Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Humbi jetën në burg/ Reagon KSHH: U mbajt 8 ditë i sëmurë në qeli, duhej të mjekohej urgjent

7 August 2025 at 16:11

Gazeta Si – Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka reaguar pas vdekjes së Besnik Koçiut, një i paraburgosur 57-vjeçar që ndërroi jetë më 24 korrik 2025 në Institutin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) “Jordan Misja”, vetëm tetë ditë pas futjes në paraburgim.

Në një komunikatë për mediat, organizata ngre pikëpyetje lidhur rastin e Koçiut, për sa i përket trajtimit mjekësor të personave të privuar nga liria.

Besnik Koçiu ishte pranuar në IEVP më 16 korrik dhe që në momentin e parë kishte raportuar diagnoza të rënda dhe të njohura mjekësisht si: diabet tip 2 (nën insulinë), hipertension i avancuar, dislipidemi dhe një goditje në tru e kaluar vetëm gjashtë muaj më parë.

Pavarësisht këtyre kushteve, ai nuk u dërgua në një strukturë spitalore, por u mbajt në kushte paraburgimi të zakonshme.

KShH thekson se ankesa për gjendjen shëndetësore ishin “të përsëritura dhe të dokumentuara”. 

Në njoftim, Komiteti i Helsinkit shkruan se “rezulton se gjatë ditëve të para të akomodimit të tij (sipas shënimit të Kartelës Mjekësore, të datës 18.07.2025), shtetasi B.K., kishte paraqitur ankesa për dhimbje koke, dobësi trupore dhe djegie.

KSHH thotë se mbrëmjen e 23 korrikut, në orën 20:45, në librin e aktivitetit të institucionit është shënuar se Kociu nuk ndihej mirë. Ndihmës mjekja i kishte matur vetëm tensionin në dy raste, por nuk rezulton të jetë ndërmarrë asnjë hap tjetër mjekësor gjatë gjithë natës për rreth 9 orë.

Vetëm mëngjesin e datës 24 korrik, rreth orës 07:00, punonjësit e turnit të parë konstatuan se i paraburgosuri nuk reagonte.

Ai u transportua menjëherë drejt urgjencës së QSUT-së, por aty mjekët konstatuan se kishte ndërruar jetë si pasojë e një arresti kardiak.

Megjithatë, reagimet institucionale kanë qenë të pamjaftueshme dhe, sipas monitorimit të realizuar nga vetë organizata, mungon dokumentacioni që të tregojë ndonjë veprim konkret për mbikëqyrjen e specializuar të tij.

Organizata ngre pikëpyetje lidhur me shkeljen e të drejtave dhe neglizhencë sistemike, ndërsa bën gjithashtu thirrje për hetim.

51-vjeçari ishte në hetim për veprën penale “Armëmbajtje pa leje dhe prodhim i armëve”. Ai ishte arrestuar më 13 korrik për plagosjen me armë zjarri të një 34-vjeçari në një lokal në Valias.

The post Humbi jetën në burg/ Reagon KSHH: U mbajt 8 ditë i sëmurë në qeli, duhej të mjekohej urgjent appeared first on Gazeta Si.

Lefter Koka lë për disa orë qelinë e burgut për të vizituar nënën e sëmurë

7 August 2025 at 12:07

Gazeta Si – Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, i dënuar për inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit, ka lënë përkohësisht këtë të enjte qelinë e burgut të Durrësit për të vizituar nënën e tij të sëmurë në shtëpi.

Mësohet se Kokës i është miratuar një leje e kufizuar prej tetë orësh nga 11:00 deri në 17:00 me firmë të ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Forca të shumta të policisë së burgjeve e shoqërojnë Kokën gjatë lirisë së tij të përkohshme.

Koka u arrestua më 14 dhjetor të 2021-in, ndërsa vitin e kaluar Gjykata e Posaçme e dënoi me 10 vite burg për inceneratorin e Elbasanit, dënim i cili zbret në 6 vite e 8 muaj burg për shkak të gjykimit të shkurtuar. Për inceneratorin e Tiranës u dënua me 2 vite burg, ndërsa për atë të Fierit çështja është ende në gjykim.

The post Lefter Koka lë për disa orë qelinë e burgut për të vizituar nënën e sëmurë appeared first on Gazeta Si.

Vrasja e 65-vjeçarit në Vaun e Dejës, dyshohet se autori e qëlloi nga afër dhe u largua me motor

5 August 2025 at 13:38

Gazeta Si – Një hasmëri e vjetër me dy familje të tjera, njëra nga Puka, dyshohet të jetë pista kryesore e hetimit në lidhje me vrasjen e 65-vjeçarit Frrok Lleshaj në Vaun e Dejës.

Burime paraprake nga Policia e Shkodrës, thonë se janë shoqëruar në komisariat 12 persona, të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Sipas të dhënave nga ekspertiza e policisë, 65-vjeçari është qëlluar me pistoletë nga një distancë e afërt, çka shton dyshimet se autori ka bashkëpunuar me persona të tjerë.

Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të një banese pranë vendit të ngjarjes, të cilat pritet të ndihmojnë në identifikimin e autorëve.

Gjithashtu, dyshohet se autori është larguar me motoçikletë, duke përfituar nga errësira për t’u zhdukur me shpejtësi nga vendi i krimit.

Gjithnjë sipas burimeve policore, hasmëria mes familjes Lleshaj dhe dy familjeve të tjera ka prodhuar që nga fillim të viteve ’90 pesë viktima deri më tani.

Frrok Lleshaj është i treti që vritet pas djalit dhe vëllait të tij në fillim të viteve ’90, ndërsa të vrarë janë edhe kushëriri i tij, Dodë Lleshaj, me të cilin nisi konflikti, si dhe një shtetas tjetër nga Puka.

Ngjarja e parë ndodhi në vitin 1991, kur djali i 65-vjeçarit u vra në Greqi. Asokohe u tha se i riu ishte vrarë nga policia greke në rrethana të paqarta, por familja e Frrok Lleshajt dyshonte se pas ngjarjes fshiheshin kushërinjtë e tij.

Disa vite më vonë, dyshohet se Frrok Lleshaj mori gjakun e djalit të tij, duke vrarë kushëririn Dodë Lleshaj. Megjithatë, ai nuk e pranoi asnjëherë autorësinë e kësaj ngjarjeje.

Ndërkohë, një tjetër konflikt lindi me një familje nga Puka. Frrok Lleshaj qëlloi për vdekje një person tjetër, për të cilin e pranoi autorësinë në gjykatë dhe u dënua me 25 vite burg. Nga këto dy hasmëri të vjetra dhe ende të pambyllura, mbetet i vrarë edhe vëllai i 65-vjeçarit.

