Fondi i Muzeut Historik të Shkodrës është pasuruar së fundmi me pesë harta me vlerë të veçantë historike, një dhuratë e çmuar nga z. Gjergj Marena, një qytetar i njohur për pasionin e tij ndaj historisë dhe trashëgimisë kulturore.
Këto dokumente të rralla përbëjnë një kontribut të vyer në ruajtjen e kujtesës sonë historike, duke reflektuar dashurinë për qytetin e Shkodrës dhe ndjenjën e fortë të identitetit kombëtar, transmeton KultPlus.
Ky akt bujar u kurorëzua përmes një ceremonie simbolike të titulluar “Një Dhuratë me Vlerë Historike”, ku u shpreh mirënjohja për këtë kontribut me rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore të qytetit.
“Një falënderim i veçantë për Gjergj Marena, për përkushtimin, vizionin dhe kontributin e tij në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.” – shkruan Beci në profilin e tij në Facebook.
Ky gjest i z. Marena është një shembull i frymëzues për të gjithë ata që vlerësojnë dhe mbështesin trashëgiminë tonë të përbashkët kulturore./KultPlus.com
Brenda programit të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, DokuFest, edhe këtë vit është krijuar një hapësirë e dedikuar posaçërisht për më të vegjlit, DokuKids. Ky program ofron një përvojë unike që kombinon krijimtarinë, edukimin dhe argëtimin përmes filmit, artit dhe lojës.
DokuKids ka për qëllim të frymëzojë fëmijët që në moshë të hershme, duke i angazhuar ata në aktivitete që nxisin mendimin kritik, imagjinatën dhe shprehjen e lirë artistike. Gjatë ditëve të festivalit, kjo platformë shndërrohet në një botë plot ngjyra, ide dhe energji, ku fëmijët janë në qendër të vëmendjes.
Fëmijët që marrin pjesë në DokuKids ndihen të përfshirë dhe të motivuar nga përvoja që përjetojnë.
Programi njëjavor i DokuKids përfshin punëtori artistike e krijuese, shfaqje filmash, lojëra dhe improvizime të ndryshme.
“Programi jonë është njëjavor, pra fillon prej ditës së dytë të festivalit dhe mbaron në ditën e parafundit të festivalit. Pra për një javë e kemi një program shumë të pasur që enkas e kurojmë për fëmijët”, shpjegon Malborja Krajku, kuratore dhe koordinatore e DokuKids.
Nga viti në vit, kjo pjesë e festivalit është bërë e pandashme nga vetë identiteti i DokuFest-it, duke u kthyer në një platformë të rëndësishme për edukimin kulturor të fëmijëve.
Prindërit e shohin këtë nismë si një mundësi të vlefshme për fëmijët që të mësojnë dhe argëtohen jashtë rutinës së përditshme.
DokuKids është më shumë se një program, është një hapësirë ku edukimi dhe krijimtaria bashkohen, ku fëmijët shndërrohen në krijues të vegjël që mësojnë përmes përvojës, ndërtojnë vetëbesim dhe shprehin lirshëm botën e tyre të brendshme./KultPlus.com
Festivali Ndërkombëtar i Video Artit “Gjon Mili” rikthehet këtë vit në Korçë me edicionin e tij të tretë, që do të mbahet nga 27 deri më 29 gusht 2025, në tre lokacione, me qendër në Muzeun Gjon Mili.
Me titullin “The Skin of Light”, ky edicion fton artistët dhe publikun të mendojnë dritën si një lëkurë simbolike – një hapësirë ku përzihen kujtesa, ndjesia dhe perceptimi. Drita shfaqet jo vetëm si element teknik, por si një sipërfaqe poetike ku ndërthuren realja dhe imagjinata.
Nga 1230 aplikime të ardhura nga mbarë bota, 62 artistë janë përzgjedhur për të paraqitur punimet e tyre që eksplorojnë marrëdhënien e njeriut me dritën, ekranin dhe emocionin. Çdo punim ofron një gjuhë unike vizuale që lëviz midis botës virtuale dhe asaj fizike.
Festivali hapet në vendin simbolik ku mbetet i gjallë emri i mjeshtrit të fotografisë, Gjon Mili, duke e kthyer muzeun që mban emrin e tij në një qendër të dialogut artistik bashkëkohor.
Ky edicion sjell më shumë se një festival arti – është një thirrje për të ndier, për të parë dhe për të imagjinuar dritën si një lëkurë që flet./KultPlus.com
Fjalimi epik i Esat Mekulit për Çamërinë. Është viti 1941…, Pejë!
“Kosova dhe Çamëria kanë çelë plagë të randa dhe të paharrueshme në trupin e popullit t’onë, por i kanë dhanë edhe eksperiencë të madhe Shqipnisë së lirë dhe të bashkueme sot e mbrapa me vendet që ia kishin grabitun. Po flas si djalosh i Kosovës shqiptare, i Kosovës qi në ditën e sodit po lirohet përgjithmonë prej zgjedhës, me dishirin e madh dhe të pashkimun qi Kosova shqiptare t’i bashkohet Shqipnisë së lirë, qi vllaznit tonë, të çdo feje qofshin, t’a ndjejnë me zemër se janë vllazen rreth qëllimit dhe punës së përbashkët.
Zemrat t’ona le të jenë të mëdhaja dhe veprat t’ona edhe ma të mëdhaja, terrori qi anmiqt mbuellën nëpër fushat tona të buta dhe pjellore le të jenë nji herë e mirë mësim për bashkimin t’onë rreth idealeve të përbashkëta. Besa dhe dashunija vllaznore le të jenë të mëdha, sikurse ka qenë e madhe vuejtja e jonë deri tash, pse Shqipnia duhet me kenë e njishme, e pandashme, e pacoptueme.” / MekuliPress/ KultPlus.com
Këngëtari i njohur turk, Edis, ishte një nga yjet më të ndritur të Sunny Hill Festival 2025, duke sjellë një performancë të zjarrtë që elektrizoi publikun në zemër të Prishtinës.
I njohur për stilin unik dhe karizmën në skenë, Edis krijoi një lidhje të veçantë me publikun, duke bërë që mijëra të pranishëm të këndonin dhe kërcehnin bashkë me të. Emocionet e tij u reflektuan edhe në postimet pas koncertit, ku ndau mirënjohjen për përvojën e veçantë që përjetoi në Kosovë.
Artisti falënderoi posaçërisht Dua Lipën dhe Dukagjin Lipën për organizimin dhe për faktin që po e bëjnë këtë festival një pikëtakim ndërkombëtar të muzikës moderne. Ai e cilësoi Prishtinën si një qytet që rrezaton dashuri dhe energji pozitive, duke lënë të hapur mundësinë për rikthim.
Sunny Hill Festival vazhdon të afirmohet si një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në rajon, që bashkon artistë të mëdhenj dhe publik të zjarrtë nga e gjithë bota./KultPlus.com
OpenAI, kompania që qëndron pas zhvillimit të ChatGPT, është në bisedime me investitorë për një raund të ri shitjeje aksionesh, që mund ta çojë vlerësimin e saj në 500 miliardë dollarë – duke e bërë kështu grupin privat më të vlefshëm të teknologjisë në botë, përpara SpaceX të Elon Musk, që aktualisht vlerësohet në rreth 400 miliardë dollarë.
