Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 August 2025Main stream

Në vend të përshëndetjes

By: Kult Plus
12 August 2025 at 23:55

Në vend të përshëndetjes
Azem Shkreli


Shko se furishëm po fryn në mua erë mallkimi që s’të fal.
Dhe, dije mirë, kurrë më një e një nuk bëjn’ një si thonte Hikmeti, ai farë poeti me këngë prej zjarri.

Shko merri me vete lutjet tua, edhe hijen tënde hiqe zvarrë rrugëve si gjënë e ndyrë.
Mos u kthe pas.
Mos i harro sytë e përlotur në shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
Asgjë mos thuaj.
Merri me vete gjurmët nëpër të cilat erdhe një natë më e përvuajtur se frika dhe hyre në mua.
Shko dhe bëhu fjalë e mbrame n’gojën time.
Bëhu shkrepetirë e fikur n’ylberin e shkrimit tim.
Bëhu çdo gjë pos Meje e Teje dhe asaj që e quajtëm Ne kur i zinim yjet si fluturat e ua ngjisnim nganjë emër mos ta harrojmë emrin tonë.
Shko, merri me vete edhe rrugët, të mos kthehesh kurrë në vesën e lotit të rrejshëm, gërmadhat e kujtimit t’i rrëzosh.

Shko, mbyllu në do kështjella të largëta harrimi, ku s’të zgjojnë më këmbonat e pendimit kur çmendet mallit vetmia ose kur buza buzën e han n’pikllim, që mëkatin s’e lan, që s’mundet ta shpojë Gurin e rëndë, gurin e ftohtë të ndarjes.
Shko, më mirë dhe hesht. Mos u kthe mbas.
Mos i harro sytë e përlotur n’shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej blerimi n’blerim
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej zemre në zemër
Aq larg sa ta harrosh edhe emrin tënd dhe zërin tim, fshihu prej vetes
Shkurto flokëgjatat, mate me to mendjeshkurtrën tënde dhe mos qaj.
Shko se tmerrshëm po lodrojnë sonte n’mua rrëket e gjakut të ndezur./KultPlus.com

Harry dhe Meghan rinovojnë bashkëpunimin me Netflix, por me kushte të reja

By: Kult Plus
12 August 2025 at 23:03

Meghan Markle dhe Princi Harry do të vazhdojnë bashkëpunimin me Netflix, ndonëse me një marrëveshje të re dhe më pak fitimprurëse se ajo fillestare prej 100 milionë dollarësh. Burime për The Times bëjnë të ditur se kontrata e re është e tipit “first-look”, që i jep Netflix-it të drejtën e parë për të pranuar ose refuzuar projektet e çiftit, pa detyrime financiare për çdo ide.

Në njoftimin e bërë nga Archewell Productions, u konfirmua se sezoni i dytë i emisionit “With Love, Meghan” do të publikohet këtë muaj, ndërsa në dhjetor do të transmetohet speciali festiv “With Love, Meghan: Holiday Celebration”. Programi do të sjellë momente festive me miq dhe familjarë, gatime tradicionale, dhurata të punuara me dorë dhe këshilla të thjeshta për publikun.

Gjithashtu, pritet edhe dokumentari “Masaka Kids, A Rhythm Within”, mbi jetën e fëmijëve jetimë në Ugandë, si dhe përshtatja filmike e romanit bestseller “Meet Me At The Lake” nga Carley Fortune, një dramë romantike që shtrihet në një periudhë prej më shumë se një dekade.

Shefja e përmbajtjes në Netflix, Bela Bajaria, tha se bashkëpunimi me çiftin do të vazhdojë: “Harry dhe Meghan janë zëra me ndikim, dhe rrëfimet e tyre prekin audiencën kudo. Dokumentari ‘Harry & Meghan’ ishte një nga më të ndjekurit në historinë e platformës.”

Megjithatë, disa projekte të mëparshme si “Live to Lead” (2022) dhe “Heart of Invictus” (2023) nuk patën jehonën e pritur te publiku./KultPlus.com

Yesterday — 12 August 2025Main stream

“Festa e Malit të Thatë” – Tradita, natyra dhe historia bëjnë bashkë banorët e vizitorët

By: Kult Plus
12 August 2025 at 22:55

Në zemër të një prej zonave më piktoreske të Pogradecit u zhvillua për herë të parë “Festa e Malit të Thatë”, një aktivitet që mblodhi bashkë banorët vendas dhe vizitorët për të festuar natyrën, historinë dhe trashëgiminë kulturore të kësaj treve.

Atmosfera nisi me muzikë e valle popullore, ndërsa nuk munguan edhe gatimet tradicionale.

Një vlerë të veçantë festës ia shtoi ekspozita e studiuesit Ledjan Zeqollari, ku u prezantuan dokumente dhe fotografi të rralla, që tregojnë historinë e Malit të Thatë dhe fshatrave përreth.

“Është një ekspozitë e cila promovon kryesisht dokumente dhe aspekte të vlerave kryesore historike-kulturore të krahinës së Malit të Thatë,” u shpreh studiuesi Zeqollari.

