Real Madridi i përgjigjet kërkesës së Vinicius për rritje të pagës
Real Madrid ka marrë një vendim të prerë në lidhje me të ardhmen e Vinicius Jr, duke e bërë të qartë se nuk do t’i ofrojë brazilianit të njëjtën pagë që ka marrë Kylian Mbappe me transferimin e tij në ‘Santiago Bernabéu’.
Vendimi vjen në një moment kur klubi dhe përfaqësuesit e Viniciusit janë në negociata për rishikimin e kushteve financiare të kontratës së tij, e cila është në fuqi deri në qershor 2027.
Sipas burimeve pranë klubit, të cituara nga gazetari spanjoll Anton Meana, Real Madrid po i qëndron strikt politikës së vet të balancës financiare dhe nuk është i gatshëm të krijojë përjashtime, pavarësisht rëndësisë së lojtarit për skuadrën.
“Real Madrid ka bërë të qartë se nuk do t’i ofrojë Viniciusit të njëjtën pagë si Mbappes, duke vendosur stabilitetin financiar përpara kërkesave individuale. Nëse insistimi për rrogë të barabartë vazhdon, klubi do të shqyrtojë shitjen e tij”, tha Meana.
Aktualisht, Vinicius përfiton rreth 15 milionë euro neto në sezon, ndërkohë që Mbappe, i ardhur si lojtar i lirë pas largimit nga PSG, ka siguruar një pagë bazë prej 31.25 milionë eurosh, përveç bonuseve të tjera të konsiderueshme që janë pjesë e marrëveshjes së tij me ‘Los Blancos’.
Megjithëse Vinicius ka qenë një nga lojtarët më të spikatur të Real Madridit në sezonet e fundit, dhe ka kontribuar ndjeshëm në trofetë e fituara, drejtuesit e klubit nuk janë të gatshëm të përmbysin balancën e pagave në dhomën e zhveshjes.
Ata shohin Mbappen si një rast të veçantë, i cili u ble pa shpenzime për kartonin dhe që sjell përfitime të mëdha edhe në aspektin komercial.
Në këtë pikë, situata është kthyer në një ultimatum për Viniciusin, ose pranon ofertën që i bëhet, ose klubi do të fillojë të shqyrtojë opsionet për shitjen e tij në verën e ardhshme, ku padyshim nuk do t’i mungojnë ofertat nga klubet e mëdha të Europës./Telegrafi/
The post Real Madridi i përgjigjet kërkesës së Vinicius për rritje të pagës appeared first on Telegrafi.