Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 July 2025Main stream

Microsoft : “Notre Dame” në Paris do të paraqitet në platformë digjitale

By: Kult Plus
21 July 2025 at 23:51

Katedralja “Notre Dame” në Paris do të paraqitet në platformë digjitale nga gjiganti amerikan i teknologjisë “Microsoft”, me qëllim zbulimin  e çdo detaji të skulpturave të saj gotike.

Projekti pritet të zgjasë të paktën një vit dhe të kushtojë disa milionë dollarë, i tha sot revistës “Le Pointpresidenti i “Microsoft-it, Brad Smith.

Duke ndjekur shembullin e projekteve të mëparshme të digjitalizimit, si ai i Bazilikës së Shën Pjetrit në Romë, katedralja do të skanohet me teknologji shumë të avancuar për t’u ruajtur në mënyrë digjitale për brezat e ardhshëm.

Monumenti i famshëm i Parisit rihapi dyert në dhjetor pas një zjarri shkatërrues në prill të vitit 2019 dhe disa viteve restaurimi.

Smith, i cili ndodhet në kryeqytetin francez, gjithashtu njoftoi se rreth 1 500 modele historike të skenografisë nga Opera e Parisit do të digjitalizohen në bashkëpunim me Ministrinë franceze të Kulturës. /KultPlus.com

Përfundon Etno Fest XV, shfaqja ‘Engjëjt’ nderohet me dy çmime

By: Kult Plus
21 July 2025 at 23:19

Në ambientin e fshatit piktoresk Kukaj, mbrëmë u shënua nata përmbyllëse e festivalit Etno Fest, edicionit të XV-të, përcjell KultPlus.

Në edicionin i cili erdhi me moton ‘Identiteti’, mbrëmë u ndanë edhe çmimet në kategori të ndryshme.

Në vijim, KultPlus ua sjell njoftimin e plotë të Etno Fest:

Etno Fest – Edicioni XV

IDENTITETI

Nata e fundit

U nisëm në këmbë drejt vendit ku kishte nisur gjithçka.
Rrugicat prej guri, oborret e heshtura dhe muret që ruajnë kujtime, na pritën si të ktheheshim pas shumë vitesh jo si mysafirë, por si bij të shtëpisë.

Fshati Kukaj, dikur i braktisur, sot rreh si një zemër kulturore e gjallë dhe mikpritëse.

Më pas, u futëm në Etno Kompleks, aty ku gurët, druri dhe hija e lisit mbajnë frymën e kohës.

Brenda kompleksit, në kuadër të festivalit shijuam për herë të fundit për këtë edicion ekspozitat, si një tribut për artin bashkëkohor që buron nga rrënja: piktura, vizatime, skulptura, dhe instalacione që flisnin me materialet e dheut, ngjyrat e shpirtit dhe gjuhën e heshtur të kujtesës. Arti ishte bërë një me hapësirën jo si dekor, por si zë.

Në një mbrëmje të mbushur me emocion, u nderuan artistët që i dhanë zë, trup dhe shpirt këtij edicioni. Çmimet u dhanë jo vetëm për mjeshtërinë, por për ndjeshmërinë që ngjalli secili prej tyre në zemrat tona. Ishte një falënderim i heshtur dhe një duartrokitje që zgjati më shumë se tingulli i saj.

Pas dhjetë ditëve të mbushura me emocione, art dhe shpirt tradite, juria profesionale e përbërë nga:

Klara Shehu (profesoreshë e antikës në Sorbonë – Kryetare),
Agron Gërguri (dramaturg),
Skënder Boshtrakaj (skulptor),
Dilaver Kryeziu (koreograf), dhe
Albin Kushnini (dramaturg),

ndau me vlerësim të thellë 16 çmime për arritjet më të dalluara artistike të këtij edicioni.

Nga fusha e teatrit:

Aktorja më e mirë:
Vefi Redhi – për interpretimin e saj në shfaqjen “Engjëjt”,

Aktori më i mirë:
Mentor Zymberaj – për interpretimin e tij në shfaqjen “Arka”,

Skenografia më e mirë:
Bekim Korça – për punën skenike në shfaqjen “Jam unë ajo”,

Regjia më e mirë:
Naser Shatrolli – për regjinë e shfaqjes “Engjëjt”,

Shfaqja më e mirë:
“Sarakasi Trust” – shfaqje e dance teatrit, Kenia.

Nga fusha e etnokulturës:

Vallëtarja më e mirë:
Viola Aqifi – SH.K.A. “Jahi Hasani”, Gostivar,

Vallëtari më i mirë:
Sako Murati – SH.K.A. “Vaçe Zela”, Lushnje,

Këngëtarja më e mirë:
Ceylan Taci,

Këngëtari më i mirë:
Servet Jeshili – SH.K.A. “Vaçe Zela”, Lushnje,

Instrumentisti më i mirë:
Leonard Cakolli,

Kostumografia më e mirë:
Mercedes Pereira,

Etnokoreografia më e mirë:
Ansambli “Dibra e madhe”,

Etnoansambli më i mirë:
SH.K.A. “Jahi Hasani” – Gostivar,

Etnoperformanca më e mirë:
“Dialog me traditën”.

Çmimet speciale:

Çmimi special i Etno Festit:
Liburn Jupolli Ensemble,

Çmimi i karrierës:
Drita Krasniqi.

