Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Kur kryeministri “nuk komenton” vendimet e gjykatave, përveçse kur i komenton

22 August 2025 at 14:00

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar shpesh herë se ai nuk ndërhyn dhe nuk i komenton vendimet e gjykatave. Ishte një prej atyre parimeve që ai i shfaqte si trofe të reformës në drejtësi: “Për sa kohë e kemi zgjedhur këtë sistem, duhet të pajtohemi edhe me faktin se pushtetet e pavarura mund të marrin vendime që nuk na pëlqejnë. Unë nuk dua t’i komentoj vendimet e gjykatave sepse nuk më takon,” shkruante ai në shkurt të vitit 2022.

Në të njëjtin muaj, kur u pyet për dënimin me burg të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Rama përsëriti të njëjtën linjë: “Unë nuk komentoj asnjëherë vendimet e gjykatave. Unë e kam ditur mirë çfarë kam bërë kur kam udhëhequr reformën në drejtësi

Mos komentimin e vendimeve të gjykatës, madje, kryeministri e përdori edhe për të treguar ndryshimin mes tij dhe opozitës. Kur gjykata dënoi deputetin demokrat Ervin Salianji për shpifje Rama shkroi se, nuk komentonte vendimet e gjykatave kur ato nuk janë përfundimtare, por theksoi se ka të drejtë të shprehë publikisht opinionin e tij kur gjykatat japin drejtësi deri në fund.

“…Kundërvënia me egërsi ndaj një vendimi gjykate të formës së prerë (…) flet shumë qartë për dallimin mes dy botëve që ndajnë shumicën e Shqipërisë me Mbretërinë e Shpifarakëve”- shkruante asokohe kryeministri.

Por, ashtu siç shpesh ndodh në politikën shqiptare, parimet duket se kanë jetëgjatësi më të shkurtër se statuset në rrjete sociale.

Një vit më vonë, kryeministri u shndërrua nga spektator i heshtur në komentator i zjarrtë kur zgjodhi të sulmonte drejtpërdrejt një gjykatës, Hazbi Balliun e Gjykatës Administrative, për vendimin e tij që ndalonte vendosjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në një objekt të konfiskuar nga shteti.

Objekti në fjalë është ende pjesë e një beteje gjyqësore, pra nuk ka vendim të formës së prerë. Por kjo nuk e pengoi kryeministrin të komentonte përmes një postimi në Instagram, ku akuzoi gjykatësin për “marrje në mbrojtje” të ndërtuesve të paligjshëm dhe vuri në dyshim integritetin e tij profesional.

Më në fund gjykatësi Balliu e nxorri arsyetimin e shkruar të vendimit të tij skandaloz… Se si mund të angazhohen prokurorë a gjykatës të Republikës në favor të ndërtuesve të paligjshëm kjo kërkon të kesh akses në trurin e prokurore Gjelit a të gjykatës Balliut,” shkroi Rama.

Kryeministri, i cili dikur theksonte rëndësinë e stoicizmit institucional dhe që drejton institucionet përgjegjëse për ndalimin e ndërtimeve pa leje, por që shpesh i kanë lejuar dhe më pas legalizuar ato, sot akuzon gjyqtarët se mbrojnë ndërtuesit e paligjshëm, për një proces gjyqësor ende të papërfunduar.

Në fund, ajo që duket qartë është se pretendimi i kryeministrit se nuk komenton vendimet e gjykatave, sot mbetet një premtim politik i dhënë dikur, por i pambajtur.

The post Kur kryeministri “nuk komenton” vendimet e gjykatave, përveçse kur i komenton appeared first on Faktoje.al.

Tri lagje të Tiranës “thahen” për ujë

By: FAKTOJE
21 August 2025 at 17:20

Nga Sebi Alla Në disa premtime rresht, kryesisht në kohë fushatash zgjedhore, 2017 dhe 2021, kryebashkiaku Erion Veliaj tha me bindje se Tirana do të furnizohej me ujë në 100 % të territorit të saj.

“Lajmi i mirë për qytetarët është se fillojmë investimin e fundit të madh që jo vetëm 70 % e Tiranës të ketë furnizim 24 orë, por 100 % e Tiranës të furnizohet me ujë” deklaroi Veliaj në vitin 2021, teksa i shoqëuar nga kryeministri Rama inspektonin punimet në impiantin e Bovillës.

Pavarësisht premtimeve dhe rritjes të çmimit të ujit në Tiranë, që nga janari i vitit 2018, gjendja e tanishme tregon se zona të shumta në kryeqytet kanë probleme me furnizimin me ujë të pijshëm, sidomos në dy njësitë e saj 1 dhe 2, por edhe në fshatra.

Uji shkon me orar të kufizuar dhe në disa raste mungon plotësisht dhe si “zgjidhje” mbetet furnizimi me autobote të Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë.

“Aktualisht zonat problematike në furnizimin me ujë të pijshëm janë: Zona e Saukut të ri; Sauku i Vjetër; Mjull Bathore; Zona e Selitës”, thotë për Faktoje.al UKT.

Ujë me “pikatore”…!

Në disa lagje të Tiranës furnizimi me ujë ka pasur probleme. Dy nga zonat me dendësi të madhe të popullsisë, Selita dhe Sauku janë në hartat e kuqe si thellësisht me probleme përsa i përket furnizimit normal me ujë të pijshëm.

Faktoje.al kontaktoi me qytetarë edhe lagje të tjera të Tiranës ku rezulton se në Lagjen 5 Maji, në rrugën “Siri Kodra”, dhe nga zona e Ali-Demit deri pranë Lagjes Çollak, në juglindje të Tiranës, qytetarët ankohen për ndërprerje të furnizimit me ujë.

Duke iu referuar zonave problematike, UKT thotë për Faktoje se arsyeja e mungesës lidhet me shpërdorimin e ujit. “…uji i pijshëm shpërdorohet për vaditje, larje automjetesh, mbushje e pishinave që rrjedhin ujë dhe janë të dëmtuara etj. Sasia e ujit të pijshëm llogaritet për frymë dhe jo për shpërdorim të tij”, thotë UKT.

Sipas saj, shpërdorimi i ujit të pijshëm nga individët për arsye të ndryshme si dhe ndërhyrjet në rrjet janë shkaktarët kryesorë të disbalancës së shpërndarjes së ujit.

Depozitat si zgjidhje

Një tjetër premtim nga kryebashkiaku Veliaj për Tiranën ishte që me furnizimin e Tiranës me ujë pa ndërprerje duhet të largoheshin nga vetë banorët depozitat që ndodheshin kryesisht në tarraca pallatesh. Kjo kërkesë, u kthye në “urdhër” për t’i hequr menjëherë pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019.

“Kjo histori ka vazhduar për shumë gjatë në qytetin tonë. Marrim vendim për të hequr të gjitha depozitat e ujit nga tarracat, jo për t’i lënë pa alternativë, por që në bashkëpunim me administratorët e pallateve të kenë mundësi që, si pallatet e reja, në hapësirën e përbashkët, në katin e parë ose në një nga vendet e parkimit, të instalojnë një depozitë të përbashkët për të gjithë banorët; pra, jo secili të vetën”, tha kryebashkiaku Erjon Veliaj.

Aktualisht depozitat janë shpëtim për banorët pasi uji që vjen me orar të kufizuar në disa zona edhe vetëm 1 orë, veçanërisht në Sauk dhe nëse nuk do ishin pajisur me depozita problemet do të ishin edhe më të mëdha. Pyetjes së Faktoje.al se si veprohet kur nuk ka ujë më tepër së 24 orë, UKT iu përgjigj se: “Kur mungesa kalon mbi 24 orë, asistojmë në furnizimin me autobote për të mbuluar zonat e banesave që kanë mungesë uji deri në zgjidhjen e problematikës”.

Tirana larg premtimit

Raporti i ERRU (Enti Rregullator i Ujit) për vitin 2024 mori në shqyrtim furnizimin me ujë në 61 bashkitë e vendit ku vetëm Lezha bën përjashtim me furnizim pa ndërprerje ndërsa bashkitë e tjera kanë probleme.

Tirana gjithashtu futet ndër katër bashkitë e vendit që furnizojnë banorët 13-20 orë ujë në ditë. ERRU konstaton se një tjetër problem mbetet mbledhja e detyrimeve nga konsumimi i ujit.

“ERRU i ka rekomanduar shoqërive UK se duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë pajisjes 100% të konsumatorëve me matës në mënyrë që konsumatorët të paguajnë volumin real të ujit të konsumuar, por edhe për faktin se faturimi aforfe lë hapësirë për shpërdorimin e ujit nga konsumatorët për ujitje, veçanërisht ato të shtëpive private dhe zonave rurale”, thuhet në raport.

Ndërsa UKT në përgjigjen për Faktoje thotë se, “për vitin 2025, projekt kryesor është vazhdimi i shtesës së impiantit të trajtimit të ujit të pijshëm Bovillë me 1200 l/sek si dhe evidentimi apo eleminimi i rrjedhjeve dhe shpërdorimit të ujit të pijshëm, duke bashkëpunuar dhe me institucione të tjera si dhe nëpërmjet teknologjive të reja”.

Përfundimi

Tirana vijon të përballet me mungesën e ujit të pijshëm në disa zona të saj, veçanërisht në njësitë 1 dhe 2, kryesisht përgjatë muajve të verës. Pavarësisht investimeve të kryera në përmirësimin e rrjetit shpërndarës dhe në impiantin e Bovillës, kryeqyteti vijon të mos furnizohet rregullisht me ujë të pijshëm. Premtimin për furnizimin 24 orë me ujë të pijshëm të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj do e konsiderojmë premtim të pambajtur.

The post Tri lagje të Tiranës “thahen” për ujë appeared first on Faktoje.al.

Vendimi për pagën minimale 500 euro nuk është miratuar ende

7 August 2025 at 14:00

Në fushatën zgjedhore të 11 majit, kryeministri Edi Rama e nisi garën me një shifër premtuese për qytetarët: 500 euro. Kaq do të bëhet paga minimale në Shqipëri, sipas tij, deri në vitin 2026. 

Hapi i parë drejt përmbushjes së këtij premtimi, miratimi i vendimit nga Këshilli i Ministrave.

Në qershor do ta bëjmë pagën minimale 500 euro dhe do të hyjë në efekt nga janari i 2026-ës”, njoftoi kryeministri Rama pak përpara zgjedhjeve, duke shtuar se kjo rritje do të ndodhë pa vendosur “asnjë taksë shtesë” për biznesin në 18 muajt e parë. Një premtim i lehtë dhe i kuptueshëm për të gjithë votuesit.

Por dy muaj pas zgjedhjeve të 11 majit, kur tymi i fishekzjarreve elektoralë është shuar, Faktoje vendosi të verifikojë nëse është hedhur ndonjë hap konkret drejt realizimit të këtij premtimi.

Për të marrë përgjigje, dërguam një kërkesë për informacion pranë Këshillit të Ministrave, për të kuptuar nëse vendimi,  i njoftuar se do të merrej në qershor, është miratuar.

Përgjigjja erdhi qartë dhe shkurt: “Deri tani nuk ka asnjë akt të miratuar lidhur me rritjen e pagës minimale në 500 euro

Pra deri në fund të korrikut premtimi mbetet vetëm në arkivin e fjalimeve të kryeministrit.

Rritja e pagës minimale është premtim i përsëritur i kryeministrit, i cili përpara zgjedhjeve vendore 2023 tha se paga minimale do të shkonte 450 euro. Ky premtim nuk u mbajt dhe paga minimale ende sot është rreth 400 euro. 

Zgjedhjet parlamentare të 2025-ës sollën një rast të ri për ta përdorur pagën minimale si kartë elektorale. Premtimi, këtë herë për 500 euro deri tani ka mbetur, (siç ndodh shpesh në politikën shqiptare), një kapitull entuziast i fushatës zgjedhore, që duket se nuk ka kaluar ende në letrat e administratës.

Afati i përmendur nga kryeministri, (janari i vitit 2026),  ende mund të përmbushet. Por deri tani, aktet zyrtare të premtuara mungojnë. Për këtë arsye premtimin e kryeministrit për miratimin në qershor të vendimit për pagën minimale 500 euro e konsiderojmë të pambajtur.

The post Vendimi për pagën minimale 500 euro nuk është miratuar ende appeared first on Faktoje.al.

Shqipëria nuk ka asnjë avion zjarrfikës, ndonëse u premtuan të paktën dy

28 July 2025 at 15:00

Në një vend ku zjarret kanë shkatërruar qindra mijëra hektarë tokë në dekadën e fundit, premtimet politike për përforcimin e flotës ajrore me avionë zjarrfikës nuk janë çështje retorike, por çështje jetike. Megjithatë premtimi i bërë nga kryeministri Edi Rama gjatë fushatës elektorale të vitit 2025, se Shqipëria do të kishte dy avionë zjarrfikës të gatshëm për sezonin veror, rezulton i pambajtur.

Flota jonë ajrore do të ketë në dispozicion duke filluar nga kjo verë, janë bërë marrëveshjet, dy avionë zjarrfikës në gatishmëri për ne pa pritur që të vijnë nga një vend apo nga një vend tjetër” , tha kryeministri gjatë fushatës elektorale në 29 Mars 2025.

Vera erdhi, zjarret nisën, por Shqipëria ende nuk ka asnjë avion zjarrfikës.

Një kërkesë për informacion që Faktoje i drejtoi Ministrisë së Mbrojtjes konfirmon zyrtarisht se, ndryshe nga sa u premtua, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë nuk disponojnë asnjë avion zjarrfikës. Në përgjigjen e kthyer zyrtarisht, ministria njofton thjesht:

“Ju informojmë se Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH) aktualisht nuk disponojnë avionë zjarrfikës.”

E në fakt për zjarret aktive në vend avionët zjarrfikës erdhën nga vendet e Bashkimit Europian në kuadër të programit EU Solidarity.

Gjatë ditëve të fundit flakët kanë përfshirë zona të ndryshme të Shqipërisë si Delvina, Bulqiza, Borshi, Lukova, Kanina, Berati dhe Pusteci. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes civile njoftoi më 28 Korrik se “gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 34 vatra zjarri nga të cilat 17 janë ende aktive, 6 janë nën monitorim dhe 11 janë shuar”.

Mungesa e avionëve zjarrfikës është denoncuar edhe nga kreu i institutit për Bashkitë e Shqipërisë, Agron Haxhimali, sipas të cilit Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk disponon asnjë avion apo helikopter të dedikuar për shuarjen e zjarreve nga ajri.

Premtimi i ricikluar për avionë zjarrfikës

Premtimi për avionë zjarrfikës nuk është i ri për qeverinë socialiste. Ai është një riciklim i deklaratave të mëparshme.

Në janar të vitit 2023, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Niko Peleshi, njoftoi publikisht se Shqipëria po përgatiste dokumentacionin për blerjen e dy avionëve shumëfunksionalë, të përshtatshëm për ndërhyrje në raste zjarresh dhe për mbështetje agrokulturore.

Janë disa mjete më modeste në kosto, më të manovrueshme dhe më të përshtatshme për situatat tona të zjarreve,” u shpreh ministri Peleshi asokohe.

Pyetjet që ngrihen nga kjo mospërputhje mes deklaratave politike dhe realitetit janë disa. Sa ka kushtuar dështimi për të pajisur vendin me avionë zjarrfikës në kohë? Sa sipërfaqe mund të ishte shpëtuar? Sa jetë njerëzish dhe burimesh janë vënë në rrezik për shkak të mungesës së logjistikës ajrore?

Në mungesë të transparencës, publiku nuk ka mundësi të gjykojë nëse vonesat janë për arsye financiare, burokratike apo thjesht për mungesë vullneti politik. Asnjë informacion për tendera, kontrata apo faza të prokurimit nuk është bërë publik deri më sot.

Nisur nga të dhënat, premtimi i bërë gjatë fushatës zgjedhore për vendosjen e dy avionëve zjarrfikës në dispozicion të flotës ajrore shqiptare konsiderohet i pambajtur.

The post Shqipëria nuk ka asnjë avion zjarrfikës, ndonëse u premtuan të paktën dy appeared first on Faktoje.al.

Premtimet që mbetën në letër: Spitali i Dibrës ende i parikonstruktuar

15 May 2025 at 13:14

Autore: Ilda Hoxha | Citizens.al | Tiranë

Në vitin 2023, u premtua se Spitali Rajonal “Rrahim Xhika” në Dibër do të rikonstruktohej brenda dy vitesh. Sot, dy vite më vonë, asnjë punim nuk ka nisur. Tenderi është anuluar, ndërsa godina e spitalit vijon të jetë në gjendje të mjerueshme – me mure të çara, myk dhe mungesë mjekësh specialistë.

Për të përballuar situatën, janë angazhuar mjekë të dalë në pension. Ndërkohë, pacientët detyrohen të përdorin shërbimet private për analiza dhe ekzaminime, për shkak të mungesës së kapaciteteve.

Sipas ekspertit të shëndetësisë Erion Dasho, kjo është një dëshmi e qartë e angazhimit sipërfaqësor të qeverisë në sektorin e shëndetësisë pasi aktualisht teknologjia dhe shërbimet janë përkeqësuar, duke thelluar hendekun mes spitaleve rajonale dhe Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë (QSUT).

Ishte maji i vitit 2023, kur ministret Ogerta Manastirliu – asokohe ministre e Shëndetësisë – dhe Belinda Balluku prezantuan para stafit mjekësor të spitalit të Peshkopisë pamjet se si do të dukeshin pavijonet pas rikonstruksionit të plotë nga projekti me vlerë 3.2 milionë euro.

Ministret Balluku dhe Manastirliu duke prezantuar projektin e spitalit të Dibrës/Facebook.

“Do të ketë parametra evropian të infrastrukturës, duke bërë të mundur që ne të kemi një spital, i cili do të integrojë në një strukturë unike shërbimin e pediatrisë, gjinekologjisë, imazherisë, tek laboratori, shërbimi patologjisë, kirurgjisë, blloku operator dhe reanimacionin,” deklaronte Manastirliu.

Rreth 8 muaj më vonë, në janar 2024, ministrja e re e Shëndetësisë, Albana Koçiu deklaroi se brenda pak javëve do të niste puna për rikonstruksionin e spitalit, mirëpo ka kaluar më shumë se një vit dhe puna nuk ka nisur, përkundrazi.

Anulimi i tenderit të spitalit 

Në vitin 2023 u zhvillua një procedurë tenderuese për rikonstruksionin e spitalit “Rrahim Xhika” ku fitues u shpall “Rafin Company” në ortakëri me “Udha shpk”, me një ofertë prej 2.9 milionë eurosh dhe me afat punimesh 24 muaj.

