Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 July 2025Main stream

Zjarret, dy viktima në Kosovë/ Situatë alarmante, 320 vatra në javën e fundit

By: Re Nato
22 July 2025 at 17:29

Kosova po përballet me një situatë alarmante për shkak të zjarreve që kanë përfshirë te gjithe territorin.

Vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar mbi 320 raste zjarresh, ndërkohë që si pasojë janë shënuar dy viktima: një zjarrfikës nga Gjakova dhe një qytetar nga komuna e Klinës. Lajmi u bë i ditur në një konferencë të përbashkët për media të Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave dhe Policisë së Kosovës.

Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave, Genc Metaj, tha se zjarret janë të përhapura në tërë vendin dhe paralajmëroi për rreziqe serioze nëse nuk merren masa dhe nuk rritet vetëdijesimi qytetar.

“Vendi është duke u përballur me një situatë të vështirë, ku janë paraqitur zjarre në tërë vendin. Vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar mbi 320 raste të zjarreve: zjarre malore, fushore, por edhe në objekte. Vlen të ceket se për të gjitha këto raste kemi intervenuar me sukses. Aktualisht kemi shtatë zjarre aktive dhe po punohet që edhe këto të shuhen. Ky numër i madh dhe pasojat e mundshme që mund të sjellin këto zjarre janë alarmante. Si rezultat i kësaj situate, fatkeqësisht kemi humbur një zjarrfikës nga njësia profesionale e zjarrfikësve nga Gjakova dhe gjithashtu ka humbur jetën edhe një qytetar nga komuna e Klinës. Kemi të lënduar edhe dy zjarrfikës. Sfidë mbetet vetëdijesimi i qytetarëve”

Për angazhimin e Policisë së Kosovës në parandalimin e zjarrvënieve foli drejtori i përgjithshëm, Gazmend Hoxha, i cili theksoi se janë ndërmarrë një varg aktivitetesh për ta menaxhuar situatën dhe për t’i ndjekur penalisht zjarrvënësit.

“Edhe Policia është duke punuar që sadopak të ndikojë në uljen e zjarreve dhe rreziqeve. Policia ka marrë një varg aktivitetesh për parandalimin dhe përhapjen e zjarreve. Ne përmes ndihmës fizike jemi duke u marrë edhe me hetime dhe ndjekje të veprave penale. Numri i përgjithshëm i zjarreve të raportuara nga fillimi deri tash është 183, numri i zjarrvënieve është 54, numri i personave të arrestuar është 9, numri i rasteve të iniciuara në polici është 65”.

Sfidë mbetet vetëdijesimi i qytetarëve për të mos ndezur zjarre të qëllimshme.

Kosova po përballet me temperatura të larta maksimalet e të cilave pritet të arrijnë në 39 gradë Celcius në fund të kësaj jave./abcnews.al

“Ngërçi politik, të flasë Kushtetuesja”/ Osmani: Të përfundojë konstituimi i Kuvendit

By: Re Nato
22 July 2025 at 17:08

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim se çfarë ndodh nëse Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet deri më 26 korrik – afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi. Ajo po ashtu ka kërkuar një masë të përkohshme sa i përket afatit.

“Kërkesa jonë sot, në esencë, është kërkesë për sqarim të pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh”, tha Osmani në një konferencë për media.

Osmani kujtoi se në atkgjykimin paraprak të Kushtetueses lidhur me moskonstituimin e organit ligjvënës pas zgjedhjeve të shkurtit nuk janë sqaruar pasojat juridike.

Sipas saj, qëllimi është që të sqarohet situata e moskonstituimit brenda afati, por edhe se si ushtrohen kompetencat e secilit institucion kushtetues, në mungesë të konstituimit të një prej shtyllave kryesore të parimit të ndarjes së pushteteve, që është Kuvendi.