Në fjalën e tij, Lavdërim Mimimllari nga Shoqata “Mali i Thatë” u shpreh se kjo festë synon të kthehet në një traditë të përvitshme.

“Festa ka si objektin e saj ngritjen lart të vlerave të kësaj zone, të kulturës dhe të njerëzve që kanë kontribuar në kohë për ta mbajtur këtë zonë,” tha z. Mimimllari.

Organizatorët e konsiderojnë këtë edicion të parë një hap të rëndësishëm në promovimin e Malit të Thatë si destinacion turistik e kulturor, ku bukuritë natyrore, mikpritja dhe historia ndërthuren për t’i ofruar çdo vizitori një përvojë të paharrueshme./rtsh

Hasan Masurica – Shqiptari që shpiku fluturaken katër vjet para vëllezërve Wright

By: Kult Plus
12 August 2025 at 22:33

Historia e aviacionit botëror mund të kishte një faqe krejt ndryshe nëse bota do t’i njihte më herët veprat e Hasan Masuricës, novatorit shqiptar nga Zarbinca e Luginës së Preshevës. Sipas dëshmive historike, në vitin 1899 plot katër vjet para vëllezërve Wright, Masurica ndërtoi fluturaken e parë pa motor, e njohur në atë kohë si “ballon”.

Kjo shpikje u realizua me ndihmën e kovaçit të fshatit dhe u provua nga i biri i tij 12-vjeçar, i cili arriti të ngrihej deri në 70 metra lartësi dhe të përshkonte afro katër kilometra në ajër, duke lënë të habitur banorët e zonës.

Por Masurica nuk ndalet këtu. Nga viti 1901 deri më 1905 ai ndërtoi pushkë automatike me një, pesë dhe 25 fishekë, të cilën e demonstroi personalisht para Sulltan Abdyl Hamidit në Stamboll. I mahnitur nga mjeshtëria e tij, Sulltani i ofroi kushte për të rindërtuar aeroplanin dhe për të prodhuar armët, por Masurica refuzoi që shpikjet e tij të përdoreshin kundër shqiptarëve.

I njohur për inteligjencën, dijen dhe patriotizmin e tij, Masurica parashikoi zhvillime të mëdha teknologjike që sot po realizohen: komunikimin ndërkontinental në kohë reale, udhëtimet në hapësirë dhe automatizimin e plotë të punës.

Figura e Hasan Masuricës, shpikës, mësues, imam dhe patriot, mbetet një thesar i pazbuluar plotësisht i historisë shqiptare dhe botërore, që meriton të ndriçohet nga studiuesit./KultPlus.com

Katy Perry bën shaka për Dua Lipën gjatë koncertit në Filadelfia

By: Kult Plus
12 August 2025 at 21:40

Këngëtarja me famë botërore, Katy Perry, ka bërë një koment me humor gjatë një prej koncerteve të saj në kuadër të turneut “Lifetimes Tour” në Filadelfia më 9 gusht 2025, duke përmendur këngëtaren shqiptare me famë botërore, Dua Lipa.

Gjatë performancës, Perry iu drejtua audiencës, veçanërisht fansave më të rinj, me fjalët:
“Ata që janë 8 vjeç e më poshtë… unë nuk jam Dua Lipa. Unë jam tezja e Dua Lipës, Katy Perry.”

Ky koment me humor vetë-ironizues u bë për të theksuar ndryshimin mes saj dhe Dua Lipës, duke treguar me ngrohtësi dallimet në moshë dhe stil mes dy artistëve.

Katy Perry e përdori këtë shaka për t’u lidhur më mirë me fansat, duke kujtuar se që nga turneu i saj i fundit ajo tashmë është bërë nënë. Baza e adhuruesve të saj kryesisht përbëhet nga adoleshentë, të njëjtën grupmoshë që dy dekada më parë ndiqnin koncertet e saj.

Kjo ndërveprim me audiencën tregon aftësinë e Perry për të ruajtur humorin dhe lidhjen me fansat edhe pas shumë viteve në industrinë muzikore./KultPlus.com

Lansimi i “Shrek 5” shtyhet për qershor 2027

By: Kult Plus
12 August 2025 at 21:00

Fansat e “Shrek” do të duhet të presin më gjatë për filmin e shumëpritur të serisë, pasi studioja “Universal” dhe “DreamWorks Animation” kanë shtyrë datën e lansimit të “Shrek 5” për qershor të vitit 2027. Kjo është hera e dytë që data e publikimit ndryshohet, pasi fillimisht ishte planifikuar për dhjetor 2026.

Aktorët e njohur Mike Myers, Eddie Murphy dhe Cameron Diaz do të rikthehen për t’u rikthyer në rolet e tyre si Shrek, Donkey dhe Princesha Fiona, ndërkohë që aktorja e njohur Zendaya do t’i bashkohet kastit.

Regjinë do ta mbajnë veteranët Conrad Vernon dhe Walt Dohrn, të cilët kanë punuar edhe në filmat e mëparshëm të franxhizës.

