Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 July 2025Main stream

Zyrtari policor dyshohet se shkaktoi aksidentin me fatalitet në rrugë Prishtinë-Mitrovicë, ku humbi jetën një këmbësor

25 July 2025 at 22:35

Një këmbësor është goditur sot për vdekje në rrugën nacionale Prishtinë – Mitrovicë.

I dyshuari për shkaktimin e aksidentit është një zyrtar policor, i cili ishte jashtë detyrës zyrtare dhe me veturën e tij private.

“Hetuesit e IPK-së janë njoftuar sot në orët e mbrëmjes nga Policia e Kosovës për një aksident trafiku. Aksidenti raportohet se ka ndodhur në rrugën Nacionale Prishtinë-Mitrovicë, përkatësisht në fshatin Llazarevë, ku një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare duke qarkulluar me veturën private ka shkaktuar aksident trafiku me fatalitet, ku si pasojë e aksidentit fatkeqësisht ka vdekur qytetari L.S (staf civil në Policinë e Kosovës)”, ka njoftuar Inspektorati Policor.

Në vend të ngjarjes kanë dalë hetuesit e IPK-së, njësitë relevante policore dhe prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Lidhur me këtë rast është iniciuar rast penal lidhur me veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, kurse i dyshuari (zyrtari policor) është arrestuar dhe i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Ndryshe, aksidenti me fatalitet ka ndodhur rreth orës 18:00.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Agron Borovci, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës.

“Rreth orës 18:30 policia ka pranuar informatën se në rrugën magjistrale “Prishtinë – Mitrovicë” respektivisht në fshatin Llazarevë, ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet. Mbështetur në informacionet fillestare, në aksident kanë qenë të përfshirë, një këmbësor dhe një automjet dhe si pasojë, këmbësori, mashkull, rreth 53 vjeç, ka humbur jetën”, tha Borovci./Telegrafi/

 

 

 

 

The post Zyrtari policor dyshohet se shkaktoi aksidentin me fatalitet në rrugë Prishtinë-Mitrovicë, ku humbi jetën një këmbësor appeared first on Telegrafi.

I mbijetuari i dhunës seksuale: Kam pas maltretime edhe në zorrë të trashë edhe me bajonetë

25 July 2025 at 22:18

Një i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë në Debat Plus me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka ndarë rrëfimin e tij të dhimbshëm, duke përshkruar vështirësitë fizike dhe shpirtërore që e kanë shoqëruar për më shumë se dy dekada.

Gjatë rrëfimit të tij ai ka treguar se fillimisht për përjetimin e tij kishte folur vetëm me bashkëshorten.

“Historinë e parë me bashkëshorten, se kam qenë në gjendje shumë të rëndë, edhe fëmija, ishte puna që u pake. Se isha i maltretum, isha i “asit” edhe u dijshin, vetëm për punën e testikujve nuk e kanë ditë se këto tjerat e kanë ditë. E shoqja e ka ditë”, rrëfen ai.

Kur u pyet se si e kishte treguar për këtë pjesë të rëndë, i mbijetuari shpjegoi:

“Nuk kisha se qysh me i tregu se, mjeku që me kqyrke. Ai ardhke te shtëpija edhe ******* që i pijsha, ma ndihmojke edhe ajo. Kur kisha me ly me trup e me… për dhimbje u pake që…”, rrëfen ai.

Sa i përket fëmijëve, ai tha se nuk kishte pasur forcë t’ua tregonte vetë.

“Fëmijëve i ka tregu nana e vet. Unë skam mujt me i kallxu, as sot nuk mundem me i kallxu”, thotë ai.

I mbijetuari shprehu edhe shqetësimin se për shkak të fëmijëve nuk kishte guxuar të fliste publikisht.

“Shumë të vështirë e kam me fol me to se shumë me thirrin napër emisione, nuk kam mujt me shku për shkak të fëmijëve se jam i flaktë me dal publikisht me kallxu”, thotë ai.

Ai kujton se rrëfimin e parë e kishte dhënë në vitin 2000, me dokumente dhe fotografi.

“E rrëfimin e parë që e kam dhanë në të 2000-tën, i kam pas me fotografi, komplet. me krejt i kam pas, me atë letren që ma ka dhanë **********, datën e lëshimit edhe nja e kam pas por janë kanë tre vet, që më kanë marr në pyetje”, ka treguar ai.

Në vazhdim, ai përmend se kishte pasur takime edhe me aktivisten ******, ndërsa theksoi se dokumentet zyrtare që ai kishte dorëzuar ishin zhdukur dhe se institucionet nuk i kishin gjetur.

“Edhe nuk ka shans tha me i gjetë ato dokumente, kanë humb. Se e patëm një mbjedhje frik, që dul ai ******** e patëm e tha duhet me i gjetë. Thash organet e rendit duhet me i gjetë, unë nuk mundem me i gjetë. Qysh mundem me i gjetë unë kur i kam dorëzu”, rrëfen ai.

Në fund të rrëfimit, ai shton se i mban mend emrat e personave që e kishin marrë në pyetje, por sipas tij, dokumentet mund të jenë marrë nga një shtetase e huaj, e përmendur me emrin ******.

“Unë emrat i mbaj por po thojnë që i ka marr *********, i ka marr ajo italianka. Ia ka marr ajo, ne vec jemi kanë”, thotë ai.

Ky rrëfim tronditës hedh dritë mbi plagët ende të hapura të dhunës së pashprehur gjatë luftës dhe nevojën urgjente për drejtësi, dokumentim dhe mbështetje institucionale për viktimat e mbijetuara të dhunës seksuale.

