Karim Khan akuzohet edhe nga një grua tjetër për ngacmim seksual
“The Guardian” ka mësuar se një tjetër grua është paraqitur në kuadër të hetimit që po bëhen rreth akuzave për ngacmim seksual ndaj Karim Khan (55), prokurorit kryesor të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN).
Gruaja ka pohuar se, gjatë kohës kur ai punonte për një avokat të njohur britanik në fillimet e karrierës së tij, ai ishte sjellë në mënyrë të papërshtatshme ndaj saj – duke e ngacmuar seksualisht pa dëshirën e saj, duke keqpërdorur autoritetin që kishte mbi të dhe duke u përpjekur në mënyrë të përsëritur ta detyronte për marrëdhënie seksuale.
Khan, i cili mohon çdo sjellje të papërshtatshme “të çfarëdo lloji”, është tërhequr përkohësisht nga pozita e shefit të prokurorisë së Gjykatës Penale Ndërkombëtare, ndërsa pret përfundimin e hetimit për një çështje të ndarë të ngritur nga një bashkëpunëtore e tij.
Hetimi, i nisur vitin e kaluar nga një organ mbikëqyrës i OKB-së, ka jë akuzë të re këtë verë nga një grua e dytë.
Besohet se hetuesit kanë zhvilluar disa intervista për të shqyrtuar pretendimet e saj, të cilat datojnë që nga viti 2009.
Në atë kohë, gruaja ishte në të njëzetat dhe punonte si praktikante pa pagesë për Khanin.
Në një intervistë ekskluzive për “The Guardian”, ajo tha se Khan kishte keqpërdorur pushtetin dhe ndikimin e tij mbi të, duke e përshkruar sjelljen si një “sulm të vazhdueshëm” përmes ngacmimeve.
Gruaja foli në kushte anonimiteti për shkak të frikës nga hakmarrja dhe pasojat negative për veten dhe familjen nëse identiteti i saj bëhet publik. Ajo vendosi të flasë pasi lexoi për akuzat e fundit ndaj Khanit të bëra nga një zyrtare e Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
Dëshmia e gruas së dytë për sjelljen e supozuar abuzive të Khanit ka ngjashmëri të shumta me akuzat e punonjëses së GJPN-së, sipas burimeve të njohura me pretendimet e saj.
Të dyja gratë pohojnë se Khan i ftonte që të shkonin për punë në shtëpinë e tij. Aty, sipas tyre, ai ulej pranë tyre në divan, i prekte, i puthte dhe përpiqej t’i bindte të flinin me të.
Khan u zgjodh në vitin 2021 për një mandat nëntëvjeçar si prokuror kryesor i GJPN-së. /Telegrafi/
The post Karim Khan akuzohet edhe nga një grua tjetër për ngacmim seksual appeared first on Telegrafi.