Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 August 2025Main stream

Promovimi i turizmit malor, fillon festivali Via Dinarica Kosovo në Pejë

16 August 2025 at 00:02

Në qytetin e Pejës ka filluar sot edicioni i parë i festivalit Via Dinarica Kosovo, një ngjarje që synon të promovojë turizmin malor, prodhimet vendore dhe trashëgiminë kulturore të rajonit.

Aktiviteti po organizohet nga Fondacioni Utalaya me mbështetjen e Agjencisë Italiane për Bashkëpunim në Zhvillim dhe do të zgjasë deri më 17 gusht, raporton KosovaPress.

Festivali u hap me Panairin e Produkteve Vendore dhe turin virtual të “Via Dinarica Kosovo”, ku vizitorët patën mundësinë të njihen me ofertat gastronomike e artizanale të zonës.

Ceremonia zyrtare e hapjes, e mbajtur në mbrëmje, përfshiu fjalime nga përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, mes tyre ambasadori i Italisë në Kosovë, zyrtarë të komunave të Pejës dhe Junikut, si dhe përfaqësues të federatave sportive.

Gjatë ceremonisë u bë edhe prezantimi i markës Via Dinarica Kosovo, një hap i rëndësishëm për promovimin e kësaj rruge malore si destinacion turistik.

Kryetarja e fondacionit “Utalaya”, Uta Ibrahimi, tha se ky projekt do t’i bëjë njerëzit nga gjithë bota të bien zë dashuri me malet tona.

“Kemi sjellë blogerë, gazetarë nga e gjithë bota, që të ecim së bashku me ne në shtegun e Via Dinarica, Kemi prodhuar një dokumentar, të cilin ju ftoj ta shohim bashkë nesër si premierë dhe sot, gjersa e hapëm këtë festival, po e mbyllim edhe një projekt shumë fantastik, sepse Via Dinarica Kosova nuk është më vetëm një projekt tjetër po me shumë siguri mund të them që Via Dinarica për herë të parë është një shtet që rri, që frymon që pret hapat e ardhshëm. Është ftesë për të ardhur për të parë, për t’i dashuruar malet tonë, ashtu sikurse ju duam edhe ne,” tha Ibrahimi.

Ambasadori i Italisë në Prishtinë, Maurizio Antonini, tha se ky projekt është hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të trashëgimisë natyrore në Kosovë.

“Ky event është një festim i trashëgimisë së pasur natyrore të Kosovës dhe një testament i vlerave të përbashkëta të bashkëpunimit dhe këmbimit kulturor që na bashkojnë të gjithëve. ia Dinarica është më shumë se një shteg, është një urë që bashkon komunitete dhe kalon kufij, nxit dialog mes kulturave dhe sjell njerëz së bashku me shpirtin e zbulimit, respektit dhe kuptimit të përbashkët. Nga projekti Natur Kosova e mbështetur nga Agjencia Italiane për zhvillim dhe bashkëpunim, e implementuar nga organizata italiane Voluntari nel mondo dhe partneri lokal Utalaya foundation, po bëjmë hapa të rëndësishëm për të nxjerrë në pah trashëgiminë unike natyrore dhe kulturore të Kosovës”, tha ai.

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdari tha se hapja e shtegut Via Dinarica paraqet një hap të madh drejt integrimit të vendit drejt familjes së madhe evropiane.

“Ndjehem e lumtur që hapim sot festivalin Via Dinarica Kosova, duke filluar në Pejë, për të vazhduar edhe në Junik e Deçan, të vendit tonë, Kosovë, me natyrë të jashtëzakonshme, me një trashëgimi kulturore e historike të pasur e të larmishme me malin Mahnicë dhe resurset natyrore dhe më e rëndësishmja me një rini dinamike, me shumë talent e shpirt, ndërmarrësie dhe kulturë moderne, me vlerat tona kombëtare drejtë integrimit në familje

tonë evropiane. Më vjen mirë që ky festival, po e shënon edhe fazën përmbyllëse të një projekti shumë të suksesshëm të turizmit në Kosovë, projekti Naturë Kosova, që ka kontribuar në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm përmes aktiviteteve lidhur me trashëgiminë natyrore e kulturore në Kosovë dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm të shtetit, Via Dinarica, me rëndësi strategjike për vendin tonë”, tha Hajdari.

Ditët në vijim do të sjellin aktivitete të ndryshme, përfshirë garën malore “Podi i Jakupit-Pepaj”, diskutime me blogerë e udhëtarë, premierën e dokumentarit “Via Dinarica Kosovo” dhe koncerte nga artistë vendorë. Festivali synon të krijojë një platformë bashkëpunimi mes komuniteteve vendore, operatorëve turistikë dhe institucioneve, duke nxitur zhvillimin e turizmit në Kosovë.

The post Promovimi i turizmit malor, fillon festivali Via Dinarica Kosovo në Pejë appeared first on Telegrafi.

“1 milionë euro dëm në blegtori”/ Ekspertët: U dogjën mijëra bagëti e koshere bletë, shifrat pritet të rriten!

15 August 2025 at 23:56

Flakët e zjarrit që dogjën fshatrat e Shqipërisë kanë shkaktuar dëme të mëdha ekonomike në familjet që zjarri u dogji shtëpinë apo gjënë e gjallë.