 

The post I mbijetuari i dhunës seksuale: Kam pas maltretime edhe në zorrë të trashë edhe me bajonetë appeared first on Telegrafi.

Rrëfimi i burrit që u mbajt 21 ditë nën tortura nga serbët

25 July 2025 at 22:04

Në rrëfimin e ditës së sotme në kuadër të “Heshtja që vret – Klithma e vërtetë e lꭒftës”, rrëfehet një burrë i cili në dorë të serbëve kishte rënë rrugës ku po shkonte të ndihmonte një ushtar të UÇK-së.

Ai në Debat Plus me Ermal Pandurin tregoi se forcat serbe e ndanë nga shoku i tij e pjesa tjetër pastaj ishte histori që i la përjetë shenja emocionale e fizike.

I mbijetuari: E premte ka qenë, jam arrestu me një ushtar, me një kushëri timin.

Panduri: Ai ka qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?

I mbijetuari: Unë kam qenë duke e përcjell deri me një fshat tjetër.

Panduri: Duke e përcjell për me ju bashkëngjitë?

I mbijetuari: Ai ka qenë duke e çu postën, ka qenë postier. Unë kam shku me të edhe kemi rënë në pritë. Kishin qenë duke e minu rrugën. Kish qenë edhe ushtarë edhe paramilitarë. Ka qenë ora 08:00 e mëngjesit, aty na kanë gjujtë por fati, neve nuk na kanë rrokë. Kerri u bë shoshë por kryesorja neve dyve jo. Të armatosur kemi qenë.

Panduri: Të armatosur keni qenë?

I mbijetuari: Ushtari po, unë jo. Ai ka pas edhe armë edhe bombë por fati që i ka pas në bagazh të veturës. Armen me veti, automatikun e ka pas në bagazh. Qaty na kanë nxënë, jemi dorëzu. Nuk kemi pas mundësi nga me ikë se ka qenë tenka përpara edhe policia, por fati i mirë që i kam njoftë.

Panduri: I ke njoftë?

I mbijetuari: Se kanë qenë të gjithë të komunës time. Policia, ushtrinë nuk i kam njoftë. Ata policë që na kanë nxënë në atë moment i kam njoftë katër”, ka rrëfyer ai.

Fillimisht të mbijetuarin e dhunës seksuale e quan në një vend bashkë me shokun e tij ushtar, aty pati maltretime vetëm fizike, madje edhe paratë që kishte me vete ia morri një udhëheqës serb aty.

“Fizikisht, atij ushtarit ia thyen këmbën, mua ma thyen edhe mua këmben e majtë këtu, aty në vend të ngjarjes, edhe na kanë çu në ******* edhe aty na kanë mbajnë një orë, një ore e gjysmë. Aty zv.komandanti i tyre më tha pse i ke gjithë këto pare. I thash: Këto pare i kam të juajat, thash i kam marr prej juve. Tha, si prej neve, tha ti a je bashkëpunëtor i joni a. Thash jo bashkëpunëtor por thash kam dëshmitarin, thash ******, tha, qysh?. Thash kur ka dal ky aty, më nxuni, tha qato dinarë me mi bë marka se kam punu me deviza, pas viteve të 90-ta kam punuar gjashtë vite. Thash mi ka dhënë ai, ia kam bë edhe i ka thirr ata se kujtoi mos po e gënjejë, e ka thirr atë dhe tha, po e vërtetë është, ia kam dhënë. Ani tha, le këtë deri sa ta bëjmë verifikimin, juve tha nuk guxoj me ju liru. Po halli? Tha duhet me ju çu për ***** tha a po i lenë paratë këtu, qe kur të kthehesh i merr. Unë e dita qëllimin që paratë me u kthy ato jo dhe i thash nuk po kthehem me i marr por po ti lë ty. Thash nëse ke mundësi, të na lirojnë. Tha me ju liru nuk mundem por besën po ta jap që do të ju dërgoj në ***** me një vend ku janë veç gra. Tha nuk keni me pas maltretime. Edhe na kanë dërgu në ***** është para hotelit ****** Na kanë çu aty edhe aty kishin qenë të gjitha femra. Si na kanë dërgu aty, është ardh njëri edhe na ka parë, tha ty jam duke të kërku”, rrëfen ai.

Tek ky vendi ku e dërguan për herë të dytë e ndanë nga shoku i tij, ndodhi ajo që nuk e kishte menduar asnjëherë.

Në bodrume të kafeneve e mbanë për 21 ditë ku përjetoi maltretimet më të ashpra.

 

The post Rrëfimi i burrit që u mbajt 21 ditë nën tortura nga serbët appeared first on Telegrafi.

Reagon deputetja Pacolli: Sulmi nuk ishte spontan, video është incizuar nga gruaja ose vajza e tij

25 July 2025 at 21:56

Deputetja e Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka reaguar pasi sot derisa ishte duke qëndruar në një lokal, një qytetar i afrohet dhe e ofendon duke e akuzuar se është “hajneshë”.

Deputetja thotë e sulmi nuk ishte spontan, dhe se video e cila po qarkullon në rrjetet sociale është incizuar nga gruaja ose vajza e tij, të cilat sipas saj, ishin në vendngjarje, transmeton Telegrafi.

“Sot, në ambientet e lokalit “Home”, u përballa me një akt të rëndë kërcënimi dhe sulmi verbal nga një person i quajtur Agim Pllashniku. Ky individ njihet në publik dhe nga autoritetet për të kaluarën e tij të dhunshme. Ky sulm nuk ishte aspak spontan, ishte i organizuar dhe i mirëkoordinuar. Videoja që po qarkullon në rrjetet sociale është incizuar nga gruaja ose vajza e tij, të cilat ishin të pranishme në vendngjarje. Gruaja është e punësuar në institucionin e Avokatit të Popullit, ndërsa vajza pritet të jetë kandidate për Asamblenë Komunale nga radhët e PSD-së”, thotë Pacolli.