“Dosja “Partizani”, Berisha e ka luftën me Kushtetuesen”/ Beqiri: Ndaj tij ka nisur procedim penal për aferën “Fazlliç”

By: Re Nato
21 July 2025 at 23:38

Avokati Idajet Beqiri thotë se ish kryeministri Sali Berisha po zvarrit procesin në lidhje me dosjen “Partizani”, teksa luftën, kreu i opozitës e ka me Gjykatën Kushtetuese.

Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Beqiri u shpreh se Berishën e pret një dënim me 12 vjet burg.

Sipas Beqirit, ndaj Berishës, ka nisur procedim penal nga SPAK, për korrupsion dhe pastrim parash, lidhur me biznesmenin Damir Fazlliç.

“Atij nuk i ka ngelur gjë tjetër tashmë, vetëm disa artificie që ia lejon kodi i procedurës penale. Ai do t’i përdorë këto artificie deri në fund, me shpresën që do fitojë ditë, duke e hequr veten si shefi i opozitës. Jo vetëm e zgjat, por ai e di fundin e këtij procesi gjyqësor, që do të përfundojë me një dënim 12 vjet burg. Ai po luan me avokatët e vet me gjykatën. Ai e ka luftën me Gjykatën Kushtetuese. Ai e di që kjo kërkesë është shqyrtuar dhe i është dhënë përgjigje, që gjyqtarët e GJKKO, nuk kanë asnjë lloj papajtueshmërie me SPAK. SPAK kontrollon gjithëkënd, këdo që kryejnë krime në këtë vend. Berisha e di që do marrë përgjigje negative. Kërkesa e avokatëve të Berishës është e paligjshme. Është proceduar Sali Berisha, Argita Malltezi, Shkëlzen Berisha, Jamarbër Malltezi. Po hetohen për këtë çështje. Për korrupsion të lartë dhe para të pista, për serbin Fazlliç. SPAK do ketë një vendim për këtë çështje. Berishës po i vjen vërdallë mendja për arrestimin e Petrit Çakrrit. Ai është dora e zgjatur e Berishës. Ai nuk po luan gur që t’i thotë, mbylle gojën. Berisha, e pret një fat jashtëzakonisht i zi”, theksoi ai./abcnews.al

Riaktivizohet zjarri në Kapshticë/ E vështirë ndërhyrja e forcave zjarrfikëse

By: Re Nato
21 July 2025 at 23:27

Riaktivizim masiv i flakëve në Kapshticë. Zjarri ka dalë në rrugën nacionale për në doganën e Kapshticës.

Pamjet e flakëve duken dhe përreth kodrave të qytetit të Bilishtit. Shtabi i emergjencave thotë se vatrat e zjarrit u aktivizuan në orët e mbrëmjes dhe është e pamundur të ndërhyhet.

Në terren, pranë rrugëve nacionale nuk duken njerez. Një zjarrfikëse u kthye pasi e ka të pamundur të ndërhyjë në këto kushte./abcnews.al

Kremlini: Putin i gatshëm të diskutojë për paqe në Ukrainë

By: Re Nato
21 July 2025 at 23:11

Presidenti rus, Vladimir Putin, është i gatshëm të lëvizë drejt një zgjidhjeje për paqe me Ukrainën, por objektivi kryesor i Moskës është që të arrijë qëllimet e saj. Kështu tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov për televizionin shtetëror më 20 korrik.

Peskov tha se bota tani është mësuar me retorikën ndonjëherë “të ashpër” të presidentit amerikan, Donald Trump, por shtoi se Trump gjithashtu ka nënvizuar se do të vazhdojë të kërkojë një marrëveshje paqeje me Rusinë.

“Presidenti Putin ka folur disa herë për dëshirën e tij që zgjidhja për Ukrainën të arrihet sa më shpejt me mjete paqësore. Ky është një proces i gjatë, kërkon përpjekje dhe nuk është i lehtë”, tha Peskov për gazetarin e televizionit shtetëror, Pavel Zarubin.

“Gjërat më të rëndësishme për ne janë arritja e objektivave tona. Objektivat tona janë të qarta,” shtoi ai.