Demi më tani, vetëm në sektorin e blegtorisë, dëmi përllogaritet te 1 milion euro, pasi sipas të dhënave janë djegur 1000 koshere bletë dhe 4000 krerë bagëti, por kjo shifër në ditët e ardhshme mund të jetë shumë herë më lartë, pasi trupa inspektuese e veterinerëve ende nuk ka rritur të shkojë të gjithë fshatrat e djegur.

“Për të bërë një përllogaritje të thjeshtë, duke pasur parasysh që një koshere bletësh shkon 250-300 euro, nga 1000 bletë të dëmtuar 300 mijë euro dëm kemi vetëm tek bletët. Nëse llogarisim më pas numrin e blegtorisë së djegur që shkon diku tek 4000 dhe një kokë kushton 150-200 euro vlera e dëmit shkon tek 900 mijë euro”, thotë eksperti i ekonomisë, Klodian Muço.

Teksa dimë që do të subvencionohen fermerët për kafshët e djegura, nga ana tjetër ende nuk ka një vendim nëse do të veprohet me të njëjtën formë me ato ferma, ku sëmundja e murtajës u shfarosi delet dhe dhitë. si pasojë e këtij infeksioni, deri më tani janë groposur 2164 të imta.

Por zjarri nuk dogji vetëm shtëpi dhe kafshë, por edhe mijëra hektarë tokë me të mbjella si ullishta apo pemë drufrutore, për këto të fundit ende nuk ka asnjë statike se sa është sipërfaqja e djegur dhe a do të do dëmshpërblehet bujku shqiptar

“Duhet të keni parasysh që 1 hektarë pyll kushton 15-25 mijë euro çdo gjë ka kosto pa llogaritur shtëpitë e djegura”, shpjegon Muço.

Por, zjarret e qëllimshme apo jo, nuk janë një ngjarje e re për Shqipërinë, pasi për çdo verë, mijëra hektarë tokë në vendin tonë pushtohet nga flakët, dhe për këtë sipas ekspertit të ekonomisë, qeveria duhet të jetë gati edhe financiarisht.

” Jo më kot në një raport të Bankës Botërore citohej që Shqipëria duhet të stacionojë 6-8 mld euro që t’i shpenzojë për mbrojtjen ndaj ndryshimeve klimaterike”.

Reshjet e shiut ndihmuan në fikjen e zjarrit, edhe në ato zona ku ndërhyrja me zjarrfikëse ishte e vështirë./Top Channel

The post “1 milionë euro dëm në blegtori”/ Ekspertët: U dogjën mijëra bagëti e koshere bletë, shifrat pritet të rriten! appeared first on Telegrafi.

Parku Natyror “Syri i Kaltër” i hapur dhe i sigurt për vizitorët

15 August 2025 at 23:38

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) njoftoi sot se Parku Natyror “Syri i Kaltër” në Sarandë tashmë është i hapur për vizita dhe i sigurt për turistët. AKZM apelon që vizitorët të tregojnë kujdes, të jenë vigjilentë dhe të njoftojnë strukturat shtetërore për çdo situatë të pazakontë.

Një ditë më parë, punonjës të AKZM kryen një inspektim në terren, ku në vlerësimin paraprak u evidentua se 30.66 hektarë të sipërfaqes së parkut janë përshkruar ose dëmtuar nga zjarri. Struktura e AKZM, në bashkëpunim me AdZM Vlorë dhe institucionet e tjera shtetërore, janë angazhuar për rikthimin e plotë të sigurisë për komunitetin, bizneset në zonë dhe vizitorët.

“Analiza e dëmeve dhe humbjeve nga zjarret në pyje dhe kullota është pjesë e masave për fazën e rimëkëmbjes. Solidariteti, bashkimi i përpjekjeve dhe rikuperimi psikologjik e emocional janë parimet që na udhëheqin”, thekson AKZM.

Zjarri që nisi në fshatin Krane, njësia administrative Mesopotam, kaloi në fshatin Pecë, shumë pranë Syrit të Kaltër. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave zjarrfikëse dhe strukturave shtetërore, flakët u shuan duke parandaluar dëmtimin e monumentit natyror. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në lartësitë e Malit të Sopotit vijoi puna për shuarjen e zjarrit me 67 forca zjarrfikëse, 30 forca bashkiake, 80 efektivë të Forcave të Armatosura, 6 autoambulanca, 30 forca mbështetëse dhe 11 automjete zjarrfikëse. Në ndihmë u angazhua edhe avioni italian “Canadair”.

The post Parku Natyror “Syri i Kaltër” i hapur dhe i sigurt për vizitorët appeared first on Telegrafi.

Operacioni “Lavazhi”, arrestohen tre persona për trafikim të drogës në Mitrovicë

15 August 2025 at 23:20

Zyrtarët policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Njësia Mitrovicë, kanë zhvilluar sot një aksion të koduar “Lavazhi”, me qëllim arrestimin e personave të dyshuar për përfshirje në trafikim me lëndë narkotike.

Aksioni është realizuar pas urdhrit për kontroll të lëshuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, ku policia ka bastisur disa lokacione në Mitrovicë, me asistimin e Njësisë Speciale Operative dhe Forenzikës.