Defatorët nga Gjakova, Shpejtim Smaqi dhe Besnik Qeli, të shoqëruar nga mjeshtri i ritmit Leonard Cakolli në bateri, u ngjitën përsëri në skenë si një forcë natyrore që zgjon dheun dhe zemrat.

Me çdo goditje, me çdo valë drite që lëshonin krahët e defit, ata sollën jo vetëm muzikë, por një histori të lashtë që pulson në damarët e kohës. Ritmi i tyre ishte një thirrje e zjarrtë, një përqafim i traditës dhe i së tashmes, që i bëri veshët të tundeshin dhe shpirtin të kërcente.

Në tingujt e tyre ndjeje se një energji e papërshkrueshme fluturonte në ajër, duke lidhur çdo dëgjues me rrënjët e thella dhe me ëndrrat e reja.

Leonard Cakolli në bateri dha zemrën e rrahjes së gjallë, që mbështeti dhe ngjalli frymën e defatorëve, duke krijuar kështu një urë mes të kaluarës dhe të ardhmes. Ishte një performancë që la mbresa, një festë e ritmit që do të mbahet gjatë në kujtesën e të gjithëve.

Pastaj… për të mbyllur natën, zëri i Edonës u ngjit butë mbi qiellin e Kukajt.

I kthjellët, i ngrohtë, i ngjashëm me ajrin e freskët të mbrëmjes, atë ajër që mban brenda vetes kujtime, zëra të vjetër dhe fryma që nuk janë shuar kurrë.

Ajo nuk këndoi për të ndalur asgjë. Përkundrazi, këndoi që ritmi të mbetej gjallë, si një rrymë e brendshme që pulson edhe kur gjithçka hesht.

Zëri i saj përhapej ngadalë, si një dritë që zbret mbi fytyrat tona, si një frymë që përqafon njerëzit me tokën, me vendin, me kujtesën.

E bukur në theksin vokal të saj, e gjallë në çdo fjalë, Edona solli një energji që nuk shteron por veç rritet.

Rritet në heshtje, në thellësi, si gjithçka që lind nga rrënja, nga dhimbja, nga dashuria e paemër që na lidh me njëri-tjetrin.

Dhe pasi Edona përfundoi koncertin, dritat u fikën, skena heshti, por shpirti i tregimit po fluturon me qylymin e gjyshes, për t’u kthyer kur të ndizen dritat sërish vitin tjetër. Deri atëherë… mirëmbetshi, publik i dashur!

Nga Albin Kushnini
Fotografitë nga Adi Beqiri./ KultPlus.com

Elegji e parë

By: Kult Plus
21 July 2025 at 22:45

Poezi nga Martin Camaj

Ku kam me qenë i këputun
nga mundi i vjetve të rrëpita sa ‘i shkamb,
mos të vijë keq ty, Taze, për mue
të shtrimë mbi drrasat e vdekjes,
kingj i gatuem për flije.
Leni plakat të qajnë mbi mue at ditë
për njerzit e vet, vdekë qysh kur.

Edhe një amanet, moj grue:
kur vdiq im atë, premë dy qe
me ngimun të unshmit e thneglat e lamit
me grimca buke.
Por unë do të vdes mes njerzve gjithmonë
të ngishëm,
prandej ndër drekët e mija qitni
vetëm kafe të idhta. / KultPlus.com

Tregimi prekës i Ernest Hemingway në gjashtë fjalë

By: Kult Plus
21 July 2025 at 22:07

Kur Ernest Hemingway ka qenë në moshë të re, ka vënë një bast me shoqërinë e kolegët shkrimtarë, ku ka deklaruar se si ai mundet të shkruaj tregim me gjashtë fjalë, shkruan KultPlus.

“Në shitje, Këpucë për bebe, t’pambathura”, është tërësia e asaj që është përshkruar si një roman me gjashtë fjalë, duke e bërë atë një shembull ekstrem të asaj që quhet fantazi e shpejtë ose imagjinatë papritur.

 Ernest Hemingway ka qenë një novelist amerikan, që ka shkruar storie të shkurtra. Hemingway njihet si një nga figurat më të shquara të viteve 1920 dhe 1950, ndërsa në vitin 1954 fitoi Çmimin Nobel për Letërsi. Ai ka publikuar shtatë romane, në mesin e tyre edhe romanin “Plaku dhe Deti”.
I konsideruar nga shumëkush si strehë e brezit të humbur, Hemingway vazhdon të mbetet shkrimtari më i shquar amerikan. Proza e tij e gjallë shquhet për nga thjeshtësia mahnitëse, dialogu i thjeshtë plotë jetë. Personazhet kryesore të Hemingway janë gjithnjë luftëtarë të paepur, me dinjitet krenar, toreador, përballë gjendjes së nderë që po përjetonte padrejtësisht brezi i humbur, brez në kurrizin e të cilit rëndoi më së shumti Lufta e Parë Botërore./ KultPlus.com

Yesterday — 21 July 2025Main stream

Lida Berisha promovon librin ‘Meet dhe Balkans’, trajton karakteristikat e ballkanasve me humor e ilustrime

By: Kult Plus
21 July 2025 at 21:22

Flonja Haxhaj

Sot, në ambientet e Barabar Centre, u bë promovimi i librit “Meet the Balkans – An illustration guide to social life”, i autores Lida Berisha, një libër ky që vjen si një satirë e lehtë e karakteristikave të ballkanasve, duke përfshirë pikëvështrime të ndryshme të jetesës së tyre, shkruan KultPlus.

