Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 July 2025Main stream

MUZIKË – Elton John: Osbourne ndodhet në panteonin e perëndive të rockut

LONDËR, 23 korrik /ATSH-DPA/ – Ylli i pop-it britanik, Elton John deklaroi se Ozzy Osbourne ishte një pionier i madh, i cili siguroi vendin e tij në panteonin e perëndive të rockut.

Ai iu bashkua kitaristit të ”Rolling Stones”, Ronnie Wood, dhe të famshmëve të tjerë për t’i bërë homazh këngëtarit të ”Black Sabbath” pas vdekjes së tij.

John postoi në Instagram se “ishte shumë e trishtueshme të dëgjoja lajmin për ndarjen nga jeta të Ozzy Osbourne”.

“Ai ishte një mik i dashur dhe një pionier i madh që siguroi vendin e tij në panteonin e perëndive të rockut – një legjendë e vërtetë. Ai ishte gjithashtu një nga njerëzit më me humor që kam takuar ndonjëherë. Do të më mungojë shumë. Sharon dhe familjes, i dërgoj ngushëllimet dhe dashurinë time. Elton xx”.

Këngëtari Yungblud, i cili këndoi këngën “Changes” të ”Black Sabbath” në koncertin e lamtumirës “Back To The Beginning” më 5 korrik, tha se ishte “zemërthyer” nga lajmi dhe e quajti Osbourne “më të madhin e të gjitha kohërave”.

“Nuk mendoja se do të largoheshe kaq shpejt herën e fundit që u takuam, ishe plot jetë dhe e qeshura jote mbushte dhomën”, shkroi ai në një postim në rrjetet sociale.

Grupi i rokut ”Motorhead” tha se kishin humbur një “mik të dashur” në një postim që kujtonte miqësinë e vokalistit të ndjerë të grupit Lemmy me Osbourne.

“Lemmy dhe Ozzy ishin vëllezër që shijuan shumë aventura së bashku, dhe humbja e tij është sizmike. U prehsh në paqe Ozzy, ne gjithmonë do të të duam”, tha grupi.

AC/DC tha se ”vdekja e Osbourne ishte një humbje e madhe për të gjithë ata që e donin”, ndërsa anëtarët e ”Metallica”, Noah Abrams dhe Ross Halfin, e quajtën atë një “ikonë” dhe “mentor”.

Ndër yjet e tjerë që i bënë homazhe ishin ish-futbollisti David Beckham, Billie Joe Armstrong i ”Green Day”, kitaristi i ”Queen”, Brian May dhe ylli i filmit amerikan Adam Sandler, i cili tha se ndihej “kaq i lumtur” që pati mundësi ta takonte Osbourne.

May tha se koncerti i fundit i Osbourne në fillim të muajit “ishte një mënyrë e mrekullueshme për t’i thënë lamtumirë” vokalistit të ”heavy metal” i cili vdiq më 22 korrik në moshën 76 vjeç.

”Aston Villa”, klubi i futbollit të qytetit të lindjes së Osbourne, tha se ishte “i trishtuar” kur mësoi për ndarjen nga jeta të yllit.

“Duke u rritur në Aston, jo shumë larg ‘Villa Park’, Ozzy gjithmonë kishte një lidhje të veçantë me klubin dhe komunitetin nga vinte”, tha klubi.

Sekretarja e Drejtësisë e Mbretërisë së Bashkuar dhe deputetja e Birmingham Ladywood, Shabana Mahmood, tha se ishte ndër ata që festuan jetën dhe trashëgiminë e Osbourne pak më shumë se dy javë më parë.

Ajo shkroi në X se “u ndjeva e shkatërruar kur dëgjova lajmin për vdekjen e tij. Një nga dhuratat më të mëdha që qyteti im i dha botës”./  a.jor.

The post MUZIKË – Elton John: Osbourne ndodhet në panteonin e perëndive të rockut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Thesari raporton 100 miliardë dollarë të ardhura nga tarifat

UASHINGTON, 23 korrik /ATSH-DPA/ – Shtetet e Bashkuara kanë mbledhur së fundmi gati 100 miliardë dollarë nga tarifat, tha sekretari i Thesarit, Scott Bessent.

“Jemi afër arritjes së 100 miliardë dollarëve. Mendoj se mund të arrijmë në 300 miliardë dollarë në vit”, tha ai në një intervistë me transmetuesin amerikan ”Fox Business”, kur u pyet për nivelin aktual të të ardhurave nga tarifat.

Bessent kishte sugjeruar më parë mundësinë e arritjes së 300 miliardë dollarëve deri në fund të vitit.

Mbetet e paqartë se për çfarë afati kohor specifik po i referohet Bessent me shifrën e tij prej gati 100 miliardë dollarësh.

Sekretari theksoi se të ardhurat nga tarifat u rritën në qershor, pa specifikuar një numër./ a.jor.

The post SHBA – Thesari raporton 100 miliardë dollarë të ardhura nga tarifat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 23/7/2025

STAMBOLL (Turqi) – Bisedime paqeje Rusi-Ukrainë.