Frrok Lleshaj kishte dalë nga burgu në vitin 2023, por ishte braktisur nga familja, gruaja dhe fëmijët. Ai jetonte i vetëm në fshatin Paçram, duke u marrë me blegtori.

Vrasja ndodhi pranë banesës së tij, ndërsa ai po ecte në rrugët e fshatit. Trupi i tij u gjet nga një kalimtar i rastësishëm, i cili njoftoi menjëherë policinë.

Grupi hetimor po verifikon gjithashtu edhe veprimtarinë e 65-vjeçarit pas daljes nga burgu, për konflikte të mundshme që mund të ketë pasur me persona të tjerë. Por deri më tani, nuk është zbuluar asnjë gjurmë që mund të çonte në zbardhjen e ngjarjes.

The post Vrasja e 65-vjeçarit në Vaun e Dejës, dyshohet se autori e qëlloi nga afër dhe u largua me motor appeared first on Gazeta Si.

Si u zbulua Flodian Plaku! Policia përgjoi berberin dhe personin që i çonte ushqim

4 August 2025 at 12:25

Gazeta Si – Flodian Plaku ka qenë nën vëzhgim për rreth dy muaj para se të arrestohej të dielën në mesditë në një hotel në Orikum të Vlorës.

Përveç 43-vjeçarit, në pranga ranë edhe 4 bashkëpunëtorët e tij, të cilët i kishin krijuar të gjitha kushtet për ta mbajtur të fshehur.

Policia tha se i arrestuari Albano Lapshi, i çonte ushqim në hotel Flodian Plakut, ndërkohë Armando Dano ishte berberi që shkonte në hotel për ta qethur.

Sipas policisë, bashkëpunëtor i tij dyshohet edhe Ligor Doko, pronar i hotelit ku u arrestua. Ndërsa julian Aliaj, që u kap me pistoletë në hotel, ka qenë i dënuar me parë për trafik droge.

Sipas burimeve, në ditën e ndërhyrjes dhe arrestimit të tij, është ndjekur edhe lëvizja e Albano Lapshit dhe Armando Danos, me origjinë nga Shkodra, i njohur si “berberi”, të cilët po shkonin drejt hotelit ku fshihej Plaku.

Flodian Plaku alias Florjan Serjani (Mamo) akuzohet për vrasjen e shtetasit Gentjan Bejtja, më datë 15.03.2024, i cili u qëllua me armë zjarri brenda rrethimit të banesës së tij.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se autorët janë afruar te banesa e viktimës, me një automjet tip “Land Rover” dhe pas kryerjes së vrasjes, janë larguar në fshatin Hasan, ku kanë djegur automjetin.

Flodian Plaku, i njohur edhe me nofkën “Qorri” ose “Pole”, dyshohet se ka pasur rol të drejtpërdrejtë në ngjarjen e rëndë kriminale.

The post Si u zbulua Flodian Plaku! Policia përgjoi berberin dhe personin që i çonte ushqim appeared first on Gazeta Si.

Vrasja e Renato Hoxhajt, shpallet në kërkim vrasësi i dyshuar nga Rumania

4 August 2025 at 11:14

Gazeta Si – Policia e Vlorës ka zbardhur vrasjen e Renato Hoxhajt, ngjarje që ka ndodhur më 27 korrik në lagjen “Hajro Çakërri”.

Në pranga për këtë ngjarje kanë rënë dy persona, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Bëhet fjalë për një 53-vjeçar rumun, me precedentë të theksuar kriminalë në fushën e krimeve kundër personit.

“Për këtë shtetas është lëshuar urdhër arrestit ndërkombëtar për veprat penale ‘Vrasja me paramendim’, e kryer në bashkëpunim dhe ‘Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit’”, njoftoi sot drejtori i Policisë së Vlorës, Elidon Çela.

Në lidhje me këtë ngjarje është ndaluar me iniciativë të policisë 37-vjeçari Eris Mehmeti në muajin prill. Ai u kap për sigurim të kushteve për të kryer vrasje.

Ndërkohë më 1 gusht u arrestua edhe Kleanth Bylyku alias Armando Gega, 42 vjeç për vrasje me paramendim. Ai dyshohet se lëvizi autorin e ngjarjes me makinë.

Ndërkohë nën hetim është edhe një 26-vjeçar me iniciale I.S. Ai është vënë më parë në pranga për shitje të lëndëve narkotike, por policia po vijon punën për të përcaktuar rolin e tij në këtë ngjarje kriminale.

Renato Hoxhaj, i cili më herët ka mbajtur emrin Alfred, u vra mëngjesin e 27 prillit sapo la banesën e tij.

Viktima nuk rezultonte një person me precedent, por pavarësisht kësaj hetimet zbuluan se ai kishte lidhje me një grup kriminal në qytetin e Vlorës.

The post Vrasja e Renato Hoxhajt, shpallet në kërkim vrasësi i dyshuar nga Rumania appeared first on Gazeta Si.

I armatosur dhe me 25 mijë euro, momenti i arrestimit të Flodian Plakut në një hotel në Vlorë (video)

4 August 2025 at 10:48

Gazeta Si – Flodian Plaku, i akuzuar për vrasjen e Gentjan Bejtjas, është arrestuar një ditë më parë në qytetin e Vlorës, pas një operacioni të mirëorganizuar nga forcat operacionale dhe policia lokale.

Ai u vu në pranga në një hotel në Orikum ku qëndronte i strehuar, i armatosur dhe me 25 mijë euro cash në çantë.

Dy policë e kanë prangosur atë, teksa bie në sy edhe veshja e tij. Plaku mban në qafë një varëse floriri të trashë dhe mban edhe syze dielli.

Drejtori i Policisë së Vlorës, Elidon Çela, doli në një konferencë për shtyp pas operacionit “Eterna” që vuri në pranga Flodian Plakun, një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore që ishte i shpallur në kërkim.

Gjatë ndërhyrjes policore në hotelin ku fshihej, së bashku me Flodian Plakun, u kap edhe Julian Aliaj alias Julian Pashaj, 43 vjeç, i cili gjatë operacionit u kap me një armë zjarri pistoletë me një krehër me fishekë.

Në pranga për këtë rast janë vënë edhe tre persona të tjerë për “përkrahje të autorit të krimit”.

“Gjatë hetimeve të thelluara mbi këtë rast, u evidentua se shtetasit A. L, 36 vjeç, banues ne Vlorë, A. D, 31 vjeç banues ne Vlore dhe L. D, 57 vjeç, banues në Tiranë, kanë ndihmuar në strehimin, komunikimin dhe lëvizjen e shtetasit në kërkim Flodian Plaku. Ata u arrestuan ne flagrancë për veprën  penale “Përkrahja e autorit të krimit””, njoftoi policia.