Që prej lansimit të filmit origjinal në vitin 2001, “Shrek” u bë një fenomen me fitime prej rreth 500 milionë dollarësh në mbarë botën, duke qenë edhe filmi i parë i animuar që fitoi çmimin prestigjioz “Oscar”.

Studioja nuk ka dhënë arsye specifike për shtyrjen, por “Universal” vazhdon të korrë sukses me projekte të tjera të mëdha si “Despicable Me”, “How to Train Your Dragon” dhe “The Super Mario Bros. Movie”.

Filmi i ri do të publikohet vetëm disa ditë pas animacionit tjetër të pritur, “SpiderMan: Beyond the Spider-Verse” nga kompania “Sony”.

Në historikun e serisë, pas filmit të parë, janë publikuar edhe tri vazhdime: “Shrek 2” (2004), “Shrek the Third” (2007) dhe “Shrek Forever After” (2010)./KultPlus.com

Nis më 18 gusht Seminari i 43-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë

By: Kult Plus
12 August 2025 at 20:23

Të hënën më 18 gusht 2025, në ora 11:00, do të bëhet hapja solemne e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, edicioni i 43-të, në amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare në Prishtinë. Punimet e këtij seminari do të zhvillohen në sallën “Idriz Ajeti” të Fakultetit të Filologjisë, nga 18 deri më 29 gusht.

Ky event tradicional mbledh studiues dhe ekspertë nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora albanologjike në mbarë botën, të cilët do të prezantojnë punimet e tyre më të fundit shkencore në fushën e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Në fokus të këtij viti do të jenë temat:

Zhvillimet aktuale të leksikut të gjuhës shqipe,

Përdorimi i shqipes në rrjetet sociale,

Postmodernizmi në letërsinë shqipe.

Programi i seminarit përfshin edhe kurse intensive të mësimit të gjuhës shqipe në tri nivele, ligjërata dhe referime të shumta shkencore. Përveç punimeve akademike, organizatorët kanë planifikuar edhe një program kulturor që do t’i njohë pjesëmarrësit me traditat dhe bukuritë e Kosovës.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 dhe që nga ajo kohë ka zhvilluar 42 sesione, duke qenë një nga ngjarjet më të rëndësishme të albanologjisë në rajon./KultPlus.com

Qyteti fantazmë në Turqi: Burj Al Babas, projekti luksoz që dështoi dhe u braktis

By: Kult Plus
12 August 2025 at 19:49

Një nga projektet më ambicioze rezidenciale në Turqi, Burj Al Babas, është kthyer në një qytet fantazmë që tërheq vëmendjen e turistëve dhe fotografëve si një destinacion i pazakontë.

Ky kompleks luksoz me mbi 700 vila në stil neo-gotik francez, i ndërtuar për klientë të pasur nga vendet e Gjirit, përfundoi i papërfunduar dhe i braktisur për shkak të krizës ekonomike që goditi Turqinë në vitin 2018 dhe falimentimit të kompanisë ndërtuese, shkruan KultPlus.

Sot, mbi 500 vila janë gjysmë të ndërtuara dhe të rrënuara, duke krijuar një peizazh surreal që shpesh quhet “Disneyland i shkatërruar”, një simbol i dështimit të projekteve pa vizion dhe kapitalizmit të tepruar.

Ky qytet fantazmë u kthye në një shembull global për rëndësinë e planifikimit realist dhe qëndrueshmërisë sociale e ekonomike në zhvillimin urban.

Burj Al Babas tregon se edhe projektet më luksoze mund të përfundojnë bosh dhe të pajetueshme pa një vizion të mirëfilltë dhe vlerësim të nevojave reale të komunitetit./KultPlus.com

“Ditët e Shqiptarit” kthejnë Gjakovën në qendër të artit dhe kulturës shqiptare

By: Kult Plus
12 August 2025 at 19:35

Gjakova u mbush me art, muzikë dhe trashëgimi gjatë festivalit “Ditët e Shqiptarit”, që zgjati për javë me radhë dhe solli në skenë emra të njohur të muzikës dhe artit shqiptar. Performancat e Ermonela Jahos, Eugent Bushpepës, Elina Dunit, Jericho, Hersi Matmujës dhe dhjetëra artistëve të tjerë shndërruan qytetin në një skenë të hapur ku kultura shqiptare u festua me entuziazëm.

Çarshia e Madhe, parqet dhe hapësirat historike të Gjakovës u bënë pika takimi për shqiptarët nga mbarë vendi, duke afirmuar rëndësinë e këtij festivali në hartën kulturore shqiptare.

Hajrulla Çeku, i cili përmes rrjeteve sociale vlerësoi lartë këtë ngjarje, tha se “Ditët e Shqiptarit” kanë mbushur Gjakovën me art, muzikë dhe trashëgimi, duke falënderuar Fondacionin për Gjakovën për përkushtimin dhe organizimin e shkëlqyer që solli këtë festë kulturore në qytet.