Botuar nga Shtëpia Botuese “Rea”, “Meet the Balkans” është një libër ilustrativ që, me stilin minimalist të Berishës, sjell një kolazh të zakoneve, sjelljeve dhe momenteve të zakonshme ballkanike – ato që shpeshherë janë njëkohësisht qesharake dhe prekëse. Me humor të hollë dhe vëzhgime të mprehta, autorja na fton të reflektojmë mbi vetveten dhe mbi atë çka na bën “ballkanas”.

Në një mbrëmje që kishte mbledhur shumë dashamirë të librit por edhe të tërhequr nga tematika e librit, ky promovim filloi me një video ilustruese që tregonte procesin e krijimit të librit por edhe në përgjithësi atë çka ky libër trajton.

Në këtë promovim, e para, fjalën e mori Rozafa Bashota nga Shtëpia Botuese ‘Rea’, e cila përveç që foli për librin, rrëfeu edhe përvojën me vetë autoren e tij.

“‘Meet the Balkans’ një libër që flet për ne, qesh me ne dhe na kujton se pse Ballkani është kaq unik. Me Lidën ka qenë kënaqësi bashkëpunimi prej ditës së parë, e ka një mënyrë shumë unike se si e sheh botën dhe këtë e ndjen në çdo faqe të librit të saj. Ajo vjen me ide të guximshme dhe me një përkushtim të rrallë ndaj detajeve, edhe artistike edhe njerëzore. Ky libër është krejtësisht Lida, i sinqertë, i veçantë në mënyrën më të mirë të mundhsme dhe shumë ballkanik”, u shpreh Bashota në fjalimin e saj.

Më pas, fjalën e mori shkrimtari, poeti dhe profesori universitar, Sali Bashota, i cili u shpreh se autorja Lida Berisha, ka arritur me një mjeshtëri të paraqesë kulturën e Ballkanit, duke kombinuar me ilustrime e fotografi.

“Gjatë leximit të këtij libri, unë mendoj se është një libër i veçantë, i botuar në Kosovë, edhe për nga tematika edhe për nga ana vizuale, mënyra e kombinimit të ideve, të motiveve, temave, subjekteve të ndryshme, që natyrisht kanë secila në vete nga një porosi. Lida ka arritur me një mjeshtëri stili, gjuhe e figuracioni të paraqesë pjesën kreative të jetës sociale në përgjithësi në Ballkan, duke përfshirë doke, zakone dhe adete, por edhe duke sjellë një imazh ku kombinohet fjala, tingulli dhe fotografia, ilustrimi. Nga ana letrare, është ajo ndjeshmëria e vetë autorit me fenomenet estetike me fenomenet sociale dhe jetësore, e që është një karakteristikë e veçantë të cilën Lida e posedon jo vetëm një pikëvështrim nga sociale e psikologjike por natyrisht unë e kam parë se ka ambicie edhe në stilin letrar, që i përket letërsisë”, u theksoi Bashota, teksa më tutje sugjeroi që ky libër të lexohet nga të gjitha gjeneratat.

I pranishëm në këtë promovim ishte edhe sociologu dhe poeti Agon Rexhepi. Ai theksoi se autorja ka arritur të shkruajë një libër me të cilin vë theksin tek të metat e Ballkanit, mirëpo në një formë në të cilën askush nuk ndjehet i ofenduar.

“Mendoj që identiteti ballkanik është goxha kompleks, është një lloj simbioze në mes të ndjenjës së patriotizmit që ndonjëherë kalon në nacionalizëm dhe në një lloj ndjenje të inferioritetit, një ndjenjë që ti aq sa e do vendin tënd aq edhe ndjehesh inferior në raport me të tjerët. Konsideroj që është goxha problematike ta gjesh një gjuhë që e portretizon nga një prespektivë antropologjike këtë çështje, por pa e ofenduar asnjërën palë. Është diçka shumë e zgjuar nga ana e autores, një kontribut shumë i vyeshëm se si ka ditur t’i shkrijë fjalët që i ka treguar në njëfarë forme një të zezë të Ballkanit, pa i bërë të ndjehen keq dhe pa ua aktivizuar ata mekanizmat mbrojtës”, tha Rexhepi.

E krejt në fund, fjalën e mori vetë autorja Lida Berisha, e cila fillimisht falënderoi të gjithë të pranishmit dhe më tutje dha më shumë informacione se si filloi shkrimi i këtij libri.

“Unë jam vëzhguese e Ballkanit për 34 vite. Mua më pëlqen të vëzhgoj, të observoj, të shoh kulturat dhe sidomos kur distancohesh prej vendit, i sheh edhe më mirë edhe mangësitë edhe të mirat, por pastaj ndonjëherë përzihen edhe nostalgjia edhe melankolia që e ke për vendin, kështu që jam munduar të jem sa më reale pa ndonjë ndjenjë të përzier. Kam pasur kohë të reflektoj dhe të jem sa më e sinqertë, pa ndonjë gjë që dikush mund ta marrë si të keqe, si kritikë”, tha Berisha, e cila në vazhdim shtoi se ky libër është vetëm një satirë e lehtë për Ballkanin, por pa dashur të ofendojë askënd.