I njohur me nofkën “Pole Qorri”, Plaku është i dyshuar për vrasjen e Gentian Bejtjes. Më herët në pranga e policisë ka rënë edhe dy bashkëpunëtorët e tij, Edison Haxhiun dhe Ilir Beqaraj. Këta të fundit mendohet se ndihmuan që Plaku të largohej jashtë vendit.

Gentian Bejtja u ekzekutua me mbi 30 plumba pasditen e 15 marsit, brenda serës në oborrin e banesës së tij në fshatin Larushk të Fushë-Krujës.

Tre persona zbritën nga automjeti “Land Rover Discover” dhe zbrazën kallashnikovët drejt viktimës, dhe më pas u larguan drejt fshatit Hasan e Bubq. Nga dinamika e ngjarjes dhe provat e gjetura në vendin e krimit, policia beson se ekzekutorët janë vrasës me pagesë.

The post I armatosur dhe me 25 mijë euro, momenti i arrestimit të Flodian Plakut në një hotel në Vlorë (video) appeared first on Gazeta Si.

Ndryshimet në ligjin “Për tatimet mbi të ardhurat”, regjim i unifikuar dhe progresiv taksimi për të gjitha bizneset

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Ndryshimet në ligjin “Për tatimet mbi të ardhurat”, parashikon kthimin e regjimit të tatimeve në një sistem të unifikuar dhe progresiv taksimi për të gjitha bizneset, përfshirë edhe sektorin e teknologjisë së informacionit, akomodimin apo bizneset sezonale.

Sektori i teknologjisë së informacionit, strukturave akomoduese apo bizneset sezonale, për vite me radhë ka përfituar nga skemat preferenciale, ndërsa sipas ministrisë së Financave, pritet që “politikat preferenciale tatimore  të jenë të përkohshme, të targetuara dhe jo diskriminuese për sektorë të tjerë. Trajtimi preferencial për sektorë si akomodimi, IT, apo bizneset sezonale do të hiqet gradualisht”.

Sipas dokumentit zyrtar të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave, vetëm për vitin 2022, përjashtimet dhe normat e ulëta tatimore kanë sjellë një mungesë të ardhurash prej mbi 101 miliardë lekësh, ose 4.76% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Pothuajse 83% e kësaj humbjeje i atribuohet shkallëve të reduktuara të TVSH-së dhe përjashtimeve.

“Tatimi mbi fitimin korporativ në normën 0% për bizneset e vogla përbën burimin e dytë më të madh të humbjeve, duke kontribuar me 0.77% të PBB-së. Këto përjashtime nuk do të jenë të përhershme, ato janë parashikuar të shfuqizohen plotësisht deri në vitin 2029”, deklaron Ministria e Financave.

Reforma tatimore është zhvilluar në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe synon të afrojë Shqipërinë me standardet fiskale të Bashkimit Evropian. Mbështetja për startup-et pritet të vazhdojë, ndërsa trajtimi preferencial për sektorët e tjerë do të hiqet hap pas hapi./klan/

The post Ndryshimet në ligjin “Për tatimet mbi të ardhurat”, regjim i unifikuar dhe progresiv taksimi për të gjitha bizneset appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Organizatat e shoqërisë civile kundër Kodit Penal: Përhap kriminalizimin dhe kufizon gazetarët!

1 August 2025 at 13:09

Nga Gazeta ‘SI’ – Organizatat e shoqërisë civile në vend kanë reaguar kundër Kodit të ri Penal, duke shprehur shqetësim për përhapje të gjerë të kriminalizimit dhe kufizim të lirisë së shprehjes.

Qëndresa Qytetare ngre alarmin për ngre alarmin për ndryshimet që parashikojnë dënim me eqje lirie për shkelje administrative.

“Kodi i Ri Penal përtej valës së eksodit drejt vendeve të Bashkimit Europian, në kushtet kur drejtësia e re është larguar nga qytetari rrezikon që burgjet të popullohen dhe të krijojë një kaos të paprecedentë në sistemin e drejtësisë. Qëndresa Qytetare kërkon që Kodi i ri penal të kalojë në një fazë të gjerë konsultimi publik ku të jenë të përfshirë qytetarët, shoqëria civile, mediat dhe ekspertët e fushës”, thuhet në deklaratën e QQ.

Organizata SCiDEV dhe rrjeti rajonal SafeJournalists shprehin shqetësim për disa nga nenet që mund të kufizojnë dhe cënojnë gazetarët në punën e tyre.

Organizatat theksojnë se nenet 865 dhe 863 që prekin fyerjen dhe shpifjen jo vetëm që nuk respektojnë rekomandimet e tyre të përsëritura dhe ato të institucioneve evropiane për dekriminalizimin e këtyre veprave, por përkundrazi, zgjerojnë sanksionet penale dhe fusha e zbatimit të tyre krijon rrezik frikësimi ndaj gazetarëve, aktivistëve dhe qytetarëve të angazhuar.

“Zgjerimi i përgjegjësisë penale për komentet në media apo rrjete sociale, rritja e gjobave dhe paqartësitë ligjore mund të çojnë në abuzim dhe ndëshkim selektiv. Në mënyrë të veçantë, dispozita si ajo që lejon justifikimin e deklaratave në ‘gjendje zemërimi’ krijon standarde të dyfishta për zyrtarët e pushtetshëm,” thuhet në reagim.

Sipas organizatave drafti nuk parashikon as mbrojtje të gazetarëve dhe dekriminalizim të shpifjeve, siç është rekomanduar.

Organizatat theksojnë se formulimi i përgjithshëm dhe i paqartë i disa neneve të draftit lë hapësirë për interpretim arbitrar dhe zbatim selektiv, në dëm të gazetarëve dhe lirisë së medias.

“Është shqetësuese mungesa e garancive ligjore për gazetarët që raportojnë për çështje të ndjeshme si korrupsioni apo abuzimi me detyrën. Ky draft, nëse miratohet në formën aktuale, do të përkeqësojë më tej klimën e pasigurisë për median e pavarur në Shqipëri,” përfundon deklarata.

The post Organizatat e shoqërisë civile kundër Kodit Penal: Përhap kriminalizimin dhe kufizon gazetarët! appeared first on Gazeta Si.

Një bidon bosh peshon më shumë se një ligj

31 July 2025 at 15:36

Nga Frrok Çupi

Përditë ju ka ndodhur, dhe përditë keni ikur me frikë. Pse bëjmë sikur ‘haj mo’? Ju ka ndodhur që vini rrotull e rrotull dhe nuk mund të parkoni makinën. Në vendet për parkim të lirë janë vënë bidonë bosh; të gjithë i bien rrotull pallatit por bidonin nuk e prekin.