Deputetja po ashtu ka deklaruar se video nuk është e plotë.

“Kjo video nuk është e plotë. Ajo është prerë dhe manipuluar për të fshehur sulmin e tij ndaj meje si dhe momentin kur agresori e sulmon fizikisht asistentin tim, si dhe çastin kur tenton të fusë dorën në çantën që mbante në krah, një çantë për të cilën dyshohet se mund të ketë pasur armë”, shtoi deputetja.

Pacolli theksoi se “Agim Pllashniku u afrua me tonë e mënyrë kërcënuese pranë tavolinës ku isha ulur, duke shfaqur qartazi qëllime agresive dhe provokuese.”.

“Dëshmitarë të drejtpërdrejtë të këtij incidenti ishin përfaqësues të institucionit të Avokatit të Popullit, përfshirë edhe vetë Avokatin e Popullit, si dhe zyrtarë policorë në uniformë, të cilët ndodheshin në lokal në momentin e ngjarjes. Disa portale, “gazetarë” dhe “analistë”, të financuar nga oligarkë dhe interesa të tyre të errëta, po e portretizojnë këtë sulm të rrezikshëm si një akt “heroik”, duke mbrojtur agresorin dhe duke tentuar ta paraqesin dhunuesin si viktimë.

Këto portale nuk kanë për qëllim informimin e publikut. Ato janë kthyer në instrumente të dhunës së organizuar dhe sistematike kundër meje, duke përhapur qëllimisht urrejtje, kërcënime, shpifje, thirrje për sulme verbale e fizike, si dhe dhunë politike e psikologjike, me qëllimin e vetëm për të më detyruar të tërhiqem nga angazhimi im politik”,vijon reagimi.

Ajo thotë se këto veprime tashmë përbëjnë përgjegjësi penale.

“Unë nuk do të frikësohem. Nuk do të hesht. Nuk do të tërhiqem. Do të vazhdoj, sypatrembur dhe e palëkundur, rrugën time të drejtë. Dhe nuk do të lejoj që e vërteta të deformohet nga ata që përkrahin dhunën dhe krimin”, deklaroi deputetja.

Ndryshe,dDeputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, është përballur sot me një situatë jo të këndshme ndërsa ishte në një lokal. Ku një qytetar i afrohet në tavolinë dhe e akuzon duke e quajtur “hajneshë”.

Lidhur me rastin, Policia tashmë ka intervistuar personin e dyshuar.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, ka konfirmuar për Telegrafin, se ndaj tij është iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale ‘’Kanosja’’

“Referuar këtij rasti, i dyshuari është ftuar për intervistim nga ana e policisë dhe me rekomandimin e prokurorit të shtetit ndaj tij është iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale ‘’Kanosja’’ dhe i njëjti më pas është proceduar i lirë”, tha Borovci.

Ndryshe, Pacolli ishte e shoqëruar nga një person në lokal, gjatë kohës sa qytetari iu afrua duke e akuzuar për hajni./Telegrafi/

The post Reagon deputetja Pacolli: Sulmi nuk ishte spontan, video është incizuar nga gruaja ose vajza e tij appeared first on Telegrafi.

Industria e ndërtimit në qendër të vëmendjes, dita e parë e Expo Real Kosova 2025 mbyllet me sukses

25 July 2025 at 21:36

Në një atmosferë plot gjallëri dhe interes të lartë, sot u hap zyrtarisht panairi “Expo Real Kosova 2025”, një ndër ngjarjet më të mëdha të vitit në sektorin e ndërtimit, prodhimit dhe patundshmërisë.

Për tri ditë me radhë, mbi 45 kompani vendore po ekspozojnë qindra projekte, që nga materialet ndërtimore e deri te zgjidhjet për planifikimin urban dhe dizajnin e interierit.

Në ditën e parë të panairit, vizitorët patën rastin të shqyrtojnë një mori zgjidhjesh – që nga materialet bazë të ndërtimit, planifikimi dhe dizajnimi, e deri te ofertat për blerje apo investim në patundshmëri.

Veç prezantimeve dhe ekspozimit, dita e parë u shënua edhe nga panele diskutimi ku u ballafaquan përfaqësues të sektorit privat dhe atij financiar, me theks të veçantë në ndërtimin e qëndrueshëm dhe investimet e gjelbra.

Pjesëmarrësit theksuan përparimin e Kosovës në këtë drejtim dhe nevojën për bashkëpunim më të thellë ndërmjet sektorëve.

Më tutje, organizatorët theksuan se misioni i panairit është krijimi i një kulture të re investimi dhe bashkëpunimi mes bizneseve, si dhe ndërtimi i një tregu të fuqishëm dhe të qëndrueshëm vendor.

Dita e parë u përmbyll me sukses dhe interes të madh, ndërsa ftohen të gjithë qytetarët, profesionistët dhe të interesuarit që të vizitojnë panairin edhe në dy ditët në vijim, më 26 dhe 27 korrik nga ora 12 :00 deri në 20 :00 në Prishtina Mall, për të përfituar nga mundësitë që ofrohen në këtë hapësirë bashkëpunimi dhe zhvillimi. /Telegrafi/

 

 

The post Industria e ndërtimit në qendër të vëmendjes, dita e parë e Expo Real Kosova 2025 mbyllet me sukses appeared first on Telegrafi.