Ky festival po i jep Gjakovës një rol qendror në hartën kulturore të shqiptarëve dhe shërben si një platformë e rëndësishme për promovimin e identitetit dhe kulturës shqiptare në rajon./KultPlus.com

Mbi angazhimin kombëtar të intelektualit

By: Kult Plus
12 August 2025 at 19:33

(Shkruar nga Avni Spahiu më 26 korrik 1997)

Koha kërkon përgjigje dhe thërret për të qenë kritikë. Të jemi kritikë ndaj raporteve që kemi krijuar, të kritereve që kemi shtruar kur personalisht vërejmë se tragjedia po bëhet fat i pjesës dërrmuese të popullsisë.

Tragjedi e një lloji a një tjetri, që ka kapluar edhe intelektualin, qoftë të ambicieve të frustruara, qoftë të idealeve dhe besimit të luhatur nga rrethanat e krijuara, tepër komplekse që t’i zgjidhë vetëm një njeri dhe tepër madhore që të mos kenë angazhimin e të gjithëve. Shumica është e detyruar të bëjë kompromise vetëm për hir të vazhdimësisë ditore të jetës. Ballafaqohemi për çdo ditë me një mori faktesh dhe kushtesh që nuk bijnë në kategoritë të cilat i kemi kuptuar në të kaluarën. Çdo gjë duket jashtë vendit dhe objektivat që i kemi pasur në mendjet tona tani po qëndrojnë të nguritura derisa të mos shohim se nga jemi duke shkuar. Qëllimi nuk është më i qartë: ne e kemi fshehur pas një mijë e një modifikimesh. Ironikisht, qëllim i vetëm po na bëhet që të mos kemi qëllim tjetër, pos të jetojmë dhe këtë sikur e ndiejmë se është qëllimi më fisnik. Është jo larg së vërtetës nëse themi se fuqitë tona intelektuale kanë zënë të puqen me një pikë të kotësisë dhe të pakuptimësisë dhe pikërisht ata që puqen në këtë pikëpjekje (intelektualët, në rend të parë) i shtrojnë vetes pyetje irituese, hipotetikisht të këtij lloji: “Çfarë duhet të bëhet, për kombin dhe për njeriun tonë? Nga të vemi më tutje? Ç’është më me rëndësi tani?”. Përgjigjet duhen gjetur, nëse jo nga cytje të brendshme ndërgjegjësore, atëherë nga vetë reagimi socio-politik publik, që paraqet një realitet e që mbështet besimin në intelektualin si bazë e gjykimit ultimativ të motiveve dhe të veprimeve individuale.

Megjithëkëtë, janë pikërisht kohë të këtilla, që vënë barrë të rëndë mbi brezat, ato që do të duhej ta tundonin njeriun mbi indiferencën dhe qëndrimin flegman. Të na kujtohet se secili prej nesh ka prekur veten në zemër në adhurimin solemn të lirisë së kombit. Çdo komb që harron lirinë është në rrugë të vetëshkatërrimit dhe vetërrënimit. Dhe, ai komb që është i vetëdijshëm se ka një ideal sipëror që duhet ndjekur pareshtur do të mbijetojë dhe ata që i prijnë këtij ideali do të duhej të ishin pikërisht intelektualët.
Nuk mjafton denoncimi publik dhe fajësimi vetëshfajësues i politikës nga ana e intelektualit, e as heshtja kinse domethënëse e tij në raste dramatike në historinë e kombit, por pjesëmarrja e tij me komponentin vizionar në politikë; nuk arsyetohet heshtja e intelektualit të vërtetë në Shqipëri në kohën kur asaj i tundeshin themelet në duart e politikanëve diletantë, apo animi i tij lakuriq për njërën a tjetrën parti politike; nuk ka kuptim heshtja e intelektualit në Kosovë kur nga ai pritet të sugjerojë se nga duhet shkuar në këtë kohë kur qenia kombëtare në këto hapësira është aq e rrezikuar, apo për çështje madhore, siç është ideja e bashkimit të kombit të ndarë tragjikisht në copëza të robëruara.

Intelektuali i angazhuar kombëtarisht, (për t’i ikur disi termit “politikisht”, që vetëm ne e quajmë term pezhorativ), do të thotë intelektual i guximshëm, i pajisur me atë guxim të forcës mendore që e kanë pasur njerëzit e mëdhenj të kombeve të mëdha. Pikërisht ky ka qenë një problem që e ka shoqëruar shoqërinë shqiptare gjatë tërë ecjes së saj, siç është e njohur edhe nga të tjerët: një mungesë guximi që i ka pasur rrënjët, siç duket, në kundrimin pesimist të jetës, një kundrim mbi të cilin nuk kemi qenë në gjendje të ngriheshim.