Në mars të vitit 2024, tenderi u anulua, por megjithatë në dhjetor Agjencia e Prokurimit Publik njoftoi gjithsesi lidhjen e kontratës me dy operatorët.

Projekti i Spitalit të Dibrës/Prokurimet Publike.

Pyetur për këtë situatë, Spitali Rajonal Dibër tha se “procedura është pezulluar me vendim të Gjykatës së Lartë pas kërkesës nga Komisioni i Prokurimit Publik”. Sipas përgjigjes nga spitali ndaj një prej kompanive ka pasur një çështje gjyqësore ndërkohë që nuk ka një datë se kur pritet të nisin punimet.

“Rikonstruksioni i Spitalit Rajonal Dibër është pezulluar me vendim të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë […] Ky pezullim është bërë me kërkesë të Komisionit të Prokurimit Publik, përfaqësuar nga Avokatura e Shtetit, në çështjen kundër shoqerisë ‘Rafin Company’ dhe me palë të paditur Komisionin e Prokurimit Publik dhe Drejtorinë e Spitalit Rajonal Dibër”, nënvizon drejtoria e spitalit.

Pacientët: Kushtet në spital të mjeruara

Ata që po i vuajnë pasojat e kësaj situatë janë banorët e Dibrës. Ata tregojnë për kushte të papranueshme në spital: mure të krisura, lagështi, mungesë higjiene dhe mungesë ajrosjeje në dhomat e shtrimit. Shumë prej tyre duhet të shpenzojnë para në privat për analizat më bazike.

“Asnjë punim nuk është bërë deri më sot. Muret e spitalit janë të krisura dhe shumë të mykura. Gjendja me higjenën, pastërinë është skandaloze. Tualetet e spitalit janë katastrofë, sidomos të urgjenca e spitalit, shumë keq”, ngre shqetësimin Izeti, banor i Peshkopisë. 

Pamje nga Spitali Rajonal i Dibrës/ Foto: Ilda Hoxha

Të njëjtin shqetësim ka edhe Drita, e cila shprehet se gjendja e spitalit është e mjerueshme. 

“Kushtet nuk janë aspak të mira. Spitali ka shumë lagështirë, dhoma e shtrimit nuk janë të ajrosura”, thotë 54-vjeçarja. 

Përpos kushteve, pacientët ankohen edhe për mungesën e marrjes së shërbimeve në këtë spital. 

“40 mijë lekë (400 euro) kam bërë analizat në privat, se aty në spital në Peshkopi nuk m’i bënë. Si Tirana si Peshkopia kudo që të shkosh në spitale për ‘ibret’ janë”, shton Drita. 

Për ekspertin e shëndetësisë, Erion Dasho, spitalet rajonale në Shqipëri kanë një problematikë të madhe të përbashkët, pasi janë ndërtuar para viteve ’90. 

“Janë ndërtuar sipas një koncepti sovjetik të asaj kohe. Ky koncept nuk përputhet më me konceptin bashkëkohor në ofrimin e kujdesit shëndetësor, i cili bazohet në spitale vertikale dhe komunikim eficent midis departamenteve të shërbimeve të ndryshme.”

“Problemi i dytë madhor i spitaleve rajonale është se këto spitale nuk kanë atë status real që duhet të kishin. Një sërë shërbimesh janë të centralizuara në QSUT”, thekson Dasho. 

Më tej ai shton se kontributi i qeverisë ka qenë kryesisht sipërfaqësor në sistemin shëndetësor, ndërsa teknologjia dhe kushtet reale janë përkeqësuar, duke thelluar hendekun mes spitaleve rajonale dhe QSUT-së.

“I vetmi kontribut i qeverisë është se ka lyer muret dhe ka shtruar pllakat.” thekson Dasho.

Sipas tij, në pamje të parë, kushtet duken të përmirësuara. Por teknologjia nuk është përmirësuar, madje ka ngelur prapa.

“Nëse do të shohim sa medikamente të reja futen, sa teknologji të reja janë futur, sa teknika te reja ndërhyrje operatore janë futur, unë do të thosha që kushtet vetëm kanë ardhur në përkeqësim dhe disniveli midis spitaleve rajonale dhe QSUT vetëm është rritur”, argumenton Dasho.

Projekti i Spitalit të Dibrës/Prokurimet Publike.

Mungesa e mjekëve në spitalin rajonal Dibër

Sikur të mos mjaftonin kushte e vështira në këtë spital, pacientët duhet të përballen edhe me mungesën e mjekëve specialistë, Ky problem pranohet edhe nga vetë spitali në përgjigjen zyrtare.

Sipas informacioneve, spitali rajonal “Rrahim Xhika” ka munngesë të mjekëve specialistë: 1 dermatolog; 1 kirurg, 1 Pediatër, 1 shef të klinikës së pediatrisë infektive, 1 mjek për njësinë e trajtimit me metadon etj.

Sipas pacientëve, për shkak të mungesës së mjekëve, në këtë spital ofrojnë shërbim mjekë të dalë në pension.  

“Janë disa mjekë që kanë dalë në pension, por janë në detyrë në spital se nuk ka mjekë të tjerë për t’i zëvendësuar. Nuk ka mjekë të rinj të spital, janë mbi 70 e kusur vjeç”, tregon Dilaveri, banor i Peshkopisë. 

Referuar të dhënave zyrtare nga Spitali Rajonal Dibër, mjekët e dalë në pension janë në kë shërbimin e përgjithshëm (2 mjekë); në klinikën e neurologjisë (1 mjek) dhe në shërbimin e reanimacionit (1 anestezist-reanimator).

Sipas Erion Dashos spitalet rajonale janë prekur rëndë nga largimi i mjekëve, duke mbetur pa specialitete të rëndësishme ose duke u mbështetur te mjekët pensionistë, të cilët përfshihen edhe në statistikat zyrtare.

“Pjesa më e madhe e spitaleve rajonalë ose kanë të pambuluar specialitetet shumë të rëndësishme ose detyrohen që të zgjasin kontratat e mjekëve pensionistë dhe sot kur themi që ka një numër të caktuar mjekësh për 1 mijë banorë, këtu llogariten edhe mjekët pensionistë”, shprehet Dasho.

The post Premtimet që mbetën në letër: Spitali i Dibrës ende i parikonstruktuar appeared first on Citizens.al.

Thethi që “thithi turistët” dhe fadromat e IKMT-së

By: FAKTOJE
17 July 2025 at 15:00

Nga Sebi Alla- Pa njërën këmbë dhe një dorë, invalidi i punës Bashkim Koçeku, bëri përpjekjen e fundit që me “forcën e tij” aq sa ia lejonte fiziku, të ndalte fadromat e IKMT-së që mos i shkatërronin pesë bujtina të vogla druri me të cilat ai dhe familja u vetëpunësuan. Mundi shkoi më kot, pasi në kulmin e sezonit turistik veror, në zonën e Thethit pranë Alpeve të Shqipërisë, mësynë fadromat e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), me qëllimin e prerë për të prishur objektet pa leje, (rreth 70 të tilla) shtëpiza druri, kontejnerë dhe ndërtesa dy dhe tre katëshe karabina me kolona betoni dhe mure. Pavarësisht përplasjeve të policisë dhe inspektorëve të IKMT me banorët, një javë më pas, më 15 korrik u shkatërrua me eksploziv edhe objekti i fundit i planifikuar në këtë operacion. Bashkë me ndërtesat e betonit u rrafshuan me tokën edhe strukturat e çmontueshme, kryesisht shtëpiza dërrase, apo kontejnerë, objekte të cilat nuk klasifikohen ndërtime që dëmtojnë territorin. Pas këtij aksioni, në Theth dhe jo vetëm, janë ngritur pikëpyetje të mëdha mes thirrjes së vazhdueshme të kryeministrit Rama për “investim në vendlindje”, pasigurisë juridike mbi certifikimin e pronës nga Kadastrat që janë kthyer në problem madhor dhe mundit të shumë familjeve që lejohen të ndërtojnë në kundërshtim me ligjin (sipas deklarimeve duke paguar nëndorë policë dhe inspektorë) dhe më pas me “urdhër nga lart” u shkatërrohen objektet.

Çmontimi i strukturave…!

“Leja e dhënë për një strukturë të lehtë të çmontueshme të mos kthehet në beton, nuk janë leje ndërtimi të përhershme, janë leje ndërtimi të përkohëshme përgjatë sezonit turistik”. Kështu deklaroi dy vite më parë Ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro, por në të paktën tre raste në Theth, edhe ndërtesat e vogla prej druri u shkatërruan në kulmin e sezonit turistik.  “Kisha pesë shtëpi druri, pa beton pa asnjë gjë. I kisha ndërtuar në tokën time, si kam zënë tokën askujt, është tokë e trashëguar nga të parët e mi. Nuk ka asnjë pëllëmbë beton, kisha vetëm shtëpi druri dhe ato mi prishën”, tha mes lotësh dhe thirrjeve të vazhdueshme për ndihmë dhe “vënie dorë në zemër”, invalidi Bashkim Koçeku, pasi kishte bërë kundërshtitë e fundit ndërsa zvarritej duke shtyrë një kordon të ngjeshur policësh të FNSH-së.

Përplasja qeveri-prokurori

Në ditën e parë të nisjes së aksionit për prishjen e objekteve pa leje në Theth, kryeministri Edi Rama kritikoi ashpër prokuroren e Shkodrës Elsa Gjeli, duke e akuzuar se nuk kishte nisur procedim penal për rastet e ndërtimeve pa leje në Theth. “Po ju lexoj se si arsyeton zonja Gjeli, prokurore nga trupa e shumë mirëpaguar me taksat e shqiptarëve, e cila presupozohet se duhet t’i mbrojë pasuritë e përbashkëta të këtij populli, thesaret e këtij vendi, nga individë si ai që ka plagosur Thethin, në cënim total të çdo lloj norme të bashkëjetesës në këtë vend dhe shkelje flagrante të një sërë ligjesh pasi është zonë e mbrojtur”, tha Rama. Në vijim Rama e etiketoi disa herë prokuroren dhe kërkoi përmes Ministrit të Drejtësisë që të nisë procedimi disiplinor nga ILD (Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë). Në një qëndrim të mëvonshëm, reagoi Prokuroria e Shkodrës e cila në një arsyetim të gjatë mbronte punën e prokurores dhe vinte në diskutim pikërisht referimet e Policisë së Shkodrës. “Vendimi i datës 30.05.2025 i prokurores zj. Elsa Gjeli është marrë në përputhje të plotë me nenin 290, pika ç, të Kodit të Procedurës Penale, ku parashikohet se: “Procedimi penal nuk mund të fillojë kur fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale ose kur del qartë që fakti nuk ekziston”-mbajti qëndrim Prokuroria e Shkodrës. Nisur nga ky rast, më tej thekson se nga vlerësimi i plotë i fakteve dhe akteve procedurale, u konstatua se faktet e referuar nga policia e shtetit nuk përbëjnë ndërtim të paligjshëm në kuptim të nenit 199/a të Kodit Penal dhe “Vetë Policia, në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, është shprehur se kontenjerët nuk janë vendosur mbi bazamente betoni, por kanë qenë të vendosura mbi rrasa guri të prera”, citohet nga Prokuroria.

Ne foto: Gjate nje aksioni te ndermarre ne Theth nga IKMT

Falja e gjobave për ndërtimet pa leje

Ajo çfarë ka mbetur në Theth janë grumbuj inertesh dhe pirgje dërrasash, bashkë me pasigurinë e banorëve dhe paqartësinë sesi do të vijojë çështja e ndërtimeve, në një kohë kur dy premtime të kthyera në nisma ligjore janë “Paketa e Maleve” që sipas qeverisë synon zhvillimin turistik në zonat malore dhe falja e gjobave për ndërtimet pa leje. Pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme Parlamentare, kryeministri Edi Rama zgjodhi pikërisht Thethin për tu dhënë lajmin se do të faleshin gjobat e vendosura për ndërtimet pa leje, duke u bërë thirrje emigrantëve të asaj zone turistike që të vinin dhe investonin në ngritjen e bujtinave. “Këtu ka një masë shumë të madhe gjobash të cilat janë vendosur si rezultat i ndërhyrjeve apo i ndërtimeve gjithmonë ku aty ku keni pasur shtëpinë e vjetër apo aty ku keni truallin tuaj, që janë bërë për shkak të nevojës për të krijuar ekonomi përmes turizmit dhe që nuk janë ndërtuar sipas ligjit, jo sepse nuk keni dashur të ndërtoni sipas ligjit, por sepse shtrëngimi i legjislacionit për këtë zonë që figuron si zonë e mbrojtur natyrore e ka bërë të pamundur dhe qeveria do t’i fali të gjitha këta gjoba”, tha Rama. Një vit më pas situata në Theth është e rëndë për shumë banorë të zonës që në tokat e tyre, por të papajisur me dokumenta pronësie edhe për shkak të problemeve serioze të Kadastrës që nuk i pajis me dokumentacion, kishin nisur ndërtimin e objekteve për qëllime biznesi në sektorin e shërbimeve, pjesa më e madhe biznes familjar.

Ne foto: Gjate nje aksioni te IKMT ne Theth

Paketa e Maleve

Në Theth, por edhe zona të tjera turistike malore druhen se pas aksioneve për prishjen e objekteve pa leje dhe mbajtjen peng me certifikatat e pronësisë, fshihet nisma e “Paketës së Maleve”, një projektligj i miratuar në Parlament në janar të këtij viti. “Paketa e Maleve” do të ketë brenda një sërë masash që të gjithë ata që i kanë lënë këto male në kërkim të një jete më të mirë, të kthehen dhe me bukuritë e këtyre maleve të bëjnë sukses, të bëjnë ekonomi, të bëjnë mirëqenie dhe t’u lënë fëmijëve të tyre trashëgimi një pasuri të jashtëzakonshme“, tha kryeministri në bisedën me banorët e Thethit më 30 qershor të vitit të kaluar. Sipas qeverisë, “Paketa e Maleve“, synon nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në zonat malore të vendit. Ky ligj parashikon kriteret e kalimit të pronësisë shtetërore në private kundrejt blerjes me një tarifë simbolike prej 1 euro, me kusht që hapësira e përfituar të përdoret specifikisht për zhvillimin turistik. “Ligji i miratuar parashikon mes poseduesit jo pronar dhe qeverisë firmosjen e një kontrate shitjeje me kusht sipas të cilit  pronari merr çertifikatën e pronësisë vetëm pasi realizon ndërtimin e planifikuar. “Synohet përdorimi i tokës qoftë “pyll”, “kullotë” livadh për investime që zhvillojnë zonën”-thuhet në një nga pikat. Pikërisht kjo klauzolë i jep mundësi subjekteve të interesuara, vendase dhe të huaja, që në zona të caktuara me potencial turistik të përfitojnë kullotë dhe pyje që në zërin kadastral cilësohet si “tokë shtet”. Deri mesditën e datës 16 korrik, kryeministri Edi Rama njoftoi se ishin 787 aplikime për të përfituar nga kjo nismë. Në hartën e publikuar duket qartë se një pjesë e konsiderueshme e aplikimeve për “Paketën e Maleve” përfshin zonat bregdetare dhe kodrinore. “Paketa synon forcimin e kohezionit social, rimëkëmbjen ekonomike të zonave malore, rritjen e të ardhurave bashkiake, nxitjen e investimeve dhe frenimin e emigracionit. Përmes një procesi të thjeshtuar administrative”, thuhet në faqen zyrtare të paketaemaleve.gov,al.

Përfundimi

Ndërtimet pa leje në vendin tonë, veçanërisht në zonat turistike, kryesisht në vijën bregdetare dhe në disa zona të turizmit malor cilësohen si problem i pazgjidhur, pavarësisht premtimeve për legalizime, apo pajisje me certifikata pronësie dhe leje ndërtimi të rregullt nga njësitë vendore. Në periudhë fushatash zgjedhore, falja e gjobave për ndërtimet pa leje, apo edhe lënia e lirë e qytetarëve për të ndërtuar, u kthyen në dëm serioz pas zgjedhjeve duke shkatërruar dhjetëra objekte dhe kursimet e shumë qytetarëve një pjesë e të cilëve u kthyen nga emigracioni për të investuar në vendlindje, Nisur nga problematika, deklaratën konkrete të ministres Kumbaro për leje ndërtimi të përkohshme për strukturat e çmontueshme përgjatë sezonit turistik do ta kategorizojmë të pambajtur    

The post Thethi që “thithi turistët” dhe fadromat e IKMT-së appeared first on Faktoje.al.

Maturë dhe kopje, dështimi me publikimin e tezave të provimeve

By: FAKTOJE
9 July 2025 at 16:00

Nga Sebi Alla- Për të paktën 5 vite radhazi tezat e provimeve të maturës u publikuan dendur në rrjetet sociale, kur provimi ende nuk kishte përfunduar. Më i fundit ishte testi i matematikës ku vetëm 20 minuta pas nisjes së testimit për rreth 27 mijë maturantë teza doli, duke hedhur dyshime në dështimin për marrjen e masave, por edhe të kopjimit dhe deformimit të rezultatit për maturantë të caktuar. “Provimi i Maturës Shtetërore në lëndën e Matematikës, po zhvillohet në përputhje të plotë me standardet e sigurisë të përcaktuara në rregulloren përkatëse dhe publikimi i tezës së provimit pasi nxënësit kanë nisur testimin, nuk ndikon në mbarëvajtjen dhe integritetin e procesit“, tha zyrtarisht Ministria e Arsimit në një reagim në rrjetet sociale. I njëjti qëndrim është mbajtur edhe për lëndët e tjera pas publikimit të tezave

Rregullorja

Ndërkohë Qendra e Shërbimeve Arsimore ka të publikuar (qysh prej vitit 2023) një rregullore të gjatë të ndryshuar me 34 nene për zhvillimin e Maturës Shtetërore dhe Maturës Shtetërore Profesionale, mbi të cilën u bazua edhe udhëzimi mbi organizimin dhe zhvillimin e provimit të maturës shtetërore për këtë vit.

Konkretisht në nenin 21 thuhet se përgjegjësi i administrimit të provimit, ka për detyrë të mos publikojë në asnjë mënyrë apo formë testin e Maturës Shtetërore gjatë procesit të administrimit. Jo vetëm. Në nenin 34 të rregullores së publikuar në faqen online parashikohen edhe një sërë masash disiplinore që në rastin e publikimit para kohe të testit parashikohet deri edhe largim nga puna.