Qytetarët ankohen për mungesë të ujit, KRU “Prishtina”, thotë se konsumi ka arritur pikën e kuqe

25 July 2025 at 21:29

Banorët në Prishtinë po ankohen për mungesë të ujit, duke theksuar se ndërprerjet po ndodhin kryesisht gjatë orëve të pasdites.

Sipas tyre, kjo po u shkakton vështirësi të mëdha në përditshmëri, veçanërisht tani kur temperaturat janë të larta dhe nevoja për ujë është edhe më e madhe.

E për këtë, KRU “Prishtina”, sot ka bërë një njoftim, duke thënë se konsumi ka arritur pikën e kuqe.

“Të nderuar konsumatorë! KRU” Prishtina” është duke trajtuar ujë me kapacitete maksimale të mundshme në Batllavë, Badoc dhe Shkabaj. Konsumi i ujit[përfshirë keqpërdorimet alarmante] janë në pikën e kuqe”, thuhet në njoftim.

Nga KRU “Prishtina”, qytetarët janë lutur që ujin ta ujin ta shpenzojnë sa më racionalisht, ngase uji nuk po arrinë në pikat e larta.

“Përndjekja e keqpërdoruesve është në intensitetin më të lartë ndonjëherë”./Telegrafi/

The post Qytetarët ankohen për mungesë të ujit, KRU “Prishtina”, thotë se konsumi ka arritur pikën e kuqe appeared first on Telegrafi.

Katër helikopterë dhe mbi 120 forca zjarrfikëse në fshatrat e Delvinës, Vengu: Orët në vijim pritet të jenë të vështira, shkak temperaturat e larta

25 July 2025 at 21:15

Katër helikopterë janë angazhuar me fluturime të pandërprera në tre fshatrat e Delvinës, për të kufizuar perimetrin e flakëve, ndërsa mbi 120 forca po operojnë në terren për të orientuar dhe mbështetur banorët të Pfshatrave Vergo, Palavli dhe Kopaçëz.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu bën me dije se “duhet të sigurohemi që mbrëmja të kalojë sa më e sigurt për ta, ndërsa mbetemi në gatishmëri të plotë, pasi orët në vijim pritet të jenë të vështira për shkak të temperaturave të larta”.

“Shefi i Komisariatit të Delvinës ka ndërhyrë për të ndihmuar banorët në kushte shumë të vështira, duke kryer një akt të vërtetë heroik. Ai është lënduar gjatë operacionit dhe po merr ndihmën shëndetësore në spital. I urojmë shërim të shpejtë dhe jemi mirënjohës për guximin e treguar çdo efektivi. Falenderime të veçanta për forcat zjarrfikëse, Policinë e Shtetit dhe partnerët tanë që po na ndihmojnë në këtë situatë të vështirë”, shkruan Vengu. /tch/

The post Katër helikopterë dhe mbi 120 forca zjarrfikëse në fshatrat e Delvinës, Vengu: Orët në vijim pritet të jenë të vështira, shkak temperaturat e larta appeared first on Telegrafi.

Intervistohet nga policia qytetari që e ofendoi deputeten Fitore Pacolli në një lokal

25 July 2025 at 19:51

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, është përballur sot me një situatë jo të këndshme ndërsa ishte në një lokal. Ku një qytetar i afrohet në tavolinë dhe e akuzon duke e quajtur “hajneshë”.

Lidhur me rastin, Policia tashmë ka intervistuar personin e dyshuar.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, ka konfirmuar për Telegrafin, se ndaj tij është iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale ‘’Kanosja’’

“Referuar këtij rasti, i dyshuari është ftuar për intervistim nga ana e policisë dhe me rekomandimin e prokurorit të shtetit ndaj tij është iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale ‘’Kanosja’’ dhe i njëjti më pas është proceduar i lirë”, tha Borovci.

Ndryshe, Pacolli ishte e shoqëruar nga një person në lokal, gjatë kohës sa qytetari iu afrua duke e akuzuar për hajni./Telegrafi/

 

 

 

 

The post Intervistohet nga policia qytetari që e ofendoi deputeten Fitore Pacolli në një lokal appeared first on Telegrafi.

AGK i shkruan letër të hapur presidentes Osmani dhe kryeministrit në detyrë, Kurti për situatën në Gaza

25 July 2025 at 19:33

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), u është bashkuar asociacioneve kombëtare të shumë shteteve evropiane, duke u shkruar institucioneve qendrore të shteteve përkatëse, për të nxitur reagimin rreth situatës së papranueshme me krizën humanitare në Gaza.

AGK-ja i kërkon Presidentes Osmani dhe kryeministrit në detyrë, Kurti që të marrin qëndrim të qartë rreth kësaj krize, dhe të bëjnë thirrje publike për ndaljen e vrasjes së civilëve dhe gazetarëve nëpërmjet metodës së urisë, të orkestruar nga shteti i Izraelit.

Letra e plotë:

Letër e hapur për Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti

E nderuara Presidente Osmani – Sadriu

I nderuari kryeministër në detyrë Kurti,
Ju shkruajmë në emër të Bordit Drejtues të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, në kohën që bota po përjeton një prej krizave të mëdha humanitare në histori. Ne shprehim solidaritet me të gjitha viktimat e luftës në Gaza, duke përfshirë kolegët tanë gazetarë që përkundër të gjitha vështirësive, vazhdojnë të bëjnë punën e tyre të raportimit.

Ajo që po ndodhë sot në Gaza është krim lufte dhe krim kundër njerëzimit: uria po përdoret si armë, dhe mohimi i nevojave bazike, duke përfshirë ilaçe dhe ujë të pastër, po ndodhë para syve të botës. Të vetmit dëshmitarë të mbetur të këtyre krimeve dhe vuajtjeve janë gazetarët lokalë. Nën bllokadë dhe me ndalimin e hyrjes së gazetarëve ndërkombëtarë, ata rrezikojnë jetët e tyre për të sjellur të vërtetën para botës. Tani, edhe ata, po heshtën nëpërmjet urisë.

