prapasken.”

Në një moment tjetër, Bllaca kërkon 600 mijë euro nga Faruk Gashi, duke thënë: “Mi bjen mue 600 mijë euro i mbyllim senet. Unë i marr edhe eci.”

Takimi përfundoi pa marrëveshje, dhe pak kohë më vonë, Bllaca doli para kamerave dhe opinionit publik, duke nisur kështu një prej sagave më të njohura të drejtësisë në Kosovë – dosjen “BLLACA”, që përfshiu edhe emra si Azem Syla.

The post Bllaca kërkoi 1 milion euro e më pas 600 mijë nga Faruk Gashi që të mos dalë publikisht të flasë me emra appeared first on Telegrafi.

​Identifikohet personi që shkaktoi aksident trafiku dhe u largua nga vendi i ngjarjes në Ferizaj

9 July 2025 at 22:36

Policia e stacionit policor në Ferizaj, pas një pune hetimore nga hetuesit e njësive përkatëse, ka arritur të identifikojë personin e dyshuar për shkaktimin e një aksidenti të trafikut.

Sipas njoftimit, aksidenti ka ndodhur më 2 korrik 2025, rreth orës 16:54, në rrugën “Ahmet Kaçiku” në Ferizaj, ku janë përfshirë një motoçikletë e tipit Gilera dhe një veturë VË Golf, të dyja me targa vendore.

“Sipas hetimeve fillestare, aksidenti ka ndodhur për shkak të mosrespektimit të distancës së sigurisë nga ana e drejtuesit të motoçikletës, i cili ka goditur automjetin VË, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Pas aksidentit, drejtuesi i motoçikletës është larguar nga vendi i ngjarjes, por më 08.07.2025 është identifikuar si E.A. dhe është ftuar për intervistim në stacionin policor në Ferizaj”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, ndaj të dyshuarit janë shqiptuar katër gjoba për kundërvajtje, për: Drejtim të mjetit pa patentë shofer; Drejtim me regjistrim të skaduar; Largim nga vendi i aksidentit dhe Shkaktim i aksidentit në komunikacion.

Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe ligjet në fuqi, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë në komunikacion.

The post ​Identifikohet personi që shkaktoi aksident trafiku dhe u largua nga vendi i ngjarjes në Ferizaj appeared first on Telegrafi.

❌
❌