Ekspertët

Për ekspertin e çështjeve arsimore, prof Ndriçim Mehmeti, publikimi i tezave të provimit pasi ka nisur testimi është papërgjegjshmëri institucionale. “Përgjigja e njëjtë në çdo dalje teze, e MAS, se ‘kjo nuk cenon procesin’, është një tallje me publikun, nxënësit dhe prindërit, duke rritur dozën e papërgjegjshmërisë së institucionit më të lartë të arsimit në Shqipëri”, thotë Mehmeti. Po sipas tij, “në raportet e saj, QSHA, (shënim; Qendra e Shërbimeve Arsimore), thekson faktin se ka rritje fiktive të notave në rrethe dhe në Tiranë dhe nuk ka asnjë analizë se përse ndodh një gjë e tillë”

Përgjegjësit

Përgjegjësia për mbarëvajtjen e provimeve nis nga Ministria e Arsimit, Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar dhe Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar, nën kupolën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Të katërta institucionet nuk ia kanë dalë të ndalojnë publikimin e tezave pa përfunduar ende provimi por edhe të zbulojnë rastet e fotografimit dhe më pas publikimit.

I vetmi rast me masë ndëshkimore është shënuar në Durrës ku një maturant u përjashtua pasi u kap duke fotografuar tezën.

Neni 23 i rregullores së publikuar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore ndalon mbajtjen e celularit të maturantit gjatë procesit të votimit.

Faktoje.al i dërgoi ndërkohë Ministrisë së Arsimit disa pyetje në lidhje me këtë problematikë, konkretisht se, përse dalin çdo vit tezat, çfarë  masash janë marrë dhe a ndikon kjo shkelje në procesin e provimeve. Por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk pati reagim. Procesi për përgjigjet është në fazën e ankimimit.

Dyshime për “ndërhyrje”

“Sikundër pranojnë mësuesit që janë në administrim, atyre u bëhet presion me vendin e punës që të lejojnë nxënës të caktuar të kopjojnë, e madje ta shpërndajnë vetë kopjen. Në disa shkolla shkohet nga vetë Përgjegjësit e Administrimit dhe punonjës të MAS, me lista se kush do të ndihmohet”, thotë për Faktoje.al Mehmeti. Sipas tij, edhe masat për moslejimin e kopjimeve apo favorizimit për maturantë të veçantë janë problem i pranishëm. “Bllokuesit për valët e celularëve dalin jashtë funksionit qëllimisht që në fillim të provimit dhe po ashtu kontrolli fizik behët formalisht, pa asnjë përgjegjësi. Askush nuk është dënuar apo penalizuar, kështu që procesi i Maturës në fakt është kthyer në një skenë krimi, ku vidhet e grabitet dija në mes të ditës me bekimin e MAS dhe ata që e pësojnë janë nxënësit që kanë punuar e djersitur 12 vite me radhë”,  vëren Mehmeti.

Ndikimi në nivelin e aftësive

Eksperti i çështjeve arsimore Ndriçim Mehmeti shtjellon më tej për Faktoje.al se nga viti në vit ka rënie të nivelit arsimor. “E vërteta e hidhur është se në arsimin e lartë po shkojnë gjithnjë e më pak nxënës të mirë. Këtë e tregojnë arritjet e këtij viti ku nota mesatare si në matematikë dhe në letërsi është 1 notë më pak se vitin e kaluar. Kemi më pak nxënës ekselent dhe më shumë nxënës me arritjet minimale, pra të notës 5 dhe 6”, thotë Mehmeti, ndërsa përgjegjësinë e sheh më së shumti në institucionet drejtuese arsimore në vend. “Rezultatet në një pjesë të mirë janë të deformuara dhe më e keqja është se nuk ka asnjë tentativë për të frenuar këtë fenomen. Ministria e Arsimit bën analiza të mbyllura, me njerëzit e saj që në fakt janë përgjegjësit kryesor të kësaj situate katastrofike në arsim…”,  thotë ai.

Përfundimi

Publikimi i të gjithë tezave të provimit për maturën konsiderohet një fenomen i përsëritur ndër vite dhe masat e marra nuk kanë dhënë rezultate pozitive. Dyshimet se publikimi i tezave mund të ndikojë në një masë të caktuar edhe në tjetërsimin e rezultateve të vërteta për maturantë të caktuar mbetet edhe pse raportet zyrtare në këtë drejtim mungojnë. Por rregullorja për vitin 2025 ekziston. Dhe ajo është shkelur hapur në të paktën dy nene të saj (neni 21 dhe neni 23).

Në mungesë të një përgjigje zyrtare të ministrisë se çfarë është bërë në këtë drejtim si dhe, duke ballafaquar përmbajtjen e rregullores së hartuar nga vetë ministria me fenomenin që u përsërit, angazhimin për mos publikimin e tezave të provimit gjatë procesit të administrimit do ta konsiderojmë të pambajtur.   

The post Maturë dhe kopje, dështimi me publikimin e tezave të provimeve appeared first on Faktoje.al.

Vlora turistike me djegie mbetjesh

By: FAKTOJE
27 June 2025 at 17:00

Nga Sebi Alla Kryebashkiaku aktual i Vlorës, Ermal Dredha, në nisje të punës së tij në vitin 2023, shpalli “prioritet pastrimin e qytetit” dhe zgjidhjen e çështjeve të mbetjeve. Për të tretin vit radhazi, Vlora ka përjetuar në periudhën e sezonit turistik disa herë djegie të mbetjeve urbane në venddepozim pranë lagjes 24 Maji.

Problematika

“Isha aty atë ditë (më 7 qershor) kur u ndez zjarri në fushën e depozitimit të mbetjeve. Dukej si shpërthim bërthamor mjedisor. Është e patolerueshme djegia e mbetjeve”, tha për Faktoje.al eksperti mjedisor, Lavdosh Ferruni.

Ende nuk ka një studim të mirëfilltë sa është sasia e mbetjeve urbane që krijojnë problematikë aty, por diskutohet të jetë mbi 350 mijë ton dhe përveç erës së rëndë, kryesisht banorët pranë vendgrumbullimit të mbetjeve janë të riskuar seriozisht në shëndet. “Dioksina dhe furanet që dalin nga djegia e mbetjeve, janë të vërtetuara që janë kancerogjene. Gjithashtu ka kontaminim në tokë, ujë dhe ajër. Djegiet e mbetjeve urbane, veçanërisht plastika, klasifikohet nga ndotjet më të rrezikshme”, thotë Ferruni.

Foto nga mbetjet ne lagjen 24 Maji ne Vlore

Reagimi

Vetë Bashkia Vlorë shkon edhe më “larg” në problematikën e djegies së mbetjeve, duke pranuar se ka pasoja të rënda, e madje ndikim edhe në ngrohjen globale. “Djegia e mbetjeve çliron në ajër shumë elementë si dioksina, furane, polikarbone, okside të squfurit, okside të azotit CO2 dhe metani i çliruar nga mbetjet kontribuojnë në ngrohjen globale. Tymin dhe aromën e rëndë e përjetojnë komunitetet përreth”, konstaton Bashkia Vlorë në përgjigjen e dhënë për Faktoje.al.

Ndërkohë, kreu i bashkisë Ermal Dredha nuk është i vetmi që premtoi zgjidhjen e këtij problemi. “Na kanë premtuar se do zgjidhet kjo çështje. Madje para zgjedhjeve erdhën disa deputetë dhe na thanë që mbetjet do të largohen, por asgjë nuk shihet, plehrat vijojnë të hidhen ende”, shprehet për Faktoje.al Valentin Aliaj.

“Ehhh sa kemi dëgjuar nga këta, çdo kryetar bashkie që ka ardhur këtë ka thënë gjithnjë; ’do ta zgjidhim shpejt’, po ku është zgjidhja?”, ngre pyetjen banori tjetër Ismail Lazaj, duke treguar me dorë malin e madh me mbetje që në dy tre vatra të vogla vijon të nxjerrë tym. 

Fakt

Mes një pirgu të madh me mbetje, dy barinj heqin udhën për një tufë të madhe dhensh, ngjyra e të cilëve ka marrë tërësisht pamjen e mbeturinave urbane, një gri e theksuar. Lirshmërinë ua prish zhurma e një kamionçine me logon e Bashkisë Vlorë të mbushur me plehra, e cila shkarkon vrullshëm dhe largohet shpejt për të mos rënë në sy. Me këtë pamje Faktoje.al u përball mëngjesin e 16 qershorit në nisjen e sezonit turistik në Vlorë.

Në reagimin për Faktoje.al, Bashkia Vlorë pranon se aty vijojnë të hidhen mbetje, por, sipas tyre, janë materiale që nuk pranohen për përpunim në Landfill. “Në vendgrumbullimin e vjetër hidhen vetëm mbetje inerte të cilat nuk pranohen në Landfill si: mbetjet e orendive shtëpiake, pajisjet elektroshtëpiake, pajisjet hidrosanitare, mbetjet e pajisjeve elektronike dhe materialeve të ndërtimit”, thotë Ndërmarrja e Pastrimit e Bashkisë Vlorë.

Nje kamioncine nga Bashkia Vlore duke shkarkuar mbetje urbane Foto: Atdhe Mulla

Faktoje.al, në dy raste konstatoi se kamionçinat shkarkuan mbetje urbane. Lagjja “24 Maji” në Vlorë, në pikën ndarëse mes Pyllit të Sodës dhe Zvërnecit, është kthyer në një burim të frikshëm infeksionesh nga mbetjet, erës së rëndë, dioksidit të karbonit nga djegia dhe pasiviteti nga administrata lokale në përballimin e situatës. “Aty është sëmundje e madhe. Sidomos mëngjesi kur digjen plehrat është problem, nuk marrim dot frymë”, thotë Ismail Lazaj, një banor i zonës, nga të paktit që pranoi të fliste, pasi frika se po folën u hapen probleme në punë, apo në biznesin e vogël, është e madhe.

Bashkia

“Mos të hidhen akuza në tym, sepse i bëhet dëm Vlorës. Është gjithë ajo punë kolosale. Duhet të kuptojmë një gjë, ka 40 e ca vite që përdoret ajo fushë mbetjesh dhe është jashtë kapaciteteve. Lufta më e madhe që ne kemi pasur, të paktën që kur kam marrë këtë detyrë, ka qenë pjesa ligjore, për të vënë në funksion landfillin. Mbetjet urbane shkojnë të gjitha në landfillin e Sherishtës, që prej 26 prillit 2025”, tha në një reagim të fundit publik, Ermal Dredha, kryetar i Bashkisë Vlorë. Ky institucion në një përgjigje zyrtare për Faktoje.al pranoi problematikën, ndërsa thekson se fenomeni i djegieve në vendgrumbullimin e mbetjeve nuk është i ri. “Situata problematike përsa i përket mbetjeve urbane në fushën e vendgrumbullimit është një situatë e përsëritur edhe në vitet e kaluara”, thuhet në reagimin e Bashkisë Vlorë, ndërsa shtojnë se: “për shkaqet e kësaj problematike janë bërë të gjitha denoncimet ku institucionet përkatëse janë në proces hetimi, nëse janë të qëllimshme apo aksidentale”.

Kryebashkiaku Dredha foli gjithashtu edhe për mundësinë e kapsulimit të vendgrumbullimit të mbetjeve, por në përgjigjen zyrtare nga Bashkia Vlorë, nuk konfirmohet një projekt i tillë. “Ndërmarrja e Pastrimit nuk ka një informacion mbi projektin për kapsulimin e mbetjeve, koston dhe nëse këtë projekt do ta realizojë vetë bashkia apo me kontraktor”, thuhet në reagim, ndërsa pranohet prej tyre se: “nuk mund të flasim definitivisht për mbylljen përfundimtare të problemit në fushëdepozitimin e vjetër të mbetjeve”. 

Foto Atdhe Mulla
Foto nga mbetjet ne lagjen 24 Maj


Ligji i mbetjeve 

Për menaxhimin e mbetjeve urbane ka një ligj të veçantë që përcakton qartë se si duhet të trajtohen mbetjet, cilët institucione janë përgjegjëse dhe çfarë masash merren në raste të shkeljeve. Ligji nr. 10 463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, e ka të qartë: përgjegjësia për menaxhimin, mirëmbajtjen dhe sigurinë e fushave të mbetjeve bie plotësisht mbi njësitë e qeverisjes vendore. Po duke iu referuar ligjit, disa paragrafe të tjerë saktësojnë edhe masat ndëshkimore në rast të shkeljeve të procedurave në trajtimin e mbetjeve ku konkretisht djegia e mbetjeve në mënyrë të pakontrolluar është e ndaluar dhe përbën shkelje, që mund të ndëshkohet me masa administrative dhe ndjekje penale, në varësi të pasojave.

Përfundim

Faktoje.al pa nga afër fushën e mbetjeve dhe u konstatua se mbetjet urbane që mblidhen në Vlorë dhe Orikum vijojnë të hidhen në këtë fushëdepozitimi mbetjesh edhe pas deklaratës së kryebashiakut Dredha se ai venddepozitim nuk përdorej më. Faktoje.al dokumentoi me pamje se në të paktën dy raste mëngjesin dhe drekën e 16 qershorit mjete me logon e Bashkisë Vlorë shkarkuan mbetje në venddepozitimin e lagjes 24 Maji.

“Plehrat vijojnë të hidhen. Ditën vijnë kamionçina të vogla gati çdo dy orë dhe i hedhin plehrat, ndërsa gjatë natës kamionët e mëdha me mbetje shtohen”, thotë për Faktoje.al, Valentin Aliaj, një i ri i cili ka lindur aty dhe është rritur bashkë me mbetjet që i zenë frymën.

Ndaj dhe, çështjen e trajtimit të mbetjeve në Vlorë deri më tani do ta konsiderojmë premtim të pambajtur.

“Faktoje.al”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët

The post Vlora turistike me djegie mbetjesh appeared first on Faktoje.al.

Ura mbi Bunë peng i burokracive

17 June 2025 at 16:00

Prej tre vitesh, Shqipëria dhe Mali i Zi, janë angazhuar të ndërtojnë së bashku një urë mbi lumin Buna, e cila do të lidhë Ulqinin me Velipojën. Vepra me vlerë 20 milion euro duhet të kishte përfunduar verën e kaluar. Por verifikimet e Faktoje tregojnë se projekti ndodhet në fazën përgatitore. Nëse ndërtimi fillon brenda këtij viti, përfundimi më i hershëm i urës mbi Bunë do të ishte në vitin 2027

Esmeralda Topi

Shqipëria dhe Mali i Zi do të shpenzojnë 20 milionë euro për një urë mbi lumin Buna që do t’i lidhë brigjet e dy qendrave bregdetare, Ulqinit dhe Velipojës. 

Për herë të parë idea u bë publike qershorin e vitit 2022 gjatë një takimi të nismës “Ballkani i Hapur” në Ohër. Asokohe, kryeministri shqiptar Edi Rama e njohu kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç me projektin 3D të urës mbi lumin Buna.

Pak muaj më vonë, projekti u konkretizua në një Marrëveshje bilaterale mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, më 27 shkurt 2023 në Podgoricë. 

Në mbledhjen e dytë të përbashkët mes dy qeverive, Edi Rama dhe Dritan Abazoviç nënshkruan Deklaratën e Përbashkët dhe Marrëveshjen Bilaterale për ndërtimin e urës në lumin Buna me bashkëfinancim.

Fakt 

Edhe pse marrëveshja mes Shqipërisë dhe Malit të Zi ka hyrë në fuqi, projekti për urën mbi Bunë nuk ka nisur zbatimin konkret në terren. Fondi Shqiptar i Zhvillimit bën të ditur se tashmë ka nisur puna për hartimin e Protokollit të Zbatimit, një proces që kërkon dakordësim ndërshtetëror dhe përfshirjen e trupave diplomatike të të dyja vendeve.

Sipas FSHZH-së, pas ngritjes së strukturave dhe ndarjes së përgjegjësive mes palëve, projekti i miratuar dhe i pajisur me leje ndërtimi do të nisë së zbatuari në përputhje me legjislacionin në fuqi. 

Kohëzgjatja e punimeve mbetet dy vite, një afat që do të fillojë të llogaritet vetëm nga dita e parë e nisjes së punimeve, për të cilën ende nuk ka një datë të saktë.

“Projekti i miratuar dhe i pajisur me lejet përkatëse, nis zbatimin duke respektuar të gjitha kërkesat e legjislacionit të aplikueshëm. Nga momenti kur të nisin punimet, kohëzgjatja e tyre është parashikuar të jetë 24 muaj”, sqaron FSHZH për Faktoje.al. 

Rëndësia e projektit

Ura mbi Bunë”, është një projekt i bërë gati për zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, duke shkurtuar distancën mes Velipojës dhe Ulqinit nga 73 km në 300 m.

Ekspertët e shohin ndërtimin e kësaj vepre si investim me ndikim të ndjeshëm në zhvillimin e turizmit në të dy vendet.

“Kjo vepër infrastrukturore do të mundësojë rritje të numrit të turistëve, sidomos të atyre ditorë, të cilët për shkak të afërsisë do të kenë mundësi të vizitojnë të dy brigjet brenda një dite. Ura do të lehtësojë përfshirjen e Velipojës dhe Ulqinit në guidat turistike ditore, duke nxitur bashkëpunimin mes dy qyteteve në menaxhimin e përbashkët të destinacioneve, eventeve dhe promovimit rajonal”, shprehet ekspertja për ekonominë Teuta Nunaj.

Ajo shton se kjo infrastrukturë krijon potencial për zgjatjen e sezonit turistik, nxit zhvillimin e bizneseve të vogla dhe përforcon profilin ndërkombëtar të të dy vendeve në kuadër të turizmit ndërkufitar dhe mesdhetar.

Sipas projektit, ura mbi lumin Buna do të lidhë fshatin Pulaj të Velipojës dhe Cveti Nikoliqin në Mal të Zi, në territorin e Komunës së Ulqinit.

Ura e projektuar është kompozitë me trarë çeliku dhe soletë beton arme, rreth 300 metër e gjatë me një gjerësi prej 17 metra linearë. Në projekt parashikohen dy korsi kalimi për makina me gjerësi rreth 5.25 metra secila, dy trotuare dhe korsi biçikletash në të dy krahët e urës.

Lartësia mesatare e urës në raport me nivelin më të lartë të ujit do të jetë rreth 10 metra për të mos ndërhyrë në qarkullimin lumor. I gjithë projekti do të kushtojë 20 milionë euro i cili do të bashkëfinancohet nga dy qeveritë.