Gjatë bastisjeve janë sekuestruar: 19 qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë (184.8 gr), 25 qese me substancë të dyshuar kokainë (85 gr), 1,080 euro para të gatshme, 2 peshore digjitale, 3 automjete, 3 telefona celularë, si dhe prova tjera relevante.

Si të dyshuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, janë arrestuar tre persona – njëri prej tyre i mitur.

Me vendim të prokurorit, dy prej tyre janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa i mituri për 24 orë./Telegrafi/

The post Operacioni “Lavazhi”, arrestohen tre persona për trafikim të drogës në Mitrovicë appeared first on Telegrafi.

Yesterday — 15 August 2025Main stream

AME: 78 vatra zjarri regjistrohen sot në Kosovë, zjarrfikësit dhe FSK në terren

15 August 2025 at 22:55

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) bën të ditur se sot janë regjistruar gjithsej 78 vatra zjarri në vend, prej të cilave 17 vazhdojnë të jenë ende aktive, ndërsa 61 janë lokalizuar falë ndërhyrjes së Njësive të Zjarrfikësve dhe strukturave mbështetëse.

Situata më e rënduar paraqitet në komunën e Vushtrrisë, në fshatrat Tërllabuq, Gojbulë, Sllatinë dhe Miraxhë, ku zjarri mbetet aktiv, por nën kontroll. Këto zona sot i ka vizituar Drejtori Ekzekutiv i AME-së, z. Metaj, i cili është njohur nga afër me veprimet e ndërmarra në terren.

AME shpreh mirënjohje për përkushtimin e Zjarrfikësve, Policisë së Kosovës, KFOR-it, Forcës së Sigurisë së Kosovës, komunave dhe qytetarëve që kanë kontribuar në menaxhimin e situatës.

;

The post AME: 78 vatra zjarri regjistrohen sot në Kosovë, zjarrfikësit dhe FSK në terren appeared first on Telegrafi.

“Qindra kompani po luftojnë padrejtësinë e ZRRE-së”, Ajvazi: Nuk jemi kundër tregut të lirë

15 August 2025 at 22:41

Kushtrim Ajvazi nga Shoqata e Prodhuesve të Kosovës, në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini, ka deklaruar se sipas Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), bizneset kosovare kanë dalë në tregun e lirë që nga 1 qershori.

Ai theksoi se tashmë kanë kaluar 75 ditë ku kompanitë po përballen me këtë që e konsideron padrejtësi.

“Kemi pas vendime nga Gjykata, ku biznese ka të cilat e kanë fituar masën e sigurisë dhe janë kthyer nga ZRRE në tregun e rregulluar, në FSHU, sepse ajo që e kemi thënë nga dita e parë janë 1000 biznese të cilat jashtëligjshëm janë nxjerrë në treg dhe ne i kemi thënë ZRRE-së: nuk jemi kundër tregut të lirë, ne jemi pro tregut të lirë, por kur ka konkurrencë dhe kur ligji e parasheh,” ka deklaruar Ajvazi.

Ai shtoi se ka qindra lëndë në gjykatë dhe se çdo ditë ka biznese që plotësojnë kriterin ligjor për të dalë në tregun e lirë, të cilat, sipas tij, duhet të trajtohen ndryshe.

“ZRRE i ka nxjerrë në tregun e lirë në mënyrë ‘shabllon’ 1.300 kompani, duke e ditur që po e shkel ligjin”, tha ai.

The post “Qindra kompani po luftojnë padrejtësinë e ZRRE-së”, Ajvazi: Nuk jemi kundër tregut të lirë appeared first on Telegrafi.

Vrasja e trefishtë, protestohet në Gjilan

15 August 2025 at 20:05

Ngjarja e rëndë e kësaj jave në të cilën mbetën tre persona të vrarë dhe një tjetër u plagos rëndë, ka shkaktuar reagim në vendin tonë.

Më 10 gusht në rrugën “Ibrahim Rugova” në Gjilan ndodhi një vrasje e trefishtë. Tre persona të dyshuar lidhur me ngjarjen e rëndë, Mefail Shkodra, Edonis Shkodra dhe Engjëll Shkodra vazhdojnë të jenë në arrati.

Një protestë është mbajtur sonte para objektit të Gjykatës Themelore në Gjilan, e organizuar nga Qendra sociale “Përpjekja” me moton “Kundër sistemit të kalbur të drejtësisë”.

Protestuesit me këtë rast bënë thirrje që institucionet e drejtësisë që të jenë transparente dhe të ndalojnë dorëzaninë për personat e përfshirë në krim të organizuar.

Gjykata ta vendosë drejtësinë, Sistemi i drejtësisë në shërbim të fajdexhinjve, Drejtësi, jo dorëzani, Kriminelë me çekiç, Pa drejtësi nuk ka demokraci, Gjykata i ka duart me gjak, Ndalim me ligj të dorëzanisë për personat e përfshirë në krim të organizuar, ishin disa nga kërkesat e protestuesve.

Gjyqtarët e prokurorët të mbahen përgjegjës, drejtësia nuk shitet. Nuk pranojmë të shkelemi nga të fortët. I bëjmë thirrje sistemit të drejtësisë ose reformohu, ose të reformojmë ne, thanë aktivistë të Qendrës sociale “Përpjekja”.