HAGË (Holandë) – Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) jep mendimin e saj të parë mbi ndryshimet klimatike.

TOKIO (Japoni) – Samiti BE-Japoni.

BERLIN (Gjermani) – Presidenti Emmanuel Macron pritet nga kancelari Friedrich Merz.

LONDËR (Mbretëria e Bashkuar) – Vizitë e kryeministrit indian, Narendra Modi.

ROMË (Itali) – Meloni organizon bisedime midis Italisë dhe Algjerisë me presidentin Abdelmadjid Tebboune.

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Trump mban fjalim mbi inteligjencën artificiale.

OKB – Mbledhje e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi konfliktin izraelito-palestinez.

CHARM EL-SHEIKH (Egjipt) – 20-vjetori i një serie sulmesh në vendpushimin bregdetar egjiptian.

ZYRIH – Futboll – Kampionati Evropian i Femrave – Gjysmëfinalja Gjermani-Spanjë./ a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 23/7/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 22 July 2025Main stream

GAZA – Forcat izraelite hyjnë në Deir al-Balah, i vetmi qytet pa shkatërrime nga lufta

DEIR AL-BALAH (Rripi i Gazës), 22 korrik /ATSH/ – Për herë të parë trupat izraelite hynë në zonat e një qyteti qendror të Gazës ku janë të vendosura disa grupe ndihmash, në atë që duket të jetë përpjekja e fundit për të copëtuar territorin palestinez me korridore ushtarake, sipas AP.

Deir al-Balah është i vetmi qytet i Gazës që nuk ka parë operacione të mëdha tokësore ose nuk ka pësuar shkatërrime të gjera në 21 muaj luftë, duke çuar në spekulime se grupi militant Hamas mban një numër të madh pengjesh atje.

Grupi kryesor që përfaqëson familjet e pengjeve tha se ishte “i tronditur dhe i alarmuar” nga pushtimi dhe kërkoi përgjigje nga udhëheqësit izraelitë.

Izraeli thotë se pushtimi i territorit në Gaza synon të ushtrojë presion mbi Hamasin për të liruar pengjet, por është një pikë e rëndësishme mosmarrëveshjeje në bisedimet e vazhdueshme për armëpushim.

Ndërkohë, agjencia e ushqimit e OKB-së akuzoi forcat izraelite se kanë qëlluar mbi një turmë palestinezësh që kërkonin ndihmë humanitare gjatë fundjavës.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës e quajti atë një nga sulmet më vdekjeprurëse ndaj kërkuesve të ndihmës në luftën që e ka çuar territorin në prag të urisë.

Në shenjën e fundit të frustrimit ndërkombëtar, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe 23 vende të tjera të lidhura me Perëndimin lëshuan një deklaratë duke thënë se “lufta në Gaza duhet të përfundojë tani”.

Ato kritikuan ashpër kufizimet e Izraelit për ndihmën humanitare dhe bënë thirrje për lirimin e 50 pengjeve që kanë mbetur në Gaza./  a.jor.

The post GAZA – Forcat izraelite hyjnë në Deir al-Balah, i vetmi qytet pa shkatërrime nga lufta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Tarifë integriteti prej 250 dollarësh për një vizë drejt SHBA-së

UASHINGTON, 22 korrik /ATSH/ – Shtetet e Bashkuara do t’u kërkojnë vizitorëve ndërkombëtarë të paguajnë një të ashtuquajtur “tarifë integriteti vize” prej të paktën 250 dollarësh, e shtuar në kostot ekzistuese të aplikimit për vizë, sipas një dispozite në projektligjin e miratuar së fundmi nga administrata Trump për politikat e brendshme, siaps CNN.

Tarifa do të zbatohet për të gjithë vizitorët që duhet të marrin viza joimigruese për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.

Kjo përfshin shumë udhëtarë për argëtim dhe biznes, studentë ndërkombëtarë dhe vizitorë të tjerë të përkohshëm.

Në vitin fiskal 2024, SHBA-të lëshuan gati 11 milionë viza joimigruese, sipas shifrave të Departamentit të Shtetit.

Turistët dhe udhëtarët e biznesit nga vendet që janë pjesë e Programit të Heqjes së Vizave, përfshirë Australinë dhe shumë vende evropiane, nuk kërkohet të marrin viza për qëndrime prej 90 ditësh ose më pak.

Pagesa do të kërkohet në kohën kur lëshohen vizat dhe nuk do të ketë heqje të tarifave.

”Udhëtarët që përmbushin kushtet e vizës së tyre mund t’i rimbursojnë tarifat e tyre pasi të ketë mbaruar udhëtimi”, sipas dispozitës.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare, agjencia që vendos tarifën e re, ende nuk ka ofruar detaje specifike në lidhje me procesin e rimbursimit ose ndonjë aspekt tjetër të zbatimit të politikës.