Përfundim

Edhe pse hyrja në fuqi e marrëveshjes është një hap përpara, projekti për urën Velipojë–Ulqin mbetet ende në fazë përgatitore, me shumë hallka burokratike përpara. Me ritmin aktual të zhvillimeve, vështirë se ura do të jetë funksionale para vitit 2027, nëse nis ndërtimi brenda këtij viti, siç thotë FSHZH. Ndaj nisur nga këto informacione, ne e kategorizojmë ndërtimin e urës mbi lumin Bunë si premtim të pambajtur.

The post Ura mbi Bunë peng i burokracive appeared first on Faktoje.al.

Astir dhe Yzberisht, aty ku shkollat “ngrihen” vetëm për fushatë

By: FAKTOJE
2 May 2025 at 17:00

Nga Sebi Alla– Me çantë me libra në shpinë, mbesa 8-vjeçare e Sanije Brashës zbret përtueshëm nga një furgon që e dërgon dhe merr çdo ditë nga shkolla “Sabaudin Gabrani” në afërsi të 21 Dhjetorit në zonën e Astirit, 3.5 kilometra largësi, shpesh mes kaosit të trafikut. “Shumë keq është çështja e shkollës për fëmijët, e kemi problem kryesor”, thotë për Faktoje.al 63-vjeçarja, që gjithsesi refuzon t’i bëhet një foto, me “argumentin” se: “nuk dua të ngatërrohem me politikën në këtë kohë zgjedhjesh”.

Punimet

Rreth 300 metra larg vendit ku Sanija pret e përçjell mbesën, punohet ngadalë nga një ekskavator i vogël për sistemimin e truallit të Shkollës së re 9-vjeçare, vend të cilin e vizitoi pak ditë më parë, kryeministri Rama, kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani dhe Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, ndërsa në dy shkollat e tjera të premtuara, trojet e tyre mbulohen nga mbetjet dhe ferrat.

Problematika

Për shumë vite banorët e dy lagjeve të kryeqytetit me rreth 70 mijë banorë detyrohen t’i dërgojnë fëmijët në shkollat publike në Kombinat, dhe dy shkollat e tjera, “Sabaudin Gabrani” dhe “Gustav Majer”, që ndodhen përkatësisht pranë 21 Dhjetorit dhe ish-Parkut. Në këtë zonë ka vetëm çerdhe publike, ndërsa mungojnë objektet për kopshtet, asimin parashkollor, ciklin e ulët, 9-vjeçar dhe të mesëm.  

Shkolla për fushatë

Për zonën e Yzberishtit dhe Astirit është premtuar dhe parashikuar prej tetë vitesh ndërtimi i tre shkollave të reja, nga cikli fillor, deri në arsimin e mesëm. “Ajo shkollë, që ne shohim sot është sipas moduleve që ne kemi për shkollat e reja, ku e maksimizojmë hapësirën për të pasur sa më shumë klasa dhe kapacitet, planifikohet për 900 nxënës për ciklin 9-vjeçar dhe nga ana tjetër e rrugës do të jetë kopshti dhe çerdhja për më shumë se 250 fëmijë, duke pasur 2 klasa çerdhesh dhe 4 klasa kopshti, ” shpjegoi për kryeministrin, kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani.

Trualli

Tre ditë nga prezantimi publik, mesditën e së mërkurës (30 Prill) në këtë zonë (nga një vëzhgim në terren i Faktoje.al) shihen disa makina të tonazhit të rëndë që qëndrojnë të parkuara dhe një ekskavator i vogël që sistemon pjesën perëndimore të truallit ku parashikohet ngritja e objektit arsimor.

Ne foto: Hyrja kryesore e kantierit në Astir ku pritet të ndërtohet shkolla 9-vjeçare  

Vlera e ndërtimit të kësaj shkollë është 297.893.376,48 lekë me TVSH me investitor Bashkia Tiranë dhe afati u punimeve parashikon 12 muaj kalendarike. Puna vijon, por duket me intensitet të ngadaltë, ndonëse afati parashikon përfundimin e objektit brenda 12 muajve.

Në foto tabela e projektit, vlera dhe afati i përfundimit të punimeve                                 

Premtime të riciklueshme

Kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, përveç shkollës në Astir, solli si “model” edhe dy objekte të tjera arsimore. “Kemi dhe modelet e 2 shkollave të tjera që do të vazhdojnë më tej në Yzberisht për shkollë të mesme dhe 9 vjeçare me po të njëjtat kapacitete; shkolla e mesme është për 600 nxënës të shkollës së mesme dhe shkolla 9 vjeçare për 900 dhe pastaj njësoj çerdhja dhe kopshti në ambientin e shkollës 9 vjeçare që do t’i shërbejë zonës së Yzberishtit”, tha ajo.

Shkollat fantazmë

Po ku është “shkolla që vazhdon” në Yzberisht? Faktoje.al ishte pikërisht në zonën e përcaktuar për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare dhe të mesme në Yzberisht. Një territor i rrethuar me kangjella, por i mbushur me mbetje, pirgje inertesh dhe ferra të harlisura.

Afatet

Katër vite më parë, Erion Veliaj, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Tiranë deklaronte për tre shkolla që do zgjidhnin përfundimisht problemin në dy lagje, Yzberisht dhe Astir. “Do fillojmë shumë shpejt me 3 shkolla, 2 në një anë të Lanës, 1 në anën tjetër”, tha Veliaj në vitin 2021, pak ditë para zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare. Ndërsa reagimin më të fundit kryebashkiaku që ndodhet në masën “arrest me burg” e pati nëpërmjet rrjetit social Facebook. “U jam vërtet mirënjohës nga zemra banorëve që u treguan kaq të durueshëm, dhe falenderoj kolegët që punuan për ta bërë realitet këtë premtim. Mezi pres të shoh së shpejti nisjen e punës edhe për ndërtimin e gjimnazit të ri, po aq të domosdoshëm, në këtë zonë të Tiranës”.

Në foto: Zona e parashikuar për ndërtimin e Shkollës 9-vjeçare dhe të Mesme në Yzberisht

Përfundimi

Ndërtimi i tre shkollave në lagjet Yzberisht dhe Astir në Tiranë, nisur edhe nga verifikimi në terren, konsiderohet ende premtim i pambajtur. Në tetë vitet e fundit ky ka qenë premtimi kryesor, sidomos në periudhë fushatash për zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Në zgjedhjet e 2021, rreth 52% e votave në këto zona shkuan për Partinë Socialiste.

The post Astir dhe Yzberisht, aty ku shkollat “ngrihen” vetëm për fushatë appeared first on Faktoje.al.

Shpyllëzimi i heshtur nga prerjet e paligjshme, zjarret, minierat dhe harresa  

By: FAKTOJE
24 April 2025 at 17:49

Nga Sebi Alla Nëntë vite nga moratoriumi i pyjeve në Shqipëri, që kishte si qëllim përmirësimin dhe rehabilitimin e gjendjes pyjore, situata vijon të jetë problematike si pasojë e shfrytëzimit pa kriter nga prerjet e paligjshme dhe dëmtimet nga zjarri.

Në “letra”, sipërfaqja pyjore është shtuar nga viti 2010-2024, por paradoksalisht, volumi i pyjeve ka rënë.

Në një studim të INSTAT, qartësohet se zonat pyjore (pa llogaritur zonat e mbrojtura) janë shtuar, ku nga 1.015.340 hektarë në vitin 2010, arriti në 1.117.945 hektarë në vitin 2022, por volumi i përgjithshëm i pyjeve ka rënë me 30.5%, përkatësisht nga 73.1 milionë m3 në 2010 në vetëm 50.8 milionë m3 në 2022.

“Ky fenomen ndodh për arsye se gjatë këtyre viteve pyjet e larta të ahut, pishës së zezë dhe bredhit, që janë edhe pyjet me peshën më të madhe të volumit në nivel kombëtar, janë dëmtuar”, thotë për Faktoje.al, Prof Dr. Elvin Toromani, Dekan i Fakultetit të Pyjeve në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Zonat që, sipas tij, dikur mbanin peshën kryesore të pyjeve, sot janë kthyer në “livadhe” dhe shkurre, ndërsa shton se: “kemi më shumë pyje të rinj dhe humbje të volumit edhe për shkak të zjarreve dhe dëmtimeve të tjera”

Fenomeni

Për ekspertët e mjedisit, fenomeni i uljes së dendësisë së pyjeve, apo thuajse shkatërrimi i plotë në disa zona të veçanta, ndikon në mënyrë direkte në cilësinë e ajrit, por edhe të efektit serrë. “Dëmtimi i pyjeve sjell efekt zinxhir në shkatërrimin e ekosistemit, si në bimësi ashtu edhe gjallesa. Gjithashtu ka ndikim edhe në gazrat serrë”, thotë për Faktoje.al, eksperti i çështjeve mjedisore, Gavrosh Zela.

Më tej, ai shton: “Pyjet janë ‘mushkëritë e planetit’, pasi thithin dioksid karboni (CO₂) dhe ndihmojnë në uljen e gazrave serrë. Shkatërrimi i tyre çon në rritjen e temperaturave globale dhe përkeqësimin e ndryshimeve klimatike. Ndikimet në cilësinë e ujërave: ‘Pyjet luajnë rol kyç në ciklin e ujit, duke ndihmuar në ruajtjen e lagështisë dhe rregullimin e rrjedhës së lumenjve. Dëmtimi i tyre çon në erozion, përmbytje dhe tharje të burimeve ujore’

Ndikimet në humbjen e biodiversitetit: ‘Pyjet janë habitat për miliona specie bimore dhe shtazore. Humbja e pyjeve sjell zhdukjen e shumë prej tyre, duke ulur ndjeshëm larmishmërinë e biodiversitetit, zhdukjen e specieve me rëndësi ekonomike dhe mjedisore. Shkatërrimi i pyjeve ndikon negativisht në cilësinë e ajrit, shëndetin e tokës dhe ekuilibrin natyror, duke dëmtuar jetesën e komuniteteve lokale dhe duke rritur rreziqet natyrore si rrëshqitjet e tokës apo thatësirat”.

Pasojat

“Pamjet satelitore, të ofruara nga Sistemi Europian për Informacionin e Zjarreve (EFFIS) tregojnë se në gjashtëmbëdhjetë vitet e fundit në vend janë djegur nga zjarri rreth 295,000 ha, saktësisht pyjore, me një mesatare prej 18,400 ha/vit. Duke qenë se Shqipëria është një vend malor, zjarret nxisin shtimin e erozionit, duke e bërë Shqipërinë vendin europian me erozionin me të madh. Ky erozion i shoqëruar me intensitet të shtuar të reshjeve në periudha të caktuar çon në përmbytje më të shpeshta”, vë theksin për Faktoje.al eksperti për mjedisin, Lavdosh Ferruni

Investime me pikatore

Viti që ka shënuar investimet më të larta të realizuara për pyjet është viti 2014, kur janë dhënë rreth 361 milionë lekë, si zë “investime në pyllëzim”. Edhe viti 2023 paraqet një nivel të lartë të investimeve në pyje, por përsëri, më i ulët sesa në vitin 2014. “Fondi pyjor kombëtar ka nevojë për investime pasi në gjendjen që janë nuk mund të japin më lëndë punimi”, thotë Profesor Toromani, ndërsa sugjeron se, “ këto investime duhet të fokusohen në përmirësimin pyjor të pyjeve të rinj dhe në rehabilitimin e peizazheve pyjore të degraduara duke zbatuar qasjet e bazuara tek natyra”.

Fondet në vijim

Në total për vitin 2025, sipas ekspertit Ilir Brasha, është parashikuar një rritje e fondit për Administrimin e Pyjeve nga rreth 867 miliardë lekë parashikuar në buxhetin fillestar të 2024, në 1.08 miliard lekë në 2025. Kjo rritje, sipas tij, parashikohet më shumë në Shpenzime Kapitale, që nënkupton se do të ketë më shumë projekte dhe investime në këtë drejtim. Edhe pse ka një rritje të buxhetit për pyjet këtë vit, nuk shihet ky trend për në vijim. Për vitin 2026 dhe 2027, kemi parashikime të buxhetit pesimiste, duke qenë se në vitin 2026, parashikohet që të kemi një rritje vetëm me rreth 2 milionë lekë ose 0.18%. Ndërkaq për vitin 2027 është parashikuar një ulje e fondeve për Administrim Pyjesh në vlerën e 742  milionë lekëve.

Shumë prokurime, pak fonde

Në një analizë të përpunuar, eksperti Ilir Brasha vëren se, për vitin 2024 janë zhvilluar 101 procedura prokurimi të zhvilluara për pyjet direkt apo indirekt, nga të cilat 25 janë anuluar, ose përkatësisht 15.8% e fondit limit. “Ajo çfarë është për tu shqetësuar në lidhje me prokurimet në fushën e pyjeve është fondi i ulët i kursyer. Përkatësisht, në procedurat e prokurimit të zhvilluara për pyjet direkt apo indirekt, kemi vetëm 5.9% fond të kursyer, ndërkohë që për total procedura prokurimi fondi i kursyer është 13.6%”, thotë ai. Kjo, sipas tij,  tregon një efiçensë më të ulët buxhetore në procedurat e prokurimit që lidhen me pyjet.

Tenderat

Për vitin 2025, kemi vetëm dy tendera të realizuar për Investime në lidhje të drejtpërdrejtë me pyjet. Tenderi i parë zhvillohet nga Bashkia Fushë-Arrëz me objekt prokurimi “Plan menaxhimi pyjore”. Fondi Limit për këtë tender është 3.08 milionë lekë dhe nuk është shpallur akoma fituesi i garës, edhe pse fituesi në këtë rast është thuajse i parashikuar, duke qenë se në gara ka pasur vetëm një ofertues. Po e njëjta situatë është paraqitur edhe në tenderin tjetër të zhvilluar për pyjet në Bashkinë e Cerrikut, me objekt prokurimi “Hartimi i planit të mbarështimit Ekonomia Pyjore Gostime-Koprrik”. Procedurë e cila është fituar nga një  ofertues i vetëm (shpallur në këtë rast – Fondi Limit 998’500 lekë dhe oferta fituese është 978.4 mijë lekë.

Bashkitë i shohin pyjet si rroga…

Bashkitë janë një nga pronarët më të mëdhenj të pyjeve në Shqipëri të cilët zotërojnë rreth 73% të sipërfaqes totale. Por duhet theksuar se interesi nga bashkitë për financim të pyjeve ka qenë minimal. “Sipas ligjit të pyjeve, duhet që të gjitha të ardhurat që gjenerohen nga aktivitetet në pyje të riinvestohen në aktivitete të ndryshme në pyje. Kjo nuk ka ndodhur plotësisht pasi një pjesë e të ardhurave shkojnë për rrogat e stafit dhe shumë pak për investime reale në pyje”, tha eksperti i pyjeve, Prof. Dr. Elvin Toromani. Sipas tij, në mjaft raste është kërkuar që bashkitë të financojnë hartimin e planeve të mbarështimit ose në ato raste kur këto plane ekzistojnë të financohen punimet që përmbajnë këto plane. “Investimet janë minimaliste dhe më shumë mbështetja ka qenë nëpërmjet projekteve të huaja”, konstaton Toromani. Pavarësisht shtimit në hektarë pyje, dendësia e tyre është mjaft e ulët, ku edhe kjo rritje në sipërfaqe ka ardhur më shumë si shpopullim i zonave të thella rurale, duke i kthyer disa krahina në vende të braktisura dhe për shkak të mungesës së infrastrukturës edhe aktiviteti i prerjeve të pyjeve ka rënë.

Zjarret “shuajnë” pyjet

Kalimi i rreth 73 për qind të fondit pyjor nën administrimin e bashkive u konsiderua hap i duhur për mirëadministrimin dhe kontrollin më të madh mbi pyjet. Megjithatë, mungesa e të ardhurave buxhetore, nga bashki të vogla, ka bërë që të mos investohet si në rigjenerimin e pyjeve, ashtu edhe në mbrojtjen e tyre. “Zjarret në pyje mbeten një problem dhe çdo vit humbasim mesatarisht 2000 ha pyje”, thotë profesor Toromani. Gjithashtu një tjetër fenomen që ka ndikuar në shkatërrimin e shumë zonave me pyje të larta Toromani sheh edhe aktivitetin minerar dhe prerjet e paligjshme. “Problem tjetër janë dëmtimet që vijnë në zonat pyjore nga zhvillimi aktivitetit minerar në këto toka. Shqetësues është fakti në Bulqizë dhe Kukës. Ndër zonat më të dëmtuara ku pyjet e larta janë shndërruar në sipërfaqe me bimësi pyjore janë zonat pyjore në Fushë-Arrëz, Kukës, Pukë, Burrel dhe Korçë”, shprehet Toromani.

Propozimet

Ai sugjeron se për rehabilitimin e fondit pyjor duhet alokimi i fondeve të dedikuar për pyllëzimet çdo vit; ngritja e fidanishteve pyjore në vend; hartimin e një dokumenti strategjik për rimëkëmbjen e pyjeve në 10 vitet e ardhshme; forcimi i kuadrit ligjor për dëmtuesit e pyjeve; mbështetja logjistike e stafit të pyjeve për të rritur aftësinë për monitorimin dhe kontrollin e territorit dhe përdorimi i teknikave të remote-sensing për monitorimin dhe paralajmërimin e zjarreve në peizazhet pyjore.

Përfundimi

Moratoriumi 10-vjeçar që ndalon eksportin e lëndëve drusore nga Shqipëria, shtimi i fondit për investim në pyje, apo për mbrojtjen ndaj zjarrit nuk ka sjellë impaktin e duhur, duke e kategorizuar një premtim të pambajtur. Prerjet pa kriter të pyjeve që përdoren si dru zjarri dhe material ndërtimi në vendin tonë ka ndikuar në uljen e dendësisë së pyjeve, çka konstatohet edhe nga raportet vjetore të monitorimit.

The post Shpyllëzimi i heshtur nga prerjet e paligjshme, zjarret, minierat dhe harresa   appeared first on Faktoje.al.

