Senati kalon planin e Trump-it për shkurtimin e ndihmave amerikane në botë
Senati miratoi planin e presidentit Donald Trump për shkurtime në vlerë 9 miliardë dollarë në financimin e ndihmave amerikane në botë dhe të transmetimeve publike, duke i dhënë presidentit republikan fitore tjetër. Me 51 vota pro e 48 kundër, senatorët e kaluan kërkesën e Trump-it për shkurtime në vlerë 9 miliardë dollarë nga shpenzimet tashmë të miratuara nga Kongresi.
Shumica e shkurtimeve janë për programe që ndihmojnë vendet e huaja për të luftuar sëmundjet, luftërat e fatkeqësitë natyrore, por plani ndalon plotësisht 1.1 miliardë dollarët që Korporata për Transmetimet Publike do të merrte gjatë dy viteve të ardhshme.
Trump e shumë nga republikanët e tjerë argumentojnë se shpenzimet për transmetimet publike janë të panevojshme dhe e kritikojnë mbulimin e lajmeve të tyre si “të njëanshëm”.
Paketa të veçanta për anulime të fondeve nuk kanë kaluar prej dekadash, pasi ligjvënësit kanë hezituar ta dorëzojnë kontrollin kushtetues mbi shpenzimet. Por, republikanët e Trump-it, të cilët kanë shumicë të ngushtë në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, treguan pak dëshirë për t’i kundërshtuar politikat e tij që nga fillimi i mandatit të dytë në janar.
Nëntë miliardë dollarët në fjalë përfaqësojnë një shumë mjaft të vogël në krahasim me buxhetin federal prej 6.8 trilion dollarësh dhe janë vetëm një pjesë e vogël e fondeve të miratuara nga Kongresi që administrata Trump ka mbajtur pezull teksa synon shkurtime të mëdha, shumë prej të cilave të urdhëruara nga Departamenti për Efikasitetin Qeveritar (DOGE) i drejtuar nga miliarderi Elon Musk.
Sipas ligjvënësve demokratë, deri në mesin e qershorit, Trump kishte bllokuar 425 miliardë dollarë financime të miratuara më parë nga Kongresi. Megjithatë, Trump dhe mbështetësit e tij kanë premtuar më shumë kërkesa për “anulim fondesh”, në përpjekje për ta tkurrur qeverinë federale.
Dhoma e Përfaqësuesve miratoi legjislacionin për anulimin e fondeve muajin e kaluar me 214 vota pro dhe 212 kundër, pa ndryshuar kërkesën e Trump-it. Katër republikanë iu bashkuan 208 demokratëve për të votuar kundër.
Por, pasi disa senatorë republikanë shprehën shqetësim për shkurtimet në programet globale shëndetësore, drejtori i Zyrës për Menaxhimin dhe Buxhetin, Russell Vought, tha se PEPFAR, një program global për luftën kundër HIV/AIDS-it i nisur në vitin 2003 nga Presidenti George W. Bush, do të përjashtohej nga shkurtimet. / abcnews.al