Aktualisht, OpenAI është në fazën përmbyllëse të një raundi financimi prej 40 miliardë dollarësh, i udhëhequr nga gjiganti japonez i investimeve SoftBank, i cili e vlerëson kompaninë në 300 miliardë dollarë. Por sipas burimeve pranë kompanisë, OpenAI ka nisur tashmë diskutimet me investitorë si Thrive Capital për një vlerësim të ri, pothuajse dyfish më të lartë.
Ky financim pritet të realizohet përmes një shitjeje të aksioneve dytësore, që do t’u lejonte punonjësve aktualë dhe ish-punonjësve të shesin aksionet e tyre. Vlera përfundimtare në të cilën do të kryhet kjo shitje ende nuk është përcaktuar dhe do të varet nga kërkesa e investitorëve. Megjithatë, sipas një burimi të njohur me çështjen, shitja pritet të jetë dukshëm më e madhe se ajo prej 1.5 miliardë dollarësh e realizuar në fund të vitit të kaluar.
As OpenAI dhe as Thrive Capital nuk kanë pranuar të komentojnë mbi këto zhvillime.
Këto bisedime, të raportuara fillimisht nga Bloomberg, janë një tjetër tregues i interesit të jashtëzakonshëm që po gjeneron inteligjenca artificiale, duke krijuar një mjedis të paparë financimi për kompanitë që ndërtojnë apo përdorin këtë teknologji. Investitorët po nxitojnë të pozicionohen te start-up-et më premtuese, me shpresën se kompania dominuese në këtë fushë do të arrijë vlera prej triliona dollarësh.
Që nga lansimi i ChatGPT në fund të vitit 2022, të ardhurat vjetore të përsëritshme të OpenAI (një tregues i përdorur zakonisht për të matur të ardhurat nga abonimet në start-up-e) janë rritur në 12 miliardë dollarë. Kompania parashikon që kjo shifër të arrijë në mbi 20 miliardë dollarë deri në fund të vitit 2025, sipas burimeve të njohura me të dhënat financiare të saj.
Konkurrenti më i afërt i OpenAI, kompania Anthropic, ka katërfishuar të ardhurat e saj vjetore të përsëritshme në 4 miliardë dollarë këtë vit dhe është në bisedime për të siguruar të paktën 5 miliardë dollarë në një tjetër raund financimi që do ta vlerësonte atë në 170 miliardë dollarë.
Të dy kompanitë, megjithatë, vazhdojnë të punojnë me humbje, për shkak të kostove shumë të larta që kërkohen për trajnim dhe operim të modeleve më të avancuara të inteligjencës artificiale.
Ndërkohë, kompanitë më të mëdha të teknologjisë kanë fituar qindra miliarda dollarë në kapitalizim tregu në ditët e fundit, pas zotimeve për të investuar më shumë në këtë fushë.
Gara për klientë është e ashpër, ndërsa kompanitë ofrojnë mjete që gjenerojnë tekst, kod apo imazhe nga kërkesat e përdoruesve.
Të martën, Anthropic njoftoi përmirësime të reja në një nga modelet e saj kryesore, që rrisin ndjeshëm performancën në programim, ndërsa OpenAI publikoi modele “open-weight” që janë të aksesueshme falas dhe mund të përshtaten nga zhvilluesit. Gjithashtu, pritet që gjatë këtij muaji OpenAI të lançojë modelin shumë të përfolur GPT-5.
Sikur Zoti të harronte për një moment që unë jam një dordolec i ndrequr me rrecka dhe të më dhuronte një copë jete, mbase nuk do të thosha t’i gjitha ato që po mendoja, por sigurisht do t’i mendoja të gjitha ato që po them.
Do i jepja rëndësi gjërave jo për vlerën e tyre por për domethënien e tyre. Do flija pak, do ëndërroja më shumë, sepse cdo minutë që mbyllim sytë humbim gjashtëdhjetë sekonda drite. Do vazhdoja kur të tjerët do të ndalonin, do të zgjohesha kur të tjerët do të flinin.
Do t’i dëgjoja kur të tjerët do flisnin dhe sa do e shijoja një akullore me çokollatë!!!
Nëse Zoti do me jepte nje cope jete, do të vishesha thjesht, do të shtihesha përballë diellit duke e lënë të pambuluar jo vetëm trupin tim, por edhe shpirtin tim.
Zoti im, nëse do të mundesha do ta shkruaja urrejtjen time mbi akull dhe do të prisja të dilte dielli.
Do pikturoja një ëndërr të Van Gogut mbi yje, do të recitoja një poezi të Benedetit dhe një këngë të Sheratit…
Do ishte serenata që do t’ia dhuroja hënës.
Do ujisja me lotët e mi trëndafilat, që të ndjeja dhimbjen nga gjembat e tyre dhe puthjen ngjyrë kuqe nga fletët e tyre.
Ah Zoti im, sikur të kisha një copë jetë …nuk do të lejoja të kalonte as edhe një ditë pa iu thënë njerëzve që dashuroja se i dashuroj.
Do të bëja çdo burrë dhe grua të besojnë se janë njerëzit që dua dhe do të dashurohesha me dashurinë. Te njerëzit do tregoja se sa gabim bëjnë kur besojnë se ndalojnë së dashuruari kur plaken, pa kuptuar se plaken kur ndalojnë të dashurojnë.
Fëmijës së vogël do i jepja pende, por do e lija të mësonte vetë sesi të fluturojë.
Pleqve do i tregoja se vdekjen nuk e sjell pleqëria por “harresa”.
Mësova kaq gjera nga ju njerëzit…
Mësova se të gjithë duan të jetojnë në “majën e malit”, pa kuptuar se lumturia qëndron në mënyrën se si zbret “faqen e pjerrët”.
Mësova se kur fëmija e porsalindur shtrëngohet mbi pëllëmbën e tij të vogël, për herë të parë gishti që zgjatet i babait të tij e robëron përgjithmonë.
Mësova se njeriu ka të drejtë ta shoh tjetrin nga lart, vetëm kur duhet ta ndihmojë të çohet.
Janë kaq shumë gjëra që mësova prej jush, por me të vërtetë nuk do të hyjnë në punë, sepse kur të më mbajnë të mbyllur brenda në këtë valixhe fatkeqësisht do të jem i vdekur.
Të thuash gjithmonë atë që ndjen dhe të bësh gjithmonë atë që mendon.
Nëse do ta dija që sot do të ishte hera e fundit që do të te shihja duke fjetur, do të të përqafoja fort dhe do t’i lutesha Zotit që të bëhesha roja i shpirtit tënd.
Nëse do e dija se kjo do ishte hera e fundit që do të të shihja të dilje nga dera, do të të përqafoja dhe do të të jepja një puthje dhe do të të thërrisja përsëri që të të jepja edhe të tjera.
Nëse do e dija se kjo do të ishte hera e fundit që do dëgjoja zërin tënd, do ta incizoja çdo fjalë tënden që të mund të të dëgjoja përsëri, përsëri.
Nëse do e dija që këto do të ishin momentet e fundit që do të të shihja do të të thoja “të dashuroj” dhe do të supozoja jo logjikisht se e dije më parë.
Ekziston gjithmonë një e nesërme dhe jeta na jep edhe mundësi të tjera që ti bëjmë gjërat siç duhet, por në qoftë se bëjmë gabime na mbetet vetëm e sotmja, do doja të të thosha se sa shumë të dua dhe se kurrë s`do të të harroj.