Mbi këtë temë, që para një gjysmë shekulli (1941), duke sublimuar veprën letrare dhe patriotike të Fishtës, si “interpret i shpirtit shqiptar”, Ernest Koliqi thoshte:
“I gjithë pesimizmi që lëshoi rrënjë në shekuj të gjatë krajatash në shpirtin kombëtar shfren i pa-fre, i gjithë guximi dëshpërues i një fisi të mësuar ta përbuzë jetën, sepse kjo për të paraqitej si një varg mjerimesh të paprera…” Ndonëse shembujt nuk kanë munguar as në këtë kohë, një kalim prej kësaj gjendje në atë të intelektualit të guximshëm, optimist dhe të angazhuar na duhet pikërisht tani.
(Shkruar më 26 korrik 1997 për Rilindjen”)

107 oficerë doganorë të rinj diplomohen në 26-vjetorin e themelimit të Doganës së Kosovës

By: Kult Plus
12 August 2025 at 19:20

Në një ngjarje të veçantë, 107 oficerë doganorë të rinj kanë përfunduar trajnimin e tyre, duke shënuar kështu gjeneratën e parë të re që prej vitit 2008 në Doganën e Kosovës. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti uroi doganierët e rinj për diplomimin dhe i inkurajoi për sfidat e ardhshme në shërbim të vendit.

Kurti theksoi se kjo gjeneratë e re sjell energji të freskët, motivim dhe përkushtim për të ecur përpara, duke fuqizuar kështu institucionin e doganës, i cili ka përballuar sfida të mëdha gjatë viteve.

Në 26-vjetorin e themelimit të Doganës së Kosovës, ai përmendi arritjet e dukshme si rritjen e ndjeshme të konfiskimeve dhe kontrollin më të mirë të kufijve, duke nënvizuar rëndësinë e rolit që luan ky institucion për sigurinë dhe ekonominë e vendit.

“Urime diplomimi doganierëve të rinj dhe shumë suksese në përmbushjen e detyrave dhe shërbimin ndaj vendit”, tha Kryeministri Kurti./KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare e Kosovës në Kongresin Botëror të Bibliotekave dhe Informacionit në Kazakistan

By: Kult Plus
12 August 2025 at 19:00

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” do të përfaqësojë vendin në Kongresin Botëror të Bibliotekave dhe Informacionit, që do të mbahet nga 18 deri më 22 gusht 2025 në Astana, Kazakistan.

Si anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave dhe Institucioneve të Bibliotekave (IFLA), Biblioteka Kombëtare e Kosovës do të jetë pjesë e një prej ngjarjeve më të rëndësishme në fushën e bibliotekarisë dhe shkencës së informacionit.

Kongresi mbledh profesionistë, studiues dhe drejtues institucionesh nga mbarë bota për të shkëmbyer njohuri, përvoja dhe ide inovative, duke ndikuar në zhvillimin e politikave dhe praktikave moderne të shërbimeve bibliotekare. Pjesëmarrja e Kosovës në këtë forum ndërkombëtar synon forcimin e bashkëpunimeve dhe avancimin e standardeve të bibliotekave në vend./KultPlus.com

Dokumentari me rrëfimin e Vasfije Krasniqi Goodman fiton çmim prestigjioz në Japoni

By: Kult Plus
12 August 2025 at 18:15

Një dokumentar i realizuar nga televizioni kombëtar japonez NHK, në bashkëpunim me RTK dhe regjisorin Rilind Gërvalla, që sjell historinë e guximshme të aktivistes Vasfije Krasniqi Goodman, është shpërblyer me çmimin “Motivues” nga juria prestigjioze japoneze, në mesin e mbi 200 projekteve nga mbarë bota.

Dokumentari, i xhiruar dhe publikuar këtë vit, trajton një kapitull të dhimbshëm të historisë së Kosovës, duke e paraqitur me sinqeritet dhe forcë rrëfimin e një gruaje që guxoi të flasë publikisht për përvojën e saj. Ky vlerësim, sipas Krasniqi Goodman, nuk është thjesht një njohje për punën e realizuar, por një dëshmi se kur e vërteta tregohet me zemër dhe guxim, ajo mund të prekë ndërgjegjen e publikut ndërkombëtar, pavarësisht distancës gjeografike, transmeton KultPlus.

“Ky çmim i dedikohet çdo zëri të heshtur, çdo plage që ende nuk është shëruar. Është nder që përvoja ime u bë pjesë e një rrëfimi që sot inkurajon edhe të tjerët të flasin. E vërteta ka fuqi,” u shpreh Krasniqi Goodman, duke falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë rrugëtim.

Ky sukses shënon një tjetër moment ku historia dhe qëndresa e Kosovës marrin vlerësim ndërkombëtar, duke dëshmuar rëndësinë e rrëfimeve autentike në forcimin e ndërgjegjes globale për të kaluarën dhe të tashmen e vendit./KultPlus.com

Ferizaj hap edicionin e 55-të jubilar të Festivalit të Teatrove

By: Kult Plus
12 August 2025 at 18:03

Nga 1 deri më 7 shtator 2025, Ferizaj mirëpret edicionin e 55-të të Festivalit të Teatrove, një prej ngjarjeve më të vjetra e më të qëndrueshme të artit skenik në Kosovë dhe rajon. Programi sjell shfaqje të prodhuara së fundmi, si dhe aktivitete nga konceptet “Retroteatri” dhe “FTF Skena”.