Ballkani përballet me zjarre

By: Re Nato
21 July 2025 at 22:44

Zjarrfikësit janë përballur me zjarre në mbarë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut më 21 korrik, teksa një valë e re e të nxehtët ka goditur rajonin e Ballkanit.

Shtatë zjarre të mëdha janë raportuar në Maqedoninë e Veriut ku temperaturat pritet të arrijnë në 42 gradë Celsius të martën, thanë autoritetet.

Pesë zjarre janë jashtë kontrollit në Shqipëri, ku temperaturat të hënën ishin nga 37 deri në 41 gradë Celsius.

Në Kroaci, një zjarr afër qytetit turistik Sibhik ka shpërthyer dhe dhjetëra ekspertë të emergjencave civile dhe gjashtë avionë janë angazhuar për shuarjen e flakëve.

Disa nga vatrat e zjarreve në Kroaci janë aktive që disa ditë, teksa kryetarët e komunave janë ankuar se nuk kanë burime të mjaftueshme për t’i luftuar zjarret.

Kosova po ashtu përballet me temperatura të larta, sikurse edhe Serbia.

Ndërkaq, veriu i Bosnje e Hercegovinës pritet të përballet me temperatura deri në 40 gradë Celsius.

Stuhi të fuqishme godasin Slloveninë, mijëra banorë pa energji elektrike

By: Re Nato
21 July 2025 at 22:27

Sllovenia është përfshirë nga stuhi të fuqishme që po sjellin reshje të dendura shiu, erëra të forta dhe breshër, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa zona.

Si pasojë, në disa pjesë, mijëra banorë të Ljubljanës kanë mbetur pa energji elektrike.

Veç kësaj, erërat kanë rrëzuar pemë, dëmtuar ndërtesa dhe penguar qarkullimin në rrugët kryesore dhe autostrada.

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit ka dhënë alarmin portokalli për pjesën më të madhe të vendit.

Yesterday — 21 July 2025Main stream

Ukraina arreston një zyrtar të dyshuar për spiunim për Rusinë

By: Re Nato
21 July 2025 at 21:45

Shërbimet e sigurisë të Ukrainës kanë arrestuar një zyrtar nga një njësit kryesor kundër korrupsionit, nën akuza se ka spiunuar për Rusinë.

Edhe pse Ukraina dhe Rusia kanë arrestuar dhjetëra spiunë të dyshuar gjatë luftës që Rusia nisi kundër Ukrainës më 2022, rastet e spiunazhit brenda agjencive qeveritare janë të rralla.

“Një punonjës i zyrës qendrore të NABU-s [Byrosë Kombëtare të Ukrainës kundër Korrupsionit] është arrestuar”, tha shërbimi i sigurisë, SBU.

“Ai ka punuar në njësinë më elite, D-2 dhe ka spiunuar për shërbimet e posaçme ruse”, u tha në njoftim, ku nuk u publikua emri i zyrtarit të arrestuar.

Më herët, SBU-ja kreu bastisje në zyrat e NABU-s dhe në zyrën e prokurorëve të specializuar kundër korrupsionit.

NABU njoftoi se po zhvillon një “rishikim të brendshëm” dhe po “heton bazën ligjore të veprimeve të ndërmarra, përfshirë përdorimin e forcës ndaj një punonjësi”.

Kjo byro shtoi se më parë kishte kryer një hetim së bashku me SBU-në, i cili nuk kishte gjetur “asnjë provë” për të mbështetur akuzat kundër tij.

“Nuk ka prova që zyrtari në fjalë të ketë qenë i përfshirë në aktivitete kundër shtetit”, deklaroi NABU.

Polonia zbulon një nga depozitat më të mëdha të naftës në Evropë

By: Re Nato
21 July 2025 at 21:13

Central European Petroleum (CEP) ka njoftuar zbulimin më të madh të naftës konvencionale në Poloni dhe një nga zbulimet më të rëndësishme të naftës konvencionale në Evropë në një dekadë, të vendosura pranë brigjeve të Detit Baltik të vendit të Evropës Qendrore.