E për fund, të pranishmit patën mundësi të jenë edhe pjesë e një ekspozite, kur u ilustruan disa nga karakteristikat që e mbizotërojnë shumicën e jetesës së ballkanasve./KultPlus.com

Bisedat private të Albert Einstein botohen si libër

By: Kult Plus
21 July 2025 at 20:45

Regjistrimet e marra në vitet e fundit të jetës së Albert Einstein po botohen si libër, rreth 20 vjet pasi u zbuluan, si transkriptime të bisedave telefonike që fizikanti i zhvilloi midis viteve 1953 dhe 1955, njoftoi sot shtëpia botuese “Heyne Verlag”.

Regjistrimet janë bërë nga Johanna Fantova, e cila konsiderohet si mikesha e ngushtë e Einstein-it. Ato përshkruajnë ngjarjet nga një vit e gjysmë para vdekjes së shkencëtarit në moshën 76-vjeçare.

Einstein (1879-1955), i cili u arratis nga Gjermania naziste drejt Shteteve të Bashkuara  të Amerikës në vitin 1933, thuhet se i ndante momentet e tij në mërgim me Fantovën përmes telefonit. Fantova, e cila e kishte takuar fillimisht në Gjermani dhe më pas ishte shpërngulur edhe ajo në SHBA, i ka transkriptuar bisedat me miratimin e tij, sipas botuesit.

Manuskripti 62-faqësh në gjuhën gjermane u zbulua rastësisht në vitin 2004 në bibliotekën “Firestone “të Universitetit Princeton, ku Fantova  punonte si kuratore. Materialet kishin qëndruar të paarkivuara për një kohë të gjatë.

Tani, këto shënime ditari do të botohen për herë të parë në një edicion të komentuar me zbulime shtesë më 24 shtator. Titulli i librit nga Peter von Becker është: “Jam një magnet për të gjithë maniakët. transkriptet e Einsteinit, jeta e tij, dashuria e fundit, trashëgimia e tij”.

Në këtë ditar, Einsteini, I cili revolucionarizoi fizikën me “Teorinë e Relativitetit “ ndan mendimet e tij për politikën, shkencën, jetën e përditshme dhe dashurinë./KultPlus.com

Italia merr mbrapsht mozaikun antik të vjedhur gjatë Luftës së Dytë Botërore

By: Kult Plus
21 July 2025 at 20:00

Një mozaik dymijëvjeçar, i cili ishte vjedhur nga një oficer nazist, është kthyer në Itali më shumë se 80 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Mozaiku do të vendoset në një ekspozitë në qytetin antik të Pompeit, pranë Napolit, i cili u mbulua nga hiri vullkanik në vitin 79 pas Krishtit, pas shpërthimit të Vezuvit, bëri të ditur drejtori i zonës arkeologjike, Gabriel Zuchtriegel.

“Çdo artefakt i vjedhur që kthehet është si një plagë që shërohet”, u shpreh Zuchtriegel.

Mozaiku i punuar me imtësi paraqet një burrë dhe një grua me veshje romake në një pozë intime në një dhomë gjumi.

Sipas muzeut, mozaiku ka të ngjarë të vijë nga rajoni rreth vullkanit Vezuv dhe mund të ketë zbukuruar dikur dyshemenë e një dhome gjumi. Mendohet se punimi  është krijuar në shekullin I para ose pas Krishtit.

Sipas forcës së karabinierëve për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, mozaiku ka përfunduar në mënyrë të paligjshme në zotërim të një anëtari të Wehrmacht-it gjatë pushtimit gjerman të Italisë.

Mozaiku u rikthye në Itali në shtator përmes konsullatës së Përgjithshme italiane në qytetin gjerman jugperëndimor të Shtutgartit.

Pas armëpushimit mes Italisë dhe forcave aleatëve në shtator 1943, Wehrmacht-i gjerman pushtoi pjesë të mëdha të vendit. Ky pushtim 20-mujor u shënua nga dhuna, ndërsa një numër i madh veprash arti dhe objektesh kulturore u zhdukën nga koleksionet publike apo vendet arkeologjike./KultPlus.com

Mbramja asht larg

By: Kult Plus
21 July 2025 at 19:30

Poezi nga Martin Camaj

Mbramja asht larg
e ti je atje mbi kodër të blerueme
ku gurzit që bashin zhurmë
i përpiu dheu.

Ti je atje me të bijën e heshtjes
e me shoqe tjera e mendon për mue.
Unë jam në detin e tingujve
e ndër gjujt e mij ndieva
peshen e tramit tue u ndalue me turr.

Mandej i lëshova vendin një të vjetri
e mes tallazit të krahve thashë:
mbramja ashtë larg e ti andej lumit.

Heshtja prek qiellin me dorë
E ti atje mbi kodër të blerueme
njeh gjurmët e diellit npër qiell. / KultPlus.com

Jeta e Robin Williams nëpër fotografi

By: Kult Plus
21 July 2025 at 19:00

Aktori komedian Robin Williams lindi më 21 korrik të vitit 1951, dhe vdiq në moshën 63-vjeçare më 11 gusht të vitit 2014. Ai vdiq në shtëpinë e tij në Kalifornia, pasi vuante nga sëmundja e Parkinsonit dhe depresioni i rëndë.

