Sëmundja e rëndë, Bruce Willis nuk e mban mend që ka qenë një aktor i famshëm
Aktori i njohur amerikan, Bruce Willis, i famshëm për rolet ikonike në filma si “Die Hard”, “The Sixth Sense” dhe “Pulp Fiction”, nuk është më i vetëdijshëm për famën dhe ndikimin që ka pasur në botën e kinemasë.
Kjo vjen si pasojë e përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore, pasi në vitin 2023 u diagnostikua me demencë frontotemporale (FTD) – një sëmundje që prek sjelljen, gjuhën dhe kujtesën.
Sipas Glenn Gordon Caron, krijues i serialit “Moonlighting”, që dikur ndihmoi në nisjen e karrierës së Willis, aktori sot nuk kupton pse njerëzit e ndalojnë në publik apo përse ndiqet nga paparacët.

“Ai nuk lexon më, por kur je me të, e ndjen që është ende Bruce, edhe pse ai gëzim i dikurshëm për jetën ka humbur”, u shpreh Caron.
Familja e Willis është përpjekur të mbrojë dinjitetin e tij gjatë kësaj periudhe të vështirë, ndërsa bashkëshortja e tij, Emma Heming Willis, ka kërkuar publikisht nga paparacët të tregojnë respekt, duke shmangur ndërhyrjet e panevojshme gjatë daljeve të tij në publik.
Pavarësisht vështirësive, familja ka vendosur të flasë hapur për sëmundjen, me qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për demencën frontotemporale, një nga format më të zakonshme të demencës tek personat nën 60 vjeç, por që ende mbetet më pak e kuptuar se sa Alzheimeri.
Bruce, edhe pse nuk e kujton më karrierën e tij të jashtëzakonshme, mbetet një figurë e dashur për publikun dhe një simbol i kinemasë botërore.

Familja dhe miqtë po e përkrahin me përkushtim, duke ecur përpara me dinjitet në këtë kapitull të ri të jetës së tij. /Telegrafi/
The post Sëmundja e rëndë, Bruce Willis nuk e mban mend që ka qenë një aktor i famshëm appeared first on Telegrafi.