“Tarifa e integritetit të vizës kërkon koordinim mes agjencive para zbatimit”, tha një zëdhënës i Departamentit të Sigurisë Kombëtare në një deklaratë për CNN.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se tarifa u vendos “për të mbështetur prioritetet e administratës për forcimin e zbatimit të imigracionit, parandalimin e tejkalimeve të vizave dhe financimin e sigurisë kufitare”.

”Tarifat që nuk rimbursohen do të depozitohen në fondin e përgjithshëm të Thesarit”, thuhet në dispozitën e projektligjit.

Tarifa i nënshtrohet rregullimeve vjetore për inflacionin.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha se detajet në lidhje me ndryshimin, të zbatuar nga DHS, do të postohen në faqen e informacionit për vizat të Departamentit të Shtetit./ a.jor.

The post FOKUS – Tarifë integriteti prej 250 dollarësh për një vizë drejt SHBA-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 22/7/2025

STRASBURG (Francë) – GJEDNJ – Vendim mbi një ankesë nga deputetët lidhur me dështimin e qeverisë së Boris Johnson për të hetuar ndërhyrjen ruse në zgjedhje.

STRASBURG (Francë) – GJEDNJ vendos mbi ankesat e 239 turqve të arrestuar pas përpjekjes për grusht shteti, vetëm për përdorimin e shërbimit të mesazheve “ByLock”.

VENECIA (Itali) – Prezantimi i Festivalit të Filmit.

KROACIA – Përvjetori i parë i masakrës në shtëpinë e pleqve.

TOULOUSE (Francë) – Testi i fluturimit të projektit më të avancuar të avionëve elektrikë francezë.

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Kryetari i Rezervës Federale të SHBA-së, Jerome Powell në konferencë shtypi.

LOS ANXHELES (Shtetet e Bashkuara) – Premiera e filmit të animuar “Fantastic Four: Beginnings”.

OKB – Fjala e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres mbi klimën dhe energjinë e rinovueshme.

LOS ANXHELES (Shtetet e Bashkuara) – Premiera e filmit Disney “Friday 2: The Next Generation” mother”.

SION – Futboll – Kampionati Evropian i Femrave – Gjysmëfinale – Angli-Itali./  a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 22/7/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

MUZIKË – Stevie Wonder përgënjeshtron thashethemet mbi shikimin e tij

KARDIF (Uells), 21 korrik /ATSH/ – Ylli i pop-it, R&B dhe i muzikës soul, fituesi i shumë çmimeve Grammy, Stevie Wonder, iu përgjigj thashethemeve të pabaza mbi shikimin e tij, sipas usatoday.com.

Këngëtari i “Isn’t She Lovely” foli për thashethemet e vazhdueshme në lidhje me aftësinë e tij për të parë, gjatë një shfaqjeje më 9 korrik në Blackweir, në një seri koncertesh në Kardif.

“Ju e dini të vërtetën. E vërteta është se, pak pas lindjes sime, u verbova”, i tha Wonder audiencës.

“Tani, kjo ishte një bekim sepse më lejoi të shihja botën në vizionin e së vërtetës, të shikimit. Shihni njerëzit në shpirtin e tyre, jo si duken, jo çfarë ngjyre kanë, por çfarë ngjyre është shpirti i tyre”, theksoi ai.

Sipas një agjencie lajmesh uellsiane, legjenda e muzikës performoi hitet e tij “Living For the City” dhe “I Just Called to Say I Love You”.

Spekulimet rreth shikimit të Stevie Wonder kanë qenë qendra e shakave dhe teorive të konspiracionit në kulturën pop për dekada të tëra.

Për shembull, podkasti popullor “Drink Champs”, i drejtuar nga reperi N.O.R.E. dhe DJ EFN, ndau një përmbledhje të personazheve të famshëm që ndanin “Steve Wonder Can See Stories” të tyre.

“Për gjithçka që dua, Stevie Wonder më bën FaceTime”, bëri shaka dikur Snopp Dogg, duke shpjeguar se si këngëtari e thirri dikur ndërsa po rregullonte flokët.

Reperi i “Gin and Juice” pohoi se kur ai u përgjigj, Wonder i tha se “të kam kërkuar”.

Wonder është bashkuar edhe më parë me shakatë, por e ka bërë të qartë gjatë gjithë karrierës së tij se të qenit i verbër nuk ka qenë një pengesë në jetën e tij.

“Nuk e kam menduar kurrë të qenit i verbër si një disavantazh dhe kurrë nuk e kam menduar të qenit me ngjyrë si të tillë”, tha Wonder në një intervistë në ”The Guardian”.

“Unë jam ai që jam. E dua veten! Dhe nuk e them këtë në mënyrë egoiste – më pëlqen që Zoti më ka lejuar të marr çfarëdo që kisha dhe të bëj diçka prej tij”, shton ai./ a.jor.