Disa nga rolet dhe filmat që ai mori pjesë janë: Mork në ‘Mork and Mindy’, Xhenin në ‘Aladdin’, Daniel Hillard në ‘Znj. Doubtfire, John Keating në ‘Dead Poets Society’ Sean Maguire në ‘Good Will Hunting’ dhe shumë e shumë të tjerë.

Me rolet e tij ikonike ai ishte fitues i pesë çmimeve Grammy, katër Golden Globes, dy Emmy dhe një Oscar. / KultPlus.com

Letra që Ernest Hemingway i dërgoi Petro Markos

By: Kult Plus
21 July 2025 at 18:30

Një ndër autorët shqiptarë, i cili për fat të keq nuk vlerësohet aq sa duhet, është Petro Marko i cili një herë e një kohë, takohej me laureatin e çmimit Nobel për Letërsi, shkrimtarin e madh Ernest Hemingway.

Në artikullin “Shkrimtari, që do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…”, marrë nga parathënia e librit “Për kë bie këmbana”, botim i shtëpisë botuese “Ombra GVG”, Petro Marko shkruan:

“…U njoha me Heminguejin në Valencia, në Kongresin e Shkrimtarëve më të shquar të botës, si: Pablo Neruda, Nikolas Giljen, Andre Marlo, Nekse, Ana Serges, Luvdig Ren, Aleksej Tolstoj, Rafael Alberti, Atonia Maçado e të tjerë. Ky dukej më i gjalli. Unë për herë të parë i shikoja dhe u dëgjoja emrin këtyre kolosëve të letërsisë bashkëkohore, të cilët, me mendimet dhe shkrimet e tyre, i dhanë një hapësirë më humane, më internacionale dhe socialiste letërsisë dhe artit botëror.

Isha kureshtar për këtë njeri, trupmadh dhe të ngarkuar me kamera (se xhironte filma për zhurnalet e kinemave të botës dhe i shiste për t’i ardhur në ndihmë Republikës), të ngarkuar me bomba, me dylbi, me pistoleta, aq sa një shkrimtar tjetër i njohur i tha:

– Si shumë t’i rëndojnë supet hekurat që mban!

– Më shumë mi rëndojnë mendimet se hekurat, – iu përgjigj Ernest Heminguej.

Kur lexova romanin e tij u mahnita, prandaj nisa dhe unë të shkruaja romanin ‘Hasta la vista’. Kur u botua, i dërgova edhe atij një kopje, ku i shkruajta: ‘I frymëzuar thellë dhe i nxitur nga romani juaj ‘Për kë bie këmbana’, kushtuar vullnetarëve amerikanë, që ranë në Spanjë, unë shkrova këtë roman modest, kushtuar shqiptarëve që ranë në Spanjë’.

Pas dy a tre muajsh, mora një kartë postale. E hapa dhe lexova këto fjalë të Heminguejit, shkruar në gjuhën spanjolle: ‘I dashur Pedro, mora romanin tuaj dhe ju falenderoj. Mjerisht, unë nuk e lexoj dot, se nuk e di gjuhën tuaj. Vetëm për një gjë jam i sigurt: shkrimtari, që e do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…’”. /KultPlus.com

Ndërhyrje restauruese dhe konservuese në kalanë e Gjon Boçarit

By: Kult Plus
21 July 2025 at 18:04

 Kalaja e Gjon Boçarit në Tragjas, Vlorë, Monument Kulture i Kategorisë së Parë do t’i nënshtrohet ndërhyrjeve restauruese dhe konservuese.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bëri të ditur sot se kjo ndërhyrje do të realizohet për shkak të gjendjes së dëmtuar në disa segmente të kalasë.

“Kalaja e Gjon Boçarit do t’i nënshtrohet ndërhyrjeve restauruese dhe konservuese, për të ruajtur dhe valorizuar trashëgiminë e saj të çmuar”, theksoi IKTK në një postim në rrjetet sociale.

Kjo kala ka rëndësi të veçantë historike dhe arkitektonike.

E ndërtuar në shekullin XVI dhe e zgjeruar në shekullin XVII, kjo kala përfaqëson një shembull tipik të arkitekturës mbrojtëse të periudhës.

Ka një planimetri katërkëndëshe kënddrejtë (30 x 18 m), me dy kulla poligonale në qoshet veriore dhe lindore, të cilat kanë shërbyer për mbrojtje dhe vrojtim.

Lartësia e mureve, deri në shtegun e rojes, arrin 4 m, ndërsa parapeti i ruajtur vetëm si gjurmë, kishte një gjerësi prej 0,54 m. Në shtegun e rojës të çonin dy palë shkallë të ndërtuara brenda trashësisë së mureve veriperëndimore dhe juglindore. Kullat janë krejtësisht të hapura nga ana e brendshme e fortifikimit, duke qenë kështu më tepër një vazhdim i mureve rrethuese./KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare e Kosovës me ekspozitë në 100-vjetorin e lindjes së Martin Camaj

By: Kult Plus
21 July 2025 at 17:26

Me rastin e përvjetorit të lindjes së një prej figurave më të shquara të letërsisë dhe albanologjisë shqiptare, Martin Camajt, kryeredaktor i revistës së njohur “Shejzat”, i cili la pas një trashëgimi të pasur në fushën e letrave shqipe, organizohet një ekspozitë e veçantë në shenjë nderimi dhe kujtimi.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës, në koleksionet e saj, ruan disa nga botimet e tij në fushën e poezisë, romanit, dramës dhe studimeve gjuhësore, të cilat përbëjnë thesare të çmuara për kulturën dhe albanologjinë shqiptare.