Gjuha që lëndon, si po shkelet etika në fushatë  

By: FAKTOJE
23 April 2025 at 17:00

Nga Sebi Alla– “Burra çyryk”; “njerëz me lesh”; “klikoni Edi Rama nudo”; “Është ndarë nga burri? Po atë zgjidh, se ajo është për ne”; “kush rend pas kënetës do të thotë që nuk je mirë nga trutë dhe politikisht je autik”. Këto shprehje në intensitete takimesh u përdorën dendur nga kreu i qeverisë, Edi Rama, në fushatë elektorale, pavarësisht reagimeve. Në shpërthimin e zgjatur, kryeministri Edi Rama lëshoi disa fraza të konsideruara fyese, bullizuese, diskriminuese gjinore, stigmatizuese për personat me aftësi ndryshe dhe seksiste. “Këto deklarata dhe taktika rrezikojnë të nxisin polarizim dhe armiqësi mes elektoratit”, konstaton për Faktoje.al, Edlira Çepani, drejtuese e organizatës “Barazi në Vendimmarrje”

Kodi i Etikës

Ne foto: Partite qe firmosen me 25 Mars ne KQZ per Kodin e Etikes

Më 25 mars të këtij viti, gjashtë parti politike, përfshirë PS-në dhe PD-në, përkatësisht dy përfaqësuesit e tyre, Toni Gogu dhe Albana Vokshi, ishin nënshkruese të Kodit të Etikës në fushatë elektorale. Ky Kod u hartua nga KQZ në bashkëpunim me Institutin Demokratik Amerikan (NDI), Institutin Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore (International IDEA) dhe Qendrën e Sundimit të Ligjit në Universitetin e Helsinkit. Në pikën tre të Kodit, përcaktohet se palët: “Të nxisin një diskurs politik gjithëpërfshirës, pjesëmarrje dhe kontribut në procese zgjedhore të sigurta, veçanërisht:

a. duke mos prodhuar, duke mos përdorur ose duke mos shpërndarë deklarata dhe paragjykime diskriminuese ndaj grupeve të caktuara për shkak të gjinisë, origjinës racore ose etnike, fesë, besimit, aftësisë së kufizuar, moshës ose orientimit seksual”.

Agresivitet verbal i shtuar

Por ndryshe nga firmat fushata po kap kulmin me agresivitet verbal. Fillimisht Rama “shëtiti si batutë” shprehjen “burrat janë çyryk”, në kuptimin e fjalës shqip, (ndër të tjera edhe ‘i metë nga trutë’). Ligjërimi politik vijoi gjatë duke shpjeguar se të gjithë burrat që shkojnë sipas tij pas “bufit të kënetës” (i referohet kryetarit të PD-së Sali Berisha), janë çyryk. “Si kundërpërgjigje për deklaratat minimalisht jo etike, reagoi kryetari i PD-së Sali Berisha, i cili duke kërkuar “etikë” tek kundërshtari, nuk u përmbajt me etiketimet jo etike ndaj Ramës. “Nuk do e kishe kaluar Qafën e Buallit, pa të të tredhur”, tha Berisha. Ndërsa palët shkëmbenin deklarata agresive, kryeministri Rama kalon në një gafë të rëndë politike, e cila prek personat me aftësi të veçanta të spektrit autik, prindër dhe të afërm të tyre. “Kush shkon pas kënetës është autik politik”, tha Rama.

Ne foto: Kryeministri Edi Rama

Ndjesa

Një qëndrim publik i mbajtur paraditen e së martës, dhe në darkë vonë të së njëjtës ditë, kreu i qeverisë i informuar për reagimet e shumta të qytetarëve, veçanërisht të prindërve me fëmijë autik, kërkoi falje për fjalën e përdorur. “Krejt pa dashje sot kam cënuar fëmijët autik dhe kam lënduar prindërit e tyre duke folur për autizëm politik dhe më doli sot krejt padashje, por ja u desh të gaboja dhe pastaj të mësoja, prej vitesh është e papërshtatshme dhe në fakt me plot të drejtë”, tha Rama në një video-mesazh.

Reagimi

“Në emër të djalit tim nuk do hesht… Kur dëgjoj një kryeshërbëtor të përdorë fjalën ‘autik’ si fyerje, ndjej dhimbje, revoltë dhe turp. Jo për veten time, por për një shoqëri që ende toleron një gjuhë që poshtëron më të ndjeshmit mes nesh. Nuk është thjesht një ‘gabim retorik’. Është përçmim”, reagoi në rrjetet sociale Brixhida Muça (Masha), nëna e një djali me spektër autik. Po ashtu edhe shumë prindër të tjerë në forma të ndryshme shprehën revoltë.

Monitorimi

“Gjatë monitorimit është vërejtur përdorimi i termave dhe epiteteve ofenduese dhe jo etike, nga disa prej partive që garojnë në zgjedhjet e 2025, si dhe përdorimi e përmbajtjeve të gjeneruara me inteligjencë artificiale, përfshirë imazhe të manipuluara digjitalisht, duke krijuar një problematikë të përhapjes së dezinformimit, mungesës së etikës, por mbi të gjitha uljen e nivelit të debatit publik, duke mos bërë një debat programesh dhe vizionesh elektorale të cilat në fakt u duhen votuesve”, konstaton drejtuesja e organizatës “Barazi në Vendimmarrje”, Edlira Çepani.

Shkelja

Edlira Çepani vëren se Kodi Etik i firmosur nga partitë është shkelur.  “Në lidhje me standardet etike, është e qartë se këto veprime shkelin Kodin e Sjelljes të miratuar nga të gjitha partitë politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), vetëm para pak javësh. Ky Kod nënvizon përdorimin e një gjuhe të respektueshme, ndjeshmërinë gjinore dhe përgjegjësinë për të organizuar një fushatë të lirë nga gjuha e urrejtjes dhe sulmet personale”, thotë Çepani. Edhe Premto Gogo, drejtues i organizatës së monitorimit të zgjedhjeve KRIIK Albania, i cilëson deklaratat publike të disa prej drejtuesve të forcave politike si shkelje të Kodit të Etikës, i miratuar nga gjashtë subjekte politike, përfshi PS-në dhe PD-në, pak javë më parë në KQZ.

“Si organizatë këmbëngulëm të kishte një Kod Etik përgjatë fushatës elektorale, por ajo që konstatoj është shkelje e hapur deri në këto momente”, thotë Gogo për Faktoje.al

Ngërçi

Kreu i KRIIK Albania, thekson se pavarësisht se është shkelur hapur Kodi i Etikës i nënshkruar nga gjashtë subjekte kryesore politike, nuk ka hapësirë për masa administrative. “Është një Kod Etik që u nënshkrua si angazhim nga palët për një fushatë të qetë, pa anatemuar shtresa shoqërore, apo përdorim të formave të ndryshme digjitale dhe veçanërisht të IA-së në dëm të kundërshtarëve, por mbetet po në kuadrin etik”, thotë Gogo.

Kodi

Faktoje.al ka mësuar se fillimisht është tentuar që ky Kod të kishte fuqi detyruese zbatuese dhe në rast shkeljeje të vendoseshin “masa administrative”, ku rol vendimtar do kishte KQZ-ja, mirëpo kjo nismë nuk është pranuar nga palët politike.   

AMA jashtë “loje”

Deklaratat politike që cenojnë shtresa dhe kategori të ndryshme të shoqërisë dhe stigmatizime janë thuajse në çdo media Audio Vizive. Autoriteti i Mediave Audiovizive e cila monitoron edhe fushatat zgjedhore do të duhet t’i “detyronin” televizionet që të mos transmetonin mesazhe që cënojnë shoqërinë, shfaqin agresivitet, apo përbëjnë element që cenojnë të miturit. Në rastin konkret të “agresivitetit verbal politik”, AMA duket e dorëzuar. Shumica e qëndrimeve publike të drejtuesve politik transmetohen drejtpërdrejt “live” dhe çdo qëndrim që bie ndesh me etikën është i vështirë të parandalohet dhe aq më shumë të detyrohet media të mos i transmetojë kur eventet politike janë live. 

Përfundim

Për sa më sipër, angazhimin e partive politike për të përcjellë  një gjuhë etike në fushatë do ta kategorizojmë premtim të pambajtur.

The post Gjuha që lëndon, si po shkelet etika në fushatë   appeared first on Faktoje.al.

Paga minimale si kartë elektorale

21 April 2025 at 14:00

Në prill të vitit 2023, një muaj para zgjedhjeve vendorepaga minimale në Shqipëri u rrit nga 34 mijë lekë në 40 mijë lekë. Asokohe, kryeministri Edi Rama premtoi se kjo nuk do të ishte rritja e fundit për pagën minimale. Sipas tij, paga minimale do të rritej me 5 mijë lekë pranverën e këtij viti.

“Në fund të prillit 2025 paga minimale do jetë 45 mijë lekë…” premtoi kryeministri Edi Rama në mars të 2023-it. 

Fakt 

Dy vite pas premtimit, paga minimale në Shqipëri rezulton 40 mijë lekë. Rritja e saj nuk ndodhi sikurse u premtua. Por u riciklua sërish në prag të zgjedhjeve parlamentare me një ndryshim- këtë herë kryeministri angazhohen që pagën minimale ta rrisë në 500 euro.

Gjatë prezantimit të programit të Partisë Socialiste ‘Shqipëria 2030’ për zgjedhjet e 11 majit, kryesocialisti Rama tha:

“Nga janari 2026 (…) paga minimale do të jetë 500 euro” premtoi ai, pa dhënë asnjë llogari për mospërmbushjen e premtimit të ngjashëm dhënë dy vitë më parë.

“Për të mbështetur punonjësit që do të përfitojnë nga kjo rritje e shpejtë e pagës minimale, sipërmarrësit do të jenë detyruar të rrisin pagën minimale, por ne do t’u japim një lehtësi që gjatë 18 muajve pas pagës së parë, shteti atyre nuk do t’u kërkojë asnjë detyrim tatimor mbi shtesën prej 100 eurosh”, shtoi më tej Rama.

Të dhënat e fundit nga INSTAT tregojnë se nga totali i të punësuarve që paguajnë sigurime shoqërore, 24,5% e tyre kanë page minimale 40 mijë lekë.

Vendim politik

Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë dhe analist fiskal tek Albanian Tax-Economic Center – ALTAX, thotë se paga minimale në Shqipëri përcaktohet si një vendim politik që nuk përputhet me situatën e vërtetë ekonomike.

“Kur politikat e pagave minimale, dhe politikat ekonomike në përgjithësi, nuk përputhen me realitetin e tregut, ato krijojnë probleme gjatë zbatimit dhe nuk u përgjigjen nevojave të njerëzve”, shpjegon ai për Faktoje.al.

Nga ana tjetër, Alban Zusi që drejton Qendrën Shqiptare të Eksportuesve thotë se bizneset eksportuese e kanë rritur pagën minimale për shkak të mjedisit të sforcuar ku operojnë.

“Ajo çfarë do të duhej është që qeveria të heq TAP-in mbi këtë pagë. Pavarësisht se ne i japim më shumë pagë minimale, punonjësit marrin më pak lekë sepse shteti takson”, sugjeron Zusi.

Të fundit në rajon dhe Evropë 

Ndonëse dekadën e fundit paga minimale është rritur 6 herë, sërish Shqipëria mbetet e fundit në rajon sa i përket nivelit të kësaj page. 

Mali i Zi mban vendin e parë me 670 euro, më tej vjen Serbia me 618 euro dhe Maqedonia e Veriut me 540 euro. Në Bosnje Hercegovinë oaga minimale rezulton 510 euro në muaj. 

Po ashtu, Shqipëria renditet e fundit në Evropë për nivelin e pagës minimale sipas fuqisë blerëse. 

Të dhënat nga Eurostat, tregojnë se çmimet në Shqipëri janë ndër më të lartat në rajon. Po ashtu shumë produkte kushtojnë dhe më shtrenjtë se në Evropë por fuqia blerëse mbetet e ulët, duke e renditur Shqipërinë të fundit në listë.

Përfundim 

Nisur nga verifikimi i kryer, premtimin e kryeministrit Edi Rama se në fund të prillit 2025 paga minimale do të jetë 45 mijë lekë, do ta kategorizojmë të pambajtur.

The post Paga minimale si kartë elektorale appeared first on Faktoje.al.

Tirana u betonizua në 10 vjet, kullat prekin qiellin

By: FAKTOJE
26 March 2025 at 15:00

Nuk do të ndërtohet më në Tiranë pa u shitur apartamentet që janë bosh, ishte premtimi i Erjon Veliaj në vitin 2015, kohë kur u zgjodh kryebashkiak i Tiranës. Që nga ajo periudhë e deri më sot ndryshimet në kryeqytet janë drastike, jo vetëm me objekte banimi, por edhe me kulla të larta shumëkatëshe.

Albina Hoxhaj

Nuk do të ndërtohet më në Tiranë pa u shitur apartamentet që janë bosh, ishte premtimi i Erjon Veliaj në vitin 2015, kohë kur u zgjodh kryebashkiak i Tiranës.

40 mijë apartamente banimi janë bosh në Tiranë. Ato nuk shiten dhe as nuk jepen me qira. Pavarësisht se apartamente ka dhe po ndërtohen çdo ditë ende ka banorë pa një çati mbi kokë, kjo për shkak të kostos së lartë e cila është e papërballueshme për qytetarët. Rritja e çmimeve të referencës është një ndër arsyet që çoi në këtë situatë.

Qeveria ndryshoi çmimet referenciale për 32 zonat kadastrale të Tiranës në 2023. Vlera referuese e taksueshme për metër katror u rrit nga 5 e deri në 76%. Më këto ndryshime çmimet në 13 njësitë administrative u rritën nga 29 deri në 73%. Ndikim pati edhe rritja e çmimit të lëndëve të para në ndërtim, megjithatë është e pajustifikueshme që oferta në treg është më e lartë se kërkesa, ndërsa çmimet mbeten të larta. 

Burimi; INSTAT

Luks të blesh një shtëpi

Eureljo Çela ishte vetëm 13 vjeç kur vendosi të largohet nga Shqipëria. Ishin festat e nëntorit dhe ai u largua pa i treguar askujt. Udhëtimi zgjati një javë në këmbë e më pas arriti në Lamia të Greqisë.

“Familja ime nuk dinte asgjë, telefona nuk kishte. Rruga ishte e vështirë. Ishin ditë të ftohta dhe kur u nisa shumë gjëra nuk i dija”, tregon ai. Sot është 37 vjeç është i martuar dhe ka dy djem. Pas shumë viteve punë, ai vendosi të rikthehet në vendin e tij dhe të blejë një shtëpi në Tiranë, por pasi u interesua, pa se kostoja ishte aq e lartë sa nuk mund ta përballonte.

“Doja të jetoja në vendin tim. Të blija një shtëpi e mbase të hapja dhe një dyqan, por kur u interesova  mbeta pa fjalë. E braktisa për herë të dytë këtë vend, por këtë herë përgjithmonë”, thotë ai. 

Me kursimet mund të blinte vetëm një shtëpi 1+1, hapsirë e pamjaftueshme për të, ndërsa për biznesin as që bëhej fjalë. “100 milionë ishte 1+1. Është çmenduri!”, përfundon ai. 

Historia e tij nuk është e vetmja, por ka qindra të ngjashme në vendin tonë, jo vetëm nga emigrantët. Edhe çiftet e reja e kanë mision të pamundur, madje druhen të marrin edhe kredi për të pasur një çati mbi kokë. Gjithë ky kaos me çmimet shkon në raport të zhdrejtë me ndërtimet e reja që po kryhen ku oferta është shumë më e madhe se kërkesa. 

Lejet nuk kanë fund

Që nga 2015 lejet e ndërtimit kanë njohur rritje vit pas viti duke kulmuar në vitin 2022 ku ndërtimi i kaloi 1.8 milionë metra katrorë për ndërtim. Rekordi u shënua në tremujorin e dytë kur u dha leje ndërtimi për një sipërfaqe prej 800 metrash katrorë. Ndërtimet vijuan edhe më tej në vitet 2023 dhe 2024.

IV – 23I – 24II – 24III – 24IV-24 
Tiranë 430.169231.968666.672684.845348.642

Ndërtimet në Tiranë në tremujorin e katër të 2023 dhe gjatë gjithë vitit 2024 e shprehur në metër katrorë

“Lulëzojnë” kullat shumëkatëshe

kryeqytet nisi një tjëtër fazë, ajo e ndërtimit të kullave shumëkatëshe lejet për të cilat u dhanë nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Duket se projektet janë hartuar me shpejtësi dhe në çdo mbledhje të KKT-së janë aprovuar lejet e ndërtimit. Me sy të lirë e shohim që sot Tirana ngjan me një “pyll betoni”.

Këshilli Kombëtar i Territorit, ka miratuar disa leje ndërtimi për kulla shumëkatëshe në çdo skaj, disa kanë nisur të ndërtohen ndërsa të tjerat ende jo. Vetëm në qëndër të Tiranës do të ndërtohen disa kulla. Po ashtu, në rrugën “Dritan Hoxha” do të ndërtohen kullat më të larta me 44 kate dhe 55 kate. Një tjetër vendim nga Këshilli Kombëtar i Territorit pritet për të vijuar ndërtimi i “Tulipanit të Tiranës”, një tjetër kullë 40 kate të lartë, me sipërfaqe ndërtimi rreth 35 mijë metra katrorë në afërsi të ish stadiumit “Dinamo”, pranë Fakultetit të Inxhinierisë. Këto janë vetëm disa nga ndërtesat që pritet t’i shtohen kryeqytetit, lista është e gjatë. (Vendimet e KKT, lista e kullave) Ka një plan të miratuar, i cili përfundon në vitin 2030, por duket se ky plan nuk i ka shërbyer Tiranës. 

157-fishohen të ardhurat në Bashkinë e Tiranës

SPAK e akuzon kryetarin e Bashkisë erjon Veliaj për veprat penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, në 9 raste si dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, rëndojnë akuzat korrupsion pasiv, pastrim parash e fshehje pasurie. Po ashtu 5 biznesmenë akuzohen nga SPAK për veprën penale korrupsion aktiv, pasi sipas Prokurorisë së Posaçme i kanë dhënë ryshfet Veliajt për të marrë fonde publike dhe leje ndërtimi.

Pas arrestimit të Veliajt kryeministri Edi Rama u paraqit menjëherë në bashki. Kreu i qeverisë zhvilloi një mbledhje në sheshin “Skënderbej” me punonjësit e bashkisë me 20 shkurt, ku ndër të tjera u ndal edhe tek lejet e ndërtimit. Sipas Ramës kjo është një akuzë e ngritur ndaj Veliajt pa prova. 

Lejet e ndërtimi nuk janë privilegje, favore që i bën kryetari i bashkisë, janë të drejta zhvillimi të pronarëve e investitorëve së bashku. Cilido që akuzon për ryshfet në dhënien e lejeve të ndërtimit pa prova, thjesht ose e ka bërë vetë, ose do ta bënte vetë po ta kishte në dorë”, tha Rama.

“…edhe kur shohin kulla të njëjtën gjë mendojnë. Vetëm se sa përqindje merret nga këto leje ndërtimi”, vijoi Rama duke treguar se vetëm nga taksa e ndërtimit në 10 vitet e fundit të ardhurat në arkën e bashkisë janë shumëfishuar.