Protesta ka kaluar e qetë dhe pa incidente, ndërsa të pranishëm në mbarëvajtjen e saj ishin edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Organizatorët e protestës paralajmëruan se do të mbahet një tjetër protestë para gjykatës dhe prokurorisë në Prishtinë, dhe se për këtë publiku do të informohet me kohë.

Kujtojmë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka thënë për KosovaPress se Mefail Shkodra dhe djali i tij, me propozimin e PSRK-së ishin liruar me dorëzani, ku të njëjtit ishin arrestuar për fajde në verën e vitit të kaluar.

Ndërsa, Prokuroria Speciale e Kosovës tha për KosovaPress se është duke zhvilluar hetime në dy raste të ndara ndaj Mefail Shkodrës.

Autoritetet ende nuk kanë dhënë detaje lidhur me motivet e vrasjes së trefishtë në Gjilan, më 10 gusht.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se nga viti 2000 për Mefail Shkodrën janë pranuar 5 raste penale, kurse për 4 raste është ngritur aktakuzë. Sa i përket Edonis Shkodrës dhe Engjëll Shkodrës, Prokuroria Themelore ka njoftuar se nuk kanë pasur asnjë rast të proceduar në cilësinë e të dyshuarve.

Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar nga organet kompetente që sa më parë t’i kapin autorët dhe t’i nxjerrin para drejtësisë.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës që të angazhohet në hetimin e çdo lëshimi apo përfshirjeje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës.

The post Vrasja e trefishtë, protestohet në Gjilan appeared first on Telegrafi.

FSK-ja pranon autoblinda të reja nga SHBA, Kurti: Ushtria jonë zhvillohet krah për krah me atë amerikane

15 August 2025 at 18:46

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se sot është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Në këtë ceremoni morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe atasheu ushtarak i SHBA-ve në Kosovë, Nënkolonel Jonathan Shaw.

Kurti e cilësoi furnizimin si dëshmi të partneritetit të palëkundur me SHBA-të.

“Ky furnizim i jashtëzakonshëm është një tjetër dëshmi e partneritetit tonë të palëkundur me ShBA-të dhe gjithashtu edhe një hap i rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit tonë”.

“Ushtria jonë do të vazhdojë të zhvillohet krah për krah me partnerin tonë strategjik, si në aspektin e trajnimeve, ashtu edhe në atë të shkollimit dhe doktrinës, e cila është e bazuar në atë të ushtrisë së SHBA-ve”, theksoi Kurti./Telegrafi/

The post FSK-ja pranon autoblinda të reja nga SHBA, Kurti: Ushtria jonë zhvillohet krah për krah me atë amerikane appeared first on Telegrafi.

Ndërron jetë asamblisti i Kuvendit Komunal të Podujevës, Gazmend Islami

15 August 2025 at 18:41

Ish-kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat, Gazmend Islami, ka ndërruar jetë.Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i ka shprehur ngushëllimet familjes Islami, miqve dhe kolegëve të tij.

”Gazi njihej për veprimtarinë e tij të vazhdueshme patriotike, përkushtimin ndaj çështjes kombëtare dhe angazhimin e palodhshëm në shërbim të qytetarëve.Në këto momente të dhimbjes, shprehi ngushëllimet më të sinqerta për familjen Islami, miqtë dhe kolegët e tij”, ka shkruar Bulliqi.

The post Ndërron jetë asamblisti i Kuvendit Komunal të Podujevës, Gazmend Islami appeared first on Telegrafi.

Tërmet 3.6 ballë me epiqendër në Krujë, ndjehet edhe në Tiranë

15 August 2025 at 18:34

Një tërmet me magnitudë 3.6 të shkallës Rihter është regjistruar mbrëmjen e së premtes me epiqendër pranë qytetit të Krujës.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, tërmeti u shënua në orën 18:24 me orën lokale, në koordinatat 41.460° gjerësi veriore dhe 19.740° gjatësi lindore, në një thellësi prej 5 kilometrash.

Epiqendra ndodhej rreth 7 kilometra në jug-perëndim të Krujës dhe 16 kilometra në veri-perëndim të Tiranës, ku lëkundjet u ndjenë lehtë nga banorët.

Të dhënat janë konfirmuar nga Qendra Sizmologjike Euro-Mesdhetare (EMSC) dhe IGEO në Universitetin Politeknik të Tiranës.

Deri më tani nuk raportohet për dëme materiale apo të lënduar./Telegrafi/

The post Tërmet 3.6 ballë me epiqendër në Krujë, ndjehet edhe në Tiranë appeared first on Telegrafi.

Mbyllet pika kufitare në Glloboqicë për shkak të zjarreve në Maqedoninë e Veriut

15 August 2025 at 16:25

Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar (QKMK) ka njoftuar se pika kufitare në Glloboqicë, mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, është mbyllur përkohësisht.

Sipas njoftimit, rreth orës 15:40 autoritetet maqedonase kanë informuar palën kosovare se, për shkak të një zjarri të madh pranë rrugës së fshatit Jazhincë dhe rrezikut që paraqet, me urdhër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Shtabit të Krizave të RMV-së, është vendosur mbyllja e kufirit në këtë pikë.

Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes dhe përdorimin e pikave të tjera kufitare deri në normalizimin e situatës./Telegrafi/

The post Mbyllet pika kufitare në Glloboqicë për shkak të zjarreve në Maqedoninë e Veriut appeared first on Telegrafi.

Tri vajza shpëtojnë për mrekulli nga një gomë kamioni që fluturoi drejt tyre në Prishtinë

14 August 2025 at 23:51

Një ngjarje e rrezikshme ka ndodhur mbrëmë në një supermarket të një lagjeje në kryeqytet, ku tri vajza kanë shpëtuar pa lëndime, vetëm falë një rrethane fatlume.

Sipas rrëfimit të Ilir Morinës, mbesa e tij ndodhej me dy shoqe brenda supermarketit, kur nga një kamion në lëvizje u shkëput papritur një gomë gjigante.

Ajo fluturoi me shpejtësi të madhe drejt vajzave, por përpara se t’i godiste, u përplas fillimisht në një pjesë të brendshme të objektit.

Nga forca e goditjes, goma u hodh mbrapsht dhe më pas u përplas në një automjet të parkuar, duke i shkaktuar dëme të mëdha materiale.

“Po të kishte qenë goditja e parë mbi vajzat, ato nuk do të kishin asnjë shans. Nganjëherë midis jetës dhe vdekjes qëndron vetëm një çast. Jini mirënjohës dhe përqafoni të dashurit tuaj, sepse jeta është më e brishtë se sa mendojmë”, ka shkruar Morina, i cili ka publikuar edhe videon e momentit dramatik.

The post Tri vajza shpëtojnë për mrekulli nga një gomë kamioni që fluturoi drejt tyre në Prishtinë appeared first on Telegrafi.

Foto sa 1000 fjalë! Zjarret apokaliptike, momentet e vështira për Shqipërinë – Çfarë nuk u pa nga orët e tmerrit

14 August 2025 at 23:32

Shqipëria përjetoi orë tmerri gjatë ditëve të fundit, kjo për shkak të zjarreve apokaliptike që u përhapën furishëm.

Zjarrfikësit kanë qenë në krye të detyrës që në momentin e ndezjes së disa vatrave të zjarrit, e më pas u vendos evakuimi i menjëhershëm i banorëve në disa fshatra.

Në fotot e siguruara dhe publikuara nga Agjencia e Medias dhe Informacionit (MIA-Media and Information Agency) shihen disa nga momentet më të vështira që kanë kaluar zjarrfikësit, ushtria dhe banorët, të pafuqishëm përpara agresivitetit të flakëve.

Më tepër nga flakët u prek Gramshi, Delvina dhe Berati, aty ku banorët u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre dhe mundin e një jete.

Dhjetëra shtëpi u dogjën së bashku me dhjetëra bagëti, pasi vatrat e zjarrit dolën jashtë kontrollit.

Më tepër shtëpi janë djegur në Skënderbegas të Gramshit, aty ku situata është përmirësuar për fat të mirë ndjeshëm.

Puna e pandërprerë në zonat me vatrat më të mëdha të zjarreve, nga ajri e toka, ka sjellë përmirësim të ndjeshëm të situatës, teksa dy ditët e kaluara ishin të vështira.

The post Foto sa 1000 fjalë! Zjarret apokaliptike, momentet e vështira për Shqipërinë – Çfarë nuk u pa nga orët e tmerrit appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

Ndryshime në procedurat e rinovimit të vizave amerikane, Ambasada e SHBA në Tiranë jep detajet

14 August 2025 at 22:53

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, ka dalë me një njoftim lidhur me rinovimin e vizave.

Përmes një postimi në rrjetet e saj sociale, ambasada njofton se që prej datës 2 shtator 2025, do të mund të rinovohen me postë vetëm vizat e tipit B1/B2, të cilat janë ende të vlefshme, ose që janë më pak se 12 muaj që kanë skaduar.

Sakaq, për të gjitha llojet e tjera të vizave, do të kërkohet detyrimisht një intervistë.

“Duke filluar nga 2 shtatori 2025, vetëm vizat B1/B2 që janë ende të vlefshme OSE që kanë më pak se 12 muaj që kanë skaduar mund të rinovohen me postë. Për të gjitha llojet e tjera të vizave, përveç disa rasteve të udhëtimeve qeveritare, do të kërkohet një intervistë.
Nxisim aplikuesit për vizë të kontrollojnë faqen e ambasadës al.usembassy.gov dhe travel.state.gov për informacion më të detajuar mbi kërkesat dhe procedurat e aplikimit për vizë, si dhe për t’u informuar mbi statusin e funksionimit dhe shërbimet e ambasadës”,
 shkruan ambasada.

The post Ndryshime në procedurat e rinovimit të vizave amerikane, Ambasada e SHBA në Tiranë jep detajet appeared first on Telegrafi.

Debatet që çuan në tragjedi, si u vra 14 vjeçari në Maliq

14 August 2025 at 22:45

Të miturit u takuan për t’u sqaruar, 14 vjeçari është goditur disa herë me thikë.

Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot, 14 gusht, fshatin Pirg të Maliqit. Dy të mitur janë përleshur brenda ambienteve të një lokali, dhe për pasojë, njëri prej tyre ka humbur jetën. Mësohet se ai është goditur disa herë me thikë, ndërsa i mituri tjetër ka mbërritur në spital me shenja grushti në fytyrë.