Veprat e Martin Camajt janë ura lidhëse ndërmjet kulturës shqiptare dhe asaj botërore, duke e ngritur dhe lartësuar gjuhën shqipe, kulturën dhe historinë e popullit shqiptar në arenën ndërkombëtare./KultPlus.com

Lum Lumi

By: Kult Plus
21 July 2025 at 16:56

Poezi nga Ali Podrimja

A thua është dita jote e fundit në spital
do t’i biem deri në fund a thua
edhe kësaj dite të lodhur në orën e familjes.

Nuk të kam sharë as nuk të kam rënë kurrë
vetëm të kam thënë; Ai në hapsirë atje larg jam Unë.

Në jetë, në art vrasësit më të mëdhenj janë frikacakët.
Mjeshtëria e tyre; gjuajtja në gabime, dhelpëria.

Ti mëso të duash vogëlush. Ti mëso të ecësh me këmbët e tua
mbi të keqen mbi të mirën, mendo me kokën tënde
kurrë mos pështyj në dashuri, as në pleh;
Mallkim i fisit.
Shkolla jote antike; të dish të çelësh derën e shtëpisë
Në çdo kohë,
Të dish të thuash fjalën kur duhet thënë.
Urrejtja është më e rëndë se vrasja.

Me ditë me shikon nga krevati i vjetër; spitali tepër i vogël
për dhimbjet e tua
për shtatë plagët e tua
për ditët, për netët e tua plot klithje.

spitali tepër i vogël
i vogël tepër spitali
nën te Danubi i thellë e i kaltër.
A thua tërë jetën do të na vijë era jod
sëmundje, murtajë
do pështyjmë gjak e vrer,
a thua tërë jetën t’i dezinfektojmë plaçkat, ëndrrat, fjalët.
A thua edhe këtë ditë do ta kalojmë në spital.
Të shikoj; në syrin tënd flaka, etja, qielli,
Në syrin tënd asnjë dredhi, asnjë mllef
pastërtia e syrit tënd më ka përpirë të tërin.
Në fund të syrit tënd
hap fatin tim të kobshëm.
Ai nuk jam Unë
Ai nuk je TI
Kush jam, kush je?
Syri yt mbyllet, dhe frëngjia në Kullë.
Poezia më e bukur ende s’është shkruar
as do të shkruhet
përderisa zhytësit ende jetojnë
Vogëlushi im, thellësia mashtron, vetëm largon nga e vërteta
dhe çdo fund është tragjik.
Po ç’ka aty poshtë në materie
Miu i Bardhë, antimateria.

Do të vijë koha kur do të më hapësh si një libër
të vjetër psalmesh
kur do të mësoj të ecësh nëpër pluhurin tim
por koha ecën shpeshherë në shpinë të breshkës.

A thua na u sosën fjalët, këngët,
na mundi ëndrra, udha,
a thua edhe kjo ditë po na lë me shpirt ndër dhëmbë.

Ti je më i madh, vogëlush, më i fortë se ky spital
për inat këtë ditë ta sosim deri në fund.
Lum Lumi./ KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare e Kosovës nën dokumentimin arkitektonik të Koordinacija.hr

By: Kult Plus
21 July 2025 at 16:20

Një dritë e re po bie mbi Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, përmes objektivit të ekipit të Koordinacija.hr, një grup i njohur kroat, që prej vitesh dokumenton arkitekturën moderne në hapësirën ballkanike.

Këtë herë, vëmendja e tyre është përqendruar tek një nga ndërtimet më ikonike dhe të diskutueshme të rajonit: biblioteka kombëtare, e ndërtuar mbi vizionin e arkitektit kroat Andrija Mutnjaković.

Gjatë qëndrimit të tyre në Prishtinë, ekipi realizoi xhirime të detajuara brenda dhe jashtë ambientit të bibliotekës, duke u fokusuar në formën e saj unike, strukturat kubike të mbuluara me kupola dhe rrjetën metalike që e bën këtë ndërtesë të pazakontë në çdo këndvështrim. Ky dokumentar do të transmetohet në HRT2, kanalin e dytë të televizionit publik kroat, dhe synon të sjellë për publikun më të gjerë një rrëfim mbi arkitekturën si pasqyrë e kohës, vizionit dhe shpirtit të një kombi, përcjellë KultPlus.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës, më shumë se një strukturë fizike, është simbol i dijes, qëndresës dhe identitetit kulturor. Që prej kur u ndërtua, ajo vazhdon të ngjallë debate për stilin e saj arkitektonik, por pa dyshim mbetet një pikë referimi në peizazhin urban dhe shpirtëror të Prishtinës.

Ky dokumentar vjen si një homazh jo vetëm për veprën e Mutnjakovićit, por edhe për vetë bibliotekën, që përmes arkitekturës së saj përçon një ndjesi të fortë të ndërthurjes midis së shkuarës dhe së ardhmes, një monument i gjallë që ruan zërin e librave, por edhe zërin e kohës./KultPlus.com

Dua Lipa surprizon Napolin, darkë elegante dhe emocione në “Cicciotto a Marechiaro”

By: Kult Plus
21 July 2025 at 16:00

Një nga yjet më të mëdhenj të muzikës pop, Dua Lipa, ka shijuar një darkë të veçantë në restorantin e njohur “Cicciotto a Marechiaro” në Napoli.