E nesërmja nuk është e sigurt për askënd si i ri si i vjetër. Sonte mund të jetë hera e fundit që i shikon njerëzit që do. Prandaj mos prit më, bëjë sot sepse e nesërmja nuk vjen kurrë, sigurisht do pendohesh për ditën kur nuk gjete kohë për një buzëqeshje, një përqafim, një puthje dhe sepse ishe shumë i zënë për të realizuar një dëshirë të tyre.
Mbaj ata që dashuron pranë vetes, thuaji duke mërmëritur se sa shumë ke nevojë për ta, dashuroi, sillu mirë gjeje kohën për ta, thuaji “më vjen keq”, “më fal”, “të lutem”, “faleminderit” dhe të gjitha fjalët e dashurisë qe di. Asnjeri nuk do të të mbaj mend për mendimet e tua të fshehta.
Kërko nga Zoti fuqinë dhe zgjuarsinë t`i shprehësh. Tregoju të tjerëve domethënien e tyre.
Fillo të bësh realitet ëndrrat e tua.
Tani është momenti!
Writer Gabriel Garcia Marquez, who won the Nobel Prize in 1982, died Thursday at 87.
Pas suksesit të jashtëzakonshëm global, seriali “Wednesday” rikthehet sot, më 6 gusht, me pjesën e parë të sezonit të dytë në platformën Netflix.
Me një atmosferë edhe më të errët, sezoni i ri sjell një kapitull të ri në jetën e Wednesday Addams, ndërsa misteret e Nevermore Academy thellohen edhe më tej. Ky sezon premton zbulime të forta, sekrete të pazbuluara dhe zhvillime që do të trondisin jo vetëm shkollën, por edhe botën e saj të errët.
Jenna Ortega, e cila u bë ikonë me rolin e saj, rikthehet jo vetëm si protagoniste, por edhe si producente ekzekutive, duke shtuar më shumë thellësi dhe intensitet në rrëfim.
Pjesa e dytë e sezonit pritet të publikohet më 3 shtator, duke sjellë një vazhdim të ngjarjeve që premtojnë emocion, tension dhe kthesa të papritura.
Fansat e gotikes, misterit dhe humorit të zi tashmë mund të rikthehen në botën magjepsëse të “Wednesday”, ku asgjë nuk është ashtu siç duket./KultPlus.com
Ekspedita arkeologjike në kalanë e Gjirokastrës e ndërmarë nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore me pjesëmarrjen e arkeologëve shqiptarë dhe të huaj ka përfunduar.
Zbulimet e reja përfshijnë gjurmë të një kulle të periudhës së antikitetit të vonë të shek. V–VI të erës sonë si dhe skeletin e një kali dhe të një luftëtari. Gjithashtu janë zbuluar objekte arkeologjike me vlerë, të cilat i përkasin periudhës së Bronzit të Mesëm dhe të Vonë.
“Pas 4 javë gërmimesh në kalanë e Gjirokastrës ne kemi mbyllur me sukses ekspeditën tonë, mund të themi se kemi patur gjetje materiale përveç skeleteve, kemi gjetur fragmente qeramike që i përkasin periudhave të ndryshme, gjetje metalesh”, tha Pamela Llapaj, arkeologe.
Ndërsa arkeologët u rikthyen pas gati 30 vitesh në këtë monument me vlera unikale e cilësojnë të rëndësishme këtë ekspeditë që pasuron historikun e kalasë së Gjirokastrës.
“Është një ekspeditë mjaft e suksesshme sepse kemi arritur qëllimin tonë, kemi gjetur pjesë të një fortifikimi të hershëm para periudhës së mesjetës, duke na ndihmuar të mësojmë më shumë për historikun dhe për arkeologjinë e kalasë dhe vetë qytetit përpara periudhës së cilës kemi dijeni”, shtoi arkeologia Llapaj.
Zbulimet e fundit arkeologjike zgjerojnë hartën e vizitueshmërisë duke e bërë më interesantë për turistët vizitën në kalanë e gurtë.
Më tej, Pamela thekson se: “Mund të shërbejnë sepse njerëzit dhe turistët janë gjithmonë të interesuar për të parë historinë dhe për ta njohur më mirë dhe aq më tepër kur në një kala mesjetare zbulohen mure të antikitetit të vonë të cilat janë të hershme”.
Kalaja, si histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës, përmendet për herë të parë në vitin 1336. E megjithatë historianë të ndryshëm mendojnë së egzistenca e Kalasë së gurtë është më e hershme. Kulmin e historisë së saj kjo kështjellë do ta kishtë në periudhën e Pashallëkut të Janinës kur Ali Pashë Tepelena do të realizontë një sërë ndërtimesh të reja duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot.
Një piramidë e lashtë në Meksikë është shembur në një grumbull rrënojash dhe njerëzit mendojnë se është një ‘ogur i keq’.
Piramida prej guri në shtetin e Michoacán u bë një nga shumë vendet e trashëgimisë kulturore që u vunë në rrezik për shkak të motit ekstrem në vitin 2024, pasi shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan shembjen e saj.
Incidenti ndodhi më 29 korrik, kur muri jugor i një piramide katrore 15 metra të lartë u shemb nën presionin e shiut të rrëmbyeshëm dhe të pandërprerë, duke u shndërruar në një grumbull rrënojash.
Përpara kësaj, ishte një nga monumentet më të ruajtura mirë nga qytetërimi i Mbretërisë Michoacán.
Piramida ndodhet në vendin arkeologjik Ihuatzio, ku ndodhet edhe një piramidë tjetër, një kullë dhe varre.
Është një zonë që u banua për herë të parë 1,100 vjet më parë nga grupe indigjene që flisnin gjuhën Nahuatl dhe kultura e të cilave ekziston ende sot.
Instituti Kombëtar i Antropologjisë dhe Historisë (INAH) i Meksikës konfirmoi se një piramidë në vend ishte prekur, por të paktën gjashtë nga “trupat e saj me shkallë” u dëmtuan nga moti ekstrem.
Në vitin 2024, muajt e thatësirës së madhe u pasuan nga stuhi dhe shira të rrëmbyeshëm.
“Temperaturat e larta, të regjistruara më parë në zonë, dhe thatësira që pasoi shkaktuan çarje që favorizuan filtrimin e ujit në brendësi të ndërtesës para-hispanike”, tha INAH .
Zyrtarët thanë se do të punonin për të riparuar strukturën e piramidës “në favor të trashëgimisë kulturore të meksikanëve”.
Sipas disave, shenja e një piramide që po shembet sinjalizon një ogur të keq.
Tariakuiri Alvarez, i cili është një anëtar i gjallë i fisit P’urhépecha, shpjegoi në një postim të përkthyer: “Një nga muret në zonën arkeologjike të Ihuatzios u shemb. Për ndërtuesit, domethënë paraardhësit tanë, kjo nënkuptonte një ogur të keq, që tregonte se po afronte ndonjë ngjarje.”
“Para mbërritjes së pushtuesve, sipas rrëfimeve historike, diçka e ngjashme ndodhi në botëkuptimin Purhé të asaj kohe, sepse perënditë Nana Kuerhaépiri dhe K’eri Kurikweri ishin të pakënaqura.”
Ndërkohë, ndërsa të gjithë jemi të njohur me Piramidat e famshme të Gizës në Egjipt, ndoshta nuk e dinit se piramida të lashta misterioze janë zbuluar edhe në Poloni.