Siç raporton Tv Klan, të dy 14-vjeçarët janë nga fshatra pranë Pirgut. Mësohet se ata kanë pasur një konflikt të mëparshëm dhe debate të vazhdueshme. Prandaj, janë takuar në lokal për të sqaruar mosmarrëveshjen.

Pritet të merret dëshmia e të plagosurit, që është edhe autori i dyshuar, si dhe e dëshmitarëve okularë apo familjarëve.

Autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa autori i dyshuar është shoqëruar nga spitali për në komisariat.

Mësohet se në komisariat janë shoqëruar edhe gjashtë të mitur, që kanë qenë të pranishëm në vendngjarje.

“Rreth orës 17:30, në fshatin Pirg, në ambientet e një lokali, ka ndodhur një konflikt dyshohet me mjet prerës (thikë) mes dy 14-vjeçarëve. Si pasojë e plagëve të marra shtetasi E. Xh., 14-vjeç, ka ndërruar jetë në spital. 14-vjeçari tjetër, autori i dyshuar i ngjarjes, është shoqëruar në spital, për të marrë mjekim, dhe është nën mbikëqyrjen e Policisë. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes“, thuhet në njoftimin zyrtar të uniformave blu.

The post Debatet që çuan në tragjedi, si u vra 14 vjeçari në Maliq appeared first on Telegrafi.

Asbesti ende në Prishtinë, mbetet shqetësim për qytetarët

14 August 2025 at 22:36

Shumë ndërtesa në qendër të Prishtinës mbeten të mbuluara me çati që përmbajnë asbest, një material i njohur për rrezikun që paraqet për shëndetin. Janë bërë shumë fushata për heqjen e këtij materiali kancerogjen, por rezultatet konkrete mungojnë. Të dhënat zyrtare tregojnë se në Prishtinë ka mbi 230 mijë metra katrorë çati dhe rreth 70 kilometra gypa ujësjellësi me këtë material.

Një pjesë e banesave në kryeqytet edhe më tej vazhdojnë të jenë të mbuluara me lesenit, material me përbërje asbesti, i cili vlerësohet i dëmshëm për shëndetin e njeriut.

Fushata “Prishtina pa asbest”, e nisur vitin e kaluar nga kryetari i Komunës së Prishtinës, kishte për synim largimin e këtij materiali toksik me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Sipas vlerësimeve, rreth 230 mijë metra katrorë në zonën urbane të kryeqytetit janë të mbuluara me asbest, përfshirë këtu ndërtesa banimi kolektiv, shtëpi private dhe objekte publike. Megjithëkëtë, ndonëse ka kaluar kohë, ky material vazhdon të bashkëjetojë me banorët e kryeqytetit.

Opozita komunale mbetet skeptike se ky projekt do të përmbyllet, duke akuzuar qeverisjen lokale për dështim në mbrojtje të shëndetit publik.

Ndërkohë, zyrtarë komunalë vënë në pah se përgjatë vitit të kaluar është kontraktuar një kompani e cila ka bërë inventarizimin edhe identifikimin e të gjitha objekteve të mbuluara me asbest, përfshirë edhe shtëpitë private. Sipas drejtorit për siguri dhe emergjenca, procesi i inventarizimit tashmë është përmbyllur, ndërkohë që me procedurat e tenderimit pritet të fillojë largimi, që do të ndahet në tri faza.

Ulpiana është identifikuar ndër lagjet me më së shumti asbest në kryeqytet.

Edhe pse i ndaluar në shumë vende të botës, ky material në vendin tonë vazhdon të jetë i pranishëm në infrastrukturë, përfshirë në gypat e ujit dhe në çati të objekteve private e publike, si dhe në spitale e shkolla.

Situata më shqetësuese mbetet në kryeqytet, ku sipas të dhënave zyrtare, përveç rreth 230 mijë metrave katrorë çati të ndërtesave me përmbajtje asbesti, janë edhe rreth 70 kilometra gypa ujësjellësi me këtë material të rrezikshëm.

The post Asbesti ende në Prishtinë, mbetet shqetësim për qytetarët appeared first on Telegrafi.

Specialja kërkon që Thaçit t’i ndalohen vizitat nga 14 persona, përfshirë 3 vëllezërit

14 August 2025 at 20:45

Për mbi 1 vit e gjysmë, Hashim Thaçi është nën regjim vizitash në paraburgim.

Kufizimi i takimeve me familjen e ngushtë, apo lejimi i vetëm 5 takime në muaj me miq e të afërm tjerë, nuk po i mjafton Prokurorisë. Madje as përgjimi 24/7 me përkthyes shqiptar.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që ish presidentit t’i ndalohen krejtësisht vizitat me tre vëllezërit, Gani, Nazmi dhe Blerim Thaçi.

Siç mëson Klan Kosova, këta janë përfshirë në një listë me 14 emra që po synohen t’i zhduken përkohësisht nga jeta e Thaçit, deri në përfundim të gjykimeve, edhe për krime lufte edhe për pengim të drejtësisë.