Këngëtarja shqiptare, me mbi 87 milionë ndjekës në rrjetet sociale zgjodhi restorantin e drejtuar nga Vincenzo dhe Gianluca Capuano për darkën e saj napolitane, e cila rezultoi të ishte një përvojë e paharrueshme si për të, ashtu edhe për mikpritësit.

Menuja përfshinte një meze me karkaleca deti dhe scampi të freskët, pasta paccheri me karavidhe dhe një gotë të mirë vere Fiano. E përkëdhelur nga vetë Vincenzo Capuano, Dua Lipa shijoi gjithçka me finesë dhe vëmendje për detajet.

Sipas burimeve, ajo mbërriti me avion privat në aeroportin e Foggias, për të vijuar më pas me helikopter drejt Napolit, përpara se të nisej për në Capri, përcjellë KultPlus.

“Ishte një ndjesi e mrekullueshme të shihja Dua Lipën në restorantin tim,” u shpreh Vincenzo Capuano, duke përshkruar emocionet e tij gjatë vizitës së këngëtares. “Ajo mori tartar me ton dhe kalamar të skuqur. Donte karkaleca deti të gjallë dhe e dinte ndryshimin mes atyre sicilianë dhe kalabrezë. Unë dua ato vjollcë. Linguine me scampi për pjatën e parë,” – vazhdoi ai.

Capuano shpjegoi se nuk ishte njoftuar për identitetin e mysafires së veçantë përpara ardhjes së saj.

“Na telefonuan, por nuk thanë për kë ishte rezervimi. Kur e pashë të ulur në tavolinë, nuk mund t’u besoja syve të mi. Ishte një emocion i madh dhe i sinqertë.”

Vizita e Duas mbetet një vizitë e shkurtër, por mbresëlënëse, që i shton një tjetër moment të paharruar historisë së restorantit legjendar napolitan./rtl102.5/KultPlus.com

Askush nuk âsht ishull

By: Kult Plus
21 July 2025 at 15:40

Askush nuk âsht ishull,
i mbyllun n’rrethin e vetmisë;
secili âsht pjesë e kontinentit,
pjesë e tanësisë.
Nëse nji pjesë toke e han deti,
Evropa zvogëlohet,
si nji shkrep që shembet,
si prona e mikut a e jotja kur shpronësohet.
Vdekja e çdo njeriu më pakëson,
se i përkas njerëzimit, gjithsesi.
Prandaj kurrë mos pyet për kë bie kambana;
ajo bie për ty.

(1624) John Donne, “Askush nuk âsht ishull”, përkthyer nga Ag Apolloni

Përmeti në edicionin e pestë të Festivalit “Nona”, një festë për gjyshet, traditën dhe dashurinë ndërbrezore

By: Kult Plus
21 July 2025 at 15:00

Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje qytetarëve të ruajnë datat 8, 9 dhe 10 gusht për të vizituar qytetin e Përmetit, ku do të zhvillohet edicioni i pestë i Festivalit “Nona”, një ngjarje e veçantë kulturore që këtë vit feston 5-vjetorin e saj.

“Festivali ‘Nona’, një udhëtim i veçantë në rrënjët tona, me zemrën plot. Festojmë bashkë me gjyshet më të dashura nga gjithë Shqipëria, në një festë plot dashuri, kujtime dhe muzikë në zemër të Përmetit”, shkroi kryeministri Rama në rrjetet sociale, duke i ftuar qytetarët të bëhen pjesë e kësaj atmosfere unike.

Festivalit “Nona” është një festë treditore që kthehet çdo vit në një pikë takimi për brezat e vjetër dhe të rinj, duke kthyer parkun qendror të qytetit në një “shtëpi të gjyshes” për të gjithë. Me theks te trashëgimia kulturore, gatimet tradicionale dhe ngrohtësia e marrëdhënieve njerëzore, festivali përçon ndjesinë e komunitetit dhe afërsisë shpirtërore, përcjellë KultPlus.

Në zemër të festivalit qëndron figura e gjyshes, jo vetëm si ruajtëse e recetave dhe zakoneve tradicionale, por edhe si simbol i dashurisë pa kushte dhe urtësisë popullore. Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të shijojnë gatime tradicionale të përgatitura me dashuri nga duart e gjysheve, të ndajnë kujtime e të këndojnë së bashku në një atmosferë festive e plot ngjyra.

Synimi kryesor i këtij festivali është të krijojë një urë dialogu midis brezave, duke promovuar afërsinë mes të moshuarve dhe të rinjve, një frymë që sfidon ndarjen gjithnjë në rritje që shpesh shfaqet në jetën moderne urbane.

Në zemër të natyrës dhe traditës, Përmeti do të ofrojë sërish këtë gusht një përvojë të paharrueshme për këdo që kërkon të lidhet me rrënjët, me njerëzit dhe me shpirtin e gjallë të Shqipërisë./KultPlus.com

Rikonstruksioni i Teatrit “Aleksandër Moisiu”, një hap drejt rigjallërimit kulturor të Durrësit

By: Kult Plus
21 July 2025 at 14:40

Një ekip nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, i kryesuar nga zëvendësministrja Lira Pipa, zhvilloi një inspektim në kantierin e rikonstruksionit të Teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Ky teatër qëndron si një nga institucionet më të rëndësishme të jetës artistike në qytetin bregdetar.

