Në kohën kur temperaturat e larta kanë prekur pikun, një pjesë e banorëve të Tiranës po përballen me probleme të furnizimit me ujë të pijshëm. Zona e Selitës ka ndërprerje të vazhdueshme e banorët ankohen se nuk mjafton për të mbushur depozitat. Edhe për nevojat më bazike, po detyrohen të blejnë ujë
Rubinetet në apartamentet e tyre janë tharë.
“Kemi katër ditë që telefonojmë, por na thonë të njëjtën gjë: do ta raportojmë. Nuk merret asnjë masë konkrete”, thotë një banor.
Në rrugën “Hasan Vogli”, banorët thonë se uji në çezma vjen vetëm për pak minuta gjatë dorës, aq sa nuk arrin të mbushë as depozitat.
43 familje të këtij pallati janë të detyruar të blejnë ujë për të përmbushur nevojat bazike.
“Me bidonë, kemi bërë ankesa pa fund por kemi 4 ditë pa ujë.”
“Nuk dimë si ta përballojmë. Unë jam pensionist, me pensionin po blejë edhe ujë tani”, thonë banorët.
Problemi, sipas administratorit të pallatit, ka nisur para 20 ditësh, kur furnizimi me ujë nisi ndërprerje të shkurta, por situata u përkeqësua javën e fundit.
“Kemi 20 ditë, që njëherë kemi njëherë jo. Ndonjëherë vinte vetëm për 30 minuta. Por tani këto 4 ditë vjen vetëm për 12 minuta, ku nuk mbushen as depozitat. Jemi 43 familje, 7 biznese edhe 1 kopsht që s’kemi ujë”, shprehet administratori.
Shërbimi i Ujësjellës Kanalizime Tiranë tha se vetëm në këtë zonë po kryhen investime në linjat e amortizuara, çka ka sjellë edhe reduktimin në orar. Sipas UKT, nuk ka pasur mungesë furnizimi por vetëm reduktim, i cili pritet të zgjasë deri nga mesi i javës së ardhshme.
Të prekura janë edhe zonat e Saukut dhe Farkës. Pjesa më e madhe Tiranës furnizohet nga impianti i Bovillës, ndërsa 25% nga burimi i Selitës dhe Shën Mërisë.
The post 43 familje në ‘Selitë’ të Tiranës katër ditë pa ujë, qytetarët : Po e blejmë appeared first on Lapsi.al.