Zbulimi u bë në pusin Wolin East 1 (WE1) të CEP, rreth 6 kilometra nga qyteti portual i Świnoujście në veriperëndim të Polonisë.

Shifrat paraprake sugjerojnë se vendi WE1 përmban 22 milionë ton naftë bruto të rikuperueshme dhe kondensat, së bashku me 5 miliardë metra kub gaz natyror. Zona më e gjerë e koncesionit, që përfshin 593 kilometra katrorë, vlerësohet të përmbajë mbi 33 milionë ton naftë dhe kondensat, si dhe 27 miliardë metra kub gaz.

Kjo do të dyfishonte rezervat aktuale të naftës të vlerësuara të Polonisë, të cilat ishin rreth 20.2 milionë ton në vitin 2023, sipas transmetuesit publik polak TVP.

Nëse konfirmohet, zbulimi do të renditet si depozita më e madhe konvencionale e hidrokarbureve në Poloni dhe ndër më të mëdhatë në Evropë në 10 vitet e fundit, sipas Agjencisë Polake të Shtypit.

“Ky është një moment historik si për Central European Petroleum ashtu edhe për sektorin polak të energjisë”, tha drejtori ekzekutiv i kompanisë, Rolf G Skaar.

Ndërtimet në Theth/ Çeli: Policia merr informacion nëse janë me ose pa leje. Petraj: Prokurorja Gjeli nuk kishte tagër të shkonte në terren

By: Re Nato
21 July 2025 at 20:52

Drejtori i Rendit Publik, Agron Çeli thotë se Policia e Shtetit merr informacion nga pushtetu vendor, nëse ndërtimet janë me ose pa leje.

Në emisionin “Real Story” në ABC News, Çeli u shpreh se lidhur me Thethin, është një zonë e mbrojtur, që ka status tjetër.

Ndërsa avokati Edmond Petraj deklaroi se prokurorja Elsa Gjeli nuk kishte tagër të shkonte në terren.

Agron Çeli: Marrin informaconin së bashku me strukturat e tjera të pushtetit vendor. Për çdo konstatim që bën Policia e Shtetit, dërgon informacion dhe marrin përgjigje nga strukturat e inspektoratit të mbrojtjes së territorit të bashkisë. Marrin përgjigje nëse ky ndërtim është me leje apo pa leje. Kuptohet që zonat e mbrojtura kanë status tjetër, të gjithë e dimë. Prokurori mund të kërkojë prova të tjera, kërkon informacione të tjera pastaj.

Edmond Petraj: Nuk do t’ia dijë fare sesi është Thethi. Mund të ishte menaxhuar edhe në formë tjetër, pa këtë lloj situate. Nuk është detyra, ta them unë. Ka dy javë kohë, por janë strukturat e policisë që duhet të mbledhin të gjithë elementët. Procedura është e tillë, policia shkon, e pezullon. E ndalon qytetarin, qytetari njoftohet, vijnë strukturat qendrore. Prokurorja nuk ka tagër të shkojë me makinë atje. Nuk ka tagër./abcnews.al

Operacioni në Belsh, fiket zjarri që rrezikonte zonat e banuara

By: Re Nato
21 July 2025 at 19:32

Pas një operacioni të koordinuar dhe intensiv është bërë e mundur fikja e të gjitha vatrave të zjarrit në Njësinë Administrative Rrasë, në bashkinë Belsh. Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave zjarrfikëse nga MZSH Belsh, Cërrik, Gramsh, Elbasan, Peqin dhe Njësia Nerat Kuçovë si dhe angazhimit të dy mjeteve zjarrfikëse dhe efektivëve të FA u arrit të shmangej përhapja e flakëve drejt zonave të banuara.