“Edhe pse janë vendosur masa të caktuara për ta minimizuar rrezikun e pengimit, ZPS ka mësuar përmes burimeve publike se disa vizitorë që përbëjnë shqetësim, vazhdojnë ta vizitojnë Thaçin në Qendrën e Paraburgimit. Për të qenë të sigurt, rreziku që Thaçi të përcjellë mesazhe të palejuara dhe udhëzime gjatë vizitave jo të privilegjuara nuk mund të eliminohet kurrë krejtësisht, as në Qendrën e Paraburgimit. Kjo është vërtetuar përmes shfaqjes së Hashim Thaçit në një thirrje me video te një i akuzuar tjetër, në shkurt 2025” – thuhet në kërkesën e ZPS që e ka parë Klan Kosova.

Fakti që prokurorisë i ka rënë në mend tek tash për videolidhjen ku Thaçi shihet me Haxhi Shalën, dhe nuk ka kërkuar më herët masa, sipas mbrojtjes, është krejt e paarsyeshme.

Avokatja Sophie Menegon, nuk ka gjetur në kërkesën e prokurorisë asnjë fakt të ri apo shkelje të klientit të saj ndryshe nga masat e vendosura në nëntor 2023. E veçon faktin se vetëm 5 nga 14 emrat e listës, përfshirë vëllezërit, e kanë vizituar Thaçin pas vendosjes së këtyre masave.
Njëri nga dy tjerët, në Sheveningen diskuton gjëra të përgjithshme.

“[E redaktuar] është mik i familjes. Ai e ka vizituar Z. Thaçi pas nëntorit 2023. Meqë Z. Thaçi lejohet t’i ketë vetëm 5 vizita jo të privilegjuara në muaj, takimet me miq të ngushtë si [E redaktuar] ia mundësojnë atij mbështetjen dhe përditësimin me situatën politike dhe ekonomike në Kosovë.”

Emri i pestë ndërkaq që ka zhvilluar vizita në Qendrën e Paraburgimit që kur është në fuqi regjimi, është anëtar i ekipit mbrojtës.

“[E redaktuar] është konsulent në ekipin mbrojtës të Z. Thaçi në rastin për krime lufte. Në këtë cilësi, ai është i autorizuar që të shkëmbejë informacione konfidenciale me Z. Thaçi. Që nga nëntori 2023, ai e ka vizituar Z. Thaçi si pjesë e vizitave të privilegjuara të Mbrojtjes dhe nuk ka zhvilluar asnjë vizitë jo të priviliegjuar. Pra nuk ka asnjë bazë që të vendosen kufizime tjera në vizitat e tij.”

Gjyqtarja e procedurës paraprake, po e konfirmon këtë individ, për të cilin ka kërkuar të dhëna shtesë nga Mbrojtja, para se të merr vendim për kërkesën e ZPS me 14 emra.

Në listë janë edhe Artan Behrami e Vllaznim Kryeziu që përmenden në aktakuzën e dytë të Hashim Thaçit për tentim-pengimi të drejtësisë.

The post Specialja kërkon që Thaçit t’i ndalohen vizitat nga 14 persona, përfshirë 3 vëllezërit appeared first on Telegrafi.

Rasti i parë në Kosovë i bashkimit të dënimeve për krime lufte, Zoran Vukotiq dënohet me 19 vite burg

14 August 2025 at 20:21

Zoran Vukotiq shënon rastin e parë në Kosovë të bashkimit të dënimeve për krime lufte. Përballë disa aktakuzave për krime lufte, Vukotiq është dënuar për tri vepra – krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë. Për dy dënimet e formës së prerë, Gjykata Themelore ka vendosur një dënim të bashkuar prej 19 vitesh burg, ndërsa pritet që edhe rasti për vrasjen e një 13-vjeçari t’i bashkohet këtij procesi të unifikimit të dënimeve, i cili ende po vazhdon.

Gjykata themelore në Prishtinë për herë të parë ka bërë bashkimin e dënimeve për krime lufte

Zoran Vukotiq ka pasur pesë aktakuza të ngritura për krime lufte. Gjykata i ka shqiptuar dy dënime të formës së prerë, dhunim seksual gjatë luftës, maltretim dhe rrahje të të burgosurve në burgun e Smrekonicës, dënim me 6 vite e gjashtë muaj. Ndërsa me 15 vite burg është dënuar për vrasjen e 13-vjeçarit Burim Muli, gjatë kohës së luftës, dënim që pritet të bëhet i plotfuqishëm

Këto krime gjatë luftës, Vukotiq i ka kryer në territorin e Vushtrrisë.

Për dënimet e formës së prerë, 6 dhe 13 vite burg Vukotiqit, Gjykata në Prishtinë ia ka bërë bashkimin e dënimeve dhe e ka unifikuar në 19 vite burg, me kërkesë të mbrojtjes së tij. Për unifikimin e këtyre dënimeve, Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka konfirmuar RTK-së

“Gjykata Themelore në Prishtinë ka bashkuar dy dënimet e formës së prerë ndaj Z.V., i shpallur fajtor për krime lufte kundër popullsisë civile, duke caktuar një dënim unik prej 19 vitesh burg. Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e mbrojtësit, ndërsa Gjykata Supreme e ka hedhur si të palejueshme ankesën e të dënuarit. Ky është rasti i parë në gjykatë ku kërkohet bashkimi i dënimeve për këtë vepër penale”, thuhet në deklaratë.