Të vendosura në veriperëndim të vendit, këto piramida njihen si Varret e Gjigantëve ose kodrat Kujawiane dhe u identifikuan për herë të parë në mesin e viteve 1930./syri.net
Leo Buscaglia Të jetosh, të dashurohesh, të kuptohesh
Ndonjëherë pyes vetën: Kur zemërohemi, jemi me të vërtetë ata që jemi, apo jemi vetëm ajo që na thotë se jemi? Si mësues e psikologë,dimë se të qenit human, njerëzor është dicka që mësohet…por cilët janë mësuesit tanë? Mësuesit tanë të parë janë prindërit dhe njerëzit e tyre, dobësinë, forcën dhe ndjenjat e tyre. Na kanë mësuar vetëm atë që dinë. Ju do të jeni më në fund të rritur kur t’i drejtoheni burrit që është babai juaj dhe gruas që është nëna juaj duke i thënë: “A e di, me gjithë të metat që ke, të dua shumë”.
Dikur, pas një leksioni për dashurinë, një baba erdhi tek une e më tha: ”Dua t’ju them dicka!” E ndoqa jashtë në parking, e filloi të qante dhe i ngashëryer më tha: “ Dje djali im, pas shumë ditësh më tha: ”A e di baba, të dua me të vërtetë shumë”. Dhe e dija se ma tha me gjithë shpirt. E dija që këtë ndjenjë e kishte, por ju ia mësuat ta shprehte. Nuk kemi pse të ankohemi pra që kjo ndjenjë nuk na është mësuar gjithnjë në mënyrën e duhur.
Gjithnjë e në çdo kohë mund ta mësojmë.
Unë i jap shumë rëndësi ndryshimit. Si mësues duhet të besojmë te ndryshimi, duhet ta dimë se ky proces është i mundur, përndryshe nuk do të ekzistonte procesi i të mësuarit…sepse arsimi është një proces i vazhdueshëm ndryshimesh. Çdo herë që “i mesoni” diçka dikujt dhe kjo përvetësohet i vihet në përdorim, shohim një njeri të ndryshuar, të ri. Nuk arrij ta kuptoj pse njerëzit nuk janë të çmendur pas dëshires për të mësuar, pse të mësuarit nuk quhet si më e madhja aventurë në botë…duke qenë se e ndryshon dhe përsos vazhdimisht njeriun. Çdo herë që mësojmë diçka të re, ne vetë bëhemi diçka e re. Sonte unë jam ndryshe sepse jam këtu. Jam i pritur nga mikpritja e Teksasit. Dhe nuk po ju bëj komplimente, sepse diçka e tillë nuk është në natyrën time. Sot pasdreke isha duke rishikuar fjalën që do të mbaja, sepse e kisha flakur në shportë atë që kisha përgatitur më parë, dhe e fillova nga e para: ndërkaq telefoni vazhdonte të binte. Ishte dikush që më thoshte: ”Sonte do të mblidhemi të gjithë se bashku…eja te ne.” Jemi këtu, në X vend… përse nuk vjen të na takosh? Do të na pëlqente të bashkëbisedonim me ju!”
Kush i ndihmon kartëvizitat e futura nën derë. Kjo është e mrekullueshme! Njerëz në raporte humane me njëri-tjetrin. Kjo është ajo që vlen.
Pikërisht nga kjo mikpritje kam ndryshuar. Nuk jam më ai njeri që erdhi sot në mëngjes. Jam diçka tjetër, e re, sepse pata me ju përvojen e diçkaje të re. Ja se sa e magjishme është të mësosh, ja pse nuk duhej të ishte kurrë e merzitshme. Çdo liber ju nxit për libra të rinj. Sa herë që dëgjoni një pjesë muzikore, ju shtyn në dhjetëmijë pjesë të reja… Kur dëgjoni një sonatë të Bethovenit harroni gjithçka, apo kur lexon një liber poezie, me poezi të vërteta, dhe harroni gjithçka. Dhe janë mijëra gjëra për t’u lexuar, për t’u parë, për t’u bërë, për t’u prekur dhe për t’u ndjerë. Dhe secila prej tyre sikur krijon tek ju një qenie njerëzore të ndryshme. Pra, a jeni me të vërtetë ai që jeni, ai që ndryshon duke mësuar, apo ai që të tjerët ju kanë thënë që jeni?
…Sot në mëngjes ju thashë ”Dashuria mësohet”, dhe kjo është e vërtetë. Dashuria mësohet, frika mësohet, paragjykimi mësohet, urrejtja mësohet,respekti mësohet,përgjegjësia mësohet, të pjekurit mësohet , mirësia dhe mirësjellja mësohen. Mësohen të gjitha këto gjëra në ambientin e një shoqërie, të familjes, në raportet me njerëzit. Proceset e gjuhës fillojnë në moshën një ose dy vjeç, kur fjalet fillojnë të transmetojnë përmbajtjen e një ndjenje, të një sendi apo të një mendimi. Dhe janë fjalët me të cilat ju krijoni lidhjen tuaj, me to do të jetoni gjatë gjithë jetës, janë pikërisht fjalët që mund t’ju mashtrojnë duke u bërë gardh ose që do t’ju bëjnë të lirë. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. …U kërkova të përpilonin dy lista fjalësh. Nga njëra anë ishin fjalët që i quajmë të sensit negativ, të ulëta, të padenja për t’u perdorur, ishin ato fjalë që nuk duhet t’i përdorim më… Fjalë si: “urrejtje”, “dëshpërim”, “jo” etj.
Përgatitem kështu një fjalorth të fjalëve të këqija, të të gjitha fjalëve me të vërtetë negative. Nga ana tjetër përpiluam një tjetër fjalorth, duke shënuar fjalët e mira, si “dashuri”, “ i bukur” etj. Vendosëm që fjalori i fjalëve të mira të jetë ai me të cilin do t’ju drejtoheshim të tjerëve, për të folur për vetën tonë dhe për botën.E filluam këtë proces dhe pamë se ndodhin gjëra të mrekullueshme… në ndjenjat tona, në efektin që bënin te ndjenjat e të tjerëve dhe në efektin e brendshëm midis pjesëtarëve të grupit. Dhe e gjithë kjo falë përdorimit të fjalëve pozitive./KultPlus.com
Fragmente nga libri: “Të jetosh, të dashurosh, të kuptohesh”
Me 7 shtator pritet të mbahet spektakli i muzikës, MTV, Video Music Awards dhe tashmë nominimet janë shpallur.
Lady Gaga, kryeson me 12 nominime, dhe fal albumit të saj të fundit, “Mayhem”, dhe duetit me Bruno Mars ‘’Die with a smile’’ ajo është në garë për bashkëpunimin me të mirë, muzikën pop, regjine, drejtimin artistik, kinematografinë, montazhin, koreografinë dhe efektet vizuale.
Bruno Mars, në garën e 7 shtatorit të MTV, vjen me 11 nominime, ndërsa Kendrik Lamar me 10. Beyoncé dhe Taylor Swift garojnë vetëm në kategorinë e artistit të vitit, dhe fituesi i kësaj kategorie do të njihet si ylli i muzikës Pop me e vlerësuara në histori.
Ne spektaklin e MTV në muajin shtator janë edhe dy kategori të reja, artisti më i mire kauntri dhe artisti më i mirë i Pop.