The post MUZIKË – Stevie Wonder përgënjeshtron thashethemet mbi shikimin e tij appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZA – Për herë të parë trupat izraelite nisin sulmin tokësor në Deir al-Balah

GAZA, 21 korrik /ATSH/ – Izraeli ka nisur një sulm tokësor dhe ajror në qytetin Deir al-Balah në Gazën qendrore, ku nuk kishte nisur asnjëherë më parë një sulm tokësor, sipas BBC.

Zona është e mbushur me mijëra njerëz të zhvendosur nga Gaza jugore – supozohet gjithashtu se pengje izraelite po mbahen atje

Operacioni izraelit filloi sot herët dhe gazetarët vendas i thanë BBC-së se tanket dhe automjetet ushtarake u futën në qytet, nën një artileri të rëndë dhe mbulim ajror.

Sulmet ajrore izraelite në pjesë të tjera të Gazës vazhdojnë.

Ndërkohë, një mjek vendas dhe zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar nga Hamasi, thanë se 19 persona kanë vdekur nga uria në 24 orët e fundit në Gaza.

Izraeli nuk lejon BBC-në dhe mediat e tjera ndërkombëtare në Gaza të raportojnë lirisht./ a.jor.

The post GAZA – Për herë të parë trupat izraelite nisin sulmin tokësor në Deir al-Balah appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 21/7/2025

BOTË – 30-vjetori i publikimit të ”Virtual Boy” të Nintendo-s, pararendësi i kufjeve të realitetit virtual.

MOSKË (Rusi) – Seancë paraprake dëgjimore në gjyqin për terrorizëm të 19 të pandehurve të paidentifikuar, autorë të dyshuar të sulmit në sallën e koncerteve ”Crocus” në vitin 2024, dhe bashkëpunëtorëve të tyre.

LONDËR (Mbretëria e Bashkuar) – Kryeministri Keir Starmer merret në pyetje nga Komiteti Ndërlidhës Parlamentar.

BOSTON (Shtetet e Bashkuara) – Seancë dëgjimore mbi mosmarrëveshjen midis Harvardit dhe administratës Trump mbi ngrirjen e fondeve federale për universitetin.

SANTIAGO (Kili) – Samiti për demokracinë, që bashkon udhëheqësit e Spanjës, Kolumbisë, Uruguait dhe Brazilit./  a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 21/7/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 20/7/2025

PEKIN (Kinë) – Vizitë e ministrit të Jashtëm kroat, Gordan Grliç-Radman.

TOKIO (Japoni) – Zgjedhjet për Dhomën e Lartë të Parlamentit.

CASTEL GANDOLFO (Itali) – Papa Leone XIV kremton meshën dhe lutjen ”Angelus” në Castel Gandolfo.

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Vizitë e presidentit filipinas, Ferdinand Marcos Jr.

SANTIAGO (Kili) – Vizitë e presidentit brazilian Lula për një samit mbi mbrojtjen e demokracisë.

TBILISI (Gjeorgji) – Skermë – Kampionati Botëror./  a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 20/7/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Kardinali Pizzaballa shkon në Gaza me 500 tonë ndihma

GAZA, 19 korrik /ATSH/ – Patriarku Latin i Jerusalemit, kardinali Pierbattista Pizzaballa, së bashku me Patriarkun Ortodoks Grek të Jerusalemit, Theofilos III, vizitoi dje Kishën e Familjes së Shenjtë, e cila u godit nga zjarri i tankeve izraelite në qytetin e Gazës, sipas skytg24.

Kardinali, i cili dërgoi edhe 500 tonë ndihma në Rripin e Gazës për civilët, tha se papa Leone XIV e telefonoi personalisht gjatë vizitës për të shprehur shqetësimin e tij.

Pasi vizituan kishën, udhëheqësit fetarë shkuan në spitalin baptist ”Al-Ahli” për të ngushëlluar pacientët.

Ndërkohë, ushtarët izraelitë vranë të paktën 25 persona pranë një qendre shpërndarjeje për ndihmë humanitare në Rripin e Gazës, sipas burimeve mjekësore palestineze.

”Rreth 70 persona u plagosën nga të shtënat me armë zjarri dhe granatimet e ushtrisë izraelite në zonën Khan Younis në jug të rajonit bregdetar të izoluar”, sipas mjekëve në spitalin lokal.

Ata u transferuan në spital nga zona al-Tina në Khan Younis.

Burimi mjekësor tha se numri i të vdekurve pritet të rritet për shkak të seriozitetit të një numri të madh rastesh./  a.jor.

The post FOKUS – Kardinali Pizzaballa shkon në Gaza me 500 tonë ndihma appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Pas 33 vitesh misteri rrethon ende masakrën kundër Borsellinos

ROMË, 19 korrik /ATSH-ANSA/ – Pas 33 vitesh, e vërteta rreth masakrës në rrugën ”Mariano d’Amelio”, në Palermo më 19 korrik 1992, mbetet ende larg.