Krejt kjo nuk është rezultat i ndonjë fatkeqësie natyrore, por është një vendim politik, një formë e dënimit kolektiv orkestruar nga qeveria e Izraelit.

Federata Evropiane dhe ajo Ndërkombëtare e Gazetarëve (EFJ dhe IFJ), paralajmërojnë se gazetarët në Gaza kanë arritur pikën e kolapsit fizik: ata po vdesin nga uria, po e humbin vetëdijen, po e humbasin forcën – dhe me këtë aftësinë për të bërë punën e tyre. Sipas të dhënave të IFJ-së, së paku 187 gazetarë dhe punëtorë medial janë vrarë që prej fillimit të luftës në Gaza. Vdekjet e tyre bartin një mesazh të rrezikshëm: që e vërteta nuk duhet të dalë në dritë. Me mbylljen e Gazës për gazetarët e huaj, ushtria e Izraelit po e shtyp lirinë e shprehjes dhe të drejtën e publikut për t’u informuar. Ne po e shohim në mënyrë praktike heshtjen e zërit të së vërtetës, heshtjen e gazetarëve duke i vrarë me uri.

Ne kërkojmë që institucionet e Kosovës – Presidenca e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, në mënyrë të qartë të definojnë qëndrimin e tyre për krimet e vazhdueshme në Gaza, dhe të mos fshihen prapa formulimeve neutrale.

Presidenca dhe Qeveria e Kosovës duhet të bëjnë thirrje publike për ndalimin e vrasjes së civilëve, lejimin e hyrjes së ndihmave humanitare në Gaza dhe lejimin e punës së papenguar të gazetarëve, duke përfshirë lejimin e gazetarëve ndërkombëtare brenda territorit të Gazas.

Kosova, sikurse shtetet e tjera të Evropës, duhet të vendosen në anën e humanizmit dhe të së drejtës ndërkombëtare. Është e papranueshme moralisht që Kosova të qëndrojë e heshtur në këtë moment.

Kur e vërteta heshtet me uri deri në vdekje, është detyra e secilit të flasë me zë të lartë. /Telegrafi/

 

The post AGK i shkruan letër të hapur presidentes Osmani dhe kryeministrit në detyrë, Kurti për situatën në Gaza appeared first on Telegrafi.

Temperatura rekorde në Kosovë, në Han të Elezit arrin 41.6 gradë Celsius

25 July 2025 at 19:23

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) ka njoftuar se sot janë regjistruar temperatura jashtëzakonisht të larta në territorin e Kosovës.

Sipas matjeve nga Rrjeti Shtetëror i Stacioneve Meteorologjike, disa qytete kanë shënuar vlera rekorde të temperaturave që nuk janë regjistruar më parë, transmeton Telegrafi.

Rekordi i temperaturave më të larta u shënua në Han të Elezit, ku maksimalja ka arritur në 41.6 gradë Celsius.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë ka dhënë disa rekomandime për qytetarët se si të mbrohen nga temperaturat e larta.

Ministria e Shëndetësisë rekomandon institucionet publike dhe private të marrin masa mbrojtëse të përgjithshme dhe specifike ndaj ekspozimeve në temperatura të larta, si në vijim:

Të shmanget puna në ambient të jashtëm prej orës 11:00-16:00;

Gratë shtatzëna të lirohen nga puna nga ora 11:00 deri në 16:00, nëse në vendin e punës nuk plotësohen kushtet sipas pikave 1.4, 1.5, dhe 1.6

Personat me sëmundje kronike të punojnë me orar të shkurtuar, maksimumi 4 orë në ditë;

Të përshtaten oraret e punës për të punësuarit, në mëngjes herët ose pasdite vonë, përfshirë edhe mundësinë e punës nga shtëpia;

Të sigurohet ajrosja e mjaftueshme në vendet e punës të mbyllura

Të vendosen pika freskimi (përdorimi i çadrave të lëvizshme dhe materialeve tjera për të krijuar hije apo zona freskimi) në vend punishtet e hapura për freskim të punëtorëve dhe të sigurohet qasje në ujë te ftoftë për punëtorët

Të shpërndahen informacione për mënyrat e mbrojtjes nga nxehtësia.

Ministria e Shëndetësisë rekomandon masat mbrojtëse të përgjithshme për qytetarët ndaj ekspozimeve në temperatura të larta, si në vijim:

Të shmanget qëndrimi në ambientin e jashtëm në kulmin e nxehtësisë;

Të konsumohet ujë për tu mbrojtur nga dehidrimi dhe të shmangen pijet e gazuara;

Të përdoren kapelë dhe syze mbrojtëse nga dielli kur qëndrohet jashtë;

Mos të lihen fëmijët vetëm në veturë derisa prindërit/kujdestarët kryejnë ndonjë punë;

Të kontaktohen rregullisht të afërmit e moshuar ose me sëmundje kronike për të vlerësuar nevojat shëndetësore të tyre;

Sipas nevojës të kërkohet ndihmë në shërbimet e urgjencës mjekësore, telefoni 194. /Telegrafi/

The post Temperatura rekorde në Kosovë, në Han të Elezit arrin 41.6 gradë Celsius appeared first on Telegrafi.

Zjarrfikësit, Forcat e Armatosura dhe helikopterët në aksion për shuarjen e zjarreve në Bashkinë Delvinë

25 July 2025 at 17:22

Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë ka njoftuar se po vijon ndërhyrja për shuarjen e zjarrit në Bashkinë Delvinë.

