Shkaqet e zakonshme të anemisë nga mungesa e hekurit
LONDËR, 17 korrik /ATSH/- Një studim i fundit i botuar në “The Lancet Haematology”, i udhëhequr nga Dr. Ashley Benson dhe Dr. Jamie Lo në Universitetin e Shëndetit dhe Shkencës në Oregon, ka raportuar se mungesa e hekurit prek një në tre gra, duke e bërë atë “mungesën” më të zakonshme të lëndëve ushqyese në botë, sipas BBC.
Hekuri ndihmon në prodhimin e energjisë, zhvillimin e trurit dhe për një sistem imunitar të shëndetshëm.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), anemia prek 31% të grave në moshë riprodhuese, 36% të grave shtatzëna dhe 40% të fëmijëve nën 5 vjeç.
Përtej dietës, inflamacioni – qoftë nga sëmundje akute apo kronike, siç është obeziteti – gjithashtu mund të zvogëlojë përthithjen e hekurit.
Mungesa e hekurit
Meqenëse hekuri është thelbësor për prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut, mungesa e tij mund të çojë në anemi – një gjendje e karakterizuar nga nivele të ulëta të hemoglobinës, proteina që i jep gjakut ngjyrën e kuqe dhe mbart oksigjen.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), vlerëson se rreth gjysma e të gjitha rasteve të anemisë në mbarë botën shkaktohen nga mungesa e hekurit.
Shenjat dhe simptomat e zakonshme përfshijnë lëkurë dhe mishra të zbehtë, lodhje, dhe rrahje të shpejta ose të parregullta të zemrës (të njohura si palpitacione të zemrës).
Mungesa e hekurit – veçanërisht kur çon në anemi – mund të ketë pasoja të rënda shëndetësore.
Ajo është lidhur me një sistem imunitar të dobësuar, komplikime gjatë shtatzënisë dhe lindjes, rreziqe më të larta vdekjeje si për nënat ashtu edhe për foshnjat, dhe vonesa në rritjen dhe zhvillimin e trurit të fëmijëve.
Gratë me menstruacione kanë nevoja të larta për hekur për shkak të humbjes mujore të gjakut.
Gratë shtatzëna kërkojnë hekur shtesë për zhvillimin e placentës, fetusit dhe vëllimit të rritur të gjakut.
Fëmijët kanë nevojë për hekur për rritje të shpejtë dhe zhvillim të trurit. Vajzat adoleshente, të cilat janë në rritje dhe me menstruacione, janë në rrezik të lartë.
Studiuesit theksuan rëndësinë e përdorimit të ferritinës, një proteinë gjaku që pasqyron rezervat e hekurit në mëlçi, si një shënues i besueshëm për diagnostikimin e mungesës së hekurit.
Kur nevojitet trajtim, suplementet orale të hekurit janë zgjedhja e parë – ato janë efektive dhe të përballueshme.
Për njerëzit që përjetojnë efekte anësore si të përziera ose kapsllëk, sugjerohet marrja e suplementeve çdo dy ditë për të përmirësuar tolerancën.
Në raste më të rënda, ose kur hekuri oral nuk është efektiv ose nuk tolerohet mirë, hekuri intravenoz – i dhënë përmes injektimit në venë mund të jetë i nevojshëm.
Gjithashtu, mungesa e hekurit nuk duhet të trajtohet si një çështje e veçantë.
Në vend të kësaj, ajo duhet të jetë pjesë e kujdesit rutinë te nënat dhe fëmijët – si kontrollet e shtatzënisë, vizitat shëndetësore të fëmijëve dhe programet e të ushqyerit – për t’u siguruar që nivelet e hekurit të monitorohen dhe menaxhohen së bashku me aspekte të tjera të rëndësishme të shëndetit. //a.i/
The post Shkaqet e zakonshme të anemisë nga mungesa e hekurit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.