Festivali i Operës Rame Lahaj me mbrëmjen dedikuar Nexhmije Pagarushës, Rama: Një rikthim dinjitoz i shpirtit të saj në jetën tonë kulturore
Në hapësirën e jashtme të Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, mbrëmë (e mërkurë) ka nisur edicioni i pestë i Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj, nën moton “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure”.
Kjo mbrëmje iu kushtua këngëtares së madhe shqiptare, Nexhmije Pagarusha, duke sjellë performanca unike dhe nostalgji përmes disa prej këngëve më të njohura të saj.
E për eventin magjik u bë një reagim edhe nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Thekson se është më shumë se një akt përkujtimor, një rikthim i shpirtit të saj në jetën tonë kulturore.
Më poshtë ndiqni të plotë postimin e Ramës (pa ndërhyrje):
“Nexhmije Pagarusha bashkonte finesën muzikore me një ndjeshmëri njerëzore të rrallë. Njejtë ishte edhe mbrëmë në qendër të Kryeqytetit – finesë dhe ndjeshmëri e rrallë.
Në këtë dritë, mirënjohja i takon “Fondacionit Rame Lahaj”, i cili me kujdes, ndjeshmëri dhe vizion artistik e ka sjellë sërish në vëmendjen publike figurën dhe trashëgiminë e saj të pashlyeshme.
Përmes festivalit “Netët e Nexhmije Pagarushës”, ky fondacion jo vetëm që ka nderuar një emër të artit tonë, por ka krijuar një hapësirë të re kulturore ku ndërthuren kujtesa historike, edukimi artistik dhe frymëzimi për brezat e rinj.
Ky festival është më shumë se një akt përkujtimor – është një rikthim dinjitoz i shpirtit të saj në jetën tonë kulturore, një vazhdimësi e ëndrrës që ajo mishëroi me aq përkushtim dhe dashuri”. /Telegrafi/

The post Festivali i Operës Rame Lahaj me mbrëmjen dedikuar Nexhmije Pagarushës, Rama: Një rikthim dinjitoz i shpirtit të saj në jetën tonë kulturore appeared first on Telegrafi.