Në operacion morën pjesë edhe dy helikopterë që ndërhynë nga ajri, duke ndihmuar në neutralizimin dhe shuarjen e zjarrit në një terren të vështirë. Aktualisht, në terren ndodhen ende efektivët e MZSH Belsh dhe punonjës të bashkisë, të cilët po kryejnë krehjen e zonës për të shmangur riaktivizimin e ndonjë vatre të fshehur.

Ndërkohë, pas kërkesës së Shqipërisë pranë Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, Italia ka ardhur në ndihmë me trupa dhe dy avionë zjarrfikës të tipit Canadair, të cilët po operojnë në zonën e quajtur “Liqeni i Luleve”, në Parkun Kombëtar të Lurës. Kjo ndërhyrje synon të përshpejtojë shuarjen e vatrave aktive në këtë zonë me rëndësi të lartë natyrore. Po përmes Mekanizmit Evropian te Mbrojtjes Civile, Greqia erdhi në ndihmë me dy avionë Canadair në vatrën e zjarrit në Dukat, Vlorë.

Forcat operacionale, nën koordimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile po vijojnë punën në vatrat e tjera, në mbrojtje të qytetarëve dhe pronës.

Papa bisedon me Abbasin për luftën në Gazë

By: Re Nato
21 July 2025 at 19:21

Papa Leoni ka biseduar përmes telefonit me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, lidhur me luftën në Gazë dhe dhunën në Bregun e pushtuar Perëndimor, tha Vatikani më 21 korrik.

Kjo ishte biseda e parë zyrtare mes dy udhëheqësve që kur Leoni u zgjodh në krye të Kishës Katolike.

“Ati i Shenjtë ka përsëritur thirrjen e tij që ligji humanitar ndërkombëtar të respektohet plotësisht, duke theksuar veçmas obligimin për mbrojtjen e civilëve dhe vendeve të shenjta, ndalimin e forcës disproporcionale dhe transferimin me forcë të popullatës”, tha Vatikani.

Papa po ashtu tha se “ka nevojë urgjente për ofrimin e ndihmës për më të cenueshmit si pasojë e konfliktit dhe lejimin e ndihmës humanitare”.

Kjo bisedë u zhvillua pasi fundjavën e kaluar, Papa bisedoi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, një ditë pas një sulmi ajror izraelit goditi Kishën e vetme Katolike në Gazë, duke vrarë tre persona.

Problematikat me territorin/ Rama: Do të ketë rregullore të administrimit të hapësirës publike

By: Re Nato
21 July 2025 at 19:00

Kryeministri Edi Rama thotë se do të ketë rregullore të administrimit të hapësirës publike.

Në mbledhjen me deputetë të Tiranës dhe drejtorë të bashkisë, Rama u shpreh se njerëzit që përfaqësojnë ligjin dhe nuk marrin përgjegjësinë e tyre, do të ndëshkohen penalisht.

“Së shpejti, do të përfundojmë edhe një rregullore të administrimit të hapësirës publike, bazuar në një dokument të bashkisë, që do të adaptohet, dhe që do t’i japë një drejtim të përgjithshëm, të gjithëve. Qoftë administratorëve, qoftë inspektorëve. Padiskutim, në këto masa do të vendosen edhe përgjegjësia penale e inspektorëve të territorit, policëve bashkiakë, shefave të komisariateve, për çdo ndërtim pa leje që nuk u ka rënë në sy. Njerëz që përfaqësojnë shtetin, nuk mund të luajnë me dy porta, duhet të marrin përgjegjësinë e tgyre, thjesht dhe vetëm të informojnë. Policia do ta ketë të detyruar që të marrë përsipër, të informohet nëse ka apo jo leje ndërtimi. Masat e reja do të penalizojnë çdokënd. Do të kemi draft përfundimtar dhe do ta kalojmë në qeveri, para përfundimit të pushimeve.”, theksoi ai./abcnews.al

“Ndërtimet pas 2020 nuk legalizohen”/ Kryeministri Rama: Listë e zezë për shkelësit e lejeve

By: Re Nato
21 July 2025 at 18:42

Kryeministri Edi Rama thotë se duhet ndërhyrje në procesin e legalizimeve.