“Në 10 vitet e fundit, të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, janë rritur 9-fish. Kanë qenë 30 mln euro kur Bashkia gërhiste, vjet 271 mln euro të ardhura. ”.

Faktoje ju drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës, pët t’i kërkuar informacion lidhur me lejet e ndërtimit që janë dhënë gjatë 10 viteve të fundit. E-maili u dërgua me 7 mars, u protokollua me 10 mars, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk morëm asnjë përgjigje.

Kërkesa për inormacion drejtuar Bashkisë Tiranë

‘Tirana ka një tufë letrash, por nuk ka plan

Urbanistët i shohin me shqetësim ndërtimet pa kriter në Tiranë. Gentian Kaprata thotë se sipërfaqja e ndërtimit është 5-fishuar nëse e krahasojmë me vitet 90′.

“Në Tiranën e pas vitit 2015 janë dhënë mbi 10 mln metër katrore ndërtim për banim, që janë jashtëzakonisht shumë. Për ta kuptuar sa shumë mjafton të themi që në vitin 1990 në Tiranë kishte rreth 2 mln metër katrorë për banim. Pra vetëm në 8 vitet e fundit Tirana e ka 5-fishuar, ose i ka shtuar edhe 5 herë më shumë sesa kishte në vitin 90, kohë kur në Tiranë numëroheshin ndërtime që nga viti 1800 e deri në kohën e socializmit”. 

Kullat sjellin zhvillim. Ky është një argument i sjellë shpesh herë në vëmendjen e qytetarëve duke nënkuptuar se kjo është një e mirë që i bëhet vendit. Por për urbanistin kjo nuk është e vërtetë.

“Kullat janë ndërtesa dhe ndërtesat nuk mund të sjellin zhvillim. Zhvillim sjell sipërmarrja njerëzit, punë e tyre iniciativat e reja, zgjerimi i iniciativave të ndryshme ekonomike por jo kullat.kullat janë një tipologji e re ndërtimi shumë e gabuar për Tiranën për shumë arsye”.

Lidhur me planin urbanistik, Kaprta thotë se juridikisht Tirana e ka një plan, por ai është thjesht në letër.

“Sigurisht Tirana ka një plan juridik, pra ka një tufë letrash të llojeve të ndryshme nga tabakët e mëdhenj deri te formati A4, të cilat juridikisht konsiderohen, janë miratuar në KKT, në institucionin më të lartë të shtetit në lidhje me planifikimin dhe zhvillimin e planifikuar, por që nuk kanë asnjë vlerë. ”, thotë ai.

Nëse merren në shqyrtim shifrat, raporti i banorëve që jetojnë në kryeqytet me sipërfaqen e ndërtimit rezultojnë të dhëna alarmante.

“Në 2017 e mbrapa Tiranës i janë shtuar 10 mln metër katrorë ndërtime, 250 metër katror për çdo banorë të ri të ardhur në Tiranë, një shifër e jashtëzakonshme, jo normale. Mesatarja e banimit në europë është rreth 30 metër katror”, nënvizon ai.

Sipas tij, duhet shtuar edhe fakti që Tirana e madhe është shtuar me 40 mijë banorë, por Tirana e parë para reformës territorial është zvogëluar me 29 mijë banorë çka e thellon akoma më shumë këtë bum të madh ndërtimor totalisht të pajustifikuar në kuptimin e saj të parë.

“Ndërtimi në Tiranë nuk është për arsye strehimi apo zhvillimi, ndërtimi në Tiranë është për të pastruar parat e krimit të organizuar, për t’i parkuar këto para. Krimi i organizuar shtetëror apo privat do vende ku t’i parkojë paratë se s’do t’i ketë kesh dhe nuk mund t’i çojë nëpër banka, i kthen ne apartamente, dyqane”, argumenton urbanisti.

Ndërkohë që oferta rritet, kërkesa zvogëlohet në të gjitha aspektet ç’ka tregon se ka diçka që nuk shkon, pasi nuk ka logjikë ekonomike.

“Rritja e popullsisë kërkon rritjen e hapsirave, por edhe rritja e mirëqënies, nuk ndodh në Shqipëri. Në Shqipëri është tejkaluar prej kohësh ai minimum i hapsirave që i duhet një personi për të banuar ose për të kryer aktivitete të tjera jetësore”, përfundon Kaprata.

Në ndërtim u “parkuan” paratë e pista, s’ka zhvillim

Për ekspertin e ekonomisë Zef Preçi rritja e sipërfaqeve të ndërtimit në Tiranë është rezultat i një sërë faktorësh.

“Duhet parë si rezultante e një numri faktorësh të tillë si: të ardhurat informale dhe kriminale kryesisht nga kanabizimi në fillim dhe më vonë edhe nga trafiqet ndërkombëtare të drogës, akumulimi i kapitaleve nga biznesi, shtimi i përfitimeve korruptive nga elita politike qeverisëse, nevojat e ligjshme të familjeve për më shumë sipërfaqe banimi, etj”, thotë ai.

Por jo vetëm kaq, ekonomisti shikon edhe element të tjerë të cilët ngrenë pikëpyetje të mëdha.

“Artikulimi më shumë se një herë nga kryeministri Rama i amnistise fiskale, të aseteve dhe asaj penale, gjë që në të vërtetë ka ndodhur, mungesa e vizionit për zhvillimin dhe shkelja e përcaktimeve në planet e përgjithshme të zhvillimit urban sidomos në Tiranë, një numër aktesh ligjore të dyshimta siç janë ato për investimet strategjike, turizmin, etj. në thelb kanë cënuar rëndë edhe sigurinë juridike të pronës në tërësi.”

Teoritë ekonomike në lidhje me çmimet ofrojnë vetëm një shpjegim të gjithëpranuar: raportin midis kërkesës dhe ofertës. Nëse, shohim rezultatet e Censit 2023, Shqipëria rezulton se vendi ka 2 milionë e 412 mijë banorë, pra popullsia është tkurrur me 409 mijë në krahasim me 2011. Ky faktor nuk shihet kurrsesi si nxitje për shtimin në disa tetë apo nëntë milionë metra katrore sipërfaqe ndërtimi në Tiranë prej asaj kohe.

Po kështu, në vitin 2023, numri i banesave vetëm për qëllime banimi, (jo për biznes etj.) ishte 1,082,529 me rritje 7.4% nga viti 2011. Të dhënat e detajuara për popullsinë dhe banesat në Bashkinë e Tiranës tregojnë për zhvendosje të mëdha të popullsisë nga qyteti në ish-komuna dhe në fshat. Pakësimi i popullsisë në kufijtë e bashkisë së qytetit ka qenë në zhvillim të kundërt me volumet e larta të ndërtimit brenda qytetit me kulla dhe komplekse pallatesh.

“Kërkesat e qytetarëve dhe bizneseve janë plotësuar hap mbas hapi dhe nuk ekziston një kërkesë aq e madhe sa të imponojë një rritje kaq të madhe të çmimeve e aq më pak mbetjen e tyre në këto nivele që janë sot. Gjatë kësaj periudhe është zhvilluar një garë e heshtur midis biznesit, krimit të organizuar me elitën politike qeverisëse për pushtimin e tokave dhe trojeve. E gjithë kjo ka si rezultat të saj çmimet e rritura dhe pa lidhjen dhe kushtëzimin e duhur me koston e ndërtimit, tatim-taksat përkatëse dhe kërkesë – ofertën në terësi.”

Ndikimi i këtij pozitiv i këtij sektori në ekonomi ndodh kur politikat janë të qarta dhe hapat që ndërmerren nuk thyejnë rregullat e tregut siç është raporti kërkesë-ofertë.

“Sektori i ndërtimit është i madh, ka një lidhje të fortë me industri të tjera, ai është një sektor kyç që mund të ndikojë në zhvillimin ekonomik. Por kjo ndodh kur politikat shtetërore synojnë zhvillimin e infrastrukturës në lidhje me sektorin e shëndetësisë, transportit, arsimit, etj. dhe nuk janë mundësi thjesht për pompimin e parave të pista në ekonomi dhe për parkimin e tyre me qëllim legjitimimin në periudhat e ardhshme.” 

Ish-prokurori: Nga arat me kanabis në sheshet e ndërtimit

Dyshime për pastrimin e parave në këtë sektor janë hedhur edhe nga ish-prokurori Eugen Beçi.

“Informaliteti korrupsioni janë bërë një dhe e kanë bërë më të lehtë këtë aktivitet kriminal. Fakti që prej vitesh shtohen ndërtimet dhe shtohen bisnesmenët e kësaj fushe, duke e ndërthurur me të shkuarën e tyre e kupton lehtë, që nga arat me kanabis kanë mbërritur në sheshet e ndërtimit. Po ata njerëz, kontigjent për trafik narkotikësh thjesht kanë marrë emrin e ndërtuesit”.

Në këtë situatë alarmante a duhet të ishin kryer hetime apo është e vështirë të hetohet aktiviteti kriminal? Ish prokurori thotë se çështja është komplekse.

“Në të vërtetë hetimi pasuror që është mekanizmi kryesor i luftës kundër pastrimit të produkteve kriminale, nuk është se ka patur të njëjtin ritëm me hetimet penale klasike. Kjo për shumë arsye. Mbi të gjitha për faktin se korrupsioni i lartë dhe inkriminimi i shumë mekanizmave e subjekteve të administratës e pengon efikasitetin në këto hetime. Por duhet thënë se dy vitet e fundit sekuestrimet nga Spak janë rritur shumë dhe kjo është një shenjë positive”.

Për të kuptuar një shifër se sa para mund të jenë pastruar në këtë sektor, Beçi bën një llogaritje të thjeshtë.

“Të dhënat për sektorin e ndërtimit tregojnë se ai bashkë me aktivitetin e pasurive të patundshme zënë 15% të ekonomisë, ose 3.7 miliard euro. Psh në vitin 2023 për ndërtimin si sektor dhe për blerjet e banesave bankat kanë dhënë 847 milionë euro, 2.8 miliardë euro nuk dihet kanë dalë, kur dhe depozitat bankare janë në rritje. Pra thjeshtë fare ky 2.8 miliardësh logjikisht është prej trafiqeve e prej korrupsionit si dy veprimtari që nuk rrinë dot në këmbë pa njëra-tjetrën.”

Ndërkombëtarët: Në ndërtim pastrohen para

Raporti “Flukset financiare të paligjshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut”, një publikim i “Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar” (Global Initiative against Transnational Organized Crime) dhe i financuar nga projekti gjerman GIZ dhe Ministria e Jashtme Norvegjeze nxjerr në pah të dhëna tronditëse. Sipas këtij raporti rreth 60% e firmave të ndërtimit që kanë marrë leje në periudhën 2017-2019 në kryeqytet nuk justifikojnë burimet e tyre financiare. Vlerësohet se për këtë periudhë 3-vjeçare janë pastruar në ndërtim rreth 1.6 miliardë euro. Nga 141 kompani që kanë marrë leje ndërtimi për ndërtesa më të larta sesa 6 kate, 59% e tyre nuk kishin kapacitetet financiare për t’i përfunduar ato. 

Edhe në raportin e fundit të DASH specifikohet se paratë e drogës pastrohen në sektorin e ndërtimit në Shqipëri. “Rrjetet kriminale shqiptare kanë qasje të drejtpërdrejtë tek prodhimi i kokainës në Amerikën e Jugut dhe rrjetet e trafikimit që e sjellin kokainën në Evropë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ata përdorin ekonominë shqiptare, veçanërisht sektorin e ndërtimit, për të pastruar të ardhurat dhe kontribuojnë në korrupsion”, thuhet ndër të tjera në raport.

The post Tirana u betonizua në 10 vjet, kullat prekin qiellin appeared first on Faktoje.al.

Politikë me legalizimet, 124 193 leje në vitet zgjedhore

By: FAKTOJE
18 March 2025 at 14:00

Nga Sebi Alla – Legalizimi i banesave informale, një premtim po aq i vjetër sa vetë ndërtimet pa leje në vendin tonë, vijon të mbetet peng për interesa politike. Të dhënat zyrtare të siguruara nga Faktoje.al, që nga nisja e procesit të legalizimeve në vitin 2006 dhe deri më tani, tregojnë se legalizimet u përdorën si mjet i rëndësishëm për mbështetje politike, sidomos në fushata zgjedhore, qendrore dhe lokale.

Në vitin 2013, kryeministri Edi Rama premtoi jo vetëm legalizime falas të shtëpive, por edhe mbyllje të procesit brenda mandatit të parë të qeverisë. Madje, vetë Rama u shpreh se, do të ishte përgjegjës për ecurinë e procesit të legalizimeve. “Dëshiroj që ky zotim i firmosur prej meje të vendoset këtu diku në sy të gjithëve, dhe vlerësimin ta japin pas 4 vitesh mbi bazën e këtij zotimi”, tha atëkohë Rama

Përfitime elektorale

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike (por edhe LSI kur ishte në pushtet), e kanë përdorur procesin e pajisjes me dokumentacion pronësie të banesave informale jo vetëm si premtim elektoral, por edhe mënyrë për të siguruar vota, duke lëshuar dorën në dhënien e lejeve të legalizimit kryesisht katër muajt e fundit të datës së zgjedhjeve.

Eksperti i çështjeve zgjedhore, njëkohësisht edhe drejtues i organizatës së monitorimit të zgjedhjeve KRIIK Albania, Premto Gogo, në një reagim për Faktoje sugjeron se ky fenomen është i përhapur përgjatë fushatave duke “drejtuar apo detyruar votën qytetare” drejt subjektit në pushtet. “Për fat të keq, fenomeni në rritje i shpërdorimit të burimeve publike dhe i veprimtarisë shtetërore për të krijuar avantazh elektoral në favor të një partie politike e ka përdorur dhe e përdor procesin e legalizimit si ndër praktikat kryesore për të orientuar, drejtuar apo edhe detyruar votën e qytetarëve”, thotë Gogo.

Ndërsa zgjedhjet afrojnë, drejtues të pushtetit qendror dhe atij lokal, kanë shkelur haptas Kodin Elektoral, i cili ndalon reklamimin, publikimin dhe dhënien fizike të dokumenteve të pronësisë përgjatë fushatave elektorale

Në qershorin e vitit të kaluar, kryeministri Edi Rama pak javë para se të mbaheshin zgjedhjet e pjesshme lokale në Himarë, krah kandidatit të PS-së Vangjel Tavo, mbante edhe një numër të konsiderueshëm ‘certifikata pronësie’ të banesave. “…Sot janë 789 certifikata. Në të gjithë qarkun e Vlorës është një numër rreth 4 mijë e 200 apo 300, me këto të sotmet të cilat një pjesë do t’i shpërndajmë këtu dhe këtë shpërndarje fizike këtu, ne e bëjmë edhe për të sensibilizuar të tjerët që të aplikojnë”, tha kryeministri Rama.

Për 34 vite, shumë nga banorët e Dhërmiut nuk kishin mundur të siguronin certifikatë pronësie të banesës dhe truallit, por u desh një fushatë e ethshme zgjedhjesh lokale (për të rimarrë drejtimin PS) që të merrnin nga duart e kryeministrit dokumentin e mbajtur “peng” për tre dekada

Përgjatë fushatës në Himarë në të paktën tre raste, kreu i qeverisë shpërndau vetë lejet e legalizimit të banesave, duke u kërkuar njëkohësisht banorëve që të votonin kandidatin e PS-së Vangjel Tavo. “Rritja e dhënies së lejeve të legalizimit pikërisht në vitet zgjedhore është fakti më kokëfortë i cili vërteton në shifra më së miri këtë fenomen, ndërsa pranohet tashmë gjerësisht bërja praktikë e përdorimit të këtij procesi edhe për përfitime elektorale prej të gjitha forcave politike që kanë emëruar apo drejtuar organet shtetërore kompetente për administrimin e procesin e legalizimit në tërë këto vite”, thotë kreu i KRIIK Albania, Premto Gogo.

Foto nga Tirana

Vitet zgjedhore, legalizime dhe vota

Një raport statistikor i ASHK-së (Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ish-ALUIZN-I ‘Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale’) i siguruar nga Faktoje.al, tregon se nga viti 2006 dhe deri në vitin 2013 janë hapur dy herë aplikimet për legalizimin e banesave informale. Numri total nga aplikimet e grumbulluara përfshin 323,082 objekte në të gjithë Shqipërinë. Mirëpo pas vitit 2013 ka pasur të tjera hapje procesesh, çka nënkupton se ndërtimet pa leje kanë vijuar dhe një pjesë e tyre edhe jashtë afateve të aplikimit janë përfshirë në proces legalizimi.

Rezulton se rreth 94 mijë objekte ose 29% e totalit të aplikimeve janë klasifikuar të palegalizueshme, por fati i tyre mbetet ende i paqartë

“Duhet pasur parasysh se për shkak të disa fushatave të vetëdeklarimeve, ka një numër dublikimesh në vetdeklarime (i njëjti objekt i deklaruar disa herë që shkon nga 20-30% të vetëdeklarimeve). Gjithashtu, në vetëdeklarime janë përfshirë edhe një numër objektesh të cilat nuk mund të përfshihen në legalizim për shkak të kohës së ndërtimit të tyre. Kjo shifër varion nga 7-10% të vetëdeklarimeve. Si rezultat për të arritur në shifrën reale të ndërtimeve pa leje, nga numri i vetëdeklarimeve duhen zbritur dy kategoritë e mësipërme. Përfundimisht, rezulton që numri real i ndërtimeve pa leje të futura në proces legalizimi, në periudhën 2006-2015, është 320.000 objektethuhet në raportin e Kadastrës Shqiptare të paraqitur në Parlament nga ish-kreu i kësaj agjencie Artan Lame.

Pas procesit të vetdeklarimit dhe monitorimit në terren të objekteve pa leje që kanë aplikuar për legalizim, rezulton se rreth 94 mijë objekte ose 29% e totalit të aplikimeve janë klasifikuar të palegalizueshme, por fati i tyre mbetet ende i paqartë, pasi në periudha të ndryshme janë dhënë dokumente pronësie për një pjesë objektesh, ndonëse janë në “hartën e kuqe”, si të përjashtuara nga legalizimi.

Një pjesë e objekteve rezultuan se ishin ndërtuar në zonat bregdetare pranë brezit ranor, ndërsa të tjerë buzë lumenjve, pranë kolektorëve, hidrovorëve ose në zona të përcaktuara për vepra publike për të cilët ekzistonin plane urbanistike të miratuara, para se të ngriheshin objektet informale. Këto janë të dhënat zyrtare dhe të vetmet që janë servirur nga ASHK.

