Metaj: Rreth 300 vatra zjarresh në 5 ditët e fundit në Kosovë, 3 ende aktive
PRISHTINË, 9 korrik/ATSH/ Rreth 300 raste zjarresh janë regjistruar në Kosovë vetëm gjatë pesë ditëve të fundit, si pasojë e temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin.
Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), Genc Metaj, tha se gjatë kësaj periudhe ekipet kanë ndërhyrë në 295 raste zjarresh nëpër komuna të ndryshme të Kosovës.
Në konferencën e thirrur për media, Metaj deklaroi se dita më e rënduar ka qenë 7 korriku, kur janë shënuar gjithsej 66 raste të zjarreve, prej të cilave 57 kanë ndodhur pasdite.
Metaj shtoi se situata është menaxhuar me sukses deri më tani, por rreziku mbetet i lartë për shkak të kushteve të motit.
Sipas tij, dyshohet që zjarrëvëniet mund të jenë të qëllimshme dhe shumica prej tyre janë në toka bujqësore dhe që shpërndahen edhe në zona malore.Metaj tha se numri i zjarrfikësve është i kënaqshëm, por duhet të jetë edhe më i madh.
Drejtori i AME-së, Genc Metaj tregoi se aktualisht janë 3 vatra aktive, një në Pejë dhe dy në Skënderaj.
AME apelon për kujdes të shtuar nga qytetarët dhe bashkëpunim në parandalimin e zjarreve, duke shmangur ndezjen e zjarreve në hapësira të hapura dhe duke raportuar çdo rast të dyshimtë.
Metaj u shprehu ngushëllime familjarëve, të afërmve dhe miqve për vdekjen e shefit të Operativës në Brigadën e Zjarrfikësve të Gjakovës, Kaqun Lima.
/kosovapress/
The post Metaj: Rreth 300 vatra zjarresh në 5 ditët e fundit në Kosovë, 3 ende aktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.