Eqrem Çabej ka qenë një arsimtar, gjuhëtar dhe albanolog i shquar shqiptar. Më poshtë ju sjellim letrën që ai ua kishte kushtuar mësuesve, duke ua kujtuar që mësuesia është mision dhe se shembullin duhet ta japin përmes sjelljes së tyre.
Më poshtë letra dhe këshillat e Eqrem Çabejt për mësuesit.
Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut. Gabimet që mund të bëjnë profesionistët e ndryshëm, mund të korrigjohen me disa shpenzime, por gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po ta formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos është e pamundur, ta ndreqësh atë. Ju duhet të edukoni përmes sjelljes suaj, përmes shembullit tuaj. Në rast se ju silleni keq, edhe sikur të mbani dhjetëra leksione morali, ose leksione për nevojën e sjelljes së mirë, nxënësit nuk do të përfitojnë asgjë, ata do të ndikohen kryesisht prej sjelljes suaj. Shembulli të bën ta ndjekësh njeriun.
• Kur punoni, punoni seriozisht dhe me ritmin e duhur. • Mos u merrni me muhabete gjatë punës. Kur të pushoni, pushoni vërtet. • Mos përzieni punën me pushimin dhe pushimin me punën. • Ata të cilët gjatë punës bëjnë muhabete dhe gjatë pushimit përpiqen të kryejnë ndonjë punë të mbetur në mes, nuk arrijnë rezultatet e duhura. • Mos jini kategorikë. • Gjithçka shikojeni me sy kritik. • Mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime, kur mendoni ndryshe. • Mos kini turp të pyesni për gjëra që nuk i keni të qarta • Gjërat e paqarta nuk mbahen mend. • Mos bëni asnjë punë shkel e shko. • Mos filloni të shkruani diçka pa e pasur të qartë në kokën tuaj. • Mos lini asnjë punë pa e përfunduar plotësisht dhe si duhet. • Mos merrni dhe mos lejoni t’ju marrin dinjitetin nëpër këmbë. • Jeta e njeriut është një fragment i planeve, dëshirave dhe ëndrrave të tij, prandaj kushtojuni planeve, dëshirave dhe ëndrrave tuaja më kryesore…. / KultPlus.com
Sunny Hill Festival 2025 shënoi një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe muzikore në Kosovë, duke e vendosur sërish Prishtinën në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.
Ky festival, i cili tashmë është kthyer në një simbol të fuqishëm të identitetit urban dhe rinor të vendit, jo vetëm që solli yje botërore në skenën kosovare, por gjithashtu solli të hyra për Prishtinën. Përvec imazhit global, kosovarët fituan edhe para nga të huajt që erdhën ta kënaqin shpirtin me muzikë. Dhe atë jo pak, raporton Klan Kosova.
Madje një pjesë e fitimeve shkoi edhe në rajon.
Nëse dikush e përjetoi më së shumti fluksin e festivalit, ishin taksistët që ditë e natë përshkuan rrugët, duke bartur turistë nga e gjithë bota për në Bërnicë.
Hysen Sogojeva nga Oda e Hotelerise e Turizmit thotë se përfitimet sillen nga 22 milionë euro. “Përmbi 22 milionë sillet që veç Prishtina i ka fitu këtu kanë fitu të gjithë, nuk ka fitu veç Prishtina me Hotele por të gjithë, ai i ushqimit ai i gastronomisë, ai i veshmbathjes”, tha ai.
Sipas Odës, Sunny Hill tashmë ka emrin e një eventi që sjell më së shumti të ardhura financiare.
Amfiteatri antik i Durrësit u kthye në një skenë magjike ku muzika, arti dhe historia u bashkuan në koncertin “Meloditë e Mesdheut”, duke sjellë emocione të forta dhe përjetime të veçanta për publikun.
Sopranoja e njohur Inva Mula, një nga zërat më të mëdhenj të skenës operistike shqiptare dhe ndërkombëtare, u ngjit për herë të parë në skenën e këtij monumenti historik.
Ajo interpretoi një repertor të zgjedhur enkas për publikun durrsak, e shoqëruar nga instrumentistët virtuozë Ekland Hasa në piano dhe Redi Hasa në violinçel, si dhe kori i fëmijëve “Okarina”.
Sopranoja ndau emocionet e këtij debutimi në Amfiteatër, duke e cilësuar koncertin si një përvojë të veçantë dhe të paharrueshme.
Edhe pianisti Ekland Hasa shprehu emocionin e të performuarit për herë të parë në Durrës, në një mbrëmje ku muzika dhe historia u bashkuan në mënyrë të jashtëzakonshme.
Publiku, i përbërë nga qytetarë dhe turistë, përjetoi një udhëtim muzikor përgjatë brigjeve të Mesdheut, nëpërmjet tingujve që sollën frymën e përbashkët të këtij rajoni.
Një ngjarje kulturore që do të mbetet gjatë në kujtesën e të pranishmëve, duke e forcuar edhe më tej rolin e Durrësit si një qendër e rëndësishme e jetës artistike në vend./ balkanweb/ KultPlus.com
Milani ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e Ardon Jasharit, mesfushorit me origjinë shqiptare, nga skuadra belge Club Brugge.
23-vjeçari ka nënshkruar kontratë afatgjatë deri më 30 qershor 2030, duke u bërë pjesë e projektit të ri të kuqezinjve.
Jashari e nisi karrierën te Luzern, ku debutoi në ekipin e parë në vitin 2020 dhe grumbulloi 102 paraqitje dhe 9 gola, para se të transferohej te Brugge në vitin 2024. Atje u bë titullar i padiskutueshëm, duke shënuar 4 gola në 52 ndeshje dhe duke ndihmuar ekipin të fitonte Kupën e Belgjikës.
Në arenën ndërkombëtare, Jashari ka përfaqësuar Zvicrën, duke debutuar në vitin 2022 dhe duke grumbulluar deri tani katër paraqitje me përfaqësuesen helvete.
Ky transferim shënon një hap të madh në karrierën e tij, ndërsa tifozët shqiptarë e presin me entuziazëm paraqitjen e tij në Serie A, me fanellën e Milanit./KultPlus.com
Një ditë qdo gjë do të ndryshojë Do të vish të luash me veten, Do të këndosh në duet me heshtjen, Do të jetosh me kujtimin në ballë, Do të thërrasësh me zë,qu bë vallë,
Do të kërkosh për veten shpëtim E sdo të gjesh kund emrin tim. Jetonim ne të dy në gjethe të trëndafilit Jetonim duke shijuar erën e tij Jetonim bashkë me këngën e bilbilit, Por në fund ,na therrën gjembat e tij.
Shpresuam se deri në vdekje do të jemi bashkë, Por ajo jetë që ne e ëndërruam nuk ishte e gjatë, Ajo zgjati vetëm të paktët muaj E për këtë gjë unë tani po vuaj.