Hetimet dhe linjat e ndryshme të provave deri më tani nuk kanë arritur të hedhin dritë mbi një zonë të errët, që gjyqtarët e kanë përshkruar si “fshehja më e madhe në historinë italiane” që rrethon masakrën që vrau zëvendësprokurorin e Palermos, Paolo Borsellino, dhe shoqëruesit e tij, Agostino Catalano, Emanuela Loi, Vincenzo Li Muli, Walter Eddie
Cosina dhe Claudio Traina.

”Krahu ushtarak ishte ai i Mafias, por kishte një mendje që manipulonte provat dhe lëvizte gurët e saj përmes pjesëmarrjes morale dhe materiale të individëve të tjerë dhe
grupeve të pushtetit të interesuara për eliminimin e Paolo Borsellinos”, thuhet në vendimin e 12 korrikut 2022 mbi pengimin e drejtësisë, i cili ndaloi ndjekjen penale të dy hetuesve të policisë – Mario Bo dhe Fabrizio Mattei – me akuzat për ndihmë dhe nxitje, dhe liroi një të tretë, Michele Ribaudo.

Katër oficerë të tjerë – Giuseppe Di Gangi, Vincenzo Maniscaldi, Angelo Ledesco dhe Maurizio Lerilli – janë në gjyq.

Bo, Mattei dhe Ribaudo ishin pjesë e ekipit që hetonte masakrat e Falcone dhe Borsellino.

Ekipi drejtohej nga Arnaldo La Barbera, kreu i Skuadrës së Palermos dhe një anëtar i shërbimeve sekrete, dhe koordinohej nga prokurori Giovanni Tinebra.

Është pikërisht ky grup që kishte krijuar informatorin e rremë Vincenzo Scarantino, një kriminel të vogël nga periferitë, dhe dyshohet se e kishte nxitur atë të bënte akuza plotësisht të sajuara.

Shtatë persona u dënuan me burgim të përjetshëm dhe më pas u liruan nga akuzat kur Gaspare Spatuzza, i penduar vërtet, rindërtoi një skenar të ndryshëm./  a.jor.

The post FOKUS – Pas 33 vitesh misteri rrethon ende masakrën kundër Borsellinos appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZA – 25 të vrarë pranë një pike të mbledhjes së ndihmave

GAZA, 19 korrik /ATSH-DPA/ – Ushtarët izraelitë vranë të paktën 25 persona pranë një qendre shpërndarjeje për ndihmë humanitare në Rripin e Gazës, sipas burimeve mjekësore palestineze.

”Rreth 70 persona u plagosën nga të shtënat me armë zjarri dhe granatimet e ushtrisë izraelite në zonën Khan Younis në jug të rajonit bregdetar të izoluar”, sipas mjekëve në spitalin lokal.

Ata u transferuan në spital nga zona al-Tina në Khan Younis.

Burimi mjekësor tha se numri i të vdekurve pritet të rritet për shkak të seriozitetit të një numri të madh rastesh.

Ushtria izraelite tha se po hetonte incidentin.

Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) është aktualisht përgjegjës për shpërndarjen e ushqimit në Rripin e Gazës.

I mbështetur nga Izraeli dhe SHBA-të, fondacioni filloi punën e tij në fund të majit pas një bllokade disamujore izraelite të shpërndarjes së ndihmave.

Por OKB-ja ka kritikuar faktin se fondacioni operon shumë pak qendra shpërndarjeje dhe se njerëzit atje dhe në rrugën e tyre drejt tyre janë të ekspozuar ndaj rrezikut ekstrem.

”Qindra njerëz janë vrarë pranë qendrave të shpërndarjes dhe rreth konvojeve të ndihmave që nga fundi i majit”, sipas OKB-së./  a.jor.

The post GAZA – 25 të vrarë pranë një pike të mbledhjes së ndihmave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – ”Hotel” për bletët e vetmuara, të lëna jetime nga kosheret

SARDENJË (Itali), 19 korrik /ATSH-ANSA/ – Në fshatin Alghero, në Guardia Grande, një rajon i Sardenjës, vetëm pak metra larg një plazhi dhe një pylli me pisha, po lind një projekt përrallor, i ashtuquajtur ”Hotelet e bletëve” apo thënë ndryshe strehimore për bletët e vetmuara dhe mbijetesën e tyre, e cila është thelbësore për pjalmimin.

Këto “shtëpi” të reja po marrin formë brenda kopshtit të bletëve, një parajsë e vogël bletësh e krijuar duke rimarrë 5 hektarë tokë nga një ish-gurore.

Këtu, pronari Davide Maffei ka mbjellë mijëra luledielli, livando, boronica, luleshtrydhe dhe rozmarinë duke krijuar një “mushkëri bletarie”, siç e quan ai, e para e strukturuar dhe e përhershme në Itali.

Një mbretëri biodiversiteti, një oaz i projektuar për insektet pjalmuese dhe që ushqehen me nektar.

Por, kjo nuk është e gjitha.

Kopshti i bletëve është gjithashtu një park edukativ që mirëpret familjet dhe grupet shkollore për të përjetuar jetën e bletëve dhe florës dhe për të shpjeguar rëndësinë e këtij insekti, të kërcënuar nga ndryshimet klimatike dhe praktikat bujqësore njerëzore.

