Ish-lojtari i Barcelonës në gjendje të rëndë shëndetësore, kafshohet nga qeni
Një incident i pazakontë dhe serioz ka ndodhur në qytetin Terme, pranë Selanikut, ku viktimë ka qenë futbollisti i Arisit, Carles Perez.
Sipas raportimeve të mediave greke, anësori spanjoll po nxirrte qenin e tij për shëtitje kur u sulmua nga një qen tjetër. Gjatë përpjekjes për të ndarë dy kafshët, Perez u sulmua nga qeni dhe pësoi një plagë të thellë në zonën gjenitale.
Futbollisti u dërgua menjëherë në spital dhe aktualisht ndodhet nën mbikëqyrje mjekësore për të dytën ditë me radhë.
Mjekët po vlerësojnë mundësinë e një ndërhyrjeje kirurgjikale për të riparuar dëmtimin. Klubi i Arisit ka reaguar përmes një deklarate zyrtare, duke bërë të ditur se qëndron pranë lojtarit të vet dhe se rezervon të gjitha të drejtat ligjore ndaj pronarit të qenit agresiv.
Nga Barça te Arisi – karriera e një talenti spanjoll
Carles Perez është një produkt i akademisë së Barcelonës, ku u aktivizua nga viti 2012 deri në vitin 2020. Ai ka zhvilluar 13 paraqitje dhe ka shënuar dy gola me ekipin e parë të Barçës, duke qenë pjesë e skuadrës që fitoi La Ligën në vitin 2019.
Më pas ai u transferua te Roma, me të cilën fitoi Ligën e Konferencës në vitin 2022, ndërsa ka luajtur gjithashtu edhe për Celtën dhe Getafen. Që nga sezoni aktual, ai është pjesë e Arisit në Superligën greke. Sipas “Transfermarkt”, vlera e tij në treg është rreth 2 milionë euro. /Telegrafi/
The post Ish-lojtari i Barcelonës në gjendje të rëndë shëndetësore, kafshohet nga qeni appeared first on Telegrafi.