Gjatë vizitës ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Bashkisë së Durrësit, të cilët ndoqën nga afër ecurinë e punimeve që po realizohen në këtë projekt strategjik të bashkëfinancuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Ministri Blendi Gonxhja, në një reagim në rrjetet sociale, theksoi rëndësinë e këtij investimi, duke e cilësuar atë pjesë të një vizioni më të gjerë për zhvillimin e infrastrukturës kulturore në vend. Sipas tij, kultura mund të shërbejë si një motor i fuqishëm për zhvillimin e komuniteteve dhe për rigjallërimin urban të qyteteve, përcjellë KultPlus.

Projekti i rikonstruksionit të Teatrit të Durrësit synon përmirësimin e plotë të kushteve teknike dhe funksionale të godinës, përfshirë modernizimin e skenës dhe hapësirave të brendshme. Por përtej aspektit teknik, theksi vihet në ringritjen e teatrit si një qendër aktive për krijimtarinë artistike, dialogun kulturor dhe edukimin e brezave të rinj në frymën e artit dhe të shprehjes së lirë.

“Ky projekt ambicioz përpiqet të komunikojë imazhin e një qyteti në lëvizje, aktiv dhe inovativ, i cili respekton trashëgiminë e tij kulturore duke ndërtuar mbi të një të ardhme të qëndrueshme dhe cilësore,” u shpreh ministri Gonxhja, duke nënvizuar rolin që Teatri “Aleksandër Moisiu” pritet të ketë në jetën kulturore të Durrësit në të ardhmen./KultPlus.com

Arti dhe identiteti arbëresh në Casalvecchio di Puglia përmes inagurimit të instalacioneve artistike

By: Kult Plus
21 July 2025 at 14:20

Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Silda Anagnosti Çepe, mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të veprave artistike dhe instalacioneve të skulptorit me famë ndërkombëtare, Helidon Xhixha, një artist i njohur për mënyrën unike me të cilën bashkon artin me identitetin kulturor.

Ngjarja u zhvillua në qytezën arbëreshe Casalvecchio di Puglia, ku ishin të pranishëm autoritete lokale dhe përfaqësues të diasporës shqiptare. Instalacionet e prezantuara nga Xhixha janë pjesë e projektit të veçantë “Land Art”, i cili synon të lidhë natyrën me artin bashkëkohor, duke theksuar trashëgiminë kulturore, përcjellë KultPlus.

Gjatë fjalës së saj, Zëvendësministrja Çepe theksoi mbështetjen e palëkundur të qeverisë shqiptare për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës, artit dhe traditave arbëreshe, të cilat përfaqësojnë një dëshmi të fortë të rezistencës shekullore të këtij komuniteti unik. Duke theksuar kështu edhe faktin se këto elemente kulturore janë ura të rëndësishme që lidhin Shqipërinë dhe Italinë, që kontribuojnë në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe hapin rrugën për një Evropë më të bashkuar, bazuar në rrënjët e përbashkëta kulturore.

Ky aktivitet është një shembull i fuqishëm i dialogut ndërkulturor dhe bashkëpunimit mes komuniteteve, që thekson rolin e artit si një mjet lidhës për ruajtjen dhe promovimin e identiteteve brenda Evropës. Në këtë kontekst, puna e Helidon Xhixhës merr një rëndësi të veçantë, duke i dhënë zë dhe formë historisë dhe kulturës arbëreshe përmes gjuhës universale të artit./KultPlus.com

21 korriku, përvjetori i lindjes së yllit të filmit dhe komedisë, Robin Williams

By: Kult Plus
21 July 2025 at 14:00

Korriku shënon përvjetorin i lindjes së Robin Williams, një nga aktorët dhe komedianët më të dashur dhe më të paharrueshëm në historinë e filmit.

Me energjinë e tij të pakufishme, talentin e jashtëzakonshëm dhe aftësinë për të sjellë gëzim në zemrat e miliona njerëzve, Williams la gjurmë të thella në botën e artit.

Karriera e tij shtrihej në më shumë se katër dekada, gjatë të cilave ai solli në jetë një varg karakteresh të paharrueshme në film, televizion dhe teatër. Ai fitoi një Çmim Akademie për rolin e tij në “Good Will Hunting” dhe u shqua për aftësinë e tij për të balansuar komedinë me dramën në mënyrë të rrallë. Filmat si “Mrs. Doubtfire”, “Dead Poets Society”, “Aladdin” dhe “Jumanji” janë vetëm disa nga veprat që e bënë atë ikonë të kinemasë botërore, përcjellë KultPlus.

Megjithatë, pas dritës së skenës dhe buzëqeshjes së tij të njohur, Robin Williams përballej me sfida të mëdha personale dhe probleme shëndetësore. Ai vdiq në vitin 2014, duke lënë pas një boshllëk të madh në botën e artit dhe në zemrat e fansave të tij. Hetimet më pas zbuluan se ai vuante nga demenca, një sëmundje neurodegjenerative që ndikoi në shëndetin e tij mendor dhe fizik, dhe besohet të ketë qenë një nga faktorët kryesorë që çuan në vetëvrasjen e tij.

Në këtë përvjetor, kujtohet jo vetëm talenti i tij i jashtëzakonshëm, por edhe mesazhi i tij për të jetuar me pasion dhe humanizëm./KultPlus.com

❌
❌