Siç njofton Ministria e Mbrojtje, në terren ndodhen edhe helikopterët, transmeton Telegrafi.

“Vijon ndërhyrja për shuarjen e flakëve në zonën e fshatit Vergo, një nga tre fshatrat e përfshirë nga zjarri në Bashkinë Delvinë. Në terren ndodhen 4 mjete zjarrfikëse, 60 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë Cougar që po punojnë për izolimin e flakëve dhe mbrojtjen e banesave”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, banorëve të fshatrave Vergo, Palavli dhe Kopaçëz u bëhet thirrje të ndjekin udhëzimet e emergjencave civile dhe të bashkëpunojnë me autoritetet lokale dhe forcat e sigurisë. /Telegrafi/

 

The post Zjarrfikësit, Forcat e Armatosura dhe helikopterët në aksion për shuarjen e zjarreve në Bashkinë Delvinë appeared first on Telegrafi.

Punëtorët e KEK-ut do të marrin një bonus në vlerë prej 400 euro

25 July 2025 at 17:14

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) do të marrin një bonus në vlerë prej 400 euro.

Kështu është marrë vendimi në mbledhjen e rregullt të Bordit të Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK Sh.A.) që është mbajtur sot, transmeton Telegrafi.

“Ky vendim është marrë bazuar në kompetencat statutare të Bordit, sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike dhe në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare të qeverisjes korporative, si dhe mbi bazën e performancës së mirë financiare të KEK Sh.A. gjatë vitit 2024. Njëkohësisht, në shqyrtimin e këtij vendimi janë marrë parasysh edhe kërkesat e dy sindikatave aktive në KEK Sh.A. – SR-KEK dhe SPEK – të adresuara gjatë takimeve të rregullta me menaxhmentin ekzekutiv”, thuhet në njoftimin e tyre.

Gjithashtu, thuhet se bordi e ka ndërmarrë këtë vendim me bindjen se mirëqenia e punonjësve të KEK Sh.A. mbetet një prioritet strategjik, duke i konsideruar ata si asetet më vitale të korporatës dhe themel të suksesit dhe stabilitetit të saj.

“Ky bonus përfaqëson një vlerësim të drejtpërdrejtë për përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin e vazhdueshëm të stafit në përmbushjen e objektivave të korporatës në sektorin energjetik të vendit. Zbatimi i vendimit do të bëhet nga menaxhmenti ekzekutiv, në koordinim me njësitë përkatëse financiare dhe administrative të KEK Sh.A”, vijon njoftimi. /Telegrafi/

The post Punëtorët e KEK-ut do të marrin një bonus në vlerë prej 400 euro appeared first on Telegrafi.

Yesterday — 24 July 2025Main stream

​Ambasadorët e vendeve mike nesër pjesmarrës në seancën e 52-të për konstituimin e Kuvendit

24 July 2025 at 15:42

Ambasadorët e shteteve mike pritet të marrin pjesë të premten në vazhdimin 52-të të seancës konstituive në Kuvendin e Kosovës.

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë njofton se duke pasur parasysh se nesër është mundësia e fundit për të konstituar Kuvendin para afatit të Gjykatës Kushtetuese, Ambasadori Rohde, së bashku me kolegë të tjerë ndërkombëtarë, planifikon të marrë pjesë në seancën në parlament.

“Duke pasur parasysh se nesër është mundësia e fundit për të konstituuar Kuvendin para afatit të Gjykatës Kushtetuese, Ambasadori Rohde, së bashku me kolegë të tjerë ndërkombëtarë, planifikon të marrë pjesë në seancën në parlament”, thuhet në njoftim, raporton kp.

Më 26 korrik skadon afati i Gjykatës Kushtetuese e cila i ka urdhëruar deputetët që konstituojnë Kuvendin brenda një muaji.

Presidentja Vjosa Osmani të martën iu drejtua Kushtetueses, mes tjerash për të kërkuar masë të përkohshme për ndalimin e rrjedhjes së afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, ku në bazë të aktgjykimit të Kushtetueses janë obliguar deputetët që deri më 26 korrik të zgjedhin trupat e Kuvendit, por pa specifikuar pasojat juridike.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e nderpreu seancën të mërkurën, më 23 korrik, duke thënë se nuk ka kushte për mbajtjen e saj. Kjo erdhi pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ia largoi mikrofonin Deharit.

Dehari pasi këtij veprimi të Musliut tha se e ndërpret seancën dhe e njëjta vazhdon me 25 korrik në orën 11:00. Ai nuk e hodhi fare në votim formimin e komisionit të fshehtë.

The post ​Ambasadorët e vendeve mike nesër pjesmarrës në seancën e 52-të për konstituimin e Kuvendit appeared first on Telegrafi.

AAK përmbyll nominimet për zgjedhjet e 12 tetorit, Bashkim Budakova zyrtarizohet për Lipjan dhe Ramë Bislimi për Shtime

24 July 2025 at 13:33

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka zyrtarizuar të gjithë kandidatuarat për komuna për zgjedhjet e 12 tetorit.

AAK ka nominuar Bashkim Budakovën për kryetar të Lipjanit.

Nominimi i tij vjen pasi ditë më parë Ilir Tasholli është tërhequr nga gara për kryetar të kësaj komune, transmeton Telegrafi.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se Budakova është profesionist me përvojë të gjatë në arsim.