Edhe policët vijnë vërdallë, por bidonin e mitizojnë.

Në makinat e zeza e të rënda që i vijnë vërdallë bidonit, me siguri brenda tyre ka edhe armë ose drogë. Të zotët e makinave që ulin kokën para bidonit bosh, mbahen për trima. Dhe janë aq trima saqë qëllojnë me armë mbi njerëz; ose janë aq trima sa hyjnë në tregun e tmerrshëm të drogës dhe të përleshen me bandat.

Por jo të prekin bidonin bosh, që është e drejta e ligjshme. Bidoni është i vërtetë, siç mund të jetë një karrige me tre këmbë, ose një thes me inerte, ose një biçikletë që zë hapësirën sa për një makinë…, por në këtë rast po e marrim si balancë me ligjin. Bidoni është gjëja më bosh e gjithë çështjes me ligjin. Anti- ligji respektohet më shumë se ligji.

Kjo është tragjedia.

Çfarë po ndodh tani?

Sapo ka nxjerrë kokën ideja ose drafti për një Kod të ri Penal. Menjëherë u ngritën të gjithë ( më duket se të gjithë) kundër. Drafti thonë se është ‘i shëmtuar’. Po, sigurisht, mund të jetë. Por a na duhet Kodi, sepse ky nuk është ende ‘kod’? A na duhet të kemi ligj, apo të kemi ‘bidon’?, kjo është çështja. Këta nuk duan ligjin, ky është thelbi. Disa vijnë me mendimin se ‘sot bidonin ti, nesër unë’. Domethënë siç ecën për disa dekada pas viteve ’90: ‘Sot e marr këstin te Sudja unë, nesër e merr ti! Bëjmë si bëjmë mes nesh!’. Thonë se atëherë ‘pinim birra gjithë ditën së bashku’. Ose njëri mbjell kanabis e tjetri e tregton; në fund të fundit balancohen. Sot e zë rrugën njëri, nesër e zë tjetri…, në lagjen time ku ndodhen dy rrugë të ngushta paralele, njërën e kanë kthyer në parkim, sepse ‘mjafton njëra rrugë, ç’i do të dyja’. Në ‘Theth’ thonë se ‘do të qeverisen me Kanunin e Lekës’. Sipas Kanunit janë ‘zgjidhur’ hasmëritë: ‘Sot të vras unë, nesër më vret ti!’, me radhë. Hasmit janë njëri këtu, tjetri në Dubai. Të korruptuarit e mëdhenj të vendit nuk paraqiten para Drejtësisë. Ose edhe kur paraqiten, marrin me vete turma njerëzish si mburojë. Këta të mburojës mishtore nuk nënshkruajnë deklaratën se ‘këtë të zezë po ia bëjmë shumicës’. Secili nga zyrtarët e lartë mund të shesë e blejë interesat e vendit, siç ka ndodhur vite të shkuar, por nuk ka ligj. Nuk ka ligj për hapjen e çështjeve të ‘vjetra’ ku janë vrarë qindra e disa mijëra shqiptarë; ku është kryer krimi shtetëror, ku është kryer korrupsion i madh. Prokurori i Përgjithshëm tha se ‘me këtë Kod të ri’ mund të rihapen çështjet e vjetra penale.

Shumica tjetër e ‘njerëzve të ligjit’ thonë se ‘ishim mirë me kodin e vjetër’. Si me bidonin bosh; bidoni mbytet në pluhur por një parking do ta gjesh në rrugë edhe pas një jave. Kodi i vjetër u kthye jo në mur të lartë, por në një ‘gardh me njëmijë vrima’, nga ku kaluan dinozaurët që shkaktuan luftën civile 1997, grusht shteti në vitin 1998, dhunën mbi zgjedhje dhe opozitë- 1996; thyerjen e embargos së OKB për armë dhe naftë; skemat mashtruese piramidale; vrasjet në oborrin e kryeministrisë; djegien e 26 njerëzve në Gërdec; përdorimin e qeverisë si leckë ku fshiheshin b… e familjes së kryeministrisë me 19 kulla… Nëpër këtë gardh ka hyrë e dal fajtori i madh pa u paraqitur asnjë ditë para Drejtësisë.

Me atë kod, pa ligje, e keqja, krimi e korrupsioni i kanë hipur në kokë qytetarisë së vendit.

A vlen më shumë ‘bidoni bosh;’ se sa ligji? Edhe kur ligji është më i fortë, vlen mijëra herë më shumë se vetëgjyqësia. Ku ka ligj, aty ka pafajësi për njeriun. Pse bëjnë sikur tremben të zotët e bidonëve?

Dhoma e Avokatëve kundërshton Kodin e ri Penal: Represiv! Do e çojmë në Kushtetuese!

30 July 2025 at 13:29

Nga Gazeta ‘SI’ – Dhoma e Avokatëve të Shqipërisë ka kundërshtuar ndryshimet në Kodin Penal dhe ka njoftuar kontestim në Gjykatën Kushtetuese.

Kryetari i Dhomës, Maks Haxhia e ka cilësuar si “represiv” Kodin e ri Penal dhe duke shprehur se na rikthen në kohën e komunizmit.

“Kodi që lamë pas në kohën e diktaturës po ta krahasojmë me dënimet ka dënime represive… Nuk ka logjikë që ta pranojë që një kod i tillë i cili është inkuizitor, me dispozita marramendëse, me dënime marramendëse, me teknikë juridike që s’e pranon asnjë mendje profesionale që të jetë ky një draft që do ta pranojë Europa. Ky në të gjithë aspektin e vet është në diskordancë me legjislacionin penal europian”, tha avokati.

Haxhia u shpreh se Kodi i propozuar ka “dispozita konfuze, të paargumentuara dhe të paorientuara”. 

“Janë bërë nene që nuk i pranojnë dhe janë tepër diskriminuese siç është neni 537 që bien ndesh me parimet e Dhomave të Avokatisë. Ata që kanë bërë këtë ligj nuk e njohin avokatinë. Nëse e njohin do jetë turp për ata që e kanë bërë, që nuk dinë një gjë që avokatia është një profesion i lirë, i vetëdrejtuar, i vetëadministruara dhe i pavarur. janë katër shtylla që nuk i ka ligji shqiptar si shpikje, por i ka sjellë eksperienca legjislacioni ndërkombëtar”, tha Haxhia.

Haxhia bie dakord se për momentin nuk ka qenë nevoja për krijimin e një kodi të ri. Problem është procedura penale dhe burimet njerëzore.  