Festivali, që nisi në vitin 1970, ka mbledhur çdo vit artistë e artdashës nga trevat shqiptare dhe më gjerë, duke e shndërruar Teatrin “Adriana Abdullahu” në një qendër të rëndësishme kulturore. Në mbrëmjen hapëse, publiku do të shijojë shfaqjen “Memorandumi” të Vaclav Havelit, me regji të Agon Myftarit, si prodhim i vetë teatrit mikpritës, transmeton KultPlus.

Me traditën e tij të gjatë dhe atmosferën e veçantë, Festivali i Teatrove në Ferizaj mbetet një pikëtakim i rëndësishëm për artin dhe publikun, duke sjellë në skenë energjinë, diversitetin dhe gjallërinë e teatrit bashkëkohor./KultPlus.com

Galeria Kombëtare e Kosovës prezanton programin edukativ të gushtit në kuadër të ekspozitës “I avashtë dhe i pandalshëm”

By: Kult Plus
12 August 2025 at 17:30

Galeria Kombëtare e Kosovës ka prezantuar programin edukativ për muajin gusht, i cili zhvillohet në kuadër të ekspozitës “I avashtë dhe i pandalshëm” të artistit Kemil Bekteši. Programi është i frymëzuar nga simbolika e bukës dhe gatimit në kulturën shqiptare, duke e kthyer këtë temë në një urë mes traditës dhe krijimtarisë artistike.

Gjatë muajit, vizitorët do të kenë mundësinë të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme krijuese, përfshirë punime me terrakotë, gatim dhe aktivitete komunitare. Qëllimi i këtyre punëtorive është të ofrojnë hapësira për argëtim, mësim dhe zhvillim kreativ për të gjitha moshat, transmeton KultPlus.

Të gjitha aktivitetet do të mbahen në ambientet e Galerisë Kombëtare të Kosovës, në Qafën e qytetit të Prishtinës, ndërsa detajet e plota për oraret dhe format e pjesëmarrjes do të publikohen së shpejti nga organizatorët.

Ky program është një mundësi e veçantë për të kombinuar artin, traditën dhe komunitetin në një përvojë të pasur kulturore./KultPlus.com

Mbahet edicioni i 43-të i Festivalit të Këngës Arbëreshe

By: Kult Plus
12 August 2025 at 17:15

Në komunën arbëreshë Shën Mitër të Provincës së Kozencës, u mbajt Festivali i Këngës Arbëreshe. Ky ishte edicioni i 43-të i garës më të rëndësishme të vitit, mes artistëve arbëreshë.

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët bëri të ditur se fitues i vendit të parë të festivalit, u shpall Ernesto Iannuzzi, kantautor nga Firmo. Para një publiku të mrekullueshëm në Shën Adrian, artisti performoi këngën “Ruam mbrënda”, me tekst nga Iannuzzi dhe aranzhime muzikore nga Alessandro Paloli, duke fituar çmimin e madh dhe një shpërblim prej 3,000 €,shkruan atsh.

Në vend të dytë u rendit Francesca Manoccio nga Acquaformosa, me këngën e saj “Ajde Ajde / Eja Eja” (çmimi 2,000 €) dhe në vend të tretë, Clarissa De Santo nga Caraffa, me këngën e saj “Thuam he më mban mend / Më thuaj se ende mendon për mua”, shkruar nga Luigi Gregorio Comi me muzikë nga vetë këngëtarja (çmimi 1,000 €).

Një juri teknike ndau gjithashtu çmimin e kritikës dhe çmimin për këngën më të mirë, respektivisht për Giuseppe Basile di Plataci “Fljutura” (Farfalla) dhe Marco Sabato me “U ngreva me hare”.

Në Festivalin e organizuar si çdo vit, në Shën Mitër morën pjesë 16 këngëtarë, të cilët vinin jo vetëm nga fshatrat arbëreshe të Kalabrisë, por edhe nga rajone të tjera dhe nga Shqipëria.

Dua Lipa feston paraprakisht ditëlindjen e 30-të në ishullin e saj të preferuar

By: Kult Plus
12 August 2025 at 17:03

Ylli shqiptar me famë botërore, Dua Lipa, ka nisur festimet për 30-vjetorin e saj me një udhëtim special në ishullin që ajo e quan të preferuarin e saj. Në një postim në rrjetet sociale, këngëtarja ka ndarë momente të lumtura me miqtë e ngushtë, duke treguar edhe fustanin elegant të krijuar posaçërisht për të nga stilisti Simon.

“Festa e hershme e ditëlindjes në ishullin tim të preferuar, me njerëzit e mi të preferuar, duke veshur fustanin më të bukur që Simon e bëri për mua… Nuk mund të pres për 30!!!”, ka shkruar ajo me entuziazëm, përcjellë KultPlus.