“Aleanca ka nominuar Bashkim Budakova si kandidat për kryetar të Komunës së Lipjanit, një profesionist me përvojë të gjatë në arsim dhe përfaqësues i dëshmuar i qytetarëve në Kuvendin Komunal. Bashkimi njihet si njeri me integritet të lartë, i afërt me komunitetin dhe i palëkundur në mbrojtjen e interesit publik. Ai përfaqëson modelin e udhëheqësit të përkushtuar, me vizion të qartë për zhvillimin e Lipjanit dhe me gatishmëri për të ndërtuar një qeverisje të ndershme dhe përgjegjëse”, ka theksuar ai.

Gjithashtu, AAK ka nominuar edhe Ramë Bislimin për komunën e Shtimes.

“Në Shtime, kandidati i Aleancës është Ramë Bislimi, një figurë e respektuar nga qytetarët, i njohur për maturi, ndershmëri dhe lidership të natyrshëm. Ramë Bislimi gëzon besimin e komunitetit dhe sjell me vete një përvojë të pasur dhe një përkushtim të palëkundur për zhvillim ekonomik, mirëqenie dhe qeverisje transparente. Ai është garanci për një Shtime më të mirë, më të drejtë dhe më të organizuar”, theksoi ai.

Ai shtoi tutje se “Me këto dy kandidatura të fuqishme, Aleanca përmbyll nominimet në komuna, duke dëshmuar edhe njëherë vlerat që e udhëheqin; ndershmërinë, profesionalizmin dhe besimin në qytetarin”./Telegrafi/

The post AAK përmbyll nominimet për zgjedhjet e 12 tetorit, Bashkim Budakova zyrtarizohet për Lipjan dhe Ramë Bislimi për Shtime appeared first on Telegrafi.

Inspektorati Sanitar mbyll pishinën e Gërmisë pasi IKSHPK njoftoi se uji nuk i plotëson standardet

24 July 2025 at 11:44

Inspektorati Sanitar i Ministrisë së Shëndetësisë ka mbyllur Pishinën e Gërmisë në Prishtinë, pasi Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë njoftoi se uji nuk plotëson standartet për pishinë.

Inspektorët tashmë kanë vendosur shenjën ku tregohet për mbylljen e pishinës, pikërisht në dyert e kësaj pishine.

Telegrafi ka dërguar pyetje në Inspektoratin Sanitar të Shëndetësisë, por deri në publikimin e lajmit nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Më herët, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se monitoruar cilësinë e ujit në pishinën e Gërmisë, dhe rezultatet e këtyre mostrave te lëshuara me 22 korrik 2025, treguan se parametrat mikrobiologjikë nuk plotësuan standardet për ujin e pishinës.

Kështu ka njoftuar IKSHPK përmes një njoftimi për media, transmeton Telegrafi.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në kuadër të mandatit të tij për mbrojtjen e shëndetit publik, dhe bazuar në kontratën që ka me ndërmarrjen publike “Sport Marketing” SH.A, që bën menaxhimin e pishinës së Gërmisë në Prishtinë, po bën monitorimin e rregullt të cilësisë së ujit ne këtë pishinë publike. Ekspertët e Ekologjisë Humane nga IKSHPK kanë marrë mostra për analizë laboratorike nga uji i kësaj pishine, të premten më 19 korrik 2025. Rezultatet e këtyre mostrave te lëshuara me 22 korrik 2025, treguan se parametrat mikrobiologjikë nuk plotësuan standardet për ujin e pishinës. Inspektorati Sanitar i Ministrisë së Shëndetësisë ka bërë vizitë në këtë pishinë, në të njëjtën ditë. Më 23 korrik 2025, janë marrë mostra të përsëritura dhe rezultatet përfundimtare pritet të jenë të gatshme ditën e premte, me 25 korrik 2025″, thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se në momentin që rezultatet e reja do të jenë të disponueshme, qytetarët do të njoftohen përmes kanaleve zyrtare të komunikimit të IKSHPK-së./Telegrafi/

 

The post Inspektorati Sanitar mbyll pishinën e Gërmisë pasi IKSHPK njoftoi se uji nuk i plotëson standardet appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

Ndalje mikrofonash e përplasje ndërmjet Avni Deharit dhe Ganimete Musliut

23 July 2025 at 11:34

Në seancën konstituive ka ndodhur një përplasje ndërmjet kryesuesit të seancës, Avni Dehari dhe deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu.

Deputetja në fjalimin e saj u ftua ta bëjë propozimin për Komisionin Zgjedhor, dhe më pas ajo filloi të flas duke mos e bërë propozimin, transmeton Telegrafi.

Pas kësaj, reagoi Dehari, duke i thënë se “ndalohet debati, po keqpërdoret foltorja”.

Musliu në anën tjetër kërkoi të mos i ndalet mikrofoni, ajo iu afrua Deharit më pas duke mos e lejuar as atë të flas.

Kjo situatë bëri që seanca të ndërpritet, dhe të vazhdohet ditën e premte. /Telegrafi/

The post Ndalje mikrofonash e përplasje ndërmjet Avni Deharit dhe Ganimete Musliut appeared first on Telegrafi.

KRU “Prishtina” kërkon që uji të mos shfrytëzohet në mënyrë të pakontrolluar

23 July 2025 at 09:56

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka kërkuar nga qytetarët që uji të mos shfrytëzohet në mënyrë të pakontrolluar.

Në njoftim thuhet se uji duhet kursyer, transmeton Telegrafi.

“Uji sot nuk duhet të shfrytëzohet në mënyrë të pakontrolluar, me ç ‘rast i zvogëlojmë rezervat e ujit të pijshëm, por uji duhet kursyer pikë për pikë.! Vetëm kështu sigurojmë sasi të mjaftueshme të ujit të pijshëm për të ardhmen. ot kemi rritje të kërkesave për ujë të pijshëm, pavarësisht që shpërndarja bëhet në mënyrë të barabartë dhe me kapacitete maksimale trajtuese”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, thuhet se “Nga ju kërkojmë shpenzim racional të ujit, ndërsa ne jemi duke inspektuar terrenin për kyçje ilegale dhe keqpërdorime të ujit në zonat urbane e rurale”.

