Breshëritë e automatikut që u qëlluan drejt pronës së familjes Voga në fshatin Krastë të Fushë-Krujës përbëjnë një shembull tipik të ndëshkimit të atyre njerëzve që refuzojnë t’i nënshtrohen pushtetit dhe zgjedhin të punojnë për një parti apo kandidat të opozitës. Ngjarjen, se si u qëllua me breshëritë e plumbave dhe shpërfilljen e policisë i ka treguar me detaje Kadri Voga gjatë një interviste në News24, babai i ish-shoferit të Arjan Ndojit, i cili u zgjodh deputet në qarkun e Durrësit nën logon e Partisë Demokratike.
Shkak për plumbat që u qëlluan drejt pronës së familjes Voga, thotë 68-vjeçari është bërë angazhimi i djalt të tij Mond Voga në fushatë për të ndihmuar Arjan Ndojin e Partisë Demokratike. Ky qëndrim që ka mbajtur Mond Voga gjatë fushatës për 11 Maji, sipas babait të tij, Kadri Vogës dhe fitorja e Arjan Ndojit pas përkrahjes së komunitetit është shkaku që njerëzit e Partisë Socialiste nuk ia falën humbjen në këtë zonë.
“Kam dyshime për patronazhistat e Partisë Socialiste. Unë e mendoj këtë dhe e lidh me fitimin si deputet Arjan Ndoj. Votat që i dha komuniteti Mond Vogës që ka qenë drejtor të Aluizni. Më thonin njerëzit, “Shkova te çuni jot, më ka mbaru punë dhe nuk më ka marrë asnjë lek” unë gëzohesha si babë. Dhe prandaj komuniteti i dha votë. E pa se kush është. Por kohët kanë ndryshuar. Patronazhistët e Partisë Socialiste janë mësu me marrë votë me vjedhje, me lekë. Por kësaj radhe e humbën. Voto një herë, voto dy, nuk shkon më ai muhabet. Se me thënë të vërtetën qeverisja e Partisë Socialiste në rrethin e Krujës është zero” ka thënë 68-vjeçari i prekur nga rrreziku që i kanoset familjes së tij.
Gjithsesi situata është përkeqësuar në ditët në vazhdim, kur Kadri Voga, ish-polic ka shkuar të bëjë denoncim në komisariatin e Fushë-Krujës. Ai ka rrëfyer aty emrat që dyshon se qëlluan me breshëri plumbash drejt lokalit dhe shtëpisë së djalit të tij, por është përballur me një sjellje shpërfillëse nga policia.
Të shtënat me armë zjarri në Fushë- Krujë/ Dalin pamjet nga vendi i ngjarjes
Voga thotë se shefi i krimeve Zihni Hidaj në vend se të kryente hetime për zbardhjen e ngjarjes është takuar me personat që ai kishte denoncuar dhe në fund policët e kanë kërcënuar se do ta arrestonin, duke i devijuar hetimet për konflikte të brendshme që familja Voga ka pasur në të shkuarën.
“Unë kam dhënë emra konkretë ai e ka nxjerrë sekretin dhe i ka kthyer hetimet ndryshe. Unë i kam lënë personin me e ndjek, por ai nuk e kishte filmu. Me të dy është takuar dhe ndryshoi mendimi. Patronazhistët që janë taku me të dhe mendoj se Zihni Hidaj është implikuar me ta dhe ka lidhje me ngjarjen” është shprehur 68-vjeçari nga Kruja.
Përveç policisë, Kadri Voga akuzon edhe mediat, që menjëherë pas breshërive të automatikut nisën të përmendin një sherr të vjetër të të birit, duke shtuar mjegullën rreth të vërtetës.
Në fakt, ky nuk është rasti i parë që familja Voga kërcënohet. Dy vite më parë, kur ata ndihmuan kandidatët e opozitës për bashkinë e Krujës morën në këmbim një granatë që shpërtheu në oborrin e shtëpisë.
“Para dy viteve u bënë zgjedhjet e pushtetit lokal dhe fill pas dy ditëve i kanë hudh çunit granatën dhe pati rrezik se do vriteshin njerëzit. Nuk është zbardhur. Pse? Se ishin të lidhur me partinë, ishin personat e partisë. Se partia i kishte këto të krimeve. Atëherë më thirri një inspektor krimesh, më ka lënë porosi shefi i krimeve të të marr një deklarim. A nuk ke turp? Nuk kam gjë me Arjan Ndojin edhe me çunin i kam mbyll një herë e mirë. Unë e lidh edhe me ngjarjen e parë edhe me këtë. Djali ka reputacion, ka njohuri, gëzon respekt në komunitet dhe sa herë t’i kërkojë votat, komuniteti është pronto” u shpreh Kadri Voga.
Dëshmia e 68-vjeçarit Kadri Voga me gjasë do të shpërfillet për t’u lënë në harresë, por historia që tregon ai është një radiografi tronditëse e asaj që ndodh kur komunitetet më të vogla që refuzojnë të nënshtrohen dhe t’i shërbejnë partisë në pushtet. Dikur rrezikojë humbjen e vendit të punës, ndërsa tani nëse i reziston presionit ekonomik vijnë breshëritë e plumbave, e ndjekur nga shpërfillja dhe kërcënimet e policisë.
The post Denoncimi/ “Breshëritë e automatikut nga patronazhistët humbës të 11 Majit” appeared first on Lapsi.al.