Për ta bërë këtë oaz edhe më unik dhe të dobishëm, kopshti i bletëve është mbështetur në bashkëpunimin e vlefshëm të rrjetit ”Bug’s Hotel Ita”, i specializuar në krijimin e strehimoreve për insektet pjalmuese, dhe Laboratorit Social të Trentos, një qendër e shkëlqyer në dizajnin e qëndrueshëm.

Ky bashkëpunim synon krijimin e një mundësie të re për bletët e vetmuara.

Ndryshe nga bletët e mjaltit që jetojnë në koshere, bletët e vetmuara nuk prodhojnë mjaltë, por luajnë një rol vendimtar në ekosistem, duke kontribuar në pjalmimin e specieve të shumta bimore.

Megjithatë, këto bletë kërcënohen nga humbja e habitatit dhe përdorimi i pesticideve.

“Jemi krenarë që fillojmë këtë nismë, e cila kombinon mbrojtjen e mjedisit, edukimin dhe inovacionin”, shpjegon Davide Maffei.

“Përafërsisht 75% e bimëve të planetit mbështeten në pjalmimin entomofil, domethënë, nga një gamë e gjerë insektesh”, përfundon ai./ a.jor.

The post SOFT NEWS – ”Hotel” për bletët e vetmuara, të lëna jetime nga kosheret appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 19/7/2025

LONDËR (Mbretëria e Bashkuar) – Tubim kombëtar në mbështetje të palestinezëve.

MONAKO (Principata e Monakos) – Festimi i 20-vjetorit të mbretërimit të princit Albert II.

LONDËR (Mbretëria e Bashkuar) – Festivali i muzikës klasike ”BBC Proms”.

MANAGUA (Nikaragua) – Presidenti Ortega feston 46-vjetorin e Revolucionit Popullor Sandinist.

LAS VEGAS (Shtetet e Bashkuara) – Boks – Lufta për titullin e peshave Welter të WBC –  Manny Pacquiao – Mario Barrios.

LONDËR (Mbretëria e Bashkuar) – Boks – Ndeshje për titullin e peshave të rënda mes Oleksandr Usyk dhe Daniel Dubois.

BUENOS AIRES (Argjentinë) – Futboll – Ndeshje miqësore – River Plate-Barcelona./ a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 19/7/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Merr fund “The Late Show” i Stephen Colbert

NJU JORK, 18 korrik /ATSH/ – “The Late Show” me Stephen Colbert do të përfundojë në maj 2026, njoftoi dje rrjeti televiziv CBS, në një deklaratë surprizë, sipas BBC.

”Lëvizja është thjesht një vendim financiar në një sfond sfidues në emisionin e orëve të vona të natës dhe nuk lidhet në asnjë mënyrë me performancën, përmbajtjen apo çështje të tjera të shfaqjes”, tha CBS.

Njoftimi vjen vetëm dy javë pasi kompania mëmë e CBS, ”Paramount” zgjidhi një padi me presidentin Donald Trump që rridhte nga një intervistë në CBS me rivalen e tij në zgjedhjet e vitit 2024, Kamala Harris.

Lëvizja i jep fund programit më shumë se prej tre dekadash duke e lënë CBS-në pa një ”talk show”, për herë të parë që nga viti 1993.

Prezantuesi Stephen Colbert e dha lajmin në një regjistrim më herët dje në mbrëmje, duke shkaktuar një kor fishkëllimash nga audienca e studios live.

“Dua të them se njerëzit në CBS kanë qenë partnerë të shkëlqyer”, tha Colbert, duke shtuar se “sigurisht, jam mirënjohës ndaj jush, audiencës, që na jeni bashkuar çdo natë këtu, atje apo në të gjithë botën”.

Colbert ishte informuar për vendimin të mërkurën në mbrëmje.

“Nuk është vetëm fundi i shfaqjes sonë, por është fundi i The Late Show në CBS. Nuk po zëvendësohem. E gjithë kjo thjesht po zhduket. Është një punë fantastike. Do të doja që dikush tjetër ta merrte atë”, tha ai.

”The Late Show” u krijua nga CBS, partneri amerikan i lajmeve i BBC-së, në vitin 1993 si konkurrent i NBC.

Kjo erdhi pas një mosmarrëveshjeje midis prezantuesve David Letterman dhe Jay Leno se kush duhet të pasonte Johnny Carson në ”Tonight Show” të NBC-së, një emision jashtëzakonisht popullor.

Colbert mori drejtimin e programit të CBS nga Letterman në vitin 2015 dhe është bërë një nga kritikët më të vendosur të Trump.

Para se të merrte përsipër punën në ”The Late Show”, Colbert kishte qenë prezantuesi i “The Colbert Report” në ”Comedy Central” – një program që kritikonte politikën dhe kulturën konservatore amerikane.