“Ujin mund ta zëvendësojë vetëm uji! E ardhmja varet nga disa veprime që ne i marrim sot”./Telegrafi/

The post KRU “Prishtina” kërkon që uji të mos shfrytëzohet në mënyrë të pakontrolluar appeared first on Telegrafi.

Policia aksion në plazhin e Gjirit të Lalzit, lirohen hapësirat që ishin zënë në mënyrë të paligjshme

22 July 2025 at 15:37

Policia e Shtetit ka njoftuar se kanë liruar hapësira të tjera në plazhin e Gjirit të Lalzit, që ishin zënë në mënyrë të paligjshme.

Në njoftim thuhet se shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë, në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse nga subjektet në bregdet, duke vënë çadra dhe shezlongë, transmeton Telegrafi.

“Gjatë kontrolleve, në hapësira publike, në plazhin e Gjirit të Lalzit, u hoqën dhe u sekuestruan në total 78 komplete me çadra dhe shezlongë, që ishin vënë në mënyrë të paligjshme nga 2 shtetas”, bëhet e ditur në njoftim.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Ll. M., 66 vjeç dhe E. P., 36 të dy banues në Ishëm, Durrës.

Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror. /Telegrafi/

The post Policia aksion në plazhin e Gjirit të Lalzit, lirohen hapësirat që ishin zënë në mënyrë të paligjshme appeared first on Telegrafi.

SPAK merr zyrtarisht të pandehur kryebashkiakun Erion Veliaj

22 July 2025 at 11:47

Prokuroria e Posaçme ka marrë zyrtarisht të pandehur kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se Veliaj pritet të njoftohet zyrtarisht të mërkurën, 23 korrik, kur ai do të transportohet nga paraburgimi i Durrësit drejt ambienteve të SPAK në Tiranë.

Kryebashkiaku Veliaj ndodhet në qeli prej datës 10 shkurt dhe akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Arrestimi i tij u krye më 10 shkurt në zyrën e Bashkisë së Tiranës, ndërsa ndaj tij vijojnë hetimet së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa dhe gjashtë biznesmenë të tjerë.

Avokatët mbrojtës dhe vetë Veliaj janë njoftuar për procedurën nga Prokuroria e Posaçme, ndërsa të mërkurën pritet që SPAK të bëjë publike akuzat e plota ndaj tij./euronewsalbania/

 

The post SPAK merr zyrtarisht të pandehur kryebashkiakun Erion Veliaj appeared first on Telegrafi.

IPK publikoi Raportin e Inspektimit: Koha mesatare e reagimit policor për këtë vit në nivel vendi që është 13.7 minuta

22 July 2025 at 11:20

Departamenti i Inspektimit në kuadër të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) ka publikuar Raportin e inspektimit të rregullt në fushën “Reagimi në thirrjet e qytetarëve dhe raportimi i aktiviteteve policore”.

Në komunikatë thuhet se inspektimi është realizuar në bazë të Planit Vjetor të Inspektimeve të Rregullta për vitin 2025, për të vlerësuar nëse stacionet janë në gjendje të përgjigjen në mënyrë efektive dhe të shpejtë, në thirrjet e qytetarëve lidhur me shqetësimet e tyre.

“Objektivat e këtij inspektimi kanë qenë: matja dhe analizimi i kohës së reagimit policor në thirrjet e qytetarëve, vlerësimi i procesit të raportimit të aktiviteteve policore, si dhe vlerësimi i dokumentimit të aktiviteteve policore sipas niveleve”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, thuhet se gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për nivelet drejtuese dhe operative të strukturave policore të Departamentit të Rendit Publik, duke përfshirë edhe stacionet policore.

“Treguesit statistikor mbi kohën e reagimit në pamje të përgjithshme nuk pasqyrojnë ndryshim krahasuar me matjet e bëra nga IPK para tre viteve, me disa ndryshime tek një numër stacionesh dhe drejtorive rajonale. Koha mesatare e reagimit policor për këtë vit në nivel vendi që është 13.7 minuta, ka rezultuar e njëjtë si në matjet nga viti 2022”, vijon njoftimi.

Raporti vë në pah se nga këndvështrimi i nivelit të drejtorive rajonale, Drejtoritë Rajonale Ferizaj, Mitrovicë Veri dhe Mitrovicë e Jugut kanë reagim më të shpejtë krahasuar me drejtoritë tjera policore.

IPK në kuadër të Raportit ka dhënë katër rekomandime, që kanë të bëjnë me nevojën e shtimit të kontrolleve në zyrat e radio komunikimit tek një numër stacionesh në drejtim të përmirësimit të cilësisë së Logut operacional, organizimin e trajnimeve për mbajtjen cilësore të Logut operacional apo nxjerrjen e një manuali operativ mbi procedurën dhe veprimet në menaxhimin e thirrjeve, analizimin e kohës së reagimit për të identifikuar shkaktarët që ndikojnë në zgjatjen e saj, etj.

Lidhur me rezultatin e inspektimit duke përfshirë edhe rekomandimet e dhëna, të gjithë të interesuarit mund të kenë qasje në Raportin e plotë të inspektimit, i cili është i publikuar në faqen zyrtare të IPK-së./Telegrafi/

The post IPK publikoi Raportin e Inspektimit: Koha mesatare e reagimit policor për këtë vit në nivel vendi që është 13.7 minuta appeared first on Telegrafi.

❌
❌