Sëmundjet mendore dhe ushqimi: Lidhja befasuese me produktet që përmbajnë gluten
Kjo është një teori që po hetohet me intensitet nga komuniteti shkencor, ndërsa studimet po tregojnë lidhje midis glutenit dhe një sërë çrregullimesh mendore nga ADHD-ja te skizofrenia
Dina L. Kelly, profesore e psikiatrisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Maryland-it, ka kaluar 17 vitet e fundit duke drejtuar studime klinike mbi skizofreninë dhe sëmundje të rënda mendore, duke u angazhuar gjithashtu në kërkime mbi psikofarmakologjinë.
“Do të isha treguar skeptike nëse dikush do më thoshte se do studioja këtë lidhje”, thotë Kelly. “Mendoja se trajtimi ishte vetëm çështje ilaçesh, nuk e dija që ushqimi dhe dieta mund të ishin në vetvete një lloj terapie.”
Rruga e saj kërkimore filloi kur analizoi të dhëna të ushtarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Rezultatet treguan se gjatë mungesës së grurit pati një rënie të ndjeshme të rasteve të shtrimeve për skizofreni.
Më tej, ajo dhe kolegët e saj studiuan punën e psikiatrit Curtis Dohan nga vitet ’70, i cili dokumentoi raste të pacientëve me skizofreni që u përmirësuan pasi lanë dietën me grurë. Ai gjithashtu vizitoi zona të izoluara në Papua Guinenë e Re, ku gruri nuk ishte pjesë e dietës, dhe zbuloi se nuk kishte fare raste të skizofrenisë, ndryshe nga popullsitë që konsumonin grurë.
Kelly më pas pati mundësinë të realizojë një studim klinik në shkallë të gjerë, ku analizoi antitrupat që trupi prodhon si përgjigje ndaj glutenit. Gjetjet e saj treguan për nivele të larta antitrupash kundër glutenit tek njerëzit me skizofreni. Kjo e çoi drejt bindjes se ekziston një lidhje e fortë midis funksionimit të trurit dhe ndjeshmërisë ndaj glutenit dhe nuk është e vetmja që mendon kështu, transmeton Telegrafi.
— New York Post (@nypost) July 24, 2025
Gluteni dhe shëndeti mendor
Dëshmitë tregojnë se ushqimet që përmbajnë gluten mund të lidhen me shumë simptoma psikiatrike, nëpërmjet një përgjigjeje imune, tek një në 17 persona.
Në librin “Lirohuni nga drithërat”, ku Kelly është bashkautore, paraqiten kërkimet më të fundit mbi këtë temë.
“Ekziston një hendek midis gastroenterologjisë dhe psikiatrisë. Nuk i dimë të gjitha, por kjo është një hap më pranë lidhjes së këtyre pikave.”
— Hugh Thomas (@justhugh_t) July 25, 2025
Çfarë është ndjeshmëria ndaj glutenit?
Gluteni është një grup proteinash që gjendet në grurë, elb dhe thekër, pjesë e zakonshme e bukës, makaronave, produkteve të brumit etj. Disa njerëz janë të ndjeshëm ndaj glutenit, pra, sistemi i tyre imunitar e trajton si një “pushtues” të huaj.
Sëmundja celiake është forma më e njohur e ndjeshmërisë ndaj glutenit dhe shoqërohet me dëmtime të traktit tretës, diare, fryrje barku, dhimbje, lodhje, humbje peshe dhe skuqje të lëkurës. Ka edhe një formë më të zakonshme, të quajtur ndjeshmëri joceliake ndaj glutenit (NCGS), që nuk diagnostikohet lehtësisht pasi analizat për celiaki shpesh rezultojnë negative.
Gluteni dhe inflamacioni
Gluteni është bërë pjesë e dietës njerëzore vetëm rreth 6.000 vjet më parë. Sipas Kelly, trupi ynë e ka të vështirë ta zbërthejë plotësisht. Nëse një person i ndjeshëm ndaj glutenit e konsumon, trupi prodhon antitrupa për ta luftuar, veçanërisht ndaj një pjese të glutenit të quajtur gliadin, e cila nxit inflamacion dhe dëmton zorrën, duke krijuar sindromën e zorrës së përshkueshme.
Kjo lejon që antitrupat të qarkullojnë në gjak dhe të ndikojnë edhe në tru, duke shkaktuar simptoma si mjegull mendore, mungesë përqendrimi, ankth, luhatje humori, halucinacione apo kriza epileptike.
“Ekziston një sekuencë specifike proteinike, e quajtur 33-mer, që gjendet te gruri dhe është shumë e ngjashme me një strukturë të receptorëve në tru,” shpjegon Kelly. “Sistemi imunitar mund të mos arrijë ta dallojë diferencën.”
Kjo mund të nënkuptojë se te disa persona, sistemi imunitar gabimisht sulmon trurin, duke e ngatërruar me glutenin.
Lidhja me depresionin dhe ankthin
Zona e trurit e quajtur amigdala luan një rol në përpunimin e frikës dhe ankthit. Studimet tregojnë se njerëzit me çrregullime ankthi kanë reagim më të lartë në këtë zonë. Gjithashtu, serotonina, një neurotransmetues i rëndësishëm për gjendjen shpirtërore, prodhohet në masën 95% nga zorrët. Balanca e baktereve në zorrë ndikon drejtpërdrejt në këtë proces.
“Të gjithë këta çrregullime kanë të përbashkët inflamacionin si shkaktar,” thotë Kelly. “Sistemi imunitar i disa njerëzve nuk funksionon siç duhet dhe kjo mund të lidhet edhe me glutenin.”
Simptomat më të zakonshme që Kelly vëren te pacientët janë: mjegull mendore, ankth, depresion, dhimbje koke, migrenë dhe dhimbje kyçesh.
Dieta pa gluten dhe përmirësimi i simptomave
Studimet tregojnë se njerëzit me ADHD kanë më shumë gjasa të kenë sëmundje celiake ose NCGS. Lidhja midis depresionit dhe celiakisë është e mirëdokumentuar, një studim me mbi 2.000 pacientë celiakë tregoi se 39% kishin pasur simptoma depresioni gjatë jetës.
“Një teori është se depresioni vjen si pasojë e përballjes me një sëmundje kronike,” shpjegon Kelly, “por ka studime që tregojnë edhe lidhje fiziologjike midis glutenit dhe depresionit.”
Ndërkaq, të dhënat janë edhe më të qarta për pacientët me skizofreni: dieta pa gluten mund të ndihmojë në menaxhimin e simptomave. /Telegrafi/
The post Sëmundjet mendore dhe ushqimi: Lidhja befasuese me produktet që përmbajnë gluten appeared first on Telegrafi.