Ndër të tjera Haxhia kërkoi të mos kalojë drafti në Kuvend. Ai theksoi se Kodi i ri duhet t’i nënshtrohet jo vetëm një diskutimi në opinion, por mbi të gjitha me aktorët në fushën e drejtësisë.

“Gushtin do punoj për të argumentuar teknikisht qëndrimin e Dhomës për të dalë në përfundim në një material që do ua bëjmë prezent të gjithë forcave politike në parlament duke kundërshtuar me forcë të mos kalojë ky draft, komisionit të ligjeve, organizatës sonë ku Shqipëria bën pjesë në ÇBE që është organizata e Dhomave të Avokatisë së BE-së ku Shqipëria është me status të veçantë”, tha Haxhia, i cili theksoi se mjeti i fundit do të jetë Gjykata Kushtetuese, por shpreson që çështja të mos shkojë deri aty.

Një ditë më parë, rezerva për Kodin e ri shprehu edhe kryeprokurori Olsian Çela, i cili tha se masat e ashpëra që parashikohen, rrisin potencialin për kriminalizimin e individëve.

“Fryma e përgjithshme në draft për të zgjeruar rrethin e veprimeve që kategorizohen si të rrezikshme në një masë të tillë sa të klasifikohen si vepra penale e të dënohen me burgim, tregon një tendencë represive që rrit potencialin e kriminalizimit të individit në shoqëri e që sjell pasoja të rëndësishme në jetën e qytetarëve“.

Në reagimin e tij  Çela thekson se përpara çdo diskutimi mbi një draft të ri, do të ishte e domosdoshme një reflektim i gjerë shoqëror mbi vetë nevojën për ndryshim. Sipas tij, drafti i ri nuk i ka paraprirë një proces reflektimi mbi vlerat që duhet të përfaqësojë një kod penal në një shoqëri demokratike. Ai thekson se ndryshimi i kodit duhet të burojë nga një nevojë e thellë historike dhe jo si veprim i nxituar institucional, që rrezikon të minojë funksionimin e drejtësisë.

The post Dhoma e Avokatëve kundërshton Kodin e ri Penal: Represiv! Do e çojmë në Kushtetuese! appeared first on Gazeta Si.

Jo më burg për përdorim vetjak të drogës. Sasia e kokainës dhe kanabisit që do të lejohet në Shqipëri

29 July 2025 at 11:01

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria ka vendosur të dekriminalizojë përfundimisht përdorimin vetjak të lëndëve narkotike.

Një nga ndryshimet e parashikuara në Kodin Penal është vendosja e një limiti për drogërat, sipas llojit.

Konkretisht, për kanabis me qëllim përdorimin vetjak, nuk është e dënueshme deri në 10 gram. Për heroinën dhe kokainën limiti ësht 3 gram, njësoj sa edhe për lëndë të tjera të ngjashme që nuk janë emërtuar.

Gjithashtu, nuk ka rëndësi vendi ku është kapur autori në posedimin e hashashit, me kushtin që të jetë mbajtur larg demonstrimit në publik.

Në rast se substancat janë për qëllime përfitimi a shpërndarje, poseduesit do të përballen me ligjin që parashikon deri në 10 vite heqje lirie.

Lehtësimi vjen pak kohë pasi qeveria është fokusuar në legalizimin e kanabisit, kultivimin dhe tregtimin, por vetëm me qëllime shëndetësore dhe industriale e jo konsum apo të ngjashme.

The post Jo më burg për përdorim vetjak të drogës. Sasia e kokainës dhe kanabisit që do të lejohet në Shqipëri appeared first on Gazeta Si.

Ulen vitet e dënimit për autorët e incestit. Burg për përhapje të sëmundjeve seksuale

28 July 2025 at 12:57

Nga Gazeta ‘SI’ – Ndryshimet e reja në Kodin Penal parashikojnë një ulje të dënimit për personat që kryejnë incest.

Sipas paragrafit në draftin e qeverisë, kryerja e marrëdhënieve seksuale me pëlqim të subjekteve, një pasardhës ose paraardhës, ose me një të afërm gjaku në vijë të drejtë, ose me motrën ose vëllain, dënohet me dënohet me gjobë ose me burgim nga dy deri në pesë vjet. Ndërkohë në Kodin në fuqi, kjo dënohet deri në 7 vite burg.

Dënimi është rritur në 10 vite nëse i mituri është më i vogël se 14 vjeç. Deri më tani dënimi ishte 5 vite. Neni njeh si të afërm edhe personat kujdestarë, birësuesit, njerkët dhe thjeshtrit.

Dënohet me heqje lirie edhe transmetimi i sëmundjeve seksualisht të transmetueshme kur autori është në dijeni.

“Me përjashtim të rastit, kur përbën vepër penale më të rëndë, transmetimi një personi tjetër nëpërmjet marrëdhënieve seksuale ose çdo akti seksual të barasvlershëm i një sëmundjeje veneriane, duke e ditur autori se është i infektuar me këtë sëmundje, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet”, thotë dokumenti.

The post Ulen vitet e dënimit për autorët e incestit. Burg për përhapje të sëmundjeve seksuale appeared first on Gazeta Si.

Kodi i ri Penal ashpërson dënimin për lojërat e fatit, por e lehtëson për trukimet në garat sportive

28 July 2025 at 12:52

Nga Gazeta ‘SI’ – Kodi i ri Penal ka ashpërsuar dënimin për aktivitetin ilegal të lojërave të fatit.

Sipas draftit të ndryshuar, ushtrimi i kësaj veprimtarie dënohet nga 1 deri në 3 vite burg, ndërsa me Kodin në fuqi dënohet vetëm disa muaj. Kur aktiviteti ndodh në hapësira publike, dënimi shkon deri në 5 vie burg.

Dënimi shtohet me një të katërtën për funksionarët shtetërorë të përfshirë.  

Vënia në dispozicion e mjediseve për organizimin apo luajtjen e lojërave të fatit dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.

E anasjella ka ndodhur për trukimet në garat sportive, ku parashikohet një lehtësim i dënimit. Marifetet me rezultatet sportive në kuadër të përfitimeve dënohet deri në 3 vite burg me Kodi e ri nga 7 vjet që parashikon Kodi i vjetër Penal.

Paracaktimi i rezultateve dënohet deri me 10 vite burg.

“Kërkimi, pranimi i premtimeve ose i një përfitimi për vete ose për një të tretë në këmbim të
ndikimit në zhvillimin ose rezultatin e një gare të organizuar sportive në dobi të kundërshtarit në
garë, si rezultat i të cilit do të përfitohet një përfitim i paligjshëm në të holla, apo çdo përfitim
tjetër, nga sportisti ose trajneri, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”, thuhet në draft.