Njoftimi për mbylljen e programit erdhi mes bisedimeve midis ”Paramount” dhe ”Skydance Media” për të bashkuar dy kompanitë, një veprim që do të kërkonte miratimin nga qeveria federale e SHBA-së.

Senatori demokrat Adam Schiff postoi në X të enjten se kishte përfunduar regjistrimin e një interviste me Colbert pak para se të njoftohej anulimi.

Ai vuri në dyshim nëse njoftimi ishte i lidhur me marrëveshjen prej 16 milionë dollarësh që rrjeti pranoi t’i paguante Trump, duke shkruar se “nëse ‘Paramount’ dhe CBS e mbyllën ‘Late Show’ për arsye politike, publiku meritonte ta dinte”.

Zgjidhja erdhi pasi Trump paditi CBS, tetorin e kaluar, duke pretenduar se rrjeti kishte modifikuar në mënyrë mashtruese një intervistë që u transmetua në programin e lajmeve ”60 Minutes” me rivalen e tij në zgjedhjet presidenciale Kamala Harris, për të “anuar peshoren në favor të Partisë Demokratike”.

Colbert ka qenë një kritik i madh i Trump dhe ka pritur shumë politikanë demokratë gjatë mandatit të tij si prezantues.

Muajin e kaluar, ai zhvilloi një diskutim me Zohran Mamdani, një socialist demokrat që kryeson garën për t’u bërë kryetari i ardhshëm i bashkisë së Nju Jorkut.

Vendimi për të anuluar programin vjen ndërsa rrjetet përpiqen të tërheqin shikues të rinj, mes konkurrencës nga transmetuesit dhe podkastet online, së bashku me kostot në rritje të televizionit të drejtpërdrejtë.

“Ne e konsiderojmë Stephen Colbert të pazëvendësueshëm dhe do ta tërheqim ekskluzivitetin ‘The Late Show”, tha CBS në deklaratën e saj.

“Jemi krenarë që Stephen e quajti CBS shtëpi. Ai dhe transmetimi do të mbahen mend në panteonin e të mëdhenjve që zbukuruan televizionin”, tha CBS-ja./  a.jor.

The post SHBA – Merr fund “The Late Show” i Stephen Colbert appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 18/7/2025

TOKIO (Japoni) – Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent takohet me kryeministrin japonez, Shigeru Ishiba.

PEKIN (Kinë) – Konferenca për shtyp e ministrit të Tregtisë, Wang Wentao mbi ekonominë.

MYNIH (Gjermani) – 100-vjetori i botimit të ”Mein Kampf”.

BRUKSEL (Belgjikë) – Takim i ministrave përgjegjës për Çështjet Evropiane.

BERLIN (Gjermani) – Konferencë për shtyp nga kancelari Friedrich Merz mbi politikën e brendshme dhe të jashtme.

GRAINAU (Gjermani) – Ministri i Brendshëm gjerman pret disa homologë të BE-së për një takim mbi luftën kundër imigracionit.

BERLIN (Gjermani) – Kancelari gjerman Merz takohet me presidentin rumun Nicuşor Dan.

KOMBET E BASHKUARA (Shtetet e Bashkuara) – Mbledhje e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kolumbinë./  a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 18/7/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SIRI – 360 viktima nga dhuna sektare

DAMASK, 17 korrik /ATSH-DPA/ – Një monitorues lufte me bazë në Mbretërinë e Bashkuar tha sot se numri i të vdekurve nga dhuna sektare në provincën jugore siriane të Sweidës gjatë ditëve të fundit është rritur në 360.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut mbështetet në një rrjet burimesh në terren dhe përgjithësisht shihet si i besueshëm, megjithëse shifrat e tij nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Përplasjet midis minoriteteve sunite beduine dhe druze në Sirinë jugore janë përshkallëzuar ndjeshëm ditët e fundit, të përqendruara në qytetin me shumicë druze të Sweidës.

Të mërkurën, autoritetet siriane dhe Sheikh Yusuf al-Jarbou, udhëheqësi shpirtëror i komunitetit druze, njoftuan një marrëveshje të re armëpushimi – megjithëse mbeti shumë e pasigurt nëse paqja do të mbizotëronte pasi një udhëheqës lokal i pakicës druze e hodhi poshtë marrëveshjen.

Sipas raporteve të medias, qeveria në Damask njoftoi se do të ndalonte të gjitha operacionet ushtarake sipas një marrëveshjeje të re armëpushimi.

Një komitet i përbashkët i zyrtarëve qeveritarë dhe udhëheqësve fetarë druze pritet të monitorojë zbatimin e marrëveshjes.

Dje, sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha se Uashingtoni ishte angazhuar me të gjitha palët dhe se ishin rënë dakord për “hapat specifikë që do ta çojnë këtë situatë shqetësuese dhe të tmerrshme në fund sonte”.