Burime nga ASHK konfirmuan për Faktoje se edhe sot (2025) shifrat vërtiten sa më sipër pa ndonjë ndryshim të konsiderueshëm në numër

Ndonëse procesi i legalizimeve paraqet kompleksitet në hartimin, dokumentimit dhe më pas legalizimin, politika e ka shfrytëzuar këtë fenomen për të përfituar vota. Faktet po i mbështesim në të dhënat zyrtare.

(Shënim: Në tabelë shifrat e legalizimeve sipas viteve, me ngjyra te theksuara vitet elektorale)

Statistikat

Faktoje.al mori në shqyrtim statistikat e dhënies së lejeve të legalizimit të cilat kanë një kurbë rritjeje pikërisht në vitet zgjedhore. Shtatë procese zgjedhore lokale dhe qendrore janë zhvilluar përgjatë harkut kohor 2006-2024.

Legalizimet dhe Berisha

Përgjatë viteve 2006-2009 janë dhënë vetëm 1583 leje legalizimi, në vitin 2010 në të gjithë vendin u dhanë 1821 leje legalizimi, por një vit më vonë, e cila korrespondon me zgjedhjet lokale, jepen 4006 leje legalizimi. Në vitin pasardhës 2012 lëshohen 5769 leje legalizimi, por ky lloj trendi me ngjitje të lehtë grafiku, pëson një kurbë të dukshme rritjeje në vitin 2013, e cila korrespondon me zgjedhjet e përgjithshme Parlamentare, ku jepen 21 750 leje legalizimi.

Pavarësisht numrit relativisht të ulët të lejeve të legalizimit të dhëna përgjatë periudhës 2006-2013, rreth 90% e lejeve të shpërndara gjatë qeverisjes së Berishës i përkasin harkut kohor mes dy fushatave elektorale lokale dhe qendrore të viteve 2011 dhe 2013.

Legalizimet dhe Rama

Pas ndryshimeve politike, në pushtet vjen e majta me kryeministër Edi Rama dhe një nga premtimet kryesore të fushatës elektorale ishte legalizimi falas i banesave. Pas këtij premtimi, rezultoi se falas ishte vetëm hartimi i pjesës së dokumentacionit, ndërsa qytetarët paguan për truallin dhe objektin e ngritur me vlera të ndryshme nga një qark në një tjetër, ndërsa legalizim të plotë falas të objekteve përfituan qytetarët që e kishin ndërtuar banesat në pronën e tyre dhe për këtë dispononin dokumentacion si truall, ose tokë arë. Po jo vetëm. Në vitin 2013, kryeministri Edi Rama premtoi gjithashtu se, procesi i legalizimeve të shtëpive do të mbyllej brenda mandatit të parë të qeverisë dhe se vetë ai do të ishte përgjegjës për ecurinë e procesit të legalizimeve“Dëshiroj që ky zotim i firmosur prej meje të vendoset këtu diku në sy të gjithëve, dhe vlerësimin ta japin pas 4 vitesh mbi bazën e këtij zotimi”

Shifrat

Në vitin 2016 është dhënë numri i madh i lejeve të legalizimit i të gjitha viteve nga nisja e procesit e deri më tani, duke shpërndarë 48 351

Në vitin 2014 jepen 15294 leje legalizimi, një vit më vonë, e cila korrespondon me zgjedhjet lokale nga ALUIZN-i (ASHK-ja e sotme) shpërndahen 24 748. Ndërsa në vitin 2016 është dhënë numri i madh i lejeve të legalizimit i të gjitha viteve nga nisja e procesit e deri më tani, duke shpërndarë 48 351.

Pjesa më e madhe e këtyre lejeve gjatë këtij viti është lëshuar përgjatë tre muajve të fundit të vitit 2016, ose gjashtë muaj para se të mbaheshin zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Ishte viti kur ALUIZNI atë kohë drejtohej nga LSI.  Fluksi i madh i legalizimeve u shoqërua me shumë abuzime. Ka një seri arrestimesh dhe procedimesh të drejtuesve të ALUIZNI-it në rrethe dhe specialistëve të këtij institucioni, përfshi edhe Hipotekat, gjatë viteve 2016, 2017 dhe 2018. Pjesa më e madhe e abuzimeve u krye kryesisht me objektet tregtare si njësi shërbimi, hotele apo edhe banesa të cilësuara si të palegalizueshme në fazën e parë verifikuese.

Praktika e legalizimeve deri në vitin 2021 përfshinte dy institucione ALUIZNI-n, i cili lëshonte lejet, ndërsa Hipotekat regjistronin dokumentacionin dhe i pajisnin qytetarët me certifikata pronësie.

Ndërkohë, në vitin 2017, vit që korrespondon me zgjedhjet e përgjithshme Parlamentare lëshohen 26 451 leje legalizimesh. Në vitin 2018 sërish ka një rritje me 30 151 leje të dhëna. Përjashtim dhe duket se ka arsye është viti 2019. Në këtë vit jepen vetëm 12 018 leje legalizimi në të gjithë vendin. Edhe pse vit elektoral, pasi në qershor u zhvilluan zgjedhjet lokale, numri i lejeve të legalizimit është shumë i ulët. Fakt është që mazhoranca e kishte të siguruar fitoren, pasi opozita bojkotoi zgjedhjet dhe të 61 bashkitë e vendit u fituan nga mazhoranca, duke i kthyer zgjedhjet në një formalitet zyrtar.

ASHK

Megjithatë nga ASHK, në raportin për indikatorët historik, ka një tjetër shpjegim për uljen drastike të lejeve të dhëna në vitin 2019. “Rënia e theksuar e numrit të legalizimeve në vitin 2019, erdhi si pasojë e miratimit në janar të atij viti të një ndryshimi në Ligjin e taksave vendore, që kushtëzonte legalizimin me pagesën paraprake të taksës së ndikimit në infrastrukturë”, thuhet në reagim.

Në vitin 2020, jepen 20991 leje. Një vit më vonë, e cila përkon me zgjedhjet e përgjithshme Parlamentare, në vend lëshohen 25088 leje legalizimi. Kurba bie ndjeshëm një vit pas zgjedhjeve. Për periudhën 2022 nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës jepen 18 872 leje legalizimi. Ky trend vjen në ulje edhe në vitin 2023 me 10 132 leje legalizimi, ndërsa në vitin 2024 janë dhënë 10791, por pjesa më e madhe e tyre në tre muajt e fundit të vitit 2024.

Krim pa ndëshkim

Ligji përcakton qartë se çdo nëpunës i shtetit në ushtrimin e detyrës së tij duhet të jetë i paanshëm dhe të zbatojë me korrektësi, në germë e frymë, vetëm ligjin.  Keqpërdorimi i funksionit shtetëror duke e përdorur pozicionin dhe veprimtarinë shtetërore për qëllime apo favorizime të një subjekti politik apo elektoral është një shkelje e qartë e ligjit, jo vetëm zgjedhor por edhe atij penal. “Në rastin e çertifikatave të pronësisë apo të lejeve të legalizimit, ligji ndalon rreptësisht zyrtarin që në ushtrimin e detyrës së tij për t’i ofruar shërbimin që i takon qytetarit t’i bëjë qoftë edhe një kërkesë në kundërshtim me vullnetin e tij për të marrë pjesë në veprimtarinë zgjedhore të një subjekti zgjedhor, të marrë ose jo pjesë në zgjedhje, të mbështesë ose jo një parti politike ose një kandidat në zgjedhje apo që të votojnë në një mënyrë caktuar. Kjo shkelje adresohet nga ligji penal (neni 328/a i Kodit Penal), i cili parashikon dënim me burg për shkelësin nga një deri në tre vjet”, thotë eksperti i çështjeve zgjedhore, Premto Gogo.

Sipas tij, pranohet që ka raste kur ky shërbim jepet duke e favorizuar qytetarin në ndonjë formë që është në kundërshtim me ligjin. Kjo në këmbim të angazhimit të qytetarit për dhënien e firmës për paraqitjen e një kandidati në zgjedhje, për të votuar në një mënyrë të caktuar, ose për t’u angazhuar në veprimtari të paligjshme në mbështetjen e një kandidati ose partie politike. (korrupsioni pasiv në zgjedhje për të cilën parashikohet dënimi me burg nga një deri në pesë vjet për shkelësin).

“Ky rast është i vështirë që të faktohet e të denoncohet më pas drejt organeve të përkatëse të drejtësisë, pasi ligji penal në një marrëdhënie të tillë ka pasoja ligjore për të dy palët, qoftë ndaj zyrtarit, qoftë ndaj qytetarit. Pikërisht ky rast i veçantë ku ligji shkelet nga të dyja palët, paraqitet qëllimisht në mënyrë të gabuar sikur është përmbajtja e ligjit edhe në rastin e parë, kur qytetarit i takon marrja në mënyrë të rregullt dhe korrekte e lejes së legalizimit dhe çertifikatës së pronësisë, ndërkohë që nuk është kështu”, pohon Gogo.

Kodi Zgjedhor

Nëse do të flitej për periudhën zgjedhore, Kodi Zgjedhor dhe Vendimi 9/2020 i Komisionit Rregullator, përcaktojnë sërish qartë detyrimin për mos-shpërdorimin e autoritetit dhe funksionit shtetëror për të krijuar avantazh elektoral në dobi të një subjekti apo kandidati. Çka do të thotë që sërish zyrtari shtetëror nuk duhet në asnjë rast të kushtëzojë apo krijojë përfitime për qëllime elektorale në këmbim të përmbushjes së detyrës së tij për të pajisur sipas procedurave qytetarin me shërbimin e kërkuar, përfshi këtu edhe lejen e legalizimit dhe çertifikatën e pronësisë. Theksohet se pavarësisht se vendi është në regjim zgjedhor është i natyrshëm vijimi normal i punës prej institucioneve shtetërore përkatëse për të pajisur qytetarët me çertifikatat përkatëse të pronësisë, mjafton që ato të ndiqen sipas të gjitha procedurave dhe kritereve të përcaktuara nga ligji.

Ne foto: Premto Gogo, kreu i KRIIK ALBANIA

 “Ajo që ndalohet gjatë kësaj periudhe lidhur me këtë proces është dhënia e këtyre çertifikatave ndaj qytetarëve në veprimtari publike, çka do të thotë në një veprimtari ku janë ftuar edhe qytetarë ose zyrtarë të tjerë, media, etj. Konsiderohet veprimtari publike që nuk lejohet, edhe rasti kur marrja e çertifikatës së pronësisë së qytetarit bëhet personalisht, por aktiviteti dokumentohet vizivisht me foto ose video dhe shpërndahet në media apo në rrjetet sociale, duke pasur kështu si qëllim informimin e publikut rreth saj”, thotë Gogo.

Shkelja

Edhe pse ligji është dukshëm i qartë, rastet e shpërndarjes së lejeve të legalizimit apo certifikatave të pronësisë për banesat e ndërtuara para viteve 1990,  nga drejtuesit politik, kryeministri, ministra, drejtues lokal apo drejtues të ASHK-së ishte kthyer në rutinë sidomos gjatë fushatave zgjedhore 2015, 2017 dhe 2021.

Rastet e shpërndarjes së lejeve të legalizimit apo certifikatave të pronësisë për banesat e ndërtuara para viteve 1990,  nga drejtuesit politik, kryeministri, ministra, drejtues lokal apo drejtues të ASHK-së ishte kthyer në rutinë gjatë fushatave zgjedhore

Zonat më problematike 

Një nga zonat që u përdor ndjeshëm dhënia e lejeve të legalizimit është në ish-keneta në Durrës. “Jam i bindur që me kryetarin e bashkisë në detyrë sot e në detyrë pas zgjedhjeve, ashtu si kemi përmirësuar infrastrukturën e kësaj zone, do ta kthejmë zonën e Kënetës në një lagje që e meriton të quhet Durrës i Ri”, tha Rama në prill të vitit 2015, pranë kandidatit të tij për Bashkinë Durrës, Vangjush Dako. Ndërsa vetë Dako i cili në atë takim ndante leje legalizimi bashkë me Ramën u shpreh: “Jam shumë i lumtur që pas dy viteve premtim që dhamë në këtë zonë, vijmë sot dhe shpërndajmë 1001 leje”. Pak javë më vonë, kryeministri Edi Rama u shpreh se “ndoshta ishte gabim” shpërndarja e lejeve të legalizimit në periudhë fushate, por “rituali” me shpërndarjen e dokumenteve të pronësisë para dhe në prag të fushatave zgjedhore vijoi.

“Me ndalimin që parashikon Kodi Zgjedhor bëhet i mundur sigurimi i parimit të barazisë në zgjedhje, për të mos i dhënë asnjë përfitim dhe avantazh forcës politike që është në pushtet, apo forcës politike të cilit i përket titullari i institucionit. Në këtë mënyrë tërë avantazhet e mundshme të krijuara në perceptimin publik, lidhur me punën e bërë e që rezulton në përfitimin e marrjes së çertifikatës së pronësisë, lidhen vetëm e vetëm me institucionin shtetëror dhe detyrimin ai ka për t’i shërbyer qytetarit, me korrektësi e shpejtësi sipas procedurave të ligjit”, thotë Gogo.

Ne foto: Ne zonen e ish-Kenetes

KQZ

Në rastet e shkeljeve të provuara nga hetimi administrativ që bën KQZ-ja, përveçse në rastet kur ato përbëjnë vepra penale, parashikohen sanksione sipas nenit 171 të Kodit Zgjedhor, duke dënuar me gjoba nga 3,000 deri në 90,000 lekë personat e ngarkuar me detyra sipas ligjit zgjedhor ose me gjoba nga 1,000 deri në 2,500 lekë për gjithë rastet e tjera të shkeljeve të ligjit zgjedhor, të paparashikuara në mënyrë eksplicite.

“Nëse do të flisnim për raste specifike të bëra publike të shpërdorimit të autoritetit shtetëror në funksion të qëllimeve elektorale, mund të sillet rasti i shpërndarjes së çertifikatave të pronësisë në lagjen 5 maji prej Kryetarit të Bashkisë Tiranë z. Erion Veliaj më datën 18 janar 2025;  rasti i shpërndarjes së certifikatave të pronësisë  në Himarë, përpara dhe pas zgjedhjeve të 4 Gushtit 2024, prej ish-prefektit të Vlorës e më pas Kryetar i Bashkisë Himarë z. Vangjel Tavo së bashku me Kryeministrin Edi Rama e përfaqësues të tjerë politikë të Partisë Socialiste; rasti i shpërndarjes së çertifikatave të pronësisë  për banorët e Gosës dhe Spillesë në Kavajë, më datën 13 janar 2023, nga Drejtori i Agjencisë së Kadastrës Shqiptare Artan Lame;  rasti i shpërndarjes së lejeve të legalizimit për banorët e njësisë administrative Hysgjokaj të Lushnjës, në datat 28.12.2020 dhe 30.12.2020, nga deputeti i Partisë Socialiste Bujar Çela, etj”, thotë Gogo.

Këto çështje janë referuar si shkelje të Kodit Zgjedhor, por edhe në zbatimin e tij dhe masat administrative që duhet të merren nga KQZ dhe KAS praktika ka treguar se lindi një përplasje mes institucioneve të administrimit zgjedhor.

KAS

Sipas Kodit Zgjedhor, KAS është organi kompetent për shqyrtimin e ankimimeve administrative dhe për vendosjen e sanksioneve për shkelje të ligjit zgjedhor. “Mungesa e ndërveprimit efektiv midis tre organeve Drejtuese në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pra midis Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Komisionit Rregullator dhe Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, ka bërë që të rriten akoma më shumë divergjencat dhe të kuptuarit e ndryshëm të kuadrit ligjor, duke ndikuar rrjedhimisht në një ligjzbatim të dobët, si dhe duke krijuar ngërçe të panevojshëm e precedentë vendimmarrjeje problematikë”, thekson kreu i KRIIK Albania. 

Paqartësia

Kjo paqartësi në qasjen dhe vendimmarrjen organeve të KQZ-së në raport me adresimin e shpërdorimit të funksionit publik dhe burimeve shtetërore, ka bërë që veprimtaria e paligjshme e zyrtarëve shtetërorë të vazhdojë, përfshirë këtu edhe procesin e legalizimit dhe të dhënies së çertifikatave të pronësisë, për shkak edhe të mungesës të informacioneve zyrtare mbi veprimtarinë e brendshme të institucioneve, si dhe të denoncimeve që lidhen me procedurat e kundraligjshme të ndjekura prej tyre.

Proçes i pambyllur

Në qershor 2024, kryeministri Edi Rama theksoi nevojën për përshpejtimin e procesit të legalizimeve, duke e cilësuar atë si prioritet për bashkitë. Megjithatë, në nëntor 2024, Faktoje raportoi se roli i ri i bashkive në këtë proces kishte nisur me shkelje afatesh.

Zhvillimet ndër vite kanë treguar se pavarësisht përparimeve, por edhe përfitimeve paralele të partive kryesore në kohë zgjedhjesh, procesi i legalizimeve ende nuk është mbyllur edhe pse ka 19 vjet që ka nisur.

Mijëra qytetarë ende nuk janë pajisur me leje legalizimesh, ndërsa presin edhe fushatat zgjedhore që të përfitojnë dokumentacionet e pronësisë për banesat, trojet ose tokë arë, sepse koha dhe faktet kanë treguar se pikërisht në këtë periudhë ka një “lëshim dore”. Ndaj dhe premtimin e kryeministrit Edi Rama për mbylljen e procesit të legalizimeve që në mandatin e parë do ta konsiderojmë të pambajtur.

The post Politikë me legalizimet, 124 193 leje në vitet zgjedhore appeared first on Faktoje.al.

Rritja e pagës minimale, një premtim i harruar

10 March 2025 at 15:00

Dy vite më parë, kryeministri Edi Rama premtoi se pranvera e këtij viti do ta gjente Shqipërinë me një pagë minimale në vlerën e 45 mijë lekëve. Por premtimi u harrua. Verifikimet e Faktoje.al tregojnë se qeveria nuk ka në plan të rrisë pagën minimale për këtë vit. 

Esmeralda Topi 

Në prill të vitit 2023 paga minimale në Shqipëri u rrit nga 34 mijë lekë në 40 mijë lekë. Fill pasi kishte lajmëruar rritjen me 17,6%, kryeministri Edi Rama premtoi se kjo nuk do të ishte e fundit. Asokohe, Rama tha se paga minimale do të rritej me 5 mijë lekë pranverën e vitit 2025.  

“Në fund të prillit 2025 paga minimale do jetë 45 mijë lekë…” premtoi kryeministri Edi Rama më 13 mars të 2023. 