The post Kodi i ri Penal ashpërson dënimin për lojërat e fatit, por e lehtëson për trukimet në garat sportive appeared first on Gazeta Si.

Kodi i ri Penal: I mitur do të konsiderohet çdo person deri në 21 vjeç! 

26 July 2025 at 10:55

Nga Gazeta ‘SI’- Kodi i Ri Penal i Shqipërisë ka rikonceptuar disa nga nocionet e përdorura në të, përfshirë edhe atë të një individi të mitur. Tashmë, i mitur do të konsiderohet çdo person deri në 21 vjeç.  

Përmes Kodit të Ri Penal do të prioritizohet rehabilitimi dhe riintegrimi i të miturve të përfshirë në krim. Në caktimin e masave edukuese merren parasysh një sërë faktorësh dhe masa më e rëndë aplikohet si alternativë e fundit. Në Kod ka edhe një saktësim të përgjegjësive të personave që duhet të kujdesen për ta.

Ndërkohë, janë hequr disa vepra të vjetruara nga lista e veprave penale. Sipas draftit të Kodit të Ri Penal, do të rritet niveli i mbrojtjes për viktimat e veprës penale, duke ofruar më tepër garanci për to. Viktima ka të drejtë të ankimojë vendimin gjyqësor (që pranon zëvendësimin e dënimit me burgim me një alternativë të tij dhe lirimin para kohe me kusht), si mekanizëm shtesë kontrolli gjyqësor ndaj organeve proceduese.

Me këtë Kod, kemi një përcaktim dhe përkufizim të nocioneve që i kanë munguar legjislacionit shqiptar në vite, duke zvogëluar boshllëqet dhe paqartësinë që mund të haset në praktikë.

Në Kodin e procedurës penale është futur edhe koncepti i drejtësisë restauruese, duke shtuar për shembull dispozita të posaçme për riparimin e dëmit të shkaktuar viktimës, shtimi i llojeve të dënimeve alternative të dënimit me burgim për vepra penale të lehta, si dhe i dënimeve plotësuese, apo përcaktimi i përgjegjësisë penale për mbajtjen e lëndëve narkotike sipas sasisë dhe llojit të lëndës.

Një risi tjetër lidhet me kriminalizimin e veprave të reja si terrorizmi kibernetik, trafikimi i armëve, evazioni fiskal i sofistikuar, krimet kundër mjedisit, rrafikimi i armëve të printuara 3D, numërtimi i rremë i armëve dhe të tjera.

The post Kodi i ri Penal: I mitur do të konsiderohet çdo person deri në 21 vjeç!  appeared first on Gazeta Si.

Drafti/ Nga 3 deri në 16 vite, bigamia dhe bashkëjetesa me të mitur do të dënohet me burg!

25 July 2025 at 19:48

Nga Gazeta ‘SI’- Me Kodin e ri Penal lidhja e më shumë se një martese në të njëjtën kohë do të konsiderohet vepër penale dhe do të ndëshkohet me burgim deri në 3 vjet, sipas nenit 742 të draftit që është hedhur për konsultim publik.

Në draft theksohet se bigamia, pra lidhja e dy ose më shumë martesave njëkohësisht, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Ndërsa në rast se personi vazhdon të jetojë në bigami edhe pas një dënimi penal të mëparshëm, atëherë dënimi ashpërsohet dhe parashikohet burgim nga 6 muaj deri në 4 vjet.

1. Lidhja e dy ose më shumë martesash në të njëjtën kohë dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet

2. Nëse bigamia vazhdon pas dënimit të parë, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet.

3. Ky nen gjen zbatim edhe kur fakti është konsumuar jashtë territorit nga një shtetas shqiptar ose nga një i huaj me banim në Shqipëri ose në dëm të një shtetasi shqiptar ose të një të huaji me banim në Shqipëri, në vende apo shtetas të vendeve që e lejojnë bigaminë.

Një tjetër nen në dokument kriminalizon edhe bashkëjetesën me të mitur për qëllime të ngjashme me martesën, në varësi të moshës së të miturve.

Bashkëjetesa e një personi madhor me një të mitur nga mosha 14 deri nën 16 vjeç, dënohet me burgim nga 4 deri në 8 vjet. Nëse bashkëjetesa ndodh me një të mitur 16 deri në 18 vjeç, dënimi është nga 2 deri në 5 vjet.

Për rastet më të rënda, kur bashkëjetesa ndodh me një të mitur nën moshën 14 vjeç, dënimi shkon nga 8 deri në 16 vjet burg. Ndërkohë, kur bashkëjetesa me të miturin kryhet me qëllim përfitimi pasuror, dënimi në secilin rast rritet me deri në 50%.

Drafti parashikon edhe dënime për prindërit apo kujdestarin në rast se ata udhëzojnë, lejojnë, këshillojnë, ose e shtyjnë të miturin e moshës 14 deri 18 vjeç që të bashkëjetojë me personin madhor. Ata rrezikojnë dënim me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

The post Drafti/ Nga 3 deri në 16 vite, bigamia dhe bashkëjetesa me të mitur do të dënohet me burg! appeared first on Gazeta Si.

Kodi i ri Penal: Lirim me kusht për të dënuarit e përjetshëm. Njihet shkaktimi i vetëvrasjes nga bullizmi

25 July 2025 at 11:56

Nga Gazeta ‘SI’ – Ndryshimet e reja në Kodin Penal të Shqipërisë parashikojnë ashpërsime dhe lehtësime për kategori të ndryshme shkeljesh.

Në prezantimin e bërë sot nga përfaqësues të qeverisë dhe grupit të punës, propozohet lirimi me kusht i të dënuarve përjetë.

Arben Rakipi, drejtor i Magjistraturës, pjesë e grupit të punës tha se kjo është një praktikë e njohur dhe në vendet e tjera, me argumentin se këta individë ndryshojnë dhe përmirësohen me kohën që kalojnë në burg.

“Dua të ndalem te lirimi para kohe me kusht. Ne kemi patur në ligj disa pengesa që lidhen me aplikimin e lirimit para kohe me kusht, lidhur me burgimin e përjetshëm. Diskutimi i gjatë u mbyll me propozimin që po, ne mund ta aplikojmë lirimin para kohe me kusht, për dënimin me burgim të përjetshëm. Debati ka qenë i fortë. Këtu pleksen shumë gjëra, viktima, procesi i riedukimit, paqja sociale, shkalla e kriminalitetit në vend. Nisur nga besimi, që edhe personalisht kam, që njerëzit ndryshojnë, njerëzit përmirësohen nga kushtet në të cilat vendosen dhe nëse puna me ta është e efektshme. Prandaj edhe ne e propozuam këtë zgjidhje. Se çfarë fati do të ketë kjo zgjidhje…”, tha mes të tjerash Rakipi.