Tani jemi të vdekur për njëri tjetrin, Fluturojmë në qiell për një jetë tjetër, Fluturojmë të dy,por shumë larg njëri tjetrit E të dyve na shoqrojnë valët e detit, Ti fluturon bashkë me dallëndyshet , Fjalët që i dha tani po vyshken, E mua më thërrasin skifterët , Por unë s dua të fluturoj me ta E ti këndoj ninullat, Sdo të jemi më bashkë. Jeta jonë mbaroi,
A do të jetojmë te lulet apo te zjarri, Sdi për njëri tjetrin A do të na marrë malli?/KultPlus.com
Athanas Banushi, njohur si Tano Banushi, u lind në Shkodër më 4 Shkurt 1927 dhe u shua më 7 gusht 1993 në moshën 66-vjeçare duke lënë një emër të skalitur në tipe e karaktere, në personazhe dhe profile që u përjetësuan nga shpirti i tij që mbeti i gjithmonshëm në kujtesën që e ruan. Tano Banushi, ishte dhe do të mbetet së një nga aktorët më në zë të humorit shqiptar, ku spikati në gjininë e estradës. Për meritat e tij në këtë lëmë është dekoruar me titullin “Artist i Popullit”, vlerësim i cili është i pakrahasueshëm me atë që ai mori si të merituar nga publiku, ai spektator që e ndoqi dhe e motivoi, e duartrokiti dhe e bëri pjesë të adhurimit. Talenti dhe puna e tij kontribuese si shkrues dhe interpretues i humorit e ngjitën atë në panteonin e vlerave të artit skenik shqiptar.
“Buzëqesh gjithmonë, edhe nëse buzëqeshja jote është e trishtuar, sepse më i trishtuar se një buzëqeshje e trishtuar, është trishtimi që nuk buzëqesh”, më shumë se një maksimë, ky është lajtmotivi që e udhëpriu atë në përjetësi dhe na u servir si një bujari, bashkëkohësve të tij dhe brezave.
Humori shkodran është pjesë organike e traditës sonë të humorit, është manifestim i një vullnese të kurajshme që sfidon kohën dhe sprova më dinjitoze e trashëgimisë. Ajo ka kapluar vite për të mbërritur deri në të tashmen e nevojës për t’u ushqyer me mëkimin e atij shpirti lirie dhe hareje. Panoramimi i kësaj tabloje ka tonet dhe dritëhijet që nxitin joshjen tonë të përgjithmonshme dhe na rrëmbejnë në një andje që cyt, në një dëshirë rrëmbese. Pikërisht këtë kimi, këtë gjendje, këtë ngazëllim, kësaj tabloje ia mëkon portreti i një personazhi, i cili u instalua në shpërthimin gazmues të buzëqeshjes si një veçanti, si një tipizim, si një karakter, prej të cilit humori, e qeshura, satirikja, sarkazma gufojnë natyrshëm. Ai është Tano Banushi, personifikim dhe përfaqësim, promovim dhe mishërim, tharm dhe lëndë e humorit shkodran, sinonim i buzëqeshjes me gjithë shpirt, emblemë e skenës dhe ovacioneve frenetike. Pa bujë dhe pa gjurmime pas lavdeve dhe privilegjeve, ai punoi, ai ende, ai ngjizi në traditën tonë të shkëlqyer një emër dhe një vepër, një monument, lartësia e të cilit na legjitimon krenarinë dhe mburrjen.
“Kam luajtur këpucarë e bojaxhij / zdrukthëtarë e dugajxhi / mekanikë dhe terzi / elektricistë e hallvaxhi…/ Burra grash shamataxhesha / gagarelë pa mentesha / beqar t’mbetur e nervozë / matrapazë e karagjozë / fanatikë e kulakë / me mustak e pa mustakë / e demek me ju ba me qeshë, edhe femër kam qenë veshë…”. Thoshte vetë Tano Banushi.
***
Tano Banushi, një prej emblemave të artit të satirës dhe humorit, ai që do të mbamendet pambarim në kujtesën e gjeneratave për rolet, karakteret dhe personazhet që jetësoi me kaq përkushtim dhe pasion. Ai, si pakkush tjetër, diti të na bënte të qeshim, të jetojmë me të qeshurën. Të shumtë janë emrat e personazheve që e bënë atë të pavdekshëm. E pakrahasueshme mbetet aftësia për të ardhur në çdo tip dhe karakter i ndryshëm dhe krejt i veçantë, plot humor. Në jetën e tij skenike prej 45 vitesh ka një galeri të pamatë rolesh.
Megjithëse brenda kornizës së pakalueshme të një ideologjie imponuese dhe kufizimesh, të arrish të ironizosh, të tallesh, t’u bësh karikaturën shefave, brigadierëve, drejtorëve… pra kalbësimin e një shoqërie, a nuk është kjo t’i bësh radioskopinë një sistemi drejtues dhe politikës që e krijoi atë? A nuk është ky qëndrim kritik dhe disident? Dhe Tano Banushi, i dalluar sidomos për rolet e naivit, apo një lloj Shvejku shqiptar, mund të themi se vuri në lojë, talli dhe akuzoi shoqërinë e kohës. Ndaj edhe mbetet i madh.
La pas jo vetëm qindra role, por edhe një shkollë të madhe të artit të humorit, në gjurmët e të cilit kanë ecur breza të tërë humoristësh nga i gjithë vendi. Kontributi i tij artistik e kishte kaluar skenën e Shkodrës, artin e tij kanë patur fatin ta ndjekin të gjithë, breza të tërë janë rritur me rolet dhe humorin e tij.
Është kjo një lloj patente për bukurinë dhe humorin e anekdotës. Sepse, figura të tilla në Shkodër, mes tyre edhe Tano, kanë qenë dhe mbesin sinonim i humorit të çiltër, i mjeshtërisë edhe në tregimin e një anekdote a barcelete. Aq e vërtetë është kjo, sa njëherë kompozitori i madh Prenk Jakova, Nder i Kombit, e takoi Tanon në rrugë, e ndali dhe i tha: -Tano. Mbrëmë më kanë treguar një anekdotë. Po ta tregoj unë ty e pastaj ma trego ti mua që të qeshi. Këto fjalë të Prenkës kanë një domethënie të madhe. Jo gjithkush di të bëjë humor. Duhet talent, mjeshtëri… Dhe këta i kishte Tano Banushi.
Të lindësh mes humorit
Në një shtëpi të gëzueshme e plot humor, ku pothuajse të gjithë ishin artistë në mënyrën e tyre dhe në aftësitë për të krijuar dhe për të thithur vlerat më të mira të artit, të këngës e humorit të asaj kohe, më 4 shkurt 1927, lindi Athanas Banushi, njeriu që do të bëhej aktori më në zë i humorit shqiptar, mjeshtër i vërtetë i interpretimit në gjininë e estradës.
Tregojnë se atë ditë që ka lindur Tano Banushi, edhe pse dimri ka qenë në kulmin e ashpërsisë së vet, natyra ka qenë e qeshur, qielli i kthjelltë dhe dielli i shndritshëm, sikur të paralajmërohej se doli në jetë ai që do t’u jepte njerëzve më shumë gaz e hare, që do t’ua bënte më të bukur jetën. Lluko Banushi ishte bërë me djalë dhe kjo ishte një ngjarje tepër e këndshme dhe ngazëlluese për të dhe të shoqen e tij, Marien. Gjithmonë Llukoja thoshte: “Kam dëshirë që fëmija i parë të jetë djalë, pastaj le të lindin një duzinë vajzash, nuk prish punë, por ama të filloj me djalë”.
