SIRI – Më shumë se 1 400 të vrarë gjatë dhunës së marsit në vend
DAMASK, 22 korrik /ATSH-DPA/ – Një komision hetimor sirian konfirmoi sot se 1 426 persona, kryesisht civilë, përfshirë shumë anëtarë të komunitetit alavi, janë vrarë gjatë një vale dhune në provincat bregdetare të vendit, mes datave 6 dhe 9 mars.
Sipas zëdhënësit të komisionit, Yasser al-Farhan, përplasjet filluan kur njësi të grupeve të armatosura të lidhura me diktatorin e rrëzuar Bashar al-Asad ndërmorën sulme të koordinuara kundër forcave qeveritare në Latakia, Tartus dhe Hama, duke vrarë 238 ushtarë dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë.
Ndër viktimat ishin edhe 90 gra, shumica prej tyre civile të paarmatosura, tha komisioni në një konference shtypi në Damask.
Sulmuesit u përshkruan si grupe të organizuara dhe të paligjshme, besnike ndaj regjimit të përmbysur të Asadit, që tani veprojnë në mënyrë të pavarur dhe kundërshtojnë autoritetet në këtë fazë tranzicioni .
“Këto grupe ndërmorën sulme në shkallë të gjerë kundër objektivave ushtarake dhe të sigurisë, bllokuan rrugë dhe përdorën armë të rënda ”, tha al-Farhan.
Qeveria e re ndërmori një operacion ushtarak për të shtypur dhunën.
Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut, një organizatë me bazë në Britani, vlerësoi në atë kohë se mbi 1 600 persona, kryesisht nga pakica alavite, ishin vrarë gjaë trazirave.
Më shumë se gjashtë muaj pas rrëzimit të ish presidentit Asad nga një aleancë rebele e udhëhequr nga elemente islamikë, dhuna vazhdon të tronditë edhe jugun e Sirisë, ku forcat druze të milicisë po përplasen me grupe fisnore sunite beduine të mbështetura nga Damasku.
Megjithëse Presidenti Ahmad al-Sharaa është zotuar të mbrojë pakicat, kritikët e akuzojnë qeverinë e tij për arrestime simbolike dhe mungesë përgjegjësie. /Ad.Ab./
Bottom of Form
The post SIRI – Më shumë se 1 400 të vrarë gjatë dhunës së marsit në vend appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.