Ai tha se do të dekriminalizon edhe abuzimet tatimore, duke u trajtuar fillimist si shkelje administrative dhe më pas penale.

“Nëse shkelja e parë, që në rrugë të zakonshme vlerësohet nga pikëpamja administrative, është me nivel të lartë shmangie evazioni, sjell kompetencën e prokurorit të ushtrojë ndjekjen penale pavarësisht zgjidhjes së rregullit që përshkrova. Nga pikëpamja praktike, do të ulë numrin e çështjeve por do të shtojë edhe përgjegjësinë e organeve përkatëse.”, u shpreh ai.  

Një nocion i ri kriminal që njeh Kodi Penal është shkaktimi i vetëvrasjes nëpërmjet bullizmit.

Po ashtu njihen si shkelje terrorizmi kibernetik, krimet kundër mjedisit, siguria ushqimore, mashtrimi me produktet ushqimore etj.

The post Kodi i ri Penal: Lirim me kusht për të dënuarit e përjetshëm. Njihet shkaktimi i vetëvrasjes nga bullizmi appeared first on Gazeta Si.

Qeveria prezanton Kodin e Ri Penal, Manja: Ftojmë opozitën për ekspertizë!

25 July 2025 at 10:34

Nga Gazeta ‘SI’- Ditën e sotme është prezantuar drafti i kodit të ri penal, i cili nuk është përfundimtar, pasi pritet të hidhet për diskutim publik.

I pranishëm gjatë prezantimit të këtij drafti ishte edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili i bëri ftesë edhe opozitës që të kontribuojë me ekspertizë dhe pjesëmarrje aktive në tryezat e diskutimit..

Manja shtoi se kodi i ri penal duhet të jetë në përputhje me standardet e unionit europian, teksa shtoi se në BE nuk hyn vetëm një forcë politike apo qeveria, por Shqipëria, prandaj sipas tij, duhet kontributi i të gjithëve.

“Ky draft nuk është një draft përfundimtar. Ky draft do të marrë të gjithë kohën e nevojshme të konsultimit publik. Ministria do të jetë vetëm palë e interesuar institucionale, si të gjithë të tjerët. Në funksion të një procesi të hapur, dëshiroj të ftoj të gjithë aktorët e drejtësisë dhe opinionit juridik të bëhen pjesë aktive e fazës së diskutimit publik të kodit të ri penal.

Ky është një moment kyç për të ndërtuar sëbashku një akt themelor të shtetit të së drejtës.

Ftoj të gjithë ekspertët e ligjit, shkollën e Magjistraturës, studentët shqiptarë që studiojnë brenda vendit apo në universitetet e huaja, mediat apo organizatat që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe një ftesë të veçantë dua t’ja dërgoj opozitës parlamentare, të kontribuajë me ekspertizë dhe pjesëmarrje aktive në tryezat e diskutimit. Në BE shkon Shqipëria dhe jo vetëm një qeveri apo një forcë politike”, tha mes të tjerash Manja

The post Qeveria prezanton Kodin e Ri Penal, Manja: Ftojmë opozitën për ekspertizë! appeared first on Gazeta Si.

SLLOVENI – Miratohet ligji për vdekjen e asistuar për pacientët në fazë terminale

24 July 2025 at 16:21

LUBJANË, 24 korrik /ATSH-DPA/- Parlamenti slloven miratoi sot ligjin që lejon vdekjen e asistuar për pacientët me sëmundje terminale, pas një jave diskutimesh politike.

Ligji do t’u lejojë pacientëve me sëmundje terminale t’i japin fund jetës së tyre me ndihmë mjekësore – nëse të gjitha opsionet e trajtimit janë shteruar dhe nuk ka asnjë perspektivë të arsyeshme për shërim ose përmirësim.

Pacientët e kualifikuar do të duhet të paraqesin një kërkesë për vdekje të asistuar te mjeku i tyre.

Nëse ata mbeten të sigurt për vendimin e tyre pas një konsultimi të dytë, mjeku do ta përcjellë kërkesën në komisionin për vdekjen e asistuar.

Sapo të jepet autorizimi, pacientit do t’i ofrohet një substancë që mund ta marrë në mënyrë të pavarur për t’i dhënë fund jetës së tij.

Dispozita nuk zbatohet për pacientët me sëmundje mendore.

Parlamenti e miratuar ligjin një javë më parë, por pas një vetoje nga Këshilli Kombëtar, Dhoma e Sipërme e vendit, kërkohej një votim i ri.

Mocioni i vetos u mbështet nga Partia Demokratike konservatore, e cila bëri thirrje që qeveria të përmirësonte në vend të kësaj kujdesin paliativ dhe rrjetin e kujdesit paliativ, dhe të zbatonte plotësisht një ligj për kujdesin afatgjatë.

Në vitin 2024, 54,89% e votuesve ishin në favor të vdekjes me asistencë mjekësore në një referendum konsultativ. Pak para kësaj, parlamenti e hodhi poshtë propozimin.

Në votimin e së enjtes, 50 nga 90 anëtarët e parlamentit votuan pro dhe 10 kundër ligjit, i cili kërkonte 46 vota për t’u miratuar. //a.i/

The post SLLOVENI – Miratohet ligji për vdekjen e asistuar për pacientët në fazë terminale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arrestohet ish-nënkryetarja e Bashkisë Fier dhe një ish-drejtor, nuk arkëtuan 40 mln lekë nga parkimet

24 July 2025 at 08:25

Gazeta Si – Policia dhe Prokuroria e Fierit kanë zhvilluar një operacion gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të enjteje, duke arrestuar disa për zyrtarë të bashkisë të akuzuar për “shpërdorim detyre”

Mësohet se për ish-nënkryetaren e bashkisë, Adela Hysenajn, e cila ka mbajtur së fundmi edhe postin e drejtoreshës së taksave dhe urbanistkës, është caktuar “arrest shtëpie”.

Ajo akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

E njëjta masë sigurie është caktuar edhe për Vasil Çekun, ish-drejtorin e koordinimit dhe verifikimit tek tatimet.

Ndërkohë janë pezulluar nga puna dy zyrtarë të tjerë, Anisa Cjapi, ish-drejtoreshë e Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave, si dhe Martin Dodi, Sekretar i Përgjithshëm i bashkisë për ndikim të paligjshëm.

Dyshohet se këta zyrtarë në bashkëpunim me njëri tjetrin nuk kanë arkëtuar 40 milionë lekë nga parkimet e bashkisë.

