Trondit ish-ylli i Romës: Klubi nuk më tregoi se kisha tumor në tru, e mësova në Twitter
Leandro Castan pretendon se Roma ia fshehu diagnozën e tumorit në tru, dhe ai e mësoi atë nga rrjetet sociale.
Braziliani ka folur më parë për momentin kur jeta e tij ndryshoi plotësisht në shtator 2014, kur u tërhoq nga ndeshja e Romës në Serie A kundër Empolit në pjesën e parë, sepse nuk ndihej mirë.
Situata u përkeqësua me shpejtësi dhe ai tha se mëngjesin tjetër ndihej sikur po vdiste.
Në një intervistë të re për Corriere della Sera, Castan dha detaje edhe më tronditëse për ngjarjet që pasuan, përfshirë edhe faktin se nuk iu komunikua diagnoza.
“Ata më dërguan në shtëpi pas analizave, mjeku i klubit ishte i shqetësuar, por nuk më tregoi se çfarë kisha. 15 ditët e para ishin më të këqijat, mezi qëndroja në këmbë, vjellja, humba 20 kilogramë dhe nuk kisha aspak forcë”.
“Në fillim, Roma zgjodhi të ma fshihte gjithçka. Vendosa të izolohesha dhe të largohesha nga rrjetet sociale, por një ditë e hapa telefonin. Një artikull në Twitter thoshte: ‘Leandro Castan ka tumor në tru, mund të vdesë”.
“Frika më pushtoi krejtësisht. Ende nuk e dija se çfarë kisha. Askush nuk më kishte thënë asgjë, as klubi, as mjekët. Askush. Vetëm më thoshin: ‘Qetësohu’”.
“M’u kujtua që gjyshi im kishte vdekur nga tumor në tru dhe mendova se do të më ndodhte e njëjta gjë”, ka thënë Castan.
Castan iu nënshtrua një operacioni në tru, por iu deshën dy vjet për t’u rikuperuar plotësisht nga një ndërhyrje kaq e rëndë.
Megjithatë, ishte mendimi për t’u rikthyer në futboll që e shtyu të pranonte operacionin.
“Duhej të mësoja të jetoja nga e para. Bëra gjithçka për t’u rikthyer në nivelin që isha. Gjithçka. Por nuk ishte e mundur”, përfundoi ai./Telegrafi/
The post Trondit ish-ylli i Romës: Klubi nuk më tregoi se kisha tumor në tru, e mësova në Twitter appeared first on Telegrafi.