Për të mëtuar diçka më përplotësuese për këtë figurë të humorit dhe jo vetëm po huazojmë diçka nga Isa Alibali, një mik dhe koleg i tanos
Kur nisi humorin…
Rrugët e Shkodrës mbanin ende erën e barutit, kur dolën edhe afishet e para teatrale e koncertale. Më 18 janar 1945, pak ditë pas çlirimit, u krijua Shtëpia e Artit dhe e Kulturës, të cilën e formuan ajka e inteligjencës shkodrane. Më 18 shkurt u shfaq drama e M.Gorkit, “Bujtina e të vorfënve”, përgatitur nga intelektualët e njohur Filip Ndocaj e Qemal Draçini. Në qershor të vitit 1945, në përfundim të vitit shkollor, kur sapo Tano Banushi kishte mbaruar klasën e shtatë të gjimnazit të shtetit, u zhvilluan disa veprimtari kulturore e artistike. Në këtë dramë Tano Banushi interpretoi rolin e Gjinit, shërbëtorit simpatik të një familjeje shkodrane. Shfaqja u dha në sallonin e shoqërisë “Vllaznia” afër “Dugajve të Reja”. Po në këtë shfaqje u dhanë edhe paroditë “Klasa e shtatë” dhe “Jak, o Jak”, ku Tanoja u prezantua si humorist. Në vitin 1946, nga grupi i teatrit pranë Shtëpisë së Artit e të Kulturës u shfaq drama “Armiku i Popullit” e Ibsenit. Tano Banushi interpretoi me sukses rolin e një të dehuri. Pastaj u përgatit komedia “Pashuku”, ku interpretoi rolin e shërbëtorit gazmor, që e bëri atë një aktor që shpresonte shumë për të ardhmen. Kështu filloi për Tanon rruga e artit skenik.
Takimi me Migjenin
Ishte ditë vere, kur Maria (e ëma) e mori Tanon për të bërë një fotografi te Marubi (ishte nëntë vjeç e gjysmë). Përpara Kafes së Madhe pa Migjenin, që po pinte kafe me një shok të vetin. Nuk e pati të vështirë të dallonte Teofik Gjylin, me të cilin Migjeni rrinte gjithnjë aty, gjithmonë në të njëjtën tavolinë për të pirë kafen e ditës. Për një çast nguroi, por duke pas parasysh dëshirën e Tanos për ta takuar, i tha:
– Tano, shih, ai atje është Milloshi… Migjeni yt, – shtoi pas pak. Tanoja u shtang. U shkëput nga dora e së ëmës dhe u ndal përballë tij, në trotuarin përpara Kafes së Madhe. Milloshi e vuri re këtë veprim, njohu Marijen, shoqen e dikurshme të shkollës dhe u ngrit nga tavolina. Sytë e Tanos morën një shkëlqim të veçantë. Millosh Gjergj Nikolla u përkul përpara vogëlushit, bëri sikur i lëmoi flokët, pa ia prekur në të vërtetë. Duke e ditur sëmundjen që kishte, ai nuk prekte të tjerët as me dorë, aq më pak fëmijët. Tundi pak kokën drejt Marijes dhe i foli me përzemërsi: – Qenka shumë i kandshëm ky djali yt, Marije, si quhet?, – i tha duke buzëqeshur.
– Athanas, por e thërrasim Tano. Kishte dëshirë të madhe të të takonte, sepse ka lexuar disa nga shkrimet tuaja.
– Ooo, po më kënaq, – dhe iu drejtua Tanos: – Në ç’klasë je?
– Hyj në klasën e tretë, – i tha shpejt e shpejt Tanoja i vogël.
– Shumë mirë, Athanas, jam i bindun se mëson mirë, apo jo?
– Po, vetëm 1-sha kam marrë.
Ky ishte një episod i paharruar për atë që do të bëhej logo e humorit shkodran, Tano Banushi, “Artistit të Popullit” dhe “Mjeshtrit i Madh”
Batutat më të famshme të Tano Banushit
Është e njohur thënia se njeriu do të çmendej po të mos ekzistonte e qeshura, me të gjitha rrjedhojat e këndshme që vinë prej saj. Por më të njohura se kaq janë batutat dhe anekdotat e Tano Banushit,
Anekdotat e Tano Banushit
***
Berberi po rruante një klient shumë të dobët. I fut në gojë një top ping-pongu, për t’i fryrë faqen. Kur i rruan njërën anë, i thotë: – Kaloje në anën tjetër.
Ky, duke e kaluar, e kapërdin. Shqetësohet.
– Mos u bëj merak, nuk të mbyt, – i thotë berberi – se edhe njeri e ka kapërdirë dje dhe ma ka sjellë sot në mëngjes!
***
Banditi: – O paret, o shpirtin.
Burri: – Grua, çohu shpirt, se të kërkojnë.
***
Te mjeku shkon për vizitë një grua.
– Hyr e zhvishu.
Pas pak mjeku pyet:
– He, a u zhveshe?
– Unë po, po ti…? – thotë gruaja.
***
– Pse i more erë peshkut, ai është i freskët!
– E pyeta: – “Ç’të reja kemi nga deti?”.
– E ç’të tha?
– Nuk di gjë se kam dhjetë ditë që kam dalë nga uji e…
***
Një shitës kishte vënë në banak, anës peshores, dy pasqyra:
– Pse i ke vënë, Selim?!
– Që gratë mos të shikojnë peshoren, por të habiten në pasqyrë…
***
Për tre papagalët:
– Sa kushtojnë?
I pari 500 lekë, sepse di një gjuhë të huaj
– Po ky i dyti?
– 700 lekë sepse di dy gjuhë të huaja.
– Po ky i treti?
– I treti kushton 1000 lekë por s’di asnjë gjuhë.
– Po pse kaq shtrenjtë ky?
– Sepse është përgjegjësi i dy të tjerëve.
***
Mjekut të fëmijëve:
– Ah, more doktor, si s’ke shkollë më shumë të shërosh edhe të mëdhenjtë?!
***
Dy shokë të dehur. I pari e merr me zor për në shtëpi shokun e vet.
– Kjo është rrugica ime, kjo…është dera e shtëpisë…kjo është shtëpia…(hyjnë në shtëpi ) kjo është dhoma e gjumit (e hap dhe sheh në shtrat të shoqen me një tjetër) kjo këtu është gruaja ime…kurse ky burri këtu, jam unë…
***
– Si shkon me gruan?
– E dua shumë dhe ajo më do shumë. Llogarite, po të hidhen gratë në lotari, mua do të më binte gjithmonë gruaja ime!…
***
Një i dehur i bie ziles:
– Kush është? – pyet e zonja e shtëpisë.
– A ju mungon kush, a?
– Më mungon burri.