Në proceset gjyqësore, pas shpalljes së vendimeve reagime të shumta vijnë nga viktimat, familjarët e të vrarëve e të prekurit e tjerë, sidomos për dënimin maksimal 15 vite që shqiptohet nga gjykata

Juristja e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Fatmire Haliti, e vlerëson si të rëndësishëm nxjerrjen e këtij vendimi që sipas saj hap rrugë tjetër në trajtimin e këtyre rasteve në një nivel tjetër që do të jetë si model për rastet tjera

“Në këtë rast gjatë gjithë procedurës është aplikuar ligji më i favorshëm, ligji i ish Jugosllavisë që ka përkufizuar dhunim si krim kundër popullsisë civile dhe në bazë të këtij ligji është ngritur aktakuza dhe është mbajtur shqyrtimi gjyqësor. Te shqipimi i dënimit edhe gjyqtarët kanë qenë të kufizuar në bazë interpretimeve që janë bërë, kështu që mendoj që ka pasur interpretime të ndryshme dhe disa prej tyre jo të favorshme dhe jo të pranueshme sidomos për pozitën e viktimave dhe familjarëve të të vrarëve të cilët arrijnë me dëshmu dhe me e rikthy traumën dhe me ju rikthy gjithë procesit gjyqësor dhe në bazë të limiteve që i kanë aplikuar ka qenë 15 vite burgim që është absolutisht një dënim i papërfillshëm në raport me krimet mizore dhe çnjerëzore që i kanë bërë ndaj viktimave, sidomos grupeve të ndjeshme, grave fëmijëve pleqve dhe të tjerë”, deklaroi Fatmire Haliti nga “Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës”.

Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë sqaron se si ligji e parasheh një vendim të tillë e që është i pari që gjykata në Kosovë e shqipton në bashkimin e dënimeve për krime lufte

“Sipas mendimit tim, personat që dënohen pa marrë parasysh etnicitetin për veprat penale për krime lufte të kryera gjatë kohës së luftës që kanë disa dënime të formës së prerë dënimet nuk mund të kalojnë 15 vitshin apo në rastet e caktuara ashtu sic gjykatat e rajonit kanë shqiptuar dënimet 20 vite burgim, ne në Kosovë me vendim të supremës e kemi krijuar një praktikë më të butë me maksimumin prej 15 vitesh, në këto raste unë mendoj që personat mund të dënohen me 20 vite burgim për veprat penale për krime të luftës të kryera në rrethana të rënda por asesi nuk mund të denohen prej 16-të deri në 19 vite burgim. Për arsye se këto dënime nuk kanë qenë të parashikuara me ligjin e RSJ-së i cili është ligji”, tha Amer Alija nga “Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë”.

Për Zoran Vukotiqin procesi do të vazhdojë derisa të merret një epilog përfundimtar pasi edhe dënimi tjetër të marrë formën e prerë. Sfida mbetet se si do të unifikohet ky dënim me dënimin maksimal duke marrë parasysh edhe dënimin e fundit prej 15 vitesh burgim.

The post Rasti i parë në Kosovë i bashkimit të dënimeve për krime lufte, Zoran Vukotiq dënohet me 19 vite burg appeared first on Telegrafi.

Ndihmoi në arratisjen e një serbi në Mitrovicën e Veriut, Policia jep detaje për arrestimin e gardianit

14 August 2025 at 18:52

Sot është arrestuar një zyrtar korrektues N.P. (52), i dyshuar për ndihmë në arratisjen e një personi nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë Veri, më 7 gusht 2025.

Gjatë arrestimit, të njëjtit i është sekuestruar një telefon mobil si provë materiale. Ai është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Policia e Kosovës po vazhdon me veprime të mëtejshme operative për kapjen e personit të arratisur Gjorgje Sava Radomiroviq, i cili ishte i dënuar me 14 vjet e gjysmë burg për veprën vrasje.

Policia apelon te qytetarët që kushdo që ka informacione relevante të lajmërojë në numrin 192 ose në stacionin më të afërt policor.

The post Ndihmoi në arratisjen e një serbi në Mitrovicën e Veriut, Policia jep detaje për arrestimin e gardianit appeared first on Telegrafi.

Rama godet me ironi kritikët për turizmin, publikon video nga Durrësi

14 August 2025 at 18:33

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka shpërndarë një video nga një plazh i mbushur plot në Durrës, duke ironizuar ata që, sipas tij, përhapin idenë se turizmi në vend ka ngecur.

“Faleminderit për këtë video kujt ma dërgoi.

Nga plazhet e Durrësit siç nuk ua tregojnë ata që duan t’ju thonë se turizmi ka ngecur”, shkruan Rama në postimin e tij në Facebook.

Turizmi në Shqipëri ka njohur rritje të ndjeshme vitet e fundit, duke thyer rekorde me mbi 10 milionë vizitorë të huaj në 2023-in.

Ndërkohë, sezoni i këtij viti është shoqëruar me debate politike, ku qeveria flet për sukses, ndërsa kritikët pretendojnë rënie të prenotimeve në disa zona.

The post Rama godet me ironi kritikët për turizmin, publikon video nga Durrësi appeared first on Telegrafi.

❌
❌