Fansat nga e gjithë bota kanë reaguar me urime e komente, duke shprehur gëzimin e tyre për këtë moment të veçantë në jetën e artistes./KultPlus.com

Suhareka do të ketë stadium të ri modern sipas standardeve të UEFA-s

By: Kult Plus
12 August 2025 at 16:45

Një lajm i madh për sportistët dhe adhuruesit e futbollit në Suharekë: shumë shpejt do të nisë ndërtimi i stadiumit të ri të qytetit, një projekt madhor me vlerë mbi 10 milionë euro, i cili synon të transformojë infrastrukturën sportive të komunës.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se kontrata me operatorin ekonomik është nënshkruar dhe se projekti do të realizohet sipas standardeve më të larta të UEFA-s. Stadiumi do të ketë një kapacitet prej 6,518 ulësesh të rehatshme, tribuna moderne, fushë me cilësi të lartë, ndriçim profesional për ndeshjet në mbrëmje dhe hapësira të dedikuara për sportistët, ekipet dhe mediat,njofton KultPlus.

Ky investim do të ofrojë kushte ideale për zhvillimin e ndeshjeve të nivelit të lartë dhe do të shërbejë si një qendër e re e aktiviteteve sportive dhe kulturore në qytet. Përveç ndeshjeve të futbollit, pritet që stadiumi të mirëpresë edhe koncerte, evente komunitare dhe aktivitete ndërkombëtare, duke e kthyer Suharekën në një destinacion të rëndësishëm për ngjarje të mëdha.

Punimet pritet të fillojnë së shpejti, ndërsa entuziazmi në mesin e sportdashësve është i madh. Ky projekt do të jetë jo vetëm një arenë sportive, por edhe një simbol i bashkimit të qytetit rreth pasionit për lojën më të dashur në botë,futbollin./KultPlus.com

Fëmijë e të rritur mësojnë së bashku mbi xhubletën

By: Kult Plus
12 August 2025 at 16:30

Në Durrës u zhvillua aktiviteti krijues i cili mblodhi fëmijë dhe të rritur në një proces ndërveprues, ku përmes artit dhe dorës së tyre, ata u njohën me simbolet tradicionale të xhubletës dhe disa nga elementet karakteristike të dyerve të vjetra të qytetit të Durrësit.

“Trashëgimia kulturore nuk është vetëm për t’u ruajtur, por për t’u ndjerë, eksploruar dhe rikrijuar”, shkruhet në faqen online të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, e cila e mbështeti këtë projekt.

Në fokus ishte xhubleta, një veshje simbolike me histori mijëravjeçare, e cila u interpretua nga fëmijët përmes qepjes me rruaza dhe motive dekorative. Në një tjetër kënd, pjesëmarrësit punuan mbi modele të dyerve të vjetra të qytetit, të cilat i zbukuruan me qëndisje dhe ngjyra, duke sjellë histori të reja mbi simbole të vjetra.

MEKI tha se, kjo punëtori ndërvepruese lehtësoi njohjen dhe kuptimin e trashëgimisë kulturore përmes pjesëmarrjes aktive dhe krijuese./atsh/KultPlus.com

Kur gratë flasin në veten e parë, mitet heshtin: Promovimi i librit “Martesat, valixhet dhe ngarkesat e tjera” nga Vlora Konushevci

By: Kult Plus
12 August 2025 at 16:11

Ka momente kur një faqe libri hap më shumë se një derë, hap dritare drejt vetes, mendimit dhe botës që shpesh na rrëshqet mes ditëve. Të lexosh nuk është thjesht të përthithësh fjalë, por të rrish përballë shpirtit të një tjetri dhe, përmes tij, të zbërthesh edhe pjesë nga vetja. Është një akt i heshtur fuqie, që ushqen mendjen dhe e zbut zemrën, një përjetim që, si pak gjëra në jetë, mbetet i gjallë edhe pasi faqja është kthyer.

Pikërisht me këtë hasi audienca teksa aktorja Arta Selimi, në rolin e panelistes në promovimin e librit “Martesat, valixhet dhe ngarkesat e tjera” të autores Vlora Konushevci, lexoi tregimin “Kometa”.

Promovimi i librit të Vlora Konushevcit, i cili u mbajt, sot më 12 gusht 2025, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, ia mundësoi audiencës të udhtojë edhe njëherë drejt një të kaluare përherë të pranishme të traditës shqiptare martesore, duke e zhveshur idenë deri në rrënim, transmeton KultPlus.

Ato faqet e para që dëgjoi audienca, nuk hapën vetëm histori, por tronditën themelet e së njohurës shkundën pluhurin nga një kujtim i gjatë, e pastaj na lanë përballë një të vërtete të sinqertë. Në raste të tilla, është si të përjetosh një çarje të qetë: aty ku dikur ndodhej një strukturë e patundur si martesa në traditën shqiptare, tani shfaqet një pyetje, një dyshim, një dritë që zhvesh ritualin nga shenjtërimi dhe e zbërthen në përjetime njerëzore, të dhimbshme. Leximi kështu u kthye në diçka që nuk është vetëm njohje, është përballje, rrëzim i miteve dhe ndërtim i një kuptimi të ri, më të lirë, më të vërtetë.

Autorja e librit, Vlora Konushevci, gjatë diskutimit u shpreh se libri i saj “i ofron lexuesit një qasje antiepike të letërsisë.”

“Trajtohen martesat, korrupsioni, tranzicioni, mikropërvoja trupore dhe morale. Zhvendoset gjuha e traumës në një gjuhë të kujdesit.” – u shpreh autorja.