– Hape, se unë qenkam…
Jetëshkrim i shkurtër
Tano Banushi lindi 4 Shkurt 1927 – 7 gusht 1993) është një Artist i Popullit. Tano Banushi ka interpretuar mbi 1000 role në jetën e tij të gjatë skenike. Leo, Pashuku, Fotografi, Dulla, .. do të duhet një kohë e gjatë për t’u përmenduar mbi 1000 rolet e tij në skenë, mbi 1000 fytyrat e papërsëritshme të interpretuara prej tij në rreth 45 vjet jetë në skenën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku nisi jetën e tij artistike. Fillimet.. “Në dramën “Armiku i popullit” të Ibsenit në 1945, në mes shumë roleve, tërhoqi vëmendjen edhe figura e të dehurit, e cila bashkë me personazhin ibsenian, prezantoi aktorin komik Tano Banushi”, do të thoshte për të në një shkrim portret kritiku Miho Gjini. Për të vijuar më pas në komedinë “Pashuku” të F. Ndocajt 1946, në rolin e një shërbetori komik. Elegant, i shkathët, me një humor befasues, me ngjyra shkodrane e i gërshetuar me traditën, improvizues dhe ekspresiv, do të shfaqet Tano si prezantues i shfaqjeve të grupit amator te klubit të punëtorëve “Vasil Shanto”. …dhe me pas.. Në rolin e marinarit në “Një tragjedi optimiste” të Vishnjevskit; në rolin e kapterit në komedinë “Prefekti” të B.Levonjes; në rolin e Llomovit te “Fejesa” e Çehovit; në rolin e Mazllumit te komedia “Hej moj babë” të J.Vojushit; në rolin e Leos te komedia “Këshilli i ndrikullave”, të Sh.Mitës. …në vazhdim të plotësimit të portretit Në vitin 1958 krijohet estrada profesioniste e qytetit të Shkodrës. Tano Banushi, aktor komik interpreton me qindra role nga të ndryshmet si brigadier, nëpunës, shef, bojaxhi, fotograf etj, të cilat edhe sot e kësaj dite kanë mbetur të paharuara në mendjet e artdashësve të humorit. Tano Banushi është një figure komplekse. Realist. Brenda nje shfaqjeje e shihje në role të ndryshme. Te secili rol gjente veshjen e veçantë artistike. Tanoja ishte një aktor shumëplanesh. Brilant. Dinte të luante tragjedinë, komedinë, skeçin, paradine, vodevilin, intermexon, etj. Ishte mjeshtër për të përjetuar brenda një materiali letrar gjithë dridhjet e shpirtit të një personazhi. E personazhi që krijonte Tanoja nuk ishte as klloun, as palaço, por kishte humor të brendshëm, therës, kishte dramë. Nje kujtim nga aktori, Artisti i Merituar, Bep Shiroka, Tanoja ishte aktori zëmadh i humorit shkodran dhe atij shqiptar. Vazhdues i denjë i humoristëve shkodran Kolë Tivari, Osos se Falltores, Hilë Gegës etj. Ai shkelqeu në të gjitha zhanret e humorit. Aktor melodioz, i binte kitares. I vëmendshëm ndaj çdo roli per ta luajtur sa më mire. Vdiq në vitin 1993.
(Pjesë e materiale janë huazuara nga libri monografik i Isa Alibalit,
“Me Tano Banushin dhe humorin e tij”, një punë 15-vjeçare që jetëson një talent dhe kërkon një mirënjohje )/ KultPlus.com
Ekspertja kosovare e sigurisë kibernetike, Dredhza Braina, është shpallur fituese e çmimit “Global Cybersecurity Woman of the Year”, në kategorinë “Barrier Breaker”, duke u renditur e para në botë për kontributin dhe ndikimin e saj në këtë fushë.
Në një postim emocionues në rrjetet sociale, Braina falënderoi familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur në rrugëtimin e saj, duke theksuar se ky çmim i përket jo vetëm asaj, por çdo njeriu që ka thyer barriera dhe nuk është ndalur përballë sfidave.
“Ky çmim nuk është vetëm për mua, është për të gjithë ata që janë përballur me sfida, por nuk janë ndalur, kanë thyer heshtjen e kanë thyer barrierat,” shkroi ajo.
Ajo gjithashtu shprehu mirënjohje për organizatorët dhe anëtarët e jurisë që e vlerësuan, si dhe për krijimin e kësaj platforme që fuqizon gratë në fushën e sigurisë kibernetike.
“Ky nuk është fundi i rrugës, por vetëm hapi i radhës. Nuk do të ndalemi këtu!” – theksoi Braina, duke e ndarë suksesin me të gjithë bashkëkombësit e saj.
Kjo arritje e vendos Kosovën në hartën e inovacionit dhe sigurisë kibernetike në nivel global./KultPlus.com
Rubrika “Ne, evropianët” na çoi këtë të martë, më 5 gusht, në Shqipëri apo El Doradon e re për pushuesit, sipas stacionit të njohur informativ francez, Franceinfo.
”Ky vend i ish-Bllokut Lindor ishte për një kohë të gjatë një nga regjimet më të mbyllura në Evropë. Tani po hapet për turizëm, me rezultate spektakolare.
Një rritje prej 80% e turistëve në pesë vjet.
Ujëra bruz dhe ishuj të shkretë. Kjo nuk është as Karaibet dhe as Maldivet, por Shqipëria, e vendosur midis Greqisë dhe Italisë, e cila tani është gjithashtu e njohur për turistë nga e gjithë bota.
Shqipëria, ku qytetërimet mesdhetare kanë pasuar njëra-tjetrën, secila duke lënë gjurmë sublime greke, romake, bizantine, veneciane dhe osmane.
Dhe kohët e fundit, përgjatë gjithë vijës bregdetare, bunkerë po aq të shëmtuar sa periudha në të cilën u ndërtuan.
Dhe gjithashtu në Tiranë, kryeqytet, një mbetje e një regjimi komunist paranojak që kishte frikë nga pushtimet.
Njëri prej tyre tani është shndërruar në një muze për turistët mosbesues.
“Ky bunker nuk u përdor kurrë për luftë, sepse nuk patëm kurrë luftë. Pas Luftës së Dytë Botërore, u përdor shumë për të marrë në pyetje njerëzit”, shpjegon Sokol Selami, një guidë në ”Bunk’Art”.
12 milionë turistë në vitin 2024
Kështu veproi regjimi i terrorit i Enver Hoxhës, i fundit i admiruesve të Stalinit. Për më shumë se 40 vjet, Shqipëria mbeti një nga vendet më të mbyllura në botë.
Në vitin 1991, regjimi ra.
Shqiptarët zbuluan lirinë.
Gati 35 vjet më vonë, ndërtesa ultramoderne po shfaqen në sheshin kryesor të Tiranës.
Toka e shqiponjave është hapur ndaj botës së jashtme. Dhe turistët po vërshojnë.
12 milionë u numëruan vitin e kaluar.
Ky është një efekt pas Covid-19 dhe medieve sociale që po e popullarizojnë destinacionin.
“Ne erdhëm të filmojmë Shqipërinë për të inkurajuar njerëzit të vizitojnë këtë vend, sepse në Poloni nuk është ende një destinacion kaq popullor”, thotë Adrianna Skon, një influencere polake.
Dhe profesionistët e turizmit kanë gjetur mënyrën se si ta shesin atë.
“Jam këtu me ftesë të një agjencie udhëtimesh polake që shet udhëtime në Shqipëri. Ne donim vetëm të kontrollonim nëse është vërtet mjaftueshëm interesante për ta rekomanduar, dhe që nga dita jonë e parë, menduam se ishte vërtet e shkëlqyer”, shpjegon gruaja e re në hyrje të videos së saj.
Këto video janë krijuar nga influencerë dhe marka, por edhe nga udhëtarë të zakonshëm.
Në mediat sociale, Shqipëria po shpërthen si destinacion.
“Ne pamë video në TikTok dhe pastaj bëmë disa kërkime dhe kjo na çoi këtu”, rrëfyen turistët.
Një tjetër avantazh për një audiencë shpesh shumë të re janë çmimet janë shumë të ulëta./ atsh/ KultPlus.com