Në mbledhjen me deputetë të Tiranës dhe drejtorë të bashkisë, Rama u shpreh se ndërtimet pas vitit 2020, nuk do të legalizohen.

Kreu i qeverisë shtoi se shkelësit e lejeve do të futen në një listë të zezë.

“Procesi i legalizmit, në mënyrë abuzive për qëllime përfitimi, kanë zënë hapësirë publike dhe bëjnë vetëdeklarimin që i fut si individë në proces. Procesi i legalizimit është mbyllur në vitin 2020. Asgjë e ndërtuar pas vitit 2020 nuk legalizohet. Jo që ndërto pas vitit 2020, deklaro dhe kur ka nevojë për ndërhyrje bashkia apo qeveria për interes publik, thonë jemi në proces. Këtë do ta deklarojmë të pavlefshme. Deklarimet për godinat me qëllim fitimi, nuk jemi këtu për të diskutuar shtëpitë, jemi për të diskutuar këtë mashtrim të madh. Nuk do të humbitet asnjë minutë që agjencia e Kadastrës të bëjë skualifikimin. Do të miratohet me ligj krijimi i një liste të zezë me ata që abzuojnë me territorin. Do të humbasë të drejtën të marrë leje ndërtimi. Do të marrim masat për një kategori ndërtuesish shumë problematikë. Masat do të jenë drastike.”, theksoi ai./abcnews.al

“Kurti nuk është normal”/ Vuçiç: Protestat të sponsorizuara, duan një lider “kukull”

By: Re Nato
21 July 2025 at 17:50

Ne gjithmonë do të luftojmë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, por do të reagojmë në një mënyrë shumë të ashpër dhe të fortë, sepse ky terror duhet të ndalet në një moment të caktuar.

Keshtu reagoj Presidenti serb Aleksandar Vuçiç për arrestimin e zv Drejtorit të Zyrës për Kosovën, Igor Popoviç, në Kosovë.

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji zëvendësdrejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Igor Popoviqpër veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.

Lidhur me kete vendim, Vucic  madje e ka quajtur Albin Kurtin nje person qe e ka humbur logjiken dhe qe ka per synim te provokoje incidente dhe konflikte ne Ballkanin Perendimor.

“I kemi informuar të gjithë partnerët tanë, por do t’i informojmë edhe të gjithë miqtë tanë. Ne kemi arritur ta ruajmë vendin dhe të sigurohemi që Serbia të jetë gjithmonë e ankoruar në një port paqësor, nëpërmjet balancimit dhe një qasjeje serioze politike, përgjegjësisë së madhe, përpjekjeve dhe punës së një numri të madh njerëzish, bashkëpunëtorësh dhe miqsh.”

Ndersa duke folur për kërkesat për shpalljen e zgjedhjeve, Presidenti i Serbisë deklaroi se ato do të shpallen në përputhje me ligjin, jo në një kohë kur i përshtatet një partie politike apo interesave të veçanta të dikujt, por kur i përshtatet shtetit të Serbisë.

“Mos harroni se unë u ofrova atyre si zgjedhje edhe një referendum për mbijetesën time si president. Ata hodhën poshtë gjithçka dhe thanë se ata që e pranuan propozimin tim ishin tradhtarë.”

Lidhur me arsyet se pse ne Serbi vazhdon prej kaq muajsh protesta e studentëve, ai përsëriti se ne Serbi kanë ardhur financime nga jashtë për të mbajtur gjallë tubimet për dy arsye: parandalimi i daljes në pah të Serbisë, pra sipas tij sigurimi që të gjitha vendet e vogla të jenë më të forta se Beogradi dhe vendosja e një lidershipi të ri që do t’i shërbente interesave të atyre që po financojnë trazirat.