“”Arrest në shtëpie” dhe “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për Vasil Ceku, 41 vjeç, banues në Fier, Drejtor në Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren për Rajonin Jugor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për Anisa Cjapi, 38 vjeçe, banuese në Fier, Drejtoreshë në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për Martin Dodi, 57 vjeç, banues në Fier, sekretar i Përgjthshëm i Bashkisë Fier, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, – thuhet në njoftimin e policisë së Fierit.

The post Arrestohet ish-nënkryetarja e Bashkisë Fier dhe një ish-drejtor, nuk arkëtuan 40 mln lekë nga parkimet appeared first on Gazeta Si.

Hidhet për konsultim publik projektligji “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet”

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Ministria e Financave ka hedhur për konsultim publik, projektligjin “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet”.

Projektligji është hartuar me mbështetjen e Bankës Botërore dhe synon të krijojë një mekanizëm ligjor dhe financiar për mbulimin e humbjeve që mund t’i pësohen pronarëve të banesave nga dëmet e shkaktuara nga tërmetet, duke garantuar kompensimin e shpejtë dhe efikas të tyre.

Ministri i Financave, Petrit Malaj bëri të ditur se hartimi i këtij projekligji mbështetet në përvojat e suksesshme të disa vendeve dhe ka si qëllim zvogëlimin e ndikimeve financiare, fiskale dhe ekonomike që mund të shkaktojnë fatkeqësitë natyrore.

Sipas relacionit të projektligjit, modeli i sigurimit të detyrueshëm është mbështetur mbi praktikat e suksesshme ndërkombëtare, veçanërisht nga vendet si Turqia dhe Rumania, të cilat kanë arritur të reduktojnë ndjeshëm koston fiskale dhe ekonomike që shkaktojnë katastrofat natyrore.

Projektligji përcakton krijimin e Fondit për Tërmetet, si person juridik publik me formë shoqërie aksionare, me pavarësi operacionale dhe financiare, nën pronësinë e Ministrisë së Financave, si dhe rregullat për shpërndarjen dhe likuidimin e tij. Gjithashtu, parashikohet që në rast sigurimi të dyfishtë, dëmshpërblimi kryhet fillimisht sipas sigurimit detyrues, ndërsa pjesa që tejkalon mbulohet nga sigurimi vullnetar.

Projektligji parashikon që subjekte të ndryshme, përfshirë banesat sociale me qira, banesat në proces legalizimi dhe njësitë e vetqeverisjes vendore, janë të detyruara të lidhin kontrata sigurimi në përputhje me dispozitat përkatëse, duke financuar pagesën e primit nga buxhetet e tyre.

Sigurimi detyrueshëm nga tërmetet mbulon vetëm dëmet materiale në pronën e siguruar gjatë periudhës së vlefshmërisë së policës, duke përjashtuar dëmtimet trupore, dëmet jopasurore, sendet brenda banesës, shpenzimet për pastrimin e mbetjeve dhe humbjet financiare.

Gjithashtu, është përcaktuar shuma maksimale e dëmshpërblimit për sigurimin e detyrueshëm të banesës, si dhe mënyra e përcaktimit të saj dhe niveli i pjesës së zbritshme që mbulohet nga i siguruari për çdo dëm të shkaktuar nga tërmeti.

Subjektet që nuk lidhin kontratë sigurimi të detyrueshme nga ngjarjet e tërmeteve sipas këtij ligji, do të përballen me masa shtrënguese, të cilat përfshijnë: mospërfitimin e shërbimeve kadastrale, mospërfitimin e shërbimeve nga platforma e-Albania, dhe mospërfitimin e shërbimeve nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Këto masa synojnë sigurimin e zbatimit të detyrimeve ligjore për sigurimin nga tërmetet.

Dëmshpërblimi në varësi të shkallës së dëmtimit dhe masës së dëmshpërblimit, paguhet brenda tre muajve, duke filluar nga momenti i plotësimit të plotë të dokumentacionit përkatës.

Implementimi i këtij ligji, sipas MF-së, pritet të përmirësojë ndjeshëm sistemin e menaxhimit të riskut në Shqipëri, duke siguruar një mbrojtje më të mirë financiare për qytetarët dhe duke reduktuar barrën fiskale mbi buxhetin e shtetit pas ngjarjeve katastrofike.

Shqipëria është një vend i ekspozuar dhe i prirur ndaj fatkeqësive natyrore, ku rreziqet kryesore që prekin territorin janë tërmetet, përmbytjet, zjarret në pyje dhe rrëshqitjet e dheut. Sipas Raportit të Rrezikut Botëror 2021, i cili llogarit Indeksin e Rrezikut të Fatkeqësive për 181 vende në bazë të kapaciteteve përballuese dhe shkallës së ekspozimit, Shqipëria renditet e para në Evropë dhe në vend të 61-të në nivel botëror, duke theksuar kështu vulnerabilitetin e lartë të vendit ndaj katastrofave natyrore.

Vlera totale e aseteve tregtare, industriale dhe bujqësore që janë në rrezik nga përmbytjet dhe tërmetet arrin rreth 17,6 miliardë dollarë.

Humbjet potenciale financiare për fatkeqësi me periudhë kthimi 250-vjeçare vlerësohen në 2,08 miliardë euro për tërmetet dhe 1,18 miliardë euro për përmbytjet, sipas të dhënave të Bankës Botërore (2014).

Shqipëria është goditur nga tërmete me magnitudë mbi 6 ballë, që nga viti 1900 janë regjistruar 12 tërmete të tilla. Më i fundit dhe më shkatërruesi ishte tërmeti i nëntorit 2019 me magnitudë 6.4 ballë, i cili preku mbi 200 000 njerëz në 11 bashki, përfshirë qytetet kryesore si Tirana dhe Durrësi. Ky tërmet shkaktoi një dëm të konsiderueshëm ekonomik, me kosto të drejtpërdrejta që përfaqësonin rreth 7,5% të Produktit të Brendshëm Bruto të vendit. Pjesa më e madhe e dëmeve u fokusua në sektorin rezidencial, ku u prekën 18% e njësive të banimit, duke sjellë nevojën emergjente për rindërtim dhe ndihmë financiare.

Në përballje me pasojat e këtij tërmeti, qeveria shqiptare ndërmori masa të menjëhershme për të siguruar fonde emergjente, të cilat u përdorën për rindërtimin e banesave të dëmtuara dhe për mbështetjen e familjeve të prekura.

Kjo situatë evidentoi ngarkesën e madhe financiare që fatkeqësitë natyrore shkaktojnë dhe nevojën urgjente për një model të qëndrueshëm dhe sistematik për menaxhimin e riskut dhe mbrojtjen sociale.

/r.e/

The post Hidhet për konsultim publik projektligji “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