Pjesë e panelit diskutues ishte edhe profesoresha Lindita Tahiri, e cila solli një analizë të thelluar mbi veprën dhe simbolikën që ajo mbart. Ajo theksoi se titulli i librit vendos martesën në një vendqëndrim që e kapërcen kontekstin tradicional dhe e zhvendos në një hapësirë shumëdimensionale, ku ndërlidhen përvoja personale, shoqërore dhe historike. Sipas saj, tema e martesës është një nyje narrative pa të cilën një pjesë e madhe e letërsisë nuk do të kishte marrë formën që njohim sot. Martesa, e trajtuar si strukturë simbolike dhe reale njëkohësisht, shërben si një lloj reflektimi i vazhdueshëm mbi marrëdhëniet njerëzore dhe peshën që ato mbartin.

Profesoresha Tahiri ndaloi edhe tek mënyra e rrëfimit, duke e cilësuar veprën si një përfaqësuese të prozës moderne, ku rrëfimi dhe metarrëfimi ndërthuren për të ndërtuar jo vetëm një histori, por një vetëdije mbi mënyrën si tregohet historia.

Një tjetër aspekt me rëndësi që ajo theksoi ishte përdorimi i dialektit, i cili nuk është vetëm zgjedhje gjuhësore, por mbart një ngarkesë të theksuar ideologjike dhe kulturore. Dialekti, në këtë kontekst, nuk shërben vetëm si mjet për të shtuar autencitetin, por edhe si mënyrë për të artikuluar një qëndrim ndaj trashëgimisë dhe identitetit.

Duke përmbyllur mendimin e saj, profesoresha solli një ide të ndjerë dhe të thellë: “Pesha e jetës, duke u bashkërrëfyer me të tjerët, mbahet më lehtë”, një reflektim mbi fuqinë çliruese që ka ndarja e përvojës në dhe përmes letërsisë.

Redaktori i veprës, Gazmend Berlajolli, gjatë diskutimit ndau vlerësime të veçanta për qasjen e autores në ndërtimin e tregimeve dhe për punën paraprake që qëndron pas tyre. Ai theksoi se “Gjatë leximit të tregimeve kuptova se Vlora ka bërë hulumtime paraprake dhe ka mbledhë shënime për secilin tregim, se ndryshe nuk do të dilnin kaq të detajuara e të elaboruara.” Kjo vërejtje nxori në pah faktin që tregimet nuk janë vetëm produkt i imagjinatës letrare, por i një procesi të kujdesshëm kërkimi dhe dokumentimi, që i jep autenticitet dhe thellësi secilës narrativë.

Në vijim, Berlajolli e cilësoi librin si një pasqyrim të realitetit të Kosovës pas luftës, ku ndonëse ngjarjet vendosen në periudhën e pasluftës, “lufta detyrimisht është në sfond, që ndonjëherë edhe del në sipërfaqe te ndonjë tregim.” Ai shtoi se secili tregim ndërtohet me “femrën si personazh kryesor,” një zgjedhje që i jep zë përvojës shpesh të nënreprezentuar në letrat shqipe. Rrëfimi në veten e parë, sipas tij, krijon një përjetim më intim: “me një zë që flet në vetën e parë, me ndonjë përjashtim të rastit, që ndoshta e krijon një lloj ndjesie më të fortë të intimitetit, se mund të shkrihet edhe në raportet e brendshme të personazhit dhe të bashkëndjehet me personazhin më shumë.”

Duke reflektuar mbi stilin narrativ dhe fuqinë e përshkrimit të dhimbjes së personazheve, ai theksoi me shumë ndjeshmëri: “Me secilin protagonist harron që e lexon autorin, por e lexon hallin e personazhit.” Kjo, sipas tij, është dëshmi e fuqisë së rrëfimit dhe e aftësisë së autores për t’u zhdukur pas zërave që ndërton, duke ua lënë atyre të flasin me autenticitet dhe ndjenjë të pastër.

Pas përfundimit të diskutimit, atmosfera e ngrohtë dhe e reflektimit letrar u zhvendos në koridorin e Bibliotekës Kombëtare, ku ishte përgatitur një koktej i thjeshtë, por mikpritës. Pjesëmarrësit u ndalën për të shkëmbyer përshtypje, për të biseduar më gjatë me autoren dhe njëri-tjetrin, duke e zgjatur edhe për pak çaste ndjesinë që kishte krijuar vetë promovimi.

Pranë hyrjes së sallës ku u mbajt ngjarja, një tavolinë me libra të vendosur me kujdes tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve. Libri u shit aty në vend, ndërsa shumë nga të ftuarit shfrytëzuan mundësinë për ta marrë me vete veprën, shpesh të shoqëruar edhe me një autograf personal nga autorja. Ajo hapësirë, për pak minuta, u shndërrua në një pikë takimi mes lexuesve dhe librit të sapodalë në qarkullim, një fillim i mbarë për një vepër që premton të zgjojë mendje dhe ndjenja./KultPlus.com

❌
❌