Ndërkohë, Izraeli, një aleat i ngushtë i SHBA-së, kreu sulme ajrore ndaj objektivave të shumta në Damask të mërkurën, përfshirë brenda kompleksit të Ministrisë së Mbrojtjes të Sirisë.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se 15 personel nga Ministria e Mbrojtjes dhe e Brendshme e Sirisë u vranë në sulmet ajrore izraelite.

Pas shpërthimit të dhunës në provincën Sweida të Sirisë, qeveria siriane vendosi trupa dhe forca të tjera sigurie.

Izraeli më pas tha se ndërhyri për të mbrojtur pakicën druze.

Në një fjalim të transmetuar në televizionin kombëtar, presidenti sirian Ahmed al-Sharaa akuzoi sot Izraelin për shfrytëzimin e trazirave duke synuar infrastrukturën civile dhe duke kërkuar të prishë përpjekjet për paqe dhe rindërtim.

Ai gjithashtu riafirmoi vendin e komunitetit druze në shoqërinë siriane, duke nënvizuar angazhimin e shtetit për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e tyre, dhe paralajmëroi kundër përpjekjeve për ta futur Sirinë në agjendat e huaja./ a.jor.

The post SIRI – 360 viktima nga dhuna sektare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 17/7/2025

LONDËR (Mbretëria e Bashkuar) – Vizita e parë e kancelarit gjerman, Friedrich Merz që nga marrja e detyrës.

DURBAN (Afrika e Jugut) – Takim i ministrave të Financave të G20-s.

ANAHEIM (Shtetet e Bashkuara) – 70-vjetori i hapjes së Disneyland.

TAJPEI (Tajvan) – Tajpei zhvillon manovra ushtarake paralajmëruese ajrore në të gjithë qytetin.

SHEFIELD (Mbretëria e Bashkuar) – Tre simpatizantë neonazistë fajtorë për planifikimin e sulmeve ndaj xhamive dhe sinagogave, të cilët pritet të vuajnë dënimet e tyre.

CASABLANCA (Marok) – Seancë e re dëgjimore në gjyqin kundër të ashtuquajturit “Escobari i Saharasë”.

DAKAR (Senegal) – Ceremonia për transferimin e bazave ushtarake franceze në Senegal.

BUENOS AIRES (Argjentinë) – Mjekët e spitalit të fëmijëve ”Garrahan” marshojnë për të protestuar kundër shkurtimeve të buxhetit në sektorin e kujdesit shëndetësor.

PORTRUSH (Mbretëria e Bashkuar) – Golf – Turneu evropian ”The Open”.

BUENOS AIRES (Argjentinë) – 30-vjetori i vdekjes së Fangios, pilotit të famshëm argjentinas të garave.

KUALA LUMPUR (Malajzi) – Futboll – Shorti për kualifikueset aziatike për Kupën e Botës 2026./ a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 17/7/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Komisioni Evropian paraqet buxhetin trilionësh për vitet 2028-34

BRUKSEL, 16 korrik /ATSH-DPA/ – Komisioni Evropian pritet të paraqesë sot planet e tij për buxhetin e ardhshëm afatgjatë të Bashkimit Evropian për vitet 2028-34, që ka të ngjarë të arrijë në mbi një trilion euro (1,17 trilionë dollarë).

Buxheti i bllokut, i quajtur ndryshe ”korniza financiare shumëvjeçare”, do të përcaktojë prioritetet e politikave të BE-së për vitet e ardhshme dhe sa para ndahen për fusha të ndryshme.

Perspektiva aktuale financiare afatgjatë vlen 1,07 trilion euro në kontribute nga 27 shtetet anëtare të BE-së dhe u plotësua me 750 milionë euro në kredi në vitin 2021 për të financuar pasojat ekonomike nga pandemia Covid-19.

Korniza afatgjatë pasohet nga buxhete vjetore me shpenzime të detajuara.

Propozimi i komisionit ka të ngjarë të debatohet intensivisht nga shtetet anëtare dhe Parlamenti Evropian, pasi blloku ka nevoja financiare në rritje, duke përfshirë konkurrencën, sigurinë dhe mbrojtjen, si dhe pagesat e interesit, ndërsa shumë kryeqytete përballen me borxh të lartë të brendshëm.

Përveç se sa para do të kontribuojnë shtetet anëtare dhe nga mund të vijnë burimet shtesë, mënyra se si do të menaxhohen fondet do të jetë gjithashtu një çështje e diskutueshme.

Aktualisht, programe të ndryshme për subvencione për bujqësinë, peshkimin dhe zhvillimin rural përbëjnë rreth gjysmën e buxhetit të BE-së.

Komisioni më parë kishte treguar se dëshiron të largohet nga ky sistem dhe të strukturojë burimet bazuar në planet kombëtare për shtetet anëtare.

Parlamenti Evropian dhe autoritetet rajonale e kanë kritikuar tashmë planin mes frikës se rigrupimi i fondeve mund të çojë në mungesë transparence dhe të minojë llogaridhënien parlamentare./  a.jor.

The post BRUKSEL – Komisioni Evropian paraqet buxhetin trilionësh për vitet 2028-34 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