Fakt 

Aktualisht, paga minimale në Shqipëri rezulton 40 mijë lekë. Qeveria nuk ka ndërmend ta rrisë më tej vlerën e pagës minimale, as në fund të muajit prill dhe as në fund të këtij viti. 

Në një përgjigje zyrtare për Faktoje.al, ministria e Ekonomisë thotë se “në bazë të performancës ekonomike, do të analizohet dhe do të iniciohet procesi i shqyrtimit të pagës minimale për vitet e ardhshme”

“Ky proces do të mbështetet në të dhënat makroekonomike që do të dalin nga analiza e gjashtëmujorit të dytë të vitit 2025, përfshirë indikatorët kryesorë si inflacioni, rritja e produktivitetit dhe zhvillimet e tregut të punës”, thekson MEKI. 

Sipas ministrisë së Ekonomisë, viti dhe vlera e mundshme e rritjes së pagës minimale do të varet nga treguesit ekonomik, në mënyrë që rritja të jetë në përputhje me zhvillimin ekonomik dhe qendrueshmërinë e tregut të punës. 

Të dhënat e fundit nga INSTAT tregojnë se nga totali i të punësuarve që paguajnë sigurime shoqërore, 24,5% e tyre kanë page minimale 40 mijë lekë.

Alban Zusi që drejton Qendrën Shqiptare të Eksportuesve thotë se bizneset private e kanë tejkaluar minimumin e 45 mijë lekëve. 

“Ne i kemi rritur pagat sepse po punojmë në një mjedis të sforcuar, sidomos eksportuesit. Ajo çfarë do të duhej është që qeveria të heqë TAP-in mbi këtë pagë. Pavarësisht se ne i japim më shumë pagë minimale, punonjësit marrin më pak lekë sepse shteti takson”, thotë Zusi.

Të fundit në rajon dhe Evropë 

Ndonëse dekadën e fundit paga minimale është rritur 6 herë, sërish Shqipëria mbetet e fundit në rajon sa i përket nivelit të kësaj page. 

Mali i Zi mban vendin e parë me 670 euro, më tej vjen Serbia me 618 euro dhe Maqedonia e Veriut me 540 euro. Në Bosnje Hercegovinë paga minimale rezulton 510 euro në muaj. 

Edhe referuar të dhënave të fundit nga EUROSTAT Shqipëria renditet e fundit në Evropë për nivelin e pagës minimale, veçanërisht kur vjen puna tek standardet e fuqisë blerëse. 

Teksa çmimet në Shqipëri janë ndër më të lartat në rajon, dhe shumë produkte kushtojnë dhe më shtrenjtë se në Evropë, fuqia blerëse mbetet e ulët, duke e renditur Shqipërinë të fundit në Europë.

Sipas Eurostat, këtë fillimviti paga minimale në vendet e BE-së varionte nga 551 € në muaj në Bullgari deri në 2 638 € në muaj në Luksemburg.

Përfundim 

Nisur nga verifikimi i kryer, premtimin e kryeministrit Edi Rama se në fund të prillit 2025 paga minimale do të jetë 45 mijë lekë, do ta kategorizojmë të pambajtur.

The post Rritja e pagës minimale, një premtim i harruar appeared first on Faktoje.al.

Rindërtimi në Durrës, dorëzimi i banesave nuk mbyllet brenda janarit

21 January 2025 at 15:45

Mbi 1 mijë familje në Durrës ende nuk kanë marrë banesat e reja, edhe pse kanë kaluar pesë vite nga tërmeti shkatërrimtar. Këtë e konfirmon zyrtarisht Bashkia e Durrësit për Faktoje.al. Ndërkohë, banorët thonë se u janë ndarë numrat e apartamenteve, por nuk kanë asnjë informacion se kur do të hyjnë në shtëpitë e tyre.

Në 5-vjetorin e tërmetit shkatërrimtar që goditi vendin, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, foli sërish për procesin e rindërtimit. Kësaj here, Sako premtoi dorëzimin e banesave për familjet e prekura nga tërmeti, në dhjetor 2024 ose janar 2025.

“Ne sigurisht që kemi 2024 objektivin e dorëzimit të apartamenteve të lagjes së re, aty ende ka disa punime në lidhje me infrastrukturën, rrjetet e OSHEE-së dhe ujësjellës kanalizime, të cilat janë drejt fundit. Do i qëndrojmë këtij objektivi, besojmë dhjetori dhe janari do të jetë një datë për të bërë dorëzimin e banesave”, deklaroi Sako më 26 nëntor 2024.

Faktoje.al iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Durrësit në lidhje me çështjen e rindërtimit. Ndër të tjera e pyetëm institucionin për numrin e familjeve të prekura nga tërmeti, të cilat ende nuk e kanë marrë banesën.

Zyrtarisht Bashkia e Durrësit bën të ditur se janë ende mbi 1 mijë familje që nuk janë futur në shtëpitë e tyre, edhe pse kanë kaluar 5 vite nga tërmeti tragjik.

“Të pa akomoduar akoma janë 1189 apartamente tek zona e Re për zhvillim në Spitallë, pallati Kastrati dhe zona e Re për zhvillim Ishëm”, shkruan institucioni në përgjigjen zyrtare për Faktoje.al

Më tej, thekson: “Procesi i rindërtimit është drejt përfundimit së bashku me banesat e të dëmtuarve nga tërmeti. Bashkia do të mundësojë dorëzimin e banesave sa më parë, me qëllim akomodimin e familjeve në banesat e tyre të reja.

Duke qenë se ka ende objekte të rindërtimit, që kanë nevojë për financim, Bashkia “Durrës” në buxhetin e vitit 2025, ka marrë masa t’i japë prioritet investimeve”

Nga ana tjetër, Bashkia e Durrësit pranon faktin që familjet nuk marrin bonus qiraje prej gati 2 vitesh.

“Referuar ankesave në drejtim të Bashkisë Durrës, në lidhje me bonusin e qirasë për familjet e prekura nga tërmeti, ju bëjme me dije se nga momenti i ndodhjes së fatkeqësisë natyrore dhe deri në muajin mars të vitit 2023, bonusi i qirasë është financuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë sipas Aktit Normativ nr.9, datë 16.12.2019 ‘Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore ‘

Ndodhur në këto kushte Bashkia Durrës ka bërë vetëm miratimin e listës përfituese të banorëve me vendim këshilli bashkiak”, argumenton institucioni.

Mirëpo, Bashkia e Durrësit nuk jep përgjigje nëse qytetarët do i marrin bonuset e prapambetura të qirasë.

“Nëpërmjet shkresës nr.5897 të Ministrisë e Financave dhe Ekonomisë, të gjitha bashkitë janë njoftuar se subvencionimi i qirasë mbas muajit mars 2023, nuk do të financohet më nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, por duhet parashikuar nga buxheti i Bashkisë”, thuhet më tej në përgjigje.

Banorët: Presim zgjedhjet që të marrin apartamentet

Bashkim Gjika është prej banorëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-s. Tërmeti ia bëri të pabanueshëm apartamentin në lagjen 5 në Durrës. Prej asaj nate, Bashkimi ende nuk ka një çati mbi krye. Ai tha për Faktoje.al se banesën e re do ta marrë në Spitallë dhe jo në zonën ku e kishte. Veç kësaj, i moshuari tregon se është bërë vetëm ndarja e numrave për personat që do marrin apartamentet.

“Nuk janë ndarë shtëpitë, na kanë dhënë vetëm numrat. Më kanë dhënë vetëm në letra një apartament 2+1, jo në lagjen ku e kisha, por në Spitallë. Kanë një të mirë, nuk flasin hic, nuk na janë informacion fare. Shtëpitë kanë përfunduar se i kam parë, por nuk kanë ardhur votimet akoma që të na i japin. Isha një ditë dhe i pashë, kishin ngel pa vënë sahatet e ujit dhe ato të dritave. Iku janari, erdhi shkurti, asgjë nuk kemi marrë”, thotë i shqetësuar Bashkimi, i cili prej 5 vitesh endet dyerve të institucioneve për një përgjigje.

Faktoje.al ka raportuar në një sërë artikujsh në lidhje me shkeljen e premtimeve për rindërtimin në Durrës.

Përfundim

Nga informacionet e grumbulluara, vendosëm që premtimin e kryetares së Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, për dorëzimin e banesave për familjet e prekura nga tërmeti brenda janarit, do ta kategorizojmë Të Pambajtur.

The post Rindërtimi në Durrës, dorëzimi i banesave nuk mbyllet brenda janarit appeared first on Faktoje.al.

Odisea e regjistrimit të pronave në Himarë

7 January 2025 at 16:00

Në maj, kryeministri Edi Rama vizitoi Himarën dhe bashkë me aleatin e tij socialist Vangjel Tavo shpërndanë 437 certifikata pronësie banorëve me prona të trashëguara.

“Ju falënderoj shumë të gjithëve dhe për 4 mijë shtëpitë do t’i japim certifikatat brenda vitit, brenda vjeshtës madje.”, premtoi Rama në fund të takimit me himariotët.

Rama u rikthye në Himarë me të njëjtin premtim, dy ditë para se himariotët të zgjidhnin Vangjel Tavon si kryetar bashkie në zgjedhjet e pjesshme lokale të 2 gushtit.  

Fakt

Ndryshe nga sa premtoi kryeministri, deri në fund të 2024 në Himarë nuk u ndanë 4,000 tituj pronësie për shtëpitë e trashëguara.

Në prag të ndërrimit të viteve, kryeministri ndau certifikata të tjera pronësie në Himarë, por pa e saktësuar numrin e tyre.

“Kemi bërë në 6 muaj pak a shumë, atë që pritej prej shumë e shumë vitesh dhe kemi arritur që gjithë bazën e punës së bërë në kohë e mëparshme, ta shfrytëzojmë për t’i dhënë një ritëm të jaashtëzakonshëm procesit. – u shpreh Kryeministri Rama, në takimin me banorët e Himarës.

Të dhënat e Agjencisë Shtetërore të Kadasrës Vlorë tregojnë se në bashkinë e Himarës nga 2188 dosje gjithsej, 831 janë pa matje. Kjo nënkupton se nuk është kryer verifikimi në terren, pasi nuk janë gjetur pronarët në banesa.

“…për këtë janë njoftuar kryepleqtë e zonave, për të mundësuar njoftimin e aplikuesve”, sqaron ASHK e Vlorës.

Ndërsa në periudhën shtator-dhjetor 2024 janë trajtuar 857 dosje, kundrejt 500 legalizimeve të pesë viteve të fundit. Megjithatë, ecuria e procesit gjatë muajve të fundit nuk mjafton.

“Nuk mund t’ju japim përgjigje për faktin se aplikimet për objektet e ndërtuara para vitit 1991 janë ende të hapura.”, pohon ASHK e Vlorës.

Përfundim

Nisur nga të dhënat e mbledhura, premtimin e kryeministrit Edi Rama për ndarjen4 mijë certifikatave të pronësisë brenda vitit 2024, e kategorizojmë të pambajtur.

#prona#himare#regjistrim#certifikate#legalizim

The post Odisea e regjistrimit të pronave në Himarë appeared first on Faktoje.al.

Tuneli i Murrizit nuk u hap këtë fundvit

31 December 2024 at 10:16

Tuneli i Murrizit nuk u hap këtë fundvit. Vepra që ka nisur në 2019 vijon të jetë kantier, duke lënë të papërfunduar edhe rrugën e Arbrit. Ndryshe nga sa ishte premtuar, kryeministri tha se tuneli pritet të hapet në pranverë – kohë që përkon me zgjedhjet parlamentare.

Esmeralda Topi

Gërmimet e një eskavatori të verdhë fundvitin e kaluar i dhanë dritë një prej veprave më të mëdha publike, tunelit të Murrizit. Bashkimi i dy anëve të kantierit 5 vjeçar u shoqërua me premtimin se e gjithë vepra do të mbyllej këtë fundvit.

“…drita e sotme është një arsye e fortë për të besuar që 2024 do ta vulosë edhe fundin e kësaj vepre kaq sfiduese.”, premtoi kryeministri në vigjilje të ndërrimi të viteve 2023-2024.

Tuneli i Murrizit është pjesa më e rëndësishme infrastrukturore e rrugës së Arbrit, e cila u hap për qarkullim ende pa u përfunduar i gjithë segmenti.

Fakt

Në prag të përfundimit të afatit për mbylljen e punimeve në tunelin e Murrizit Faktoje.al udhëtoi drejt Dibrës për të parë nga afër ecurinë e tyre.

Më 12 dhjetor kantieri ishte i hapur dhe puna vijonte.

Tuneli i Murrizit, 12 dhjetor 2024

Teksa prisnim përgjigjen zyrtare nga ministria e Infrastrukturës mbi ecurinë e punimeve, kryeministri Edi Rama deklaroi shtyrjen e radhës.

Në konferencën tradicionale të fundvitit me gazetarët Rama tha se për shkak të gjeologjisë, tuneli i Murrizit pritet të hapet pranverën e ardhshme.

“Shpresojmë shumë që në pranverë, po s’dua të flas më për atë tunel, se aty na kanë parë sytë vërtetë vështirësi të mëdha, të hapet dhe ai.”, deklaroi kryeministri.

Kontrata koncesionare për rrugën e Arbrit u nënshkrua në 2018. Ndërsa punimet për tunelin e Murrizit nisën një vit më vonë. Sipas afatit të ri llogaritet të mbyllen pas gjashtë vitesh.  

Vonesa të tilla, ekspertët i arsyetojnë ndryshe nga qeveria. Mungesa e analizave të plota në fazat e hershme të projektit është një prej tyre- argumenton Eduard Gjokutaj nga qendra ALTAX.

Nëse studimet teknike nuk janë kryer me kujdes, ndodh që projektet të përballen me sfida të mëdha gjatë ekzekutimit. Por, po aq e rëndësishme është po ashtu edhe fakti nëse është zbatuar mbikëqyrje rigoroze e projektit dhe kontraktorëve, pasi edhe kjo mund të ketë kontribuar në zgjatjen e afateve.”, arsyeton Gjokutaj.

“Projekti i vonuar mund të përdoret edhe si argument për përmirësim të performancës qeveritare në prag të zgjedhjeve, duke ofruar një “arritje” të planifikuar për t’u shfaqur pranverën.”, shton më tëj Gjokutaj.

Sipas tij, për të shmangur përsëritjen e rasteve të tilla, nevojiten reforma në monitorimin e projekteve infrastrukturore, përmirësimin e kapaciteteve institucionale si dhe rritjen e llogaridhënies në kontratat PPP.

6 vite punime…

Tuneli i Murrizit është 3.7 kilometra i gjatë. Sipas afateve të reja pritet që përfundimi i tunelit të bëhet pranverën e ardhshme.

Punimet u hapën në maj të 2019-ës por projekti ka pasur ecuri të avashtë. Qeveria e ka arsyetuar këtë ecuri me gjeologjinë e vështirë.

Vitin e ardhshëm, zbatimi i kontratës koncesonare për rrugën e Arbrit hyn zyrtarisht në vitin e shtatë të zbatimit, duke konsumuar gjysmën e afatit të kontratës 13 vjeçare me qeverinë shqiptare. 

Kompania që ka fituar koncesionin për rrugën e Arbrit ka marrë më shumë se gjysmën e financimit, mbi 12 miliardë lekë. Në tre vitet e ardhshme buxheti planifikon edhe 10 miliardë lekë të tjera.

Përfundim

Nisur nga verifikimi i bërë, premtimin e kryeministrit se ‘2024 do ta vulosë fundin e tunelit të Murrizit’ e kategorizojmë premtim të pambajtur.

The post Tuneli i Murrizit nuk u hap këtë fundvit appeared first on Faktoje.al.

Viti po mbyllet por e-Albania s’ka asistent me zë dhe figurë

26 December 2024 at 16:43

Kryeministri Edi Rama kishte premtuar se fundi i këtij viti do ta gjente portalin e shërbimeve publike e-Albania me një asistent virtual me zë dhe figurë. Verifikimet tregojnë se platforma ende nuk e ka variantin 2.0 të asistentit virtual, teksa qytetarët shpesh hasin vështirësi për të marrë shërbimet online.

Esmeralda Topi

Dhjetorin e shkuar, kur u prezantua për herë të parë asistenti virtual 1.0 si pjesë e platformës e-Albania, kryeministri premtoi se 2024 do të mbyllej me asistent të ri me zë dhe figurë. 

“Brenda vitit 2024 do të jetë “live” edhe Asistenti Virtual 2.0, i cili do të shfaqet edhe me zë e me figurë dhe do ta bëjë vetë të gjithë procesin e aplikimit për llogari të qytetarit.”, premtoi kryeministri vjet në vigjile të ndërrimit të viteve.

Sipas kryeministrit asistenti virtual ishte një shërbëtor publik në dispozicion të qytetarëve në çdo orë për t’i ndihmuar ata të ndërvepronin me e-Albania e të merrnin shërbime pa pasur nevojë për ndihmë tjetër. 

“Ky asistent nuk është thjeshtë një program kompjuterik, por është udhërrëfyesi dhe ndihmësi i qytetarëve 24 në 7.”, argumentonte Rama.

Fakt

Këtë fundvit, portali i shërbimeve publike e-Albania nuk e ka shërbëtorin publik me zë dhe me figurë, sikurse premtoi kryeministri.

Ndihmësi virtual i krijuar përmes inteligjencës artificiale vijon të jetë në formën e një programi kompjuterik ku qytetarët mund të ndërveprojnë përmes pyetje-përgjigjeve të shkruara.

Gjatë një konference rajonale me fokus teknologjinë, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit Linda Karçanaj deklaroi se versioni i ri 2.0 do të niste vitin e ardhshëm.

Për të mësuar arsyet e shtyrjes së afatit mbi versionin e ‘shërbyesit publik’ me zë dhe figurë, Faktoje.al iu drejtua AKSHI-t.

Deri në një përgjigje zyrtare nga AKSH-i, ju drejtuam edhe të ‘zotit të punës’.

“Unë jam Asistenti virtual 1.0, i krijuar për t’ju ndihmuar për të përdorur shërbimet elektronike në platformën e-Albania. Aktualisht, nuk kam aftësinë për të komunikuar me zë ose të shfaqem në formën e figurës” – u përgjigj asistenti në e-Albania.  

Përfundim

Nisur nga verifikimet e bëra, premtimin e kryeministrit Edi Rama se brenda 2024 asistenti virtual në e-Albania do të ishte me zë dhe figurë, e kategorizojmë të pambajtur.

The post Viti po mbyllet por e-Albania s’ka asistent me zë dhe figurë appeared first on Faktoje.al.

❌
❌