Në vend, protestat kundër tij janë aktive që nga 1 nëntor 2024, kur në tragjedine e Novi Sadit humbën jetën 16 persona./abcnews.al

“I kam bërë një ofertë konkrete Limajt”/ Kurti: Presim zgjidhje të ngërçit politik deri në fundjavë

By: Re Nato
21 July 2025 at 17:36

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, edhe pse me nje rezultat ne dore nga votuesit qe pas zgjedhjeve te 9 shkurtit, ku humbi 10 periqind te votuesve dhe me vetem 48 deputet, me ne fund ne nje konference per media deklaroj se partia e tij ka gadishmëri për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt, parti së cilës tha se i ka bërë ofertë konkrete.

“Me Limajn kemi zhvilluar një takim pardje. LVV-ja dhe unë kemi shprehur interesimin dhe gadishmërinë për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate dhe në përputhje me këtë unë kam bërë edhe një ofertë konkrete që gjithçka të përmbyllet sa më shpejt e mirë, ta kemi konstitutim të Kuvendit dhe Qeverinë”.

Kurti tha se nuk mund të ofrojë hollësi pasi kjo ofertë ende nuk është konkretizuar në marrëveshje, duke theksuar se “nevojitet të vazhdojnë bisedimet dhe vullneti politik”, në mënyrë që të krijohen institucionet e reja.

Albin Kurti shpreson që bisedimet me partinë e Limajt do të finalizohen gjatë kësaj jave.

Kurti dhe Limaj u takuan gjatë fundjavësnë përpjekje për të gjetur një zgjidhje drejt zhbllokimit të situatës. Para takimit, eksponentë të Nismës Socialdemokrate deklaruan se duan që Limaj të zgjidhet kryeparlamentar, në këmbim të votimit të Qeverisë së re të Kosovës, të udhëhequr nga partia e Kurtit.

Per te zgjedhur kryeparlamentarin, emri i te cilit propozohet nga partia e pare ne zgjedhje, duhen minimumi 61 vota./abcnews.al

Zjarri në Dukat, ministri Vengu viziton tre zjarrfikësit: Janë në gjendje të stabilizuar. Kemi ditë të vështira sa i takon zjarreve

By: Re Nato
21 July 2025 at 17:18

Zjarrfikësit Luan Kapaj, Andrea Lala dhe Dëfrim Bilali kanë marrë ndihmë mjekësore në Spitalin e Vlorës pas gjendjes problematike për shkak të tymit dhe tashmë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të stabilizuar.

Ata janë vizituar nga afër edhe nga ministri i mbrojtjes, Pirro Vengu. Ndërkohë zjarrfikesi Luan Kapaj ka treguar momentet e para për gjendjen e krijuar dhe ndihmën e parë, menjëherë ndërsa ndalet edhe tej situata në malin e Dukatit.

Ministri Vengu ka theksuar ndërkohë se efektivët tashmë janë në gjendje të stabilizuar pas situatës se krijuar për shkak të gjendjes se tyre gjatë momenteve të luftes nga flaket. Vengu është ndalur edhe tek situata në malin e Dukatit duke e cilësuar të vështirë edhe për shkak të temperaturave të larta, ndërsa ndihma do të vijë edhe nga vendet partnere për të mos lejuar flakët drejt Parkut Kombëtar të Llogarasë.

“Të tre zjarrfikësit e bashkisë Vlorë ishin të angazhuar për të kufizuar perimetrin e flakëve në fshatin Dukat, ku operacioni vijon. Ka qenë përpjekje e vështirë, në një terren të thepisur. Të tre efektivët kanë ndjerë shqetësime të frymëmarrjes. Janë transferuar në emergjencën e spitalit të Vlorës, gjendja është e stabilizuar. Janë ditë që do vijojnë të jenë të vështira, sa i takon zjarreve. Në ditët në vijim do kemi mbështetje nga vendet aleate. Në mbarë territorin jemi në gatishmëri”, theksoi ministri Vengu./abcnews.al

❌
❌